kukesi

liliu.jpg
Vladimir Prenga12:10 | 19/01/2020

Kukësi ka vetëm një objektiv në merkato. Trajneri Shpëtim Duro pret një sulmues nga drejtuesit, të cilët po shohin me kujdes tregun e huaj. Alternativat në vend mungojnë, ndërkohë që në zyrat e klubit kanë mbërritur sugjerime të ndryshme nga menaxherë.

Aktualisht në kampin verilindor kanë një alternativë serioze, për të cilën po mendohen. ABC News mëson se Ellinton Antonio Costa Morais, i njohur me emrin sportiv Liliu, u është sugjeruar kuksianëve, si një opsion për Vasil Shkurtajn.

Liliu është një sulmues me një karrierë të pasur, pasi është aktivizuar edhe në elitën e futbollit belg me Westerlo, duke shënuar 9 gola në tre sezone. Hapësirat nuk është se i ka patur të shumta, ndërkohë që më pas është kthyer të luajë në Brazil.

Prej vitit 2013 është aktivizuar në Europë, me skuadrat qipriote si Ethnikos Achna dhe Nea Salamis, si dhe Birkirakara e Gzira United në Maltë. Në vitin 2017 kaloi në Estoni, aty ku ka fituar titullin kampion dhe Superkupën me Nomme Kalju.

Në vitin 2018 ai ka fituar edhe “Këpucën e Artë”, me 31 gola të realizuar. Gjatë eksperiencës në Estoni ka shënuar rregullisht, duke gjetur rrugën e rrjetës 56 herë në 68 ndeshje. Një mesatare e mirë, edhe pse jo në një kampionat të nivelit të lartë.

Liliu së fundmi ishte pjesë e Brommapojkarna në ligën e dytë suedeze, ku shënoi një gol. Aty luajti vetëm tetë takime, por titullar e ka nisur në dy ndeshje dhe akumuloi 227 minuta. Me ofertën e duhur, Kukësi do të ishte një zgjedhje e mirë për sulmuesin 29-vjeçar. Sigurisht duhet bindur edhe Duro  që braziliani i ka cilësitë e duhura për skuadrën e tij. /abcnews.al

Të dhënat e Liliu në ndeshjet e zhvilluara në kampionatet ku është aktivizuar
partizani-kukesi.jpg
Vladimir Prenga13:47 | 16/01/2020

“Air Albania Stadium” priti derbin Partizani-Tirana pak javë më parë dhe sërish në këtë impiant do të zhvillohet një ndeshje e Kategorisë Superiore. Përballja e fazës së tretë, mes Kukësit e Partizanit, do të zhvillohet pikërisht në këtë stadium.

E programuar të luhet më 26 janar, prej orës 19:00, për këtë ndeshje mbetet të mësohen vetëm çmimet e biletave. Klubi i Kukësit ditën e sotme ka dalë me një njoftim dhe konfirmon për momentin stadiumin.

“Njoftim i Klubit! FK Kukësi ka arritur të gjej një akord me Federatën Shqiptare të Futbollit, që ndeshja kundër FK Partizanit të luhet në “Air Albania” Stadium! Për informacione për çmimin e biletave dhe të tjera, do të njoftoheni në ditët në vijim”, shkruhet në njoftimin e klubit të Kukësit. /abcnews.al

limaj-dhe-shkurtaj.jpg
Vladimir Prenga10:14 | 16/01/2020

Vesel Limaj dhe Vasil Shkurtaj kanë oferta nga jashtë vendit. Mesfushori, i cili disa kohë më parë bëri kërkesë që të mos i zgjatej kontrata, vijon të stërvitet me Kukësin. Ende nuk ka asgjë zyrtare për rinovimin e kontratës, por në krahun tjetër në klubin verilindor janë të bindur se nuk ka një çështje.

Vetë Limaj ende nuk ka mbajtur një qëndrim. Ofertat në drejtim të tij kanë qenë disa, madje edhe nga klube të Kategorisë Superiore. Kjo pasi kanë mësuar se ai është lojtar i lirë. Një pistë për të ardhmen e mesfushorit është edhe Kroacia.

“Vip Sport” raporton se për Limajn interesohet klubi i Osijek, ku aktivizohet edhe Eros Grezda dhe ish-lojtari i Tiranës, Merveil Ndockyt. Një tjetër futbollist i Kukësit është në shënjestër dhe bëhet fjalë për sulmuesin Vasil Shkurtaj, autor i 11 golave këtë sezon.

Vlonjati, sipas asaj që shkruan Supersport, kërkohet në Holandë. Nuk bëhet i ditur emri i klubit që e ka si objektiv sulmuesin, për të cilin Kukësi do të kërkojë të përfitojë financiarisht. Nëse Shkurtaj shitet, më pas lind detyra e vështirë për të gjetur një sulmues tjetër, pasi edhe Mirlind Daku u largua për mungesë të hapësirave. /abcnews.al

kukesi-poli-iashi-1.jpg
Vladimir Prenga16:00 | 15/01/2020

Skënderbeu ka mposhtur Teutën me rezultatin e thellë 4-1, një befasi duhet thënë. Korçarët shënuan dy herë në 45 minutat e para të takimit. Fillimisht realizoi Blerim Krasniqi dhe më pas Dejvi Bregu. Kështu pjesa e parë u mbyll 2-0.

Vlonjati në të dytën shënoi edhe golin e tretë, për t’i lënë sërish radhën sulmuesit kavajas që plotësoi “pokerin”. Në fund durrsakët shënuan golin e nderit përmes anësorit Arbër Çyrbja.

Skënderbeu-Teuta 4-1
Shënues:
Krasniqi 25′ 64′, Bregu 30′, 59′ / Çyrbja 85′

Kukësi është ndarë në barazim ditën e sotme me rumunët e Politehnica Iași, në një ndeshje pozitive për skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro. Verilindorët kanë pasur disa raste shënimi, por herë kanë qenë të pasaktë, e herë portieri kundërshtar i ka ndaluar ata.

Kukësi- Politehnica Iași 0-0

Kukësi: Gjika, Lulaj, Teqja, Obanor, Musta, Musolli, Limaj, Domi, Ethemi, Gavazaj, Shkurtaj

Politehnica Iași: Rusu, Onea, Frăsinescu, Mihalache, A. Radu, Popadiuc, Breeveld, Passaglia, Luckassen, Platini,F. Cristea.

/abcnews.al

gjici.jpg
Vladimir Prenga12:18 | 15/01/2020

Safet Gjici, kryebashkiaku i Kukësit, ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka folur për shumë çështje. Në fund është ngacmuar edhe për klubin e futbollit verilindor dhe ai është hedhur në sulm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të qytetit.

“Kryetari i Partisë Demokratike a ka para të blejë ndonjë lojtar për Kukësin?! Apo thotë ai, ‘oligarkët, oligarkët’. Se me thënë kështu fjalë të mëdha, ‘oligarkët,oligarkët’, thonë të gjithë. Për të bërë vepra të mëdha i bëjnë pak burra. Kukësi ka dhjetë vite që është në elitë.

Duhet ta dijë edhe ai zotëria. Kukësi nuk është i kryetarit të Bashkisë (bën me shenjë nga vetja), Kukësi është i Bashkisë së Kukësit, është i kuksianëve, është i të gjithëve. Dhe vlerat e Kukësit dhe kuksianëve janë rritur shumë me këtë ekip futbolli. Daç ta pranojë zotëria, daç jo”, tha Gjici.

Më tej ai vijoi të fliste dhe ndër të tjera u shpreh se tanimë është në pozicionit e presidentit të nderit te Kukësi. “Vlerat janë rritur jashtë mase dhe natyrisht që ekipi i Kukësit është solid këtë vit, është një ekip i mirë. Ju e keni parë. Na ka rënduar shumë puna e fushës dhe uroj ta mbarojmë shpejt e të kthehemi këtu. Po të kishim luajtur në fushën tonë, atëherë do të ishim 10 pikë para të tjerëve.

Vështirësitë janë, Bashkia nuk është e fuqishme ta ndihmojë sa duhet klubin. Merkaton e bëjnë ata të sportit, unë jam kryetar bashkie tani, unë jam president nderi i Kukësit. Me sa eksperiencë kam në futbolli, nuk shoh që ka nevojë për ndërhyrje.

Duhet një menaxhim i mirë, kryesisht nga stafi teknik dhe lojtarët. Duhet të merret maksimumi i tyre në fushën e lojës. Nëse do të ketë ndonjë lëvizje, ata i bëjnë. Besoj se nuk kanë nevojë. Po u bë ndonjë ndërhyrje mund të prishet klima”, ka përfunduar Gjici deklaratën e tij. /abcnews.al

Daku-Kukesi.jpg
Veronik Istrefaj17:11 | 11/01/2020

Sulmuesi i talentuar, Mirlind Daku, e ka mbyllur aventurën e tij te Kukësi. 19 vjeçari erdhi në formë huazimi nga Osijek te verilindorët, por pas gjashtë muajsh pa lënë shumë gjurmë ka ndërruar ekip. Sërish në huazim nga Osijek, sulmuesi i Kosovës U-21 është transferuar te Ballkani në IPKO Superliga.

Njoftimi i Ballkanit:

Mirë se vjen Mirlind Daku. Futbollisti më i ri FC Ballkani është sulmuesi shtatlartë Mirlind Daku, i cili vjen në formë huazimi nga klubi mik NK Osjek – Kroaci.

Mirlindi është anëtarë i rregullt i kombëtares U-21 të përfaqësueses së Kosovës, i cili më parë ka mbrojtur ngjyrat e klubeve të Superligës duke qenë protagonist në KF Hajvalia, KF Llapi dhe në ligën superiore të Shqipërisë tek KF Kukësi. Na priftë e mbara./abcnews.al

Abazaj-Kukesi.jpg
Vladimir Prenga13:18 | 07/01/2020

Kristal Abazaj mund të rikthehet në Belgjikë. Jo te skuadra e Anderlecht që zotëron kartonin e tij, por në një klub tjetër. KAS Eupen thuhet se interesohet për shërbimet e sulmuesit anësor, i cili ka gjetur formën gjatë eksperiencës me Kukësin në Superiore.

Klubi belg renditet në vendin e 13-të në kampionat dhe po mendon të përforcohet. Ata kanë hedhur dytë nga Anderlecht, ku kërkojnë veç Abazajt edhe Landry Dimata dhe Emmanuel Sowah. Sulmuesi anësor është lojtari më i paguar te Kukësi, por largimi i tij në këtë moment do i dobësonte verilindorët.

Futbollisti 23-vjeçar ka shënuar katër gola me Kukësin deri më tani, ndërkohë që është aktivizuar në 15 ndeshje. 13 prej tyre ai i ka nisur nga minuta e parë dhe ka treguar një formë të mirë. /abcnews.al

Lëvizjet e mundshme tek Anderlecht, sipas voetbalbelgie
daku-gol.jpg
Vladimir Prenga08:27 | 04/01/2020

Kukësi do të niset drejt Turqisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore dhe do të luajë disa ndeshje miqësore. Trajneri Shpëtim Duro nuk do të ketë nën urdhrat e tij një prej lojtarëve që iu bashkua ekipit në merkaton e verës.

ABC News mëson se Mirlind Daku nuk do të fluturojë drejt Turqisë me pjesën tjetër të skuadrës dhe largimi i tij mbetet vetëm të zyrtarizohet. Ai u mor në verë nga Osijek në huazim, por ka pasur pak hapësira te Kukësi.

Në kampionat ai është aktivizuar në 13 ndeshje, por vetëm dy prej tyre i ka nisur nga minuta e parë. Në njërën shënoi edhe golin e vetëm në Superiore, që kishte vlerën e tre pikëve. Sulmuesi ndëshkoi Flamurtarin dhe tani pritet që të mësohet se ku do ta vijojë karrierën.

 

Çështja tjetër lidhet me mesfushorin Vesel Limaj. Ky i fundit pretendon se i ka përfunduar kontrata me Kukësin dhe do të duhet të sqarohet kjo çështje. Mesfushori dardan e ka emrin në listën e lojtarëve që duhet të udhëtojnë drejt Turqisë, çka nënkupton se nga ana tjetër klubi pretendon se është ende nën kontratë. /abcnews.al

bogdani-dhe-duro.jpg
Vladimir Prenga08:04 | 26/12/2019

Franco Lerda u shkarkua pas humbjes në derbi dhe janë të shumtë emrat e lakuar për ta pasuar italianin. Ka edhe nga ata që e lëshojnë ndonjë mesazh përmes mediave dhe kështu ka bërë Erjon Bogdani, i cili eksperiencën e vetme si trajner e ka në krye të Shqipërisë U19.

Ish-sulmuesi i kombëtares dhe i “demave”, me deklaratën e tij ka bërë që të hapet e përditshmja “Panorama Sport. Titulli kryesor i saj është i qartë: “Erjon Bogdani hedh dorashkën: Jam gati të drejtoj Partizanin”.

KUKËSI – Te Kukësi gjobat kanë qenë kryefjalë këtë sezon, derisa u arrit në pikën që lojtarët të propozonin që të mos merrnin dy paga në fund nëse nuk do të fitojnë titullin kampion, por me kushtin që t’i marrin pagat në një datë të caktuar dhe të mos ketë më gjoba gjatë sezonit.

Madje ata edhe firmosën, por klubi nga ana tjetër nuk është se ka qenë korrekt. Së fundmi ka ardhur gjoba e radhës dhe ajo për trajnerin Shpëtim Duro, i cili është acaruar gjatë ndeshjes së fundit me Skënderbeun.

Tifozë të paktë në stadium nuk kursyen të sharat ndaj lojtarët e tyre dhe diçka të tillë Duro e evidentoi në deklaratën e dhënë pas ndeshjes. Te Kukësi nuk e kanë pritur mirë reagimin e trajnerit, që u është përgjigjur tifozëve edhe gjatë ndeshjes. Gjysmë page gjobë, gjë që normalisht nuk është pritur mirë nga Duro. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono