kuvend

meta-5.jpg
Sej rie19:00 | 09/08/2019

President i Republikës ka rikthyer në Kuvend një tjetër ligj: atë “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”

Ne argumentet e Ilir Metës, thuhet se ky ligj: bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë; cenon kompetencat e Presidentit të Republikës; nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

Një prej pikave të ndalura gjatë nga kreu i shtetit, është kreu i Akademisë. Meta thotë se : Presidenti i Republikës është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e Kreut të Shtetit kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet në një vendimmarrje të dytë të ndonjë institucioni apo organi tjetër kushdo qoftë ai.

meta-5.jpg
Sej rie10:45 | 07/08/2019

Në argumentimin e dekretit të ri për rikthimin në Parlament të ndryshimeve të ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Presidenti i Republikës çmon se miratimi i tyre është një nismë pozitive, por tepër e vonuar e Kuvendit të Shqipërisë, dhe me pasoja negative për ekonominë e vendit.

Dy nenet problematike për të cilat e kthen në Kuvend sipas kreut të shtetit janë 17 dhe 18, të cilat siç thuhet në argumentim shtyjnë subjektivisht hyrjen në fuqi të kufizimeve që vendosen në dhënien e kontratave koncesionare/PPP, që po ky ligji i ri parashikon

“Presidenti i Republikës kërkon rishikimin tërësor të këtyre dy neneve, sepse ato kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi këto dy dispozita krijojnë hapësirën e nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste”.

Projektligji në fjalë, i shqyrtuar në komisione parlamentare në shkurt të këtij viti, kaloi në seancë plenare të datës 18 korrik, 4 muaj më pas, vonesë për të cilën Presidenti nuk gjen ndonjë argumentim ligjor.

Por Meta evidenton se vetëm 24 orë përpara se seanca plenare e Kuvendit, do të votonte ligjin për të kufizuar dhënien me koncesion të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, z.Arben Ahmetaj ka paraqitur një kërkesë për ndryshimin e dy neneve (17 dhe 18), me qëllim që këto kufizime të shtyhen edhe me  3 muaj të tjerë. Dhe kjo kërkesës e deputetit Ahmetaj u miratua

“Duke shtyrë afatin e kufizimeve që vendos ligji i ri, për një datë të mëvonshme 1 tetor 2019, Kuvendi në kundërshtim me interesin publik krijon një mundësi të re që çdo kërkese për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim sërish me ligjin e vjetër. Pra çdokush mund të paraqesë një kërkesë për të marrë gjithçka me koncesion, dhe kjo sepse të gjitha kufizimet e ligjit të ri të sapomiratuar nr. 50/2019, shtyhen për t’u aplikuar në një datë të mëvonshme”.

Presidenti shprehet i shqetësuar për atë që e quan ligjërim të praktikave të dyshimta koncesionare.

“Kuvendi duke shtyrë afatin e zbatimit të ligjit, bëhet “de facto”, ligjërues i praktikave të dyshimta koncesionare dhe hap edhe një herë mundësinë që këto praktika që kanë gërryer ekonominë e çdo familje shqiptare, të vijojnë të realizohen pa u penguar edhe për këto 3 muaj të tjerë”.

Hyrja ne fuqi e ndryshimeve ligjore pas 1 tetori , sipas presidentit, përben jo vetëm rrezik për cenim të interesit publik, por edhe pabarazi në trajtimin e subjekteve private në kundërshtim me parimet kushtetuese.   Po ashtu, shtyrja në kohë e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ne ligjin për koncesionet dhe PPP, sipas argumentimit të kreut te shtetit shton rrezikun e rritjes së borxhit publik, nisur nga fakti që deri në datën 1 tetor 2019, mund të paraqiten oferta të reja të pakërkuara./ABC News Albania 24/7

taulant-balla-3.jpg
G. P.14:40 | 18/07/2019

Nuk ka patur një përgjigje direkte për deklaratat e Metës, por kreu i shtetit është shënjestruar sot nga foltorja e Kuvendit nga numri dy i socialistëve Taulant Balla. Kreu i grupit të deputetëve socialistë tha se Meta është shndërruar tashmë në bashkëkryetar të opozitës, por mazhoranca është e vendosur që ligjet që po kthen mbrapsht, do i rivotojë në shtator në Kuvend.

“Po e them sot se me këto ndryshime në Kodin Penal, sa herë që të vandalizohen institucionet, shkatërrohet prona private, se ende nuk kemi bërë një diskutim se sa janë dëmet vetëm për prona private apo goditje të qytetarëve dhe punonjësve të policisë ka pasur, do të vazhdojë edhe pas ditës së sotme të ketë pasoja individuale të gjithë dhunës. Nuk kam ndonjë dyshim që këto ndryshime në Kodin Penal, Presidenti në detyrë i Republikës, do të na i kthejë për t’i rivotuar edhe njëherë në Shtator.

Nuk kam asnjë dyshim. Si një prej bashkëkryetarëve në detyrë të opozitës me seli në Presidencë, kur pashë që Presidenti i Republikës ktheu edhe ndryshimet në ligjin e vetëqeverisjes vendore që mundësojnë, që më në fund në Shqipëri, në organet e pushtetit vendor, të ketë një zyrë, një njeri që të kujdeset për çdo vërtetim, për çdo lloj halli që kanë dy milionë shqiptarë ,që janë jashtë territorit të Shqipërisë, nuk kam asnjë dyshim që Ilir Meta, nuk ka më sy e veshë për të parë e dëgjuar, se për çfarë kanë nevojë shqiptarët. Ilir Meta ka sy e veshë për të dëgjuar se çfarë do Luli, Monika dhe Saliu dhe e ka kthyer atë presidencë në institucionin e qarjes së hallit të Saliut, Lulit dhe Monikës. Nëse Ilir Meta i kthen këto ndryshime në Kodin Penal aq na bën, sepse me të filluar shtatori, këtu do jemi, përsëri do duhet t’i votojmë”, tha Balla./abcnews.al

edi-rama123.jpg
G. P.22:47 | 08/07/2019

Edi Rama kërkoi në Kuvend votë unanime për hetimin parlamentar të presidentit, duke thënë se Ilir Meta duhet ndalur, pasi është çekuilibruar nga frika e drejtësisë, është kthyer në armik jo vetëm i Kushtetutës, por edhe i aleatëve ndërkombëtare. Në fjalën e tij, kryeministri tha se 30 qershori tejkaloi të gjitha pritshmëritë e tij për pjesëmarrjen në votime.

“Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur dhe vazhdon ta derdhe atë përditë, duke na dhënë çdo ditë një arsye për t’u ndjerë të keqardhur”, tha Rama.

Për 30 minuta, në foltoren e parlamentit Edi Rama bëri bilancin e mëkateve politike e juridike të Ilir Metës,  njeriut që gjatë karrierës së tij, e ka pasur aleat, po aq herë sa rival.

“Jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej”.

Kryeministri kërkoi votë unanime për komisionin hetimor që e sjell një hap më parë shkarkimin e presidentit

“Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij, si deputetë të këtij Kuvendi, duhet të jetë frontal”.

Kreu i qeverisë i ka disa arsye se pse Ilir Meta nuk mund të jetë më kreu i shtetit.

“Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i qeverisë.  Ai sot është armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë. ”

Si njeri që e njeh mirë Ilir Metën, Edi Rama i diagnostifikon kështu sjelljet presidenciale.

“Ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia. Është një armiqësi e ushqyer nga dëshpërimin prej disfatës së turpshme të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve”.

Klimën e acaruar zgjedhore, kreu i qeverisë ja faturon sërish Metës.

“Me antidekretin e tij, ai nxiti përhapjen e dhunës në territoret e bashkive të drejtuara nga opozita dhe frymëzoi aktet e vandalizmit ndaj infrastrukturës zgjedhore, që nga djegiet kriminale të shkollave, deri tek kryengritja groteske e bravave”.

Edhe pse gjendja e Presidentit do të ishte një favor elektoral për qeverinë, Edi Rama thotë se e refuzon këtë dhuratë.

“Ashtu i dizekuilibruar prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar, që bashkëudhëhoqi me 3 kalorësit e tjerë të apokalipsit imagjinar, hakërrues dhe qesharak njëkohësisht, në pafuqinë e tij, ai është sot, faktikisht, një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë lloj figurine kërcënuese në Presidencë, edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vitesh.”

Pasi ka lexuar edhe raportin e ODIHR me vëmendje, kryesocialisti është i kënaqur me atë çfarë arriti.

“Sidoqoftë, e vërteta e thjeshtë është se pjesëmarrja e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën në atmosferën mizerabël që u zhvilluan këto zgjedhje. Ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash, sesa kishte koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në vitin 2015”.

Atë që opozita e quan Komisioni Qendror i Vjedhjeve, Rama e mori në mbrojtje.

“Përballë dëshpërimit kreativ të frontit të së keqes së këtyre zgjedhjeve, KQZ-së nuk i mbeti rrugë tjetër, veçse të rezistojë, duke mbrojtur frymën e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, për të shpëtuar zgjedhjet nga shkatërrimi i paralajmëruar”.

Vërejtjeve të ODIHR-it kryeministri ju përgjigjet me një zotim.

“Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do të duan, apo nuk do të duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve që ikën, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore, besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare”.

Në fund, një apel për Ilir Metën për sa kohë do të jetë ende në zyrë.

“Të reflektojë dhe ta grumbullojë veten e shpërndarë dhe ta mbledhë brenda kornizës së përgjegjësive të kompetencave të tij. Të ndërpresë çdo sulm kundër përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Shqipëri, të ndërpresë çdo sulm ndaj Parlamentit, të cilin nuk ka dyfek presidencial që e cenon në legjitimitetin e vet, siç nuk ka dekret molotov që e shkurton mandatin e tij”./ABC News Albania 24/7

parlamenti.jpg
Sej rie18:40 | 08/07/2019

Kuvendi ngriti komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, duke i lënë afat deri në 8 Tetor të vlerësojë nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën. Komisioni do të drejtohet nga Ulsi Manja dhe në të nuk pranoi të marrë pjesë asnjë deputet i ardhur nga listat e LSI. Ky vendim u mor me 102 vota në parlament.

102 kartonët jeshilë për hetimin e Ilir Metës i forcojnë bindjen mazhorancës se do t’i sigurojnë 94 vota për shkarkimin e Presidentit. Kundër këtij vendimi ishin deputetët e opozitës parlamentare, si Elda Hoti, Lefter Maliqi, Artur Roshi, Suzana Topi, Edlira Hyseni, etj.

Në seancën parlamentare munguan tre ligjvënësit më aktivë të opozitës, Rudina Hajdari, Ralf Gjoni dhe Myzlim Murrizi që kishin kërkuar shtyrjen e këtij vendimi deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

Socialistët janë të bindur se kur anuloi 30 qershorin, Ilir Meta ka shkelur të paktën 9 herë Kushtetutën.  Opozita parlamentare është e përçarë për shkarkimin e presidentit, por në një zë kur kritikojnë mazhorancën.

Komisioni hetimor do të ketë anëtarë nga PS, Ulsi Manja, Vasilika  Hysi, Klotilda Ferhati, Bashkim Fino dhe Alket Hyseni, ndërsa nga grupi parlamentar demokrat Alban Zeneli do të jetë zv.kryetar dhe Halit Valteri anëtar. Nga deputetët e ardhur nga listat e LSI nuk ka asnjë anëtar, ndërsa dy vende në komision janë zënë nga Adriatik Alimadhi dhe Krenar Rryçi./abcnews.al

spiropali.png
Sej rie18:00 | 08/07/2019

Nga Kuvendi ministrja për Shtetin dhe Marrëdhënit me Parlamentin Elisa Spiropali është shprehur se Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta duhet ngritur një orë më parë. Më tej vendimin e Metës për zhdekretimin e datës 30 Qershor, kur u mbajtën zgjehdjet locale ajo e quajti atentat ndaj të ardhmes evropiane të vendit.

“6 muaj përpjekje anti-kombëtare për të destabilizuar Shqipërinë duke shkatëruar zgjedhjet e 30 Qershorit . Molotovët dhe flakadatë vërtet i mbante në dorë opozita e rrugës, por urat e flakës i mbante ndezur Ilir Meta nga zyra e Presidentit të Republikës. Ai ushqeu me lugën e zbrazët të dekretit nul shpresat e  çartura të opozitës së rrugës. Presidenti Ilir Meta nga zyra planifikoi kthimin pas të orës së Shqipërisë. Kumtet e tij ishin të qarta “Qameti u bëftë, Shqipëria kurrë mos u bëftë”. Atentati ndaj të ardhmes evropiane të Shqipërisë i planifikaur bashkë me Sali Berishën, me zbatues Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, ishte gjakftohtë dhe me paramendim. Ky atentat dështoi jo vetëm prej vendosmërisë së kësaj shumice dhe këtij Parlamenti, për të mos bërë pazar me të ardhmen, por edhe mbështetjes pa asnjë çedim të SHBA-së dhe BE-së”./abcnews.al

arta.jpg
G. P.11:28 | 20/06/2019

Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, deklaroi këtë të enjte se qarqet Fier dhe Durrës kanë rritjen më të lartë për vitin 2018 sa i përket tendencës së kriminalitetit. Marku paraqiti në seancën plenare raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin e kaluar.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme theksoi se numrin më të lartë të procedimeve në vend e ka pasur Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë. Ndërkohë vepra penale me numrin më të lartë të procedimeve është ajo e vjedhjes.

“I janë dërguar gjykatës 570 kërkesa për miratimin e marrëveshjes së fajësisë. Edhe kjo shifër është në rritje të ndjeshme krahasuar një vit më parë. Janë dërguar në gjykatë për pushim 2605 çështje. Numrin më të lartë të procedimeve në shkallë vendi e ka regjistruar Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë. Sa i përket tendencës së kriminalitetit vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2018 e ka qarku Durrës dhe Fier. Vepra penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara është ajo e vjedhjes së pasurisë, por duhet thënë që ka një ulje të lehtë krahasuar me vitin 2017. Gjatë gjithë aktivitetit të saj prokuroria shqiptare ka patur si qëllim të përmbushë rekomandimet e dhëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2018 dhe po kështu rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit. Rekomandimet e dhënë nga Kuvendi janë përkthyer në një plan të mirëfilltë veprimi dhe i janë dërguar çdo prokurorie për ta mbajtur parasysh gjatë aktivitetit”, tha Arta Marku.

Për sa i përket këtij plani, Marku theksoi se janë kryer më shumë se në vitin 2017 hetime proaktive. Për sa i përket veprës penale të korrupsionit, në vitin 2018 numrin më të lartë të procedimeve e zë vepra penale e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Edhe për këtë rast procedimet janë rritur krahasuar me 2017-n sipas Markut.

“Është rekomanduar rritja e numrit të hetimeve në tërësi dhe në veçanti e hetimeve joaktive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rezulton se gjatë vitit 2018 janë kryer hetime proaktive dhe me përdorim të teknikave të posaçme të hetimeve në kuadër të 93 procedimeve penale. Krahasuar me vitin 2017 shifra është në rritje. Kjo veprimtari ka shërbyer në ndalimin e 73 personave si të dyshuar në kryerjen e veprave penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit në vitin 2018 e zë vepra penale e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Procedimet për këtë vepër janë rritur nga 61 për vitin 2017 në 74 procedime për vitin 2018”, tha Arta Marku./abcnews.al

TE-HENEN-NE-PS-NIS-SHKARIMI-I-METES.mpg_snapshot_00.23-1280x720.jpg
ent ela13:35 | 15/06/2019

Partia Socialiste do të depozitojë të hënën kërkesën për shkarkimin e presidentit të republikës me argumentin se ka shkelur Kushtetutën duke anulluar datën e zgjedhjeve. Pasi parlamenti të ndjekë procedurat e tij deri në votimin e shkarkimit të kryetarit të shtetit do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit.

Të hënën do të nisë procedura për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Lajmin e dha kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja gjatë një takimit me banorë të njësisë 11 në Tiranë.

“Ditën e hënë futet në furrë. Ka qenë në ngrirje, fillon dhe shkrihet nga e hëna”.

Partia Socialiste do të depozitojë në Kuvend kërkesën me firmat e deputetëve. Ndonëse mjaftojnë 35, mazhorancës i janë bashkuar edhe deputetë të opozitës parlamentare duke e cuar në 55 numrin e firmave të mbledhura.

Ky është hapi i parë që parashikon Rregullorja e Kuvendit, neni 112 I të cilës detyron që : “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës”.

Kërkesa do të shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve nga ku pritet të shihet nëse do të merret vendim për ngritjen e një komisioni hetimor apo jo.

Brenda 15 ditëve raporti i komisionit të Ligjeve paraqitet për votim  në Kuvendin e Shqipërisë bashkëngjitur me propozimin ose jo të ngritjes së komisionit hetimor. Pasi të përfudojnë të gjitha këto procedura konferenca kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit.

Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.

Vendimi për shkarkimin e presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Është kjo gjykatë që hedh firmën e fundit mbi qëndrimin ose jo në detyrë të presidentit Ilir Meta. / ABC News Albania 24/7

rana-922x445.jpg
Sej rie14:30 | 13/06/2019

Asgjë nuk ishte paralajmëruar, por masat i mori policia për të rrethuar parlamentin me uniforma blu e tela me gjemba. Pika e vetme në rendin e ditës,rezoluta ndaj dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve i mobilizoi për të mbrojtur deputetët.

Kryeministri Edi Rama fjalimin e tij të gjatë e kishte përqendruar jo vetëm në antikushtetueshmërinë e vendimit të kryetarit të shtetit, por edhe se çfarë përfaqëson Ilir Meta, politikan që kjo mazhorancë ia ka falur edhe skandalet i kujtoi kreu i qeverisë.

“Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere, sesa këtij njeriu, të cilin, pa mbushur ende 50 vjeç, e ka bërë si askënd tjetër në histori, edhe Kryeministër, edhe Kryetar Kuvendi, edhe President të republikës? Jo president të republikës, por mbret të të gjithë shqiptarëve po ta shpallnin shqiptarët, madje jo vetëm të Shqipërisë, por të gjitha trojeve dhe viseve shqiptare, prapëseprapë, Ilir Meta nuk do ndihej mirë, nuk do qëndronte drejtë, nuk do ndalej së tunduar fatin e vet, me pakënaqësitë e tij të pashërueshme, me pangopësinë e tij të pashpjegueshme, me pagjumësinë e tij të pangushëllueshme”, tha Rama.

Duke u rikthyer pas në kohë, në ditën e votimit të Ilir Metës si president i vendit thotë se bëri atë që bënë të gjithë, ngriti kartonin jeshil, një veprim i detyruar sipas kryeministrit Rama.

“Unë e kam votuar Metën si president. Të gjithë në këtë sallë kanë bërë të njëjtën gjë. Nuk jam penduar, nëse do ktheheshim pas do bëjë të njëjtën gjë”, tha Rama.

Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga deputeti i opozitës Kujtim Gjuzi. Sqaron se mund t’i thoshte po anulimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit sepse siç u shpreh vetë kryeministri nuk do t’i prishte punë as atij personalisht e as qeverisë që drejton. Por ka arsye të forta sipas tij që t’i përgjigjet prerë.

“Por jo. Jo dhe jo. Kurrsesi jo. Unë njëherë jo, asnjëherë nuk do të dorëzohem as si kryeministër jo e jo, por as si qytetar i thjeshtë i këtij vendi”, tha ai.

Sot nuk shohin zgjidhje tjetër socialistët përveçse ta këshillojnë presidentin që sipas tyre nuk meriton të qëndrojë në atë detyrë.

“I uroj sot me gjithë zemër ta lexojë me qetësi dhe me kthjelltësi rezolutën e këtij Kuvendi, nëse ka ende probleme me dëgjimin dhe nuk do t’i kuptojë qartë fjalët që po thuhen sot nga ky Kuvend në adresë të tij”, tha kreu i qeverisë

Kjo seancë parlamentare u mbyll me këshillat votimin e rezolutës dhe këshillat që iu drejtuan presidentit nga deputetët e majtë e të djathtë në Kuvend./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono