londra

BREXIT-TUSK-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.02.jpg
ent ela08:35 | 21/09/2018

Brukseli ka refuzuar kushtet e Londrës për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Në përfundim të samitit të Salzburgut, kreu i Këshillit Europian Donald Tusk ka deklaruar se propozimi i fundit i kryeministres Thereza Mej nuk do të funksionojë në praktikë.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka deklaruar se plani i kryeministres britanike për partneritetin me BE pas BREXIT nuk do të funksionojë. Në përfundim të samitit të Salzburgut, ku liderët e 27 vendeve anëtare diskutuan pikërisht daljen e Mbretërisë së Bashkuar, Tusk ka nënvizuar se plani i May rrezikon të dëmtojë tregun e përbashkët europian. Propozimi i kryeministres britanike parashikon që Londra të nënshkruajë me Brukselin një paketë të përbashkët rregullash për tregtinë e mallrave dhe një territor doganor dypalësh.

Për May, propozimet në fjalë janë e vetmja mënyrë e sigurtë për të shmangur një përplasje kufitare me Irlandën e Veriut. Por në konferencën e shtypit, Tusk ka thënë se një skemë e tillë, pavarësisht se ka disa elementë pozitivë në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë me Unionin, në praktikë nuk do të funksionojë. Tusk ka vijuar se tetori do të jetë momenti i së vërtetës sa i takon marrëveshjes dhe ka shtuar se, në rast se do të ekzistojnë kushtet e duhura në nëntor do të mbahet një tjetër samit për formalizimin e saj. Në reagimin e saj, kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se deri atëherë do të duhet shumë punë për të tejkaluar ndasitë.

Ndërsa presidenci francez, Emmanuel Macron ka thënë se, Brexit u propozua nga njerëz që kishin parashikuar një proces të thjeshtë. Mbretëria e Bashkuar pritet të braktisë zyrtarisht BE-në më 29 mars të vitit të ardhshëm, por kleçka që i pengon në arritjen e ujdisë është shmangia e kontrolleve në kufirin e Irlandës së Veriut./abcnews.al

vlcsnap-2018-09-16-15h19m54s493-1280x799.png
G. P.21:22 | 16/09/2018

Kryebashkiaku i Londrës kërkon zhvillimin e një referendumi të dytë lidhur me largimin e vendit nga Bashkimi Evropian. Sadiq Khan thotë se qeveria Britanike nuk është e përgatitur për situatën që mund të hasë vendi nëse arrin ose jo një marrëveshje me Brukselin për Breksit.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka lëshuar një apel të përzemërt për një referendum të ri për “Brexit” që të përpiqet të përmbysë rezultatin e konsultimit të qershorit të vitit 2016. Qeveria konservatore e Theresa May nuk ka “mandat për të rrezikuar aq keq me ekonominë britanike dhe jetën e njerëzve”, tha eksponenti 47-vjeçar i Laburistëve i origjinës pakistaneze në një artikull i gazetës britanike “Observer”.

Ai tha se “koha po kalon me shpejtësi”, ndërsa qeveria e kryeministres Theresa May duket “e papërgatitur dhe e pakënaqur me situatën”. Dështimi për të arritur marrëveshje me Brukselin, qoftë dhe një marrëveshje e keqe, mund të rezultojë në humbjen e 500,000 vendeve të punës, me pasojë çrregullime civile, paralajmëroi Khan. Sipas tij, tashmë ka shumë pak kohë për të negociuar me Brukselin dhe mund të arrihen vetëm dy rezultate, një marrëveshje e keqe për Mbretërinë e Bashkuar ose asnjë marrëveshje, dy perspektiva shumë të rrezikshme.

Qytetari i parë i kryeqytetit të Mbretërisë së Bashkuar ka nënvizuar se mashtrimi nga fronti pro Largimit nga Unioni është tregues i qartë se qytetarët “nuk votuan për t’u larguar nga BE dhe të bëheshin më të varfër”. Prandaj ai propozon organizimin e një “vote publike” për çdo marrëveshje me BE-në apo mosmarrëveshjen, duke ofruar si alternativë “mundësinë për të qëndruar në BE”./abcnews.al

44605564_401.jpg
G. P.08:16 | 11/07/2018

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Takimi ishte grotesk. Në hapjen e samitit për Ballkanin Perëndimor në lindje të Londrës mungonte ai që priste miqtë. Boris Johnson nuk arriti të vinte. Ministri i Jashtëm britanik ishte disa kilometra më tutje i zënë me shkrimin e dorëheqjes së tij. Dorëheqja e Johnsonit e vendosi në hije takimin aq të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nxorri në plan të parë Brexitin. Në vend të freskisë së pranimeve të reja në BE, takimi u sundua nga ajri i prishur i daljes nga BE. Si mund t’i prezantojë në mënyrë të besueshme një vend virtytet e Klubit evropian, prej të cilit ai vetë është duke u larguar?

Londra rrit ndihmat financiare

Britania e Madhe po largohet nga BE, por nuk do të shkëputet nga përgjegjësia që ka për Ballkanin, u mundua të thoshte kryeministrja britanike Theresa May. Ky pohim u shoqërua me premtime financiare: Mbas Brexitit Londra do të rrisë ndihmat financiare për vitet 2020 /2021 me 95 përqind duke dhënë 80 milionë pfund“.

Grobritannien London Pressekonferenz von Theresa May und Angela Merkel (Getty Images/S. Rousseau)

Me këto do të përkrahen projektet në rajon. Ka shumë punë për të bërë- administrata publike dhe drejtësia duhen reformuar, projektet ekonomike duhen vënë në vijë. Theresa May: „Në afat të gjatë mirëqënia është garancia më e mirë për sigurinë “. Me këtë fjali ajo kaloi në temën që i intereson më shumë.
Mbasi foli në takimet e mëparshme kryesisht për bashkëpunimin rajonal, këmbimin mes të rinjve dhe konektivitetin, Britania e Madhe e vendosi çështjen e sigurisë në qendër të bashkëpunimit: Në të ardhmen Bashkimi Evropian do të punojë ngushtë në këtë fushë me gjashtë vendet e perëndimit të Ballkanit. Synimi është pengimi i migracionit ilegal, radikalizimit dhe tregëtisë së armëve.

Siguria – emëruesi i vetëm i përbashkët

Ison e mori kancelarja gjermane, Angela Merkel duke thënë se “Siguria e Ballkanit Perëndimor është në interes të Gjermanisë dhe BE-së”. Tema e sigurisë është me sa duket emëruesi i vetëm i përbashkët, për gjithë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin Procesi i Berlinit. Ballkani perëndimor duhet të ndihmojë në sigurimin e kufijve të BE-së në kuadër të Frontex-it, po ashtu si në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar me ndihmën e Europolit.
Në kohërat kur diskutimet në BE sundohen prej frikërave për migracionin dhe humbjen e kontrollit,  afrimi i Ballkanit me BE mund të prezantohet tek populli votues, i lodhur prej zgjerimit, më së miri nëpërmjet kësaj teme.

Por jo vetëm brenda për brenda. Edhe tek vetë vendet që duan të pranohen, BE mbetet në akt balancimi. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen mbajtur në vazhdë megjithëse është e qartë për të gjithë, se pranimi konkret në BE kërkon shumë sforcime. BE duhet ta forcojë ndikimin e vet në rajon me projekte të dukshme dhe konkrete. Sepse lojtarë të tjerë globalë ndodhen tek dera: Rusia, Kina, madje Turqia e kanë rritur prezencën e tyre në mënyrë të ndjeshme.

Prandaj kohët e fundit BE rriti presionin për zgjidhjen e konflikteve të vjetra: Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë me të cilën u zgjidh grindja dhjetravjeçare për emrin, u arrit me ndërmjetësimin e BE dhe duhet të shërbejë si model për gjithë konfliktet bilaterale.

Großbritannien EU-Westbalkangipfel in London (picture-alliance/empics/L. Neal)

„Ne nxorrëm mësime nga shembulli i Kroacisë. Në të ardhmen asnjë vend nuk do të hyjë në BE, pa zgjidhur më parë problemet bilaterale“, tha Komisari për Zgjerimin Johannes Hahn, një një intervistë për DW. Që në mes të 2019 do të fillojnë bisedimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi janë duke i bërë bisedimet me zell dhe janë vendet më premtuese për pranim në BE, megjithë konfliktin e pazgjidhur me Kosovën.

Polonia vend mikpritës në 2019-n

Por lajmet e mira në procesin e pranimit shuhen rrugës për tek publiku i BE-së për shkak të frikërave për rreziqet e mundshme që vijnë nga vendet e Ballkanit. Një aspekt i rëndësishëm këtu është largimi i vazhdueshëm nga vendi, sidomos  të rinjve. Perspektiva të këqija ekonomike, pak besim tek politika janë shkaqet më të rëndësishme pse rinia largohet nga vendi i vet. „Rinia nuk është e bindur ende se ka të ardhme në vendin e vet, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën në mënyrë që ata që kanë ikur të kthehen atje dhe të gjejnë vendin e tyre, dhe të qëndrojnë aty, sepse kanë të ardhme”, tha kancelarja Merkel në konferencën e shtypit të mbajtur në fundit të samitit.

Një postulat i bukur! Por çfarë u diskutua në këtë takim për këtë gjë dhe çfarë vendimesh u morrën, mbetet ende të shihet. Sepse komunikimi me shtypin, që kishte ardhur në numër të konsiderueshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti nivelin më të ulët të mundshëm në samitin e Londrës: Në konferencën e shtypit me Merkelin May-in dhe kryeministri polak Morawiecki, i cili do e zhvillojë këtë takim vitin tjetër në vendin e vet, nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje për Ballkanin Perëndimor. Dhe asnjë pyetje nga një gazetar prej Ballkanit Perëndimor. Komunikimi i barabartë sy më sy nuk duket kështu! Turp, thanë edhe gazetarët britanikë. Ndërsa për Brexitin mund të bëheshin pyetje!

—————
Takimi në Londër u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u nis më 2014 nga kancelarja Merkel dhe që prej atëherë mblidhet vit për vit në një vend të ndryshëm të BE. Synimi kryesor i tij është integrimi i mëtejshëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian./DW

samiti-londres.jpg
G. P.22:43 | 09/07/2018

Zhvillimi ekonomik, arsimi dhe siguria kanë qenë shtyllat e ditës së parë të samitit të ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit, mbajtur në Londër. Polonia, që merr presidencën e radhës së Unionit, por edhe Gjermania kanë nënvizuar rëndësinë që ka për bllokun integrimi i vendeve të Ballkanit. 

Dita e parë e samitit të pestë për Ballkanin Perëndimor në kuadrin e procesit të Berlinit është zhvilluar në një sfond jo tipik politik britanik. Dorëheqja e ministrit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka bërë që në samitin e Londrës të merrte pjesë sekretari i Shtetit për Europën dhe Amerikën, Alain Duncan.

Por  kjo nuk ka penguar ministrat e jashtëm të Ballkanin Perëndimor që së bashku me disa homologë të Bashkimit Europian dhe përfaqësues të institucioneve europiane të diskutojnë mbi tre boshtet kryesore të takimit: Nxitja e rritjes ekonomike në Balkan përmes mbështetjes së tregut ekonomik rajonal dhe ndihmës për bizneset e vogle dhe të mesme, siguria ligjore dhe migracioni, si dhe mbështetja e shkollimit dhe punësimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Britania e Madhe ka anonçuar një ndihmë të rëndësishme për dixhitalizimin e shkollave në Ballkan.

Alan Duncan, sekretar i shtetit  britanik për Europën dhe Amerikën: “Ne kemi shpenzuar gjithë ditën duke diskutuar se si ta transformojmë vizionin tonë për Ballkanin Perëndimor në një realitet. Ne kemi bërë të mundur pjesëmarrjen e shumë të rinjve nga rajoni, duke qenë se zëri i tyre dhe vizioni i tyre është thelbësor për të ardhmen e rajonit. Në përfundim të këtij takimi, Britania e Madhe ka kënaqësinë që të deklarojë se do të investojë 10 milionë paundë për trajnimin dixhital të nxënësve në 4.5 mijë shkolla në Ballkanin Perëndimor. Ky investim substancial do t’i ofrojë mundësinë 1 milion nxënësve që të marrin njohjen dhe aftësitë e duhura për të transformuar ekonomitë e tyre. Ne gjithashtu kemi njohur përpjekjet që vendet e rajonit kanë bërë për të trajtuar çështjet e të shkuarës dhe përshëndetëm marrëveshjen e emrit të arritur midis ministrave të jashtëm grekë dhe maqedonas”.

Ministri i Jashtëm gjerman ka theksuar, se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor përbën një përfitim dypalësh, për Bashkimin Europian dhe vetë rajonin.

Michael Roth, ministër i Jashtëm gjerman: “Ne ofrojmë një kulturë demokratike për vendet e rajonit duke u fokusuar te forcimi i shtetit ligjor, te drejtësia e pavarur dhe të drejtat themelore, liria e medias dhe minoriteteve, ndërkohë që ne mund të mësojmë nga pasuria multietnike dhe multifetare e vendeve të Ballkanit dhe eksperienca e zgjidhjes së konflikteve. Pra, integrimi i këtij rajoni është dydimensional”.

Polonia që merr presidencën e procesit të Berlinit, konsideron, se eksperienca polake për forcimin e kapacitetit administrativ dhe thithjen e fondeve europiane është e vlefshme për rajonin.

Jacek Czaputoëicz, ministri i Jashtëm polak: “Ne kemi përfituar eksperiencë lidhur me reformën administrative dhe thithjen e fondeve të Bashkimit Europian. Ne duam që ta transmetojmë këtë eksperiencë dhe praktikat tona të mira duke e përfshirë në axhendën gjatë presiddencës tonë të procesit të Berlinit. Ne duam që të përqëndrohemi në ndërlidhjen, sigurinë, biznesin dhe arsimin. Ne po konsiderojmë që të punojmë gjithashtu për qeverisjen lokale. Do konsultohemi për këto çështje me partnerët tanë të Ballkanit, në mënyrë që t’i përgjigjemi atyre sa më mirë pritshmërisë së tyre”.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin: “Nga ana tjetër, çështja nuk është vetëm të ngrihet pyetja, se çfarë Bashkimi Europian mund të bëjë për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj? Ka një shprehje shumë të goditur të John Kennedy: “Mos pyet çfarë vendi mund të bëjë për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin”. Kjo është një pikë mbi të cilën ju ftoj të reflektoni”.

Dita e dytë e samitit të Londrës do të mbledhë 6 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të Bashkimit Europian./abcnews.al

harta-e-trafikut-1-933x445.jpg
ent ela21:48 | 25/06/2018

Alfred Vladi 33 vjeç dhe Elvis Vladi 38 vjeç janë dy kushërinjtë që janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si dy personat që kanë porositur automjetet “Toyota” nga Belgjika, brenda së cilave ishin fshehur 3.4 milionë Euro.

Alfred Vladi dhe Elvis Vladi janë djem xhaxhallarësh me njëri-tjetrin, me origjinë nga Peshkopia dhe banues në Tiranë.

Elvis Vladi rezulton të jetë i arrestuar në vitin 2015 në Londër të Britanisë së Madhe, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte kokainë. Në atë periudhë, grupi i tyre u kap në flagrancë me 16 kg kokainë. Nga gjykimi i çështjes, Elvis Vladi u shpall i pafajshëm nga ana e gjykatës angleze dhe u la i lirë.

SHTETET KU VEPRONTE ORGANIZATA KRIMINALE

Dyshohet se grupi kriminal, me të cilin në atë kohë u arrestua edhe Elvis Vladi, paratë që përfitonte nga shitja e kokainës i pastronte në Shqipëri. Pikërisht në këtë pistë janë fokusuar edhe hetimet e policisë shqiptare. Mësohet se grupi kriminal i shqiptarëve në Londër ushtronte veprimtarinë përveç Britanisë, edhe në Belgjikë e Holandë. Policia e Shtetit thotë se kontenieri me automjetet Toyota ishte nisur nga Belgjika. Më pas kishte mbërritur në portin e Durrësit tranzit nga porti i Barit në Itali.

SI FUNKSIONONTE PASTRIMI I PARAVE TË KOKAINËS DHE LIDHJA ME TOYOTA

Nga të dhëna të besueshme të tvklan.al rezulton se 33-vjeçari Alfred Vladi është administrator i “Tirana Rental Car”, firmë që jep automjete me qira. Kjo kompani është regjistruar për herë të parë më 16 Gusht 2017 me emër subjekti Alfred Vladi. Disa muaj më pas, më 7 Maj 2018 është ndryshuar emri i subjektit tregtar dhe është bërë “Tirana Rental Car”. Administrator sërish vijon të mbetet Alfred Vladi, ndërsa ortak është Flamur Vladi. Tvklan.al ka mësuar se Flamur Vladi është vëllai i Elvis Vladit, 38-vjeçarit të arrestuar para 3 vitesh në Londër dhe që më pas u shpall i pafajshëm. Për shkak të historisë që ka pasur në Londër, mendohet se për këtë arsye është regjistruar ortak i kompanisë Flamur Vladi, vëllai i Elvis Vladit.

Faksimile/ Ekstrakti i QKR i kompanisë Tirana Rental Car

Kompania “Tirana Rental Car”, në funksionin e saj thotë se jep makina me qira, të cilat janë kryesisht Toyota. Kjo firmë thotë gjithashtu se objekt i saj janë edhe shitblerje makinash, huadhënie, agjenci udhëtime, veprimtari për transfertë parash në emër dhe në llogari të një subjekti financiar jo bankë. Të gjitha shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave bëhen në emër dhe për llogari të një subjekti financiar jo bankë.

Ne foto Alfred Vladi

 

PISTA E HETIMIT

Burime konfidenciale nga policia thonë se ka dyshime të arsyeshme që paratë e pista mund të jenë sjellë në Shqipëri edhe përmes transferimit të tyre nga ana e “Tirana Rental Car”. Nuk dihet ende nëse shuma të tilla janë sjellë edhe herë të tjera në vendin tonë apo kjo ka qenë rruga e parë e këtij grupi kriminal. Eurot e përfituara nga shitja e kokainës në Angli transferoheshin më pas në Belgjikë apo dhe shtete të tjera ku kishte lidhje grupi i shqiptarëve të Londrës që drejtohej nga Gentian Cuka. Pas arrestimit të këtij të fundit në vitin 2015, drejtimin e grupit e morën njerëz të afërt me Cukën, thonë mediat angleze.

Pas mbërritjes së Eurove në Belgjikë, ato më pas silleshin në Shqipëri përmes transfertave nga ana e një subjekti financiar jo bankë apo përmes dërgesave me automjetet Toyota që porositeshin nga “Tirana Rental Car”. Kjo është pista ku janë fokusuar hetimet e agjentëve të Policisë së Shtetit.

Ne foto Edi Cani

Më pas shumat e parave pastroheshin duke u investuar në fusha të ndryshme. Ditën e djeshme, në Portin e Durrësit u gjetën 3.4 milionë Euro të fshehura në dy automjete Toyota. Zyrtarisht policia tha se ka arrestua katër persona; Agim Çeka 61 vjeç, Edi Lika (Cani) 41 vjeç, Klevi Lika 21 vjeç dhe Alban Mollaymeri 40 vjeç. Ky i fundit ishte personi që do të priste automjetet Toyota për llogari të kushërinjve Vladi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit, në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambiente të tjera të personave të dyshuar. /tvklan.al

 

zjarr.jpg
G. P.18:27 | 06/06/2018

Një hotel luksoz në qendër të Londrës, u përfshi nga flakët e zjarrit, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikesve nuk pati persona të lënduar. Hoteli me 5 yje “Mandarin Oriental”, muajin e kaluar kishte përfunduar restaurimin me vlerë 185 milionë paund.

Një zjarr masiv përfshiu pasditen e së mërkurës në qendër të Londrës hotelin luksoz “Mandarin Oriental”. Zjarri u përhap me shpejtësi dhe reja e tymit të zi mund të shihej qartë nga të gjitha zonat e metropolit.

Mbi 100 zjarrfikës me 20 makina u angazhuan për të vënë nën kontroll situatën në lagjen e njohur “Najtsbrixh”. Efektivët hynë menjëherë në godinë dhe evakuuan të pranishmit, me të cilëve ishte edhe këngëtari i njohur britanik Robi Uilliams.

Në kuadër të masave të marra, policia evakuoi edhe banorët e ndërtesave përreth. Për fat të mirë nga zjarri nuk pati të lënduar, por motivet e rënies së tij janë ende të paqarta. “Mandarin Oriental”, me 12 kate, është një nga hotelet më luksoze të Londrës dhe një natë në të kushton 600 paund.

Vetëm pak javë më parë ai kishte përfunduar restaurimin më të shtrenjtë në historinë e tij 115-vjeçare, plot 185 milionë paund dhe kishte rihapur dyert më 29 Maj. Subjekti është në pronësi të një kompanie kineze me bazë në Hong Kong, që zotëron një zinxhir hotelesh./abcnews.al

LONDRA-BREXIT-1280x720.jpg
ent ela13:33 | 04/06/2018

Mediat britanike japin alarmin duke publikuar një skenar të përgatitur nga ministria për Brexit.  Sipas tij, nëse Mbretëria e Bashkuar do të dilte pa një marrëveshje nga Bashkimi Europian, në marsin e vitit të ardhshëm, brenda dy javësh në vend nuk do të ketë më ushqime, ilaçe dhe karburant.

Londra përgatitet për më të keqen në rast se në 29 mars Britania e Madhe do të dilte nga Bashkimi europian pa një marrëveshje. Sipas një skenari apokaliptik, i përgatitur nga funksioanrë të lartë të qeverisë për ministrin e Brexit, Dejvid Dejvis, parashikohet një kolaps i portit të Dover që nga dita e parë e Brexit, dhe Brenda dy javësh që nga ajo datë, një mungesë e theksuar furnizimi me ilaçe, ushqime dhe karburant.

Një muaj më parë sipas mediave britanike, zyrtarë të Ministrisë për Brexit, së bashku me ata të shëndetësisë dhe transportit, përgatitën tre skenare për një Brexit pa marrëveshje: I pari parashikon një situatë pranë normales, i dyti serioz, ndërsa i treti është cilësuar apokaliptik.

Edhe në skenarin e dytë i cili nuk është më i keqi, porti i Dover do të mbyllej që ditën e parë, supermarketete në Skoci do të mbaronin furnizime dhe Brenda pak ditësh spitalet nuk do të kishin më ilaçe.

Sipas këtij skenari qeveria duhet të organizojë fluturime me charter, ose të përdorë avionë ushtarakë për të dërguar ushqime dh eilace në zonat më të thella të Mbretërisë. E pikërisht për shkak të përdorimit të rrugëve ajrore, brenda dy javësh do të mbaronte karburanti. /abcnews.al

HAKERAT-RUSIA-1280x720.jpg
ent ela21:13 | 16/04/2018

Uashingtoni dhe Londra kanë bashkuar forcat për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit kibernetik rus, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për sulme në të gjithë botën, në dëm të agjencive qeveritare dhe kompanive private.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania deklaruan të hënën se, hakera të mbështetur nga qeveria ruse kanë ndërmarrë një fushatë spiunazhi kibernetik që ka vënë në shënjestër agjencitë qeveritare, bizneset dhe operatorët e infrastrukturës në mbarë botën. Zyrtarë të të dy vendeve thanë në një konferencë për shtyp se ofensiva kibernetike e mbështetur nga Kremlini ka prekur rrjetet kompjuterike në mbarë botën, duke u kthyer në një rrezik të lartë. Për këtë arsye, ata paralajmëruan kundërsulme. “Kur të shohim aktivitete kibernetike dashakeqe, qofshin nga Kremlini apo aktorë të tjerë shtetërorë, ne do të kundërpërgjigjemi”, deklaroi Rob Joyce, koordinator për sigurinë elektronike në Shtëpinë e Bardhë. Në shkurt, Shtëpia e Bardhë fajësoi Rusinë për sulmin e koduar “Not Petja” të vitit 2017, duke iu bashkuar akuzave të bëra më herët nga Mbretëria e Bashkuar, për lëshimin e një virusi që dëmtoi infrastrukturën elektronike kudo në botë. “Ata mund t’i kenë gati për t’i përdorur sërish në kohë krizash”, paralajmëroi Ciaran Martin, shef i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike të Britanisë. Sipas zyrtarëve, sulmet ruse vunë në shënjestër një gamë të gjerë organizatash, përfshirë ato për furnizimin e internetit, firma të sektorit privat dhe të tjera që kujdesen për sigurinë e infrastrukturave. /abcnews.al

 

helmimi.jpg
G. P.15:11 | 04/04/2018

Londra e ka cilësuar si përverse, kërkesën e Moskës për përfshirje në hetime për rastin e helmimit t ë ish-spiunit Skripal. Kjo deklaratë është bërë në mbledhjen emergjente të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë.

Mbretëria e Bashkuar e ka përshkruar si “perverse” propozimin e Rusisë për një hetim të përbashkët lidhur me helmimin e ish-spiunit rus dhe të bijës në Salisbury muajin e kaluar. Komentet vijnë pasi Londra mori pjesë në një mbledhje emergjence të Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike, lidhur me këtë çështje. Rusia, e cila thirri mbledhjen, kërkon nga Britania që të japë prova për akuzat e saj.

Londra është plotësisht e bindur që pas sulmit ndaj Sergej dhe Julia Skripal qëndron Moska. Por Kremlini mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje. Qeveria britanike pretendon se një agjent nervor i nivelit ushtarak i quajtur Noviçok dhe që është zhvilluar nga Rusia është përdorur në sulmin ndaj ish-spiunit me 4 Mars. Incidenti ka shkaktuar një përplasje të madhe diplomatike, me dëbimin e 130 diplomatëve të Rusisë nga Britania, SHBA dhe vende aleate ku përfshihet dhe Shqipëria. Nga ana tjetër edhe Moska ka dëbuar të njëjtin numër diplomatësh të huaj nga vendi.

Në mbledhjen e Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike që zhvillohet në Hagë, Rusia si shtet anëtar i saj kërkon të dijë se çfarë provash ka prezantuar qeveria e Londrës. Ndërsa këta të fundit janë përgjigjur duke thënë: “Propozimi i Rusisë për një hetim të përbashkët për incidentin në Salisbury është pervers. Është një taktikë përçarëse dhe ka për qëllim të dezinformojë në mënyrë që autoritetet e Rusis t’i shpëtojnë pyetjeve që duhet t’iu përgjigjen”.

Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike, Brenda kësaj jave do të zbulojë ecurinë e hetimeve të saj të zhvilluar në mënyrë të pavarur sa i përket çështjes “Skripal”. Gjithashtu do të kontrollojë edhe nëse në Rusi nuk janë shkatërruar të gjitha armët kimike./abcnews.al

PAQJA-NE-BOTE-1280x720.jpg
ent ela15:57 | 13/03/2018

Paqja në botë është në buzë të humnerës. Sipas mediave ndërkombëtare, janë dy ngjarjet që rrezikojnë të prishin ekuilibrat botërorë dhe të fusin fuqitë e mëdha në luftë: helmimi i ish-spiunit rus në Angli dhe ndërhyrja turke në Siri.

Rendi botëror duket gjithnjë e më i rrezikuar në një kohë, kur marrëdhëniet mes fuqive të mëdha janë më të tensionuara se kurrë. Së fundmi janë dy ngjarjet që përforcojnë tezat për një konflikt të armatosur global: helmimi i ish-spiunit rus në Angli dhe ndërhyrja ushtarake e Turqisë në Siri.

Rasti i Sergei Skripal është kthyer në një luftë diplomatike mes Londrës dhe Moskës, që është përshkallëzuar nga ultimatumi i kryeministres Theresa May drejtuar Kremlinit. Akuzave të Mbretërisë së Bashkuar për përfshirjen e shtetit rus në agresionin me agjent kimik ndaj Skripal i është përgjigjur këtë të martë shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Lavrov i ka bërë thirrje May që para se të ngrejë akuza të zbatojë rekomandimet që rrjedhin nga Konventa botërore për Ndalimin e Armëve Kimike, ndërsa u ka dhënë përgjigje edhe paralajmërimeve se Britania do të reagojë.

“Para se të bëjnë këtë ultimatum, se brenda 24 orëve duhet t’i japim llogari qeverisë britanike, të zbatojnë më mirë vetë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë rast Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Sa u përket mënyrave të sjelljes pastaj, nuk duhet të harrojmë se epoka e kolonializmit ka kohë që i përket së shkuarës”, ka thënë Lavrov.

Por ndërkohë në mediat britanike aludohet se përgjigjia e Londrës zyrtare, që helmimin e ka cilësuar një agresion në territorin e saj, do të jetë një sulm kibernetik ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, Turqia pro-ruse vazhdon ndërhyrjen e saj ushtarake në zonat me shumicë kurde të Sirisë, ku ndodhen edhe milici të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Dhe duke u shprehur e vendosur për të vijuar operacionet e saj, Ankaraja zyrtare ka lënë të kuptohet se është gati të prishë përfundimisht marrëdhëniet me Uashingtonin, që gjithsesi janë në nivele minimale./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono