kufijte

kosovo_web-thumb-large.jpg
ent ela09:17 | 20/05/2019

Zyrtarët shqiptarë nuk janë shumë bindës kur flasin për një Shqipëri të Madhe si propagandë serbe dhe ruse të dizajnuara për të kultivuar frikën e Shqipërisë. Kështu e nis shkrimin gazeta greke “Ekathimerini” lidhur me bisedimet për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Faktet flasin vetë. Një postim i fundit në Facebook nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nxiti natyrshëm kontradikta. Thaçi tha se gjatë një takimi të fundit me kryeministrin shqiptar Edi Rama diskutuan “domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një zone shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike”. Kjo zonë, shtoi ai, duhet të përfshijë zonat në Serbinë jugore me shumicë shqiptare.

Shqiptarët kanë ndjekur sistematikisht një politikë të “bashkimit kombëtar”, vijon më tej gazeta greke, me qëllim të krijimit të asaj që zakonisht quhet “Shqipëria Natyrore” (në thelb një mënyrë tjetër për të thënë Shqipërinë e Madhe, për të zbutur reagimet nga vendet fqinje dhe lojtarët e fortë gjeopolitikë). Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë një kurrikulum të përbashkët, si dhe ambasada të përbashkëta dhe misione diplomatike. Në vitin 2014, qeveria shqiptare hoqi lejet e punës për shqiptarët etnikë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës në Serbi. Pak ditë më parë, masa u shtri për shqiptarët etnikë në Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi.

Për momentin, plani duket të jetë krijimi i një Schengen Shqiptare, siç ishte, me heqjen e kufijve midis dy vendeve. Ata po e shtyjnë atë hap pas hapi, duke rrezikuar një përplasje ndaj popullsisë jo etnike shqiptare. Propozimi amerikan për një shkëmbim territori midis Kosovës dhe Serbisë lehtëson planet e tyre për një territor të vetëm shqiptar, duke parashikuar bashkimin e Luginës së Preshevës, ku popullsia është kryesisht shqiptare etnike, me Kosovën – një hap i madh drejt bashkimit të shqiptarëve etnikë në të gjithë gadishullin e Ballkanit.

Lidershipi serb reagoi ndaj fjalëve të Thaçit. Megjithatë – siç tregojnë komentet nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç – nuk është kundër idesë së një shkëmbimi territori. Kjo është për shkak se një ndryshim kufitar në Kosovë do ta bënte më të lehtë që serbët e Bosnjes të bashkohen me Serbinë, e cila ndërkohë do të ketë rivendosur kontrollin mbi pjesën më të madhe të serbëve etnikë të Kosovës në veri të lumit Ibër.

Në këtë mënyrë, një Serbi e Madhe do të dilte së bashku me një Shqipëri të Madhe. Dy mosmarrëveshje të pazgjidhura historike në Ballkan, çështja shqiptare dhe serbe, do të ishin zgjidhur, por në rrezik të një efekti domino më të gjerë kufitar. Gjermanët janë natyrshëm të shqetësuar. /abcnews.al

 

THACI-NE-OPINION.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela13:50 | 10/05/2019

“Ideja e korrigjimit të kufijve ka qenë e imja që prej fillimit”. Ka qenë kjo deklarata e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i ftuar në studion e Opinion të gazetarit Blendi Fevziu. Thaçi shtoi se kishte qenë ai që ia kishte parashtruar këtë ide presidentit serb Vuçiç. Ndërsa për kryeministri shqiptar Rama, Thaçi theksoi se kishte luajtur në rol konstruktiv në dialogun Prishtinë-Beograd.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se ideja e korrigjimit të kufijve me Serbinë ka qenë e tij prej fillimit.

Në studion e emisionin “Opinion” ai hodhi poshtë akuzat se ky është një plan serbo-rus dhe që në të janë përfshirë edhe kryeministri Rama dhe presidenti Vuçiç.

Në procesin e dialogut Kosovë – Serbi e vlerëson rolin e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Ndërsa është shumë i ashpër me ish-kryeministrin Berisha.

Thaçi zbulon edhe një episod të vitit 2002 kur tha se kishte nxjerrë nga zyra një nga kryeministrër shqiptar.

Thaçi këmbënguli se nuk do të pranojë që nga korrigjimi i kufijve, Kosova të humbë territore. /ABC News Albania 24/7

 

47042534_303.jpg
ent ela09:30 | 28/02/2019

Ajo që u bë e njohur verën e kaluar tani duket se është duke u përmbyllur heshturazi: Këmbimi i territoreve midis Serbisë dhe Kosovës po afrohet. Gabim, thotë Christian Schwarz-Schilling.

Parimi i hekurt i Perëndimit për të shmangur me çdo kusht çdo plan për ndarje të tjera etnike, mesa duket nuk vlen më. Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, sipas të gjitha gjasave janë duke bërë një “marrëveshje”, sipas së cilës  Kosova do t’ia kalojë zonat me shumicë serbe në Veri të Mitrovicës Serbisë, ndërsa zonat me shumicë shqiptare në Jug të Serbisë, pra në Luginën e Preshevës, do t’i kalohen Kosovës. Lobistët e kanë bërë mirë punën e tyre. Megjithëse plani fillimisht hasi në rezistencë nga shumë anë, veçanërisht nga popullsia, duket se së shpejti ai do të miratohet. Kjo do t’i jepte Serbisë statusin e kandidatit të BE-së, ndërsa do ta njihte Kosovën si shtet dhe do t’i mundësonte asaj një vend në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Korrigjimet e kufijve do të hapnin Kutinë e Pandorës

Në gusht të vitit të kaluar, dy ish-kolegët e mi, Paddy Ashdawn dhe Carl Bildt, Përfaqësues të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe unë i dërguan një “Letër e hapur” ministres së Jashtme të BE-së, zonjës Mogherini, ku paralajmëronim që të mos hapej Kutia e Pandorës me shkëmbime territoresh. Sepse kjo do të ndihmonte faktorin separatisto-nacionalist – jo vetëm në rajon, në Bosnje-Hercegovinë, por edhe në shumë vende të tjera. Do të hapte rrugë për trazira edhe më të mëdha që rrallë përfundojnë pa luftë.

Këtu nuk është fjala vetëm për ëndrrën e Serbisë së Madhe, që i çoi në luftë në fillim të viteve 1990, por, siç e kam përjetuar atë në janar të këtij viti në një bisedë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjithashtu ka një bashkim të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën – një ide që nuk është braktisur kurrë.

Ai më tha në këtë bisedë se ai e vlerësonte shumë vendosmërinë e Angela Merkel-it dhe të politikës së Gjermanisë në lidhje me ndryshimin e kufijve. Megjithatë ai kishte frikë se çlirimi përfundimtar i Kosovës nga prangat e Serbisë do të zgjaste shumë ose nuk do të ndodhte kurrë dhe se prandaj ai shihte një mundësi konkrete te bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Është shumë befasuese që politikanët e BE-së në Bruksel, të cilët e kanë hedhur poshtë rreptësisht politikën e ndryshimit të kufijve, nuk e shohin më këtë rrezik sot dhe tani, krejt papritur, e konsiderojnë atë plotësisht të mundshme. Cilat janë arsyet?

Politika të reja të fuqive të mëdha në Ballkan?

Këtu, natyrisht, hyn në lojë SHBA-ja. Presidenti Trump dëshiron të tërhiqet nga rajoni i krizës, Ballkani, dhe është pajtuar në negociata për shkëmbimin e territorit midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një kthesë e plotë e politikës së deritanishme të SHBA-së, e cila është përforcuar me dy letra të mëtejshme të Presidentit Trump këtë vit për Presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Duhet shtruar pyetja se çfarë synon Trump-i me këtë hap. Ka spekulime se ai është duke ndjekur një “marrëveshje” me Putinin për ndarjen e influencës së dy fuqive të mëdha në Ballkan. Sipas formulës: Kosova shkon në NATO dhe Serbia mbetet nën ndikimin rus, duke e refuzuar hapur anëtarësimin në NATO. Natyrisht ai me këtë po destabilizon rajonin, veçanërisht Bosnje-Hercegovinën, sepse këtu udhëheqësi politik i Republika Srpska-s, Milorad Dodik, e thotë prej vitesh se anëtarësimi në NATO për Bosnjë-Hercegovinën është opsion vetëm nëse Serbia e ndërmerr një hap të tillë.

Me këtë Trump-i bën një lëshim për Rusinë, duke mos e penguar ndikimin në rritje të saj në rajon.
Spekulimi tjetër se Trump-i dëshiron t’i shohë në NATO të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, për të kufizuar kështu ndikimin rus në Ballkan, është gjithashtu i përhapur, veçanërisht në qarqet e NATO-s. Kjo ndoshta mund të shpjegojë qendrimin e ndryshuar të BE-së.

Kush e paguan dëmin? 

E besueshme është se Serbia dhe Kosova, pa mbështetjen e Amerikës, nuk do të kishin mundur të vinin te ky shkëmbim territoresh që deri tani ishte i papranueshëm. Se cili nga këto dy spekulime do të jetë i saktë, kjo nuk mund të thuhet, për shkak të paparashikueshmërisë së madhe të presidentit amerikan. Të dy opsionet do të kishin një efekt të madh në Ballkan.
Çfarë vjen pas kësaj? 

Motoja e konferencës së sigurisë në Mynih në këtë vit shtronte pyetjen: “Dhe kush do t’i mbledhë qelqet?” (Kush e paguan dëmin, shën. i përkth.) Pasi të keni tërhequr kufij të tillë sipas vijave etnike, si mund ta ndalni rajonin e Sanxhakut që të kërkojë t’i bashkohet Bosnjës dhe Republikën Serbe që t’i bashkohet Serbisë? Po Maqedonia Veriore, e cila sapo ka zgjidhur një problem të madh me Greqinë dhe tani do të përballet me një problem të ri: Vallë të mos duan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që të jetojnë në një shtet të pastër etnikisht?

Rumania, e cila tani është edhe kryetare e radhës së BE-së, do ta ketë të vështirë ta pranojë këtë zgjidhje, sikurse dhe Greqia. Ndërsa Spanja është e mbytur që tani me problemin e Katalonjës. Megjithatë, askush nuk mendon për të drejtat e përgjithshme të njeriut, të drejtat themelore të individit, të drejtat e pakicave dhe lidhjet absolutisht të nevojshme me shtetin ligjor brenda dhe me të drejtën ndërkombëtare në marrëdhëniet e jashtme.

Kështu që sot, nuk më mbetet tjetër, veçse të apeloj te vendete e Këshillit të BE-së dhe te Komisioni i BE-së që të jenë të vetëdijshëm për vlerat dhe bazat e Evropës. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë të mos habitemi me flukset e refugjatëve që vijnë këtu për shkak të vendimeve të gabuara. I kthehem edhe njëherë motos së konferencës së sigurisë të këtij viti në Mynih: Kur merren vendime të gabuara, dëmin zakonisht e paguan Evropa e jo ata që e shkaktuan!/DW

ramush-haradinaj.jpg
G. P.15:03 | 08/02/2019

Në një intervistë për televizionin T7, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, konfirmoi se ideja e takimit pak ditë më parë në shtëpinë e presidentit Hashim Thaçi, ka qenë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama

Ka qenë ideja e kryemistrit shqiptar Edi Rama, ajo e takimit me liderët kosovarë në shtëpinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pak ditë më parë. Këtë e konfirmoi kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se fillimisht takimi ishte menduar të mbahej në Tiranë.

Ramush Haradinaj: Ka pasur një iniciativë trë Kryeministrit Edi Rama për një takim . Në fillim ishte ideja që të ndodhte në Tiranë, por pastaj u mbajt në Prishtinë. I jam përgjigj me repsekt. Ashtu siç e bëjmë në respekt të Shqipërisë, presidentit, parlamentit. Biseda ka qenë një bisedë e kujdesshme. Janë po të njëjtat tema që i dimë, taksa, dialogu opsionet e zgjidhjes finale Kosovë-Serbi. Nuk ka pasur ndonjë ndryshim mendimesh nga ana ime jo e jo, por afërsisht ajo që dihet.

Më tej, kreu i ekzekutivit pranoi se mbi të gjitha ishte diskutuar për taksën e vendosur ndaj Serbisë, por theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i tij pavarësisht presioneve të vazhdueshme. Haradinaj shtoi se mirëpret këshilla dhe mendime, por në asnjë moment nuk do të pranohet të vihen në diskutim vendimet e qeverisë së tij, pavarësisht se kush qëndron në anën tjetër të tryezës së bisedimeve./abcnews.al

thaci.jpg
ent ela20:52 | 06/02/2019

Presheva, Medvegja dhe Bujanovci janë ambicjet që Kosova synon të realizojë në bisedimet me Serbinë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar të logjikshëm bashkimin e tyre me territorin e Kosovës, por ka refuzuar të deklarojë nëse nga ana e saj Prishtinës do t’i duhet të lëshojë komunat me shumicë serbe.

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se korrigjimi i kufijve është i vetmi opsion që Kosova dhe Serbia të ndahen me njohje reciproke nga procesi i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka nënvizuar se çdo korrigjim do të bëhet duke mbrojtur interesat territoriale dhe pasuritë natyrore të Kosovës, përfshirë Trepçën, e cila së fundmi përflitet se mund të parashtrohet si çështje në tryezën e bisedimeve.

“Në fund, nuk ka njohje pa përcaktimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Kosovës, duke mos cënuar të gjitha resurset e Kosovës”.

Sa i takon taksës për produktet serbe, heqja e të cilës është kërkuar me insistim nga aleatët e Kosovës, Thaçi ka theksuar se mbështet mundësinë për një pezullimi të përkohshëm të saj.

“Kemi një këshillë insistuese nga SHBA dhe BE që të ketë një pezullim të përkohshëm, 2 ose 3-mujor, të taksës”.

Në vijim Thaçi ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete nëse Kosovës do t’i duhet të lëshojë si këmbim komunat me shumicë serbe në veri të saj, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo temë të diskutohet në raundet e ardhshme të dialogut. /abcnews.al

THACI-DEKLARATAT-1280x671.jpg
G. P.11:29 | 06/02/2019

Një korrigjim i lehtë kufijsh duhet pranuar për hir të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Është kjo deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje që nuk mbështetet dhe nga Uashingtoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në Nju Jork. Ai tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë dhe rajon si dhe do të ketë rol transformues në shoqëri.

Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan REL, presidenti Thaçi u shpreh se “këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”, tha presidenti Thaçi, i cili po qëndron në SHBA, për të marrë pjesë në organizimin e “Lutjet e Mëngjesit”.

Sipas Thaçit një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes dy vendeve.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar, se kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.

“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme. Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, theksoi presidenti Thaçi./abcnews.al

38750033_303.png
ent ela13:24 | 07/01/2019

Analistë  të huaj shprehen të bindur se ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk mund të realizohet pa luftë. Opinionet jepen në një analize të Deutsche Velles.

Ndryshimet e kufijve dhe krijimi i shteteve të mëdha në Ballkan nuk janë të mundura pa luftë, mendojnë analistët në Sarajevë. Në një analizë për Deutsche Vellen ata shprehen edhe për krahasimet mes Kosovës dhe Republikës Srpska.

Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se “kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është hequr sipas parimit të Shengenit”. Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se kjo është një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila sipas tij, “nuk mund të krijohet pa konflikte në mbarë Ballkanin, e jo vetëm me Serbinë“. Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic akuzoi autoritetet në Prishtinë për “cënimin e stabilitetit rajonal”. Ajo shfrytëzoi rastin për të krahasuar Kosovën me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.

Menjëherë pas këtyre deklaratave kanë reaguar edhe autoritetet në Sarajevë. Anëtari kroat i Presidencës së B-H, Zhelko Komshic tha se “kufijtë e B-H nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, pavarësisht se çfarë ndodh mes Kosovës dhe Shqipërisë“. Ndërsa anëtari boshnjak, Shefik Xhaferovic pohon se përpjekjet për cënimin e integritetit territorial apo ndryshimet e kufijve, “nuk do të kontestonin ekzitencën e B-H, por do të cënonin paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit, sepse kjo do t’i jepte fund Marrëveshjes së Dejtonit, pra edhe strukturave të brendshme etnike të B-H”.

Bashkëkryetari i Iniciativës së Igmanit për Serbi, Aleksandar Popov, në një deklaratë për Deutsche Vellen rikujton tezat e diplomatit dhe gjeopolitologut britanik Timothy Less, i cili thoshte se pa krijimin e një “Serbie të madhe”, “Shqipërie të madhe” dhe “Kroacie të madhe”, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Ai mendon se këta skenarë nuk janë të mundur pa luftëra të reja.

Analisti politik në Sarajevë Almir Terzic mendon se krahasimet mes Kosovës dhe B-H, respektivisht Republikë Serbska si pjesë e B-H dhe Kosovës, janë një përpjekje e liderëve serbë që qytetarët e tyre në Serbi t’i bindin se ata nuk janë humbësit më të mëdhenj të territoreve në Ballkan dhe se Beogradi ende ka çfarë të thotë jashtë territorit të Serbisë.

Ndryshimet, respektivisht “korrigjimet” e kufijve në Ballkan, nuk kanë pasur mbështetje në BE dhe në SHBA, që nga koha e viteve 90-të – ndonëse disa analistë thonë se Uashingtoni ka qenë i gatshëm të mbështesë parimin e korrigjimit të kufijve në kuadër të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Por shumica e vendeve anëtare të BE mendon se ndryshimi i kufijve sipas parimeve etnike mund të shkaktojë konflikte të reja dhe dhunë. Ekspertët thonë se ndryshimet e këtilla të kufijve do të ishin një projekt i cili do të rezultonte me “reaksione zinxhir”.

PROVOKACIJA-MENTOR-NAZARKO-PJ-2.mpg_snapshot_12.44-1280x720.jpg
G. P.21:12 | 20/11/2018

I ftuari i dytë i emisionit Provokacija nga Mustafa Nano ishte gazetari Mentor Nazarko. Një diskutim për situatën në Kosovë. Temë kryesore ishte shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk e dimë se ku qëndron ky shëkmbim dhe kush janë termat e këtij shkëmbimi. Palët në Kosovë, në këtë moment që është i dyti më i rëndësishëm pas pavarësisë, zgjidhja e bashkëjetesës me Serbinë, çfarë forme do të ketë marrëveshja midis këtyre dy subjekteve. Është një moment thelbësor. Për të bërë një marrëveshje të tillë do të duhet një unitet politik i Kosovës dhe i gjithë faktorit shqiptar. Kosova e ka humbur pak atë rëndësinë që kishte, është dobësuar ndërkombëtarisht. Në një situatë të tillë, kjo klasë politike duhet të vendosë për të ardhmen e Kosovës.”

Nazarko tregoi dhe mendimi e tij për këndvështrimin e Thaçit në lidhje me situatën e shkëmbimit të territoreve dhe qëndrimin e këtij në këtë marrëveshje.

“Kurajon vetëm Thaçi mund ta kishte në fund të fundit, sepse është një nga politikanët më jetëgjatë e më i fuqishëm në Kosovë. Është një njeri që ka akumuluar një eksperiencë që ka lidhje të forta ndërkombëtare, një njeri që luan agresivisht e taktikisht në mënyrë të shkëlqyer. Mirëpo për këtë çështje është frymëzuar dhe nga diçka. Kosova është duke përjetuar edhe një moment vështirësie ndërkombëtare. Është vendi më i izoluar në Europë. Në këtë kuptim Thaçi e ka parë se sa e vështrië është integrimi ndërkombëtar i Kosovës. Serbia çdo lëshim që bën e shndërron në pazar të madh. Thaçi i ka shkuar kësaj ideje të shkëmbimit të territoreve sepse çmimi që merr është dalja e Kosovës nga izolimi. Por edhe një skenar tjetër që është shumë interesant. Në qoftë se bëhet shkëmbimi i territoreve me gjasë hiqen pengesat e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.”

Gazetari gjithashtu tha se shtetit serb i intereson bashkimi i Kosovës me Shqipërin për disa arsye të ndryshme.

“Unë imagjinoj që Serbisë i intereson bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Dy subjekte shqiptare në OKB, kanë peshë janë 2 vota. I intereson sepse krijnon precedentë për bashkimin në pjesë të caktuara ku jetojnë serbët, i intereson për të na dominuar ekonomikisht, për të patur një treg të madh. I intereson edhe për të krijuar një tablo të re gjeopolitike. Vuçiçi ka thënë që do bëhet paqe me shqiptarët. Me gjasë ai ëndërron ta luajë këtë kartë të paimagjinueshme dhe ndërpret aksin e dikurshëm serbo-grek.”/abcnews.al

THACI-DHE-HARADINAJ-DIALOGU-1280x720.jpg
ent ela13:25 | 26/10/2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri me dije se në Paris nuk do të diskutohet për dialogun Kosovës-Serbi. Ndërsa kryeministri Haradinaj theksoi në një konferencë se mbështet pajtimin me Beogradin por jo ndryshimin e kufijve.

Deklaratat e drejtuesve të shtetit të Kosovës tregojnë edhe njëherë që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është bllokuar. Presidenti Hashim Thaçi në një prononcim për media tha se Kosova do të marrë pjesë në konferencën e Paqes në Paris, por aty nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi.

Hashim Thaci, President i Kosovës: “Natyrisht se Kosova do të marrë pjesë sikur të tjerët në këtë konferencë të thirrur nga presidenti francez Macron. Kjo është një mundësi e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës tek vendet që se kanë njohur Kosovën, por po e them se aty nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi por vetëm mundësi të afirmimit të shtetit”.

Kjo deklaratë e tij erdhi pas raportimeve se në Paris mund të zhvillohet një raund i ri i takimeve me palën serbe me ndërmjetësim të presidentit Macron. Për bisedimet me Beogradin ka folur edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në një konferencë për shtyp, ai nënvizoi se mbvështet pajtimin por jo ndryshimet e kufijve.

Ndërkohë, ende nuk ka një datë të caktuar për zhvillimin e një raudi të ri bisedimesh në Bruksel për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Raundi i fundit dështoi pasi presidenti serb Vuçiç nuk pranoi të takohej me Thaçin për shkak të pengesës që ishte krijuar për vizitën e tij në liqenin e Ujmanit. /abcnews.al

THACI-NUK-TERHIQET_-1280x720.jpg
ent ela14:23 | 22/10/2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi premtoi se do ta shtyjë përpara çështjen e korrigjimit të kufijve me Serbinë. Gjithashtu ai nënvizoi se Forcat e Sigurisë të Kosovës janë të gatshme të kthehen në ushtri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga nisma e tij, sa i përket korrigjimit të kufijve me Serbinë dhe nuk merr parasysh kundërshtimet e mëdha nga të gjitha anët. Një konfirmim i tillë erdhi nga vetë kreu i shtetit gjatë një takimi në presidencë me pjestarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: “Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke dhe njohja nga 5 shteret antare ndërsa për kohen dhe ditën se kur do të ndodhin takimet e radhës vendos Bashkimi Evropian por nuk është fokusi tek vetëm një çështje, por tek arritja e një marrëveshje përfundimtare. Do ta shtyj përpra çështjen e korrigjimit të kufijve. Korrigjimi i kufijve dhe bashkimi i Luginës së Preshevës do të arrihet pavarësisht qëndrimeve të ndryshme”.

Ndërsa më tej duke folur për suksesin e grupit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që ditë më parë doli i treti në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol”, tha se FSK është gati për të marrë përgjegjësi shtesë. Thaçi nënvizoi në fund se është hap gjigant edhe pse i vonuar, por në rrugë të drejtë, votimi i tre projektligjeve për themelimin e ushtrisë. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono