ligje

ulsi-manja-per-meten.jpg
ad min14:26 | 19/10/2019

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit do të mbyllë punën përpara 8 dhjetorit. Kryesuesi i hetimit, Ulsi Manja thotë për ABC Neës se mazhoranca do të japë një votë politike për shkarkimin e Ilir Metës, ndërsa vlerësimin kushtetues do ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese kur të jetë funksionale.

Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias nuk i ka bindur socialistët të pushojnë hetimin parlamentar për shkarkimin e presidentit. Përkundrazi.

“Brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vetë. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni”.

Ulsi Manja që drejton komisionin hetimor, shpjegon për ABC News se çfarë ka ngelur ende për t’u bërë nga hetimi.

“Do të administrohen provat shkresore, dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””.

Komisionit i përfundon mandati hetimor në 8 Dhjetor.

“Komisioni është i detyruar të mbyllë punë që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet  një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

Dhe pse janë të bindur që Meta e ka shkelur Kushtetutën duke çdekretuar 30 qershorin si datë zgjedhjesh, Ulsi Manja nuk është gati të pohojë votën e tij pro shkarkimit.

“Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj votën time e as qëndrimin tim. Unë qëndrimin tim do ta shpreh në komisionin hetimor që unë drejtoj dhe votën time do ta shpreh në seancë plenare së bashku me gjithë kolegët e mi të mazhorancës”.

Socialistët do të votojnë shkarkimin, por topi do të ngelet në derën e Gjykatës Kushtetuese.

“Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”.

Teksa kjo gjykatë nuk është ende funksionale e plotësimi duket i largët, Ilir Meta do të vazhdojë të jetë në krye të shtetit./ABC News Albania

ilir-meta111.jpg
nev ila16:27 | 05/08/2019

Presidenti i republikës Ilir Meta ka dekretuar ligjin “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Në mesazhin e tij, presidenti deklaron se ka pritur 2 vite që të bëheshin ndryshimet përkatëse në ligjin “Për statusin e Gjyqtarëve dhe prokurorëve” nga Kuvendi.

Meta gjithashtu me dekretimin e ligjit “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë” thekson se ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit.

Njoftimi i Presidencës për dekretimin e dy ligjeve:

“Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, ka dekretuar me shpallje të 2 (dy) ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe konkretisht:

1.Me Dekretin nr.11249, datë 05.08.2019, Presidenti i Republikës ka miratuar; “Shpalljen e ligjit nr. 48/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Realizimi i shtesave dhe ndryshimeve në këtë ligj janë argumentuar nga Kuvendi si të nevojshme, në plotësim të vakumit të krijuar për shkak të Vendimit nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, që ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën disa dispozita të këtij ligji, dhe që kishin të bënin me:

Papajtueshmërinë ambientale;

Veprimtaritë e jashtme;

Vlerësimin;

Kategorizimet e disa prej shkeljeve disiplinore;

Masat disiplinore plotësuese;

Aksesin në dokumentacion gjatë procesit disiplinor;

Pezullimin nga detyra;

Veprimtari këto të lidhura me funksionin apo procesin disiplinor që zhvillohet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, etj.

Përpos këtyre plotësimeve ligjore, Presidenti i Republikës konstatoi se ligjvënësi me ligjin nr. 48/2019 ka realizuar gjithashtu më shumë se 14 ndërhyrje të tjera në ligjin nr. 96/2016, me qëllim riparimin, përmirësimin, qartësimin dhe harmonizimin e dispozitave të ligjit nr.96/2016, në tërësinë e tij.

Kjo tregon se, në momentin e miratimit të ligjit nr. 96/2016, ky akt përveç se ka patur probleme antikushtetushmërie për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, gjithashtu ka patur edhe mangësi të tjera të karakterit të teknikës legjislative, shprehje të pasakta, gabime në referime etj, që nëse do të ishte gjykuar në mënyrë të thelluar dhe jo të nxituar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë në momentin e hartimit të ligjit nr.96/2016 dhe miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk do të ekzistonin.

Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 96/2016 në një kohë të vonuar, konkretisht pas më shumë se 2-vjet nga momenti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese (prill 2017), sërish Presidenti i Republikës i mirëpret këto ndryshime ligjore dhe për këto arsye me Dekretin nr.11249, datë 05.08.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji.

Presidenti i Republikës nxit dhe inkurajon Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, apo organet e tjera të sistemit të drejtësisë që sipas përcaktimeve të ligjit nr.96/2016, datë 06.10.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, tashmë të ndryshuar, të bëjnë çmos që i gjithë sistemi gjyqësor dhe ai i prokurorisë të funksionojnë në mënyrën e duhur.

Pas plotësimit dhe përmirësimit të ligjit, tashmë është detyrë dhe përgjegjësi e organeve respektive të zbatojnë me rigorozitet, jo vetëm ligjin nr. 96/2016, por gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor të paketës në reformën e sistemit të drejtësisë, për të bërë të mundur që vendi ynë të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht, të cilët duhet të pranohen, emërohen, dhe të zhvillojnë karrierën e tyre brenda sistemit të drejtësisë, bazuar mbi një sistem vlerësimi dhe promovimi që bazohet në meritë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

Organet respektive nuk duhet të tolerojnë asnjë sjellje apo fenomen negativ brenda sistemit të drejtësisë dhe duhet të marrin sa më shpejt të gjitha masat e nevojshme që sistemi gjyqësor të jetë funksional dhe në shërbim të qytetarëve.

Çdo veprim i magjistratit që cenon figurën e gjyqtarit dhe prokurorit në sistemin e drejtësisë shqiptare, duhet të verifikohet, hetohet dhe gjykohet në përputhje me standardet kushtetuese dhe sipas kërkesave rigoroze të ligjit.

2.Presidenti i Republikës gjithashtu me Dekretin nr. 11250, datë 05.08.2019, ka miratuar “Shpalljen e ligjit nr. 54/2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj u krijon mundësi qytetarëve që të dërgojnë në Kuvend propozime të ligjeve për miratim.

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë procedurën e detajuar mbi ndërmarrjen e nismave ligjvënëse popullore nga 20 mijë shtetas me të drejtë vote, duke filluar nga momenti i regjistrimit të nismës, deri në paraqitjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim.

Ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për shkak të zhvillimeve për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit.

Në këto kushte, promovimi i nismës ligjvënëse popullore, si pjesë e institucioneve kushtetuese të demokracisë së drejtpërdrejtë, është vlerësuar si një nevojë e domosdoshme nga Presidenti i Republikës, dhe për këtë arsye me Dekretin nr. 11250, datë 05.08.2019, ai ka miratuar shpalljen e ligjit nr. 54/2019.”/abcnews.al

META-FRATINI.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela12:24 | 27/07/2019

Presidenti i Republikës kthen një tjetër ligj në kuvend. Bëhet fjalë për ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’.

Presidenti i kërkon kuvendit që të rishikohet e përmirësohet pika 8 e këtij ligji, që flet për procesin e ndryshimit të projekteve ndërtimore gjatë fazës së zbatimit të tyre, si për investime publike ashtu edhe private. Në vlerësimin e presidentit, formulimi është i paqartë,  pasi në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve, ku do ndërtohet vepra. Kjo sipas kreut të shtetit mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë, apo keqinterpretim, me pasojë cënimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike e interesit publik, por edhe konflikt mes sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e trojeve private.

Meta ka dekretuar tre ligje të tjera, atë “Për mbrojtjen e faunës së egër”, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë, dhe KfW gjermane, për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”,si  dhe ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”

/ABC News Albania 24/7

taulant-balla-3.jpg
ad min14:40 | 18/07/2019

Nuk ka patur një përgjigje direkte për deklaratat e Metës, por kreu i shtetit është shënjestruar sot nga foltorja e Kuvendit nga numri dy i socialistëve Taulant Balla. Kreu i grupit të deputetëve socialistë tha se Meta është shndërruar tashmë në bashkëkryetar të opozitës, por mazhoranca është e vendosur që ligjet që po kthen mbrapsht, do i rivotojë në shtator në Kuvend.

“Po e them sot se me këto ndryshime në Kodin Penal, sa herë që të vandalizohen institucionet, shkatërrohet prona private, se ende nuk kemi bërë një diskutim se sa janë dëmet vetëm për prona private apo goditje të qytetarëve dhe punonjësve të policisë ka pasur, do të vazhdojë edhe pas ditës së sotme të ketë pasoja individuale të gjithë dhunës. Nuk kam ndonjë dyshim që këto ndryshime në Kodin Penal, Presidenti në detyrë i Republikës, do të na i kthejë për t’i rivotuar edhe njëherë në Shtator.

Nuk kam asnjë dyshim. Si një prej bashkëkryetarëve në detyrë të opozitës me seli në Presidencë, kur pashë që Presidenti i Republikës ktheu edhe ndryshimet në ligjin e vetëqeverisjes vendore që mundësojnë, që më në fund në Shqipëri, në organet e pushtetit vendor, të ketë një zyrë, një njeri që të kujdeset për çdo vërtetim, për çdo lloj halli që kanë dy milionë shqiptarë ,që janë jashtë territorit të Shqipërisë, nuk kam asnjë dyshim që Ilir Meta, nuk ka më sy e veshë për të parë e dëgjuar, se për çfarë kanë nevojë shqiptarët. Ilir Meta ka sy e veshë për të dëgjuar se çfarë do Luli, Monika dhe Saliu dhe e ka kthyer atë presidencë në institucionin e qarjes së hallit të Saliut, Lulit dhe Monikës. Nëse Ilir Meta i kthen këto ndryshime në Kodin Penal aq na bën, sepse me të filluar shtatori, këtu do jemi, përsëri do duhet t’i votojmë”, tha Balla./abcnews.al

reeker.jpg
ad min13:10 | 18/07/2019

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë. Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington

Nuk mjafton të jesh një aleat i fortë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë”.

Për situatën e krijuar në vendin tonë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit fajëson të dyja palët në veçanti opozitën që nuk zgjodhi rrugën institucionale por bojkotin.

“Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike”.

Zgjidhja duhet të vijë nga brenda Shqipërisë këshillon zyrtari amerikan, me përvojë në çështjet e Ballkanit.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetuese që keni”.

Këtë përgjigje ndihmëssekretari amerikan i shtetit ia dha Zërit të Amerikës në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington./ABC News Albania 24/7

esiona-konomi-komisioni-i-ligjeve.jpg
ad min12:58 | 15/07/2019

Korigjimet e para të ligjeve të reformës në drejtësi, do të miratohen nga Kuvendi të enjten. Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, tha se këto nuk janë ndryshimet e fundit, dhe se ligjet mund të ndryshojnë sa herë nevoja ta kërkojë.

Për herë të parë, dy nga ligjet më kryesore të reformës në drejtësi, po ndryshohen.

Ligji për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe ai për organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë, u ndryshuan nga Komisioni i Ligjeve dhe të enjten do të miratohen në parlament. Ndryshimet u imponuan nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur ishte funksionale, rrëzoi 22 nene të këtyre ligjeve.

Deri më tani, procedimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të kryhej pasi nenet që rregullonin këtë procedurë ishin shfuqizuar. Çështje si ajo e gjyqtarëve që shpëtuan Dritan Dajtin nga burgu i përjetshëm, nuk do të ngelen më të pa hetuara për shkak të boshllëkut ligjor.

Për mazhorancën kjo nuk është hera e fundit që do të ndërhyhet tek reforma në drejtësi.

Miratimi i ndryshimeve kërkon 84 vota, dhe PS thotë se do të marrë mbështetjen e opozitës parlamentare.

Përmirësimi i reformës në drejtësi u nis bashkë me Partinë Demokratike, por largimi i opozitës nga Parlamenti i la rregullimet në dorë të mazhorancës.

Veç ndryshimeve kushtetuese, Partia Demokratike ka votuar vetëm një ligj të reformës: atë për ngritjen e gjykatës speciale dhe SPAK për hetimin e zyrtarëve të lartë./ABC News Albania 24/7

ogerta-manastirliu.jpg
ad min14:55 | 03/07/2019

Ashpërsohen masat për konsumin e duhanit në mjediset e brendshme. Ndëshkimet për lokalet që shkelin ligjin do të jenë nga gjoba deri në 6-fish më të larta deri në mbyllje të aktivitetit. Ndryshimet ligjore që parashikojnë dhe ndalim të tregtimit të cigareve të hapura dhe paketave me 10 cigare kaluan në komisionin parlamentar të shëndetësisë.

Cigaret e hapura, ato me shije të ndryshme dhe paketat me 10 apo më pak cigare do të hiqen nga tregu. Ndërkohë që nëse nuk i ke mbushur të 18-tat nuk do të mund të blesh as cigare elektronike dhe as nargjile.

Ndryshimet ligjore në parim u miratuan në Komisionin parlamentar për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Risitë i prezantoi para deputetëve ministrja Ogerta Manastirliu.

Në mjediset e brendshme do të ndalohet gjithashtu konsumi i cigares elektronike dhe nargjiles. Masat për shkelësit e ligjit do të jenë më të ashpra. 25% e vdekjeve të parakohshme tek meshkuj dhe 9% tek femrat sipas Ministrisë së Shëndetësisë shkaktar kanë duhanpirjen. /ABC News Albania 24/7

opozita.jpg
ad min15:27 | 18/06/2019

Presidenti i Republikës do të ftohet nga  Komisioni i Ligjeve në një seancë dëgjimore për të dhënë shpjegimet e tij mbi anulimin e 30 Qershorit, dekret për të cilin, Partia Socialiste kërkon ta shkarkojë. Ulsi Manja njoftoi sot nisjen e shqyrtimit të kërkesës së partisë së tij nga Komisioni Parlamentar.

Socialistët në Kuvend nuk po humbasin kohë për të konsumuar të gjitha hapat për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Dhe pse rruga është e gjatë, menjëherë pas depozitimit të 55 firmave, Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste.

“Dje i është njoftuar seancës plenare dhe konform rregullores është njoftuar dhe Komisioni i Ligjeve. Në zbatim të rregullores po dje si kryetar i Komisionit të Ligjeve ua kam vënë në dispozicion të gjithë kolegëve të Komisionit të Ligjeve kërkesën e arsyetuar të 55 deputetëve dhe nga ky moment, në zbatim të nenit 112 të rregullores Komisioni i Ligjeve e ka futur në procedurë shqyrtimi kërkesën e 55 kolegëve deputetë”, tha Ulsi Manja.

Nga sot, ky Komision brenda 15 ditësh duhet t’i drejtohet Kuvendit me një raport ku t’i kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për të vlerësuar shkeljet e pretenduara të Presidentit të Republikës.

Gjatë këtyre ditëve, Komisioni duhet të dëgjojë Presidentin e Republikës, në rast se ky dëshiron të japë shpjegime mbi veprimet e tij. Për këtë, deputetët duhet t’i japin Metës kohën e  nevojshme për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Drejtuesit e Komisionit të Ligjeve pohojnë se do ta njoftojnë Presidentin e Republikës për nisjen e procedurës së shkarkimit dhe do ta mirëpresin në komision në rast se ai shfaq interes.

Ngelet për t’u parë sjellja e Presidentit ndaj kësaj procedure parlamentare, për të cilën vetë Meta është shprehur në media se është shantazh ndaj tij dhe se ai është zgjedhur nga një parlament tërësisht legjitim, e jo  si ky i sotmi, i cili, po sipas Metës, ka vetëm 82 mandate të ligjshme./ABC News Albania 24/7

paloka.jpg
ad min20:29 | 16/05/2019

Edi Paloka ka komentuar reagimin e Astrit Patozit, i cili e konsideron vendimin e opozitës për të dërguar komisionerë në KZAZ si një përpjekje për të penguar procesin zgjedhor kundër Bindjes Demokratike, por edhe kundër zgjedhjeve në tërësi.

“Ky është kulmi. Një njeri që drejton një parti që e ka sajuar Edi Rama, që e kanë vërtetuar të gjithë që është me firma të falsifikuar tani thotë “ndaloni shkeljen e ligjit”. Cilin ligj? E kemi me ligj regjistrimin e anëtarëve të KZAZ”, tha Paloka gjatë një interviste në rubrikën “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin.

Ndër të tjera, gjatë intervistës, ai u shpreh se Patozi nuk ka qenë asnjëherë në krahun e tij edhe pase kanë qenë bashkë gjatë kohës në PD.

Mirela Milori: Zoti Patozi ka qenë në krahun tuaj një jetë.

Edi Paloka: Në krahun tim nuk ka qenë asnjëherë.

Mirela Milori: Në të njëjtin skalion, keni qenë në PD?

Edi Paloka: Pikërisht, në krahun tim asnjëherë. Kuptojeni këtë kur e them unë.

 

Nënkryetari i PD-së tregoi në studio se kandidati i “Bindjes Demokratike” në Kavajë është regjistruar pa qenë fare në Shqipëri, madje nuk dëshiron që ta bëjë diçka të tillë. Kjo është edhe një ndër arsyet pse PD do dërgojë komisionerë në KZAZ sipas Palokës./abcnews.al

kl.jpg
ad min12:42 | 04/02/2019

Komisoni i Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin e “Noterisë” i kthyer për rishqyrtim. Votën kundër të mazhorancës e ka mbështetur edhe përfaqësuesja e misionit Euralius sipas të cilës ligji është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Nuk kalojnë pa debat dekretet e presidentit Ilir Meta. Diskutimi u bë për ligjin “Për noterinë” i kthyer nga kryetari i shtetit për shqyrtim pasi ka të meta që duhet të rishikohen.

“Disa dispozita nuk janë të plota, paraqesin probleme”.

Në cfarëdo situate normale kthimi i ligjit nga presidenti duhet të ishte një këmbanë alarmi tha deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.

“Pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë. Me gjithë respektin e madh për dhomën e Noterëve, Këtu duhet të ishte edhe ministri i Drejtësisë. Ky është teatër hipokrizie. Parlamenti do të duhet ta marrë seriozisht për shkak të interesit publik”.

Kundër dekretit të presidentit nuk u shpreh vetëm mazhoranca dhe Dhoma e Noterisë, por edhe misioni Euralius në Shqipërisë përfaqësuesja e të cilit tha se dispozita të tilla gjenden edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

“Ligji bën balancë dhe e vlerësojmë se arrin balancën e duhur. Janë zgjidhje të ngjashme edhe me vendet e tjera. Dispozita të tilla gjenden dhe në vende të tjera të BE. Është në përputhje me standardet e BE”.

Kanë mjaftuar 10 votat e mazhorancës në komisionin e ligjeve për të rrëzuar dekretin e presidentit për shqyrtim të ligjit të “Noterisë”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono