libertadores

river.jpg
Vladimir Prenga10:08 | 23/10/2019

Boca Juniors-Rover Plate ka tërhequr vëmendjen e shumë tifozëve anembanë botës. Një nga derbet më të mëdha u luajt në orët e para të ditës së sotme dhe në fund Boca fitoi me rezultatin 1-0. Gjithsesi ishte nga ato humbje që nga River Plate u festua, pasi kishin triumfuar 2-0 në takimin e parë dhe u kualifikuan në finale të Copa Libertadores.

Këtë herë nuk kishte probleme, pasi siguria ishte maksimale dhe gjithccka kaloi qetësisht. River Plate ishte shumë i fortë për Boca Juniors, që u mundua të shënonte një gol të shpejtë për të shpresuar në përmbysjen e rezultatit. Tevez ishte titullar, kurse De Rossi ishte rikthyer nga dëmtimi. Gjithsesi qëndroi në stol, pasi nuk ishte në formën e duhur për të luajtur.

Ndeshja u zhbllokua vetëm në minutën e 80-të, kur Hurtado shtyu në rrjetë një top pas një goditje dënimi. Festë e madhe në stadium, por vetëm në atë moment. Minutat kalonin dhe Boca Juniors nuk ia doli të shënonte dot edhe golin e dytë. Kështu, River Plate siguroi finalen dhe pret të mësojë rivalin, që do të përcaktohet pas përballjes Flamengo-Gremio. /abcnews.al

Boca.jpg
Igli Nikolli08:31 | 10/10/2019

Boca Juniors do të presë River Plate me datë 22 tetor për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës Libertadores. Takimi i parë është mbyllur 2-0 për ekipin e Gallardos dhe Boca do të tentojë përmbysjen e madhe në La Bombonera dhe hakmarrjen për finalen e humbur sezonin e kaluar.

Megjithatë, lajmet që vijnë nga Argjentina nuk janë aspak pozitive për ‎Xeneizes. Daniele De Rossi është ndalur sërish dhe rrezikon “superklasiken” e futbollit amerikano-latin. ESPN raporton se mesfushori italian ka probleme në këmbën e djathtë dhe do e humbasë duelin kundër Riverit.

Daniele De Rossi

36-vjeçari qëndroi 3 javë jashtë dhe pardje u rikthye në stërvitje. Gjatë ditës së djeshme nisën sërish dhimbjet dhe ish-kapiteni i Romës nuk e mbylli seancën stërvitore. Një lajm i keq për trajnerin Alfaro, i cili shpreson të rikuperojë të paktën Edoardo Salvion. I dëmtuar është edhe Ramon Abila, por sulmuesi dhe De Rossi do të bëjnë të pamundurën për të qenë gati për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. /abcnews.al

rives.jpg
ad min15:43 | 30/11/2018

Do të zhvillohet në stadiumin e Realit të Madridit, finalja e Kupës Libertadores. River Plate dhe Boca Juniors përcaktojnë titullin në datën 9 Dhjetor.

Nuk mund të kishte vend më të mirë për ta luajtur. Një stadium kampionësh për të përcaktuar titullin kampion të Amerikës së Jugut, pra në finalen e kupës “Libertadores”. River Plate dhe Boca Juniors do të ndeshen në “Santiago Bernabeu”, në 9 Dhjetor, për sfidën fundore që do të vendosë fituesin e trofeut më të madh amerikanolatin. Kështu bëri me dijë përfaqësuesi i Federatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, pas marrëveshjes që u arrit me Realin e Madridit.

“Madridi është një nga qytetet më të sigurt në botë dhe ka komunitetin më të madh argjentinas në Europë, – tha presidenti Alehandro Domingez, – Kupa Libertadores nuk e humb identitetin e saj po u luajt në Spanjë”.

Finalja e dytë ishte parashikuar të luhej në stadiumin “Monumental” të River Plate në Buenos Aires, por u shty e pastaj u anulua, pas sulmit që tifozët vendas i bënë autobusit me lojtarët e Boca-s, ku u lënduan disa futbollistë. Boca kërkoi ta fitonte trofeun në tavolinë, por kjo u hodh poshtë, ndërsa Riveri mori gjobë me vlerë 400/000 USD.

U diskutua që finalja të luhej në Paraguaj ose në Katar, por përfundimisht u vendos në Madrid. Ndeshja e parë, Boca-River përfundoi 2-2, ndërsa fituesi i kupës “Libertadores” do të marrë pjesë në Kupën e Botës për klubet, që do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 12 deri në 22 Dhjetor./abcnews.al

boca-1280x713.jpg
ad min16:22 | 26/11/2018

Kaos i plotë në Argjentinë për finalen e Kupës Libertadores. Ndeshja u shty përsëri, pasi lojtarët e Boca Juniorsit nuk ishin në gjendje për të luajtur, pas dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Ishte e qartë se ajo që ndodhi nuk do të kalonte aq lehtë. Finalja e dytë dhe vendimtare e Kupës Libertadores u pezullua përsëri, dy ditë pasi dhuna nuk lejoi që ajo të luhej sipas programit. Plot 70 000 tifozë të River Plate kishin mbushur stadiumin e tyre, “Monumental” në Buenos Aires, por derbi i kryeqytetit nuk u zhvillua, pasi rivalët e Boka Juniorsit nuk ishin dakord. Ata protestuan dhe u deklaruan se nuk ishin në gjendjen e duhur psikologjike pas sulmit që iu bë autobusit të tyre nga tifozët kundërshtarë, ndërsa ai afrohej në stadium.

Në atë sulm, autobusi u godit me sende të forta, dhe disa futbollistë u lënduan, si dhe ndjenë shqetësime të mëdha nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia ndaj tifozëve të Riverit. U quajt një “kryengritje” e lojtarëve të Boca-s, dhe ishte e pamundur që ata të bindeshin për të dalë në fushë. Për më tepër, Boca kërkon zyrtarisht që, për shkak të incidenteve të rënda, të merret vendim që finalja të mos luhet dhe që kupa t’i jepet në tavolinë. Nëse kjo nuk ndodh, të paktën të luhet në një stadium tjetër.

River Plate ndërkaq shpreson që vendimi të jetë që trofeu të përcaktohet në fushë. I takon Federatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, që të vendosë se çfarë do të bëhet, me finalen e kompeticionit kryesor të kontinentit për klubet. Po ashtu, presidentët e dy klubeve pritet të takohen këtë javë për të arritur një marrëveshje. Mediat në Argjentinë ishin të dorëzuara.

Gazeta “Klarin”: Rebelimi i Boca-s e lë pa afat finalen më të shumëpritur!

“Ole”: Nuk dihet kur do të luhet! Superfinalja pezullohet sërish. Boca nuk dëshiron ta luajë dhe kërkon t’i japin Kupën. River shpreson ta luajë në shtëpi. Vendos Federata e Amerikës së Jugut!

Finalja e parë e Kupës Libertadores, e Championsit të Amerikës së Jugut, përfundoi 2-2 në stadiumin e Boca Juniors, “La Bombonera”./abcnews.al

libertadores.png
ad min12:31 | 01/11/2018

Derbi numër 1 i botës do të jetë sfida që do të vendosë fituesin e Kupës Libertadores. Boka Juniors ndeshet me River Plejtin për trofeun e Championsit në Amerikën e Jugut.

Nuk mund të kishte finale më të madhe se kjo. Derbi më i madh i botës, Boka Juniors-River Plejt, do të jetë sfida e fundit historike me formatin e vjetër në Kupën Libertadores. Më parë, “biletën” e preu River Plejti, ndërsa mbrëmjen e fundit ia doli edhe Boka Juniors, për të krijuar një çift tërësisht argjentinas.

Boka barazoi 2-2 në fushën e skuadrës braziliane, Palmeiras, ndërsa kishte fituar 2-0 ndeshjen e parë. Riveri, ndërkaq, eleminoi Gremion po të Brazilit, veçse pas polemikave të mëdha. Ndeshja e parë do të luhet në “La Bombonera” të Bokës në 7 nëntor, ndërsa finalja e dytë do të jetë në 28 nëntor në “Monumental”.

Duke filluar nga viti i ardhshëm, Kupa Libertadores do të ketë vetëm një finale, që do të luhet në fushë asnjanëse. Kjo është hera e parë që dy rivalët e mëdhenj luajnë një finale të tillë, ndërsa pritet jo vetëm një sfidë tepër e fortë, por edhe me rrezik përplasjesh në fushë e jashët saj.

Favorit pritet të jetë Riveri, që ka fituar dy duelet e fundit me Bokën në Libertadores, në 2014 e 2015.  Pikërisht në 2015, River Plejti fitoi titullin e tretë dhe të fundit në garën më të madhe të klubeve në Amerikën e Jugut, ndërsa Boka ka kohë që nuk fiton, që nga viti 2007.

Gjithsesi, Boka ka fituar më shumë trofe të tillë, dhe nëse ia del në këtë finale, do të barazohet me Independienten po të Argjentinës, si ekipet me më shumë tituj në Libertadores, nga 6.  Kjo është finalja e 11-të e Championsit të Amerikës së Jugut, për Bokën, dhe e 6-ta për Riverin./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono