ligji

papa-380x233.jpg
G. P.18:38 | 09/05/2019

Papa Françesku e ka bërë të detyrueshme për klerikët raportimin e abuzimeve seksuale. Bëhet fjalë për një lëvizje të pritur prej kohësh, nga ati i shenjtë për t’i dhënë zgjidhje një prej problemeve më akute me të cilat përballet sot Kisha Katolike.

Papa Françesku e ka bërë të detyrueshme për klerin katolik të Romës të raportojë abuzimet seksuale dhe madje rastet kur akte të tilla janë mbuluar. Në një letër apostolike, që pritet të kthehet në ligj për kishën, Ati i Shenjtë e bën të qartë se çdo mbulim ose favorizim i akteve seksuale do të konsiderohet abuzim.

Lëvizja e Papa Françeskut shihet si një mesazh dërguar hierarkive të kishës, se askush nuk do të tolerohet. Ajo vjen pak kohë pasi në shkurt, Papa premtoi marrjen e masave konkrete për të frenuar abuzimin.

Letra apostolike ua bën të qartë klerikëve se duhet të ndjekin ligjet e shtetit dhe të përmbushin detyrimet e tyre për të raportuar çdo abuzim tek autoritetet përkatëse civile. Udhëzimi i ri është mirëpritur nga disa përfaqësues të Vatikanit, që kanë deklaruar se në këtë mënyrë gjejnë terren për t’i dhënë fund abuzimeve seksuale të kishës.

Papa Françesku ndodhet nën një presion të fortë për të treguar lidership dhe për t’i dhënë zgjidhje një prej problemeve më akute me të cilat përballet sot kisha moderne, e cila akuzohet se ka humbur moralin e saj.

Kur u zgjodh në vitin 2013 ai bëri thirrje për aksion ndaj abuzimeve, por kritikët thonë se nuk ka bërë sa duhet për të mbajtur përgjegjës peshkopët që kanë mbuluar rastet në fjalë./ABC News Albania 24/7

Presidenti_Ilir_META-1280x854.jpg
G. P.17:01 | 07/05/2019

Dekreti i Presidentit Ilir Meta për refuzimin e shkarkimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka krijuar përplasje me presidencës dhe Ministrisë së Arsimit. Në një reagim nga rrjetet sociale, ministrja Besa Shahini u shpreh e zhgënjyer nga Presidenti prej këtij vendimi. Sipas saj që kur ishte pezulluar Koni, jeta në Universitetin e Tiranës kishte filluar ecurinë normale, pasi kur ai kishte qenë në krye të rektoratit kishte refuzuar të adresonte disa prej problemeve.

Mirëpo në një reagim të shkurtër me anë të zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, Presidenti i është kundërpërgjigjur ministres së Arsimit. Sipas Blushit, presidenti ka folur me argumente ligjore në lidhje me dekretin për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit Koni. Ai shprehet se Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e reformës për arsimin e lartë dhe se Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe nuk duhet prekur pavarësia e tyre.

“Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentet ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe. Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre”, shprehet Blushi./abcnews.al

Ligji-1280x708.jpg
G. P.17:30 | 02/05/2019

Deputeti i PS-së Musa Ulqini i ftuar në studion e “ABC News” ka folur për ndryshimet e bëra në Kodin Penal, ku thuhet se çdo person që do tentojë të pengojë zgjedhjet do dënohet me burg. Sipas tij ky ligj nuk është vendosur nga socialistët por nga ish-kreu i PD-së Sali Berisha, pasi kishte frikë nga socialistët.

“Sali Berisha nga frika që kishte nga socialistët i kishte marrë të gjitha masat. Ai ka përgëzuar ligjin i cili thotë se nëse pengohen zgjedhjet dënimi shkon deri në 7 vite burg. Kjo është një çështje. Ju po flisni për paketën që propozoi sot Edi Rama, që u propozua sot në emër të qeverisë. Ndryshimet që janë bërë në Kod kanë të bëjnë që të ketë dënime me burg dhe të shmangen sorollatjet dënimet me gjoba që nuk përfundojmë asnjëherë”.

Ndërsa fliste për protestë e paralajmëruar sot nga opozita, e cila do të bllokojë rrugët në 12 qarqe të vendit, Ulqini u shpreh se të tilla veprimtari nuk u takon të ndërmerret nga parti politike.

Juli Xhokaxhi: Protesta e opozitës është paralajmëruar të shtrihet pasditen e sotme në 12 qarqe të vendit me bllokimin e nyejt kyçe të akseve nacionale dhe nuk do zgjasë 60 minuta sikurse ka paralajmëruar Lulzim Basha. Është  një mënyrë proteste që duhet ta tronditë mazhorancën dhe duket të këtë një reflektim ndryshe nga protestat e deri tanishme?

Musa Ulqini: Lajmi i vetëm në këtë rast është se PD dhe opozita është e vetmja formacion politik në planet që organizon veprimtari të tilla. Në të gjithë botën veprimtari të tilla nuk janë atribut i partive politike. Nuk janë partitë politike që bllokojnë rrugët. Paritë politike bëjnë gjëra të tjera. Këto janë aktivitete që i bëjnë grupe të pakënaqura, sindikatat.

Juli Xhokaxhi: E ka bërë edhe e majta vite më parë…

Musa Ulqini: Fals asnjë parti politike në botë nuk aplikon standarde të tilla. Është  krejt e vërtetë që PS e ka aplikuar një standard të tillë unë kam qenë i lumtur dhe kam menduar se kjo gjë i përket së kaluarës. Po them edhe kur e ka bërë PS edhe kur e bën PD sot në përmasa shumë herë më dramatike janë gjëra që nuk kanë lidhje me partitë politike. Partitë politike nuk merren me bllokime rrugësh. Partitë politike merren me linçimin e alternativave./abcnews.al   

jorida-tabaku-1280x731.jpg
Sej rie14:50 | 24/04/2019

Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku përmes një deklarate për media ka akuzuar Kryeministrin Rama se po përgatit vjedhjen e radhës përmes ligjit për “Korporatën e Investimeve Shqiptare” i cili sipas demokratëve jo vetëm grabit me ligj pronën publike dhe e jep atë e pa kontrolluar nga ligji i prokurimeve publike, por njëkohësisht shkon kundër marrëveshjes së stabilizim asocimit./abcnews.al

DENAJ-PER-NGRITJEN-E-TAKSAVE.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
ent ela18:48 | 17/04/2019

Sistemi i taksave në Shqipëri do të ndryshojë një herë në 3 vjet. Ministrja e Financave, Anila Denaj tha se ku vendim vjen pas konsultimeve të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria do të ngrijë ndryshimet në ligjet fiskale për një periudhë 3-vjeçare në mënyrë që të krijojë stabiltetet të nismave që janë marrë. Ministrja e Financave Anila Denaj tha se gjatë takimeve në Ëashington vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore ka kërkuar një qëndrueshmëri të sistemit tatimor, i cili do të përmirësonte ndjeshëm edhe klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

 “Çdo vijueshmëri do të jetë për projekt afatmesëm, 3-vjeçar deri në 5-vjeçar, pasi kjo krijon një qëndrueshmëri më të lartë”.

Por duke qënë se nisma ligjore ku nuk lejohet më dhënia me ofertave të pakërkuara e veprave në infrastrukturë, e miratuar në komisionet parlamentare, nuk është hedhur ende në seancë plenare për votim, Denaj tha:

 “Ne do ta kemi në fokus nga korriku i këtij viti, me aprovimin e ligjit të ri që do të jetë në Parlament shpresoj shumë shpejt, ku roli i ri i MFE për monitorimin e PPP-ve, do të jetë një rol më i shtuar dhe do të kërkojë të mitigojë risqet që mund të lidhen me efektet buxhetore.”

Ligji për heqjen e bonusit për ofertat e pakërkuara në infrastrukturë si dhe dhënien e tenderit kompanisë që bën ofertën më të ulët ekonomike dhe jo asaj që ka bërë studimin është miratuar në komisione një muaj përpara, ndërsa në dy seanca plenare është hequr nga miratimi edhe pse nisma është futur për diskutim në rendin e ditës. /abcnews.al

 

artan-fuga-1280x709.jpg
Sej rie18:20 | 16/04/2019

Një vendim për shkarkimin e Rektorit Mynyr Koni merret nga Presidenti Meta, pas kërkesës së bërë nga ministrja Besa Shahini. Për largimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, akademiku Artan Fuga ka renditur dy arsyet. Sipas tij me këtë vendim është cenuar autonomia universitare si dhe ligji i arsimit të lartë i lë hapësirë politikës të ndërhyjë.

Mirela Milori: Do doja opinionin tuaj për situatën e krijuar për shkarkimin e rektorit Koni?

Artan Fuga: Unë nuk dëshiroj të hyjë mes palëve sepse nuk dua të bëj arbitrazh dhe nuk jam në hollësi të gjëra. Por unë di të them se në kulturën time universitare nisem nga dy parime të mëdha. Parimi i parë është parimi i autonomisë dhe në parimin e autonomisë unë kërkoj dhe aspiroj që universitet shqiptare të kenë mekanizma të brendshëm. Kur na thuhet për ligjin e arsimit të lartë, thuhet se kemi autonomi. Në momentin kur unë jam brenda një agjencie autonome dhe nuk jam në dijeni, duket se ka një problem. Nga politika vjen një zgjidhje ad-hoc dhe unë kam tendencën të them që sistemi brenda nuk funksionon dhe unë jam i cenuar në autonominë time edhe nëse qëllimi i ministres apo Ministrisë të jetë i mirë. Unë jam i cenuar në autonominë time. E dyta: Unë i përmbahem demokracisë universitare. Unë kam dhënë votën ose dhe mund të mos e kem dhënë por mund ta kenë dhënë kolegët e mi dhe në një moment të caktuar thuhet se vota juaj do zerohet do të bëhet nul sepse unë do të marr një vendim. Të dyja kanë të bëjnë me një mosfunksionim të sistemit. Unë i qëndroj vazhdimisht mendimin tim se ky kuadër ligjor që ne kemi do të prodhojë ndërhyrje politike. /abcnews.al  

ligji-1280x728.jpg
ent ela18:15 | 15/04/2019

Ligji për kujdesin shëndetësor do të pësojë ndryshime. Një ndër to është forcimi i rregullave për rritjen e cilësisë në spitale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi projekligjin në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.

Spitaleve dhe klinikave që nuk përmbushin standardet bazë të cilësisë do t’ju hiqet licensa. Këtë parashikon projektligji për kujdesin shëndetësor, ndryshimet e të cilit u prezantuan para deputetëve në Komisionin Parlamentar të shëndetësisë nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Sa i përket kualifikimit të bluzave të bardha projektligji detyron drejtuesit e spitaleve të monitorojnë rinovimin e licensave të personelit përmes plotësimin të krediteve

Për herë të parë ligji parashikon edhe krijimin e dy strukturave; Këshillin Kombëtar të Shëndetësisë dhe Këshillin Kombëtar të Pacientëve. Këto struktura do të marrin pjesë në hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare të Shëndetësisë. /abcnews.al

ilir-metaa.jpg
ent ela17:15 | 12/04/2019

Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë ndesh vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike. Deklarata vjen nga Presidenti i Republikës Ilir Meta sipas të cilit edhe  vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar.

Tonin kritik nuk e ka kursyer Presidenti i Republikës as për ligjin e arsimit të lartë. Nga auditoret e një universiteti privat, kryetari i shtetit tha se problemet zbatimin e këtij ligji dolën pas protestave të studentëve.

“Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike. Reforma në Arsimin e Lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Reforma në Arsimin e Lartë duhet të synojë që universitetet të jenë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika”.

Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë pritet të miratohet karta e studentit, megjithatë për presidentin Meta kjo nuk e justifikon vonesën në pajisjen e studentëve.

“Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës”.

Presidenti i Republikës e sheh të domosdoshme krijimin e një klime të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në mjediset universitare e shoqërore dhe politike. /abcnews.al

policia-ushtarake.jpg
G. P.22:05 | 11/04/2019

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, baza ligjore për vendosjen e forcave të Policisë Ushtarake jashtë aeroportit të Rinasit, gjendet në ligjin për Policinë Ushtarake si dhe në një marrëveshje të Shqipërisë me NATO-n, ratifikuar me ligj në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendosja e Policisë Ushtarake në perimetrin e jashtëm të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, pas grabitjes së ndodhur të martën, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes bazohet në dy ligje.

I pari është ligji nr 13/2015 për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i dyti është ligji Nr. 8543, datë 4.11.1999 “për ratifikimin e marrëveshjes dhe të shtesës së saj, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe NATO-s për statusin e NATO-s dhe të personelit të saj”.

Konkretisht në nenin 2 të ligjit për Policinë Ushtarake thuhet:

“Misioni i Policisë Ushtarake është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare”.

Pikërisht aeroporti i Rinasit, gati gjysma e të cilit është infrastruktura ushtarake e një vendi anëtar të NATO-s, ku ulen dhe ngrihen avionë ushtarake dhe shumë pranë të cilit është Komanda e Forcave Ajrore, konsiderohet si pronë shtetërore në përdorim nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Ndaj ruajtja e sigurisë në këtë territor është në misionin e parashikuar me ligj të Policisë Ushtarake.

Po ashtu, në nenin 7 të të njëjtit ligj të vitit 2015 për Policinë Ushtarake, që përcakton fushën e veprimit të Policisë Ushtarake, saktësohet:

“Veprimtaria e Policisë Ushtarake ushtrohet mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendase dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat, me veprimet e tyre, cenojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi”.

Vendosja  e Policisë Ushtarake për garantimin e sigurisë në perimetrin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sipas të njëjtave burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, bazohet edhe në piken 11 të marrëveshjes mes NATO-s dhe Shqipërisë si vend anëtar, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në 4 Nëntor 1999.

“NATO-s i garantohet përdorimi i aeroporteve, rrugëve, hekurudhave dhe porteve”.

Rasti i përsëritur i hyrjes së personave të armatosur dhe grabitjes brenda pistës së avionëve në Rinas, sipas të njëjtave burime, bëri të domosdoshëm vendimin për patrullimin e rrethimit të aeroportit nga forca dhe mjete të Policisë Ushtarake, pikërisht për të garantuar sigurinë e këtij objekti të rëndësisë së veçantë, në një vend anëtar të Aleancës Ushtarake të Atlantikut të Veriut./abcnews.al

KUSHTETUTA-PER-FA.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela15:33 | 11/04/2019

Një ditë më parë mininistrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka bëri të ditur se kishte urdhëruar vendosjen e efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura në perimetrin e Aeroportit Ndërkombëtar në Tiranë.  Por kur e parashikon Kushtetuta dhe ligji ndërhyrjen e Forcave të Armatosura?

Kushtetua dhe ligji përcaktojnë qartë rolin dhe misionin e Forca të Armatosura në vendin tonë.  Referuar ligjit themeltar të shtetit ato mund të përdoren në dy raste;

Në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për parandalimin, ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore.

Kushtetua e Republikës së Shqipërisë në nenin 173 të saj parashikon që:

  1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
  2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
  3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë!

Nenin 22 i ligjit të pushteteve të drejtimit e Forcave te Armatosura sqaron më tej se:

  1. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit i cili pas përfundimit të kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe.

Sa i përket faktkeqësive natyrore ligji shprehet në nenin 23 të tij, ku thotë se për fatkeqësitë natyore vendos Këshilli i Ministrave, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

  1. Me vendosjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Forcat e Armatosura, me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për eliminimin e pasojave të ardhura nga fatkeqësia natyrore apo aksidenti teknologjik. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono