lojerat e fatit

lushnje-fier-lojerat.jpg
ent ela11:40 | 09/05/2019

Një person ka rënë në pranga, ndërsa 3 të tjerë janë procedohet penalisht, pasi ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit. Operacioni policor i koduar “Gambling” ushtroi kontrole në Lushnjë dhe Fier, ku u arrestua në flagrancë 23 vjeçari me iniciale M.S, banues në Lushnje, ndërsa 44 vjeçari me iniciale, G.Ç, 44 vjeç nga Lushnje dhe dy 29 vjeçarë nga Fieri me iniciale V.Gj. dhe G.B . u proceduan penalisht.

Njoftimi i Policisë

Operacion për goditjen e veprimtarisë së kundraligjshme të lojrave të fatit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gambling”.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe 3 të tjerë procedohet penalisht pasi ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit.

Në vijim të kontrolleve të befasishme në të gjithë Qarkun Fier për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personve që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit, policia goditi 2 raste në qytetin e Lushnjes dhe 2 raste në Fier.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin:

M.S, 23 vjeç, banues në Lushnje.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale 2 aparatura elektronike të lojrave të fatit, 6 valixhe të mbushura me çipsa, 1 tavolinë pokeri si edhe 150 euro të dyshuara të falsifikuara.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprat penale “Falsifikim i monedhave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Organizimi i llotarive sportive dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” pasi në ambientin e lokalit të marë me qera prej tij, ushtronte aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit.

Në kuadër të këtyre kontrolleve,  u procedua penalisht për veprat penale “Organizim i llotarive të pa lejuara” dhe “Vënia në dispozicion i lokaleve për lojra të pa lejuara” shtetasi:

G.Ç, 44 vjeç, banues në Lushnje.

Në lokalin në pronësi të këtij shtetasi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 tavolina pokeri, 12 pako letra bixhozi, 3 njësi kompjuterike, 1 printer, 2 monitor, 2 tableta dhe 1 laptop të cilat shërbenin për ushtrimin e aktivitetit të kundraligjshëm të lojrave të fatit.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Organizim të palejuar të lojrave të fatit” shtetasit:

V.Gj, 29 vjeç, banues në Fier.

G.B, 29 vjeç, banues në Fier.

Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi organizonin lotari të palejuara nëpërmjet telefonit.

Policia e Shtetit fton cilindo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme. /abcnews.al

HARADINAJ-1-1280x681.jpg
ent ela18:45 | 26/03/2019

Pas mbylljes fizike të lojërave të fatit, qeveria e Kosovës ka ndërmend ta ndalojë aktivitetin e tyre edhe me ligj. Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se së shpejti drafti i posaçëm do të dërgohet në Parlament.

Së shpejti lojërat e fatit do të ndalohen edhe me ligj. Pas miratimit të rezolutës për ndalimin e lojërave të fatit, qeveria ka miratuar projektligjin për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit. Nëse projektligji si i tillë miratohet edhe në Kuvend, atëherë do të ndalohen të gjitha lojërat e fatit. Në këtë vendim përjashtohet

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Lotaria e Kosovës mbetet pasi ajo është ndryshe. Të gjitha lojërat e tjera të fatit mbyllen. Kur kam thënë që po vij në qeveri për t’i kryer disa punë, ne këtë edhe po bëjmë. Çdo ligj e ka koston e vetë. Edhe ky ligj e ka koston e vet. Sa i përket vendeve të punës, jemi të gatshëm të shohim se çfarë do të ndodhë me ato vajza e djem të rinj që kanë punuar aty. Tash e ka parlamenti pjesën e vetë”.

Ndalimin e lojërave të fatit e ka kërkuar edhe kryetari i komunës së Suharekës. Ai ia ka dorëzuar peticionin me 11 mijë nënshkrime të qytetarëve kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit fillimisht nga partia opozitare LDK-ja e më pas e përkrahur nga parti të tjera politike ka ardhur pas dy rasteve të vrasjeve brenda objekteve të kazinove në Suharekë dhe në Lipjan. Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka folur edhe për tërheqjen e Shqipërisë nga marrëveshja për heqjen graduale të kufirit me Kosovën. Ai e ka arsyetuar këtë me obligimet që ka marrë pas liberalizimit të vizave./abcnews.al

MBYLLJA-E-LOJRAVE-TE-FATIT-ABC-1280x720.jpg
ent ela18:58 | 31/12/2018

31 dhjetori është dita e fundit e punës për bastet si edhe lorjave të fatit. ABC Neës bëri një vëzhgim në kryeqytet, dhe rezultoi se akiviteti i llotove është mbyllur disa ditë më parë, por ka edhe nga ata që shfrytëzojnë mundësinë e fundit që iu jep ligji.

Ky menaxher bastesh sportive po kujdeset që të marrë pas çdo gjë të investuar në lokalin që tashmë do të ketë një tjetër aktivitet.

“Fati është në dorën tuaj”, thuhet në këtë kazino për klientët e saj.

Por, me hyrjen në fuqi të ligjit ndalimin e “Lojrave të Fatit ”, atëherë bastexhijtë fatin duhet ta kërkojnë diku tjetër, pasi do të konisderohet e jashtëligjshme nga data 1 janar.

Kompanitë e basteve kanë hequr tabelat e reklamat e shumta të llotove që dikur i hasje ngado në qytet dhe në vend të tyre lexon njoftime: “Jepet me Qira”.

Të gjendur përballë një situate të tillë, pronarët e lokaleve janë rikthyer në pikën zero. Ata do të ushtrojnë përsëri të njëjtin aktivitet, bar-kafe, si kundër kanë bërë vite më parë. Bastet sportive që do të mbyllen janë afërsisht 5000, ndërsa disa nga ivenstitorët e tyre e shikojnë si mundësi të vijimit të aktivitetit në vendet fqinj si Kosova apo Maqedonia.

Ndërkohë kazinotë elektronike janë pak më të vonuar në këtë drejtim, pasi edhe më 31 dhjetor ishin duke shfrytëzyuar mundësinë e fundit, ndërsa numri i lojtarëve ka rënë ndjeshëm. Varësia nga bixhozi dhe lojrat e fatit ka rrënuar ekonomikisht mjaft familje në Shqipëri. Sipas specialistëve të fushës kjo gjë ka krijuar një plagë sociale për shkak të pasojave të rënda që sjell kjo varësi, duke varfëruar çdo ditë e më shumë shtresat në nevojë.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë takimit të fundvitit me vartësit e tij i paralajmëroi se, do të mbajnë përgjegjësi ligjore nese zhvillohet aktivitetit i jashtëligjshëm i lorjrave të fatit në zonat ku ata janë përgjegjës. Medje Lleshaj tha se: – pas datës 1 janar, “një lokal bastesh do të trajtohet si një parcelë kanabisi”.

Gazetar: Andi Qosja

/acbnews.al

SANDER-LLESHAJ-PER-LIJRAT-E-FATIT-1280x720.jpg
ent ela13:59 | 30/12/2018

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një takimi me drejtues policie, tha se duke filluar nga data 1 janar, policia do të angazhohet fuqimisht për mbylljen e veprimtarisë së lojërave të fatit. Ai tha se pas kësaj date, një lokal bastesh do të trajtohet si një parcelë kanabisi.

I vetmi që mungoi në takimin me shefin e ministrisë së Brendshme ishte drejtori i Policisë së qarkut të Elbasanit, Altin Qato. Arsyeja e mospranisë së tij ndoshta lidhet me mbledhjen e provave të reja apo ndoshta me mbylljen e statistikave për vrasjet, duke shtuar në listen e ekzekutimeve të tipit mafioz në Elbasan edhe emrat e tre personave si, Endrit Alibej, Arben Dylgjeri bashkë me një shtetas turk Erdal Duranay.

Ndërkohë Lleshaj paralajmëroi drejtorët e policisë vendore se duhet të marrin masa për ndalimin e basteve sportive nga data 1 janar 2019.

“Nga 1 janari në territorin e vendit ndalohen të gjitha veprimtaritë e lojërave të fatit. Ndalohen reklamat audiovizive. Me rëndësi të madhe është fakti që policia e shtetit është e angazhuar drejtpërdrejt në zbatimin e ligjit. Jam informuar për të dhënat e mbledhura lidhur me veprimtarinë e këtyre subjekteve. Jam informuar mirë për masat e mira të marra nga policia për njoftimin e pronarëve, ashtu sikurse jam informuar për faktin se shumë pronarë lokalesh kanë marrë masa ndërkohë për ndërprerje e këtyre aktiviteteve. Nga data 1 janar 2019, në çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur apo të fshehur veprimtaria e lojërave të fatit duhet të trajtohet si një parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë qasja e Policisë së Shtetit”.

Sipas ministit të Brendshëm, gjatë festave të fundvitit policia e shteit ka rritur kontrollet e uniformave blu në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

“Duhet të shtohen kontrollet dhe bashkëpunimet me qytetarët. Meqenëse jemi mbledhur këtu, dua të sqaroj edhe disa probleme që kanë rëndësi. Siç është menaxhimi i festave që janë në prag. Ndaj kërkohet që të shtohen shërbimet e policisë në pikat kufitare. Vëmendja e shtuar duhet të shtohet ndaj personave në kërkim, apo atyre që janë me precedentë kriminale”.

Në fund ministri Lleshaj kërkoi edhe ndalimin e fishekzjarreve dhe lëndëve plasëse, ku shpesh sipas tij, zhurma e tyre ngatërrohet edhe me atë të armëve.

Gazetar: Andi Qosja

/abcnews.al

48992756_325925394916281_1431932441399918592_n-1280x853.jpg
ent ela11:13 | 30/12/2018

“Nga data 1 janar 2019 ku ushtrohet në mënyrë të hapur apo të kamufluar veprimtaria  e lojërave të fatit duhet konsideruar si parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet të jetë edhe qasja e policisë së shtetit”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një deklaratë për mediat gjatë takimit takimit me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.

Sipas tij drejtuesit e Policisë që do të kapen me shkelje ndaj kësaj veprimtarie do të vihen para përgjegjësisë ligjore, ndërsa kërkoi bashkëpunimin qytetar për të denoncuar rastet.

“Drejtuesit e Policisë së Shtetit do të vihen para përgjegjësië ligjore në çdo rast të shkeljeve në zonat e tyre të përgjegjësisë. Zbatimi me rigorozitet të lartë të ligjit, goditje ndaj kësaj veprimtarie kriminale. Do pësojë goditje korrupsioni. Duhet të shtohen kontrollet dhe bashkëpunimi me institucionet dhe qytetarët të cilët kanë kanale të mjaftueshme për të raportuar e denoncuar. Ky është mesazhi kyç që doja të përcillja për ju e publikun”. /abcnews.al

META-DITA-KUNDER-DHUNES-NDAJ-GAZETAREVE-3-1280x720.jpg
ent ela18:50 | 09/11/2018

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka thyer heshtjen me të cilën ka kaluar ligjet e votuara në Parlament që nga gushti i këtij viti dhe gjatë pasdites ka dekretuar ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit.

Ligji parashikon mbylljen e basteve sportive dhe zhvendosjen e kazinove elektronike nga zonat e banuara prej 31 dhjetorit.

Ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit u miratuan pak javë më parë në parlament vetëm me votat e mazhorancës.

Ndërsa mazhoranca akuzoi qeverinë se përmes këtij ligji kërkon të krijojë monopolin e basteve online akuza që qeveria i mohon. /abcnews.al

PROVOKACIJA-MONOLOGU-DHE-DASHAMIR-SHEHI-PJ-1.mpg_snapshot_22.20-1280x720.jpg
ad min20:41 | 23/10/2018

I ftuari i parë i emisionit “Provokacija” të gazetarit Mustafa Nano ishte, kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi. Një diskutim për ngjarjet më të rëndësishme politike në vend dhe mendimin e Shehit për ndryshimet kushtetuese për mbylljen e lojërave të fatit.

Shehi tregoi se nuk është kundër bixhozit si princip, por kundër masivitetit që ndodhet në Shqipëri duke i dhënë një formë të keqe jetës urbane.

“S’jam kundër, por në Shqipëri është bërë kaq masive, është bërë kaq e pranishme dhe fizikisht, sa që me thënë të drejtën i ka dhënë një formë të keqe jetës urbane dhe zonave rurale. E kalojnë masën dhe si çdo gjë që kalon masën, që ekzagjerohet, them se duhet të frenohet. Duhet ti themi stop. Shoqërisë mund ti vijnë stade të tjera ku më e qetë mund ti provojë këtë lloj zbavitje”.

Shehi tregoi për të mirat dhe të këqijat e të gjithë kësaj situate në shoqërinë tonë.

“Kjo ka një të mirë të madhe, do të fillojmë të mendojmë të paktën në aspektin moral. Sigurisht që ka edhe disa të këqija që po ti marrim në konsideratë janë: do të humben disa vende pune, jo pak por me mijëra. Do humben edhe 40-50 milionë nga buxheti i shtetit. Do të humin edhe 4-5 mijë qira, se këto qëndronin në disa ambjente. Nga ana ekonomike është goxha humbje, por unë them megjithatë, prap ia vlen.”

Biznesi i basteve shihet si një biznes apriori kriminal:

“Jo, biznesi i basteve mund të jetë edhe më i lehtë se sa biznesi i bixhozit puro klasik. Kur flasim për bixhoz e kemi fjalën për makinat elektronike që përpijnë miliona lekë të një kategorie që me thënë të drejtën janë relativisht dhe të varfër.”

Sipas Shehit, prania e shpeshtë e lojërave të fatit afektoi dhe infektoi një pjesë të shoqërisë.

“Kemi një risk që një pjesë e kësaj loje mund të bjerë në duar më të pista nga këto që janë. Një shoqëri si kjo e jona do ti japi të gjitha interpretimet e mundshme pastaj. Do të kalojë nëpër kanale abuzive si një herë e një kohë. Janë të gjitha këto efekte negative. Por në përgjithësi ideja që po zhduken nga qendrat e qyteteve kjo për mua është pozitive.”

“Në qoftë se ky (kryeministri) mbyll këto me mijëra pika të vogla, mbyll nja 10 biznese që janë shqiptare, nga këto që marrin dhe rroga duke filluar nga pastruesja deri tek i zoti që ka dhënë lokalin me qira dhe e bën këtë punë për t’ja lënë një apo dy duarve në mënyrë abuzive online është më keq se kaq. Kjo do të jetë shumë më e turpshme nga ajo që ka ndodhur deri më sot.”

I pyetur nga Nano nëse shqiptarët janë një popull bixhozxhi, Shehi u shpreh:

“Të gjithë të varfërit janë. Pse është bixhozi? Mirazh i një pasurimi të shpejtë. Të punësuar janë reth 8-10 mijë veta. Prandaj unë këtu sugjerova që përtej kësaj shpejtësisë që kryeministri ka për reforma për ti mbyllur, unë do të thoja që është e drejta e tyre ligjore dhe ekonomike që ky proces të shtrihet jo në 3 muaj, por minimalisht nga 6 muaj deri në 1 vit që tu japim shans këtyre zotërive që të mbyllim kontratat me qiramarrësit me punëtorët. Një pjesë e punëtorëve të ketë kohë që të riciklohet nëpër fusha të tjera të tregut, një pjesë e kapitalit të rimendohet se ku duhet të zhvendoset në një biznes tjetër. Këtë gjë fare mirë një qeveri që është serioze e bën. Duhet ta mbyllim, por me rregullat që mbyllet një gjë.”/abcnews.al

lulzim-bvasha.jpg
ad min22:59 | 18/10/2018

Për Lulzim Bashën, pas mbylljes së lojërave të fatit fshihet një aferë e madhe. Në studion e “Opinion”, në Tv Klan, kreu i PD tha se me mbylljen e lojërave të fatit synohet që t’i jepet monopoli një kompanie online, e cila sipas Bashës ka lidhje me vëllain e Kryeministrit dhe kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“E keni parë ligjin? Po i jepet monopoli një kompanie online që qartësisht është në duart e Edi Ramës, të Olsi Ramës dhe Vangjush Dakos. Vërtetimin për këtë ne e kemi treguar si opozitë. Personat e lidhur me këtë koncension dhe kontratë, zinxhiri i personave, të çon tek personat e lidhur me Kryeministrin. E njëjta gjë që ndodhi 5 vjet përpara me atë personin që u vra tek Tirana e re, po ndodh sot. Një ndër aksionerët kryesorë të Apex, njeri shumë i afërt i Edi Ramës i ka shitur 4 muaj më parë aksionet e Apex-it austriakëve. Pse them i afërt i Edi Ramës? Çuditërisht ky njeri po merr lejen e ndërtimit tek sahati dhe po ia merr ish-mikut të Edi Ramës, Ilir Matës dhe ka marrë dy kulla në qendër të bllokut”.

Basha tha se edhe atëherë kur Kryeministri Rama propozon një masë gjoja në interes publik, fshihet një lepur i madh mbrapa. Në këtë rast, sipas kreut të PD ky “lepur” është Vangjush Dako dhe vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama.

“Unë kam qenë i pari që ka propozuar për zhvendosjen e tyre tek Kombinati i Autotraktorëve. Pra largimin e tyre nga gjithë pikat e qytetit dhe ky propozim u rrëzua për shkak të mungesës së mazhorancës në Këshillin Bashkiak. Absolutisht që PD zotohet që do t’i mbyllë të gjitha, por nuk do të lerë monopolin e vëllait të kryeministrit ndaj basteve. As të atij që është sot dhe as atij që do vijë nesër. Ky është ndryshimi mes meje dhe Ramës, mes PD dhe PS. Edhe atëherë kur propozon një masë gjoja në interes publik, fshihet një lepur i madh mbrapa. Lepuri i madh është Vangjush Dako dhe Olsi Rama”./tvklan.al

VARSIA-NGA-LOJRAT-E-FATIT-1280x720.jpg
ent ela15:39 | 16/10/2018

Shqiptarët vitin e shkuar shpenzuan rreth 130 milionë euro në lojëra fati. Kaq ishte qarkullimi vjetor i këtyre kompanive. Ndërkohë mjekët e konsiderojnë sëmundje varësinë nga lojërat e fatit.

Sot vendos një skedinë, nesër një tjetër derisa kjo të kthehet në mendimin e parë sapo del nga shtëpia. Dëshira kthehet në nevojë dhe kontrolli i impulsive bëhet i pamundur.  Varësinë nga lojërat e fatit Shoqata Amerikane e Mjekëve Psikiatër e ka cilësuar sëmundje që në vitin 1980, ndërsa mjekët psikiater shpjegojne se kur nje person cilesohet i varur..

Irena Thoma, Mjeke Psikiatre: “E kanë bërë lojën e fatit një qëllim kryesor të jetës së tyre. Merren vazdimisht me ketë lloj sjellje Tjetër është toleranca. Kur në një mnmënyrë këta individë bëjnë këtë sjellje dhe nuk i shqetëson fakti që po rrënojnë ekonomikisht. Bëhen problematikë në familje, punë e shoqëri. Ndjehen të stepur për tu tërhequr nga kjo sjellje, por duke qenë se janë të varur dhe nuk mund ta lënë këtë sjelleje ata rikthehen përsëri.”

Të ardhurat e kompanive të lojërave të fatit kanë shënuar rritje nga viti në vit gjë që tregon edhe për përdorimin e tyre nga qytetarët.  Nga ky ves shqiptarët shpenzojnë 130 milionë euro në vit. Kaq ishte qarkullimi vjetor i kazinove dhe basteve sportive në vitin 2017.

Qytetar 1: Provova të luaja fatin, po rrallë ia dola.

Gazetarja: Sa lekë vendose?

Qytetar 1: 1 mijë lekë, 2 mijë lekë

Qytetar 2: Shokët e mi kanë vënë, po unë jo.

Gazetarja: Pse vënë?

Qytetar 2: Po se janë të fiksuar, është mirë që po bëhet kjo, që po hiqen, është humbje kohe dhe lekësh. Është mirë të angazhohen adoleshentët me punë, se të merren me bixhoz.

Qytetar 3: Skedina kemi vënë.

Gazetarja: Sa lekë?

Qytetar 3: Në bazë të shifrave 500-700, po fitimet kanë qenë shumë pak.

Gazetarja: E provon shpesh?

Qytetar 3: Jo ndonjëherë kur shohim gazetën dhe ndryshon mendja.

Disa luajnë për t’u argëtuar, të tjerë për t’u identifikuar në shoqëri, një pjesë për të fituar ndërkohë që vesi mund t’i çoje në kurth. Stigma vijon të mbajë larg specialistëve persona të tillë, ndërsa mjekët thonë se kontakti me ta bëhet i domosdoshëm.

Irena Thoma, Mjeke Psikiatre:  “Truri i qënies njerëzore është i sajuar që të prodhohen disa neurotransmetues në momentin kur bën diçka që sjell kënaqësi kjo është më dominante dhe këta persona zgjedhin lojën e fatit për ta arritur këtë lloj vetëkënaqësie se ka edhe gjendje emocionale shoqëruese si pagjumësia, stresi, ankthi, humori jo i mirë dhe në këto momente ndërhyhet me një plan trajtimi medikamentesh, me ndjekje nga psikiatri dhe psikoterapi”.

Kryeminsitri ka paralajmëruar mbylljen e basteve sportive dhe zhvendosjen e kazinove nga zonat e banuara nga janari i vitit 2019. Thuajse pesë vjet nga operacioni “Fundi i Marrëzisë” të tjera ndryshime ligjore shkojnë në parlament.Por për të parë nëse këtë herë marrëzia do të marrë fund vërtetë duhet pritur dhe pak kohë. /abcnews.al

VENDIM-QEVERIE-MBULIM.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
ad min18:27 | 10/10/2018

Në mbledhjen e sotme të qeverisë Këshilli i Ministrave vendosi pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, deri në ristrukturimin e këtij institucioni.
Vendimi ngarkon ministrin e Financave dhe Ekonomisë, si organ epror, të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e ketij Autoriteti, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.
Po ashtu ministri i Financave dhe Ekonomisë, duhet të përcaktojë aktivitetet konkrete që do të vijojë të kryejë ky Autoritet, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono