lajcak

311708_1200x.jpeg
ad min19:30 | 19/06/2019

Nga Shkupi, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Lajçak konfirmoi se disa vende të BE-së janë skeptike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në një konferencë shtypi, Lajçak citoi si shembull rezolutën e Parlamentit holandez që thotë se vendi është kundër hapjes së negociatave. “Mendoj se koha nga tani deri në tetor duhet të përdoret nga qeveria në Tiranë për të adresuar shqetësimet që ekzistojnë mes disa vendeve”, deklaroi Lajçak. Ai shtoi se ka shtete anëtare që thonë gjithashtu se ky nuk është momenti i duhur për zgjerimin, se Brukseli duhet të fokusohet tek Breksit dhe tek proceset konsoliduese./ABC News Albania 24/7

shkup-2-1280x706.jpg
ad min17:00 | 19/06/2019

Shefi i diplomacisë sllovake dhe kryesuesi me OSBE-në, Mirosllav Lajçak, pranoi se ka shpresuar se sot do sjellë lajme më të mira në Shkup. Por, anulimin e datës së negociatave e arsyetoi me çështje teknike.

“Mbrëmë asnjëra nga 28 vendet anëtare nuk tha jo, nuk duhet ta ftojmë Maqedoninë e Veriut. Shumica e vendeve thanë së do ta bëjnë këtë, por nuk arritën për shkak të procedurave të brendshme në Gjermani. Por në qoftë se nuk ndodh diçka negative dhe e papritur deri në tetor, shpresoj se atëherë do të ketë ftesë”.

Nikoqiri i tij, ministri Nikolla Dimitrov, nuk e fshehu revoltën e tij  nga sjellja e Brukselit ndaj Maqedonisë së Veriut, por edhe ndaj tërë rajonit.

“Në qoftë se më pyesni për përshtypjet nga përfundimet e mbrëmshme, nuk mund të jemi të kënaqur deri sa nuk vjen vendimi në Tetor, mendoj suksesi jonë do jetë sinjal i rëndësishëm për tërë rajonin se dyert e Evropës janë të hapura dhe vizioni evropian për Ballkanin Perëndimor ekziston. Nëse nuk ndodh diçka e tillë, atëherë kjo do të jetë fundi i asaj perspektive”.

Dimitrov madje dyshon në politikën e jashtme të BE-së, duke theksuar se nëse BE-ja nuk mund të dallojë situatat në Ballkan, për të cilën ndërton strategji me vite, atëherë është vështirë të besojë se do të udhëheqë politikë të besueshme ndaj pjesëve tjera të botës. Por, ndryshe nga ai, Kryeministri Zoran Zaev flet me më shumë optimizëm për përgjigjen e Brukselit.

“Vendimi është garancë absolute, e cila është e nevojshme për mua, besoj edhe për të gjithë qytetarët. Nëse për shkak të, siç theksohet në vendim, afatet e nevojshme kohore, për shkak të publikimit të vonuar të raportit, Tetori do të jetë Tetor… e morëm garanci formale juridike me shkrim”.

Sipas opozitares VMRO-DPMNE gjërat duken më ndryshe. Përkatësisht në Tetor, qeveria e cila pa nevojë i ka rritur pritshmëritë për në muajt e kaluar dhe nuk ka arritur rezultate në reforma, do të marrë vetëm detyra të reja që duhet t’i plotësojë në periudhën që vjen, ndërsa data për negociata edhe më tutje do të prolongohet.

“Çfarë do të thotë, në skenarin më të mirë është pikëpyetje nëse deri në Dhjetor të vitit 2020 në mund të presim fillim të negociatave me BE-në”.

Ligji i bllokuar për të ardhmen e PSP-së, draftin e të cilit e hedh poshtë kategorikisht opozitarja VMRO-DPMNE, sipas Kryeministrit Zaev nuk është kusht i caktuar nga BE-ja, por është sugjerim si pjesë e reformave në vend. Ai  theksoi se është i gatshëm për vazhdimin e negociatave gjatë periudhës së verës./ABC News Albania 24/7

LAjcak-1.jpg
ad min23:08 | 10/06/2019

Kryetari i radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, prezenca e OSBE-së në Shqipëri, thekson se këto zhvillime mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore.

Kryetari i radhës u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse.

“Ai theksoi pritshmërinë e tij se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar”, thuhet më tej në deklaratën e OSBE-së.

Ndërkohë në fund Lajčák, shpreh besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono