LDK

Koalicioni-parazgjedhor-1280x717.jpg
nev ila10:54 | 31/08/2019

Në Kosovë ka dështuar koalicioni parazgjedhor mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Katër koalicione janë regjistruar në KQZ.

Ka dështuar përfundimisht koalicioni parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

Këto dy parti nuk u pajtuan rreth postit të kryeministrit dhe do të garojnë të vetme në zgjedhjet e 6 tetorit.

E vetme në këto zgjedhje do të garojë edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Vetëm katër koalicione parazgjedhore kanë aplikuar për t’u certifikuar këtu në KQZ deri në mesnatë kur ishte edhe afati i fundit për aplikim.

Të parët që aplikuan si koalicion parazgjedhor ishte koalicioni Vakat i përbërë nga  tri parti të komunitetit boshnjak.

Gjithashtu edhe koalicionet AAK-PSD dhe Nisma e AKR-PD kanë aplikuar për certifikim në KQZ pas marrëveshjeve të tyre paraprake për koalicion parazgjedhor.

Koalicioni i serbëve Sloboda që aplikoi i fundit për certifikim në KQZ tha se do të sfidojnë listën serbe dhe do të punojnë për serbët këtu në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

“Jemi absolutisht në favor të fuqizimit të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës”, tha Nenad Rashiq i Koalicionit Sloboda.

Ndërsa afati i fundit për regjistrim dhe certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit është data 6 shtator i këtij viti./ABC News Albania 24/7

 

ldk-dhe-vv.jpg
G. P.17:00 | 29/08/2019

Një ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shpeshtuar takimet në kërkim të një marrëveshjeje të mundshme.

Kur ka mbetur vetëm edhe një  ditë për t’u regjistruar në KQZ partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 6 Tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje kanë intensifikuar takimet për një marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Sot janë takuar sërish krerët e këtyre dy partive politike Isa Mustafa e Albin Kurti në një nga restorantet e Prishtinës.

Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e mbyllur për media sa i përket koalicioneve parazgjedhore, deri më tash vetëm kanë paralajmëruar se do të ketë befasi edhe nga kjo parti.

Shikuar nga praktikat e mëhershme partitë politike gjithmonë e lënë ditën e fundit për të treguar për marrëveshjet e koalicioneve parazgjedhore, duke shikuar veprimet e njëra tjetrës paraprakisht.

Ndërsa koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje partive politike që të respektohet barazia gjinore në lista zgjedhore. Zgjedhjet e parakohshme mbahen me 6 Tetor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7

VJOSA-OSMANI-MBULIM.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela17:40 | 26/08/2019

Partia Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre e ardhshme e Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit. Ka qenë vetë kryetari i partisë, Isa Mustafa që ka komunikuar lajmin për mediat vendase. Mustafa ka deklaruar se vendimi për të zgjedhur Osmanin është marrë pas një mbledhjeje të zhvilluar në kryesinë e LDK-së, në fund të së cilës është arritur një marrëveshje për figurën e saj. Sipas Mustafës, kandidat tjetër për postin e kryeministrit që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme ishte Lutfi Haziri. /ABC News Albania 24/7

LDK-MUSTAFA-VV.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela16:30 | 24/08/2019

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mandatuar kreun e partisë Isa Mustafën që të negociojë me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Kjo parti as pas kësaj mbledhje nuk ka dalë me kandidat për kryeministër.

Rreth tri orë ka zgjatur mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pritej që kjo parti të dalë me emrin e kandidatit për kryeministër.

Ky vendim pritet të merret të hënën, në takimin e radhës së kryesisë së kësaj partie.

Vjosa Osmani, Agim Veliu, Lutfi Haziri e Abdullah Hoti janë emrat që janë lakuar për kandidat të mundshëm për kryeministër nga kjo parti në këto zgjedhje të parakohshme.

Mbledhjen e sotme të kryesisë e bojkotuan Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Sido që të jetë në këtë mbledhje është mandatuar kreu i partisë Isa Mustafa që të vazhdojë negociatat për koalicione të mundshme parazgjedhore.

Tashmë dihet se kjo parti është duke vazhduar negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm parazgjedhor por ende nuk i kanë sqaruar detajet se i cilës parti do të jetë kandidati për kryeministër. LVV e as LDK nuk po lëshojnë rreth këtij posti.

Megjithatë pas mbledhjes së kryesisë zëdhënësi i partisë Besian Mustafa ka thënë se kryesia e LDK-së ka vlerësuar  që në asnjë rrethanë nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ky vendim i kryesisë së LDK-së do t’i propozohet Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie për votim.

Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe votimit të deputetëve për shpërbërjen e parlamentit. /ABC news Albania 24/7

ramush-haradinaj.jpg
nev ila16:15 | 14/08/2019

Ramush Haradinaj e ka përjashtuar opsionin e një aleance me PDK-në dhe LDK-në në zgjedhjet e ardhshme. Haradinaj ka deklaruar se për qeverisjen e ardhshme do të vendosë në radhë të parë sovrani dhe ka shtuar se, nëse rizgjidhet kryeministër nuk do ta heqë taksën me Serbinë.

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përjashtuar pjesëmarrjen e AAK-së në një koalicion gjithëpërfshirës në zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë televizive, Haradinaj ka nënvizuar se AAK nuk do të bëjë aleancë me partitë e mëdha si PDK dhe LDK dhe nuk do ta përkrahë idenë për një kryeministër konsensual.

“Nuk jemi për koalicion me PDK-në, LDK-në dhe VV-në, por jemi të hapur për disa parti partnere siç është rasti i PSD-së, AKR-së…”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka nënvizuar se AAK do t’u ofrohet fillimisht qytetarëve si parti më vete, pasi sipas tij ajo është rritur si subjekt politik dhe në sondazhe rezulton e para.

“Qytetari ka vlerësuar angazhimin tim në temat kombëtare dhe për këtë Aleanca është rritur. Jemi në situatën e fitores”, tha ai.

Sa i takon kandidaturës së tij për postin e kryeministrit, Haradinaj ka theksuar se ajo do të diskutohet në strukturat e AAK-së.

“Nuk e kemi konfirmuar si parti kandidaturën time, do ta diskutojmë për ta konfirmuar. Ekziston kandidatura ime, por duhet ta zyrtarizojmë. Por e rëndësishme është se kush do të jetë kryetar qeverie nuk e vendosin vetëm partitë, por edhe qytetarët me votë dhe është herët të thuhet se si do të ndodhë”, tha Haradinaj.

Sa i takon taksës për produktet serbe, Haradinaj ka deklaruar se nuk do ta mbështesë heqjen e saj, pasi sipas tij është në interes të shtetësisë së Kosovës.

“Asnjë parti nuk do të marrë mbështetjen tonë për heqjen e taksës. Taksa është shtet. Një shtet që rrezikohet nga tjetri dhe i hap tregun, atëherë nuk është shtet”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar më tej se, për aq kohë sa çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është zgjidhur 100 për qind është me rrezik që ajo të udhëhiqet nga liderë të paqëndrueshëm, që bëjnë sipas tij kompromise për hir të familjes dhe rrethit të afërt në kurriz të vendit./ABC News Albania 24/7

isa-mustafa.jpg
G. P.21:41 | 20/07/2019

Isa Mustafa ka vendosur të tërhiqet nga gara për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të themeluar nga Ibrahim Rugova. Burime të” Express” thonë se lideri në largim i LDK-së deklaroi në mbledhjen e kryesisë se s’do të jetë kandidat. Të njëjtën deklaratë ai ka bërë dhe para kryetarëve të degëve me të cilët është takuar të enjten.

Njëra prej arsyeve për largim nga kreu i LDK-së, sipas burimeve është edhe gjendja e tij shëndetësore, por edhe mungesa e përkrahjes e konfirmuar nëpër sondazhe të ndryshme.

Ndërkohë, në garë pritet të jenë Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, si dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Avdullah Hoti. Por një pjesë e anëtarësisë së LDK përkrah rikthimin e Fatmir Sejdiut.

Isa Mustafa, mori drejtimin e LDK në fund të vitit 2010, kur fitoi ndaj Fatmir Sejdiut. Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave./ABc News Albania 24/7

qeveria.jpg
G. P.10:45 | 24/02/2019

Janë dy qëndrime brenda koalicionit qeverisës lidhur me taksën ndaj prodhimeve serbe, që ka bërë që të ketë luhatje ndërmjet partive në pushtet, ndonëse, asnjëra nga to zyrtarisht nuk pranojnë se koaliconi është i paqëndrueshëm. Është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili megjithë presionin ndërkombëtar, posaçërisht atij të SHBA-së për heqjen e taksës ndaj Serbisë, ai që thotë, se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Haradinaj, thotë edhe brenda koalicionit i kanë “pikëpamjet se si mund të ecin proceset më mirë lidhur me taksën”, por, shton se “vendimi për taksën do të respektohet, sepse është vendim i Qeverisë”.

“Ne kemi një vendim dhe derisa ekziston vendimi, këto janë mendime tona të ndërsjella, mund të diskutojmë, mund të vazhdojmë me diskutime, por, vendimi respektohet, sepse është vendim i Qeverisë. Edhe ne kemi dëshirë me hequr, nesër e kishim hequr, sikur të na kishte njohur Serbia. Tani është mirë me kalu në fazën finale të dialogut dhe me ndodhë njohja, sepse është në të mirën e të gjithëve në rajon, por edhe me na vendos kushte nuk bën dhe nuk parashihet me shku në dialog me kushte”, thotë Ramush Haradinaj.

Qeveri me bazë të gjerë?

Partneri i madh i koalicionit qeverisës Partia Demokratrike e Kosovës, (PDK), së fundi ka propozuar që taksa ndaj prodhimeve të Serbisë të pezullohet për 120 ditë, në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut duke pritur edhe reflektimin e Serbisë. Këtë po e kërkon edhe SHBA. Në të kundërtën sipas PDK-së nëse Serbia nuk reflekton, kjo taksë mund të rivendoset serish. “Sot ky vendim po i prish marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ministri i PDK-së në qeveri Abelard Tahiri. Në këtë situatë, ku dy partnerët kryesorë të koalicionit kanë qëndrime të ndryshme rreth vendimeve qeveritare, në mediet e Prishtinës ka nisur debati për “qëndrueshmërinë”, e këtij koalicioni dhe mundësinë e krijimit të një qeverie me bazë të gjerë, ku do të përfshihej edhe partia më e madhe opozitare LDK, e cila po ashtu ka rezervat e saj, sa i përket vendosjes së taksës ndaj prodhimeve të Serbisë pa një analizë të mirëfilltë, ku kërkon që të respektohen edhe këshillat e miqve të Kosovës, sidomos atyre të SHBA-së.

Madje është vetë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili ka thënë se nëse “nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë, mund të ketë opsion të dytë, riformatim të institucioneve dhe udhëheqësi në bazë të fuqisë politike në parlament. Njëra nga deputetet e LDK-së, Vjosa Osmani,thotë se megjithatë zgjedhjet e reja do të ishin opsioni më i mirë.  “Në kohën kur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përmendur këtë ide për qeveri gjithëpërfshirëse, e ka përmendur vetëm si një alternativë nëse nuk ka zgjedhje. Por, ne si LDK akoma vazhdojmë të insistojmë se zgjedhja e vetme, e cila na nxjerr nga ky qorrsokak në aspektin e krizës institucionale janë zgjedhjet që do të prodhonin një qeveri të fuqishme jo vetëm në numra por edhe në aspektin e legjitimitetit demokratik, e cila përfaqëson Kosovën në Bruksel”, është shprehur Vjosa Osmani. Ajo thotë se qeveria gjithëpërfshirëse nënkupton një qeveri, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë dhe ku do të ketë një afat kalimtar vetëm për të përfunduar çështjen e dialogut.

Situata aktuale është bllokuese

Analisti politik Blerim Burjani, i tha DW-së, se duke parë dallimet në qëndrime të partnerëve të koalicionit sa i përket taksës ndaj Serbisë dhe shto këtu edhe presionin amerikan për heqjen e taksës e nga ana tjetër këmbënguljen e Ramush Haradinajt që taksa të qëndrojë, një qeverie e re dhe një kryeministrër tjetër, duket e pashmangshme. “Një qeverisje e re dhe një kryministër tjetër duket të jetë e pashmangshme, pra themelimi i një qeverie me legjitimitet më të plotë se kjo aktuale dhe më të arsyeshme dhe me pragmatike dhe fleksibile është domosdoshmëri. Kthimi i qeverisjes PDK dhe LDK po vjen duke u dukur si realitet i vetëm për të zgjidhur problemin e taksës dhe arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Nuk besoj, se do të ketë Qeveri gjithëpërfshirëse, por do të ketë qeveri me ata qe do të hyjnë në një qeveri tranzitore deri në zgjedhje të jashtëzakonshme” thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, qëndrimi i palëkundur i kryeministrit Ramush Haradinaj, për mos-heqjen e taksës ndaj Serbisë, duket se ka bllokuar rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse nuk do të duhej të ishte kështu.  “Ideja është të zgjidhen problemet e krijuara nga taksa dhe mos heqja dorë për ta pezulluar, ka bërë dhe është krijuar një bllokim dhe betonim për të rifilluar dialogun, andaj sa më parë që ndodhë riformatimi qeveverisës aq më pozitive do të jetë për Kosovën. Riformatimi po duket më reale, sesa zgjedhjet e jashtëzakonshme”, thotë Blerim Burjani.

LDK të mos vetëpërjashtohet

Jo realiste idenë dhe kërkesën e LDK-së për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë situatë po e cilëson edhe një analist tjetër politik Artan Muhaxheri. Ai thotë se zgjedhjet e reja bartin pasiguri të mëdha në kuptimin e konsolidimit të koalicioneve paszgjedhore.  “Nuk do të ishte normale që LDK-ja të vetëpërjashtohej prej etapës së fundit të dialogut në Bruksel dhe nga të kontribuarit në legjitimitetin e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo duket se është arsyeja pse aleatët ndërkombëtarë të Kosovës janë duke i analizuar modalitetet e opsionit më të përshtatshëm që do ta bindte LDK-në të bëhej pjesë përbërëse e vendimmarrjes institucionale në këtë periudhë”, thotë Artan Muhaxheri.

Sidoqoftë, taksa e qeverisë së Kosovës e vendosur ndaj prodhimeve të Serbisë, dhe kërkesa e faktorit ndërkombëtar që të hiqet kjo masë dhe t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë që skena politike kosovare të jetë e paqëndrueshme dhe të mos flasë me një zë për këtë problematikë. Nga ana tjetër është Beogradi zyrtar që ka kushtëzuar rifillimin e dialogut me Kosovën me heqjen e taksës, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, po kërkon që taksa të mos ndërlidhet me dialogun duke i cilësuar si dy tema të ndara./DW

isa-mustafa.jpg
G. P.11:23 | 10/02/2019

Në “Balkan ABC” këtë javë do ndiqni një intervistë që drejtori i informacionit të Klan Maqedonisë, Seladin Xhezairi, ka zhvilluar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, qëndrimi i opozitës kosovare, tarifa ndaj produkteve serbe, dhe shumë të tjera janë disa prej çështjeve të trajtuara në këtë intervistë./abcnews.al

KOSOVA-MBULIM.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
G. P.13:40 | 25/09/2018

Sipas raportimit të mediave kosovare Lidhja Demokratike e Kosovës po përpiqet të bindë Nismën e Fatmir Limaj që të bashkojnë votat për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Para më shumë se një viti falë iniciativës së deputetëve të Nismës, në Kosovë u bë i mundur rrëzimi i qeverisë së atëherëshme kryeministrit Isa Mustafa. E tashmë partia e këtij të fundit synon që me të njëjtin bashkëpunim të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Haradinaj. Kjo për arsye se votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme për të miratuar mocionin e mosbesimit.

Mediat kosovare raportojnë se deputetët e partisë Nisma së Fatmir Limajt mohojnë të kenë diskutuar për këtë çështje.

Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa, LDK po koordinohet me partitë tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të mosbesimit pasi, siç thonë ata, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme të kalojë mocioni në Kuvend, prandaj partia më e madhe opozitare po synon që t’i bindë edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës, përkatësisht ata të Nismës që ta përkrahin iniciativën e tyre./abcnews.al

MBULIM-PARLAMENTI-ORA-13.mpg_snapshot_00.32-1280x705.jpg
G. P.12:34 | 13/09/2018

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, konfirmoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancë të rregullt të Kuvendit, pa u mbajtur ajo e jashtëzakonshmja kundër temës së kufijve në Bruksel. Hoti ka ftuar edhe deputetët e tjerë t’i bashkohen LDK-së.
Ai theksoi se vetëm pas mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, mund të kthehen seancave të rregullta në Kuvend.

Ndërkohë në sallën e parlamentit po vazhdojnë debatet me përfaqësues të opozitës që kërkojnë seancë të jashtëzakonshme pasi, sipas tyre, mazhoranca nuk po arrin të mbledhe as 40 firma që i duhen për mbajtjen e seancës ku do të miratohej ekipi negociator për bisedimet me Beogradin.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono