levizja 5 yjet

dpeutet-1280x840.jpg
G. P.23:07 | 08/10/2019

Parlamenti në Itali ka miratuar shkurtimin e numrit të deputeteve dhe senatorëve. Ligji është miratuar me shumicë dërrmuese votash dhe është përshëndetur nga kryeministri Giuseppe Conte, që e ka cilësuar një ligj historik.

Dhoma e ulët e Parlamentit italian ka miratuar përfundimisht pasditen e së martës ligjin që parashikon shkurtimin e numrit të ligjvënësve. Drafti kushtetuese është aprovuar me 553 vota pro, 14 kundër dhe 2 abstenime.

Ai shkurton numrin e deputetëve nga 630 që janë aktualisht më 400 dhe atë të senatorëve nga 315 në 200. Duke qenë se bëhej fjalë për një ligj kushtetues ishte e nevojshme shumica e anëtarëve të Asamblesë, ose 316 vota.

Miratimi është pritur me duartrokitje nga salla, kryesisht nga deputetët e Lëvizjes 5 Yjet, e cila kishte promovuar ligjin. I pranishëm në sallë ka qenë edhe kryeministri Giuseppe Conte, i cili megjithatë ka zgjedhur rrjetin social Tëitter për të reaguar.

“Bëhet fjalë për një reformë që ul shpenzimet e politikës dhe bën më funksionale dhomat e Parlamentit. Ky është një hap konkret për të reformuar institucionet tona dhe një ditë historike për Italinë”, ka shkruar Konte në profilin e tij. Në të njëjtat linja është shprehur edhe ministri i Jashtëm Luixhi di Maio, i cili ia ka dedikuar fitoren qytetarëve italianë.

“Kjo është një fitore historike. Është fitorja juaj”, ka thënë ai.

Shkurtimi i numrit të ligjvënësve në të dyja dhomat e parlamentit italian pritet të sjellë në arkën e shtetit një kursim prej 100 milionë eurosh në vit, ndërkohë që deri më sot kostoja ka qenë deri në 500 milionë euro për legjislaturë./ABC News Albania 24/7

luigi-di-maio.jpg
G. P.23:30 | 20/09/2019

Pas aleancës për qeverinë qendrore Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike në Itali kanë ndërmarrë një tjetër lëvizje që mund të konsolidojë koalicionin mes tyre. Palët kanë rënë dakord për të bashkëpunuar edhe për zgjedhjet e pjesshme rajonale, që mbahen muajin e ardhshëm.

Anëtarë të lëvizjes anti-sistem 5 Yjet, në Itali, mbështetën të premten një aleancë të re me Partinë Demokratike të majtë për qeverisjen rajonale. Bëhet fjalë për një aleancë që mund të përforcojë qeverinë qendrore dhe të rimodelojë politikën italiane.

Duke ndjekur rekomandimin e kryetarit Luigi Di Maio, 61 për qind e anëtarësisë së 5 Yjeve votuan në favor të një kandidati të përbashkët me PD për zgjedhjet për guvernatorin e rajonit të Umbrias, që mbahen muajin e ardhshëm.

Votimi, i kryer online, shënon një ndryshim të qasjes tradicionale të 5 Yjeve, që refuzonte aleancat elektorale dhe krijon shanset që bashkëpunimi të shtrihet përtej Umbrias, një rajon qendror i Italisë me 900 mijë banorë.

Duke bashkuar forcat, 5 Yjet dhe Partia Demokratike synojnë të ndalin hovin e fitoreve të qendrës së djathtë, që ka triumfuar në 7 zgjedhje rajonale të mbajtura që prej Marsit të vitit 2018.

Një sukses eventual në zgjedhjet për Umbrian, më 27 tetor, do të shtrojë terrenin për bashkëpunim edhe për rajonet e tjera si Emilia Romanja në veriun industrial dhe Kalabria në jugun e varfër.

Analistët e mediave italiane thonë se një lëvizje e tillë mund të krijojë kushtet që 5 Yjet dhe PD të kthehen në një aleancë të konsoliduar që në të ardhmen mund të sfidojë ekstremistët e Ligës së Veriut të udhëhequr nga Mateo Salvini, aktualisht në opozitë./ABC News Albania 24/7

ITALI-MINISTRA-PA-DIPLOME.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela12:01 | 05/09/2019

Shumica e ministrave të qeverise së re italiane janë avokatë, apo me karrierë akademike. Por 4 ndër ta janë të padiplomuar. Përbërja e qeverisë ka moshe të re, mesatarisht 47 vjeç.

Avokatë dhe profesorë universitarë janë dy profesionet që kanë pjesa më e madhe, plot 7 anëtarë të kabinetit qeveritar Konte 2 në Itali. Ndërsa tek të tjerët bien në sy profesione si inxhinier, menaxher apo dhe sindikalist.

4 nga qeveritarët e rinj të Italisë janë të padiplomuar, por më tipiku ndër ta është Luixhi Di Maio kreu i Lëvizjes 5 Yjet, aktualisht minister i jashtëm i Italisë. Sipas  mediave vendase në CV e tij ai ka eksperienca si webmaster, gazetar sportiv, asistent regjisor, kamerier dhe stewart në stadiumin San Paolo.

Përveç kreut të Lëvizjes 5 yjet, tre ministrat e tjerë pa diploma janë Vincenzo Spadafora, 44 vjeç, ministër i politikave rinore dhe sportit,  46 vjeçari Enzo Amendola, ministër për çështjet europiane dhe siciliania Nunzia Catalfo, ministre e punës.

Di Maio është edhe ministri më i ri në moshë 33 vjeç, ndërsa më e vjetra është ministrja e brendshme Luciana Lamorgeze, që mbush 66 vjeç pas disa ditësh. Femrat përbejnë rreth 30% të kabinetit qeveritar Konte 2 në Itali.

10 ministri i kanë shkuar partisë Lëvizja 5 Yjet, 9 Partisë Demokratike dhe 1 partisë të Lirë dhe të Barabartë.

Për të patur një mazhorancë sa më të gjerë, koalicioni qeverisës ia besoi Ministrinë e Shëndetësisë partisë të Lirë dhe të Barabartë, e drejtuar nga ish-kreu i Senatit, Pietro Grasso. /ABC News Albania 24/7

 

 

ITALI-NEGOCIATAT_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela20:30 | 26/08/2019

Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike në Itali duket se kanë përafruar qëndrimet me qëllim formimin e një koalicioni të ri qeverisës. Një marrëveshje mes tyre do të shmangte shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, një opsion ky i kërkuar nga ekstremistët e Ligës së Veriut.

Një marrëveshje për formimin e qeverisë mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike në Itali u duk më e mundur të hënën, pasi PD njoftoi se kishte hequr dorë nga vetoja ndaj kthimit të Xhuzepe Kontes në postin e kryeministrit. Konte, i cili nuk i përket asnjë partie, dha dorëheqjen javën e kaluar. Riaktivizimi i tij, me insistim të partisë anti-sistem 5 Yjet por me refuzim të partisë së qendrës së majtë, ishte kthyer në pengesën kryesore për një marrëveshje mes dy palëve, tradicionalisht armiqësore me njëra-tjetrën.

“Nuk ka veto, ajo që ne duam është të bisedojmë”, deklaroi kryetari i PD-së në Senat, Andrea Markuçi kur u pyet nga gazetarët në lidhje me bllokimin e figurës së Kontes. Ndërkohë, krerët e Lëvizjes 5 Yjet u takuan në një apartament në qendër të Romës për të vendosur mbi përgjigjen e tyre. Lëvizja është e ndarë në disa fraksione, disa prej të cilave janë në favor të një marrëveshjeje me demokratët dhe disa të tjera që vlerësojnë se një bashkëpunim i tillë do të copëtonte imazhin anti-sistem të partisë dhe do të çonte në rënien e mbështetjes në radhët e elektoratit. Dorëheqja e kryeministrit Konte javën e kaluar erdhi pasi partia e ekstremit të djathtë, Liga e Veriut, që synon të kapitalizojë mbështetjen në rritje të shprehur për të në sondazhe, e deklaroi koalicionin qeverisës me 5 Yjet “të vdekur” dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. /ABC News Albania 24/7

salvini-1-1280x820.jpg
G. P.11:59 | 19/08/2019

Përshkallëzohen tensionet politike në Itali ku Lëvizja 5 Yjet deklaron se Salvini tashmë nuk është më i besueshëm. Ndërsa lideri i Legës, reagoi duke thënë se është gati për protesta

Me anë të një deklarate për media Lëvizja me Pesë yje ka bërë të ditur se të gjithë janë të mendimit se ministri i Jashtëm italian dhe lideri i Legës, Mateo Salvini nuk është më i besueshëm. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i zv/kryeministrit i cili akuzon Lëvizjen 5 Yjet se është e gatshme të bëjë koalicion me Partinë Demokratike, duke thënë se ata që janë në koalicionin aktual qeverisës në fakt janë renzianë dhe nuk i përkasin Lëvizjes 5 Yjet.

Kjo e fundit akuzon Salvinin se ka vendosur të rrëzojë qeverinë në 8 Gusht dhe se ka propozuar kushte të papranueshme, sipas Lëvizjes 5 Yjet grupi parlamentar i Legës ka bërë një punë të mirë në 14 muaj qeverisje dhe nuk e meriton sjelljen e Salvinit. Më tej në deklaratën për shtyp theksohet se kjo lëvizje do të mbështesë kryeministrin Konte në parlament kur në 20 Gusht pritet votimi për mocionin e votëbesimit.

Salvini nga ana e tij është shprehur i gatshëm se nëse do të duhen protesta për të mbrojtur Italinë, lirinë dhe demokracinë, Lega do të jetë e para që do të zbresë në shesh

Legistët ndërkohë akuzojnë kolegët e tyre të Lëvizjes me pesë yje se kërkojnë reformat ë reja me aleatë të vjetër vetëm për të ruajtur postet e tyre. Lideri i Lëvizjes 5 Yjet Di Maio shprehet qartë se Salvini po shpik çdo gjë pasi vuan nga ndjenja e fajit e atij që ka tradhtuar dhe nuk e di si të dalë nga situata. Ai premtoi gjithashtu se asnjë anëtar i partisë së tij nuk do të ulet asnjëherë në tryezë me Mateo Renzin./ABC News Albania 24/7

di-maio.jpg
G. P.21:16 | 09/02/2019

Lideri i Jelekëve të Verdhë, Shalenson konfirmoi se do të bashkohen me Lëvizjen 5 Yjet të Italisë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare europiane, duke theksuar se kanë të njëjtat këndvështrime.

Jelekët e Verdhë dëshirojnë të bëhen aletatë të Lëvizjes 5 Yjet dhe ndërkohë do të krijojnë një lëvizje të madhe popullore e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare europiane. Lideri i lëvizjes franceze Kristof Shalenson deklaroi se synimi është transformiimi i Europës.

Duke komentuar takimin me Luixhi di Maio, ai ushpreh se kanë të njëjtin këndvështrim për emigracionin, duke mos varfëruar më popujt afrikanë e duke i lejuar ata të zhvillohen.

Duke konfirmuar dhe njëherë më shumë se lëvizja në Francë do të jetë simotër e Lëvizjes 5 Yjet në Itali, ai shtoi se takimi u përqëndrua më shumë në shkëmbimin e teknologjive.  Lideri i Jelekëve të Verdhë u shpreh se vizita e Di Maios në Francë shkaktoi tronditjen e institucioneve franceze./abcnews.al

italia123.jpg
G. P.22:59 | 09/05/2018

Partitë politike në Itali i kanë kërkuar edhe 24 orë kohë Presidentit në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për krijimin e qeverisë. Sipas mediave italiane, nga radhët e së djathtës fjalën e fundit do ta thotë ish-kryeministri Berlusconi.

Klasa politike në Itali po pret me ankth vendimin e ardhshëm të kreut të shtetit, pasi partitë Liga e Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet kanë kërkuar edhe 24 orë për të gjetur një marrëveshje për formimin e qeverisë. Gjatë pasdites, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio janë ulur në një takim kokë më kokë, në përfundim të të cilit i kanë bërë kërkesën e tyre Presidentit Mattarella.

“Brenda 24 orëve do të kem diçka për të thënë, por çfarëdo që të ndodhë aleanca e së djathtës nuk do të prishet. Përkundrazi, ekzistenca e saj është një parakusht”, ka thënë Salvini, i cili ka shtuar se do të ketë kontakte të mëtejshme me interlokutorët politikë, përfshirë aleatin Silvio Berlusconi.

Ndërkohë, kreu i 5 Yjeve, Di Maio ka bërë me dije se po vazhdon fushatën elektorale për t’i paraprirë opsionit të zgjedhjeve të reja në rast dështimi.

“Unë nuk e kam ndërprerë fushatën. Salvini më kërkoi 24 orë të tjera dhe së bashku ia kërkuam presidentit, por unë fushatën do ta vazhdoj”, ka thënë Di Maio.

Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, që citon eksponentët e Ligës së Veriut, fjala e fundit i takon ish-kryeministrit Berlusconi.

“Tani presim që Berlusconi të flasë qartë brenda 24 orëve. Duhet t’i hedhim hapat me radhë dhe i ardhshmi është pritja e lëvizjes së Kavalierit”, ka thënë kreu i grupit parlamentar të Ligës, Gianmarco Centinaio, i cili është shprehur optimist.

Italia është pa qeveri që prej zgjedhjeve të 4 Marsit, që nxorrën fituese Lëvizjen 5 Yjet që garoi e vetme dhe bllokun e djathtë të kryesuar nga Liga e Veriut. Por asnjë prej palëve nuk siguroi dot shumicën për të qeverisur e vetme./abcnews.al

ITALIA-1280x720.jpg
ent ela20:23 | 26/04/2018

Italia duket se ndodhet fare pranë zhbllokimit të ngërçit politik që prej zgjedhjeve të 4 marsit. Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike po përafrojnë qëndrimet dhe shanset për një aleancë qeverisëse janë të mëdha.

Pas thuajse dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, Italia duket se ka hyrë në binarët e duhur për krijimin e qeverisë. Personi i mandatuar nga presidenti Serxho Matarela për të negociuar krijimin e një koalicioni ka deklaruar se misioni i tij ka përfunduar me sukses. “Mandati eksplorativ ka patur rezultat pozitiv dhe misioni mbyllet këtu”, ka deklaruar Roberto Fiko, në përfundim të takimit të radhës me kreun e shtetit. Takimi i ardhshëm që pritet të konfirmojë lidhjen e aleancës mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike është caktuar më 3 maj. “Dialogu mes dy partive ka nisur. Këto ditë do të ketë edhe dialogje brenda grupeve parlamentare, derisa të vijë përgjigjia e lidershipit të PD”, ka deklaruar Fiko. Ndërkohë, kryetari në detyrë i së majtës, Mauricio Martina ka deklaruar se mes palëve ka ende diferenca, por janë bërë shumë hapa përpara. Kryetari i 5 Yjeve, Luixhi di Maio ka kërkuar një përpjekje të fundit për zgjidhjen e ngërçit, ndryshe ka paralajmëruar rimbajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa për liderin e Ligës së Veriut, Matteo Salvini, aleanca e mundshme mes dy partive ka tiparet e një telenovele. /abcnews.al

italia.jpg
G. P.22:55 | 24/04/2018

Shanset për krijimin e koalicionit qeverisës në Itali kanë anuar majtas. Lëvizja 5 Yjet, partia që siguroi më shumë vota e vetme në zgjedhjet e 4 Marsit, i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit të majtës duke mbyllur hesapet me Ligën e Veriut.

Mundësitë për formimin e qeverisë në Itali kanë marrë një drejtim të ri. Lideri i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio i ka hapur dyert bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe ia ka mbyllur ato Ligës së Veriut. Në një komunikim me mediat, Di Maio ka deklaruar se pas 50 ditë përpjekje për një projekt të përbashkët me partinë e Matteo Salvinit shanset për një pakt kanë perënduar.

Në deklaratën e tij, Di Maio ka përshëndetur qasjen e drejtuesit të përkohshëm të së majtës, Maurizio Martina, por ka shtuar se në rast se edhe kjo përpjekje do të dështonte, zgjidhja do të jetë kthimi tek kutitë e votimit.

Lëvizja e 5 Yjeve vjen një ditë pasi presidenti Mattarella ngarkoi me detyrën e kryeministrit të përkohshëm presidentin e Dhomës së Parlamentit, Roberto Fico, për të zgjidhur ngërçin politik që ka përfshirë Italinë që pas zgjedhjeve të 4 marsit. Në këndvështrimin e Di Maios, Salvini vendosi t’i qëndronte besnik koalicionit me aleatët dhe jo Italisë dhe italianëve.

Ndërkohë, përfaqësuesi i së majtës, Maurizio Martina i ka bërë të qartë kryeministrit negociator se është i gatshëm të shqyrtojë ofertën e Lëvizjes 5 Yje, gjithmonë nëse ajo do të zeronte shanset për një aleancë me Ligën e Veriut./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono