maks velo

DEBATI-MARGARITI-VELO.mpg_snapshot_00.42-1280x720.jpg
ent ela18:37 | 31/10/2019

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti premtoi botimin e kolanës së veprave të arkitektëve shqiptarë. Artisti Maks Velo, e cilësoi hipokrizi këtë premtim, duke theksuar se politika e sotme po e shkatërron arkitekturen e vendit me themel.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti gjatë ceremonisë së nderimit të mjeshtrit Petraq Kolevica, premtoi se do të botonte kolanë veprash në shenjë nderimi për gjithë mjeshtrat e arkitekturës shqiptare.

Artisti Maks Velo tha se shpesh çmimet janë të pamjaftueshem dhe hipokrizi.

Nga ana tjetër arkitekti Maks Velo theksoi se politika e sotme, nuk respekton arkitektin dhe po i shkatërron veprat  duke i ricikluar pa i thirrur ndryshe nga çdo vend i botës.

Maks Velo është pjesë e enciklopedisë botërore të Arkitekturës, ku përfshihen 140 arkitektët më në zë në botë. /ABC News Albania 24/7

 

 

 

maks-velo.jpg
ad min20:33 | 06/09/2019

Piktori dhe arkitekti i njohur Maks Velo ishte i ftuari i parë i këtij sezoni të ri të emisionit “Provokacija”. Velo u ndal të fliste për disidentët shqiptarë, të cilët njihen si të tillë edhe pse nuk kanë qenë. Në mënyrë specifike, artisti u ndal tek piktori Edi Hila. Sipas Velos, Hila nuk ka bërë burg politik. Ai tregoi një shkrim të Robert Elsie, ku shfaqej edhe Edi Hila si disident.

“Këtu është darka te kështjella e Varshavës në mbrëmje. Ajo zonja aty ishte përkthyesja nga italishtja. Në këtë moment kjo më thotë mua “Maksi, Edi Hila ka qenë me ju në burg”? Thashë unë “ç’ne, Edi hila nuk ka bërë burg”. Më tha “Maksi e ke gabim”. “Si e kam gabim, i thashë”. “Ja ku është Visari, ja ku jam unë”. Edi Hila nuk ka bërë burg. Edi Hila ka vjedhur ca pare në Itali kur po kthehej dhe e çuan te pularia, por Edi Hila burg politik nuk ka bërë. Kjo më tha e ke gabim se e kam të shkruajtur. Sepse ekspozitën e tij në Varshavë ia bëmë jo për punët, por sepse ishte i burgosur politik. Këtu është ajo ku dua të dal unë. Edi Hila deri në Tetor të ‘88-s ka qenë shefi i piktorëve te Piramida e Enverit. Në vjeshtë Tetor-Nëntor të ‘90-s vjen tek unë në shtëpi Robert Elsie me Perikli Jorgonin. Unë e takoja për herë të parë Robertin, ia dhashë dokumentet, vendimet e gjyqit, i dhashë edhe një dhuratë. Ikën Roberti dhe vjen në ‘91-shin dhe më sjell një valixhe me rroba dhe më lë mbi tavolinë këtë. Ky është një botim i Oklahomës, në pranverë të 91-shit ku është një artikull i Robert Elsies. Ky është i pari që merr në analizë të gjithë disidencën artistike në Shqipëri. Artikulli është i gjatë, çuditërisht fut pleniumin edhe thotë, “artistë dhe piktorë si Maks Velo, Edison Gjergji, Edi Hila u denoncuan në sesionin e plenumit të katërt dhe u dërguan në burg dhe në kampet e përqendrimit dhe në minierat e famshme të Spaçit për agjitacion dhe propagandë”. Kjo është marrë nga akuza ime. E shihni, Edi Hila. Ai e mashtroi. Roberti nuk ka shënuar asnjë gjë pa i thënë. Janë dyqind emra. Unë jam i bindur se ai ka vajtur, e ka gjetur dhe ia ka thënë. Edi Hila e kishte për detyrë t’i shkronte një letër, atij “zotëri, unë nuk kam qenë i burgosur politik, nuk kam qenë disident”. Nuk është e para kjo gënjeshtër”, tha Velo.

Sipas Velos, Hila ka gënjyer Robert Elsien. Rasti është i rëndë pasi Elsie ishte shumë i besueshëm për botën anglosaksone, sipas arkitektit.

“Prandaj zuri vend kjo gënjeshtër, kjo poshtërsi e Edi Hilës. Edi Hila ka qenë i Partisë së Punës, ka qenë i realizmit socialist, ka qenë shef në Piramidë. Edi Hila ka dalë 3 herë jashtë shtetit. U çua me bursë në RAI. Të gjithë të dhënat e tij janë pro partisë. Nuk ka bërë as sot një deklaratë, as një rresht kundër realizmit socialist, kundër PP dhe është ai që tani i merr të gjitha të mirat”, tha Velo, i cili shtoi se tani ka ikur me një bursë njëvjeçare në Berlin si disident.

“Këtu është një skenar i një regjisori Serxhio Gixhardi, belg, i cili më dërgon katër letra që nga 2001-2004 dhe sinopsin e një dokumentari që donte të bënte për Maks Velon. Dokumentari u bë dhe ku shkoi thoni ju, Edi Hila, Edi Rama. U shfaq dokumentari në Paris, dokumentar dedikuar Edi Hilës dhe Edi Ramës me paret që u dhanë për Maks Velon”, shtoi më tej Velo.

Velo tha se nuk kishte pranuar të merrte pjesë në dokumentar pasi regjisori kishte kërkuar që të merrte në intervistë Edi Ramën. Sipas Velos, Rama nuk kishte lidhje me dokumentarin dhe kishte sugjeruar që dokumentari të bëhej për të dhe Edi Hilën.

“E shikon se çfarë bëjnë. Mua më dogjën 250 punë. 10 vjet burg. Babai më vdiq, motra pësoi tronditje u dërgua në psikiatri, vëllain e hoqën nga puna. Si s’kanë mëshirë këta njerëz. Si nuk mendon ai njeri”, tha Velo./abcnews.al

maks-velo.jpg
nev ila17:15 | 16/05/2019

Artistë të fushave të ndryshme sollën në qendër të vëmendjes artin nën diktaturë.  Biseda mbi censurën dhe vet-censurën u përqendrua në arte pamore, letërsi dhe kinema. Maks Velo tha se realizmit socialist i mungonte tharmi për të ngjizur vepra arti. Nëse në letërsi ka desidencë, në kinema sipas Kujtim Cashkut  ka rezistencë, por jo desidencë.

Censurën dhe autocensura, në artin shqiptar vjen në tre  plane, në arte pamore, letërsi dhe kinema.

Artisti Maks Velo thekson faktin se liria krijuese në kohën e komunizmit ishte utupike për artistin. Madje sipas tij, realizmit artistik i mungonte tharmi krijues. Maks Velo i cili e vuajti nën lëkure diktaturën, analizon disa prej emrave më në zë të kohës në artet pamorë nën diktaturë.

Në këndvështrimin e Maks Velos , arti lindi vepra të vdekura, lidhja e artistëve sipas Velos, ishte peshqiri për të larë duart me gjak diktatori Hoxha

Luljeta Lleshanaku, nënvizon faktin se censura në letrat shqipe ishte e blinduar, nga 3 duar të hekurta në mënyrë që romanet apo poezitë, të mos ishin në kundërshti me kohën.

Lleshanaku parqet edhe censurën e veprës së Ismail Kadares “Dimri i vetmisë së madhe” i cili u censurua që në titull.

Kineasti Kujtim Çashku organizator i këtij takimi nënvizon një fakt të rëndësishëm, se kinemaja shqiptare nuk ka patur desidencë por rezistencë edhe në filmat e shumtë, krijuar për luftën nacional çlirimtare.

Megjithatë kinemaja shqiptare nuk duhet konceptuar e lindur me krijimin e kinostudios. Pasi kjo tashmë është faktuar edhe me regjistrimet e “Rrethimit të shkodrës” prej të huajve, në 1911, apo vëllezrit Manaki ku rumunët, grekët dhe shqiptarët përpiqen që ti lidhin kontributin me to.

Edhe në kinematografi ka patur denime dhe internime te kineasteve, por kjo nuk eshte lidhur drejtperdrejte me produkti krijues./ABC News Albania 24/7

maks-velo.jpg
ad min20:55 | 05/03/2019

Piktori dhe arkitekti i njohur, Maks Velo, ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija”. I pyetur se kush është ndërtesa më e bukur në Tiranë ditën e sotme, ai tha se ka qenë Piramida, por është kthyer në një masakër. Për Velon, ne jemi në popull që vetëshkatërrojmë.

Gjithashtu, arkitekti dhe piktori i njohur theksoi se edhe stadiumi i ri që po ndërtohet është qendër biznesi bashkë me një hotel.

Mustafa Nano: Kush është ndërtesa më e bukur sot në Tiranë?

Maks Velo: Më vjen keq, por ka qenë Piramida. Është një masakër ajo e qeverisë unë mbajta një fjalë te arkitektët. A do ribëhet? Mund të ribëhet Muç, por a do të bëhet? Të shohim! Unë mbajta një fjalë në këtë konferencën e arkitektëve. Janë dy faqe. E ke të botuar. E kam shumë koncize dhe në një moment them vetëshkatërrimi. Ne jemi një popull që vetëshkatërrojmë. Është vetëshkatërruar Piramida prej një regjisori. Mund të marrësh mend e një regjisori? Ishte ministër i Kulturës, Klosi dhe ai tha do bëj teatër këtu dhe me mend e tyre do prishësh Piramidën ti? Jozefina donte të bënte parlamentin e Brukselit atje, t’ia kalonte dhe Brukselit. U paguan nja 10 milionë asaj studios që fitoi konkursin. Ne jemi ekselentë për të shkatërruar. Si stadiumi “Qemal Stafa” që bëri Rama?

Mustafa Nano: Është gjë e shëmtuar?

Maks Velo: Nuk është stadium ai. Është qendër biznesi. Edhe një hotel sepse nuk e kuptoj mor Muç. Doli kryebashkiaku dhe tha “do ndërtojmë hotele me 5 yje, 4 yje, 2 yje”. Më jep një statistikë sa hotele me 5 yje ke sot? Sa shtretër ke me 5 yje, me 4, me 3? Sheratoni është mbyllur. Rogneri nuk ka njerëz. Ti tani kur këto i ke bosh, përse ndërton një tjetër, se nuk e marr vesh unë. Nëse këto do ishin full dhe njerëzit do flinin në rrugë atëherë ok. Këta nuk japin asnjë statistikë. Ndërtimi bëhet me statistikë o Muç. Nuk është pikturë, as skulpturë./abcnews.al

mm-1-1280x710.jpg
ad min20:00 | 20/01/2019

30 vepra të krijuara 3 vitet e fundit dhe disa nudo  psikologjike sjellin para publikut artistin Maks Velo me eskpozitën “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë”. Artisti na rrëfen sekretin e vibrimit të ngjyrës, e cila ka arritur kulmin në këto punë.

Imazhe primitive, ëndrra, imagjinatë dhe emocione të konservuara ndër vite i kanë shërbyer artistit Maks Velo  për të krijuar “Fshatin primitiv që ndriçohet nga meteorë”.

Sapo vë këmbën në galerinë FAB të shfaqen një mori ngjyrash dhe imazhesh abstrakte të artit modern të Velos bazuar në artin primitiv. Këtë shenjë modernizmi në artin pamor, piktori e ka nisur që në vitin 1964.

Ngjyra është muze frymëzimi për Maks Velon, pasi ajo është melodi për pikturën dhe madje këtë mori ngjyrash e ka ëndërruar gjithë jetën. Fshati primitiv i ka fillesat herët në pikturën e Maks Velos. Ky është fshati primitiv krijuar me personazhet e tij të dashur. Maks Velo i ka qëndruar besnik gjithë jetën artit në këtë formë.

Artisti e pranon se me këtë realizim e ka të vështirë të tejkalojë veten, por e gëzon fakti i kritikës europiane që e ka cilësuar si një novacion edhe për pikturën europiane. Në sallën e dytë, Velo sjell nudot e vonuara , por të veçanta pasi ata përcjellin një forcë psikologjike. Artisti pranon se këto krijime janë pjellë e fantazisë, pasi nuk ka modele që të pozojnë nudo.

Shumë prej punëve janë fryt i emocioneve ndër vite të marra në oaze të ndryshme, por artisti thotë se do një mjeshtëri të veçantë për t’i përkthyer me gjuhën e  pikturës. Por edhe debati politik nuk i ka shpëtuar Velos. Edhe pesimizmin, tragjedinë, Velo e sjell plot ngjyrë. Piktura është jeta e Maks Velos. Ekspozita do të qëndrojë hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura deri në datë 30 Janar./abcnews.al

 

maks-vv.png
ad min20:38 | 02/10/2018

Në “Provokacija” në ABC News, piktori dhe shkrimtari, Maks Velo, ka folur rreth çështjes së Teatrit të ri Kombëtar. Sipas Velos, duhet ndërtuar një teatër tjetër po në të njëjtin pozicion.

Maks Velo: “Unë po e pranoj këtë që thua ti, që ky teatër duhet prishur, por duhet ndërtuar tjetri këtu. Ai nuk bën këtë gjë. Ai merr 5000 metra katrore. Se po të ishte Muç, bënte një vendim të Këshillit të Ministrave që këtë territor ia fal teatrit atëherë unë jam dakord me ty. Të mbarojë, të bëjë një konkurs ndërkombëtar dhe të ndërtohet një teatër tjetër këtu”.

Sipas Velos, ndryshimi i pozicionit të teatrit nuk bëhet më për ndërtimin e tij, por për të vjedhur territorin.

Maks Velo: “Nuk është punë e teatrit, këtu është për të vjedhur territorin. Unë jam dakord. Po të jetë ky territor 5.200 metra, i takon teatrit dhe ndërtohet teatër tjetër”.

Mustafa Nano: “Është bërë një takim i kryetarit të Bashkisë së Tiranës me një numër aktorësh mes të cilëve ka qenë edhe Robert Ndrenika, ku është zotëruar që nuk do të prekë asnjë centimetër të teatrit”.

Maks Velo: “Po lëri ato gënjeshtra. E di çfarë thotë ai Muç? Di teatër në botë ti, të qëndrojë në ajër. Ai teatri është në ajër. Poshtë kalohet dhe këtë poshtë që kalohet ai thotë që është teatër. Këtu nuk ka transparencë Muç. Ne nuk e kemi projektin këtu në tavolinë dhe ta diskutojmë”./abcnews.al

maks-velo.png
ad min20:24 | 02/10/2018

Piktori dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Maks Velo, ishte i ftuar në “Provokacija” në ABC News. Velo foli rreth zhvillimit të qendrës së Tiranës. Sipas tij, edhe pse sheshi është një realizim i mirë nga stafi nuk i përgjigjet kontekstit të qytetit dhe është shumë i gjelbëruar.

Maks Velo: “E di si është puna Muç? Aty sikur je në Holandë”.

Mustafa Nano: “Epo është OK”.

Maks Velo: “Jo, prit tani. Është tjetër qytet. Kjo gjë është edhe e mirë dhe e keqe. Në qoftë se qendra e qytetit e ndjen veten sikur nuk je në atë qytet nuk e di se si e konsideron. Sigurisht është një realizim i mirë i stafit, por kur del pëson një shok. E dyta ka një problem. Aty është një territor i madh i gjelbëruar. Është më i madh se parku botanik. Janë mijëra e mijëra pemë dhe shkurre. Problemi është se duhet t’i mirëmbash. Duhet të kesh një ekip që t’i mirëmbash, me qindra botanistë. Asnjë s’ka. Bimësia ka ardhur duke u degraduar. Nuk është vetëm ta bësh, por edhe ta mbash”.

Më tej, Velo tregoi dhe gabimin e kryeministrit Rama, që është kulla e betonit.

Maks Velo: “Ajo godina e betonit që është bërë karshi ortodokses ajo merr pjesë shumë në shesh. Shkatërron Bankën. Të duket sikur ngado të vërtitesh ajo të vjen sipër. Edhe te xhamia, edhe te Sahati, edhe te Ministria e Brendshme e ke sipër. Është shumë e fuqishme sepse është e llojit arkitekturë-skulpturë. Duhet studiuar mirë sepse ka një forcë të madhe vepruese dhe jo gjithmonë pozitive.”

Mustafa Nano: “Domethënë ajo kullë ishte gabim”?

Maks Velo: “Ishte një gabim dhe është një ndër gabimet e Ramës sepse Rama kështu bën, vendos vetë”./abcnews.al

mustarfa-nano-1280x653.jpg
ad min09:05 | 14/03/2018

Në episodin e radhës të emisionit “Provokacija” nga Mustafa Nano të ftuar ishin:

1.Taulant Balla. Kreu i grupit parlamentar të Ps foli rreth çëshjes së lobimit të Partisë Demokratike, ku revista amerikane “Mother Jones” thoshte se ka zbuluar që janë financuar nga biznesmenë rusë.

2.Rudina Xhunga. Gazetarja ishte e ftuar për shkak të kundërshtisë nda moderatorit të emisionit, Mustafa Nano, i cili në puntatën e kaluar mbajti një monolog ku shprehej kundër veshjes së përdorur nga dy moderatore shqiptare në emisionet sportive.

3.Ingrid Martini. Ajo ka publikuar një shkrim për banesat, që sipas saj duhet të përmbajnë një histori.

4.Maks Velo. Piktori ishte sërish në studion e “Provokacija” për të folur lidhur me komunizmin./abcnews.al

provokacija-1280x662.jpg
ad min11:34 | 07/03/2018

Të ftuar në këtë episod të katërt të “Provokacija” ishin:
1. Astrit Patozi. Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike foli rreth lëvizjes së tij për të ringritur dhe njëherë Partinë Demokratike. Ai u shpreh se është e nevojshme një reformë zgjedhore.
2. Maks Velo. Piktori foli rreth disa dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat me kërkesën e tij janë hapur.
3. Rozi Kostani. Aktorja ishte e ftuar në “Provokacija” për të folur rreth deklaratës së saj, që do ishte e gatshme të luante skena të nxehta erotike nëse do t’i ofrohej një shumë e madhe parash.
4. Romela Begaj. Kampionia e botës në peshëngritje akuzohet se ka përdorur doping. Begaj shprehet se asnjëherë nuk ka përdorur substancat për të cilat akuzohet se ka marrë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono