Londër

british-airlines-1280x667.jpg
G. P.23:02 | 21/12/2018

Prania e disa dronëve në perimetrin e aeroportit Gatwick, në Londër, futi në kaos për të paktën tre ditë trafikun ajror. Qindra fluturime u pezulluan dhe 120 mijë pasagjerë  mbeten. Për zgjidhjen e situatës, autoritetet angazhuan edhe forcat speciale ushtarake.

Një tjetër dron në horizont çakordoi për të tretën ditë rresht fluturimet në aeroportin e dytë më të madh të Londrës, Gatwick, ku shumë pasagjerë u detyruan të presin disa orë me radhë deri në rikthimin e normalitetit. Situata u zhbllokua rreth orës 19 të së premtes, kur një zëdhënëse e aeroportit deklaroi se fluturimet mund të rifillonin dhe se pezullimi i tyre ishte vetëm një masë paraprake. Problemet për Gatwick filluan që të mërkurën, kur në 21 e 30 me orën lokale u konstatua droni i parë që fluturonte në perimetrin e aeroportit.

Që prej atëherë, policia londineze u angazhua në një operacion kërkimi për operatorët e dronit që vijoi deri të premten, por pa sukses. Për zgjidhjen e situatës u angazhua edhe ushtria, snajperët e të cilës u vendosën në majat e godinës dhe u autorizuan të qëllonin mjetet fluturuese të komanduara në distancë.

Pas pezullimit të së mërkurës, i njëjti episod u përsërit disa herë të enjten e po ashtu edhe të premten, kur fluturimet u ndërprenë dy herë brenda ditës, një herë në mëngjes dhe më pas pasdite. Policia beson se në hapësirën ajrore të aeroportit kanë fluturuar më shumë se një dron dhe dyshon për angazhimin e shumë personave, por përjashtojnë që ngjarja të ketë lidhje me terrorizmin.

Problemet më të mëdha me trafikun ajror u verifikuan të enjten kur ishte planifikuar që 760 fluturime të niseshin dhe të mbërinin në Gatwick, por që qëndruan në tokë. Ndërsa të premten fluturimet e anuluara ishin 155. Shefi i operacioneve të aeroportit deklaroi se në tre ditë kaosi i krijuar la në tokë 120 mijë pasagjerë./abcnews.al

balla-2-1280x833.jpg
G. P.15:24 | 30/11/2018

Klasa politike shqiptare ka për detyrim që të garantojë votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit për zgjedhjet e vitit 2021, është shprehur Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla në një takim me emigrantët që jetojnë në Londër. Ai është shprehur besimplotë se paketa aktuale e Reformës Zgjedhore do të miratohet brenda Krishtlindjeve. Kreu i grupit parlamentar socialist prej dy ditësh po zhvillon një vizitë pune në kryeqytetin britanik ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme edhe në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në takimet me deputetët Madeleine Moon, Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, konservatorin Martin Vickers, John Groghan, i cili kryeson edhe Grupin për Shqipërinë në Parlamentin britanik, me Margaret Hodge si dhe me Drejtoreshën e Fondacionit Westminister, i cili pritet të hapë së shpejti një prezencë të vetën në Shqipëri, u diskutua edhe për nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare dhe prezencës më të madhe të kompanive britanike në Shqipëri./abcnews.al

PERPLASJET-MES-KUNATAVE.mpg_snapshot_00.26-1280x720.jpg
G. P.08:56 | 26/11/2018

Një sherr mes Meghan Markle dhe çiftit William dhe Kate ka bërë që ish aktorja e hollivudit bashkë me princin Harry të largohen nga pallati mbretëror. Kështu shkruajnë mediat britanike që theksojnë se tashmë çifti i ri mbretëror do të jetojë në një shtëpi larg Londrës.

Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan do të largohen nga Kensington Palace dhe në fillim të vitit të ri, para lindjes së fëmijës së tyre të parë, ata do të lëvizin nga Londra, në Frogmore Cottage, në afërsi të Windsor Castle. Njoftimi erdhi nga vetë Kensington Palace, deri tani vendbanimi i tyre, dhe tani është e pashmangshme të mendohet se tensionet me fqinjët, Princin William dhe gruan e tij Kate nuk kanë ndikuar për transferimin. Ose thënë më mirë, ato mes dy kunatave.

Nusja e re përfundoi në në mesin e polemikave edhe për thashethemet për mënyrën se si sillet me njerëzit që e ndihmojnë atë dhe për një mosmarrëveshje me Mbretëreshën në prag të dasmës, lidhur me kurorën që do të vendoste. Raportimi në mënyrë eksplicite fillimisht erdhi nga Daily Mail që është gjithmonë shumë i mirëinformuar: “Harry dhe Meghan dëshirojnë të lëvizin dhe kanë nevojë për më shumë hapësirë, por nuk duan të jetojnë ngjitur me William dhe Kate” tha një burim.
Kensington Palace ka njoftuar se çifti do të shkojë në Frogmore Cottage, Windsor, në pronën e kështjellës që “është një vend shumë i veçantë për lartësitë mbretërore”: një vilë dykatëshe dhe 10 dhoma (ku përfshihet një palestër dhe një studio yoga, për të cilën Meghan është e fiksuar./abcnews.al

burg.jpg
G. P.14:51 | 21/11/2018

12 vite burg është masa e dënimit që ka kërkuar sot Prokuroria e Krimeve të Rënda për Saimir Çullhajn, i cili akuzohet për trafik armësh. Çullhaj tentoi të trafikonte armë me postë drejt Anglisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën për Saimir Cullhajn, duke kërkuar qëndrimin e tij me 12 vite në qeli. 32-vjeçari tentoi në fund të muajit Gusht të kalonte armë drejt Anglisë nëpërmjet aeroportit të Rinasit me anë të pakove postare.

Brenda pakove u gjetën tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara, ndërsa dërgesa kishte si destinacion Londrën. Përveç armëve luftarake, prokuroria e akuzon Cullhajn edhe për  trafikim të lëndëve narkotike, të cilët iu gjetën në automjet si edhe në banesën e tij. Hetimet për këtë çështje, organi i akuzës i ka zhvilluar në bashkëpunim me palën angleze, ndërkohë që bashkë me Çullhajn po hetohej edhe Neritan Faria, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Gjurmët e gishtave të 32-vjecarit nga Shijaku u gjetën në pakot kompanisë postare theksoi në Gusht policia, duke e koduar emrin e operacionit antitrafik “Dilivery”. Cullhaj ka mohuar përfshirjen e tij në rrjet, ndërsa në seancat gjyqësore ka pretenduar se nuk e dinte çfarë kishte brenda në pakot dhe, se, po ia dërgonte një mikut i tij në Angli me emrin Tani. Për prangosjen e Cullhajit, u angazhuan oficerët e Antiterrorit, agjentët e SHISH si edhe ekspertët anglezë të “Scotland Yard”./abcnews.al

TENIS-ZVEREV-FITON-NE-LONDER.mpg_snapshot_00.01-1280x766.jpg
G. P.09:21 | 20/11/2018

Aleksandër Zverev cilësohet si ylli i ri i madh i tenisit, pas suksesit në Londër. Gjermani 21-vjeçar mundi legjendat Federer e Gjokoviç, duke fituar titullin e fundit të vitit 2018.

Prej shumë vitesh pritej që të ndodhte, ndërsa ishte humbur shpresa. Brezi i ri i tenisit nuk dukej aspak i aftë që të shembte diktaturën e treshes së madhe të epokës, Federer-Nadal-Gjokoviç. Më në fund, ja ku erdhi sfida me emrin Aleksandër Zverev. Njëzetenjëvjeçari gjerman, me origjinë ruse, fillimisht theu Rozher Federerin në gjysmëfinalen e Turneut Final ATP në Londër, ndërsa kulmoi me triumfin ndaj mjeshtrit Novak Gjokoviç. Finalja në Arenën O2 në kryeqytetin britanik ishte më shumë si një paradë e Zverevit, që ia doli në vetëm dy sete, 6-4 e 6-3, madje në vetëm 79 minuta.

I bukur, i ri dhe i talentuar, ndonjëherë i nxituar, por edhe me ndjenjë humori, Aleksandri duket se ka gjithçka për të qenë ylli i ri i madh i këtij sporti. Për habi, ai u vërshëllye fort ndërsa mundi Federerin, por publiku i zgjedhur londinez thjesht ndoqi me habi klasin e 21-vjeçarit ndaj numrit 1 të botës dhe favoritit, Gjokoviç. Një tronditje e vërtetë, dhe thuajse e pabesueshme, nga një lojtar që nuk kishte shkëlqyer kurrë në turnetë e mëdhenj, por që duket se ka mësuar nga trajneri i tij i lavdishëm, Ivan Lendl. Miliona njerëz në të gjithë botën, që ndjekin tenisin, tani mund të jenë të qetë. Veteranët si Federer e Nadal, madje edhe vetë Gjokoviçi, duket se e kanë gjetur pasardhësin e tyre të denjë./abcnews.al

LONDER-NAZISTET.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
G. P.23:10 | 13/10/2018

Londra është bërë ditën e shtunë skenë e dhunës nacionaliste. Grupe huliganësh kanë dalë në rrugë dhe kanë bërë përshëndetjen naziste para forcave të policisë, e cila ka shmangur përplasjen e tyre me një grup rival, që po marshonte kundër racizmit. 

Skena dhune janë verifikuar të shtunën në qendër të Londrës, ku anëtarë të një grupi huliganësh kanë mbajtur një protestë me tone raciste dhe nacionaliste. Anëtarët e grupit Aleanca Demokratike e Djemve të Futbollit kanë bërë përshëndetje naziste dhe më pas janë përleshur me forcat e policisë, e cila është përpjekur të shmangë përplasjen mes tyre dhe një grupi rival. Organizatorët e manifestimit deklaruan se grupi doli të protestonte kundër kthimit të xhihadistëve, emigrantëve ilegalë, bandave të përdhunuesve dhe në mbështetje të veteranëve që trajtohen si tradhtarë.

Furgonët e policisë dhe vetë efektivët u detyruan të përhapeshin në pika të ndryshme të Londrës, për të parandaluar përplasjen mes fraksioneve që po avanconin drejt sheshit Trafalgar. Nacionalistët përdorën fyerje dhe ofendime të rënda ndaj rivalëve të shoqatës “Jo racizmit dhe fashizmit”, si dhe ndaj policisë, që u mohoi mbajtjen e fjalimeve në sheshin e njohur, ku ishte ngritur edhe një podium. Në pamundësi për t’u përplasur me rivalët, huliganët, shumë prej të cilëve me maska në fytyrë, u përleshën me forcat e policisë dhe njëri prej tyre kërcënoi agjentët me vrasje. Rreth orës 18:00, me orën tonë, në kryeqytetin anglez u kthye normaliteti. Skotland Jard ka bërë me dije se ka arrestuar një person lidhur me trazirat, ndërsa ka paralajmëruar se do të zbatojë masa më të rrepta ndaj personave që cënojnë rendin publik./abcnews.al

hugooo.jpg
G. P.17:22 | 24/08/2018

Kampioni i Botës me Francën, Hugo Lloris, kaloi shtatë orë të mira në qeli mëngjesin e të premtes. Shkak u bë testi i alkoolit që u detyrua të bënte rreth orës 2:30 të natës në Britani, çka rezultoi se portieri i njohur po i jepte makinës në gjendje të dehur.

Më pas, kapiteni i Tottenham-it u dërgua në stacionin e policisë Charin Cross dhe pasi i morën shenjat e gishtërinjve u dërgua në qeli. Francezi u lirua me kusht, por është i detyruar të paraqitet më 11 Shtator para gjykatës.

Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve kur po kthehej në shtëpi në këmbë. Gjithashtu, ai nuk u stërvit me shokët e skuadrës të Premten.

Lloris ishte duke festuar me disa miq të tij në kombëtaren franceze, Giroud dhe Koscielny, në një restorant në Mayfair. Përpara se të largoheshin ata shkrepën edhe një fotografi së bashku.

/abcnews.al

LONDER-KRIMET-ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela18:33 | 21/08/2018

Në Londër është verifikuar një tjetër incident me armë zjarri, tregues i vorbullës së dhunës që ka përfshirë kryeqytetin britanik. Që nga fillimi i vitit në Londër janë vrarë 90 persona, ndërkohë që në vitin 2017 të vrarët ishin gjithsej 118.

Tre persona kanë mbetur të plagosur në një shkëmbim zjarri në Londër, incidenti i radhës me armë që tregon se vala e dhunës që ka përfshirë kryeqytetin britanik nuk ka ndërmend të ndalet. Ngjarja ka ndodhur përpara një stacioni metroje në lagjen Brent, në veri-lindje të Londrës. Personat e plagosur janë dy burra dhe një grua të moshave 18, 24 dhe 30 vjeç. Pak më herët një tjetër incident me armë kishte ndodhur përpara një shkolle në Meida Hill, një lagje në lindje të kryeqytetit, që për fat të mirë nuk shkaktoi të lënduar.

Që nga fillimi i vitit, sipas të dhënave të Scotland Yard, janë 90 personat e vrarë në Londër, një shifër kjo e frikshme nëse krahasohet me 2017-n, kur përgjatë gjithë vitit vrasjet ishin 118. Kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, agjentët kanë gjetur personat e lënduar të shtrirë në trotuar dhe duke ulëritur për shkak të dhimbjeve. Të plagosurit janë dërguar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që lidhur me ngjarjen nuk ka patur ende asnjë arrestim./abcnews.al

NINTCHDBPICT000426852443.jpg
ent ela21:16 | 15/08/2018

Një vogëlush është përballur më një skenë të tmerrshme, pasi ka gjetur të therur në banesë nënën e tij. Ngjarja tragjike ka ndodhur në një lagje të Londrës, ditën e sotme.

Referuar medias britanike “Metro“, mësohet se viktima rreth të 40-tave është gjetur pa shenja jete nga djali i saj, i cili ka njoftuar menjëherë policinë sapo ka parë të ëmën e shtrirë.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, policia ka shoqëruar një burrë, por ende nuk ka dalë në konkluzion nëse është ai autori i ngjarjes si dhe nuk ka përcaktuar akoma shkaqet e krimit.

Viktima kishte dy fëmijë, një djalë 6 vjeç si dhe një foshnje 3 muajsh./tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono