lufta tregtare

SHBA-KINE.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela11:45 | 02/08/2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa të reja për produktet kineze, duke ashpërsuar edhe më tej luftën tregtare me Kinën. Trump ka akuzuar Pekinin se nuk u është përmbajtur detyrimeve të marra përsipër në bisedimet dypalëshe dhe ka paralajmëruar se tarifat e reja mund të rriten.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa të reja prej 10 për qind mbi produktet kineze me vlerë 300 miliardë dollarë, një lëvizje kjo që pritet të përshkallëzojë më tej luftën tregtare mes dy vendeve. Deklarata erdhi pas raundit të radhës të bisedimeve, ku palët treguan pak vullnet për të tejkaluar ngërçin. Tarifat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 shtator, faktikisht do të taksojnë të gjitha importet kineze në Shtetet e Bashkuara. Ato pritet të mbulojnë një gamë të gjerë produktesh, nga telefonët “smart” deri tek veshjet. Ministri i Jashtëm kinez, Uang Ji kritikoi lëvizjen e Shtëpisë së Bardhë. “Rritja e tarifave nuk është një mënyrë konstruktive për të zgjidhur përplasjet ekonomike dhe tregtare. Nuk është rruga e duhur”, deklaroi ministri. Presidenti Trump e njoftoi planin e tij të tarifave në Tëitter, duke akuzuar Kinën se nuk ka mbajtur premtimin për të blerë më shumë produkte agrikulturore amerikane. Ai gjithashtu sulmoi homologun kinez Xi Jinping, që dikur e cilësonte mikun e tij, se ka dështuar në implementimin e zotimeve të marra përsipër nga Pekini. Ndërkohë, në një deklaratë të mëvonshme, presidenti amerikan u tha gazetarëve se tarifa prej 10 për qind është një masë afatshkurtër, duke paralajmëruar se më vonë ajo mund të rritet mbi 25 për qind. “Dikush duhet ta kishte bërë këtë me Kinën shumë kohë më parë”, tha Trump. /ABC News Albania 24/7

biznese.jpg
G. P.09:43 | 18/06/2019

Bizneset dhe shoqatat tregtare amerikane po i thonë administratës Trump se shkallëzimi i luftës tregtare me Kinën do të dëmtojë familjet, vendet e punës dhe ekonominë amerikane.

Duke filluar që këtë javë, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë në SHBA do të zhvillojë seanca dëgjimore për shtatë ditë, në të cilat do të shqyrtohet shtimi me 25 për qind i tarifave ndaj pothuajse të gjitha importeve kineze që nuk janë prekur ende nga taksat.

Në një deklaratë për Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë tha se “ka alternativa më të mira për trajtimin e politikave dhe praktikave të Kinës, që nuk do të kishin të njëjtat ndikime negative mbi konsumatorët, bizneset dhe komunitetet lokale të Shteteve të Bashkuara. Tani është koha për t’u kthyer në diskutime serioze dypalëshe,” – thuhet në deklaratën e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Më shumë se 600 kompani dhe shoqata të tjera tregtare, në mesin e tyre kompantë Walmart dhe Target, nënshkruan një letër, me nismën e një koalicioni biznesi, ku thuhet se tarifat e reja dëmtojnë ekonominë amerikane. Presidenti Trump tashmë ka vendosur tarifa prej 25 për qindsh ndaj mallrave kineze me vlerën e 250 miliardë dollarëve. Në letër i bëhet thirrje Shtëpisë së Bardhë që t’i heqë tarifat, duke thënë se ato do të kenë “një ndikim negativ afatgjatë tek bizneset amerikane, fermerët, familjet dhe ekonomia amerikane”./VOA

trump-padia.jpg
ent ela22:30 | 15/05/2019

Presidenti Donald Trump do të shtyjë vendimin për vendosjen e tarifave për makinat e importuara nga Europa dhe Japonia, duke shmangur kështu krijimin e një fronti të ri lufte tregtare pas atij me Kinën.

Presidenti amerikan Donald Trump pritet ta shtyjë për 6 muaj vendimin për vendosjen e tarifave për makinat e importuara dhe pjesët e këmbimit. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë administratës Trump për agjencinë “Reuters”, sipas të cilave në këtë mënyrë kreu i shtetit do të shmangë hapjen e një fronti tjetër lufte tregtare. Një njoftim zyrtar lidhur me këtë pritet të bëhet ditën e shtunë, dita kur Trump duhet të marrë një vendim në bazë të rekomandimeve të Departamentit të Tregtisë për të mbrojtur industrinë amerikane të automjeteve nga importet. Javën e kaluar “Reuters” raportoi se prodhuesit e automjeteve presin që Trump të shtyjë vendimin, teksa negociatat me Bashkimin Europian dhe Japoninë të vazhdojnë. Kompani si “Xheneral Motors”, “Folksvagen”, “Tojota” dhe të tjera paralajmëruan se vendosja e tarifave deri në 25 për qind për makinat e importuara do të ketë efekte dëmtuese. Edhe stafi i Shtëpisë së Bardhë ka zhvilluar një seri bisedimesh të nivelit të lartë mbi çështjen në fjalë në ditët e fundit dhe u kanë komunikuar vazhdimisht prodhuesve se kanë në plan që ta shtyjnë vendimin. /ABC news Albania 24/7

LUFTA-TREGTARE-SHBA-KINE.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.23:37 | 24/09/2018

Përshkallëzohet lufta tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit. Pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja për importin, Kina akuzon Shtetet e Bashkuara për praktika bulizmi në fushën e tregtisë.

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për bulizëm tregtar pasi një raund i ri i tarifave hynë në fuqi ndaj mallrave të vendit komunist. Uashingtoni imponoi tarifa të reja për 200 miliardë dollarë vlerë të produkteve kineze, raundi më i madh i vendosur ndonjëherë në luftë tregtare të përshkallëzuar mes dy superfuqive ekonomike. Tarifat erdhën si kundërpërgjigje për ato që SHBA i konsideron si praktika të pabarabarta tregtare të Kinës. Nga ana tjetër edhe Pekini vendosi më herët tarifa për 60 miliardë dollarë vlerë të mallrave të SHBA-ve.
Në një dokument zyrtar, siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, Kina thotë se SHBA po përdor “praktika të bulizmit tregtar”, “Intimidon vendet e tjera përmes masave ekonomike”, dhe dëmton ekonominë globale. Gjithashtu Kina akuzon Uashingtonin për nisjen e “luftës tregtare më të madhe në historinë ekonomike”.

Lëvizja e fundit e çon shumën totale të tarifave të vendosura që prej muajit korrik, që godasin importimin e mallrave nga Kina, deri në 250 miliardë dollarë. Kjo shifër është sa gjysma e mallrave të importuara të Kinës në SHBA. Përshkallëzimi i fundit vjen pasi Pekini anulloi vazhdimin e bisedimeve tregtare me Uashingtonin. Raportohet se masat e fundit ndëshkuese prekin të paktën 6 mijë produkte si çanta, oriz dhe tekstile. Gjithashtu prekin edhe sektorin e teknologjisë./abcnews.al

44842515_403.jpg
ent ela23:57 | 16/08/2018

Andrew Brunson është një prift protestant që ka shkaktuar përçarje mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Më 1993 ai mbërriti nga SHBA në Turqi, ku punoi tërë kohën. Por tani është bërë shkas i grindjeve mes këtyre dy vendeve.

Shoqata protestante në Izmir të Turqisë është e vogël. Ajo ka vetëm disa dhjetra besimtarë, të cilët rregullisht takohen në një hapsirë të vogël në një godinë. Në mesin e tyre rri ulur me kitarë në dorë Andrew Brunson, një amerikan, prift protestant. Luan me kitarë dhe këndon. Të paktën kështu tregojnë fotografitë e botuara në internet. Kështu ka qenë edhe në kishën e Izmirit, para se Brunson të arrestohej nga autoritetet turke dhe ky arrestim të përdorej si shkas për shkallëzimin e konfliktit mes SHBA-së dhe Turqisë.

Rruga deri në Turqi

50-vjeçari Brunson me siguri që nuk ka mundur ta parashikojë një zhvillim të tillë të ngjarjeve në vitin 1993, kur për herë të parë erdhi në Turqi së bashku me bashkëshorten e tij Norine. Ai erdhi nga vendi i vogël Black Mountain në Karolinën Veriore, ku feja protestante është pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe ku tradicionalisht votohet për republikanët. Çifti Brunson i përket grupit të besimtarëve evangjelistë, një kishë protestante me botëkuptime liberale.

Ashtu si të gjithë besimtarët e tjerë edhe familja Brunson beson tek misionet. Ndaj edhe kanë pranuar që të ndërmarrin një mision fetar në Turqi, në një vend kur 99 % e popullatës i përket besimit islam. Misionet fetare lejohen në Turqi, por nga viti 2003 nuk shihen me simpati. Më 2007 në Turqi u vra një misionar gjerman dhe dy persona të konvertuar. Por Brunson i ka mbetur besnik misionit të tij, më 2010 ai themeloi madje edhe kishën e ringjalljes në Izmir.

Në vend të vazhdimit të vizitës – arrestimi

Gjashtë vite më vonë, Brunson deshi të vazhdonte vizën e tij në Turqi. Por në fund të vitit 2016 ai u arrestua në valën e arrestimeve pas puçit të dështuar kundër Erdoganit. Edhe bashkëshortja e Brunsonit u mbajt disa ditë nën masa arresti. Ndërsa Brunson akuzohet, pas 63 ditësh në arrest, për anëtarësi në grupet terroriste, spiunim, bashkëveprim dhe planifikim të puçit si dhe mbështetje të partisë së ndaluar kurde, PKK.

SHBA dhe bashkësia ndërkombëtare janë të mendimit se këto akuza janë të pabaza. Brunson ka pranuar se kohë pas kohe ka udhëtuar edhe në zonat e banuara me kurdë, por atje është kujdesur për refugjatët. Nuk  ka asnjë dëshmi që ai ka qenë pjesë e përpjekjeve për rrëzimin e regjimit të Erdoganit. Brunson pohon se është i pafajshëm dhe se kurrë nuk ka lejuar që politika të futet në kishën e tij.

Qeveria amerikane reagoi me indinjatë pas arrestimit të Brunsonit. Por presidenti Erdogan ka kërkuar shkëmbimin e priftit me kundërshtarin e tij më të madh, Fetullah Güllen, i cili konsideohet organizatori kryesor i protestave kundër Erdoganit. Gülleni mbetet i strehuar në SHBA. “Na jepni Güllenin dhe do ta merrni Brunsonin”, tha Erdogan.

Refuzimi amerikan

Presidenti amerikan Donald Trump e ka refuzuar këtë kërkesë. Por kërcënimet dhe lufta tregtare mes SHBA dhe Turqisë ndërkohë janë përshkallëzuar. Trumpi e konsideron si shumë të rëndësishëm grupin e votuesve të këtij besimi. Zëvendëskryetari Mike Pence edhe vet prezantohet si evangjelist i madh. Ndërkohë gjendja shëndetsore e Brunsonit është përkeqësuar. Vajza e tij thotë, se Brunson ka humbur ndërkohë 25 kilogram dhe nuk është mirë me shëndet. /DW

 

 

 

Donald-Trump-e1526640469549.jpg
G. P.09:58 | 10/06/2018

Për të shmangur luftën tregtare me vendet që konsiderohen aleatë të Shteteve të Bashkuara, presidenti Donald Trump ka lëshuar pe, duke u propozuar shteteve anëtare të G7-s një tregti pa tarifa dhe rrjedhimisht pa pengesa.

Presidenti Donald Trump u ka propozuar vendeve anëtare të G7-s heqjen e tarifave, në një kohë kur shtetet në fjalë po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti amerikan, në një konferencë ku i ka cilësuar bisedimet me liderët e tjerë si “jashtëzakonisht produktive”, pavarësisht tensioneve të shkaktuara nga vendimi i tij i mëparshëm për rritjen e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar. Duke vënë në dijeni gazetarët para largimit nga Kebeku, Trump ka mohuar që samiti i G7-s të ketë jetë karakterizuar nga grindjet.

“Pa tarifa, pa pengesa. Kështu duhet të jetë. Ua thash edhe atyre, pa tarifa për të pasur një tregti të drejtë dhe reciproke”, ka thënë Trump.

Sidoqoftë, ai i ka qëndruar besnik deklaratave të mëparshme se të tjerët kanë përfituar nga Shtetet e Bashkuara për dekada me radhë dhe e ka përshkruar Amerikën si një kumbara nga e cila vjedhin të gjithë. Sidoqoftë, për këtë Trump nuk ka fajësuar liderët e G7-s, por parardhësit e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht ofertës, presidenti u është përgjigjur edhe paralajmërimeve të Kanadasë, Meksikës dhe BE-së për zbatimin e masave reciproke.

“Do të ishte një gabim. Nëse një luftë tregtare fillon, Amerika fiton një mijë herë nga një mijë”, ka shtuar Trump.

Ecurinë pozitive të takimit e ka pohuar edhe kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte.

“Është diskutuar shumë për taksat, tarifat dhe pengesat. Mund të them se kemi arritur një marrëveshje dhe se të gjithë kemi rënë dakord se sistemi i tregtisë bazuar në rregulloren e OBT-së kërkon një reformim, për t’u përshtatur me realitetin e sotëm social dhe ekonomik”, ka thënë Conte.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur për zhvillime pozitive, por ka përmendur edhe atë që e ka quajtur vetizolimin e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e klimës./abcnews.al

macron-1.jpg
ent ela19:05 | 30/05/2018

Frika nga luftrat tregtare ka detyruar Francën që të kërkojë një reformim të sistemit tregtar global. Ndërkohë, Parisi zyrtar ka bashkuar forcat me Berlinin për t’i bërë ballë tarifave amerikane për produktet e importuara.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar të mërkurën se fuqitë e mëdha ekonomike duhet të reformojnë rregullat e tregtisë botërore, me qëllim shmangien e luftrave tregtare. Komentet e tij Macron i ka bërë gjatë punimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që po mbahet në Paris, në një kohë kur Europën e ndajnë më pak se dy ditë nga rritja e taksave për çelikun dhe aluminin e importuar në Shtetet e Bashkuara.

“Nevojitet një përditësim global i rregullave të konkurrencës”, ka deklaruar Macron, duke shtuar se, politikat proteksioniste që çojnë në marrjen e masave reciproke mund të nxjerrin rritjen globale nga binarët. Presidenti francez ka kërkuar që BE, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Japonia të hartojnë një skemë për reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila duhet të jetë në kohë për samitin e ardhshëm G-20 që do të mbahet në fund të vitit në Argjentinë.

“Rregullat e reja duhet të jenë në koherencë me sfidat aktuale si çekuilibrimi i tregjeve, prona intelektuale, të drejtat sociale dhe mbrojtja nga klima”, ka thënë Macron.

Ndërsa ministri francez i Financave, Bruno Le Maire dhe homologu gjerman Peter Altmeier kanë deklaruar se Europa do të jetë e bashkuar dhe e vendosur përballë rritjes së taksave nga Shtetet e Bashkuara.

“Nuk do të pranojmë që Europa të dëmtohet nga tarifat për çelikun dhe aluminin”, kanë thënë ministrat. /abcnews.al

101647671_chinausaflags.jpg
ent ela11:25 | 20/05/2018

SHBA dhe Kina kanë arritur një marrëveshje shumë të rëndësishme që i jep fund luftës tregtare të nisur me dy vendeve për shkak të tarfiave të vendosura nga administrata Trump. Uashingtoni dhe Pekini ka rënë dakord që të rrisin nivelin e bashkëpunimit.

Mes Uashingtonit dhe Pekinit është regjistruar “një consensus për të marrë masa efikase për të reduktuar ndjeshëm deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara me Kinën”. Kjo u njoftua në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë duke raportuar për “konsultimet konstruktive” të mbajtura të shtunën dhe të enjten në Uashington midis delegacionit amerikan dhe delegacionit kinez. Këto bisedime u mbajtën pas shenjave për bashkëpunim të lëshuara nga Presidenti Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping.

“Për të plotësuar nevojat në rritje të konsumit të popullit kinez dhe nevojën për një zhvillim ekonomik të cilësisë së lartë – shkruan shënimi – Kina do të rrisë ndjeshëm blerjen e mallrave dhe shërbimeve amerikane. Kjo do të ndihmojë në ruajtjen e rritjes dhe punësimit në Shtetet e Bashkuara”. Të dy palët u pajtuan pastaj për “rritje të konsiderueshme në eksportet bujqësore dhe energjetike në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të dërgojnë një ekip në Kinë për të punuar në detaje”.

Ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit u regjistrua gjithashtu “një konsensus mbi nevojën për të krijuar kushte të favorshme për të rritur tregtinë në këto fusha”. Së fundi, përfundon shënimi i Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë theksuar rëndësinë që ata i japin “mbrojtjes së pronësisë intelektuale, duke rënë dakord për të forcuar bashkëpunimin” dhe kanë vendosur të “vazhdojnë dhe të angazhohen në një nivel të lartë për këto çështje për të kërkuar për të zgjidhur çështjet e tyre ekonomike dhe tregtare në një mënyrë proaktive”. /abcnews.al

US-Trade-Team-in-Beijing-2018-960x576.jpg
ent ela20:12 | 04/05/2018

Pas dy ditë negociatash të mbajtura në Pekin, përfaqësuesit e qeverisë amerikane dhe ata të asaj kineze kanë rënë dakord për ngritjen e një mekanizmi pune që do mundësojë mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme, me qëllim zgjidhjen e kontesteve tregtare. Sipas raportimeve të mediave kineze, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për disa çështje, por për disa të tjera diferencat mbeten të thella. Sipas burimeve, dy delegacionet kanë biseduar për zgjerimin e eksporteve amerikane në Kinë, shkëmbimin e shërbimeve, investimet, mbrojtjen e pronës intelektuale dhe për taksat, që u kthyen në mollën e sherrit mes dy superfuqive. Gjithashtu, raporton online agjencia e lajmeve “Kina e Re”, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë njohur rëndësinë për një zhvillim të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe që kontestet të zgjidhen përmes negociatave. Pas këtij raundi të parë, procesi pritet të vijojë sistematikisht. /abcnews.al

 

donald-trump-1.jpg
G. P.10:50 | 04/04/2018

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar Kinën me shtim të tarifave tregtare që kapin vlerën e 50 miliardë dollarëve. Kjo masë vjen në sajë të politikave të Trump për tregti të barabartë.

Vijon përplasja mes Uashingtonit dhe Pekinit për luftën tregtare. Presidenti amerikan Donald Turmp ka propozuar tarifa të reja për 25% mbi importimet tregtare nga Kina, që kapin vlerën e 50 miliardë dollarëve. Zyra amerikane për tregtinë ka publikuar një listë me 1300 produkte, përfshirë robotët industrial dhe pajisjet për telekomunikacionin. Masa ndëshkuese është propozuar për shkeljen e pronës intelektuale amerikane nga ana e Pekinit.

Tarifa e Shteteve të Bashkuara mund të hyjë në fuqi vetëm pas një periudhe vlerësimi publik, limiti i të cilit është vendosur 11 Maji i ardhshëm. Ky është një hap nga ana e administratës amerikane për të kundërshtuar praktikat tregtare të padrejta nga ana e vendeve të ndryshme të botës, mes të cilëve dhe Kina.

I menjëhershëm dhe i njëjtë ishte dhe reagimi i Pekinit. Edhe Kina ka propozuar tarifa për importimin e 106 produkteve amerikane, ku përfshihen makina, avionë dhe produkte kimike për një vlerë totale prej 50 miliardë dollarësh. Lista me 106 produkte është shpërndarë nga ministria kineze e Tregtisë.

Pekini ka ndërmend dhe të ngrejë një çështje kundër SHBA-ve në Organizatën Botërore të Tregtisë, “WTO”. Ambsadori i Kinës në këtë organizatë thotë se masat amerikane shkelin parimet themelore të “WTO-së”. Ndërkohë, së fundmi Shtëpia e Bardhë kishte kritikuar kundër-tarifat kineze në përgjigje ndaj atyre amerikane për çelikun dhe aluminin. Përplasjet tregtare, jo vetëm me Kinën, por edhe me shtete të tjera, nisën pas vendosjes së këtyre tarifave nga ana e Trump.

Presidenti amerikan e arsyetoi taksën për importin e çelikut dhe aluminit duke thënë se SHBA ka humbur shumë në tregtinë me vende të tjera si dhe u shpreh se luftrat tregtare janë të mira dhe të lehta për t’u fituar./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono