ligji

policia-ushtarake.jpg
G. P.22:05 | 11/04/2019

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, baza ligjore për vendosjen e forcave të Policisë Ushtarake jashtë aeroportit të Rinasit, gjendet në ligjin për Policinë Ushtarake si dhe në një marrëveshje të Shqipërisë me NATO-n, ratifikuar me ligj në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendosja e Policisë Ushtarake në perimetrin e jashtëm të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, pas grabitjes së ndodhur të martën, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes bazohet në dy ligje.

I pari është ligji nr 13/2015 për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i dyti është ligji Nr. 8543, datë 4.11.1999 “për ratifikimin e marrëveshjes dhe të shtesës së saj, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe NATO-s për statusin e NATO-s dhe të personelit të saj”.

Konkretisht në nenin 2 të ligjit për Policinë Ushtarake thuhet:

“Misioni i Policisë Ushtarake është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare”.

Pikërisht aeroporti i Rinasit, gati gjysma e të cilit është infrastruktura ushtarake e një vendi anëtar të NATO-s, ku ulen dhe ngrihen avionë ushtarake dhe shumë pranë të cilit është Komanda e Forcave Ajrore, konsiderohet si pronë shtetërore në përdorim nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Ndaj ruajtja e sigurisë në këtë territor është në misionin e parashikuar me ligj të Policisë Ushtarake.

Po ashtu, në nenin 7 të të njëjtit ligj të vitit 2015 për Policinë Ushtarake, që përcakton fushën e veprimit të Policisë Ushtarake, saktësohet:

“Veprimtaria e Policisë Ushtarake ushtrohet mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendase dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat, me veprimet e tyre, cenojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi”.

Vendosja  e Policisë Ushtarake për garantimin e sigurisë në perimetrin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sipas të njëjtave burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, bazohet edhe në piken 11 të marrëveshjes mes NATO-s dhe Shqipërisë si vend anëtar, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në 4 Nëntor 1999.

“NATO-s i garantohet përdorimi i aeroporteve, rrugëve, hekurudhave dhe porteve”.

Rasti i përsëritur i hyrjes së personave të armatosur dhe grabitjes brenda pistës së avionëve në Rinas, sipas të njëjtave burime, bëri të domosdoshëm vendimin për patrullimin e rrethimit të aeroportit nga forca dhe mjete të Policisë Ushtarake, pikërisht për të garantuar sigurinë e këtij objekti të rëndësisë së veçantë, në një vend anëtar të Aleancës Ushtarake të Atlantikut të Veriut./abcnews.al

KUSHTETUTA-PER-FA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela15:33 | 11/04/2019

Një ditë më parë mininistrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka bëri të ditur se kishte urdhëruar vendosjen e efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura në perimetrin e Aeroportit Ndërkombëtar në Tiranë.  Por kur e parashikon Kushtetuta dhe ligji ndërhyrjen e Forcave të Armatosura?

Kushtetua dhe ligji përcaktojnë qartë rolin dhe misionin e Forca të Armatosura në vendin tonë.  Referuar ligjit themeltar të shtetit ato mund të përdoren në dy raste;

Në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për parandalimin, ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore.

Kushtetua e Republikës së Shqipërisë në nenin 173 të saj parashikon që:

  1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
  2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
  3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë!

Nenin 22 i ligjit të pushteteve të drejtimit e Forcave te Armatosura sqaron më tej se:

  1. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit i cili pas përfundimit të kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe.

Sa i përket faktkeqësive natyrore ligji shprehet në nenin 23 të tij, ku thotë se për fatkeqësitë natyore vendos Këshilli i Ministrave, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

  1. Me vendosjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Forcat e Armatosura, me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për eliminimin e pasojave të ardhura nga fatkeqësia natyrore apo aksidenti teknologjik. /abcnews.al
osmani-1280x732.jpg
ent ela20:30 | 25/03/2019

Klasa politike shqiptare në Maqedoni ka ritheksuar se ligji për gjuhët ka frymë evropiane dhe duhet të frymëzojë kohezion ndëretnik. Ndërkohë, qeveria u ka kërkuar institucioneve të respektojnë ligjin, ndërsa vetë do të punojë për ta mbështetur atë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e Grupit punues ndërministror për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, theksoi se ky ligj është në frymën e vlerave evropiane, por gjithashtu është një lëvizje inkurajuese që duhet të ofrojnë kohezion ndëretnik.

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, u kërkoi institucioneve të respektojnë këtë ligj dhe qeveria do të sigurojë asistencë teknike për funksionalitet të plotë dhe përçueshmëri. Rashkovski njoftoi se personat që do të angazhohen në Agjenci, janë të angazhuar në Sekretariatin e Përgjithshëm, dhe kalimi i tyre bëhet me qëllim që të fillojë zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Si me rekomandime ashtu edhe teknikisht, ndihma më e madhe duhet të ndjekë Agjencinë për zbatimin e gjuhëve, sigurisht sepse është një institucion i ri që po formohet tani”.

Sela bëri të ditur se kompletimi i kuadrit të Agjencisë, do të bëhet pas mbarimit të Zgjedhjeve Presidenciale të 21-prillit, dhe më pas do të përpilojë programin vjetor.

Përndryshe, me 69 vota, në Parlamentin e Maqedonisë u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve, me miratimin e ligjit, gjuha shqipe përdoret në mënyrë të barabartë në të gjitha komunat dhe në të gjitha organet e administratës shtetërore. Deri te funksionalizimi i Agjencisë së Gjuhës Shqipe duhet të kalojnë edhe pesë hapa, pasi paraprakisht u caktua lokacioni i cili do të jetë në ish-hapësirat e Policisë Financiare./abcnews.al

AFP-TV_20190318_WAR_NZL_GunLaws_VID1319563_EN_en.jpg
ent ela09:59 | 18/03/2019

Pas deklaratës së qeverisë së Zelandës së Re se shumë shpejt do të miratohet një moratorium për armëmbajtjen, qytetarët kanë vendosur t’i dorëzojnë vullnetarisht. Ndërkohë autori i masakrës së Kristçërç ka pushuar nga puna avokatin e tij duke thënë se do të mbrohet vetë.

Kryeministrja e Zelandës së re, Jasinda Ardern, paralajmëroi se brenda dhjetë ditësh do të publikohet një reformë për shitjen e armëve. Disa qytetarë kanë vendosur të dorëzojnë vullnetarisht armët e tyre ndërkohë. Njëkohësisht në vend do të nisin hetimet dhe për shërbimin e inteligjencës. Brenton Tarant, supremacisti australian autor i masakrës së Kristçërç ku humbën jetën 50 persona, nuk rezultonte i skeduar.

Sipas policisë Tarant ka vepruar i vetëm por mund të ketë pasur dhe bashkëpunëtor. Shqetësimi qëndron në faktin se shërbimet sekrete të Zelandës së Re ishin përqendruar më shumë seç duhet tek komuniteti mysliman për të hetuar rreth planeve të mundshme për sulm

Organizatorët e panairit më të rëndësishëm të armëve në vend, në program për në 23 Mars, kanë vendosur  të anulojnë manifestimin në shenjë respekti për viktimat e sulmeve në dy xhamitë.

Ndërkohë mediat vendase raportojnë se Tarant ka pushuar nga pina avokatin e tij dhe ka ndërmend të mbrohet vetë para gjykatësve. Po sipas metodave ideja është që 28-vjeçari të transformojë procesin në një mjet për propagandën supremaciste. Avokati deklaroi se Tarant ishte i kthjellët dhe i qëndrueshëm mendërisht pavarësisht bindjeve të tij ekstremiste./abcnews.al

RUSI-GJOBA.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela23:09 | 13/03/2019

Në Rusi, të gjithë përdoruesit e internetit që fyejnë liderët dhe institucionet online do të përballen me gjoba dhe burg. Një ligj i ri i hartuar nga partia e presidentit Putin, Rusia e Bashkuar, parashikon edhe ndëshkimin e autorëve të lajmeve që mund të nxisin protesta qytetare.

Parlamenti rus aprovoi të mërkurën një ligj për gjobitjen e përdoruesve të internetit që fyejnë autoritetet online, ose përhapin lajme të rreme. Me vendimin e saj Duma ruse ka shpërfillur paralajmërimet e kritikëve se lëvizja mund t’i hapë rrugë censurimit nga ana e shtetit të mediave online. Drafti, që tashmë kërkon vetëm firmën e presidentit Vladimir Putin përpara se të kthehet në ligj, mori mbështetje të gjerë në dhomën e lartë të Parlamentit, disa ditë pasi disa mijëra qytetarë protestuan kundër kufizimeve për përdorimin e internetit. Mbështetja popullore për Putin ka rënë në rreth 64 për qind në muajt e fundit, por ai përballet me një kërcënim minimal nga opozita, që nga ana e saj përballet me ligjet e vështira elektorale dhe nuk ka akses në mediat televizive. Ligji parashikon ndëshkimin e përdoruesve të ëeb-it me 100 mijë rubla, ose 1 mijë e 525 euro për mungesë respekti ndaj shtetit, autoriteteve, flamurit rus, ose Kushtetutës. Ndërsa për përsëritësit e shkeljes, gjoba do të shoqërohet edhe me 15 ditë burgim. Ndërkohë, individët do të gjobiten me 400 mijë rubla, ose 6 mijë e 100 euro, për përhapjen e lajmeve të rreme që mund të çojnë në cënimin e rendit publik. Një ditë më parë, Këshilli rus për të drejtat e njeriut, grupe të shoqërisë civile dhe qindra shkrimtarë e gazetarë e cilësuan ligjin absurd dhe i bënë thirrje Dhomës së Sipërme të Parlamentit që ta rrëzonte ligjin. Mesa duket, apeli i tyre ra në vesh të shurdhët. /abcnews.al

gjykata.jpg
G. P.17:37 | 12/03/2019

Nuk janë të pakta deklaratat e kryeministrit Edi Rama që targeton gjyqtarët për vendime e padrejta mbi pronën. I ndryshëm ka qenë reagimi i kreut të qeverisë ndaj banorëve që nuk lejuan zbatimin e vendimit të formës së prerë për banesën në zonën pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë.

Teoria dhe praktika duken në kundërshtim me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për vendimet e gjykatave mbi dhënien e pronësisë. Të paktën kështu duket nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndër vite.

“Në Shqipëri ka pretendentë për prona dhe pretendime për kthime sa dyfishi i sipërfaqes së vendit tonë. Një absurd që është zhvilluar falë një bande në sistemin e drejtësisë. Një bandë kriminale që ka bërë një kasaphanë duke përdorur çekiçin e gjykatës”, është shprehur kryeministri në korrik të vitit 2015

“Gjykatës që fshihen pas vendimesh kolegjiale që kanë marrë dhe formë të prerë në disa shkallë dhe që në këto kushte aktualisht janë të pandëshkueshëm”, ka thënë ai në Gusht të 2015-s.

“Në 25 vjet jo nuk u bë shtet, por një rrumpallë e paimagjinueshme dhe gjykatat që janë shtylla kryesore e shtetit u kthye në pazare kur e drejta shitej e blihej”, është shprehur në Nëntor të 2016-s kryeministri.

“Kemi qenë këtu kur unë thosha nuk duhet të shtojmë një gjykatë, por duhet të përmbysim një sistem, sepse një gjykatë më shumë do jetë një kasap më shumë ku ju do shkoni dhe do lini lëkurën”, tha ai në Shkurt të 2017-s.

“Për mua është shumë e rëndësishme të jem këtu sot pas më shumë se 15 vitesh luftë për këtë kënd të Tiranës, ku mund të shkruhet një libër për shqipërinë që kishim. Në këtë truall u ngatërruan të gjitha sëbashku, që nga babëzia deri te korrupsioni i gjykatave”, është shprehur ai gjatë 2018-s.

Tonet e kryetarit të qeverisë ndryshuan për rastin më të fundit që u dha drejtpërdrejtë në media. Banorët që kërkonin të mos i merrte pronën përmbarimi pasi pretendojnë se gjykata ka dhënë vendim në kundërshtim me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave.

“Të trishtueshme pamjet nga rruga e shtëpisë ku kërkohet ekzekutimi i një vendimi gjyqi të formës së prerë. Por e trishtueshme edhe se si Kazani i përzien gjërat pa lidhje!Qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit”.

Pas pamjeve në kazanin mediatik drejtori i Policisë Tiranë u shkarkua e po ashtu edhe një punonjëse e repartit “Shqiponja” sepse protestoi kundër prishjes së banesës, ku ajo e familjarët e saj jetonin prej vitit 1953.

Me statusin e fundit të kryeministrit Edi Rama duket se gjykatat janë në rrugë të mbarë dhe mbi vendimet e tyre të formës së prerë nuk duhet të dalë askush. Këtë e konfirmoi nga studio e ABC News edhe numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla.

“Jam në një pozicion që ligji dhe Kushtetuta në një vend se kush ka të drejtë përcaktohet vetëm nga gjykata”, tha Balla.

Ky rreshtim në krah të gjykatës pritet të nxisë edhe shumë pronarë trojesh që nuk janë kompensuar nga shteti ndonëse ua kanë dhënë trojet për shërbime publike./abcnews.al

thumbnail-1280x851.jpg
ent ela12:00 | 09/03/2019

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame doli në një deklaratë për mediat për ligjin e Kadastrës, duke theksuar se tashmë vendi ka një ligj që hedh bazat juridike për të zgjidhur ngërçin disa vjeçar me pronat. Sipas Lames termi “Hipotekë”, që ka qenë makthi i shqiptarëve në këto tre dekada, do futet në muzeun e gjërave të shëmtuara.

Deklarata e plotë

Paradisa ditësh u botua në fletoren zyrtare Ligji “Për Kadastrën në Republikën e Shqipërisë”. Ky botim erdhi pas miratimit në heshtje të këtij ligji nga ana e Presidentit të Republikës.

Gjej rastin të kujtoj këtu edhe përmirësimet që ju bënë këtij ligji sipas vërejtjeve dhe propozimeve të Presidentit të Republikës, gjë që flet për përgjegjësinë e jashtëzakonshme që transmeton ky ligj tek të gjithë faktorët e implikuar në procesin e hartimit dhe miratimit të tij.

Përtej kësaj, sot Shqipëria ka një ligj që hedh bazat juridike të Kadastrës moderne të saj.

Mediat me të drejtë në këto ditë kanë vënë në dukje disa prej anëve pozitive dhe risive të këtij ligji, siç janë shmangja e burokracive, shkrirja e disa institucioneve që merren me pronësinë në një të vetëm, e keshtu me radhë.

Por thelbi,as i problemit dhe as i zgjidhjes, nuk janë këto.

Thelbi është zvarritja gati tridhjetvjeçare e regjistrimit të pronës në Shqipëri.

Thelbi janë tre dekadat e kaosit legjislativ në fushën e pronësisë.

Thelbi është se pas 107 vjetësh shtet shqiptar dhe 30 vjetësh tranzicion, në Shqipëri akoma nuk dimë “kush ka çfarë”.

Kësaj enigme 100 e kusur vjeçare, do të duhet t’i japë përgjigje Agjensia Shtetërore e Kadastrës.

Është e padiskutueshme që veçanërisht dy vitet e fundit, ZRPP ka përmirësuar imazhin e saj përmes përmirësimit të ofrimit të shërbimeve.

Ky ka qënë një element shprese për qytetarët, që të paktën nga pritja mujore e vjeçare për të marrë përgjigje, të arrijmë në dhënien e përgjigjeve në afat. Fakti i rreth 1 milion shërbimeve të ofruara çdo vitnga kjo zyrë, flet për këtë.

Por pikërisht këtu fillon makthi tjetër për qytetarët, pasi ja kemi dalë të përmirësojmë banakun e ekspozimit dhe ofrimit të miellit, por vetë gruri që bluan mulliri i pronave është i mykur.

Kjo sepse, e gjithë piramida hartografike e ngritur në këto tre dekada, mbart brenda gjynahet e papërgjegjshmërisë, të falsifikimeve, të paaftësisë, të korrupsionit, të injorancës, të gjyqeve të shitura, të mashtrimit dhe abuzimit me pronën.

Mjafton këtu të përmend vetëm një të dhënë. Sipas studimit të bërë nga ekspertet e Bankës Botërore për situatën hartografike të ZRPP, arrihet në përfundimin e trishtë se  80% e pronave të regjistruara në Shqipëri, janë hedhur me gabime dhe probleme hartografike.

Shteti shqiptar, që nga viti 1994 kur ka filluar procesi i regjistrimit të pronës, ka shpenzuar rreth 200 milion USD në procesin e regjistrimit të pronave.

Por i gjithë ky lumë parash, ka sjellë pas 80 % të pronave të regjistruara me probleme, dhjetramijëra procese gjyqësore, qindra të vrarë për çështje pronësie dhe bllokim të mijëra aktiviteteve ekonomike.

Kjo është sfida e madhe reale e Agjensisë së re të Kadastrës.

Nga ana tjetër, përmes këtij ligji, Qeveria do të do të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë e kësaj situate dhe jo të vijojë me përcjelljen e pasojave të mëkateve të veta tek qytetarët.

Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull për këtë, të absurdit ku i fut njerëzit kaosi i pronave. Pasi i sjell vërdallë për të regjistruar pronën, me muaj e me vite, sepse të tilla janë hartat e shpartalluara, pasi i tillë është legjislacioni, pasi e tillë ështe varravingoja burokratike; në fund, pasi kalojnë afatet tj’u themi qytetarëve se duhet të paguash dhe kamatvonesë sepse nuk e ke regjistruar pronën brenda afatit.               Ligji i ri parashikon amnisti për gjithë këtë varg, pagesash të pakryera në vite e vite, por jo si dhuratë e shtetit për qyetarët, por si larjen e një njolle që bie mbi vetë shtetin.

Pas disa ditësh,  “hipotekë” që ka qenë makthi i shqiptarit me halle prone në këto tre dekada, do futet në muzeun e gjërave të shëmtuara.

provokacija-1280x700.jpg
G. P.22:00 | 08/02/2019

Inxhinieri Xhevair Ngjeqari ishte i ftuari i radhës në emisionin “Provokacija”. Ai ka folur për Ligji i Partneritetit Publik-Privat, ku sipas tij ai është: “ligji i grabitjes së të ardhurave popullore ka nevojë urgjente të reformohet dhe ndryshohet”.

“Të ndërtosh rrugë dhe objekte ku shteti yt bëhet bashkëinvestitor në kushte jo të rregullta, jo me interes publik, këto nuk janë koncesione. Këto janë grabitje të pastra të pasurive kombëtare. Shumë banka po hezitojnë të japin paratë, financimet sepse nuk kanë besim se shteti mund t’ua shlyetj. Por nuk ka mundësi të jepien, të harxhohen 1 miliad lek për rrugën Thumanë –Rrogozhinë. Ky ligj nuk fuqizon vetëm një mbretësi por edhe një sulltan. Ky lidh i jep kepetenca të jashtëzakonshme qeverisë që të kryej çfarëdolloj partneriteti.  I bëj thirrje publikut nëprmjet emisionit të Mustafa Nanos se këto partneritete duhet t’i anulloni në mënyrë urgjente. Ligji për PPP duhet të riformatohet. Koncesionet që financohen nga shteti nuk kanë për qëllim zhvillimin e vendit”./abcnews.al

ligji-pije-energjike.jpg
G. P.15:45 | 08/02/2019

Si shumë ligje të tjera edhe ai që ndalon blerjen e konsumin e pijeve alkoolike e energjike nga të miturit, nuk zbatohet si duhet. Pavarësisht sanksioneve të parashikuara, ligji në realitet duket inekzistent.

Kanë kaluar 3 muaj nga miratimi i ligjit që veç pijeve alkoolike ndalon edhe shitjen e pijeve energjike dhe të gazuara për të miturit. Por në praktikë ai nuk zbatohet. Vetë fëmijët pohojnë se i blejnë dhe i konsumojnë lirshëm këto pije në mjedise publike, pavarësisht moshës se tyre.

Nxënësi: Pijet energjike nuk i blej shpesh, kurse pijet me gaz që nuk janë energjike i pi, por jo shumë herë.”

Pyetje: Pra ti shkon t’i blesh në market pa problem?

Nxënësi: Po.

Pyetje: Po ty të pëlqen të blesh pije enrgjike apo pije me gaz?

Nxënësi: Jo.

Nga ana tjetër edhe qytetarët e shohin si diçka pozitive ndalimin e tregtimit të pijeve energjike dhe atyre me gaz për fëmijët. Ata  theksojnë se në lokale e dyqane duhet të vendosen tabelat përkatëse që tregojnë ndalimin e tyre.

“Duhet t’iu falenderoj juve si media që tregoni interes dhe që kanë të bëjnë me fëmijët tanë. Kam mendimin që pijet energjike te fëmijët nuk duhen shitur sepse vetë tregtarët e dinë që është e dëmshme për fëmijët”.

“Fillon me pijen energjike dhe vazhdon me gjëra të tjera mbrapa, në këtë moshë siç janë këta”.

“Nëpër ambiente të ndryshme ku tregtohen të paktën pijet alkoolike ka tabela që nuk shesim alkool deri në moshën deri 18 vjeç. Nëse ligji thotë që duhet të ndalohet atëherë edhe shitja duhet të ndalohet”.

Në Tetor të vitit të shkuar, parlamenti miratoi ndryshimet në ligjin e Prillit të 2006-s, “për përdorimin e pijeve alkoolike nga të miturit”, duke i shtuar atij edhe pijet energjike dhe ato të gazuara.

Ligji përcakton edhe sanksione që parashikojnë gjobë 10-30 mijë lekë për të gjithë ata që ofrojnë pije alkolike, energjike dhe të gazuara për fëmijët.

Po ashtu reklamimi i këtyre pijeve, sipas ligjit të miratuar, dënohet me gjobë 100-200 mijë lekë e kur pjesë e reklamës janë edhe të miturit, vlera e gjobës arrin deri në 300 mijë lekë./abcnews.al

zoran-zaev-bujar-osmani-960x540.jpg
ent ela20:45 | 22/01/2019

Qeveria e Maqedonisë ka dërguar në Komisionin e Venecias përmbajtjen e plotë të Ligjit për gjuhët, bashkë me amendamentet që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe në kartëmonedha, letrat me vlerë, uniformat e ushtrisë dhe të policisë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u dërgua në Komisionin e Venecias. Qeveria e Maqedonisë kërkon mendimin rreth dygjuhësisë, kurse përpos tekstit të plotë të ligjit, janë dërguar edhe dy nenet kontestuese për dygjuhësinë në kartëmonedhat dhe uniformat e armatës

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Sot dërgojmë edhe ligjin dhe dy rregulloret alternatve që i premtuam. Pres që Komisioni i Venecias në periudhën e duhur të jep sygjerimet e tij”.

Nga ana tjetër këshilltari i kryeministrit të Maqedonisë, Ismet Ramadani vlerëson se Komisioni i Venecias nuk do të jetë nën ndikimin e një përfaqësie të opozitës maqedonase, e cila me këmbëngulje konteston ligjin e gjuhëve.

Ismet Ramadani, këshilltar i kryeministrit të Maqedonisë: “Për muajin e ardhshëm zv/kryeministri Bujar Osmani do të organizojë një konferencë donatorësh ku janë të ftuar ambasadorë nga të gjitha vendet e BE-së, por edhe institucione të tjera të fuqishme që financiarisht do të ndihmojnë në zbatimin e ligjit”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono