kuvendi

ilir-meta-1-1280x722.jpg
nev ila16:27 | 21/01/2020

Në një intervistë presidenti Meta, ka folur për Komisionin Hetimor të ngritur nga Parlamenti për shkarkimin e tij.

Sipas Metës, ky Komision po vazhdon të operojë në mënyrë anti-ligjore dhe anti-kushtetuese, pasi presidenti mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të natyrës që mund të cënojnë sovranitetin e vendit.

Duke hequr një paralele mes vetes, Kryeministrit dhe Parlamentit, Meta thotë se Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve.

“Shumë ligje të Kuvendit dhe Vendime të Qeverisë  janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese por ata nuk janë shkarkuar nga detyra”, theksoi presidenti duke lënë të kuptohet se dekretet e firmosura prej tij janë pjesë e veprimtarisë së tij, dhe nuk përbëjnë kusht për shkarkim.

Intervista e plotë

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Do të doja të ndaleshim në situatën tuaj aktuale, sepse jeni i pari President për të cilin ka nisur një procedurë shkarkimi. Puna e komisionit hetimor është rritur sërish…

Presidenti Meta: Jam krenar për faktin që jam akuzuar nga një parlament njëpartiak pse kam mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe mbi të gjitha, pse kam mbrojtur pluralizmin politik, themelin mbi të cilin ndërtohet i gjithë sistemi politik dhe shtetëror në Republikën e Shqipërisë, ku bazat janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Gazetarja: Është shtuar objekti i komisionit hetimor ndaj jush. Pra palët edhe një herë i drejtohen Komisionit të Venecias. Po i drejtoheni sërish me pyetje të reja, çfarë do të kërkoni tashmë?

Presidenti Meta: Është një absurditet vazhdimi në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese i këtij komisioni hetimor.

Por për mua nuk përbën një shqetësim.

E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022.

Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë.

Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. Sa ligje dhe sa vendime qeverie, Gjykata Kushtetuese, përpara se të paralizohej, i ka rrëzuar parlamentit apo qeverisë së Ramës?! Me dhjetëra!

Nuk kemi parë që parlamenti të jetë rrëzuar apo qeveria të jetë shkarkuar.

Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder./abcnews.al

kuvendi-artur-metani.jpg
nev ila19:00 | 20/01/2020

Me 98 vota pro, Artur Metani u zgjodh Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Për 9 vitet e ardhshme, ai do të jetë personi që do të hetojë prokurorët, gjyqtarët, anëtarët e KLGJ, anëtarët e KLP, dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Artur Metani ka një karrierë të spikatur juridike dhe aktualisht mbante postin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Megjithkëtë, kandidimi dhe përzgjedhja e tij u kritikuan nga opozita si kapje e drejtësisë nga Edi Rama, për shkak se Metani është vëllai i Eglantina Gjermanit.

Për këtë arsye, deputetja socialiste deklaroi qysh në fillim të seancës konfliktin e interesit, dhe nuk mori pjesë në votim.

Kuvendi miratoi edhe propozimin e Partisë Socialiste që Milva Ikonomi të jetë kryetarja e re e Komisionit të Ekonomisë në vend të Ahmetajt, dhe Mirela Kumbaro të jetë nënkryetare e Komisionit të Medias./abcnews.al

.

gramoz-ruci-kuvend-1280x617.jpg
ger ta17:28 | 20/01/2020

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi e ka nisur me tërmetin tragjik fjalën e tij në  seancën e sotme plenare, që hap punën për sesionin e ri parlamentar.

Ruçi shprehur falenderimet e tij për deputetët, qeverinë, duke vlerësuar po ashtu edhe rolin e opozitës në ato ditë të vështira për vendin.

Unë gjej rastin të falenderoj të gjithë deputetët që në këto ditë të vështirë ju gjendën pranë qytetarëve si motra dhe vëllezër. Do falenderoj qeverinë për mobilizimin në përballimin e pasojave. Do të vlerësojë qendrimin e opozitës që mbi interesat politike vuri solidaritetin dhe humanizmin për të dëmtuarit. Sic edhe  e kam përmendur nga kjo ngjarje ne duhet të reflektojmë për përmirësimin nga despozitat e reja ligjore. Sesioni i kaluar ka qenë produktiv”, u shpreh Ruçi.

Më tej kryeparlamentari tregoi edhe objektivat për sesion  e ri parlamentar që nis punën nga sot.

“Ky sesion duhet dhe do të jetë i punëve të mbaruara, kantierin e së cilit e kemi hapur në atë të kaluarin. Gjatë këtij sesioni duhet të përqëdrohemi:  Ojektivi ynë do të jetë çelja e negociatave në maj të këtij viti. Do punojmë për zbatimin e raportit të KE për 2019. Do të rishikojmë ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit. Do të rrisim transparencën dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. Përfundimi i Reformës Zgjedhore pas konsensusit të arritur. Gjatë sesionit të ri do të përfundojë ngritja e të gjitha organeve të reja të drejtësisë. Do të rishikojmë plotësimin dhe do të miratojmë ligje të reja në fushën e marrëdhënies me natyrën. Legjislacioni i ri duhet të parashikojë rregulla të rrepta për ndërtimet, edukimin me kulturën ati sizmike të shoqërisë. Nuk mund të hartojmë një legjislacion që parandalojë dukuritë natyrore, por që minimizon dëmet prej tyre”, deklaroi Ruçi./abcnews.al

kuvendi-1280x713.jpg
nev ila18:41 | 19/01/2020

Pas një pushimi mbi 1 mujor 122 deputetët do i rikthehen Kuvendit. Pasditen e së hënës, në orën 17:00 kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi do të çel sesionin e 6-të, të Legjislaturës 9-të të Kuvendit.

Kjo do të jetë një seancë formale pasi në të nuk ka projektligje për t’u diskutuar e miratuar. Referuar të shkuarës, kryetari i Kuvendit drejton një mesazh për deputetët, për bashkëpunim mes tyre për ligje të rëndësishme.

Në këtë seancë nuk do të jetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit do të jetë në Kiev të Ukranis, vendi i parë që ai do të vizitojë si kryeses i OSBE-së.

Seanca e pasdites do të pasohet nga një mbledhje të Konferencës së kryetarëve që do të caktojë programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për javët në vijim.

Anti-shpifja që mbylli sesionin e kaluar pritet që të jetë edhe diskutimi i parë i këtij sesioni të ri parlamentar.

Presidenti Meta ka kërkuar prej Kuvendit rishikim të paketës pasi sipas tij cenonin lirinë e medias por maxhoranca ka paralajmëruar se do e rrëzojë atë në seancën më të afërt parlamentare.

Gjatë këtij sesioni një vëmendje të veçantë do të marrë dhe kuadri ligjor që prek ndërtimet./abcnews.al

balla-1.jpg
in a15:32 | 13/01/2020

Kuvendi do ta rrëzojë dekretin e Presidentit Meta, duke mos bërë ndryshime në paketën antishpifje. Taulant Balla tha se ligji është bërë sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa komentoi dhe gjyqin ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se lideri demokrat nuk duhet të hetohet thjesht si falsifikator.

Siç kryeministri Rama e paralajmëroi në 18 dhjetor, mazhoranca nuk ka ndryshuar qëndrim për të korrigjuar paketën antishpifje.

Rikthimi në Kuvend nga Presidenti nuk do të shikohet nga mazhoranca si një mundësi për ta përmirësuar paketën ligjore të medias.

Për socialistët, gjyqi ndaj Lulzim Bashës nuk mund të kalojë kaq lehtë pa u hetuar lobimi përmes parave të dyshuara si ruse.

“Lulzim Basha nuk mund të shkojë para gjykatës me akuzën nga Prokurori vetëm si falsifikator i dokumenteve. Vendimi më i drejtë do të ishte që kjo çështje të rikthehet për hetime të mëtejshme nga ana e Prokurorisë”, u shpreh Taulant Balla.

Taulant Balla tha se reforma zgjedhore do të miratohet menjëherë në prill, pasi të ketë dalë vendi nga gjendja e fatkeqësisë natyrore, por nuk do të përfshijë ndryshimin e sistemit./abcnews.al

komisioni-i-venecias-1280x709.jpg
nev ila21:00 | 10/01/2020

ABC News siguron pyetjet e Kuvendit përmes kryetarit Gramoz Ruci, dërguar Komisionit të Venecia për hetimin e presidentit të Republikës Ilir Meta dhe emërimin e 2 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo që bie në sy në letrën drejtuar Komisionit të Venecias, është se Kuvendi ka kërkuar opinionin e këshilluesve të çështjeve kushtetuese vetëm me 6 pyetje, ndërkohë që në lidhje me këtë, ishin formuluar 10 pyetje, 5 prej të cilave nga opozita.

Partia Socialiste vendosi në nëntor të vitit të kaluar se do të çonte sërish Presidentin Ilir Meta në Komisionin e Venecias, me qëllim interpretimin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu edhe Presidenti Meta do i drejtohet Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, për procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Metës zgjedhjet janë të bëra pa garë, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilën presidenti ka akuzuar kreun e KED Ardian Dvorani.

Ja pyetjet e Kuvendit drejtuar Komisionit të Venecias: 

Ndërsa komisioni hetimor vijon punën sipas objektit të hetimit, ka lindur nevoja të kërkohet mendimi i specializuar në lidhje me disa çështje mbi sa parashtrohet me sipër. Konkretisht, Kuvendi i Shqipërisë do të vlerësonte shumë opinionin e Komisionit të Venecias, si për pyetjet sa më poshtë, ashtu edhe për çdo çështje tjetër që lidhet me rastin në shqyrtim:

  1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës se kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj” siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
  2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve e për një proces të rregullt ligjor’? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës. 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?
  3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
  4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
  5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?
  6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për tu shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?

/abcnews.al

 

 

meta-7.jpg
in a10:40 | 27/12/2019

Kuvendi nuk mundi as këtë sesion parlamentar, të miratonte reformën zgjedhore, puna për të cilën ka nisur që në vitin 2017 – të. Janë gjithsej 52 akte që Parlamenti nuk i ka miratuar dhe zvarritur ndër vite e muaj. Shkarkimi i Presidentit dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të jenë vendimet më të nxehta që Kuvendi do t’i përpunojë duke filluar nga 19 janari.

Këtë firmë Olta Xhaçka e ka hedhur në 30 qershor 2016. 2 vjet e gjysmë më parë, ajo bashkë me disa kolegë socialistë kërkuan krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore”.

Po ky projektligj nuk u miratua kurrë nga Kuvendi, dhe prej 30 muajsh pret në raftet e Kuvendit duke u bërë akti me zvarritjen më të madhe. Por nisma e Olta Xhaçkës nuk  është vetmja që pret dhe që mbartet për sesionin e ardhshëm. 52 akte parlamentare janë në sirtar, mes të cilave 37 projektligje dhe 15 projekt vendime.

Një nga dështimet parlamentare, edhe këtë sesion, është reforma zgjedhore. Puna për të ka nisur që në vitin 2017, por më shumë se dy vjet, kriza politike ka penguar që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen. Edhe pse kryeministri u zotua që disa ndërhyrje të miratoheshin brenda dhjetorit, tërmeti shfokusoi përbetimet politike, dhe zgjedhorja, ngel sfida e vitit të ardhshëm.

Shkarkimi i Presidentit është një vendim të cilin socialistët nuk e morën dot këtë vit në Kuvend, pavarësisht gjuhëve të flakta dhe “muskujt” e votave që për gjithë vitin ja shkundën Ilir Metës nga foltore të ndryshme.

Në janar, me ndihmën edhe të opozitës së re, PS do të përpiqen t’i heqin një spaletë Metës, duke ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi, me qëllim që betimet e gjyqtarëve e prokurorëve të mos bllokohen dot nga Presidenti.

Kuvendi ende nuk ka djegur me kartonë të kuq dy dekrete të Presidentit, që kanë rikthyer pas ligjin për Noterinë dhe Kadastrën.

Ligjvënësit do të kthehen nga pushimet në 19 janar./abcnews.al

hashimthaci.jpg
ger ta17:14 | 26/12/2019

Pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar edhe i Presidenti Hashim Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosovën e presin shumë sfida përpara të cilët kërkojnë unitet për t’i tejkaluar.

Sipas presidentit Thaçi partitë politike duhet të lënë mospajtimet dhe të krijojnë sa më shpejt institucionet e reja të Republikës së Kosovës.

“I uroj të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke iu dëshiruar punë të mbarë në detyrat e tyre. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës” ka shkruar Thaçi.

Në seqncën e sotme Glauk Konjufca është zgjedhur kreytar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa nënkryetarë, Arbërie Nagavci, Kujtim Shala e Memli Krasniqi./abcnews.al

parlament-karton.png
in a20:00 | 18/12/2019

Parlamenti miratoi sot paketën anti-shpifje, e cila u abstenua vetëm nga Ditmir Bushati nga ana e Partisë Socialiste. Opozita e ndarë pro dhe kundër ligjeve, ndërsa kryeministri nuk mori pjesë në votim. Më herët Rama tha në seancë se ligji ishte i dakordësuar me ndërkombëtarët, dhe se nuk cënonte lirinë e shprehjes, por lirinë e shpifjes.

Kuvendi ndryshoi me 82 vota pro ligjin për AMA-n, dhe me  87 atë për AKEP-in, duke miratuar kështu paketën anti-shpifje. Rama nuk mori pjesë në votim, ndërsa nga Partia Socialiste abstenoi në të gjitha rastet Ditmir Bushati. Opozita u përça në votim, ndërsa gjatë shqyrtimit nen për nen, u votuan disa amendamente të propozuara nga Taulant Balla që kufizojnë rolin e AMA-s për të bllokuar portalet.

Më herët në seancë plenare, Edi Rama tha se paketa ishte dakordësuar 100 % me partnerët. Votimin e paketës anti-shpifje, veç kryeministrit Edi Rama, e bojkotoi edhe Rudina Hajdari, Ralf Gjoni dhe Myslym Murrizi./abcnews.al

bledian-koka-protesta.jpg
nev ila10:33 | 18/12/2019

Protesta e gazetarëve përpara parlamentit tashmë ka filluar. Analistë, përfaqësues të shoqërisë civilem aktivistë i janë bashkuar protestës.

Gazetari Bledian Koka u shpreh se paketa antishpifje është iniciativa më banale dhe se ky është momenti që të gjithë duhet të flasin.

Sipas Kokës ndërkombëtarët nuk janë ndërgjegjësuar aq sa duhet për rrezikshmërinë që paraqet miratimi i kësaj pakete.

“Është hera e parë që marr në protestë është sfidë që po na bën qeveria e cila paralajmëron kohë jo të mira për median. Nëse nuk flasim sot nuk do të ketë një kohë tjetër për të folur. Ky është një mesazh që ne i cojmë jo vetëm parlamentarëve tanë por edh e komunitetit ndërkombëtar që për mendimin tim nuk është ndërgjegjësuar aq sa duhet, ne i kushtojmë shumë vëmendje  ndërkombëtarëve. Parlamenti ynë dihet cfarë brumi ka brenda, është e pa,mundur që ne të shpresojmë që nga ai parlament të dalë dicka e mirë, është banale situata. Ne sot mund të kemi të njëjtët deputetë të cilët i ftuam të na thonë se pse po na e mbyllin gojën, janë të njëjtët njerëz që dje betoheshin se ligji është i mirë dhe mbron të drejtat e njeriut. Dëgjova Vasilika Hysin dje që thoshte se ligji mbron qytetarët. Vasilika Hysi, Edi Rama, Musa Ulqini, Fidel Ylli, këta njerëz që kanë votuar PPP, check up-ët dhe aferat më korruptive që e kanë vjedhur këtë vend, sot na betohen që po bëjnë ligj për mediat. Qytetarëve duhet t’ja u shpjegojmë se këto janë pjesë e propagandës së tyre”, tha Koka.

Ndërkohë edhe gazetarët në Vlorë i janë bashkuar protestës së gazetarëve të të gjithë mediave në vend.

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono