Kupa e Botës

kombetarja-e-femrave.jpg
G. P.14:47 | 05/09/2018

Kombëtarja e femrave në futboll e mbylli me humbje fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2019.

Vajzat e drejtuara nga Armir Grima u mundën nga Skocia me rezultatin 2–1 të martën në Shkodër. Golin për Shqipërinë e shënoi Megi Doçi.

Kombëtarja e femrave u rendit e parafundit në këtë edicion me 4 pikë të grumbullura, një paraqitje më pozitive se kualifikueset e mëparshme.

Skocia me fitoren e arritur ndaj Shqipërisë siguroi kreun e grupit dhe kualifikimin në finalet e Botërorit 2019./abcnews.al

lii.jpg
G. P.22:08 | 22/08/2018

Duke parë suksesin e përdorimit të VAR-it në Kupën e Botës, organizata më e lartë e futbollit në Europë, UEFA, po planifikon prezantimin e teknologjisë në kompeticionin më elitar të futbollit, Champions League.

Sipas një artikulli në The Times, stafi i UEFA-s ka qenë duke punuar për një strategji, në të cilën mendohet që VAR-i të përdoret në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

Punimet mbi këtë strategji do të vazhdojnë javën e ardhshme në Monaco, ku do të mblidhet një komitet, i cili do të japë vendimin përfundimtar mbi çështjen në fund të muajit.

UEFA shpreson që me teknologjinë e re të ketë sa më pak gabime në ndeshjet më të rëndësishme të Ligës së Kampioneve. VAR pritet që të përdoret edhe në Euro 2020, mirëpo për këtë çështje nuk është marrë një vendim zyrtar ende./abcnews.al

katari.jpg
G. P.17:32 | 29/07/2018

Katari rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të kampionatit botëror të futbollit për në vitin 2022. FIFA do të hapë një hetim lidhur me akuzat e fundit. Sipas një gazette britanike, Katari ka paguar një kompani amerikane dhe ish agjentë CIA-s për të dëmtuar konkurrencën.

Trupi udhëheqës i botës së futbollit FIFA është nxitur të kryejë një “hetim të pavarur” në pretendimet se ekipi i ofertës së Katarit 2022 në Kupën e Botës zhvilloi një fushatë sekrete në 2010-n për të sabotuar ofertat konkurruese të organizimit të kampionatit botëror. Kryetari i Komisionit për zgjedhjen Dixhitale, Kulturore, Mediatike dhe Sportive Damian Collins tha se “akuzat serioze”, të botuara në median britanike Sunday Times, përbënjnë një shkelje të rregullave të FIFA-s nëse janë të vërteta.

“Kjo kërkon një hetim të duhur të pavarur dhe FIFA duhet të bëjë të qartë se kjo do të ndodhë”, tha ai.

“Nëse Katari ka thyer rregullat, duhet të hasin me sanksione”, shton ai.

Në një deklaratë, Komiteti Suprem i Katarit për Dorëzimin dhe Trashëgiminë tha se “kundërshton çdo akuzë të paraqitur nga Sunday Times”. Gazeta pretendon se ka parë dokumente të zbuluara që tregojnë se ekipi i ofertës së Katarit përdorte një firmë amerikane dhe ish-agjentët e CIA-s për të dëmtuar rivalët e saj, kryesisht SHBA-të dhe Australinë.

Qëllimi i supozuar ishte krijimi i propagandës për të dhënë përshtypjen se një Kupë e Botës nuk do të mbështetej në vend. Pavarësisht zbulimeve, organizatorët e turneut të Katarit mohojnë akuzat.

Nëse, në hetimin e radhës konfirmohen akuzat e fundit, Katari rrezikon që t’I hiqet e drejta për të organizuar Kupën e Botës. Në dhjetor të 2010, shteti në Lindjen e Mesme fitoi të drejtën e mbajtjes së kampionatit botëror të futbollit për vitin 2022, duke triumfuar me ofertat e tjera të bëra nga SHBA, Australi, Koreja e Jugut dhe Japonia. Më herët ekipi i Katarit u akuzua dhe për korrupsion, por një hetim i FIFA-s hodhi poshtë pretendimet për rryshfet./abcnews.al

franca-2.jpg
G. P.18:54 | 15/07/2018

Djemtë e Deschamps ia dolën.

Franca arriti të fitojë Kupën e Botës Rusi 2018, duke u bërë kështu dy herë fituese e trofeut të artë.

“Gjelat” mposhtën me rezultatin 4-2 Kroacinë.

Në një nga ndeshjet më të bukura të kësaj Kupe Bote për francezët shënuan Griezmann, Mbappe, Pogba dhe një autogol i Mandzukic. Ndërsa për kroatët shënuan Perisiç dhe Mandzukiç. Ky i fundit falë një gabimi të Hugo Lloris.

Për të arritur në finale, Franca doli e para në grupin C. Më pas në fazat me eleminim direkt, filimisht mposhtën Argjentinën. Në çerekfinale mundën pa shumë probleme Uruguajin, ndërsa në gjysmëfinale mposhtën Belgjikën./abcnews.al

kupa.jpg
G. P.15:39 | 15/07/2018

Kupa e Botës është projektuar nga skulptori italian Silvio Gazzaniga dhe aktualisht ajo vlen 10 milion dollar. Me një peshë prej 6 kilogramësh, ajo është e bërë me ar 18 karatësh.

Emocionalisht Kupa e Botës ka një çmim të paarritshëm, por nga ana monetare vlera e kupës së ëndërruar nga futbollistë, trajnerë e tifozë, e ka një kufi.

Këtë trofe e ka projektuar skulptori italian, Silvio Gazzaniga, në vitin 1971.

Kupa është 36 centimetra e gjatë, është bërë prej ari 18 karatësh, si dhe peshon 6 kilogramë. Baza e gjelbër e trofeut është bërë me një mineral gjysëm të çmuar të quajtur malakit. Malakiti u zgjodh sepse është gjetur në çdo kontinent dhe është i gjelbër, si shumica e fushave të futbollit.

Në atë kohë kupa vlerësohej me çmimin e 50.000 dollarëve, ndërsa tani ky trofe e ka vlerën e 10 milionë dollarëve./abcnews.al

rus.jpg
G. P.16:57 | 07/07/2018

Rusi-Kroaci do të jetë çerekfinalja e fundit e Kupës së Botës. Skuadra vendase synon mrekullinë e radhës, pas eleminimit të Spanjës, por ballkanasit jepen favoritë.

Rikuperim mendor dhe jo vetëm fizik. Këtë mendoi stafi teknik i Rusisë, kur lejoi futbollistët të kishin pranë familjet dhe njerëzit e dashur, në prag të çerekfinales.

Vendasit duan të bëjnë gjithçka për të kaluar Kroacinë dhe për të arritur për herë të parë mes katër më të mirëve të Botërorit. Pasi ia dolën ndaj Spanjës, gjithçka duket e mundshme edhe pse rusët nuk jepen favoritë.

Udhëtimi drejt Sochi-t, në jug ishte i qetë dhe me optimizëm. Problemi i vetëm për Rusinë është dëmtimi i Zhirkovit, gjithë të tjerët janë në dispozicion të trajnerit Çerçesov.

“Është e qartë se përgatitjet tona kanë qenë disi më të ndryshme, – pohoi Çerçesovi, – pasi Kroacia është skuadër e ndryshme nga Spanja. Nuk mund të flas me hollësi për taktikën apo formacionin, por mund të them se kemi bërë gjithçka që në ndeshjet t’i kemi gati të gjitha “armët” tona. Historia e Spanjës ishte e bukur, por ajo kaloi dhe ne duam të shkojmë përpara”.

Ballkanasit cilësohen si tepër të fortë dhe duan të barazojnë rekordin e Botërorit të vitit 1998. Kroacia nuk ka asnjë mungesë, qoftë për dëmtim apo pezullim, dhe formacioni pritet të ketë i njëjtë si ndaj Danimarkës.

“Ne nuk mund ta zgjedhim kundërshtarin, – tha Daliç, – nëse mund të jetë i zoti i shtëpisë apo dikush tjetër. Ne thjesht mundemi të luajmë siç dimë dhe të fitojmë. Sfida do të jetë shumë e fortë, dhe problem shtesë do të jetë mbështetja e tifozëve rusë, por unë besoj tek lojtarët e mi, që kanë përvojë në ndeshjet nën presion”.

Fitorja e Rusisë jepet me kuotën 4.25, barazimi në 3.1 dhe fitorja kroate shihet si shumë më tepër e mundshme, me koeficient 2.1./abcnews.al

mesi-e-ronaldo.jpg
ent ela12:47 | 01/07/2018

Mesi dhe Ronaldo pësuan një tjetër dështim në kupat e botës. Dy lojtarët më të mirë në botë kanë pasur fat të ngjashëm në karrierë, dhe mesa duket nuk do ta fitojnë kurrë një titull botëror.

U mundën në të njëjtën ditë, si të ishin vëllezër siamezë. Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo dolën nga Botërori këtë të shtunë, dhe nuk dihet nëse do ta fitojnë ndonjë herë kupën e artë të FIFA-s.

Njëri 31 vjeç e tjetri 33 po i afrohen fundit të dy prej karrierave më të lavdishme në histori, me vetëm një njollë, pa titull botëror. Franca e Uruguaj sikur thanë se turneu rus është kaq i mirë, sa nuk ka nevojë as për më të mirët në rruzull.

Të dy superyjet që kanë dominuar dekadën, kanë pasur po ashtu fat të njëjtë, në botërorët e kaluar, gjithnjë të keq. Në 2006, Argjentina dhe Mesi u eleminuan me penallti nga Gjermania vendase, në çerekfinale.

Në 2010, ishte sërish Gjermania që mposhti kombëtaren e drejtuar nga Maradona, me Mesin yllin kryesor, këtë herë plot 4-0. Katër vjet më vonë, fatale për Mesin u bë edhe një herë Gjermania.

Gjithsesi, argjentinasit arritën deri në finale dhe ishin më pranë se kurrë me titullin, veçse gjermanët superiorë fituan në fund. Ronaldo po ashtu ka luajtur në 4 botërorë, ashtu si Mesi.

Në 2006, Portugalia shumë e mirë e Dekos, Luis Figos e Ronaldos, u mund 1-0 nga Franca e Zidanit. Në Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010, rruga e Ronaldos u pre nga Spanja e madhe, që fitoi edhe titullin. David Vija përcaktoi ndeshjen e turit të dytë.

Së fundi, në 2014, portugezët ishin më të dobët, duke u eleminuar në grup, pas humbjes me Gjermaninë 0-4, barazimit 2-2 me SHBA-në, e pavarësisht fitores 2-1 ndaj Ganës. /abcnews.al

NDESHJET-E-ARGJENTINES-DHE-KROACISE-1280x720.jpg
ent ela22:33 | 26/06/2018

Lionel Mesi do të vazhdojë të jetë në Botëror. Argjentina u kualifikua pas fitores dramatike me Nigerinë, ndërsa në turin tjetër do të ndeshet me Francën.

U përcaktuan edhe dy çifte të tjera, ndërsa drama ishte sërish e madhe. Do të kemi Francë-Argjentinë e Kroaci-Danimarkë në të tetat e finaleve të Botërorit, një mbrëmje pasi Spanja e Portugalia e fituan llotarinë e tyre.

Ishte mbrëmja e Argjentinës dhe e Lionel Mesit, që e mbajti fjalën për të dhënë maksimumin e për ta mbajtur ekipin në Rusi. Jo vetëm sepse shënoi gol, por sidomos sepse luftoi deri në fund, në një sfidë dramatike ndaj Nigerisë në Shën Peterburg.

Superylli i Barcelonës u duk se nuk ishte mirë fizikisht, por nuk u dorëzua. Trajneri Sampaoli kishte bërë ndryshime, me Higuainin në vend të Agueros, dhe kjo u duk se dha rezultat, por vetëm deri në një farë mase.

Pas një pjese të parë të mirë, argjentinasit u shpërfytyruan në të dytën. Nigeria nuk ngurroi të barazonte, rezultat që e kualifikonte.

Jo vetëm kaq, por ishte pranë fitores, duke rrezikuar disa herë. Në një moment u duk se u penalizua nga gjyqtari që përdori VAR-in, por nuk dha penallti për prekje të topit me dorë në zonë nga argjentinasit.

Në fund, përvoja dhe fati ishin me ekipin e Mesit, edhe pse goli erdhi nga mbrojtësi Markos Roho. Sidoqoftë, heroizimi argjentinas mund të mos kishte pasur vlerë nëse Kroacia nuk do të kishte bërë detyrën.

Edhe pse me ndryshime në formacion, skuadra ballkanase ishte sërish e fortë duke mundur 2-1 Islandën. Badelj e Perishiç ishin autorët e golave, ndërsa për islandezët barazoi përkohësisht Sigurdson me penallti.

Islandës i duhej fitorja për t’u kualifikuar, por mbeti shumë larg saj. Kroacia mbylli grupin me 7 pikë, Argjentina me 4, Nigeria me 3 dhe Islanda me vetëm 1 pikë. /abcnews.al

 

 

grate-iraniane.jpg
ent ela20:22 | 26/06/2018

Me mijëra gra e vajza iraniane patën mundësi të ndiqnin ndeshjen e kombëtares së tyre në një stadium të Teheranit. Kjo, pas vendimit historik që u mor nga autoritete vendore në kryeqytet.

Çdo ligj e çdo rregull pret kohën për t’u shkelur.

Duket se radhën e ka ligji që nuk lejonte gratë dhe vajzat në Iran për të shkuar në stadiume.

Autoritetet vendore të Teheranit lejuan që femrat të ndiqnin në stadiumin e kryeqytetit, në një ekran të madh, ndeshjen e Kupës së Botës, ndaj Portugalisë.

Ishin me mijëra që nxehën atmosferën në stadiumin “Azadi”, dhe kjo ishte hera e dytë që ndodhte në gati 40 vjet, pas ndeshjes së mëparshme të Botërorit, asaj ndaj Spanjës.

“Është hera e parë që vij në stadium, – u shpreh një tifoze, – doja shumë që të vija dhe jam tepër e lumtur. Edhe pse nuk fituam, ishte një sukses, jemi krenarë për lojtarët tanë”.

“Shpresoj që ky të jetë fillimi I një kulture të re, që gratë të mund të ndjekin ndeshjet në stadiume. Besoj se që tani e tutje, do të jetë e mundur”.

Emocionet ishin të forta, dhe nuk munguan as lotët, ndërsa Irani u eleminua pas barazimit me Portugalinë.

Ndalimi për femrat u vendos në 1979, me arsyetimin për të mbrojtur gratë nga të sharat dhe ofendimet e burrave në ndeshje.

Shumë femra të tjera, ndërkaq, udhëtuan 4 000 km për të ndjekur Botërorin në Rusi.

Ato shkuan atje bashkë me familjet, ndërsa mjaft prej tyre gjetën biletë duke I ndjekur ndeshjet në stadiume. /abcnews.al

REKORDI-I-PENALLTIVE-NE-BOTEROR-1280x720.jpg
ent ela19:45 | 26/06/2018

Në Rusi është thyer rekordi i penalltive të dhëna në një Kupë Bote. Kjo, edhe pse ende nuk kanë përfunduar ndeshjet në grupe

Inflacioni është aq i lartë sa nuk dihet se ku do të ndalojë. Flitet për dënimet kapitale të dhëna në ndeshjet e botërorëve, që njohën një rekord të ri.

Ky u vendos kur Portugalisë iu akordua 11-metërsh me ndihmën e VAR-it në ndeshjen ndaj Iranit. Ishte penalltia e 19-të, më shumë sesa në çdo kupë të botës së mëparshme, edhe pse ende nuk kanë përfunduar ndeshjet e grupeve.

Jo vetëm kaq, por numri shkoi në 20 kur sërish me ndihmën e VAR-it, Iranit iu dha një tjetër shans për gol. Karim Ansarifard e ktheu këtë mundësi në gol.

Njëzet penalltitë janë dhënë në 36 ndeshje, dhe mesatarja është një për çdo 162 minuta. Rekordi i përmashëm, me 18 11-metërsha, u vendos kur Botërori u zgjerua në 32 skuadra, dhe këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Kjo shifër u arrit në vitin 2002 në Japoni e Kore të Jugut.

Gjithsesi, rritja e numrit të penalltive nuk lidhet vetëm me shtimin e skuadrave, por edhe me hyrjen në përdorim të teknologjisë VAR. Nga 20 penallti të thëna, shkalla e realizimit është 75 për qind, pasi pesë lojtarë gabuan. Mes tyre edhe dy më të mirët e botës, Ronaldo e Mesi. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono