lampeduza

emigrante.jpg
G. P.12:35 | 19/08/2019

Vijojnë të qëndrojnë në det emigrantët në anijen e “Open Arms” në Lampeduza, ndërsa Spanja ofron dy porte të saj për ti pritur. Por sipas organizatave jo qeveritare shtatë ditë të tjerë lundrim do të ishin shumë. Ndërkohë ministri i Brendshëm Italian ka reaguar ashpër duke thënë se ky nuk është një vendim që i takon organizatave.

Spanja ka marrë përsipër që të presë në një nga portet e saj anijen me emigrantë “Open Arms”. Por organizatat jo qeveritare kanë refuzuar propozimin duke thënë se 7 ditë të tjera në det janë shumë. Ndërkohë ministri i Brendshëm italian Salvini reagoi duke thënë se është e pabesueshme dhe e papranueshme duke thënë se nuk është e drejtë e këtyre organizatve për të vendosur se ku të zbresin emigrantët. Ai shtoi se Italia nuk është kampi i refugjatëve të Europës. Por organizatat jo qeveritare vijojnë të kërkojnë me këmbëngulje që të zbresin në Lampeduza.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez konfirmoi se kishte propozuar portin e Al Jazeera-s për zbritjen e emigrantëve që gjenden në anijen “Open Arms”. Ai theksoi se Spanja reagon gjithnjë në rastet e një emergjence humanitare. Më tej, ai ofroi dhe një port të dytrë Mahon, i cili ndodhet rreth një mijë kilometra larg Lampeduzës.

Por kryeministri spanjoll njëkohësisht e kritikoi dhe vendimet e qeverisë italiane për këtë çështje, sidomos atë për mbylljen e porteve.  Ndërkohë Franca do të presë 40 emigrantë të kësaj anije sipas deklaratës së ministrit të Brendshëm francez. 27 minorenët që zbritën të dielën nga anija janë në gjendje të mirë shëndetësore ndërkohë që prokuroria pas vlerësimit të raportit të inspektorëve shëndetësorë në bord, u shpreh se nuk bëhet fjalë për një situatë emergjence shëndetësore./ABC News Albania 24/7

kapitenia.jpg
G. P.23:45 | 11/07/2019

Kapitenia e anijes me emigrantë, Karola Rakete ka vendosur t’i shpallë luftë ministrit të Brendshëm italian, Mateo Salvini. Përmes një padie drejtuar gjykatës, 31-vjeçarja kërkon që numrit dy të qeverisë italiane t’i bllokohen profilet në rrjetet sociale, për shkak se përhap urrejtjen.

Kapitenia gjermane e anijes me emigrantë u ka kërkuar prokurorëve italianë që të bllokojnë profilet e ministrit të Brendshëm Mateo Salvini në rrjetet sociale, për shkak se sipas saj, ai i përdor ato për të përhapur urrejtjen.

Karola Rakete, 31 vjeç, ndodhet nën hetim për ankorimin e anijes “Sea Watch 3” në portin e Lampeduzës pa lejen e autoriteteve italiane dhe është përballur me një valë kritikash nga Salvini, që në profilet e tij në Facebook e Tëitter e ka quajtur atë “pirate” dhe “shkelëse të ligjit”.

Në përpjekje për të kundërsulmuar, avokati i saj Alesandro Gamberini tha për agjencinë “Reuters” se 31-vjeçarja do të depozitojë një padi për shpifje ndaj Salvinit ditën e premte.

“Kur vjen fjala tek fyerjet, shpifjet dhe deklaratat që ndjellin urrejtje, si ato të ministrit, mënyra më e mirë për t’i ndalur ato është duke bllokuar profilet në rrjetet sociale”, deklaroi Gamberini.

Aktualisht Rakete mbahet në një vend të fshehtë në Siçili për shkak të mesazheve kërcënuese që ka marrë pikërisht në rrjetet sociale pasi futi anijen me emigrantë në port muajin e kaluar.

Salvini, që është betuar se do ta dëbojë Rakete nga Italia, deklaroi se nuk ndihet i kërcënuar nga bllokimi i profileve të tij. “Komunistja gjermane, ajo që sulmoi patrullat detare të policisë, i paska kërkuar prokurorëve të bllokojnë faqen time në Facebook dhe Twitter.

Absurditeti nuk ka limit”, tha Salvini. “E çfarë pastaj, do të përdor vetëm Instagramin”, shtoi ai në reagimin e tij. Anija e kapitenes gjermane goditi një varkë policie teksa hynte në portin e Lampeduzës. Ajo më vonë kërkoi falje për episodin duke thënë se ishte vetëm një aksident./ABC News Albania 24/7

emigrantet-1280x682.jpg
G. P.17:45 | 05/07/2019

Pavarësisht deklaratave të forta të ministrit të Brendshëm italian, një tjetër varkë me 54 emigrantë i është drejtuar Lampeduzës. Salvini tha në mënyrë të prerë se varka në pronësi të një organizate jo fitimprurëse nuk do të lejohet të ankorojë në portin italian.

Një tjetër organizatë jo fitimprurëse sfidon ministrin e Brendshëm Salvini. 54 emigrantë në një varkë me vela i janë drejtuar Lampeduzës, pavarësisht se zv/kryeministri italian deklaroi prerë se varka nuk mund të hyjë në port. Ndërkohë mbrëmjen e të enjtes mbërriti në ishull një varkë me në bord 14 emigrantë që i shtohen 55 të tjerëve të shpëtuar nga ushtarët italianë.

Mjeku në bordin e varkës shprehet se fillimisht emigrantët u gjetën në një gomone në kushte të mira. Problem ishte se ndodheshin në ujërat e Libisë, dhe autoritetet po vinin t’i merrnin. Për këtë arsye organizata i mori në varkën e tyre dhe u drejtuan për në Itali.

Të mërkurën 80 emigrantë u mbytën në det pranë brigjeve të Tunizisë. Vetëm katër prej tyre shpëtuan falë ndërhyrjes së marinarëve tunizianë. Tunizia nuk ka qendra pritjeje për emigrantët. Autoritetet tuniziane dhe disa varka me peshkatarë kontrolluan zonën për të gjetur kufomat por nuk zbuluan gjë./ABC News Albania 24/7

refugee-boat-1280x960.jpg
nev ila23:29 | 26/06/2019

Një anije me emigrantë afrikanë ka vendosur t’i afrohet portit të një ishulli italian, duke sfiduar kështu urdhërin e zëvendës kryeministrit Mateo Salvini për të mos lejuar ankorimin në port. Vetë Salvini ka paralajmëruar se nuk do t’i lejojë refugjatët të zbresin nga anija.

Një varkë gjermane me emigrantë në bord është drejtuar për në portin e Lampeduzës, duke sfiduar paralajmërimin e qeverisë italiane për të mos iu afruar ishullit. Anija “Si Uoç 3” ka kaluar 14 ditë duke lundruar përreth ishullit që ndodhet në ekstremin jugor të Italisë.

Zëvendës kryeministri populist, Mateo Salvini deklaroi se në rast se anija hyn në port pasagjerët nuk do të lejohen të zbresin.

“Emigracioni nuk mund të menaxhohet nga anije të paligjshme. Ne jemi gati të bllokojmë çdo paligjshmëri. Durimi ynë ka marrë fund”, tha Salvini në një postim në rrjetet sociale.

Më herët autoritetet italiane paralajmëruan se do të vendosin gjoba të rënda ose do të konfiskojnë anijen në rast se ajo vijon kursin.

Kapiteni i “Si Uoç” u shpreh i vetëdijshëm që lundrimi drejt Lampeduzës mund të jetë i rrezikshëm, por shtoi se emigrantët janë të raskapitur dhe kanë nevojë për kujdes. Kompania akuzon institucionet europiane se nuk po përmbushin përgjegjësitë e tyre për t’u kujdesur për personat e shpëtuar në det.

Në janar, anija “Si Uoç 3” kaloi thuajse dy javë lundrim pa adresë pasi kishte shpëtuar një grup emigrantësh në Mesdhe, para se të lejohej të ankorohej në një port të ishullit të Siçilisë. Leja për të hyrë në port u dha pasi 6 vende, Franca, Gjermania, Malta, Portugalia, Rumania dhe Luksemburgu ranë dakord të pranonin emigrantët që ndodheshin në bord./ABC News Albania 24/7

protesta-migranti-lampedusa.jpg
ent ela11:34 | 27/01/2018

Disa emigrantë nga Tunizia të strehuar në qedrën e pritjes në ishullin Italian të Lapeduzës, pas disa ditësh grevë kanë vendosur të protestojnë duke qepur gojën me pe dhe gjilpërë. Ata nuk duan të qëndrojnë më aty por dhe as të largohen.

Një protestë ekstreme ajo pas tre ditësh greve nga ana e 40 emigrantëve të ulur në shkallëtt e një kishe në Lampeduza, ndërsa përballë janë rreshtuar agjentët e policisë. Emigrantët tunizianë kanë vendosur të qepin gojën me pe dhe gjilpërë pasi nuk duan të qëndrojnë më në qendrën më të madhe të pritjes në Itali dhe as nuk dëshirojnë të riatdhetësohen. Dhe pse protesta është paqësore, tensioni në ishull prej ditësh është i lartë. Kryebashkiaku i Lampeduzës prej kohësh ka dhënë alarmin për episode e shumta të dhunës ndaj emigrantëve të cilët qëndrojnë në pikën e regjistrimit. Disa prej tyre arrijnë të arratisen dhe shkojnë në Sicili për të provuar fatin. Disa ditë më parë një emigrant nga Tunizia vrau veten duke u varur me litar pasi prej muajsh ndodhej në këtë qendër pritjeje ku emigrantët nuk mund të mbahen më shumë se 48 orë. Por janë regjistruar dhe përleshje të dhunshme mes vetë emigrantëve që strehohen aty. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono