kupa e ligës

PSG-3.jpg
Igli Nikolli23:09 | 22/01/2020

PSG ka fituar pastër 0-3 në fushën e Reims dhe është kualifikuar në finalen e madhe të Kupës së Ligës. Braziliani Marquinhos hapi serinë e golave në minutën e nëntë. Mbrojtësi realizoi me kokë pas një krosi të Neymar, teksa pas gjysmë ore lojë erdhi dyfishimi.

I pafat N’Clomande që devijoi në portën e tij gabimisht një kros nga krahu i majtë. Vendasit mbeten me një lojtar më pak 16 minuta përpara fundit të ndeshjes dhe kampionët e Francës realizuan edhe golin e tretë me anë të Kouassit. PSG do të përballet në finale të këtij kompeticioni me Lyon, që ia doli të eliminonte Lille mbrëmjen e kaluar pas goditjeve të penalltive. /abcnews.al

Reims – PSG 0-3
(Marquinhos 9′, N’Clomande (aut) 31′, Kouassi 78′)

carabao.jpg
ad min13:59 | 25/02/2019

Pep Guardiola u barazua me Jose Mourinho-n për trofetë e fituar në karrierë, pas suksesit në Kupën e Ligës. Finalja e luajtur në “Uembli” solli një krizë të re për Chelsea-n.

Një triumf dhe një krizë e re. Finalja e Kupës së Ligës angleze, luajtur në “Uembli” nxorri fitues Manchester City-n, pas gjuajtjes së penalltive, por krijoi edhe një çështje të re krize tek Chelsea. Pas 90 minutave pa gola, të dyja skuadrat nuk arritën të shënonin as në 30 minutat e dy shtesave, ndaj edhe gjithçka u përcaktua nga 11-metërshat.

Kampionët e City-t u treguan më të saktë, duke fituar kështu trofeun e parë të sezonit, ndërsa janë në garë për gjithçka tjetër, pra për Premier Ligën, Championsin dhe Kupën e Anglisë. Trajneri Pep Guardiola regjistroi titullin e 25-të në karrierë, duke u barazuar me rivalin e tij të madh, Jose Mourinho, të cilin mund ta kalojë edhe brenda këtij edicioni.

Gjithsesi, që të dy janë shumë larg Sir Alex Fergusonit që ka 49 trofe. Përtej festës së City-t, pati krizë të Bluve të Londrës. Pikërisht përpara gjuajtjes së penalltive, portieri Kepa ndjeu shqetësime fizike, dhe trajneri i tij, Mauricio Sarri, nxitoi ta zëvendësonte, me portierin e dytë, Uilli Kabaleron.

Papritur Kepa refuzoi të dilte nga fusha duke bërë shenja se ishte mirë dhe se mund të vazhdonte. Besohet se Sarri kishte më shumë besim te Kabalero, që cilësohet specialist i penalltive, madje u pa qartë se ai u zemërua shumë me refuzimin e Kepës.

Në fund, trajneri u tërhoq duke lënë titullarin në fushë, por zemërimi i tij dhe i stafit u duk qartë deri në fund. Megjithatë, pas ndeshjes, Sarri e justifikoi Kepën.

“Mendova se portieri kishte ngërç dhe gjykova se ai nuk mund të ishte në gjendje për penalltitë, – u shpreh ai, – natyrisht, unë u nxeha shumë me të, por më pas u qetësova. Portieri tha se nuk kishte probleme fizike, pra ai kishte të drejtë”.

Mediat angleze informuan se klubi nuk ka ndërmend ta dënojë Kepën për sjelljen e tij, diçka që mund ta ulë edhe më shumë respektin e lojtarëve ndaj trajnerit. Këtë theksuan edhe analistët në studion e “Skaj Sportit”, mes të cilëve Xhon Terri, Pablo Zabaleta dhe Xhemi Redknap.

Madje ata u shprehën se trajneri duhej të ishte futur në fushë për ta nxjerrë jashtë portierin. Chelsea është i mundur në të dyja kupat angleze, dhe jashtë zonës Champions në Premier, me vetëm Ligën e Europës si trofe të mundshëm. Fati i Mauricio Sarrit duket se është i përcaktuar./abcnews.al

TOTENHEMI-CELSI-KUPA-E-LIGES-1-1280x634.jpg
ent ela11:56 | 09/01/2019

Totenhemi mundi Çelsin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Ligës në Angli. Gjithsesi, pati polemika të shumta pas derbit të Londrës në stadiumin “Uembli”.

Dueli i parë shkoi në favor të vendasve. Totenhem Hotspuri e konfirmoi veten, të paktën për momentin, si skuadra më e mirë e Londrës, këtë herë edhe në Kupën e Ligës.

Të mbiquajturit “gjelat” triumfuan minimalisht 1-0 në gjysmëfinalen e parë ndaj Çelsit, dhe bënë një gjysmëhapi drejt objektivit për të fituar më në fund një trofe, veçse polemikat sikur e errësuan suksesin.

Goli i vetëm në “Uembli” u shënua me 11-metërsh, madje pas një penalltie të dhënë me ndihmën e VAR-it.

Gjyqtari Majkëll Oliver fillimisht nuk sinjalizoi asgjë, ashtu siç kishte hedhur poshtë pretendimet e mëparshme të Totenhemit për penallti, por vendasit protestuan dhe ai kërkoi ndihmën e teknologjisë.

VAR-i vendosi për ndëshkim maksimal, dhe Harri Kejn nuk gaboi nga 11 metra larg, duke vendosur fatin e ndeshjes, por ende jo fatin e kualifikimit.

Trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, u shpreh shumë i pakënaqur për vendimin.

“Pas ndeshjes, e pashë aksionin e penalltisë në kameran tonë, dhe mund të them se ishte pozicion jashtë loje, – tha italiani, – kamera jonë ishte në vijë të drejtë me Harri Kejnin. Për fat të keq, vijërojtësi ndaloi dhe mbrojtësit tanë menduan se do të jepej pozicion jashtë loje. Në Angli nuk dinë ta përdorin VAR-in, ndaj gjyqtarët duhet të ndjekin aksionin kur nuk janë të sigurt”.

Edhe trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino, i dha të drejtë në një farë mënyre, kolegut të tij.

“E vërteta është se VAR-i nuk më pëlqen, – u shpreh argjentinasi, – Këtë herë ne përfituam prej tij, por nga në Kupën e Botës dhe në ligën spanjolle kanë dalë shumë pakënaqësi. Nuk jam kundër teknologjisë, sepse nuk jam kundër përparimit, por rregullat duhet të jenë më të qarta. Nuk më pëlqen të fitoj në këtë mënyrë”.

Çelsi ishte i pafat në “Uembli”, pasi goditi dy herë shtyllën, por nuk arriti të shënonte.

Blutë e Londrës kanë ende shpresë për të përmbysur rezultatin në “Stemford Brixh”, por sezoni bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos në mungesë të një qendërsulmuesi.

Totenhemi, ndërkaq, shpreson të arrijë finalen dhe të fitojë trofeun e parë që nga vitit 2008. /abcnews.al

FITOJNE-TOTENHEMI-DHE-BAJERNI.mpg_snapshot_00.36-1280x721.jpg
ad min20:17 | 20/12/2018

Disa ndeshje të rëndësishme u luajtën në mesjavë në Europë. Tottenham fitoi derbin ndaj Arsenalit në Kupën e Ligës në Angli, ndërsa Bayern shkurtoi diferencën me kreun e Bundesligës në Gjermani.

Dy fitore të ndryshme, por njëlloj të rëndësishme. Tottenham në Kupën e Ligës në Angli dhe Bayern në Bundesligë, i mbyllën me sukses ndeshjet e mesjavës, në ndjekje të objektivave. Spërsat triumfuan në derbin e Londrës së Veriut në fushën e Arsenalit, duke konfirmuar statusin si skuadra më e fortë e kryeqytetit britanik për momentin. Edhe pse Chelsea dhe Arsenali gjithashtu po zhvillojnë sezon pozitiv, skuadra e trajnerit Mauricio Poccetino bën diferencën. Koreanojugori Son dhe sulmuesi i Anglisë, Dele Ali, ishin autorët e golave dhe Tottenham u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës së Ligës.

Do të ketë përballë Chelsea, që fitoi me Bournmouth-in, ndërsa do të kërkojë trofeun e parë që nga viti 2008. Një incident ndodhi në minutat e fundit, pasi Dele Alli u godit me shishe plastike nga një tifoz i Arsenalit. Ylli i Tottenham-it reagoi duke i treguar rezultatin me gishta, tifozëve vendas, diçka për të cilën u kritikua nga kapiteni i tij, Harry Kane. Në Gjermani, ndërkaq, Bayern bëri detyrën në Bundesligë, por me shumë vështirësi ndaj Lajpcigut.

U desh të vinte minuta e 83-ët që të shënohej goli i vetëm i ndeshjes. Veterani Franck Ribery shpëtoi bavarezët dhe trajnerin Niko Kovaç, dhe tregoi se mbetet sërish i vlefshëm edhe pse klubi mendon ta largojë në fund të sezonit. Me këtë fitore, dhe me humbjen e Dortmundit, Bayern u afrua në 6 pikë distancë nga kreu i kampionatit, që mbahet po nga Dortmundi./abcnews.al

arjanet-muriqi.jpg
ad min19:28 | 19/12/2018

Një portier shqiptar shpëtoi Manchester City-n në Kupën e Ligës në Angli. Arjanet Muriqi, lojtar i Kosovës, priti dy penallti ndaj Leisterit.

Fati i skuadrës së madhe ishte në duart e tij. Arjanet Muriqi shpëtoi Manchester City-n nga eleminimi në Kupën e Ligës angleze, duke pritur dy penallti në staidumin e Leicester-it. Pep Guardiola dhe yjet e tjerë, vërtet u hodhën përpjetë nga gëzimi kur Kevin De Bruyne realizoi në goditjen e fundit, veçse suksesi ishte siguruar sidomos nga portieri 20-vjeçar me origjinë shqiptare, dhe që luan për Kosovën.

Ishte një ndeshje tepër e vështirë, ku Guardiola kishte bërë ndryshime në formacion, dhe kjo ishte një nga arsyet që Muriqi luajti në vend të titullarëve Ederson apo Klaudio Bravo. Ai e justifikoi plotësisht besimin e trajnerit. City kaloi në epërsi anë të Kevin De Bruyne-t në minutën e 14-të, por nuk mundi ta ruante fitoren. Pranë gjysmës së pjesës së dytë, Leicesteri barazoi me anë të Mark Albrighton-it, dhe ky rezultat nuk ndryshoi deri në fund, me fatin e ndeshjes që u vendos nga penalltitë.

Muriqi është djalë i prindërve shqiptarë nga Rozhaja në Mal të Zi, familje që ka marrë mbiemrin Muriç i detyruar nga rrethanat. Ai lindi në Zvicër, luajti për Zyrihun e Grasshopersin, dhe kaloi tek City në 2015. Cilësohet si portier i së ardhmes, ndërsa vetë ai thekson se në kohën kur kaloi në Angli, për të u interesuan Stoke City, Tottenham-i, Chelsea dhe Manchester United, por ishte City që pati më shumë besim. Muriqi ka zgjedhur të luajë për ekipin përfaqësues të Kosovës, duke arritur të jetë edhe titullar në ndeshjen e fundit të Ligës së Europës, ndaj Azerbajxhanit./abcnews.al

les-herbier.jpg
ad min10:20 | 19/04/2018

Një surprizë e madhe ndodhi në Kupën e Francës. Një skuadër e kategorisë së tretë u kualifikua për në finale, dhe do të luajë përballë gjigandëve të Paris SG.

Këtë shpërthim që besohet se e dëgjoi gjithë bota.

Ishin mijëra tifozë në stadiumin e Nantes që lajmëruan se skuadra e tyre, Les Herbier, u kualifikua për në finalen e Kupën e Francës, në një tjetër mrekulli të futbollit.

Festim madhështor, i ngjashëm me vallen e vikingëve të Islandës pas triumfeve të mëdhenj në Euro 2016.

Les Herbier fitoi duelin brenda kategorisë së tretë ndaj rivalit Keviji, dhe do të luajë për trofeun e madh në 8 maj në Stade de France në Paris.

Një klub me vetëm 2 milionë euro buxhet, do të përpiqet të sfidojë superfuqinë jo vetëm të Francës, por edhe të Europës, Paris SG, që ka buxhet prej 540 milionë eurosh.

Les Herbier ia doli me meritë në “Stade de la Bozhua”, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje, me autorë Florian Davidin dhe Ambruaz Gobonë.

Formacioni modest realizoi vërtet një mrekulli, por këto nuk kanë qenë edhe aq të rralla në Kupën e Francës.

Në 2012, në finale u kualifikua pikërisht rivali i mundur këtë herë, Keviji.

Në Les Herbier qytetarët patën festë të madhe, duke dalë nëpër rrugë, familjarisht, e të shoqëruar nga fëmijët.

Tashmë, krahina e Vandesë, e njohur si bastion kundër Revolucionit të Madh Francez, do të mbahet mend edhe për fitoret në futboll.

Në gjysmëfinalen tjetër, Paris SG bëri detyrën, edhe pse luajti në fushën e kundërshtarëve të Kaenit.

Kilian Mbape ishte autor i dy golave, ndërsa Nkunku shënoi të tretin në një përballje jo edhe aq të lehtë, ku vendasit shkurtuan diferencën me anë të Diomandesë dhe luftuan deri në fund.

PSG do të synojë të fitojë trofeun e tretë kombëtar, pas titullit kampion dhe Kupës së Ligës./abcnews.al

skysports-football-bristol-city-manchester-leroy-sane-goal-celeb_4213181.jpg
ent ela12:09 | 24/01/2018

Pep Guardiola arriti finalen e tij të parë në Angli. Trajneri i Mançester Sitit u shpreh i lumtur për suksesin në Kupën e Ligës, por paralajmëroi futbollistët e tij që të nxjerrin mësime nga sfidat me Bristol Sitin.

Epërsia nuk kishte se e kujt të ishte tjetër.

Sado heroik të ishte Bristol Siti, dominimin edhe jashtë fushe do ta kishte Mançester Siti, që në fund arriti edhe kualifikimin.

Pep Guardiola siguroi finalen e tij të parë në Angli, veçse gjithkush do të flasë me të drejtë për kundërshtarin modest, por të guximshëm.

Edhe pse kryesuesit e Premier Ligës patën epërsi në përballjen e dytë të Kupës së Ligës, edhe pse ata e kthyen sundimin e tyre në gola, për të kryesuar 2-0, sërish asgjë nuk përfundoi lehtë.

Ashtu si në ndeshjen e parë, kur Sitit iu desh goli në minutat shtesë për të fituar, edhe këtë herë Bristol nuk u dorëzua.

Reagoi furishëm në ato momente të pakta që u lejua të kishte zotërimin e topit, dhe shfrytëzoi zotësinë më të madhe në lojën ne ajër për të barazuar rezultatin.

Ndërsa Leroi Sane e Kun Aguero realizuan për miqtë, Marlon Pak e Adin Flint lumturuan pa fund tifozët vendas.

Stadiumi “Eshton Gejt” pati shansin, pra të ndiqte një ndeshje të madhe futbolli dhe një paraqitje po të madhe të ekipit të vet.

Xhonson: “Është fakt që Sitit iu deshën golat në minutat shtesë që të na mundte në të dyja ndeshjet. Më vjen mirë që ne luajtëm futboll ndaj skuadrës më të mirë të Anglisë dhe shpresoj që këto paraqitje të na japin energji dhe besim për të ardhmen. Ne duam të jemi në Premier Ligë, por e dimë se diferenca mbetet e madhe. Diferenca jonë me Mançester Sitin është të paktën 300 milionë euro blerje”.

Mançester Siti ka mundësi të fitojë trofeun e parë me Guardiolën, ndërsa mbetet me ambicie në çdo garë.

Kryeson me diferencë Premier Ligën, është në turin e dytë të Championsit, ndërsa të dielën luan në Kupën e Ligës në fushën e Kardifit.

Trajneri katalanas ka një vërejtje për të vetët.

Guardiola: “Nuk është çështja tek unë, por tek Mançester Siti, që duhet të arrijë një tjetër nivel. Në të kaluarën, ekipi e arriti këtë nivel me trajnerët Mançini e Pelegrini, dhe duhet të jemi sërish atje. Duhet të ruajmë këtë nivel në çdo ndeshje, që nga e diela kur luajmë në Kardif për Kupën e Anglisë, por po ashtu në Premier Ligë. Jemi të lumtur me finale, ndonëse lejuam të na ikte ndeshja nga dora kur ishim 2-0 në avantazh. Gjithsesi, ky do të jetë një leksion shumë I mirë për ne, sidomos në Champions ku luhet me sistem eleminimi”./abcnews.al

 

q0sktkqTURBXy84YzRlNjEyODAxYWM0NmI4ZjVmNWYwOTY0ODgzMTkyNy5qcGVnkpUDAQDNCqPNBfuTBc0DFM0BvA.jpg
ad min11:37 | 11/01/2018

Paris Sen Zhermeni mbeti brenda të gjithë objektivave në Francë duke arritur kualifikimin e radhës. Me Nejmarin në fushë, kryeqytetasit arritën në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës.

Epërsia ishte e plotë edhe pse fitorja erdhi vonë.

Paris Sen Zhermeni megjithatë vazhdoi sezonin e tij shumë të mirë, duke mbetur brenda të gjitha objektivave, me kualifikimin për në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës.

Në fushën e Amiensit triumfoi 2-0, pavarësisht se kishte luajtur vetëm tri ditë më parë, dhe ndonëse dy prej lojtarëve më të mirë, Kavani e Pastore, ishin të dënuar.

Vetë klubi i pezulloi për kthimin me vonesë nga pushimet, por në fushë kishte aq shumë talent sa suksesi të mos vihej në dyshim.

Parizienët patën edhe një favor, pasi portieri i vendasve, Gurtner, doli me karton të kuq që në pjesën e parë, duke e lënë skuadrën në inferioritet numerik.

Portieri ndërhyri rëndë ndaj sulmuesit të ri, Mbape, i cili për fat mundi ta vazhdonte lojën.

Gjithsesi, duhej pritur pjesa e dytë për të shënuar golat.

Fillimisht, Nejmar fitoi një penallti të cilën e ktheu në gol po vetë, dhe kjo ishte rrjeta e 20-të e brazilianit për PSG-në në këtë edicion.

Më pas, Adrien Rabio dyfishoi shifrat kur kishin mbetur vetëm 12 minuta deri në përfundim.

Skuadra e trajnerit Emeri tregoi sërish lojën e saj të rrjedhshme, falë talentit të madh të futbollistëve të saj dhe besohet se nuk do të ketë rival në Francë këtë sezon.

Paris Sen Zhermeni është I shkëputur në kampionat, pretendon të fitojë Kupën e Francës dhe Kupën e Ligës, ndërsa sfida e vetme shumë e vështirë është në Champions.

Në Europë, parizienët do të ndeshen me Realin e Madridit në turin e dytë që zhvillohet në muajin shkurt./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono