kupa

KUPA-LACI-NE-FINALE-1280x720.jpg
ent ela18:42 | 18/04/2018

Laçi siguroi një tjetër finale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra kurbinase do të synojë trofeun e tretë në historinë e saj, pas eleminimit të Kukësit kampion.

Nuk ka ekip më të mirë këto vitet e fundit.

Laçi mund të quhet pa frikë si skuadra eksperte e Kupës së Shqipërisë, pasi arriti përsëri finalen.

Edhe pse nuk ishte në rolin e favoritit, u kualifikua brenda në Kukës, falë golit në fushë kundërshtare, dhe fitoi të drejtën për të luajtur finalen e katërt në 6 sezonet e fundit.

Kurbinasit e trajnerit vlonjat Gentian Mezani dhe të presidentit Pashk Laska, do të ketë mundësinë të fitojnë trofeun e tretë në histori, diçka që nëse ndodh, i barazon me Teutën dhe I afron me Flamurtarin.

Në të vërtetë nisi shumë keq për miqtë në stadiumin “Zeqir Ymeri” që u ndëshkuan me penallti që në minutën e 19-të.

Njëmbëdhjetëmetërshin e fitoi sulmuesi kryesor, Sidrit Guri, dhe ishte po ai që kaloi Kukësin në epërsi.

Pavarësisht se Laçi është quajtur rival serioz kohët e fundit, u mendua se kampionët e drejtuar nga trajneri Peter Pakult do t’ia dilnin.

Jo më kot kishin shfaqur formë shumë të mirë gjatë gjithë këtyre javëve, duke forcuar pozitat në vend të dytë, duke qenë pranë një kualifikimi të mundshëm në Champions.

E tregoi edhe fitorja 4-0 ndaj Partizanit fundjavën e kaluar.

Të gjitha këto nuk vlejtën sidoqoftë, gjithnjë për atë që u shfaq në fushën e lojës.

Kurbinasit reaguan dhe barazuan me Rezhinaldon, lojtarin që pak ditë më parë pretendoi se presidenti i tij, Laska, e dhunoi fizikisht.

Për më tepër, miqtë patën mundësi edhe të shënonin golin e fitores, ndonëse u mjaftonte barazimi.

Kualifikim me gol në fushë kundërshtare, pas rezultatit 0-0 në Laç.

Si mund të emërtohet eleminimi i kampionëve?

Në futbollin shqiptar, gjithnjë të paragjykuar dhe me arsye, dyshimet janë për një kombinim tresh, me Kukësin në Champions, Partizanin në Ligën e Europës nga kampionati dhe Laçin po në Ligën e Europës nga Kupa.

Ndoshta, kombinimi mund të bëhet i plotë me kualifikimin në Europë edhe të Luftëtarit, edhe pse si gjithnjë këto janë vetëm supozime. /abcnews.al

vlcsnap-error329-1-1280x720.jpg
gra moz22:32 | 28/02/2018

Etrit Berisha nuk arriti të kualifikohej për në finalen e Kupës së Italisë. Portieri i kombëtares shqiptare u dorëzua në fund në fushën e Juventusit, edhe pse vetëm pas një penalltie.

Ky brez kampionësh nuk ngopet lehtë.

Xhanluixhi Bufon dhe gjithë yjet e tjerë të Juventusit realizuan një tjetër objektiv, edhe pse një finale dhe jo një trofe, atë të Kupës së Italisë.
Në një sezon më të vështirë se zakonisht, edhe suksesi nuk ishte plotësisht i lehtë ndaj Atalantës modeste si emër, por të fortë në fushë, që pati sërish në portë Etrit Berishën e kombëtares shqiptare.

Suksesi 1-0 në ndeshjen e parë falë golit të Gonzalo Higuainit nuk është se i dha shumë qetësi kampionëve të Italisë, pasi miqtë nga Bergamos ushtruan presion pa u trembur.

Gjithsesi, diferenca në cilësi ishte e madhe në stadiumin e Torinos, pavarësisht nga karakteri i ekipit të drejtuar nga trajneri Gasperini.
Juventusi e mori shpejt komandën, por u duk përsëri se nuk është në momentin më të mirë.

E pati shumë të vështirë të krijonte raste të pastër, diçka e paimagjinueshme për këtë formacion, të paktën në futbollin italian.

Besohet se me këtë formë, nuk do ta ketë të lehtë të arrijë kualifikimin për në çerekfinalet e Championsit, ndërsa shkon në fushën e Totenhemit pas barazimit 2-2 në Torino.

Skuadra e trajnerit Masimiliano Alegri pati madje fat që sfida nuk shkoi në shtesë, pasi vetëm shtylla e shpëtoi nga pësimi i golit, kur takimi ishte në 0-0.
Në fund, lehtësimi erdhi nga një penallti e fituar nga Matyidi.
Për fatin e juventinëve, përballë Etrit Berishës nuk u vendos Dibala, që nuk ishte fare në fushë, por Miralem Pjaniç dhe boshnjaku nuk gaboi.
Fitorja e dytë 1-0 dhe finalja e parë e sezonit për kampionët./abcnews.al

vlcsnap-error754-1280x720.jpg
gra moz21:19 | 14/02/2018

Asnjë skuadër nga kryeqyteti nuk kualifikohet për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Pa problem Skënderbeu, por kualifikime të vështira për Flamurtarin e Kukësin.

Emocione nuk kanë vetëm Championsi apo Liga e Europës.
Edhe pse duket një krahasim që nuk qëndron, sërish çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë patën vërtet duele të fortë dhe rivalitet deri në fund.
Pas ndeshjeve të dyta u përcaktuan gjysmëfinalistët që janë Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi e Laçi.

Eleminohet kryeqyteti, me Partizanin e Superligës dhe me Tiranën e Kategorisë së Parë, por që ishte fituese e Kupës në fuqi.
Në stadiumin “Selman Stërmasi”, tifozët ndoqën padyshim përballjen më të hapur dhe me nivel më të lartë, atë Partizani-Flamurtari.
Vlonjatët ia dolën edhe pse këtë herë humbën 1-2, ndërsa përveç tre golave mund të ishin shënuar edhe të tjerë.
Miqtë, që kishin fituar 1-0 ndeshjen e parë në shtëpi, kaluan shpejt në avantazh dhe u duk se e mbyllën çështjen e kualifikimit, por Partizani kishte mendim tjetër.
Edhe pse trajneri Starova sërish nuk ishte në stol, kryeqytetasit barazuan në pjesën e parë me Trashin dhe fituan me rrjetën e Asanit, pas gabimit të portierit vlonjat, Nurkoviç.

Flamurtari mbetet brenda të gjithë objektivave, në vend të dytë në Superligë dhe në katërshe të Kupës, ndërsa për të kuqtë, sezoni bëhet edhe më I dështuar.
Kualifikim pa asnjë problem për Skënderbeun që mundi 3-0 Teutën në Korçë, pas fitores 2-0 në Durrës, me gola të shënuar nga Lilaj e dy herë nga Soue.
Shqetësim te korçarët për dëmtimin e Jashanicës.
Më herët u luajtën dy sfida të tjera.

Kukësi siguroi gjysmëfinalen pas një prove të fortë me Tiranën në “Zeqir Ymeri”.
Kampionët fituan 1-0 me gol të shënuar shpejt, që në minutën e 4-t, nga sulmuesi Guri dhe u mbajtën deri në fund.
Ndeshja ishte interesante dhe të dyja skuadrat kishin mundësi shënimi.
Mes tre ekipeve shumë të forta financiarisht, në katërshe shkon edhe Laçi.
Kurbinasit fituan edhe në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, 1-0, me gol të shënuar nga Rezhinaldo, duke iu kujtuar të gjithëve se e kanë fituar kupën dy herë vitet e fundit, në 2013 e 2015./abcnews.al

vlcsnap-error882-1-1280x720.jpg
ent ela15:43 | 30/01/2018

Luftëtari cilësohet si favorit ndaj Laçit, në Kupën e Shqipërisë, sidomos pas fitoreve ndaj ekipeve më të fortë të Superligës. Trajneri Hasan Lika flet për përballjen dhe kërkon të largojë euforinë.

Festa ishte e merituar, por duhet të harrohet sa më shpejt.

Skënderbeu është tashmë e kaluara, edhe pse shumë e bukur, dhe Luftëtari duhet të përqëndrohet menjëherë tek një tjetër synim, Kupa e Shqipërisë.

Çerekfinalet i kanë vënë përballë Laçin, ndaj të cilit ndeshjen e parë do ta luajë pikërisht në Gjirokastër dhe vendasit janë me fat që kanë trajnerin Hasan Lika, tepër të ekuilibruar.

Si e mendon Lika sezonin e Luftëtarit, që është i angazhuar në të dyja garat.

Kupa është specifike, kemi ambicie edhe në kupë edhe në kampionat.

Luftëtari mendohet favorit ndaj Laçit, duke pasur parasysh fitoret bindëse ndaj Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeut, por është e sigurt se trajneri Lika u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të kenë kujdes./abcnews.al

zidane.jpg
ent ela16:12 | 25/01/2018

Reali i Madridit në krizë të plotë pas turpërimit në Kupën e Spanjës. Trajneri Zidane rrezikon seriozisht postin, dhe vetëm Championsi mund të shpëtojë këtë sezon të dështuar.

Përfundimi në “Bernabeu” ishte kështu.

Vërshëllima për madrilenët, dhe lumturi e jashtëzakonshme për Leganjesin modest.

Edhe kjo i mungonte një sezoni thuajse të dështuar për Realin, pra eleminimi që në çerekfinale nga Kupa e Mbretit.
Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë nuk ndihmoi ndërsa trajneri Zidane rrezikoi shumë duke lënë jashtë shumë nga titullarët.

Eksperimenti i detyruar edhe nga ngarkesa e madhe e sezonit, iu kthye në një dështim që mund të quhet katastrofë.
Vetë francezi nuk u shmang pas ndeshjes.

Zinedine Zidane: “Jam unë përgjegjësi për këtë që ndodhi. Për mua është një dështim i qartë dhe jam shumë i dëshpëruar e i zhgënjyer. Do ta marr përsipër përgjegjësinë, por duhet të nisim të punojmë që nesër për të menduar për ndeshjen e së shtunës. Menduam se mund t’ia dilnim pas fitores së ndeshjes së parë, por gabuam. Kundërshtari bëri një ndeshje të vërtetë, ndërsa ne jo. Është një goditje shumë e fortë për ne dhe për mua”.

Turpërimi ishte i plotë pasi Leganjes ishte për herë të parë në histori në çerekfinale të Kupës, dhe për herë të parë u kualifikua për në gjysmëfinale.
Kritikat nga mediat spanjolle erdhën si rrebesh për skuadrën kampione të Spanjës, të Europës dhe të Botës.

“Marka”: “Tronditje dhe turpërim! Të bardhët largohen edhe nga Kupa, në katastrofën e parë të madhe të epokës Zidan. Vërshëllima për trajnerin dhe ekipin, por Leganjes e meritoi”.

“AS”: “1-2, Kataklizmë! Zidan: Ishte një katastrofë shumë e qartë për mua”! Emri i Leganjesit do të ushtojë në të gjithë botën”!

“El Mundo Deportivo”: “As kampionat, as kupë! Shpërthim i madh i Leganjesit në “Bernabeu”. Mbetet vetëm Championsi për të shpëtuar Realin e Zidanit”!

“Sport”: “Mallkim i plotë! Pa kampionat dhe pa kupë, dhe turpërim me Leganjesin për Madridin. “Bernabeu” kundër lojtarëve, kërkon largimin e Zidanit”!
Eleminimi nga Kupa ishte thjesht një tjetër goditje në një sezon shumë të keq.

Reali është në vend të katërt në ligën spanjolle, plot 19 pikë prapa Barcelonës kryesuese, pra praktikisht nuk e mbron dot titullin.
Edicioni mund të shpëtohet dhe Zidan të mbajë postin vetëm nëse fitohet Liga e Kampionëve, veçse përballë Paris SG pritet të jetë shumë e vështirë./abcnews.al

vlcsnap-error126-1280x720.jpg
gra moz18:38 | 12/01/2018

Dy ndeshje derbi do të luhen në çerekfinalet e Kupës së Spanjës. Real Madrid dhe Barcelona do të përballen me Leganes dhe Espanyol.

Shorti për çerekfinalet e Kupës së Mbretit në Spanjë solli dy ndeshje derbi.
Leganes – Real Madrid dhe Espanyol – Barcelona.
Leganes është një skuadër nga rrethinat e Madridit, ndërsa Espanyol është skuadra e dytë e katalunjas në La Liga. Duelet pritet të kenë tension dhe emocione, aq më tepër për Realin dhe Barcelonën që janë pretendente kryesore jo vetëm në garën e kupës.
Për Realin ndeshja ndaj Leganes do të jetë vendimtare, pas rezultateve të munguara në kampionat dhe kritikave ndaj të gjithëve në ekip. Leganes është për herë të parë në histori në këtë fazë të kupës dhe tashmë nuk ka ç’të humbë. Ndërsa Barcelona kurrë nuk do t’ia linte pa luftuar deri në fund një ndeshje të tillë rivales së krahinës.
Ndeshjet e tjera çerekfinale janë Atletico Madrid – Sevilla dhe Valencia – Alaves. Takimet do të luhen me 16 dhe 18 janar, ndërsa të kthimit një javë më pas./abcnews.al

vlcsnap-error765-1-1280x720.jpg
us er15:32 | 13/12/2017

Tirana arrin një kualifikim të vështirë dhe të rëndësishëm në Kupën e Shqipërisë, në Shkodër ndaj Vllaznisë. Përballja ishte e tensionuar dhe në fund u sulmua gjyqtari Jorgji.

Nervat nuk u përmbajtën dot në fund.
Dy ekipet më të vjetër dhe historikë të vendit e mbyllën me turp përballjen e tyre në Kupën e Shqipërisë dhe nuk mungoi as sherri me lojtarëve dhe as tentativa për të goditur gjyqtarin.
Tifozë shkodranë, që nga tribuna kryesore nuk i kursyen sendet e forta të hedhura në drejtim të Enea Jorgjit, të cilin e akuzuan për arbitrim të njëanshëm.

Tensioni kishte nisur që gjatë ndeshjes së kthimit të të tetave të finaleve, madje pa kaluar mirë gjysmë ore, kur Hoxhallari i Tiranës dhe Krymi i Vllaznisë patën sherr dhe si rrjedhojë u përjashtuan me karton të kuq.

Vllaznia arriti të fitonte, por suksesi 1-0 me golin e zëvendësuesit Kalaja nuk i mjaftoi, pasi tiranasit kishin fituar 2-0 në sfidën e parë në “Selman Stërmasi”.
Madje, kryeqytetasit e nisën më mirë sfidën, duke pasur më pak presion për shkak se vinin në epërsi të dy golave.
Po nuk shënove, në futboll mund të ndëshkohesh, dhe thuajse kështu i ndodhi miqve të trajnerit Ze Maria.

Vllaznia e mori veten shpejt dhe e kërkoi me ngulm golin e avantazhit, duke krijuar disa raste të mirë, por duke shpërdoruar shumë.
Për fat të keq, asnjëra nga skuadrat nuk bindi plotësisht dhe deri diku ishte e kuptueshme.

Vllaznia vërtet është në Superligë, por vetëm në vend të parafundit, ndërsa Tirana këtë sezon është më e dobësuar, pasi luan një kategori më poshtë.
Vetë trajneri Ze Maria pranoi se ekipi i tij luajti një ndeshje të dobët dhe se meritonte të eleminohej.
Gjithsesi, ndodhi e kundërta dhe tiranasit do të kërkojnë të kalojnë edhe Kukësin në çerekfinale, të fitojnë Kupën dhe të kualifikohen për në Europë sezonin e ardhshëm./abcnews.al

vlcsnap-error427-1-1280x721.jpg
us er18:16 | 28/11/2017

Tirana luan ndaj Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë, në atë që cilësohet si derbi më i vjetër në histori. Trajneri i kryeqytetasve, Ze Maria, nuk e ka harruar rënien e vjetshme nga Superliga, që ndodhi pikërisht në Shkodër.

E kishte mendjen në ndeshje të tjera, dhe e pyesnin për këtë.
Trajneri i Tiranës, Ze Maria, doli më në fund përpara gazetarëve për atë sfidë që publikut i duket më interesante.
Kryeqytetasit, që janë në Kategorinë e Parë, do të kenë shans të maten me një skuadër të Superligës.

Ze Maria: “Sot mund të flasim për Vllazninë, djem, sot mund të pyesni për Vllazninë”.

Ze Maria nuk ishte në stol sezonin e kaluar, por braziliani nuk e ndan veten nga disfata e madhe që u vulos pikërisht me barazimin në fushën e Vllaznisë, në javën e fundit të kampionatit.

“Do të jetë një derbi, për vetë historinë, për kohën e gjatë të ekzistencës së këtyre skuadrave. Një ndeshje e rëndësishme për tifozët e Tiranës. Do të jetë një ndeshje e vështirë, delikate nga çdo këndvështrim sepse plaga e vjetshme kur ekipi ra nga Superliga është ende e hapur dhe do të dojë ende kohë që të mbyllet. Gjithsesi, kam folur edhe me lojtarët. Ajo që ndodhi vjet, është e kaluara. Sot ekipi ka trajner tjetër, shumë lojtarë të tjerë dhe mentalitet tjetër. Do të luajmë për fitore dhe kualifikim”.

Kurioziteti tjetër ishte lidhur me ndryshimin e kapitenit.
Përse Ze Maria ia dha shiritin Sentamos në ndeshjen e fundit?

“Zgjodha Junes Sentamon si kapiten sepse ai është një shembull për të tjerët, për mënyrën sesi stërvitet. Veçse, jo vetëm ai. Mund të ishte edhe Daja, apo edhe lojtarë të tjerë. Zgjodha Sentamon për të treguar se kur lojtarët stërviten me seriozitet mund të jenë të gjithë kapitenë të kësaj skuadre, pavarësisht se nga vjen dhe sa kohë ke luajtur. Kapiteni i Milanit arriti atje vetëm para dy muajve”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono