ligji i teatrit

ilir-meta.jpeg
G. P.13:40 | 11/10/2018

Presidenti Ilir Meta ka kthyer përsëri ligjin për Teatrin Kombëtar. Në argumentimin e tij kreu i shtetit sqaron se ligji ri për Teatrin nuk zgjidh problematikat kushtetuese dhe ligjore të cilat janë evidentuar në dekretin e parë të Presidentit të Republikës. Për kryetarin e grupit parlamentar socialist dekreti do të shqyrtohet me kujdes.

Presidenti i republikës, Ilir Meta, ka kthyer për herë të dytë tek ligjvënësi ligjin për procedurën e veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës për realizimin e projektit urban dhe godinës së Teatrit Kombëtar. Arsye e refuzimit të miratimit të këtij ligji është dështimi që ndryshimet e miratuara në të njëjtën seancë kur u pranua edhe kthimi për herë të parë i ligjit për Teatrin, sërisht nuk kanë arritur të zgjidhin në thelb çështjet dhe problematikat kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e parë, të miratuar nga ligjvënësi më 20 shtator.

Kuvendi, thekson kreu i shtetit, edhe pse është përpjekur të plotësojë vetëm një prej konstatimeve kushtetuese, atë të trajtimit preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërisht nuk ka arritur ta zgjidhë as këtë cështje përmes ndryshimeve të miratuara.

“Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces”.

Ndaj për shkak të problemeve kushtetuese të diskriminimit, të dukshme në dispozitat e këtij ligji, Presidenti konstaton se ligji në tërësi paraqet të njëjtat probleme, për këtë arsye i rikthehet Kuvendit për rishikim.

Dokumenti i kryetarit të shtetit është në duart e deputetëve. Kryetari i grupit parlamentar socialist e siguroi presidentin se do ta shqyrtojnë me kujdes./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono