lufta

kosova-1.jpg
ad min18:25 | 11/06/2019

Në ditën kur Kosova kujton 20 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s janë të shumtë ata që i kanë të freskëta plagët e asaj periudhe. Por dhe zyrtarë ushtarakë ndërkombëtarë në vend risjellin në mend një situatë trishtimi dhe frike.

Blerim Krasniqi gjatë luftës në Kosovë kishte qëndruar në shtëpinë e tij në lagjen “Tasligje”. Për tre muaj sa kanë zgjatur bombardimet ai ka qëndruar i vetëm në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e familjes në një lagje më në qendër. Edhe pas 20 vjetësh Krasniqi ende i ka të freskëta kujtimet kur kanë hyrë trupat e NATO-s në Prishtinë.

Për nder të kësaj dite KFOR-i gjatë ditës së sotme ka mbajtur një ceremoni solemne. Për komandantin e KFOR-it , Kosova pas 20 vjetësh është më ndryshe.

“Kur mendoj Prishtinën e vitit 1999 më kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës, por edhe ndjenjës që më e keqja kishte mbaruar pas atyre muajve shkatërrimtarë të luftës civile . Shumë njerëz ishin zhvendosur kishte mungesë të sigurisë dhe shërbimeve themelore. Ishim pjesë e një grumbullimi të paprecedent të Kombeve të Bashkuara një forcë e fuqishme në përkushtimin e saj për të intervenuar në terren për të bërë një ndryshim, përkundër të gjitha sfidave”.

“Në 20 vjetorin e KFOR-it, i inkurajoj të gjithë të reflektojnë. Po është koha të kujtojmë, por edhe të ecim përpara. Po iu them prapë që KFOR-i mbetet në Kosovë sot si forcë që garanton një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Nën komandën e trupave aleate për reagim të shpejtë në vitin 1999 rreth 5000 ushtarë nga 39 vende erdhën në Kosovë nga e tëra bota./ABC News Albania 24/7

MISIONI-I-FMN-DEKLARATA-1280x720.jpg
ad min23:45 | 06/06/2019

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po vë në rrezik ekonominë globale. FMN ka akuzuar entet amerikane për shpërfillje të risqeve që i kanosen sistemit financiar global.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar të enjten se tensionet tregtare globale të shkaktuara nga rritja e tarifave nga Shtetet e Bashkuara do të dëmtojnë ekonominë globale. Sipas FMN, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të zgjidhin kontestin e tyre me Kinën, pasi përdorimi i tarifave për t’i bërë presion gjigandit aziatik po minon sistemin global të tregtisë. FMN ngriti gjithashtu shqetësimin se sistemi financiar amerikan po bëhet i cënueshëm në kushtet aktuale të tregut, duke nënvizuar se të ardhurat mesatare të korporatave kanë qenë historikisht të larta, ndërsa standardet e shërbimeve po vijnë drejt dobësimit. Fondi paralajmëroi se një ndryshim i papritur i këtij ambjenti komod për korporatat amerikane mund të përmbysë situatën dhe të krijojë një tkurrje të aktiviteteve, investimeve dhe krijimit të vendeve të punës. “Sistemi financiar duket i shëndetshëm por rreziqet afatmesme ndaj stabilitetit financiar po rriten”, deklaroi FMN. Fondi kritikoi entet rregullatore të Shteteve të Bashkuara se ofrojnë reagime të vakëta për t’i bërë kontrast këtyre rreziqeve dhe gatishmëri për të lehtësuar masat shtrënguese./ABC News Albania 24/7

isis.jpg
ad min18:53 | 31/05/2019

Lufta kundër Shtetit Islamik, përveç militantëve të grupit terrorist ka marrë jetën edhe të 1.300 civilëve në Siri dhe Irak. Ka qenë vetë koalicioni ndërkombëtar anti-ISIS që ka publikuar numrin e viktimave, ndërkohë që sipas grupeve të të drejtave të njeriut, bilanci është shumë më i lartë.

Koalicioni anti-ISIS i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka vrarë mbi 1 mijë e 300 civilë në Irak dhe Siri që prej vitit 2014. Lajmin e ka bërë të ditur vetë misioni ushtarak, që ka nënvizuar se civilët janë vrarë pa dashje në bombardimet kundër objektivave të Shtetit Islamik, të nisura 5 vjet më parë.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hyri në veprim pasi militantët e ISIS morën nën kontroll pjesë dërrmuese territori si në Siri dhe në Irak. Organizata terroriste vendosi ligjin e saj brutal mbi miliona njerëz që ranë nën kontrollin e saj dhe organizoi sulme të shumta vdekjeprurëse në mbarë botën.

Shifra e fundit e publikuar nga koalicioni është pak më e lartë se ajo e publikuar 8 muaj më parë, kur kuota e civilëve të vdekur ishte 1 mijë e 100. Në deklaratën për shtyp thuhet se po verifikohet ndërkohë vdekja e 111 personave të tjerë.

Sidoqoftë, të dhënat bien ndesh me ato të grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat pretendojnë se numri i viktimave është shumë më i lartë. Një grup monitorimi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar se bilanci real është 13 mijë civilë të vrarë.

Edhe organizata Amnesti International ka akuzuar koalicionin e udhëhequr nga SHBA se mohon vazhdimisht shkallën reale të dëmeve në njerëz./ABC News Albania 24/7

donald-Trump.jpg
ent ela11:45 | 20/05/2019

Nëse Irani do të luftojë, ky do të ishte fundi zyrtar për Iranin. Një fjali e shkruar nga presidenti amerikan Donald Tramp në profilin e tij në Tuiter. “Mos kërcënoni më kurrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shton presidenti amerikan. Paralajmërimi I kreut të shtëpisë së bardhë vjen pasi një raketë është hedhur në zonën e gjelbër në Bagdad ku gjendet ambasada amerikane. Dyshimet e para janë për militantët shiitë të mbështetur nga Teherani

Një javë më parë departamenti amerikan i shtetit, me një vendim të jashtëzakonshëm urdhëroi të gjithë personelin jo të domosdoshëm që të largohej nga ambasada në Bagdad. /ABC News Albania 24/7

liu-he.jpg
ad min21:01 | 12/05/2019

 

Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për t’u takuar sërish në të ardhmen, këtë herë në Pekin, për të vijuar bisedimet tregtare që nuk kanë dështuar. Kështu ka deklaruar zëvendës kryeministri kinez, Liu He, në një deklaratë pas raundit të 11-të të negociatave të mbajtur në Uashington.

“Diskutimet janë të hapura dhe konstruktive. Besoj se ndërprerjet e shkurtra janë diçka normale dhe të pashmangshme në negociatat mes dy vendeve”, ka deklaruar Liu. Numri dy i qeverisë kineze ka shprehur një optimizëm të moderuar, ndërsa ka shtuar se Pekini nuk mund të heqë dorë nga disa parime./ABC News Albania 24/7

pllakata-per-admir-muratajn.jpg
ad min16:03 | 30/04/2019

Në fshatrat rreth Rinasit, banorët ende diskutojnë për grabitjen e bujshme të 9 Prillit. Ndërsa në aeroport vazhdojnë të mbërrijnë blinda me para bankash që transferohen jashtë Shqipërisë.

Grabitja e 9 Prillit në aeroportin e Rinasit vijon të jetë temë e diskutimeve për banorët e zonës së Tapizës. Hashimi, banor autokton pohon se në fshatin e tij po ndodh një fenomen i çuditshëm. Shumë banorë dyshojnë se thasët me para që u grabitën brenda pistës së Rinasit, mund të jenë fshehur ndërmjet, fshatit Tapizë dhe Niklës.

“Nuk dilsha se për ato para, ata kanë lënë jetën. Unë thosha shyqyr se shpëtuan njerëzit, kjo zonë me gjithë ata armë vetëm një i vrarë. Ku t’i linin paret? Ne këtu jemi sikur me qenë në pus. Në radhë të parë shtet s’ka, disiplinë s’ka, rregull s’ka”, tha ai.

Zhurma e armëve të zjarrit vazhdon ta shoqërojë Hashimin dhe sot e kësaj dite.

“Ishalla po qetësohet gjendja se edhe ne me thënë të drejtën atë ditë janë torturuar gratë dhe kalamajtë. Gati 200 fishekë… se kush a grabitësit, a policia? Ka plas lufta, duke u tall me njerëzit e mi. Unë i dëgjoja armët, por bëja sikur nuk dëgjoja gjë për t’i fiksuar ato”, tha ai.

Kurse Endri nuk beson shume tek fjalët se paratë e grabitura janë fshehur në zonën e tyre.

“Ka qenë policia afërt atyre derisa ndodhi dhe shkëmbimi i zjarrit. Normalisht që s’ka lidhje me zonën tonë. Janë larguar dhe janë fjalë”, tha ai.

Grupi i xhirimit i ABC News u  rikthye përsëri në vendin ku  humbi jetën Admir Murataj. Në mes së pllakatës së mermertë, të vendosur aty në përkujtim të tij, qëndron një shkronjë A, që nënkupton emrin e të ndjerit.

Ky është momenti ku shoqëritë private transportojnë paratë e bankave të nivelit të dytë për në aeroportin e Rinasit. Si masë e shtuar për sigurinë, pas autoblindave me para, tashmë qëndron një makine policie me dy efektivë.

Pas grabitjes së dytë brenda pistës së Rinasit, forcat e Policisë Ushtarake janë pozicionuar në të gjitha pikat e nxehta, nga ku ishte thyer siguria e objektit të rëndësisë së veçantë./ABC News Albania 24/7

filmiii.jpg
ad min22:44 | 25/04/2019

Një film që paraqet historinë e luftës në Kosovë dhe momentin kur forcat ruse u futën nga Bosnja dhe u përqendruan në aeroportin e Prishtinës ka krijuar tensione në Serbi. Tema e filmit ka shtyrë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc që ta ndalojë shfaqjen e tij, ndërsa një parti serbe ka kërkuar shkarkimin e drejtorit.

“Mexha” është turqizëm për kufirin. Rreth këtyre çështjeve Ballkani lufton me shekuj. Në Mexhën e Ballkanit, një film i produksionit serbo-rus, në stilin e filmave aksion amerikan tregon historinë kur forcat nga Moska vendosin të marrin Aeroportin e Prishtinës në Sllatinë.

Forcat ruse në fakt ishin futur në Kosovë, por për një betejë të tillë nuk dihet shumë. Ata janë tërhequr nga misioni me KFOR-in katër vite më vonë. Kështu ka qenë premiera në kryeqytetin serb. Atmosferë festive. Ky film nxiti reagime në Serbi dhe Rusi.

Kështu disi ishte planifikuar të shfaqej edhe në qytetin e Bujanovcit, në jug ku shqiptarët e serbët jetojnë bashkë. Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, të cilën e kontrollon komuna, ka marrë vendim për ta ndaluar shfaqjen e këtij filmi.

Ai beson se një gjë e tillë mund të ngrejë tensionet në këtë qytet. Vendimin e marrë nuk e kthen dhe thotë se Shtëpia e Kulturës është e gatshme për bashkëpunime, por për të afruar popullin.

Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc: “Është një qytet multietnik. Sa i përket llojit të filmit, unë them se në të paraqitet një farë urrejtje mes popullit shqiptar dhe atij serb”.

Produksioni i filmit nuk e ka komentuar këtë ngjarje shumë. Por, në Serbi reagimet kanë qenë të shumta. Ndalimin e filmit e kanë komentuar edhe zyrtarët.

Vlladan Vukosavljeviç, ministër i Kulturës, Serbi: “Besoj se këtë situatë do ta zgjidhim me një mendje të shëndoshë. Presim që qeverisja lokale të ndërmarrë një lëvizje të kuptueshme. Gjithsesi, ky lajm nuk është i mirë pasi nuk është në përputhje me politikat kulturore dhe as me politikat e këtij shteti apo pushteteve lokale. Këtë e trajtojmë si një incident, natyrën e të cilit jemi duke e verifikuar”.

Por në Bujanovc kjo nuk bën përshtypje. Ismaili thotë se nuk e tërheq vendimin.

Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Bujanovc: “Filmi, sa të jem unë drejtor, nuk do të shfaqet në Bujanovc. Sa i përket pasojave, dihet si vendosen drejtorët në Bujanovc. Partia serbe ka kërkuar shkarkimin tim, të shohim ç’do të ndodhë”.

Pak projekte të përbashkëta artistike ka në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Historitë e luftës duket se pas dy dekadave e kanë mexhën më të gjatë./abcnews.al

trumpp.jpg
nev ila14:50 | 17/04/2019

Presidenti Donald Trump ka përdorur veton për të penguar efektet e një rezolute të miratuar nga Kongresi, që kërkonte fundin e ndikimit amerikan në luftën në Jemen.

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur veton ndaj një rezolute të miratuar nga Kongresi, që i jep fund rolit të Shteteve të Bashkuara në luftën në Jemen.

Trump e cilësoi rezolutën e demokratëve si një përpjekje të panevojshme dhe të rrezikshme për të cënuar fuqitë e tij kushtetuese. Kjo është hera e dytë që Trump përdor veton presidenciale që nga marrja e detyrës në vitin 2017.

Qëndrimi kundër i opozitës ndaj politikës së kreut të shtetit për të mbështetur koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen u intensifikua vitin e kaluar, pasi u zbulua se agjentët sauditë kishin vrarë gazetarin Xhamal Kashogi’ në konsullatën saudite në Stamboll.

Rezoluta është miratuar si nga Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senati. Bëhet fjalë për herën e parë që të dyja dhomat mbështesin një draft që kufizon kapacitetet e presidentit për të futur trupa ushtarake në veprim.

Kjo rezolutë është një përpjekje e panevojshme dhe e rrezikshme për të dobësuar autoritetin tim kushtetues, që vë në rrezik jetët e qytetarëve amerikanë dhe të trupave ushtarake, si sot ashtu edhe në të ardhmen”, deklaroi Trump në mesazhin e tij.

Jemeni është shkatërruar nga konflikti i armatosur që u përshkallëzua në mars të vitit 2015, kur rebelët Huthi morën nën kontroll shumicën e pjesës perëndimore të vendit dhe detyruan presidentin Mansur Hadi të arratisej./abcnews.al

eksodi-i-bllaces-1280x724.jpg
nev ila22:26 | 10/04/2019

Në fshatin kufitar të Bllacës, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, u vendos të mërkurën gurë-themeli i qendrës përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, “Bllaca 99”. Aty u vendosën edhe tre vagonë me të cilët ishin bartur kosovarët e dëbuar nga policia serbe.

Bedrije Makolli nga Prishtina po priste në stacion në Fushë Kosovë trenin që ishte nisur nga Mitrovica për të shkuar Bllacë, në kufi me Maqedoninë Veriore. Kësaj radhe jo si e dëbuar nga policia serbe, por për të kujtuar ditën që u dëbua 20 vjet më parë, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me emocione të përziera ajo tregon se si familja e saj dhe shumë të tjerë që ishin strehuar në shtëpinë e tyre u detyruan të braktisin atë.

Fat të ngjashëm me të Bedries kishte edhe Sherife Luta. Ajo bashkë me vajzën tashmë 20 vjeç kishin dalë në stacionin hekurudhor në Kaçanik për t’iu bashkuar turmës. Fotografia e saj e publikuar në Reuters me foshnjën 6 muajshe ishte bërë simbol i eksodit në Kosovë.

Ajo nga treni i shpjegon vajzës së saj se si kishte ecur në këmbë nga fshati Ivajë i Kaçanikut deri në Bllacë. Ndërsa nuk munguan as mysafirë nga Shqipëria.

Në këtë fshat kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u vu gurë-themeli i qendrës përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë “Bllaca 99”, ku u vendosën edhe tre vagonë me të cilët ishin bartur refugjatët. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të partive politike shqiptare nga Maqedonia.

Ishin vendosur edhe tenda ku profesoresha Bedrije bashkë me nënë Sherifen u shpjegonin nxënësve vështirësitë e mbijetesës në atë kohë. Por tashmë vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja.

Në vitin 1999, gjatë luftës rreth një milion shqiptarë janë dëbuar nga Kosova, 440 mijë prej të cilëve kanë kaluar nëpër Bllacë./abcnews.al

reportazhi.jpg
ent ela16:16 | 06/04/2019

Në një reportazh të shkurtër mediat italiane tregojnë se dhe pas kaq vitesh, viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, nga ushtarët serbë, janë ende të dënuara të qëndrojnë në heshtje për shkak të paragjykimeve.

Kosovë, historia e grave të përdhunuara dhe të harruara gjatë luftës. Kështu nis reportazhi i transmetuar në mediat italiane ku rrëfen për temën që ende konsiderohet një tabu.

Në Kosovë çdokush ka një histori të tijën për të treguar. Disa vjet pas përfundimit të luftës, cilido mund të kujtojë torturat, ekzekutimet në masë, zjarrvëniet e varret e përbashkëta.

Por në Kosovë ka dhe histori që dhe sot e kësaj dite është vështirë për të folur.

“Atë mëngjes ndodhesha në shtëpi me tre vajzat e mia kur erdhën ushtarët serbë. Ishin katër, dy policë dhe dy paraushtarakë. Më pyetën se ku ndodhej bashkëshorti im duke më thënë se ai ishte pjesë e UÇK-së – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Filluan të talleshin me mua duke më pyetur se çfarë bëja vetëm në shtëpi. Më pas më ofenduan duke u bërë gjithnjë e më të dhunshëm. Deri kur njëri prej tyre më sulmoi.

Kur e kuptova atë që do të ndodhte u largova në një dhomë tjetër, sepse nuk doja që vajzat e mia të shihnin. Dy prej tyre më ndoqën, dhe njëri nga ata nisi të më prekte. Unë bërtisja dhe dëgjoja vajzat e mia që qanin. Më pas erdhën dhe dy të tjerët. U përpoqa të arratisesha, por më goditën dhe humba ndjenjat. Vajza më e madhe ishte katër vjeç. Dhe që nga ajo ngjarje vuan nga kriza epilepsie. Dhe sot e kësaj dite unë nuk e di nëse ajo e ka kuptuar atë që ndodhi, nuk kemi folur asnjëherë për atë ditë”.

Rrëfimi i kësaj gruaje që takuam në një fshat në jug të Kosovës, është i ngjashëm me atë të shumë të tjerave. Askush nuk e di numrin e saktë të këtyre viktimave por mendohet të jenë me mijëra.

Për momentin është arritur një rezultat i rëndësishëm, pasi përdhunimi është pranuar si një krim lufte. Për këtë arsye viktimat dëmshpërblëhen në formën e një pensioni mujor prej 230 eurosh në muaj.

“Atë ditë bashkëshorti im u vra nga serbët. Dhe unë u gjenda e vetmuar me tre vajzat e mia dhe me një secret për të ruajtur deri në fund të jetës. Disa gra nisën të tregonin atë që iu kishte ndodhur, por njerëzit filluan të talleshin me ‘to. Ja ajo që e kanë përdhunuar serbët – thonin. Sikur të kishte qenë faji ynë për atë që kishte ndodhur. Di për historinë e një gruaje e cila disa javë më parë i tregoi motrës së saj se e kishin përdhunuar. Dhe tani motra e saj nuk i flet më. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe akoma nuk mund të flasim për atë që ka ndodhur, as me familjarët tanë.”

Për gratë që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale nga serbët në Kosovë, ka pasur heshtje që në fillim. Për ‘to nuk kanë folur as organizatat humanitare, as ushtarët e forcave shumëkombëshe të paqes dhe as gazetarët. Por prej disa vitesh ka persona që punojnë për të identifikuar këto viktima dhe për t’i ndihmuar, sipër shembull shoqata për gratë mjeke në Gjakovë.

Fehmije Lushza, Asistente Mjekësore: “Shkojmë në çdo shtëpi për të treguar punën që bëjmë. Shpjegojmë se ka një qendër ku gratë mund të shkojnë dhe të flasin për problemet e tyre dhe ne i presim këtu. Zakonisht vijnë me një justifikim tjetër duke thënë se kanë pësuar një traumë gjatë luftës. Por gjithnjë flasin vetëm për vdekjen e bashkëshortit të tyre, apo djegien e shtëpisë.”

Akoma sot vështirësia më e madhe për këto  viktima është turpi dhe frika se mos i largojnë nga familja

Fehmije Lushza, Asistente Mjekësore: “Para se të na tregojnë historinë e tyre ato thonë gjithnjë të njëjtën gjë: A do ta marrë vesh njeri? Kanë terrorin se mund të merret vesh që kanë qenë viktima të përdhunimeve. Anonimiteti për ato është thelbësor. Për këtë arsye përveç mbështetjes psikologjike, dhe ndihmës në procedurat për përfitimin e pensionit, I ndihmojmë dhe të kërkojnë një punë. Apo dicka që mund t’I justifikojë para familjeve të tyre, për paratë që marrin cdo muaj. Pas shumë vitesh dënimi me heshtje për këto gra nuk ka përfunduar akoma.  /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono