lojtare

juventus.jpg
G. P.23:59 | 11/07/2019

Disa prej yjeve te skuadra e Juventusit nuk e kanë vendin e sigurtë në formacion dhe priten të largohen nga bardhezinjtë për të financuar blerjet e reja. Në listën e largimeve janë Manxhukiç, Cancelo, Matuidi dhe Higuain.

Juventus ka zyrtarizuar disa afrime te bujshme në këto merkato verore dhe në shtëpinë bardhezi janë të detyruar për të hequr dorë nga disa elementë të tjerë. Futbollisti që kryeson në listën e largimeve është mbrojtësi portugez Joao Cancelo.

Ish-futbollisti i Interit ka oferta nga skuadra e Manchester City dhe Barcelonës. Kampionët e Anglisë ofruan 45 milionë euro për anësorin e djathtë, një ofertë që u refuzua menjëherë nga Juventus që kërkon jo më pak se 60 milionë euro.

Një shqetësim i madh në Torino është edhe sulmuesi Gonzalo Higuain. Argjentinasi është pritur me ovacione në qendrën stërvitore të Juventusit, por drejtuesit e klubit janë të destinuar për ta larguar përfundimisht.

Aventura e Higuain mund të vijojë tek skuadra e Romës që ka shfaqur interes konkret për shërbimet e bomberit. Jashtë planeve të trajnerit Mauricio Sarri janë edhe Mario Manxhukiç dhe Matuidi.

Juventus është i mbipopulluar në repartin e mesit të fushës dhe sulmit. Shitja e kroatit dhe francezit do të financonin blerjen e radhës për kampionët në fuqi të Italisë.

Në pikëpyetje është edhe talenti premtues Moise Kean. Futbollisti italian është një objektiv i skuadrës angleze të Everton që ofroi pak ditë më parë 30 milionë euro, por qe u refuzua menjëherë nga drejtuesit e klubit bardhezi. Ndoshta Juventus nuk pranon ta shesë përfundimisht futbollistin e talentuar dhe mënyra më e mirë do të ishte huazimi për t’i dhënë më tepër minuta 19-vjeçarit./ABC News Albania 24/7

inter-dhe-milan-1280x722.jpg
Sej rie21:45 | 07/06/2019

Drejtuesit e skuadrës së Interit kanë zbarkuar në Madrid ku synojnë të nënshkruajnë me dy lojtarët e Realit. Asensio dhe Kovaçiç janë dy emrat e rinj që zikaltërit kërkojnë në merkato.

Drejtuesit e skuadrës së Interit i kanë idetë e qarta për të rikthyer skuadrën aty ku e meriton. Nënshkrimi me Antonio Konten është një tregues i qartë se shumë shpejt zikaltërit do të jenë skuadra anti- Juve që dominon futbollin Italian prej 8 vitesh radhazi. Presidenti Steven Zhang ka premtuar se do të shpenzojë shuma të majme në merkaton verore për të sjellë në San Siro emra të mëdhenj. Marota dhe Ausilio kanë udhëtuar drejt Madridid për të tentuar disa nga lojtarët e Real Madrid. Pista Modriç ka rënë dhe në skenë janë disa emra të rinj. Merkatoja e fuqishme që ka ndërmarre Reali do të pasohet me disa largime ku njeri prej tyre mund të jetë Marcos Asensio. Sulmuesi anësorë nuk ka patur hapësirat e duhura në sezonin e kaluar dhe nuk e ka fshehur dëshirën për t’u largua nga Santiago Bernabeu. Tek Interi do t’i garantohej roli i titullarit por për të arritur te sulmuesi Iberik, zikaltërit duhet të shkundin xhepat pasi madrilenët nuk preferojnë të heqin dorë lehtë. Një tjetër lojtar nën vëzhgimin e Interit është Kovaçiç, i cili ka luajtur më parë me zikaltërit. Aktualisht mesfushori kroat luan me skuadrën e Çhelseat por kartonin e lojtarit e zotëron Real Madrid. Kovaçiç mund të zëvendësoje Naingolanin, i cili nuk është në planet e trajnerit Konte.

chelsea.jpg
Sej rie20:35 | 08/05/2019

Fifa hedh poshtë kërkesën e Chelsea-t për reduktimin e dënimit të transferimeve. Klubi londinez është dënuar me dy sesione merkatoje 2019-2020.

FIFA nuk toleron dhe rrëzon sërish skuadrën angleze të Chelsea-t në lidhje me merkaton dhe lojtarët që mund të afrojë. Vetëm pak muaj më parë klubi londinez ishte dënuar dy sesione merkatoje (verë 2019 dhe Janar 2020) që të mos bëjë asnjë blerje, ndërsa shitjet lejohen, për nënshkrimet e padeklaruara me lojtarë ndërkombëtarë tek ekipet e moshave.

Një vendim i tillë u apelua menjëherë në Komitetin e Ankesave në FIFA, por që apeli ka lënë në fuqi vendimin e kolegëve të një shkalle më poshtë. Masa disiplinore për Chelsea-n nuk do të ndryshojë: Asnjë nënshkrim me lojtarë meshkuj të ekipeve zinxhir deri tek U16, me përjashtim skuadrën e femrave dhe atë të futbollit të sallave.

Ajo që ka ndryshuar është vetëm, fakti që Chelsea mund të firmosë me lojtarë nën 16 vjeç nga Britania e Madhe. Që do të thotë talentet e rinj mund të afrohet tek skuadrat e akademisë, për të afruar një lojtar në skuadrën e parë duhet të dalë ndonjë super talent nën këtë moshë.

Chelsea nuk ka pritur ndonjë kthesë në këtë vendim të sotëm, duke qenë se shpresa e tyre e vetme është tek Gjykata e Arbitrazhit në Lozanë (CAS). Vetëm aty klubi londinez beson tek zvarritje e çështjes të paktën deri në shtator, në këtë mënyrë ata do të kenë mundësi të bëjnë blerjet e nevojshme në merkaton e verës dhe të jenë të përgatitur për të mos afruar lojtarë për dy sesionet e ardhshme të merkatos./ABC News Albania 24/7

kombetarja-1280x709.jpg
G. P.17:35 | 25/02/2019

Tri kombëtare shqiptare grumbullohen në Durrës, në përgatitje për Europianin. Bëhet fjalë për ekipin e femrave, për vajzat U19 dhe për kombëtaren U17 për djem.

Kanë pak kohë që kanë nisur punën, por shpresojnë të sjellin ndryshim. Trajneri i kombëtares shqiptare të femrave, Vioresin Sinani dhe ai i femrave U19, Maringlen Kule, do të kenë një tjetër seleksionim të elementëve në Durrës, me synim Europianin. Sinani tregon se çfarë do të bëjë me të rriturat.

“Këtë radhë kemi grumbulluar vajzat që lozin në kampionat shqiptar, bashkë me disa që lzoin në kampionatin e Kosovës për të parë ndonjë element të ri që do na shërbejë për ndeshjet kualifikuese. Besoj se do kemi një bazë të mirë me vajzat që lozin jashtë Shqipërie bashkë me disa që lozin në Shqipëri, kurse mendoj se ekipi ka nevojë edhe për 3-4 elementë të rinj”, tha ai.

Shqipëria nuk ka shkëlqyer tek femrat, pra çfarë objektivash ka këtë herë?

“Ato ndeshjet e mira që kemi zhvilluar deri tani të zhvillojmë prapë. Ndeshje pas ndeshje do shohim për objektiva. Nuk jemi më ai ekipi i para disa viteve. Është ekip i konsoliduar dhe mund të arrijmë gjëra të bukura. Skocia, Portugalia, Irlanda besoj se janë skuadra të forta në futbollin e vajzave, por duke luajtur në fushën tonë, ne do synojmë pikë”, tha Sinani.

Në të njëjtën kohë, dhe në të njëjtin vend, do të grumbullohet në Durrës edhe kombëtarja U17 për djem. Trajneri Elvin Beqiri do të ketë në dispozicion për 4 ditë lojtarët e përzgjedhur, përpara sesa të shkojë në turneun miqësor në Maltë. Gjithsesi, ai ka një problem

“Disa elemente nuk na janë përgjigjur pozitivisht sepse klubet nuk i kanë lejuar si në Greqi apo në Itali. Këto data nuk janë atë FIFA-s. Shpresoj të na përgjigjen nëpër ndeshje të tjera që do zhvillohen”, tha Beqiri.

Beqiri është i shqetësuar për Europianin e ardhshëm.

“Kemi fiskuar disa lojtarë që normalisht nuk janë të mjaftueshëm për të krijuar atë grupin bazë. Po mundohemi nga Skandinava të gjejmë lojtarë”, u shpreh ai.

Kombëtarja U17 do të ndeshet në Maltë me kombëtaren vendase, si dhe me Skocinë dhe Danimarkën./abcnews.al

Flamurtari-2-717x450.jpg
ent ela19:21 | 19/02/2019

Flamurtari mbetet me dy lojtarë më pak për shkak të krizës së rrogave. Mbrojtësi Albi Alla dhe argjentinasi Torasa do ta vazhdojnë karrierën në Kinë. Nuk kanë të ndalur largimet nga Vlora. Mbrojtësi Albi Alla nuk do të jetë as edhe zyrtarisht tashme pjese e Flamurtarit, madje duke konfirmuar gjithçka edhe në faqen e tij në Instagram.

Ai do ta vazhdojë karrierën në Kinë, ndërsa largohet duke falenderuar drejtuesit e klubit për mirëkuptimin. Alla largohet, pas vetëm 6 muajve, nga një klub ku nuk ka marrë rrogën, përveç këstit të fillimit të vitit, një problem që ka shkaktuar edhe shumë ikje të tjera nga skuadra.

Jo vetëm kaq, por bashkë me Allën pritet të largohet edhe mesfushori Torasa. Argjentinasi, gjithashtu, pritet të kalojë në Kinë, në të njëjtën skuadër me Allën, tek Janbian Funde që luan në kategorinë e dytë.

Asnjë nga futbollistët nuk ka qenë në stërvitje me Flamurtarin, në rinisjen e përgatitjeve për ndeshjen e radhës në Superligë ndaj Partizanit, dhe mësohet se Alla është në Kinë, për të finalizuar kontratën e re dhe për t’u prezantuar.

Po kjo vlen për Torasën, me të dy lojtarët që kishin vendosur të premten e kaluar si afatin e fundit të pritjes së tyre për të marrë rrogat. “Kush e ka radhën”, është pyetja që bën në rrjetet sociale, braziliani i vlonjatëve, Elton Kale, i cili ndoshta mund të jetë vetë ai që mund të braktisë. Nga Flamurtari janë larguar shumë lojtarë si Danilo Alvesh, Bushiç, Useini, Siljanovski, e tani Alla me Torasën./abcnews.al

partizanii.jpg
G. P.13:31 | 15/01/2019

Ka kritika për Partizanin, pas dështimit për të përforcuar siç duhet ekipin në fazën dimërore. Kryeqytetasit nuk pranuan të merrnin sulmuesin Vasil Shkurtaj, ndërsa ende nuk kanë zgjidhje për sulmin.

Ky lojtar duhej të kishte qenë i tyri. Vasil Shkurtaj, sulmuesi më i mirë i fazës së parë të Superligës, ishte fare pranë Partizanit, por nuk u arrit të merrej, dhe kritikat për këtë nuk kanë munguar. Ledio Pano, një nga yjet e skuadrës së viteve 80-të, sot trajner, deklaroi në Sport Neës Plus, se ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte.

“Po vijnë lojtarë që ytrajneri nuk i ka kërkuar. Ata që i ka kërkuar nuk i kanë ardhur kështu që me këta lojhtarë nuk mund të dilet kampin. Kemi gjithë këto kohë që flasim se Partizanit i mungon një sulmues që do shënonte gola”, tha Pano.

Jo vetëm kaq, por djali i të famshmit Panajot Pano, ka edhe një kritikë tjetër.

“Prisja që Presidenti të besonte te Gega. Po bëhet e njëjta punë që është bërë gjithë këto vite që po vijnë lojtarë që nuk e di se kush i sjell, por që janë në kundërshtim me dëshirën e trajnerit. Në futboll trajneri është ai që jep ok dhe jep drejtimin”, tha ai.

Menaxheri Elton Marini, në intervistën për ABC Neës, deklaroi se Kukësi dhe Luftëtari kanë punuar më mirë sesa Partizani.

Partizani është paraqitur mjaft mirë në fazë përgatitore, ku luajti ndaj skuadrave të forta si Sivaspor, Antaliaspor dhe Dinamo Zagreb, veçse ekipi është thuajse ai që ishte në Dhjetor. Afrim i vërtetë mund të quhet vetëm mbrojtësi shqiptar nga Kosova, Lum Rexhepi, që mbërriti nga Finlanda, ndërsa mesfushori Duka ende nuk është provuar siç duhet.

Po ashtu, janë marrë dy lojtarë të rinj që nuk është se ndikojnë në planet e trajnerit. Problemi kryesor mbetet një sulmues, për të cilin këto ditë janë bërë përpjekje të shumta, por ende nuk ka rezultat.

Gjithashtu, trajneri Gega kërkon edhe një mbrojtës krahu. Gega është pranë rinovimit të kontratës, ndonëse besohet se nuk është plotësisht i kënaqur me klubin. Gjithsesi, Partizani është në krye të Superligës dhe tekniku beson se, pavarësisht nga gabimet, ky mund të jetë viti i duhur për titullin./abcnews.al

kombetarja.jpg
G. P.19:55 | 26/12/2018

Shumë nga lojtarët e kombëtares shqiptare po kalojnë një sezon të vështirë në skuadrat e tyre. Futbollistë si Hysaj, Mavraj, Xhaka apo Grezda nuk e kanë të sigurt të ardhmen.

Nuk mjaftuan telashet në Ligën e Kombeve. Pavarësisht nga konfirmimi në stol i Christian Panucci-t, kombëtarja shqiptare nuk pritet të jetë e gjetë gjatë vitit të ardhshëm. Disa nga lojtarët kryesorë janë në ngërç për të ndryshuar ekipin, apo në krizë për shkak se luajnë pak në skuadrat e tyre. Elseid Hysaj nuk besohet të rinovojë me Napolin, ndërsa e ardhmja në Serinë A nuk duket shumë e mirë.

Problemet me skemat e trajnerit Ancheloti vazhdojnë, aktivizimi nuk është gjithnjë i sigurt, ndërsa transferimi për tek Chelsea mund të mos ndodhë përpara verës. Mërgim Mavraj po ashtu mund të ketë një Janar të vështirë. Mbrojtësi i kombëtarës po bisedon për të ardhmen me klubin e tij, Arisin e Selanikut në Superligën greke.

Arisi besohet se dëshiron ta largojë, por kapiteni kuqezi ka kontratë, ndaj pritet përfundimi i bisedimeve. Eros Grezda po ashtu po kritikohet tek Glasgow Rangers. Lojtari i krahut po përpiqet të përshtatet sa më shpejt me stilin e lojës në Skoci, diçka që duket se do të kërkojë kohë, edhe pse ai ka shënuar dy gola deri tani në Premier Ligë.

Nuk dihet nëse trajneri Gerrard do të ketë durim ta mbajë, apo pritet një largim. Kritika edhe për Taulant Xhakën në Zvicër. Mesfushori shqiptar po kalon një krizë ashtu si edhe vetë Bazeli, që nuk është më superfuqia e dikurshme në Superligën vendase.

Pasi e fitoi 8 herë radhazi titullin, Bazeli doli vjet nënkampion, dhe është sërish në vend të dytë këtë vit, tepër i shkëputur nga Young Boys. Duken të largëta kohët e arta të Xhakës dhe të vetë Bazelit, ndonëse mesfushori është ende i ri, vetëm 27 vjeç.

Edhe më shumë probleme kanë dy shqiptarët e Belgjikës. Kristal Abazaj dhe Sidrit Guri treguan sërish mangësitë e mëdha të lojtarëve të Superligë, dhe nuk arritën të aktivizoheshin në skuadrat e tyre, Anderlecht dhe Ostende. Pritet që të largohen që aty, por kudo që të shkohet, ritmi i lojës është i lartë si në Belgjikë, ndaj dhe do të jetë e vështirë./abcnews.al

skender-gega-1280x734.jpg
G. P.18:07 | 16/12/2018

Zbulohet mënyra sesi trajneri Skënder Gega motivon lojtarët e Partizanit. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, tekniku kërkon harmoni dhe krenari për të fituar ndeshjet.

Jo pa arsye kryeson Superligën. Partizani mund të mos jetë skuadra më e bukur për t’u parë, por pa dyshim është shfaqja më e qartë e një kolektivi të bashkuar, dhe meritën më të madhe pa këtë e ka trajneri Skënder Gega.

Një video e publikuar në rrjetet sociale zbulon sesi tekniku i të kuqve motivon lojtarët e tij në pushim të ndeshjes apo në fillim të saj, pikërisht në dhomën e zhveshjes, në prani edhe të drejtorit sportiv, Olsi Rama. Në fillim, ai përpiqet të krijojë besim. Më pas, tregon më konkretisht se çfarë duhet të bëjnë lojtarët e tij.

Në fund, përpara daljes në fushë, futbollistët dhe drejtori Rama bëjnë ritualin e çdo skuadra normale sportive. Partizani kryeson Superligën me 36 pikë, kur duhet edhe një javë deri në mbyllje të gjysmës së parë të sezonit./abcnews.al

farruk-sejdini.jpg
G. P.16:18 | 13/11/2018

Kristian Panuçi po gabon me akuzat për lojtarët e ekipit përfaqësues. Ish-zv/trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini, kritikon deklaratat e italianit, dhe nuk është shumë optimist për të ardhmen.

Ishte kjo deklarata e papritur e Kristian Panuçit, për lojtarët e kombëtares, dhe nuk kishte sesi të kalonte pa reagime. Përse kjo akuzë dhe sa punë prish në prag të ndeshjes së Skocisë?

Një ish-zv/trajner i kombëtares, Farruk Sejdini, e cilësoi si krejt të pavend.

“Kur ti e konstaton që një njeri qenka memec, ka një zgjidhje. Kur janë memecë nga natyra ka shkolla shurdhmemecësh dhe kur janë memecë në futboll është trajneri që jep gojë. Është trajneri që duhet t’i japë gojë. Tha që ky ekip më ka bërë me thinja. Ekipi përfaqësues vinte nga rezultate shuëm të mira siç ishin nga Evropiani”, tha Sejdini.

Më shumë se një moment kthese i kombëtares, ky çast duket sikur po shton përçarjen.

A ka ende shpresë Sejdini?

“Nuk po i njohim lojtarët dhe gabojmë tek 8 lojtarë. Nuk e dimë se kush do të jenë lojtarët. Mendoj që themeli kryesor i përfaqësues është baza. Ndoshta ai kërkon të zbulojë lojtarë të rinj që t’ia atribuojë vetes, por kjo lloj strategjie më duket e gabuar”, u shpreh analisti i njohur.

Përtej akuzave të trajnerit, kombëtarja vuan edhe mosfurnizimin nga një Superligë që përflitet për ndeshje që luhen më shumë jashtë se brenda fushe.

“Kampionati shqiptar është kthyer si ai gjuetari që ka një qen gjahu dhe ai qeni nuhat gjahun. Edhe ekipet tona zgjedhin ku ka ndonjë fushë bosh që edhe të luajnë”, u shpreh Sejdini.

Sejdini, si trajner me eksperiencë tepër të gjatë, i druhet edhe diçkaje tjetër këtë sezon të Superligës.

“Mos harroni se gjithmonë kur kampionati kap prag zgjedhjesh, ju do e shihni çdo të ndodhë me Superioren  dhe aq më tepër nga kategoritë e vogla. Mua për vetë kam patur stres kur kishte kampionat dhe kapshin zgjedhjet”, përfundoi Sejdini./abcnews.al

pan.png
G. P.21:07 | 02/10/2018

Në prag të dy ndeshjeve, që kombëtarja e futbollit do zhvillojë këtë muaj, tekniku kuq e zi Christian Panuçi ka shpallur listën e 25 lojtarëve, që do grumbullojë. Më 10 Tetor Shqipëria ka takimin miqësor me Jordaninë, në “Elbasan Arena”, ndërsa katër ditë më vonë do ndeshet me Izraelin në “Ber Sheva”, për raundin e tretë të grupit të saj në Ligën e Kombeve.

Në listën e Panucci-t spikasin katër futbollistë, që vijnë për herë të parë në skuadrën kombëtare, konkretisht, mbrojtësi Egli Kaja që luan me skocezët e Livingstone, Kastriot Dermaku që luan me Kozencën, si dhe dy sulmues, Myrto Uzuni, pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, si dhe Giaçomo Vrioni me Venecian.

Skuadrës i është bashkuar Eros Grezda, tashmë i rikuperuar, por mbeten jashtë për shkak të dëmtimeve Roshi e Sadiku. Kombëtarja kuq e zi nis të hënën seancat stërvitore në Durrës, në prag të këtyre dy sfidave./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono