lazio

atalanta.jpg
G. P.22:55 | 15/05/2019

Lazio arriti të fitonte kupën e Italisë pasi mundi Atalantën me rezultatin 2-0. Golat për bardhekaltrit u shënuan nga serbi Milinkoviç-Saviç dhe nga Correa. Kjo është hera e shtatët që LAzio fiton këtë trofe.

Kjo ndeshje ishte edhe një duel edhe mes dy lojtarëve shqiptarëve, Berat Gjimshiti dhe Thomas Strakosha. Të dy ata luajtën për 90 minuta, ku gardiani shqiptar nuk lejoi për asnjë moment që topi të kalonte katërkëndëshin e mbrojtur nga ai.

Ndërkohë portieri tjetër shqiptar, Etrit Berisha e ndoqi finalen nga porta. Atalanta kaloi në finale pasi mposhti Fiorentinën, ndërsa skuadra e kryeqytetit skualifikoi Milanin.

Me fitoren e kupës së Italisë, ata siguruan kualifikimin direkt për në Europa League. Nga ana tjetër edhe pse u mposht, Atalanta është duke kaluar një prej sezoneve më të mira. Përveçse nënkampionë të kupës së Italisë, ata janë në garë për kualifikim në Champions League./abcnews.al

milan-lazip-1280x720.jpg
G. P.17:30 | 14/04/2019

Igli Tare akuzon gjyqtarin pas humbjes së Lazios në fushën e Milanit. Drejtori sportiv shqiptar u shpreh se rezultati nuk u vendos nga fusha e lojës.

Ishte si një finale dhe tensioni pritej, por jo i tillë. Milan-Lazio në “San Siro” vendoste jo pak për kualifikimin në Champions dhe presioni psikologjik mbi nervat e lojtarëve kaloi kufirin normal.

Ishin dy momente, i pari një pretendim penalltie nga ana e Lazios, pas duelit në zonë mes Rodrigezit e Milinkoviç-Saviçit, dhe pastaj një festim i padenjë i dy lojtarëve milanistë me fanellën e dhuruar nga futbollisti i Lazios, Acerbi.

Pas veprimit të fundit, plasi sherri në fushën e lojës, një ngjarje e shëmtuar sidomos për një kampionat të nivelit dhe famës së Serisë A. Gjykata Sportive kërkoi materialet filmike për të nisur hetimin dhe për të dhënë dënimet.

Milani fitoi falë një penalltie të drejtë, shkaktuar nga Riza Durmishaj ndaj Muzakios, pra nga një shqiptar i Suedisë ndaj një arbëreshi.

Autori i golit ishte Franck Kessie që ekzekutoi me gjakftohtësi përballë Strakoshës. Portieri shqiptar shpëtoi Lazion nga pësimi i ndonjë goli tjetër me pritjet e tij. Në fund të ndeshjes doli në skenë shqiptari tjetër, Igli Tare.

Ai ishte tepër i zemëruar me arbitrin Rocchi që, sipas tij, mezi priti për të dhënë penalltitë e Milanit, duke sinjalizuar edhe këtë episod në zonë, më pas të anuluar nga VAR-i. Për drejtorin sportiv të Lazios gjithçka ishte e qartë.

“Kjo ishte histori e një vdekjeje të paralajmëruar, – tha drejtori sportiv lacial, – pikërisht, gjëja që i trembeshim përpara ndeshjes. Na vjen keq që humbëm një ndeshje që e luajtëm shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Shpresonim që ndeshja të vendosej në fushë, por ishim viktimë e VAR-it dhe e gjykimit. Penalltia e Milanit edhe jepej, por gjithashtu ishte penallti për ne, pasi ishte ndërhyrje e rrezikshme në zonë. Duket se në Itali dinë ta dallojnë rëndësinë e klubeve”.

Gazetat sportive italiane i bënë jehonë polemikave.

“Il Corriere dello Sport”: Stuhi Championsi! Milani mund Lazion 1-0 dhe shkëputet, ka polemika për penalltinë e padhënë për Milinkoviçin!

“La Gazeta dello Sport”: Po, Kessie! Për Milanin, finalja ndaj Lazios, 1-0! Provë bindëse e kuqezinjve me penallti në fund, por Tare akuzon arbitrin!

Pas kësaj ndeshjeje, Milani ka 55 pikë, duke qenë në vend të katërt 1 pikë mbi Romën, ndërsa Lazio mbeti prapa me 49 pikë, kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim./abcnews.al

thomas-strakosha.jpg
G. P.22:30 | 04/03/2019

Tomas Strakosha është vlerësuar si lojtari më i mirë i javës në Serinë A, për talentet e reja. Portieri shqiptar shkëlqeu në derbin ndaj Romës, por doli nga fusha i dëmtuar.

Suksesi i madh u arrit edhe prej tij. Tomas Strakosha dha një ndihmë vërtet të madhe në derbin që Lacio e fitoi 3-0 ndaj Romës në stadiumin “Olimpiko” dhe paraqitja e portierit shqiptar nuk mbeti pa rënë në sy. 23-vjeçari u shpall lojtari më i mirë i javës në Serinë A, në renditjen e atyre që quhen “premtimet e reja”.

Ishin pikërisht lexuesit e “La Gazeta delo Sportit” që e nxorrën në vend të parë duke vlerësuar pritjet në derbi, si dhe faktin që luftoi deri në fund edhe pse ishte i dëmtuar. Portieri shqiptar la shumë prapa Xheremi Bogën e Sasuolos dhe Injacio Puseton e Udinezes.

Shqetësimi ishte i madh se Strakosha mund të mungonte për një kohë të gjatë për Lacion, por edhe për kombëtaren shqiptare në eleminatoret e Europanit. Analizat treguan se ai ka dëmtim në shpatull, por jo të rëndë.

Rrezikon të mos luajë në ndeshjen ndaj Fiorentinës fundjavën e ardhshme, por pritet të jetë gati për sfidat e tjera të sezonit me Lacion, si dhe për eleminatoret e Europianit, që Shqipëria i nis me duelin ndaj Turqisë në 21 Mars.

Lacio, ndërkaq, shpreson të arrijë zonën Champions, pas triumfit të madh në derbi. Diferenca prej 6 pikësh me Interin është e madhe, por jo e pamundur që të tejkalohet deri në fund të sezonit./abcnews.al

roma.jpg
G. P.14:59 | 09/02/2019

Roma arriti një fitore të rëndësishme në Serinë A, dhe tregoi se do të luftojë deri në fund të sezonit për të arritur objektivat e rëndësishëm. Milani dhe Interi janë të paralajmëruar.

Kryeqyteti mund të mos e fitojë titullin, por nga Championsi nuk heq dorë. Pas suksesit të Lacios një ditë më parë ndaj Empolit, ja edhe triumfi i Romës në fushën e Kievos. Përballja e Serisë A pritej me shqetësim pasi romanët jo vetëm nuk kishin bindur së fundmi, por edhe ishin turpëruar 1-7 nga Fiorentina në Kupën e Italisë.

Sidoqoftë, në stadiumin e Veronës ishte mbrëmja e duhur për autokritikë, me lojë të shkëlqyer, dhe me rezultatin 3-0. Stefan El Sharaui, Edin Xheko dhe Aleksandar Kolarov ishin autorët e golave, me Romën që u ngjit në kuotën e 38 pikëve, po aq sa Lacio, në përpjekje për vendin e katërt, pra për zonën Champions.

“Il Corriere dello Sport” lavdëron verdhekuqtë me një lojë fjalësh, duke titulluar “Festivali i San Romës”, në një krahasim me Festivalin e San Remos të këtyre ditëve.

“Një paraqitje e bukur, – u shpreh i lehtësuar trajneri Di Françesko, – skuadra e luajti ndeshjen ashtu siç duhet, madje mund të kishte shënuar më shumë. Diçka shumë pozitive përpara Championsit”.

Di Françesko komentoi edhe përkuljen që bëri Kolarov përpara tifozëve të Romës, një veprim që krijoi sërish polemika. Futbollisti serb ishte kritikuar ashpër nga përkrahësit, ndërsa pas përkuljes pati nga ata që e vlerësuan, por edhe nga ata që e quajtën provokim.

“Veprimi i Kolarovit ishte një mënyrë për të kërkuar falje, – tha trajneri, – ai tregoi se është një profesionist dhe bëri gjënë e duhur. Mund t’u them se Kolarovi jep gjithnjë maksimumin për skuadrën”.

Pak ditë më parë, kapiteni Daniele De Rosi i doli publikisht në mbështetje shokut të skuadrës, duke shkruar në Instagram, “Vëllai im”, në gjuhën serbe. Duke u kthyer tek futbolli i luajtur, duhet thënë se dy skuadrat e kryeqytetit pritet të luftojnë deri në fund për zonën Champions. Lacio arriti një fitore shumë më të ngushtë, 1-0, por kjo mjaftoi që ekipi i portierit Strakosha të jetë në garë, dhe në rrezik nga konkurrenca romane është jo vetëm Milani, por edhe Interi./abcnews.al

lazio-inter-1280x851.jpg
G. P.00:01 | 01/02/2019

Skuadra e Lazios ka eliminuar Interin nga Kupa e Italisë pas serisë së 11 metërshave. Strakosha rezultoi vendimtar në kualifikimin e Lazios pasi priti penalltinë e Lautaro dhe Nainggolan.

Lazio eliminon Interin në Kupën e Italisë falë rulotës së 11 metërshave. Sfida e zhvilluar në San Siro rezervoi emocione të shumta dhe një lojë mjaft të luftuar nga të dyja skuadrat. Në pjesën e parë ishte Lazio që ushtroi një kontroll më të madh të lojës ndërkohë që në fraksionin e dytë, Inter e tentoi më shumë golin, por pa rezultat. Dy portierët Strakosha dhe Handanoviç rezultuan vendimtarë për skaudrat e tyre ku shpëtuan portën në disa raste.

Koha e rregulllt u mbyll në barazim pa gola. Skuadrat iu drejtuan shtesës prej 30 minutash. Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 107 të ndeshjes. Bomberi Immobile kaloi në avantazh bardhekaltërit. Goditja e tij u devijua lehtë nga Dambrosio, por mjaftueshëm që topi të përfundonte në rrjetë. Gjithsesi në minutat e fundit të kohës së rregullt, Dambrosio fiton një 11-metërsh që shndërrohet në gol nga kapiteni Mauro Icardi.

Strakosha i kupton krahun, por nuk ia del të mbajë portën e paprekur. Kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë u vendos nga seria e 11-metërshave. Strakosha ishte në ditën e tij më të mirë duke pritur penalltinë e Lautaro dhe Naingolan ndërkohë që Handanoviç i mohoi golin Durmishit. Lazio doli fituese nga seria e 11-metërshave duke fituar 4-3 kundrejt Interit. Në gjysmëfinale Lazio do të luajë ndaj Milanit./abcnews.al

MILANI-BARAZON-ME-LAZION.mpg_snapshot_01.14-1280x720.jpg
G. P.22:45 | 25/11/2018

Milani shpërdoron dy pikë me Lazion pasi nuk ia doli të mbrojë avantazhin. Lazialët barazuan në limitet e kohës së rregullt. Ndërkohë që zhgënjen edhe skuadra e Napolit që nuk i’a doli të fitojë me Kievon.

Milani shpërdoron dy pikë. Kuqezinjtë nuk ia dolën të ruanin avantazhin ndaj Lazios në takimin që u mbyll në barazimm 1-1. Pjesa e parë ishte e balancuar me skuadrat që tentoni herë pas here të shënonin. Pjesa e dytë ishte agresive nga të dyja skuadrat që kërkonin me ngulm tre pikët. Në minutën e 78, Calabria i shpëton mbulimit të mbrojtjes laciale, pason për Kessi i cili nuk mendohet dy herë duke goditur drejt portës. Topi devijohet nga prapavija e Lacios dhe Strakosha nuk eviton dot golin e Milanit. Kur mendohej se sfida po shkonte drejt përfundimit, në skenë shfaqet Correa. Sulmuesi godet në vështirësi me topin që shkon drejt e në rrjetë. Sfida mbyllet në barazim 1-1 dhe Milani nuk ia doli të kalojë në vendin e katër në tablën e klasifikimit.

Zhgënjen edhe skuadra e Napolit që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Kievos së vendit të fundit. Bardhekaltërit e shohin veten plot 7 pikë nga Juventus i vendit të parë. Skuadra e teknikut Ançeloti shpërdoroi shumë raste në këtë takim. Në minutën e 7 ishte Kajehon ai që pati mundësinë të kalonte në avantazh vendasit, por goditja e spanjollit përfundoi jashtë kuadradit.

Është sërish i njëtji lojtar në minutën e 42 që tenton të zhbllokojë rezultatin, por Sorrentino tregohet i vëmendshëm. Në të 48 minutë është radha e Insinjes të humbasë një rast të pabesushëm në limitet e pozicionit jashtë loje. Napoli nuk ka çfarë të humbasë dhe tenton në minutën e 88 me anë të mbrojtësit Kulibali, goditja e të cilit shkon fare pranë kuadradit. Ndeshja mbyllet në barazim 0-0 dhe Napoli shpërdoron dy pikë të arta. Ndeshja katastrofale për Atalantën e Etrit Berishës që u mposht nga Empoli me shifrat 3-2. Berisha luajti titullar dhe u detyrua të nxjerrë topin plot 3 herë nga porta e tij./abcnews.al

intri.png
G. P.08:06 | 31/10/2018

Interi mendohet si kundërshtari kryesor i Juventusit në Serinë A. Fitorja 3-0 në fushën e Lacios tregoi se skuadra e trajnerit Luçiano Spaletit është tepër e fortë në kampionatin italian.

Kërkohej reagim dhe ai erdhi. Interi la pas versionin negativ të Championsit, që u turpërua në Barcelonë, duke u shfaqur krejt ndryshe në kampionatin italian. Suksesi 3-0 në fushën e Lacios ishte i tillë që edhe kritikët më të rreptë të skuadrës së trajnerit Luçiano Spaleti, patën vetëm lavdërime. Epërsia ishte e madhe, me epërsi të dy golave që në pjesën e parë, dhe me mbërritjen në vendin e dytë, krah për krah me Napolin, në kuotën 22 pikë.

Zikaltërit vërtet ende nuk shënojnë sa Juventusi apo napolitanët, por janë në përmirësim me 6 fitore radhazi në Serinë A. Padyshim që mund të pretendohet për titull.

“Shikoni se çfarë Interi, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Lacio mposhtet 3-0 në fitoren e gjashtë radhazi, me zikaltërit në vend të dytë”.

“Inter shkakton frikë, – komenton “Il Korriere delo Sport”, – dygolësh vrasës i Ikardit, gol i Brozoviçit dhe ndeshja kurrë në diskutim”.

Trajneri Spaleti është cilësuar “prifti” nga analistë të ndryshëm. Ai foli sërish si i tillë, duke u treguar i kujdesshëm.

“Le të themi se ishte një ndeshje e bukur, duke marrë parasysh gjithçka, ndonëse ne kemi luajtur edhe ndeshje të tjera të mira. Kjo ka ndodhur edhe kur kemi humbur, apo nuk kemi fituar, sepse në futboll gjërat jo gjithnjë shkojnë siç duhet. Pjesa e parë ndaj Lacios ishte vërtet thuajse e përsosur. Arritëm të bënim lojën që donim, të zotëronim topin, ndërsa ruajtëm qetësinë dhe nuk u nxituam. Sot jemi një skuadër më e fortë se vjet, më të ndërgjegjshëm dhe arrijmë të reagojmë edhe kur gjërat nuk na shkojnë mirë”.

Po presidenti më i ri në historinë e klubit, 26-vjeçari nga Kina, Stiven Çan, çfarë mendon për ekipin e tij?

“Kjo ndeshje tregoi se lojtarët tanë kanë zemër të madhe dhe personalitet gjithashtu të madh. Interi jo vetëm fitoi ndeshjen, por sidomos lojtarët e mbështetën njëri-tjetrin. Kjo ndeshje tregoi jo vetëm se kemi lojtarë shumë të talentuar, por edhe që ata punojnë fort në stërvitje. Jam i bindur se do të dimë të konkurrojmë në Serinë A dhe në Champions, edhe ndaj ekipeve si Barcelona. Do të mësojmë nga humbjet dhe do të përmirësohemi”.

Druajtja e vetme e klubit nga Milano është nëse do të dijë të ruajë këtë vazhdimësi deri në fund. Tifozët, për momentin, duan të paktën fitimin e një trofeu të madh, qoftë Championsin apo Serinë A, edhe pse ëndrra mbetet përsëritja e tripletës së Murinjos./abcnews.al

shaqiri.jpg
G. P.13:18 | 13/07/2018

Xherdan Shaqiri është tashmë lojtar i Liverpulit. Shqiptari i Zvicrës hedh një tjetër hap të madh në karrierën e tij.

Di të shënojë vetëm gola të bukur.

Një arsye më shumë që Liverpuli të mendonte dhe përfundimisht ta bënte të vetin Xherdan Shaqirin.

Akordi me lojtarin ofensiv 26-vjeçar dhe me klubin e tij, Stoke City-n, u arrit për rreth 14 milionë paund stërlina, apo afërsisht 16 milionë euro.

Shqiptari i Zvicrës, i njohur për talentin e tij, në Europianë e Botërorë, nis një tjetër etapë të madhe në karrierë, ajo që shpresohet të jetë e duhura.

Pasi e nisi karrierën me Bazelin, shkëlqeu me Bajernin duke fituar edhe Bundesligën e Championsin, provoi Serinë A me Interin, ai u vendos përfundimisht në Premier Ligën angleze.

Vazhdimisht titullar, ai ndihmoi Stoke City-n në 3 sezone, edhe pse edicionin e kaluar nuk shmangu dot që ekipi i tij të rrëzohej në kategorinë e dytë.

Kohët e fundit për Shaqirin u interesua edhe Manchester United dhe Lazio, por duket se Liverpool-i u tregua më bindës.

Tashmë pritet që ai të bashkohet me skuadrën e trajnerit Jurgen Klop, nënkampione e Europës në fuqi, dhe të luftojë për titullin në Premier dhe në Champions.

Liverpuli ka marrë edhe Nabi Keita nga Lajpcigu si dhe pret Nabil Fekirin e Lionit./abcnews.al

napoli.jpg
G. P.09:20 | 19/04/2018

Gara për titullin në Serinë A mbetet e hapur. Juventusi gaboi, ndërsa Napoli arriti një fitore të vështirë, duke qenë tani vetëm 4 pikë larg
Një tjetër roveshatë ndëshkon kampionët.
Pas asaj që i ndodhi me Cristiano Ronaldon në Champions, ja goditja e radhës, këtë herë në kampionat, në fushën e modestes Crotone.
Ishte një nigerian shtatlartë, me emrin Simi, që realizoi golin vërtet të veçantë që i hoqi Juventusit fitoren nga dora, dhe ia ndërlikoi rrugën drejt titullit.
Barazim 1-1 dhe diferencë e shkurtuar në 4 pikë ndaj Napolit ndjekës, kur duhen edhe 5 ndeshje deri në përfundim të Serisë A.
Ja që edhe kampionët mund të gabojnë, e të mos jenë të përsosur, ndonëse mbeten favoritë për suksesin përfundimtar, duke pasur 85 pikë ndaj 81 të napolitanëve.
Juve kaloi në epërsi me golin e Alex Sandros që në minutën e 16 dhe u mendua se do të fitonte, por nuk ia doli.
Napoli përfitoi, ndonëse e pati tepër pisk ndaj Udinese, brenda në “San Paolo”.
Fitoi 4-2 pasi u ndodh dy herë në dizavantazh, duke treguar se nuk i mungon karakteri edhe kur gjendja duket e pashpresë.
Insigne, Albiol, Milik e Tonelli ishin autorët e golave për ekipin e trajnerit Maurizio Sarri, që kishte sërish si titullar mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.
Nëse gara për titull mbetet e çelur, edhe më e hapur është ajo për kualifikim në Champions.
Lazio, Roma e Interi janë në garë, dhe diferenca mes tyre është vetëm 1 pikë.
Lacialët e Tomas Strakoshës kaluan një dramë në Firence, duke ia dalë në fund ndaj Fiorentinës.
Përfundoi 4-3 në stadiumin “Artemio Franki”, ku fillimisht pati dy kartonë të kuq e pastaj 7 gola.
Për kryeqytetasit shënuan Luis Alberto, Martin Casseres, Felipe Anderson dhe sërish Luis Alberto.
Rivalët e tyre, po ashtu nuk gabuan me Romën që kaloi 2-1 Genoan në stadiumin “Olimpico” dhe me Interin që mposhti 4-0 Cagliarin, një ditë më parë.
Nga Championsi abdikon Milani pas barazimit 1-1 në fushën e Torinos.
Ky rezultat e lë ekipin e trajnerit Gatusso10 pikë pas, një diferencë që praktikisht nuk mund të kapërcehet.
Në renditje, Lazio e Roma kanë nga 64 pikë, Interi 63, ndërsa Milani 54./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono