liga e kombeve

LIGA-E-KOMBEVE-SHORTI-1280x720.jpg
ent ela13:48 | 04/12/2018

Holandë-Angli dhe Portugali-Zvicër është shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Kombeve. Duelet janë të forta, ndërsa zviceranët shpresojnë të dalin kampionë, nën drejtimin e yjeve me origjinë shqiptare si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

Njëri prej dueleve është vërtet i madh. Do të jetë Holandë-Angli gjysmëfinalja më klasike e Ligës së Kombeve në qershorin e vitit të ardhshëm.

Kjo doli nga përzgjedhja e goglave në shortin e hedhur nga UEFA, ndërsa sfida tjetër do të jetë Portugali-Zvicër. Holanda dhe Anglia janë dy prej skuadrave më të mëdha të botës, ndërsa kishin kohë pa u ndeshur në nivele kaq të larta.

Holandezët e trajnerit Ronald Kuman u kualifikuan në një grup jashtëzakonisht të vështirë duke eleminuar Francën, kampione të botës, dhe Gjermaninë.

Me yje të rinj dhe me lojë sërish offensive, kampionët e Europës të vitit 1988 janë sërish pretendentë për trofeun prestigjioz.

Anglia e trajnerit Sauthgejt, po ashtu, është rikthyer. Në grup, eleminoi gjithashtu rivalë të mëdhenj si Spanjën favorite dhe Kroacinë nënkampione të botës.

Shpikësit e futbollit konfirmuan atë që treguan në Kupën e Botës në Rusi, ndërsa Sauthgejt ka krijuar një ekip me shumë yje të rinj, që premtojnë sukses për një kohë të gjatë, nën udhëheqjen e kapitenit Harri Kejn.

Bilanci është në favor të anglezëve, por vitet e fundit më mirë kanë qenë holandezët. Gjysmëfinalja tjetër, është ajo Portugali-Zvicër.

Kampionët e Europës në fuqi mund të cilësohen favoritë, sidomos nëse në ekip kthehet edhe Kristiano Ronaldo.

Ata eleminuan në grup Italinë dhe Poloninë. Zvicra sot është më pak shqiptare nga numri I lojtarëve në fushë, por më shumë shqiptare nga ndikimi i tyre.

Granit Xhaka është kapiten me Xherdan Shaqirin si yll kryesor, dhe ata e treguan veten duke eleminuar Belgjikën e fortë dhe Islandën.

Portugali-Zvicër luhet në 5 qershor në stadiumin e Portos në Portugali, ndërsa Holandë-Angli, në 6 qershor në Gimaresh, me finalen po në Porto në 9 qershor. /abcnews.al

kosova-1.jpg
G. P.12:54 | 21/11/2018

Kosova arrin një triumf të madh futbolli, vetëm pak kohë pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Sukses në Ligën e Europës dhe kalim në plej of-in për në Kampionatin Europian.

Tre vjet më parë festuan, por për vëllezërit përtej kufirit. Çmenduria në Prishtinë ishte për kualifikimin e kombëtares së Shqipërisë në Euro 2016, ndërsa mbrëmjen e fundit suksesi ishte në shtëpi. Shqiptarët e Kosovës, e ndoshta edhe etni të tjera të shtetit të ri europian, kremtuan kalimin e grupit nga ekipi i tyre përfaqësues. Suksesi 4-0 ndaj Azerbajxhanit e kaloi në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, dhe pjesëmarrjen në plej ofin e Europianit 2020, një arritje thuajse e pabesueshme për një ekip të pranuar në futbollin ndërkombëtar vetëm tre vjet më parë.

Festimet në stadiumin “Fadil Vokrri” ishin krejtësisht të ligjshme, sidomos për mënyrën sesi u arrit ky triumf. Kosova, që pësoi thellë nga Kroacia në eleminatorete Botërorit, këtë herë pati 4 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje, ndonëse niveli i kundërshtarëve ishte më i ulët. Jo vetëm kaq, por shënoi më tepër se thuajse çdo ekip tjetër në Ligën e Kombeve. Arbër Zeneli ishte heroi kryesor me tre golat e tij, dhe sulmuesi i Herenvenit në Holandë konfirmoi sezonin shumë të mirë që po zhvillon. Mediat ndërkombëtare e patën jehonën e tyre. Televizioni amerikan lavdëron suksesin dhe Arbër Zenelin, autor të tre golave, që siguroi ngjitjen një kategori më lart, në nivelin C.

“Uashington Posti”: Debutuesja Kosovë siguron vendin në plej ofin e Europianit 2020”.

Mediat ndërkombëtare theksojnë se ky sukses u arrit vetëm 2 vjet pas pranimit të Kosovës në UEFA, ndërsa Arbër Zeneli shënoi një hatrik.

Gazetat serbe nuk i kushtuan shumë rëndësi fitores, por “Telegrafi” theksoi se “futbollistët shëruan plagët e shqiptarëve pas fiaskos së Interpolit. Kosova shkatërroi 4-0 azerët dhe zuri vendin e parë. Një humbje politike, por një fitore futbolli”.

Trajneri Bernar Shaland shpjegon sesi e përgatiti ekipin.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme sepse fituam dhe u kualifikuam për në gjysmëfinale. Jemi rritur shumë si skuadër, kemi më shumë cilësi dhe më shumë përvojë. Natyrisht, që e përgatitëm ndeshjen taktikisht dhe teknikisht, por edhe nga ana psikologjike. U thashë lojtarëve që të jenë si gladiatorë në fushë. Suksesi ishte i gjithë skuadrës, pasi mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit ndihmuan njëri-tjetrin”.

Kosova është vetëm dy hapa nga fitorja e një trofeu, edhe pse të nivelit të katërt europian, ndërsa në gjysmëfinale ka si rivalë të mundshëm, Gjeorgjinë, Bjellorusinë e Maqedoninë./abcnews.al

kristian-panuci.jpg
G. P.12:13 | 21/11/2018

Kristian Panuçi nuk dorëzohet dhe ndihet më I fortë pas fitores me Uellsin. Trajneri italian as nuk dëshiron të dëgjojë për dorëheqje, ndërsa shpreson ta ndryshojë kombëtaren.

Një fitore e vogël, por edhe kaq mjafton për të qenë më i qetë. I tillë u ndje trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, pas suksesit të diskutueshëm ndaj Uellsit, dhe kjo u duk në analizën që bëri. Një gol i vetëm dhe shumë vështirësi për të fituar një miqësore, që vlen shumë më pak se një duel zyrtar.

“Ishte fitore e rëndësishme sepse dhamë një sinjal pas një Lige të shëmtuar të Kombeve që zhvilluam. Ndryshova diçka me lojtarët, duke i dhënë ekipit më shumë ekuilibër. Jam i lumtur për lojtarët dhe për federatën, sepse që të gjithë vuajmë kur humbasim. Kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se nuk kemi probleme, sepse kemi ende shumë probleme”, u shpreh trajneri i kombëtares.

Panuçi konfirmoi ndryshimin taktik dhe vlerësoi skuadrën, sidomos në pjesën e dytë.

“Kur ju thashë përpara ndeshjes se ishte faji im, kjo do të thotë se duhej të ndryshoja diçka. Mendoj se pas këtij ndryshimi, djemtë u ndjenë më mirë, ndonëse ishte thjesht një miqësore. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë sepse hynë në fushë Bejl apo Ramsej, dhe atyre nuk u pëlqen të humbasin. Ne u treguam të zotët për t’i përballuar, duke qenë kompaktë, e duke dalë tri-katër herë në kundërsulm për të bërë golin e dytë”, tha Panuçi.

Trajneri këmbënguli fort në një fakt të rëndësishëm.

“E ardhmja ime? Është e vërtetë që fitoret krijojnë atmosferë të mirë, dhe është normale që pozicioni im vihet në diskutim. Lojtarët kanë punuar gjithnjë mirë. Nëse do të kisha menduar se lojtarët nuk ishin me mua, do të kisha shkuar tek presidenti për t’i kërkuar dorëheqjen”, tha ai.

Ja dhe një pyetje e drejtpërdrejtë, a do ta japë dorëheqjen pas dështimit në Ligën e Kombeve?

“Unë nuk jap kurrë dorëheqje, sepse më pëlqen të luftoj, nuk dorëzohem. Nuk e braktis varkën kur ajo është në vështirësi”, u përgjigj Panuçi./abcnews.al

kosova.jpg
G. P.15:19 | 20/11/2018

Kosova i ka të gjitha mundësitë që të kualifikohet dhe të ngjitet një kategori më lart në Ligën e Kombeve. Luan në orën 20:45, ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë dhe i mjafton një barazim.

Edhe pse trajneri Shaland ende druhet, kjo skuadër po fluturon. Kosova i ka të gjitha gjasat që të sigurojë sonte kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve dhe të ngjitet një kategori më lart. Fitorja 5-0 në fushën e Maltës e vendosi në pozita komanduese në grupin 3, pasi ndodhet në vendin e parë me 11 pikë, dy më shumë sesa Azerbajxhani i vendit të dytë.

Do të ketë përballë pikërisht Azerbajxhanin, në sfidën e orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i mjafton një barazim për të realizuar objektivin. Trajneri zviceran, Bernar Shaland, gjithsesi është përpjekur të ulë entuziazmin e një grupi lojtarësh pa përvojë.

“Nuk mund të gëzoheshim shumë pas Maltës, u shpreh ai, kjo, pasi finalen e kemi me Azerbajxhanin dhe nuk jemi ende të kualifikuar. Skuadra po luan shumë mirë, në sulm dhe në mbrojtje, por në futboll nuk mund ta mendosh suksesin të sigurt, përpara kohe”.

Ky është edicioni i parë i Kosovës në Ligën e Kombeve, menjëherë pasi mori pjesë për herë të parë në eleminatoret e Kupës së Botës. Federata e Futbollit e Kosovës u njoh nga UEFA dhe nga FIFA në vitin 2016, dhe ekipi përfaqësues në Ligën e Kombeve ka bërë një përparim shumë të madh, duke pasur një grup shumë të mirë lojtarësh, e duke qenë ambicioz në Europianin e ardhshëm./abcnews.al

virgil.jpg
G. P.11:50 | 20/11/2018

Holanda arriti një kualifikim dramatik për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Barazimi 2-2 në Gjermani erdhi pas një lëvizjeje taktike të trajnerit Ronald Kuman.

Epoka e re e premtuar u duk se nuk do të vinte. Në stadiumin e Gelsenkirshenit, Holanda po humbiste ndaj Gjermanisë dhe po shkonte drejt një eleminimi të papritur nga Liga e Kombeve, kur papritur diçka ndodhi. Virgil Van Dajk, mbrojtësi kryesor i skuadrës, papritur doli në sulm dhe shënoi golin e barazimit në sekondat shtesë. “Portokallinjtë” morën barazimin që u duhej, eleminuan Francën kampione të botës, dhe shkuan në katërshen e më të mirëve të këtij garimi.

Nuk shkuan kot heroizmat e mëparshme në grup, me fitoret e bujshme 3-0 ndaj gjermanëve dhe 2-0 ndaj francezëve. Tifozët mund të mbeten me shpresë se kjo është një rilindje, një kthim në kohën e Krujfit apo Van Bastenit, pavarësisht se ekipi i tyre i bëri me zemër. Gjermania kryesoi 2-0 në “Feltins Arena”, duke shënuar shpejt në pjesën e parë, e duke dominuar lojën për gati 80 minuta.

Me të drejtë gazeta “Algemen Dagblad” thekson:

Portokallinjtë vazhdojnë përpara. Holanda barazon me cinizëm dhe eleminon Francën në Ligën e Kombeve.

Gazeta “De Telegraf” po ashtu vlerëson golin e Van Dajkut që, sipas saj, bëri drejtësi duke i dhënë kualifikimin Holandës.

Trajneri Ronald Kuman u vlerësua si njeriu që fitoi ndeshjen. Fotografët zbuluan një copë letër, që ishte plani taktik i tij në minutat e fundit, duke nxjerrë në sulm pikërisht qendërmbrojtësin e Liverpulit, Van Dajk, atë që shënoi golin e kualifikimit.

“Ishte një kualifikim i merituar nga ana jonë, – tha Kuman pas ndeshjes, – e vërtetë që Gjermania na vuri në vështirë, dhe unë e prisja këtë plotësisht, por ne kemi meritën që nuk u dorëzuam deri në fund. Ishim skuadra më e mirë e grupit”.

Holanda u bashkua me Anglinë, Portugalinë dhe Zvicrën në gjysmëfinalet e nivelit A të Ligës së Kombeve, me titullin kampion që do të vendoset në qershor./abcnews.al

KUALIFIKOHET-ANGLIA.mpg_snapshot_01.13-1280x720.jpg
ent ela20:46 | 18/11/2018

Anglia u kualifikua me meritë për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, pas fitores ndaj Kroacisë. Suksesi 2-1 u arrit me përmbysje dhe anglezët lanë prapa kroatët dhe spanjollët.

Nuk ishte favorite, por ia doli. Anglia, skuadra e cilësuar si shumë e talentuar, por me tepër pak përvojë, përballoi presionin dhe kundërshtarët më me emër për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Triumfoi 2-1 me përmbysje ndaj Kroacisë në “Uembli” të Londrës, duke zënë vendin e parë në grupin 4 të nivelit A. Formacioni kroat, nënkampion i botës në fuqi, zbriti nga kategoria, ndërsa Spanja që u cilësua favorite pas ndeshjeve të para mbeti në vend të dytë.

Anglezët e trajnerit Garet Sauthgejt patën epërsi, dhe krijuan disa rastë në pjesën e parë, të cilën duhej ta kishin mbyllur në avantazh. Nuk ia dolën dhe u ndëshkuan kur ballkanasit realizuan gjuajtjen e parë në portë, duke shënuar me autor sulmuesin Andrej Kramariç. Sidoqoftë, vendasit treguan nerva të forta duke ruajtur qetësinë e duke arritur përmbysjen e rezultatit. Sauthgejt bëri lëvizjen që rezultoi fituese, hodhi në fushë si zëvendësues Lingardin e Sançon. Ishte pikërisht Lingard që barazoi rezultatin në minutën e 78-të, ndërsa kapiteni Harri Kejn shënoi 5 minuta para fundit.

A mund të thuhet se shpikësit e futbollit janë tani gati për një trofe të madh? Ata janë të bindur, ndonëse në gjysmëfinale padyshim që do të duhet të përballojnë sfida të tjera të forta. Kualifikimi ishte tërësisht i merituar, pasi Anglia mundi Spanjën në Spanjë, pasi dështoi në “Uembli”, si dhe luajti më mirë se Kroacia në barazimin pa gola në Zagreb./abcnews.al

FORMACIONI-SHQIPERIA.mpg_snapshot_00.26-1280x720.jpg
G. P.18:14 | 17/11/2018

Shqipëria do të zbresë në Loro Borici me formacion që ka në përbërje disa lojtarë sulmues por me mbrojtje të ngjeshur. Ndeshjen e fundit për Ligën e Kombeve, kuqezinjtë kërkojnë ta mbyllin me rezultat pozitiv.

Pas pak orësh, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit për Ligën e kombeve. Në “Loro Borici”, ndaj Skocisë do të tentohet të bëhet maksimumi pasi është mundësia e fundit për të shpresuar në një kalim grupi, por edhe për çështje krenarie. Në ndeshjen e parë në Glasgow, kuqezinjtë humbën me lojë të shëmtuar madje. Për ndeshjen e mbrëmjes së sotme Christian Panucci ka ndërtuar një formacion ku i kushtohet më së shumti vëmendje repatit të mnbrojtjes dhe sulmit.

Me modulin 4-2-3-1, duket qartë se italiani kërkon të marrë rezultat. Strakosha në portë do të ketë përpara në mbrojtje veselin Gjimshitin mavrajn dhe Binakun. Para tyre Xhaka Kace ose Lilaj. Të avancuar në mesfushë do të Jenë Uzuni, Memushaj dhe Grezda. Dy lojtarët e krahut pritet të jenë të rrezikshëm para portës. Ndërsa bekiom Balaj është sulmuesi i vetëm i deklaruar. Skocezët kanë shumë mungesa për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh dhe me gjendjen e tyre do të tentojnë një barazim në shkodër për të tentuar kalimin në një grup më lart në ndeshjen e kthimit në shtëpi me izraelin./abcnews.al

PRAG-FRANCE-GJERMANI.mpg_snapshot_00.52-1280x720.jpg
G. P.15:56 | 16/10/2018

Francë-Gjermani është sfida e madhe e Ligës së Kombeve, sonte në mbrëmje, në orën 20:45. Kampionët e botës jepen favoritë, por gjermanët premtojnë të mos dorëzohen.

Është më mirë kur feston përpara luftës. Dikur e bënin gjeneralët apo piratët e famshëm, ndërsa mbrëmjen e së hënës e bëri kampionia e botës, Franca, në prag të duelit të madh ndaj Gjermanisë, sonte në 20:45. Trajneri Didie Deshamp mbushi 50 vjeç. Gjithsesi, në futbollin profesionist kremtimet janë të shkurtëra, dhe francezët iu vunë punës për të qenë gati për ndeshjen e Ligës së Kombeve. Florian Toven i Marsejës nuk luan për shkak dëmtimi, po ashtu mbrojtësi i Barcelonës, Ymtiti, ndërsa shqetësimi më i madh ishte tërheqja nga kombëtarja e mbrojtësit të Arsenalit, Koshielni, duke akuzuar trajnerin për padrejtësi. Franca jepet favorite, por jo edhe aq për Deshampin.

Didie Deshamp, trajner i Francës: “Nuk pres që përballë nesh të jetë një Gjermani e dorëzuar. Gjermania mbetet gjithnjë Gjermani, pavarësisht nga momenti. Nuk mund ta quajmë veten favoritë, por të luftojmë fort siç kemi bërë deri tani. Nuk jemi ende të kualifikuar, ndërsa në grupin tonë mund të ndodhë gjithçka”.

Gjermania udhëtoi drejt Parisit e ndërgjegjshme sesa të vështirë do ta ketë. Katastrofa në Holandë, që pasoi dështimin në Botëror, e kanë ulur shumë moralin, ndërsa shumë prej lojtarëve nuk janë aspak në formë. Trajneri Joakim Lëv është nën kritika të ashpra, ndërsa duhet të gjejë mënyrën për t’u kthyer tek suksesi. Në një sfidë që mendohet përcaktuese për fatin e tij, Lëv, nuk do të ketë mbrojtësin e dëmtuar të Bajernit, Boateng, ndërsa kapiteni Manuel Nojer është hija e vetvetes. Gjithsesi, trajneri nuk dorëzohet.

Joakim Lev, trajner i Gjermanisë: “Humbja në Holandë ishte shumë e dhimbshme për të gjithë, sidomos për tifozët. E dija që rruga jonë për t’u kthyer tek suksesi do të ishte e vështirë. Është një proces ku do të marrim shumë goditje, por nuk do të shkojmë në Francë të dorëzuar. Duhet të mbledhim gjithë forcat tona, dhe kam folur me lojtarët për këtë. Do të bëj ndryshime, por Manuel Nojer mbetet në portë. Ai është kapiteni ynë”.

Dy skuadrat barazuan pa gola në Berlin, në ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve, ndërsa bilanci total është në favor të francezëve, me 13 fitore e 10 humbje, por sidomos me dominim në 30 vitet e fundit. Edhe parashikimet janë Francën favorite, me kuotën 1.8 për fitoren vendase, 3.75 për barazimin, dhe 4.3 për suksesin e Gjermanisë./abcnews.al

KOSOVA-DEL-BARAZIM.mpg_snapshot_00.11-1280x662.jpg
G. P.21:17 | 14/10/2018

Kosova nuk arriti më shumë se një barazim në ndeshjen në Ishujt Faroe për Ligën e Kombeve. Gjithsesi, kryesimi në grup nuk u rrezikua, pasi edhe Azerbajxhani barazoi me Maltën.

Nuk mjaftoi një gol i shkëlqyer. Kosova tregoi gjithë mungesën e përvojës duke barazuar një ndeshje të lehtë në letër, por të vështirë praktikisht në fushë. Ishujt Faroe morën një barazim të merituar 1-1 dhe teorikisht kanë shpresa për kualifikim në grupin 3, të nivelit D të Ligës së Kombeve. Golit të Rashicës që në minutën e 9-të, vendasit iu përgjigjën me rrjetën e Rene Jënsenit me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 50-të. Të dyja skuadrat luftuan fort dhe iu afruan portave përkatëse, por duke mos arritur të shënonin gol tjetër.

Edhe pse rezultati 1-1 mund të quhet hap i gabuar i formacionit të trajnerit Bernar Shaland, sërish nuk është për t’u hedhur poshtë. Ishujt Faroe kishin barazuar 1-1 në fushën e Azerbajxhanit, pra nuk mund të thuhet se është ekip edhe aq i dobët, për më tepër, ka lënë prapa Maltën në renditje duke e mundur 3-1. Në këtë grup, përfundoi në barazim 1-1 edhe ndeshja tjetër, ajo mes Azerbajxhanit e Maltës, dhe kryesimi i Kosovës nuk u rrezikua të paktën për momentin. Skuadra tjetër shqiptare ka 8 pikë pas 4 ndeshjeve, ndaj 6 të Azerbajxhanit, që është rivali më i afërt. Ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, Kosova do ta ketë në fushën e Maltës, në 17 nëntor./abcnews.al

kosova.png
G. P.23:58 | 11/10/2018

Kosova luan sot ndaj Maltës për Ligën e Kombeve. Trajneri Shaland shprehet me besim, ndërsa ka probleme me biletat që shiten në treg të zi.

E dinë se janë në prag të një ndeshjeje përcaktuese. Futbollistët e Kosovës besojnë se janë përgatitur siç duhet për sfidën e sotme ndaj Maltës për Ligën e Kombeve. Një fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të afronte kualifikimin, pra vazhdimin e synimeve për kualifikimin për në Europian.

Çfarë thotë trajneri Bernar Shaland?

“Nuk flas për tri pikë, flas gjithmonë për lojën, flas për mënyrën sesi stërvitemi, sesi punojmë në teori dhe se çfarë pres unë nga lojtarët.  E studiova lojën e Maltës ndaj Azerbajxhanit dhe ishte një ekip shumë kompakt, por edhe me një lojë të mirë. Mund të them se ishte ekipi më i mirë në fushë”.

Portieri Samir Ujkani ka 5 ndeshje që nuk pëson gol. Kosova kryeson grupin 3 në nivelin D të Ligës së Kombeve, me 4 pikë në dy ndeshje. Gjithsesi, në Prishtinë ka probleme me biletat që shiten në treg të zi. Klan Kosova kontaktoi një person që shiste bileta në treg të zi, në internet dhe çmimi ishte 25 euro për copë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono