Lebron Xhejms

lebron-xhejms-1280x611.jpg
ent ela14:47 | 18/03/2019

Lebron Xhejms luajti një tjetër ndeshje të madhe në basketbollin amerikan, por pësoi një tjetër humbje. Numri 1 I botës shënoi 33 pikë për Lejkërsat, por Nju Jorku fitoi në fund

Majkëll Xhordan nuk shkoi dot në plej of vetëm në mbyllje të karrierës, kur ishte 40 vjeç.

Lebron Xhejmsit kjo po I ndodh kur ende është në kulmin e formës, edhe pse 34-vjeçar, siç u kuptua qartë në duelin në “Medison Skuer Garden”.

Numri 1 i basketbollit botëror hodhi një tjetër hap drejt lavdisë, por edhe një tjetër hap prapa për kualifikimin në plej of.

Ylli i Lejkërsave shënoi 33 pikë në 35 minuta lojë, duke kapur edhe 6 topa në tabela, e duke shërbyer 8 pasime për kosh, por as kjo nuk mjaftoi për ekipin nga Kalifornia.

Nju Jork Niks fitoi në Arenën e tij, me rezultatin më të ngushtë të mundshëm, 124-123, dhe Lejkërsat janë thuajse edhe matematikisht të eliminuar nga faza pas sezonit të rregullt.

Rikthimi i talentit të ri, Kajl Kuzma, i dha më shumë potencial ekipit mik, por mungesa në vazhdim e Lonzo Bollit dhe Brandon Ingramit, sërish u ndje.

Të pesë lojtarët e formacionit të Nju Jorkut shënuan më shumë se 10 pikë, Madiei pati 28 dhe Dotson 25.

Ndeshja u duk e humbur për vendasit, kur kalifornianët u shkëputën deri në 11 pikë në minutat e fundit, por përmbysën gjithçka me rezultatin e pjesshëm 13-1.

Momenti vendimtar ishte kur gjuajtja e Lebronit, që mund të kishte dhënë fitoren, u bllokua nga kroati Mario Hezonja në sekondat e fundit.

Kjo ishte një goditje e rëndë për Lejkërsat që kanë bilancin 31 fitore e 39 humbje, tepër larg Klipersave, ndërsa u mundën nga skuadra më e dobët e NBA-së këtë sezon./abcnews.al

lebron-xhejms-1280x611.jpg
ent ela17:51 | 10/03/2019

Lebron Xhejms pësoi një tjetër humbje dhe tani e ka thuajse të sigurt se nuk do të jetë në plej ofin e basketbollit amerikan. Numri 1 i botës zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Bostonit, për përsëri nuk ia doli.

Me gjysmë skuadre as Maradona nuk ishte në gjendje të fitonte. Lebron Xhejms u gjend në një situatë të ngjashme, kur Lejkërsat u ndeshën me Bostonin, pa tre nga lojtarët kryesorë, Lonzo Boll, Brandon Ingram dhe Kajl Kuzma.

Disfata erdhi e pashmangshme, përballë ish-shokut të tij të skuadrës te Klivlendi, Kajri Irvingut, që e ka të sigurt që do të shkojë në plej of, ndërsa Lebroni thuajse e ka të sigurt që jo.

Xhejms zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, ndonëse ishte në parket vetëm për 28 minuta.

Ai shënoi 30 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 12 pasime për kosh, por Lejkërsat patën shumë pak alternativa, ndaj edhe u mundën brenda në Los Anxhelos, 107-120.

Bostoni, në të kundërt, e kishte ekipin thuajse të plotë. Irving shënoi gjithashtu 30 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi dy gjuajtje.

Ai u ndihmua nga Morris, Tatëm, Horford, Hajard, Rozier apo Braun.

Sëlltiksat, skuadra rekordmene e titujve në NBA, arriti fitoren e tretë radhazi duke u ngjitur në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, krejtësisht të sigurt për plej ofin.

Lejkërsat e Lebronit janë shumë më keq, në vend të 11-të në Lindje, shumë larg pozicionit numër 8, që të kualifikon. /abcnews.al

 

nba-1280x621.jpg
ent ela22:47 | 05/03/2019

Lebron Xhejms është gjithnjë e më larg plej ofit në basketbollin amerikan. Numri 1 i botës pësoi një tjetër humbje, këtë herë në derbin ndaj Klipersave.

U tha se mungesa e komunikimit ishte shkaku.

Gjithsesi, pyetja që vjen pas është se sa kohë ka Los Anxhelos Lejkërs pa harmoninë e duhur, ndërsa erdhi edhe humbja e hidhur në derbi. Sfida në “Stejpëlls Sentër” ndaj rivalit të qytetit, Klipers, ishte një tjetër goditje për shpresat e kalifornianëve dhe të Lebron Xhejmsit që të kualifikohen për në plej ofin e NBA-së.

Klipersat fituan derbin në Los Anxhelos, 113-105, të udhëhequr nga italiani Danilo Galinari që realizoi 23 pikë. Galinari ishte më i miri në një mbrëmje kur plot gjashtë lojtarë të Klipersave shënuan se 10 pikë e më shumë.

Xhejms ishte realizuesi më i mirë i ndeshjes, me 27 pikë, duke kapur edhe 8 topa në tabela e shërbyer 6 asistë, por duke gabuar pesë gjuajtje për tri pikë nga gjashtë që tentoi gjithsej.

Ai u ndihmua nga Rejxhën Rondo, që pati një tripëll dabëll, me 24 pikë, 10 topa në tabela e 12 asistë. Sidoqoftë, Lejkërsat nuk e kaluan dot pengesën, madje kanë humbur 8 nga 12 duelet e fundit të kampionatit.

Me 30 fitore e 34 humbje, është shumë e vështirë të pretendosh, edhe kur ke në përbërje atë që cilësohet ende si basketbollisti më i mirë i botës. Skuadra e tij është në vendin e 10-të në Konferencën Perëndimore, dhe gjithnjë e më larg vendit të 8-të, pozicioni i fundit që të siguron plej ofin./abcnews.al

cavaliers_lebron_james_040917-1280x703.jpg
ent ela17:59 | 03/02/2019

Lebron Xhejms mungoi përsëri në basketbollin amerikan, vetëm një ndeshje pasi u kthye nga dëmtimi. Tifozët e Lejkërsave janë të shqetësuar për shëndetin e yllit 34-vjeçar.

Nuk kishte munguar kurrë kaq gjatë. Lebron Xhejms i dha një kënaqësi vetvetes, por edhe tifozëve të Lejkërsave, kur u kthye më në fund në Arenën e NBA-së, nga dëmtimi, pas plot 17 ndeshjesh. Prania e tij u ndje menjëherë në “Stejpëlls Sentër”, dhe Liqenasit triumfuan në derbin e qytetit Los Anxhelos ndaj Klipersave.

Gjithsesi, tifozët dhe shokët e skuadrës nuk mundën të gëzoheshin gjatë, madje as vetë Lebroni. Një ditë pasi u shpreh i lumtur për rikthimin nga dëmtimi, numri 1 i basketbollit në botë mori një lajm të keq. Trajneri Ljuk Ualton vendosi ta linte jashtë ndeshjes së radhës, atë që u luajt në fushën e Golden Stejtit.

“Lebroni ishte tepër I lodhur dhe me dhimbje pasi luajti 40 minuta ndaj Klipersave, – tha trajneri, – kjo ishte gjë normale pas një mungese kaq të gjatë, dhe unë vendosa të bëj një menaxhim të ngarkesës që duhet të ketë ai”.

Pa yllin kryesor, Lejkërsat u kthyen sërish tek humbja, me shifrat 101-115, por nuk ishte thjesht disfata që solli shqetësim. Problemi numër 1 duket se është mosha 34-vjeçare e Xhejmsit, që rrit rrezikun e dëmtimeve, dhe zgjat kohën e riaftësimit.

Në një kampionat kaq të ashpër dhe ritmik sa NBA-ja, kjo mund të ndikojë për keq tek superylli dhe tek skuadra. Lebroni e lodhi shumë veten sezonin e kaluar te Kavaliersët, ku u përpoq të fitonte titullin e katërt në karrierë, ndërsa “u rrëzua” në pengesën e fundit, në finalen ndaj Golden Stejtit. Trajneri Ualton shpreson që duke e kursyer fizikisht në sezonin e rregullt, mund ta ketë Lebronin më të freskët në plej of, gjithnjë nëse Lejkërsat arrijnë të kualifikohen./abcnews.al

 

download-4-1.jpg
ent ela13:53 | 30/01/2019

Lebron Xhejms është në prag të rikthimit në Arenat e basketbollit amerikan, ndërsa skuadra e tij po kalon nga disfata në disfatë. Lejkërsat u mundën përsëri, në fushën e tyre nga Filadelfia

Protagonistët janë të tjerë në mungesë të tij. Los Anxhelos Lejkërsat po pësojnë dështim pas dështimi, në mungesë të yllit të tyre të madh, ndërsa Lebron Xhejms është në prag të rikthimit.

I mbiquajturi “Mbreti I basketbollit” postoi foto nga stërvitja e tij me skuadrën, dhe me shpjegimin: “Thuajse erdhi koha përsëri! Më ka marrë kaq shumë malli për ju”!

Duhet të nxitojë, gjithsesi, sepse punët nuk po shkojnë mirë.

Lejkërsat u mundën në shtëpi nga Filadelfia, 105-121, duke ndjerë mungesën e kapitenit, por edhe të organizatorit Rejxhën Rondo. Kamerunasi Xhoel Embijd udhëhoqi miqtë, me 28 pikë, 11 topa në tabela dhe 6 asistë.

Ai u ndihmua nga Xhmi Batler me 20 pikë, 5 topa në tabela, 6 asistë, 5 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje, ndërsa shumë mirë luajtën Ben Sajmëns apo Majk Maskala.

Skuadra nga Kalifornia pati një kontribut të madh nga Brendën Ingram. Njëzetenjëvjeçari shënoi jo pak, por plot 36 pikë, duke kapur 5 topa në tabela e duke shërbyer pas pasime për kosh.

Pavarësisht nga kjo, Lejkërsat kanë 11 humbje e vetëm 6 fitore pa Lebronin, duke dalë jashtë zonës së plej ofit në NBA. Natyrisht, rikthimi i Xhejmsit pritet të rikthejë edhe fitoret, ndërsa shpresa është që të merret ylli Entoni Dejvis nga Nju Orlinsi, deri në 7 shkurt. Sidoqoftë, a do të munden Lejkërsat të sfidojnë rivalët si Golden Stejti, Hjustoni, Miluoki apo Toronto, qoftë edhe me Lebronin në formacion?/abcnews.al

james-ball-1280x713.jpg
ad min17:25 | 16/12/2018

Lebron James dhe Lonzo Ball barazuan një rekord të skuadrës së tyre, Los Angelos Lakers, në basketbollin amerikan. Ata arritën diçka që kishte ndodhur plot 36 vjet më parë.

Për herë të parë dhe të fundit deri mbrëmë kishte ndodhur në 1982. Gjithsesi, Lebron James dhe Lonzo Ball vendosën të mos i linin vetëm legjendat e atëhershme, Magic Johnson e Karim Abdul Jabbar, ndaj edhe e përsëritën rekordin për Los Angelos Lakers. Realizuan secili nga një tripëll dabëll në fitoren në fushën e Memfisit, arritur lehtësisht me shifrat 128-100, madje me Lebronin që nuk luajti fare në pjesën e katërt të ndeshjes.

James shënoi 24 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 11 pasime për kosh në vetëm 30 minuta që ishte në parket. Nga ana e tij, Ball, dha kontribut me 16 pikë, 10 topa në tabela dhe po 10 asistë. Në janar 1982, Magic Johnson dhe Jabbar i realizuan tripëll dabëllat ndaj Detroitit, veçse Jabbari ia doli me 10 bllokime gjuajtjesh, dhe jo me 10 pasime për kosh. Në total, vetëm 8 çifte lojtarësh kanë arritur secili nga një tripëll dabëll në të njëjtën ndeshje, në gjithë historinë e NBA-së, dhe këtu bëjnë pjesë edhe dyshet e famshme Michael Jordan-Skoti Piken, Larry Bird-Robert Parish apo Vins Karter-Jason Kid.

Duke u kthyer tek Lakers e sotëm, duhet thënë se Lebron James po udhëheq një skuadër të re në moshë, dhe që ka si objektiv të dominojë basketbollin amerikan për disa sezone. Lonzo Ball është 21 vjeç, Josh Hart 23, Brandon Ingram 21 vjeç dhe Kajl Kuzma 23. Skuadra nga Kalifornia është në vendin e 4-t në Konferencën Perëndimore, veçse shumë pranë kreut./abcnews.al

NBA-HUMB-LEBRON-XHEJMSI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x653.jpg
ad min18:03 | 08/12/2018

Lebron Xhejms nuk e shmangu dot humbjen e skuadrës së tij në ndeshjet e fundit në basketbollin amerikan. Ylli kryesor në botë provoi humbjen e 10-të të sezonit.

Jo gjithnjë mjafton një paraqitje e madhe në NBA. Lebron Xhejms nuk ishte përcaktues për Los Anxhelos Lejkërsat, ndonëse shënoi 35 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 11 asistë dhe pati 2 vjedhje topi. Në fushën e San Antonios nuk qe e mundur të shmangej humbja, ndërsa u ngritën sërish dyshime për qendrueshmërinë e skuadrës së famshme nga Kalifornia.

Vendasit, të drejtuar nga trajneri-mjeshtër, Greg Popoviç, fituan 133-120. Xhejmsi nuk është se u la vetëm, pasi shumë mirë luajtën edhe Kuzma pikë, Boll, Kalduell-Poup apo Mekgi, por San Antonio u tregua ekip më i fortë. Demar Derozanin ishte heroi që shënoi 36 pikë, kapi 8 topa në tabela, e shërbeu 9 asistë. Kjo ishte disfata e 10-të e Lejkërsave, që zbritën në vendin e gjashtë në Konferencën Perëndimore. Po në Perëndim, Golden Stejti tregoi sërish se e ka lënë pas krizën.

Kampionët triumfuan 105-95 në një fushë të vështirë, si ajo e Miluokit, një prej ekipeve më të mirë të sezonit. Kjo dhe pse Kevin Duranti shënoi vetëm 11 pikë. Gjithsesi, plot 8 lojtarë miq ishin realizues, nga të cilët veçohen Kërri e Tompsoni me nga 20 pikë. Suksesi bëri që Golden Stejti të mbetej shumë pranë kreut të Konferencës, me një humbje më shumë sesa Denveri e Klipersat. Në ndeshjet e fundit në NBA, pësoi humbje skuadra më e mirë e ligës, Toronto, që u mund në Arenën e Bruklinit, 105-106. Edhe Oklahoma humbi, por ylli i saj, Rasëll Uestbruk pati një tjetër tripëll dabëll, me 24 pikë, 17 topa në tabela e 13 asistë./abcnews.al

lebron-james.jpg
ent ela22:46 | 15/11/2018

Lebron Xhejms kalon një legjendë të madhe në renditjen e shënuesve në basketbollin amerikan. Ylli i Lejkërsave la pas Uilt Çembërlenin.

Kjo ditë do të vinte, dhe erdhi në mënyrën më të mirë të mundshme. Lebron Xhejms kaloi legjendën Uilt Çembërlen në renditjen e shënuesve më të mirë të NBA-së në të gjitha kohët, ndërsa pati rekordin sezonal të pikëve. Basketbollisti më i mirë i botës realizoi 44 pikë ndaj Portlendit, duke iu afruar një tripëll dabëlli, me 10 topa në tabela e 9 pasime për kosh, një tjetër shenjë se ai nuk do të dijë për moshën që për një muaj e gjysmë bëhet 34-vjeçare. Superylli ka tani 31 425 pikë në karrierë, duke qenë në vendin e pestë në histori.

Objektivi i tij i radhës është legjenda tjetër, Majkëll Xhordan, që ka 32 292 pikë, ndërsa do të jetë më e vështirë të arrihet vendi i parë, i mbajtur nga Karim Abdyl Xhabar, me gati 7 000 pikë më shumë sesa kapiteni i sotëm i Lejkërsave. Lebron ishte i jashtëzakonshëm në 36 minuta lojë në Arenën “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos, duke vjedhur edhe një top e duke bllokuar tri gjuajtje të kundërshtarëve.

Kjo paraqitje e madhe bëri që Lejkërsat të fitonin ndaj Portlendit, 126-117, ndërsa Xhejms u tregoi tifozëve se çfarë është në gjendje të bëjë në ndeshje të mëdha. Edhe pse skuadra nga Kalifornia nuk është ndër pretendentet kryesore për titull, me një Lebron të tillë, gjithçka mund të arrihet./abcnews.al

NBA-LEBRON-HUMB-PERSERI.mpg_snapshot_00.01-1280x782.jpg
ad min21:00 | 23/10/2018

Lebron Xhejms pëson humbjen e tretë radhazi në basketbollin ameriken. Ylli më i madh i botës nuk po mjafton për skuadrën e shquar, Los Anxhelos Lejkërs.

Nuk pritej mrekulli që në fillim, por jo ky dështim. Lebron Xhejms dhe Los Anxhelos Lejkërs, kombinimi më i madh i NBA-së, u mposht sërish, për të tretën herë radhazi, në tri ndeshje të luajtura deri tani. Disfata ishte në “Stejpëlls Sentër”, pra në shtëpi dhe iu shkaktua nga San Antonio Spërs, me shifrat 143-142, pas kohës shtesë. Lebron ishte në fushë për plot 42 minuta, duke mos pyetur për gati 34 vite të moshës. Ai shënoi 32 pikë, kapi 8 topa në tabela, dhe shkëlqeu në specialitetin tjetër të tij, pasimet për kosh, me plot 14 të tilla.

Kapiteni nuk është se ishte vetëm, pasi Kajl Kuzma shënoi 37 pikë, në një ndeshje të shkëlqyer për të, Hart shtoi 20 pikë, Mekgi 16 dhe Boll edhe 14 të tjera. Për fat të keq, humbja nuk u arrit të shmangej. San Antonio pati edhe ai Lebronin e vet. Pas ikjes së Leonardit, erdhi Demar Derozan, i cili pati thuajse të njëjtën paraqitje si Xhejmsi. Shënoi 32 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 14 asiste. Mbështetur edhe tek 37 pikët e Lamarkus Olldrixhit, skuadra e trajnerit të famshëm, Greg Popoviç, përballoi furinë e Lejkërsave, e sidomos të Xhejmsit.

San Antonio ka tani 2 fitore e një humbje, fillim aspak i keq në një sezon që parashikohet të jetë tepër i fortë dhe i vështirë. Nuk dihet nëse Popoviç do të arrijë të krijojë sërish një ekip të aftë për të luftuar për titull, veçse është e sigurt që do ta provojë deri në fund. Nuk dihet gjithashtu, nëse Lebron do të mjaftojë për klubin ndoshta më të famshëm të NBA-së, që ai të jetë sërish superfuqi. Mosha e tij e madhe dhe rivaliteti e bëjnë të vështirë që të përsëriten epokat e Xhabarit, Mexhik Xhonsonit apo Kobi Brajantit./abcnews.al

lebron-james-1280x720.jpg
ad min18:54 | 19/10/2018

Lebron Xhejms e nisi me humbje karrierën tek Los Anxhelos Lejkërsat. Edhe pse luajti shumë mirë, nuk përballoi dot sfidën në fushën e Portlendit. Luajti siç di ai, por nuk ia doli.

Lebron Xhejms e pati humbje nisjen e karrierës me Los Anxhelos Lejkërsat, ndërsa Portlendi i tregoi sesa të vështirë do ta ketë.
Vëmendja ishte e gjitha te ai që mbiquhet lojtari më i madh i botës në basketboll, ndoshta më i madhi i të gjitha kohëve dhe kamerat ishin të përqëndruara mbi Lebronin edhe pse fitues ishin vendasit me shifrat 128-119.

Numri 23, veshur për herë të parë me fanelën e famshme të verdhë, ishte më i miri lojtar në fushë duke shënuar 26 pikë, kapur 12 topa në tabela e shërbyer 8 pasime për kosh.
Gjigandi që mbush 34 vjeç në fund të vitit, ishte sërish I pamundur për t’u mbuluar, dhe shokët e tij nuk luajtën aspak keq, sidomos Hart, Ingram apo Kuzma, veçse Lejkërsat kanë ende shumë punë për të bërë, që të pretendojnë titullin.

Në një ligë tepër të fortë si NBA, nuk do të jetë aspak e lehtë të thyhen kampionët në fuqi të Golden Stejtit, apo të rivalizohen ekipe shumë të fortë si Hjustoni apo Bostoni.
Lebron, për më tepër, nuk ka shumë kohë në dispozicion pasi vitet do të bëjnë punën e tyre. Ai ka arritur të fitojë vetëm tre tituj kampion në karrierë, dy me Majemin e një me Klivlendin, ndërsa legjendat më të mëdha të së kaluarës, si Bill Rasëll apo Majkëll Xhordan kanë shumë më tepër trofe sesa ai./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono