Laçi

mema-1280x853.jpg
Vladimir Prenga20:42 | 18/10/2019

Tirana është gati për ndeshjen me Laçin dhe sot para mediave ka dalë trajneri Ardian Mema, i cili ka folur për situatën në skuadrën e tij dhe kundërshtarin e radhës. Ai e pranon se ka njëfarë presioni, sikurse nga ana tjetër u bën thirrje drejtuesve që të transmetojnë qetësi.

PRESIONI – “Si fillim po flas për veten, jo se nuk më intereson kundërshtari. Ndeshjet e fundit kanë sjellë disi presione në skuadër, aq më tepër te unë. Nuk flas në emër të skuadrës por në emrin tim. Kjo më vë mua disi në presion, sepse pretendohet që ndeshjet e Tiranës të fitohen. Ekipi ka luajtur shumë mirë, nuk ka pasur probleme tekniko-fizike dhe tekniko-taktike. Thjesht nuk na ka ndihmuar edhe fati, po t’i shikosh të tria ndeshjet që kemi lënë pikë. Kjo mendoj se ka ardhur nga kërkesa që ka një klub si Tirana për të mos lënë pikë në asnjë ndeshje. Megjithatë unë fajësoj fatin, pasi ekipi realisht ka luajtur mirë.  Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të përqendruar, të gjithë bashkë, që të mos pësojmë ato gola që ekipi ka pësuar në këto ndeshje”.

BARAZIMI ME FLAMURTARIN – “Ndonjëherë çdo njeri mendon edhe të mirën, edhe të keqen. Po flas si teknik dhe ekipi është shprehur goxha mirë në fushë. Me një anë të keqe mendore dhe kur ke presion, nuk ndodh që të administrosh topin, të krijosh raste. Ndoshta edhe humbja e rasteve, apo kërkimi me çdo lloj forme, duke sakrifikuar gjithmonë, ka bërë që lojtarët të mos jenë fokusuar para porte. Kjo mund ta ketë futur ekipin në presion, duke qenë gjithmonë primar rezultati. Në fund për këtë paguhemi”.

Flamurtari-Tirana, foto nga ndeshja | Foto: Kftirana.al

HUMBJA BARAZ ME LARGIM – “Kjo pyetje më është bërë që pas ndeshjes me Kukësin, kur ekipi pësoi humbjen e parë. Ndoshta te ky klub, gjërat bëhen pak tragjike. Ka edhe një të drejtë. Edhe unë do kërkoja me insistim që Tirana të fitonte ndeshjet e të shpallej kampion. Kjo është pjesa që në klub janë nervozë, si edhe tifozët. Pritshmëritë janë të larta. Ndodh që një klub ka një projekt dhe unë e mendoj se projekti duhet çuar deri në fund. Pjesa tjetër, ku që ndeshjen e parë apo të dytë, ku diskutohet direkt kjo pyetje, do i bëjë dëm të gjithëve, edhe futbollistëve. Ndonjëherë jemi mundur edhe për gabime foshnjarake.

Unë e shoh lojën si teknik dhe më intereson si luan ekipi. Edhe po të luante keq dhe të fitonim në fund do më interesonte. Një ekip, nëse luan mirë, do i rikthehet fitoreve. Nëse nuk mbajmë topin dhe nuk luajmë mirë, kjo nuk të jep garanci për të ardhmen. Fakti që është edhe 100-vjetori i klubit, na vë pak në presion. Unë nuk jam magjistari apo profeti i futbollit, që të them se nesër do fitojmë dhe do largohem kur të dua unë. Drejtuesit duhet ta kuptojnë se klubit i duhet qetësia. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nëse gjërat na dalin nga kontrolli, do kemi edhe probleme. Kemi qenë pushim këto kohë, tani do e shohim nesër në fushë”.

Sulejman Starova

NDËRRIMI I TRAJNERIT – “Nuk do thosha nëse e dua Laçin me Starovën apo dikë tjetër. Laçi kishte një lloj fizionomie te loja e vet dhe pak a shumë e dinim mirë. Sula e ka drejtuar Laçin që vjet dhe e dimë si luajnë. Gjithesesi dimë edhe si luan Cungu. Do e kishim më të thjeshtë për ta përgatitur ndeshjen me Sulën. Çdo trajner i ri ka edhe kërkesat e veta të reja. Do e kemi më të vështirë me Cungun nesër. Jo se ndryshon ana profesionale e tyre, por se dinim stilin e lojës”.

REZULTATI PA LOJË – “Unë do bëj punën time, që ekipi të shprehet mirë në fushë dhe të jetë dominues ndaj kundërshtarit. Ky është futbolli, ndoshta të gjëmon edhe disfata. Kur lë pikët, të vjen keq. Po të shohim 26 minuta me Partizanin, askush nuk mendonte se Tirana do pësonte dy gola për 5 minuta. Çdo gjë po fliste për ne. Pas ndeshjes i thashë lojtarëve se nëse luani kështu, jeni mirë.

Duke qenë se kemi pasur fatin e keq, duhet të kemi akoma më shumë përqendrim. Nuk kemi një kundërshtar që na ka mbajtur në fushën tonë. Fati është pjesë e lojës. Nuk duhet t’ia lëmë gjërat në dorë të fatit. Ca punë duhet t’i bëjmë akoma më mirë. Kjo nuk është për të justifikuar lojtarët, por për t’i vënë me këmbë në tokë që të jemi më të përqendruar. Jo me një rast sporadik të na mundë çdo ekip”.

MUÇI – “Jam munduar t’i jap minuta Nestit. Ndeshjen e fundit me Flamurtarit nuk i dhashë minuta, por pjesën dërrmuese të ndeshjeve e kam futur nga stoli. A duhet klubi apo unë t’i japim më shumë minuta? Kjo është e drejtë. Edhe vjet jam munduar që ta fus. Kemi qenë edhe në situata të vështira për rënien nga kategoria. Mund ta fillojë edhe nga formacioni.

Muçi, gjatë një ndeshjeje me Tiranën

Mendoj se gradualisht, duke marrë nga pak minuta, do bëhet lojtar formacioni dhe të mos dalë më. Duke qenë se pikët janë me rëndësi, shpeshherë nisemi edhe me emocionet e pikëve. Muçi nuk ka nevojë për përkrahjen time, sepse shumë shpejt do jetë pjesë e lojës. Ai duhet të bëjë përpjekje më të mëdha, që të na e mbushë mendjen që të jetë pjesë e formacionit.

RIVALITETI ME LAÇIN – “Një vit kam këtu. Mendoj se ndeshjet me Laçin kanë qenë të forta. Është ekip me ekuilibër. Të godet në momente të caktuara, me lojtarë të mirë. Këtë ekip vjet e kemi pasur problem. Nuk është se na pritën miqësisht. U treguan të egër me ne. Ne nuk kemi armiq, por kemi kundërshtar. Çdo ndeshje e konsiderojmë kundërshtarin sipas radhës, por nuk i ndajmë, i mirë apo i fortë, në kuptimin e egërsisë. Laçi ka ekip të mirë dhe nuk duhet të kishte aq pikë sa ka. Nesër në ndeshje do jetë e luajtur fort. Shpresoj të kemi fat e të mos pësojmë gola që nuk duhej t’i pësonim.

ORARI I NDESHJES – Normalisht, në orën 17:00 është edhe më freskët, ka më tepër oksigjen. Luhet më shpejt. Dreka është disi problematike. Ndeshjet e ardhshme do i kemi në orën 13:00. Nuk është një orë që ka ritëm loja. Bie ritmi nga dielli, nga koha. Me lojtarët themi që koha apo dielli, është njësoj për të dyja, edhe fusha”. /abcnews.al

Kyrian-Nwabueze-1280x853.jpg
Veronik Istrefaj19:16 | 17/10/2019

Kyrian Nwabueze ka realizuar pesë gola me Laçin deri më tani, katër në kampionat një në Europë, si dhe ka dhuruar 2 asiste. 26-vjeçari e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer këtë sezon të ri. Sot, nigeriani ka folur për Supersport, ku u shpreh:

SUPERIORE – “Personalisht ndihem shumë mirë, kam përvojën në futboll dhe mendoj që kampionati shqiptar është shumë i fortë. Objektivi im është të shënoj gola. Përpiqem dhe punoj çdo ditë që të përmirësohem. Kërkoj ta dërgoj veten time në maksimum, të jem i dobishëm për veten dhe për skuadrën. Jam i sigurt që do bëj gjëra të mira këtu”.

KËPUCA E ARTË – “Kam shumë besim tek vetja, ndaj pse të mos ndodhë. Por e përsëris, më duhet të punoj shumë çdo ditë”.

FILLIM SEZONI – “Nuk e kemi filluar në maksimumin e mundshëm, por besoj se do të ngrihemi. Kjo skuadër ka cilësi, gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur. Tani kemi një trajner të ri dhe shumë shpejt do të gjejmë atë ritëm që të gjithë po kërkojmë.

TIRANA – “Po e presim me padurim këtë ndeshje kundër Tiranës, duhet të reagojmë pas rezultateve të fundit. Mendoj se do të jetë një duel shumë i forte. Kam besim tek vetja dhe te skuadra ime dhe jam i bindur se do bëjmë shumë mire.

TITULLI – Mendoj që në fund do jemi në vendet e larta të renditjes, mjafton të mos dorëzohemi dhe të punojmë me të gjitha forcat. Ne si lojtarë, trajneri, stafi drejtues, të gjithë së bashku si një familje. Dëshira ime është ta mbyllim mes dy vendeve të para”, përfundoi Nwabueze./abcnews.al

Tirana-Partizani-Derbi.jpg
Vladimir Prenga14:56 | 17/10/2019

Tirana pret Laçin të shtunën dhe kjo përballje do të luhet prej orës 17:00. Klubi bardheblu ka vendosur edhe në lidhje me tifozët dhe nuk do ta shlyejë me gjobë gjysmën e dënimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës pas derbit.

Kështu, takimi i së shtunës do të luhet me dyer të mbyllura. Bardheblutë kërkojnë kthesën, pas tre ndeshjeve të fundit që kanë marrë vetëm një pikë në sfidën me Flamurtarin. Nëse nuk merren pikët e plota, atëherë situata në kampin bardheblu do të rëndohej.

Pritshmëritë sivjet janë të larta dhe Tirana do titullin kampion. Momentalisht ndodhet në vendin e pestë në klasifikim, por katër skuadrat që ndajnë kreun kanë vetëm nga një pikë më shumë.

Sikurse kuptohet, gara është e hapur për të gjitha ekipet. Gjithsesi 24 herë kampionët e vendit duan që të shkëputen sa më parë në krye. Ky mision nuk ka rezultuar i lehtë deri më tani. /abcnews.al

Tirana-Partizani-Derbi.jpg
Vladimir Prenga16:02 | 16/10/2019

Ka ndryshim orari për një nga ndeshjet më interesante të javës së tetë të Kategorisë Superiore. Tirana-Laçi do të zhvillohet prej orës 17:00 dhe jo në 14:00 siç ishte planifikuar në fillim. Me shumë mundësi kjo sfidë do të luhet me praninë e tifozëve. Nga klubi bardheblu ende nuk ka një komunikim zyrtar, por burime të ndryshme kanë pohuar se presidenti Halili po mendon ta shlyeje me gjobë gjysmën e dënimit të mbetur.

Sikurse dihet, Komisioni i Disiplinës e dënoi Tiranën me 2 ndeshje pa tifozë pas derbit. Gjysma e dënimit u shlye ndaj Shënkollit dhe klubit kryeqytetas i mjafton të derdhë në arkat e Federatës Shqiptare të Futbollit shumën prej pesë milionë lekësh dhe në “Selman Stërmasi” do të luhej me praninë e publikut.

NDESHJET E TJERA –  Java e tetë nis me përballjen Teuta-Flamurtari, që do të luhet në “Elbasan Arena”. Durrsakët kanë mbjellë fushën në stadiumin “Niko Dovana” dhe këtë fundjavë do të zhvendosen të luajnë në fushë asnjanëse. Ndeshjet e tjera zhvillohen të gjitha të shtunën dhe fillimisht në orën 14:00 luhet Luftëtari-Bylis.

Veç Tirana-Laçi, në 17:00 luhen edhe dy takime që janë për t’u parë. Në Shkodër duan të “hakmerren” ndaj Partizanit, pasi para dy vitesh e fajësuan për rënien në Kategorinë e Parë. Vllaznia është e motivuar edhe prej rezultateve të mira, ndaj edhe pritet një ndeshje mjaft e luftuar. Në Korçë Skënderbeu pret Kukësin. Verilindorët synojnë të bëjnë kthesën, pas humbjes me shkodranët në kampionat.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 8

E premte, më 18 tetor 2019
Ora 18:00 | Teuta-Flamurtari

E shtunë, më 19 tetor 2019
Ora 14:00 | Luftëtari-Bylis
Ora 17:00 | Tirana-Laçi
Ora 17:00 | Vllaznia-Partizani
Ora 17:00 | Skënderbeu-Kukësi

/abcnews.al

Cungu.jpg
Veronik Istrefaj09:58 | 16/10/2019

Trajneri Armando Cungu u rikthye në krye të Laçit, aty ka qenë i suksesshëm. Tekniku shkodran ka fituar dy trofe në krye të kurbinasve dhe tashmë është rikthyer sërish, pasi Sulejman Starova vendosi të largohej. Sot, Cungu ka folur për Supersport, ku tregoi arsyen pse u rikthye, kampionatin shqiptar deri më tani dhe sfidën ndaj Tiranës:

RIKTHIMI – “Respekti dhe dëshira janë gjithmonë maksimale, që nga momenti i parë që nisa të punoj te Laçi, ku fitova edhe trofe. Që nga ajo kohë, kam mbetur dashamirës i këtij klubi, kjo edhe për korrektesën e drejtuesve, por edhe respektit nga ana e tifozëve. Kjo ishte arsyeja pse e pranova këtë ofertë, nuk u mendova 2 herë. E kam ndjekur Laçin dhe kam parë që skuadra ka bërë ndeshje të mira. Jam i bindur që mund të kishte marrë rezultate më të mira”.

TITULLI – “Çdo trajner kërkon të arrijë suksese të mëdha dhe suksesi më i madh janë trofetë. Kjo dëshirë nuk mungon as te unë, as te drejtuesit dhe as te djemtë, por duhet të jemi realistë, duke menduar si të marrim sa më shumë pikë”.

SUPERIORE – “Është e vështirë të luash ndaj kujtdo, pasi kampionati është forcuar dhe diferencat janë ngushtuar shumë. Nuk e di nëse kanë rënë skuadrat e mëdha, apo janë ngritur ato të voglat, pro sot ndaj çdo kundërshtari në Superiore, është e vështirë”.

SFIDA NDAJ TIRANËS – “Tirana është një emër për t’u respektuar si për atë që ka dhënë ndër vite, ashtu edhe për organikën që ka në dispozicion. Mundësitë për rezultat janë të shumta, por duhet të pranojmë se edhe një pikë në Tiranë”, përfundoi trajneri i ri i Laçit./abcnews.al

Starova.jpg
Vladimir Prenga17:24 | 14/10/2019

Laçi bëhet me trajner të ri. U mendua se në kampin bardhezi nuk do të ndryshonin mendim për Sulejman Starovën, por sot ka ndodhur ajo që nuk pritej.

Sulejman Starova, pas tre barazimeve radhazi me Flamurtarin, Luftëtarin dhe Bylisin, është larguar nga krubinasit. Drejtuesit e Laçit me shumë mundësi e kishin përgatitur lëvizjen dhe më pas kanë zgjidhur marrëveshjen me Starovën.

Armando Cungu është zgjedhja e Laçit. Shkodrani rikthehet te bardhezinjtë, klub me të cilin ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën në vitin 2015. Ai do të drejtojë Laçin në ndeshjen e radhës me Tiranën, në transfertë. /abcnews.al

lacdi-korabi-1280x960.jpg
Vladimir Prenga15:59 | 12/10/2019

Laçi ka shfrytëzuar pushimin e kampionatit dhe sot ka zhvilluar një ndeshje miqësore kundër Korabit. Kurbinasit kanë triumfuar me rezultatin e pastër 2-0. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova e pa veten në avantazh pas një autogoli të dibranëve, që devijuan një kros nga këndi. Golin e dytë për Laçin e shënoi sulmuesi brazilian Stenio.

Në kampin bardhezi më së shumti e kanë mendjen te ndeshja e radhës me Tiranën. Tre barazimet radhazi, dy në transfertë me Flamurtarin dhe Luftëtarin, si dhe me Bylisin në shtëpi, kanë bërë që situata në kampin bardhezi të mos jetë më e mira.

Kundër Tiranës në transfertë do synohet të paktën një pikë, ndërkohë trajneri Sulejman Starova nuk do të ketë të gatshëm për këtë takim kapitenin Eglentin Gjoni. Ky i fundit ka pësuar një frakturë në krah dhe do të qëndrojë për dy muaj jashtë fushave të blerta. /abcnews.al

Tirana-Flamurtari.png
Vladimir Prenga10:08 | 12/10/2019

Miqësore të konfirmuara nga klubet e Superiores. Trajnerët e klubeve të elitës së futbollit shqiptar duan të ruajnë ritmin dhe ndeshjet e sotme u shërbejnë shumë. Tirana ka konfirmuar përballjen me Turbinën, që luhet prej orës 16:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Më parë do të luajë Laçi, që ka zgjedhur si rival Korabin. Në Pezë-Helmës kurbinasit luajnë prej orës 14:00. Flamurtari do të përballet gjithashtu me një ekip të Kategorisë së Parë. Vlonjatët do të luajnë në Fier, prej orës 15:00, kundër Egnatias.

Edhe Bylisi nuk ka qëndruar pushim. Ballshiotët do të përballen me Apoloninë në Rrogozhinë. Vllaznia ka zgjedhur të zhvillojë një ndeshje kundër të rinjve, ndërsa Partizani e ka parë të udhës të vijojë përgatitjet si zakonisht. /abcnews.al

permytet-laci-1280x711.jpg
nev ila10:22 | 11/10/2019

I gjithë territori i Kurbinit përjetoi orë të vështira këtë të premte. Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë shkaktuan dëme dhe përmbytje në qytet dhe në fshatra. Drejtoria Arsimore pezulloi mësimin në të gjitha shkollat.

Këta fëmijë mbetën në mes të rrugës. Për t’i larguar nga uji u desh një zjarrfikëse. Një orë më vonë drejtoria e arsimit vendosi mbylljen e shkollave në Laç. Stuhia me reshje të dendura paralizoi qytetin.

Uji vërshoi nëpër banesa, biznese, dhe institucione. Vërshimet ishin të frikshme . Shumë makina u shkatërruan. Më herët pati bllokim të rrugëve. Laç- superstradë nuk u bë e qarkullueshme për orë të tëra.

Nënkalimi në Fushë Mamurras u mbush me ujë dhe makinat devijuan lëvizjen. Fusha të tëra u përmbyten. Dëme të mëdha u bënë tek prodhimet e fermerëve. Zona është e prekur nga përmbytjet për shkak të bllokimit të kanaleve dhe ndërtimeve pa kriter./ABC News Albania 24/7

IMG-20191010-WA0042-1280x960.jpg
Vladimir Prenga19:41 | 10/10/2019

Eglentin Gjoni, kapiteni i skuadrës së Laçit, është operuar ditën e sotme. Mbrojtësi u dëmtua në ndeshjen me Bylisin. Pas një dyluftimi me një nga lojtarët kundërshtarë ai përfundoi i shtrirë. Nga rënia ka pësuar një frakturë në krahun e majtë dhe i është dashur të kryejë një ndërhyrje.

Ditën e sotme ai është paraqitur në “Spitalin Amerikan” dhe është operuar me sukses. Ai do të qëndrojë edhe sonte në ambientet e spitalit, nën kujdesin e mjekëve. Nga nesër do të largohet dhe do vijojë me fazën e riaftësimit.

Nga ajo që i kanë thënë mjekët, Gjoni nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova për rreth dy muaj. Shanset janë që në takimet e fundit të fazës së dytë ta ndihmojë skuadrën. Gjithsesi gjendja e tij do vlerësohet kohë pas kohe dhe më pas do të vendoset. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono