kuito

ekathimerini.jpg
nev ila15:03 | 08/10/2019

Gjithçka nisi nga një telefonatë anonime që mbërriti te Autoritetet Portuale të Selanikut natën e 2 gushtit.

“Një person i panjohur telefonoi Byronë e Speciale të Antidrogës duke njoftuar se në pjesën frigoriferike të një kontenieri me banane që vinte nga Ekuadori kishte një sasi të madhe kokaine të fshehur. Menjëherë pas kësaj u bë një kontroll i kontejnerëve brenda portit të Selanikut (SEBO) dhe në motorin e frigoriferit u gjetën 47 pako me 51 kg kokainë“. Kështu e nis shkrimin media greke Kathimerini.

Sipas Kathimerini, autoritetet greke ishin ata që iniciuan hetimin ndërkombëtar të operacionit të shumëpërfolur “Quito”.

Ky ishte fillimi i një hetimi të vazhdueshëm që ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 700 kg kokainë të fshehur në frigoriferë dhe në muret e 12 konteinerëve të bananeve nga Ekuadori të destinuara për Pireun, Selanikun dhe Durrësin.

Që nga sekuestrimi i parë, hetimet sekrete janë zhvilluar në Greqi ku qindra konteninerë të ardhura nga Ekuadori janë kontrolluar me pajisje me rreze x. Zhvillimet e fundit hetimore vazhduan më pas jo më në Greqi, por në Shqipëri.

Një prej kontenierëve që vinte nga Ekuadori, u lejua të vazhdonte rrugën e mbikëqyrjes nga Pireu me destinacionin e tij përfundimtar, portin e Durrësit.

Natën e 19 shtatorit kontenieri ndërsa qëndroi për tetë ditë në portin e Durrësit, një person ishte afruar dhe kishte marrë ngarkesën brenda kontenierit. Menjëherë pas kësaj me një autoveturë private personi sëbashku me një bashkëpunëtor tjetër u larguan nga porti.

Njëzet minuta më vonë, pasi kontrolluan ngarkesën zbuluan se kokaina ishte zëvendësuar me oriz duke kuptuar se po ndiqeshin dhe se kishin rënë në një kurth. Ndjekja pasoi dhe policia shqiptare përfundimisht arriti të arrestojë dy nga tre të dyshuarit, ndërsa porositësi arriti të shpëtojë në mënyrë misterioze.

Operacioni i policisë shqiptare u kodua me emrin “Quito”, i cili i referohet kryeqytetit të Ekuadorit nga ku filloi udhëtimi i drogës.

Edhe pse hetimet në Shqipëri dhe Greqi nuk janë mbyllur, hetuesit janë të sigurt se pas importeve të kokainës nga Amerika Latine në Europë është mafia shqiptare. Raportet e fundit në shtypin shqiptar, në të vërtetë, shkojnë një hap më tej, duke treguar dy organizata kryesore kriminale me qendër në qytetet Fier dhe Elbasan.

Për rreth dy javë, në njërën nga tre kontenierët të ngarkuar me banane në portet e Pireut dhe Selanikut, oficerët e antidrogës zbuluan kokainë të fshehur në pjesën frigoriferike të kontenierit. Shuma totale e sekuestruar vlerësohet të arrijë në 700 kg.

Gjithsesi është çështje ditësh për përfundimin zyrtar të hetimit. Burimet nga mediat greke njoftojnë se shefat e Shërbimit të  Njësive Speciale të Antidrogës, Rojet Bregdetare, SODO, policia si dhe zyrtarët e Doganave të Pireut do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp të mërkurën e ardhshme 9 tetor./abcnews.al

porti-durres.jpg
nev ila11:51 | 28/09/2019

Prokuroria e Krimeve të rënda zgjeron hetimet pas sekuestrimit të 137 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit.

Organi i akuzës ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të verifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

Ndërkaq, u vendos masa e “arrestit në burg” në mungesë për biznesmenin në kërkim, Gentian Malindi.

Zbardhen detaje të reja në lidhje me 137 kg kokainë të sekuestruara në portin e Durrësit. Prokuroria për krime të rënda po heton edhe zyrtarë të portit të Durrësit, pasi dyshohet se kanë favorizuar futjen e personave të paautorizuar brenda portit.

Burimet konfirmojnë se janë sekuestruar kamerat e sigurisë në Portin e Durrësit për të bërë të mundur identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet trafiku të kokainës.

Hetimet e krimeve te Rënda janë përqendruar tek porositësit e 137 kg kokainë, pasi grupi hetimor ka dyshime se i përfshirë është një grup kriminal që vepron në jug të vendit.

Po sipas të njëjtave burime kokaina do përpunohej në vendin tonë dhe destinacion final kishte tregun evropian.

Ndërkohë, këtë të shtunë Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest ne burg” në mungesë për Gentian Malindin, një nga personat e dyshuar si porositës i 137 kilogrameve kokainë.

Në fotot e siguruara nga ABC News dallohet oficeri i sigurisë së portit Ardian Bega, që ndodhet tashmë prapa hekurave.

 

Oficeri i sigurisë së Portit, rezulton të ketë përdorur dokumentin e tij për hyrje-daljet ne Port.

Bega ka pranuar para grupit hetimor se ka njohje me Gentian Malindin dhe se ishte ai që i ka kërkuar të hapte kontenierët dhe të nxirrte prej andej një ngarkesë.

Prapa hekurave për 137 kg kokaine është edhe Altin Myslihaka.

 

Ishte DEA amerikane, ajo që sinjalizoi autoritetet greke se në Portin e Pireut kishte mbërritur një sasi prej 137 kilogramë kokainë, që vinte nga Ekuadori me destinacion final Shqipërinë.

Kokaina ishte fshehur në motorët e frigoriferëve në katër kontenierë me banane, të porositura nga një kompani shqiptare, e cila operon në treg nga viti 2011.

Autoritetet Greke kanë informuar policinë shqiptare pas zbulimit të drogës dhe më pas kanë vendosur që ta zëvendësonin drogën me oriz, dhe brenda pakove të vendoseshin GPS.

Kontenierët me banane kanë kaluar tranzit në portin e Pireut./ABC News Albania 24/7

 

gentian-malindi-black.jpg
nev ila11:45 | 28/09/2019

Gjykata e krimeve të rënda cakton masën e sigurisë, “arrest me burg”, në mungesë për Gentian Malindin, një nga personat e dyshuar si të përfshirë në trafikimin e 137 kilogramëve kokainë.

Gentian Malindi është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit pas goditjes së linjës së trafikut të kokainës Ekuadër-Greqi-Shqipëri. Dy shtetas të tjerë u arrestuan nga policia, ndërsa Malindi vijon të jetë në kërkim.

Ditën e djeshme, 137 kokainë u sekuestruan nga autoritetet, ndërsa në pranga ranë shtetasit Altin Myslihaka dhe Adrian Bega.

Ndërkohë, babai i Gentian Malindit, avokati Ilir Malindi, mohon që i biri, tashmë shtetas i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, të jetë porositësi i kokainës./abcnews.al

malindi.jpg
ad min13:53 | 27/09/2019

Zbulohet biznesmeni që ishte pritësi i 137 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar, me pjesëmarrjen dhe të agjentëve të DEA-s amerikane. Ai është Gentian Malindi, i arrestuar më parë dhe për një sasi prej 500 kilogramë hashash.

Ky është Gentian Malindi që dyshohet se ishte porositësi i 137 kg kokainë të sekuestruara në portin e Durrësit. Biznesmeni u shpall në kërkim nga uniformat blu, ndërsa më herët u arrestuan Altin Myslihaga dhe Ardian Bega të dy punonjës në portin e Durrësit. Lënda narkotike ishte fshehur në katër kontenierë me banene që ishte nga Ekuadori, kishte ndaluar në Greqi dhe sipas prokurorisë së krimeve të rënda destinacioni final ishte Shqipëria. Operacioni ndërkombëtar “Kuito” u drejtua nga DEA Amerikane, policia Greke dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Pas nisjes së kokainës nga Ekuadori në Greqi, më pas në vendin tonë, lënda narkotike u dorëzua në mënyrë të kontrolluar. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është fiskuar ky moment, ku Ardian Bega 53 vjeç është futur brenda ambienteve të portit të Durrësit.

Sipas dëshmisë së dhënë nga një prej të arrestuarve, ata kanë hyrë në port nga ana e Urës së Dajlanit dhe kanë mundur të marrin disa nga pako me drogë. Rruga e tyre ka vijuar drejt Shkëmbit të Kavajës, kur gjatë ecjes kanë kuptuar se diçka nuk shkonte. Ishte pikërisht Gentian Malindi që kuptoi se në pakot e kokainës kishte edhe oriz. Sipas dëshmisë dhënë para oficerëve të Ardian Begës, Malindi u ka kërkuar të mos flasin pasi në automjet mund të kishte përgjues. Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë. Në qershor të vitit 2013, Malindi është arrestuar pasi në një furgon mallrash u gjet nga policia mbi 300 kilogramë kanabis, që vinte nga Lazarati.

Në lidhje me shpalljen në kërkim nga policia të Gentian Majlindit ka reaguar edhe babai Ilir Malindi, i cili është edhe avokat i tij. “Djali im nuk ka lidhje me lëndën narkotike. Ai nuk do të dorëzohet derisa çështja të marrë rrugë ligjore”- u shpreh ai.

/ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono