kualifikim

partizani-3-1280x721.jpg
nev ila12:50 | 17/07/2019

Partizani luan sot në orën 19:00 ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve ndaj Karabakut. Skuadra shqiptare ka besim, ndonëse tradita në Evropë nuk i jep shumë shpresë.

Përfundimi në “Selman Stërmasi” na la me shpresë.

Barazimi pa gola besohet se i la mundësi Partizanit që të synojë kualifikimin në Champions, dhe ja ku vjen sot dita e së vërtetës, ajo e ndeshjes së dytë të turit të parë, në fushën e Karabakut.

Edhe udhëtimi i skuadrës shqiptare drejt Azerbajxhanit sikur e konfirmoi moralin e lartë të saj.

Nuk mund të konsiderohet thjesht zgjedhja e një avioni çarter shumë të mirë, pasi kjo duhet nënkuptuar, por fytyrat e lojtarëve dhe të stafit të trajnerit Lerda flasin vetë.

Gjithsesi, çdo prag ndeshje është pozitive, pasi askush nuk e mendon humbjen, veçse realiteti nuk është edhe aq i këndshëm.

Në 57 vjet pjesëmarrje në kupat e Europës, Partizani nuk ka fituar kurrë jashtë fushe.

Janë 28 ndeshje, në të cilat janë arritur vetëm tre barazime, me pjesën tjetër humbje.

Pak rëndësi ka epoka, dhe nëse është luajtur ndaj Benfikës, Torinos e Sëlltikut, apo kundër Mariborit, Shiroki Brijegut apo Ferencvaroshit.

Gjithsesi, të kuqve u mjafton edhe barazimi 0-0 për ta çuar sfidën tek penalltitë, si dhe një barazim me gola për t’u kualifikuar.

Këtë kishte parasysh presidenti Gazmend Demi në përfundim të duelit të parë.

Përsa i përket formacionit dhe taktikave, pritet që trajneri Lerda të hedhë në fushë të njëjtën skuadër si në “Selman Stërmasi”.

Seancat stërvitore mesa kuptohet e kanë bindur se nuk ia vlen të ketë ndryshime, dhe në portë do të jetë Hoxha, në mbrojtje Ibrahimi, Bitri, Belica e Hakaj, në mesfushë Mala, Telushi e Melo, dhe në sulm Asani, Çinari e Mensah.

Parashikimet nuk janë të favorshme për shqiptarët, pasi azerët jepen favoritë me diferencë për fitore dhe kualifikim.

Karabaku, gjithashtu bëri përgatitjet e fundit, dhe trajneri Gurbanov mund të jetë i qetë sepse ka në dispozicion të gjithë lojtarët, që i kishte edhe në Tiranë.

Kampionia e Azerbajxhanit ka besim tek fitorja, ndërsa do të synojë që ndeshja të mos shkojë tek penalltitë./ABC News Albania 24/7

franko-lerda.jpg
G. P.22:53 | 10/07/2019

Trajneri i Partizanit Franko Lerda tha pas ndeshjes se rezultati ishte i drejtë dhe kërkon kualifikimin. Në kampin tjetër, trajneri i Karabag, Gurbanov paralajmëron të kuqtë për sfidën e kthimit.

Partizani arriti të marrë një barazim pa gola ndaj Karabag në ndeshjen e parë të kualifikuesve të Champions League pas një performance të shkëlqyer. Franko Lerda e nis mbarë në krye të kryeqytetasve dhe zbulon se është mjaft i kënaqur nga rezultati dhe shpreson tek kualifikimi në Azerbajxhan.

“Jam shume i kënaqur me rezultatin pasi lojtarët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë kundër një kundërshtari mjaft të fortë. Më pëlqeu shumë ndeshja, por nëse do të kishim pak fat do të fitonim. Të dyja skuadrat goditen traversën. Ata qarkulluan më mirë topin ndërsa ne krijuam rastet më të mira për shënim. Jam i lumtur për performancën e futbollistëve të rinj. Në fushën e Karabag do të jetë një ndeshje e hapur nisur edhe nga rezultati i sfidës së parë. Do të jetë shumë e vështirë, por ne do të bëjmë më të mirën tonë dhe shpresojmë t’ia dalim”, tha ai.

Trajneri i Karabag, Gurban Gurbanov paralajmëron Partizanin për ndeshjen e kthimit ndërkohë që thekson se barazimi ishte rezultati i drejtë.

“Jam i kënaqur nga rezultati. Ishte ndeshje e vështirë. Partizani luajti fort dhe u rreshtua mirë në mbrojtje. Në ndeshjen e kthimit Partizani do të ketë tepër të vështirë. Në pjesën e dytë ishin më të rrezikshëm pasi luanin para tifozërisë së tyre”.

Ndeshja e kthimit në Karabag do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme./ABC News Albania 24/7

lushnje-1280x719.jpg
ent ela15:00 | 30/05/2019

Në Lushnjë gratë e moshës mbi 40 vjeçe që aplikojnë për punë janë pa arsimim. Në këto kushte bizneset detyrohen t’i angazhojnë në punë jo profesionale ose refuzojnë t’i punësojnë. Subjektet private po mendojnë të hapin edhe kurse trajnimi për të kualifikuar këtë kategori në një sektor të caktuar.

Drita Muça është 52 vjeçe, nga qyteti i Lushnjës, nënë e dy fëmijëve.

Pas 28 vitesh e papunë, prej dy javësh ka filluar punë në një fabrikë të konservimit ushqimor. Rritja në moshe dhe pa kualifikim po e përjashtonte nga kërkesat e tregut. Ndaj është e detyruar të angazhohet në punë jo profesionale.

“Kam qenë me ndihmë ekonomike, erdha te ky pronari këtu, bereqaves që na hapi derën. E vështirë është për punë”.

Edhe Salie Agolli është kryefamiljare. Mundësinë për punë e ka gjetur duke biseduar me gra të tjera të moshës së saj.

“Ndenja ca kohë pa punë, pastaj u interesova dhe erdha këtu se është punë e mirë dhe me gra”.

Punësimi i grave mbi 40 -vjeçe është i vështirë. Problemit i shtohet edhe mungesa e arsimimit dhe kualifikimit të duhur. Në këto kushte bizneset po mendojnë të hapin kurse për punëtorët.

“Trajnimi që ne bëjmë aty është kurs më vete, në rastin konkret po mendojmë se kemi edhe specialistë italianë me licensat e tyre, që të krijojmë kurs për punësimin e agrobiznesit”.

Në Lushnjë, statistikat e zyrës së punës tregojnë se janë regjistruar 2346 femra si punëkërkuese.

Nga këto, 893 janë mbi moshën 40 -vjeçe. Kërkesat e tyre për punësim janë sanitarë, në sektorin e bujqësisë, në fasoneri, dhe në pikat e grumbullimit e seleksionimit të fruta-perimeve. Ajo që vihet re është mungesa e aftësive profesionale madje 80 % e tyre kanë katër klasë shkolle.

/ABC News Albania 24/7

denver.jpg
G. P.17:25 | 28/04/2019

Denveri u kualifikua pas 10 vjetësh në turin e dytë të plej ofit në basketbollin amerikan. Skuadra nga Kolorado eleminoi me shumë vështirësi San Antonion.

U desh edhe ndeshja përcaktuese. Denver Nagets u sforcua deri në limit për të arritur kualifikimin, dhe pritja 10-vjeçare mori fund. Skuadra nga Kolorado kaloi më në fund në raundin e dytë të plej ofit në NBA, duke kaluar me shumë vështirësi San Antonio Spërsin me rezultatin 90-86.

Diferenca në përvojë mes dy ekipeve u duk qartë nga fakti se dueli zgjati plot 7 takime, por gjithsesi këtë herë vendasit nuk patën dështim. Përvoja vjen bashkë me fitoret dhe kështu shpresojnë edhe tifozët.

Si përherë, njeriu që vuri vulën ishte Nikola Jokiç. Shtatlarti serb pati një tjetër tripëll dabëll, me 21 pikë, 15 topa në tabela e 10 pasime për kosh. Xhamal Marrej po ashtu ishte vendimtar, duke realizuar 23 pikë, e duke qenë krahu i djathtë i Jokiçit gjatë gjithë ndeshjes.

Denveri pati ndeshjen në zotërim thuajse gjatë gjithë kohës, duke krijuar epërsi afër 15 pikë, por u rrezikua jo pak që të humbiste. San Antonio u afrua në dy pikë diferencë, por nuk e realizoi dot përmbysjen.

Trajneri Majkëll Maloun u shpreh i lumtur për karakterin dhe forcën psikologjike të ekipit të tij, që u duk në momentet më të vështira, pranë fundit. Në turin e dytë, Denveri do të ketë një sfidë po kaq të vështirë ndaj Portlendit, por sërish me faktorin fushë në favor./abcnews.al

virgil.jpg
G. P.11:50 | 20/11/2018

Holanda arriti një kualifikim dramatik për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Barazimi 2-2 në Gjermani erdhi pas një lëvizjeje taktike të trajnerit Ronald Kuman.

Epoka e re e premtuar u duk se nuk do të vinte. Në stadiumin e Gelsenkirshenit, Holanda po humbiste ndaj Gjermanisë dhe po shkonte drejt një eleminimi të papritur nga Liga e Kombeve, kur papritur diçka ndodhi. Virgil Van Dajk, mbrojtësi kryesor i skuadrës, papritur doli në sulm dhe shënoi golin e barazimit në sekondat shtesë. “Portokallinjtë” morën barazimin që u duhej, eleminuan Francën kampione të botës, dhe shkuan në katërshen e më të mirëve të këtij garimi.

Nuk shkuan kot heroizmat e mëparshme në grup, me fitoret e bujshme 3-0 ndaj gjermanëve dhe 2-0 ndaj francezëve. Tifozët mund të mbeten me shpresë se kjo është një rilindje, një kthim në kohën e Krujfit apo Van Bastenit, pavarësisht se ekipi i tyre i bëri me zemër. Gjermania kryesoi 2-0 në “Feltins Arena”, duke shënuar shpejt në pjesën e parë, e duke dominuar lojën për gati 80 minuta.

Me të drejtë gazeta “Algemen Dagblad” thekson:

Portokallinjtë vazhdojnë përpara. Holanda barazon me cinizëm dhe eleminon Francën në Ligën e Kombeve.

Gazeta “De Telegraf” po ashtu vlerëson golin e Van Dajkut që, sipas saj, bëri drejtësi duke i dhënë kualifikimin Holandës.

Trajneri Ronald Kuman u vlerësua si njeriu që fitoi ndeshjen. Fotografët zbuluan një copë letër, që ishte plani taktik i tij në minutat e fundit, duke nxjerrë në sulm pikërisht qendërmbrojtësin e Liverpulit, Van Dajk, atë që shënoi golin e kualifikimit.

“Ishte një kualifikim i merituar nga ana jonë, – tha Kuman pas ndeshjes, – e vërtetë që Gjermania na vuri në vështirë, dhe unë e prisja këtë plotësisht, por ne kemi meritën që nuk u dorëzuam deri në fund. Ishim skuadra më e mirë e grupit”.

Holanda u bashkua me Anglinë, Portugalinë dhe Zvicrën në gjysmëfinalet e nivelit A të Ligës së Kombeve, me titullin kampion që do të vendoset në qershor./abcnews.al

franca.jpg
G. P.14:30 | 11/07/2018

Optimizëm dhe besim i madh në Francë për fitoren e titullit kampion. Tifozët dhe mediat në festë pas suksesit ndaj Belgjikës në gjysmëfinale të Botërorit.

Të rinj dhe entuziastë. Për futbollistët e Francës ky është normaliteti i jetës, të mësuar me sukses pas suksesi në Botëror. Disfata me Portugalinë në finalen e Euro 2016-s tani është harruar dhe besimi është i patundur në finalen e Botërorit. Trajneri Deschamps dhe lojtarët e tij ndihen gati. Gjithashtu, gati edhe mijëra e mijëra tifozë francezë. Ata shurdhuan e ndriçuan Parisin, sidomos qendrën historike pranë Harkut të Triumfit.

“Kurrë nuk kam ndjerë emocione të tilla, luajtëm si të çmendur, kjo është madhështore”, thotë njëri prej tyre.

Jo më pak zhurmë edhe nga mediat.

“L’Equipe”: Me kokën tek yjet! Falë golit me kokë të Samuel Ymtitisë, Franca mund të kërkojë titullin e dytë botëror!

“Le Figaro”: Ëndrra blu vazhdon! Pas një ndeshjeje të ethshme, Franca mundi Belgjikën duke entuziazmuar gjithë vendin!

“Liberation”: Kupa e Botës, thellësisht e diel! Një ndeshje e fortë, dhe një gol me kokë, Franca në finale!

“Do të mbetem pa gjumë sonte, do ta kem vështirë të fle, – tha autori i golit, Ymtiti, – gjithsesi, s’ka problem. Unë nuk jam aspak i lodhur”.

“Le të shkruajmë historinë tonë, – tha trajneri Deshamp, kampion i botës si lojtar 20 vjet më parë, – le të shkruajmë faqen më të bukur. Jam krenar për titullin e atëhershëm, por duhet të jetojmë kohën tonë”.

Tifozët belgë kishin të tjera ndjenja. Ata e ndoqën ndeshjen me shpresë, por përfundimisht mbetën të dëshpëruar. Më mirë të dëgjojnë fjalët e Jose Mourinho-s.

“Më vjen keq për Hazard, tha trajneri i Manchester United-it, pasi dha gjithçka, por shumë nga lojtarët e tjerë u fshehën. Sërish nuk e treguan veten në një ndeshje të madhe. Franca ishte më mirë në gjërat bazike të futbollit. Ajo e meritoi finalen”./abcnews.al

zvicraaa.jpg
G. P.14:59 | 27/06/2018

Brazil-Serbi dhe Zvicër-Kosta Rikë janë ndeshjet për kualifikim në grupin E të Botërorit. Shqiptarët e Zvicrës kanë shanse të mira që t’ia dalin.

Të dy kombet do të jenë kampionë të botës.

Kështu thonë meditat, kështu thonë edhe qytetarët e dyfishtë.

Ja shqiptarët e Zvicrës, pas fitores me Serbinë.

Përfaqësuesja helvete ka shanse të dalë e para në grup me fitore ndaj Kosta Rikës, ndërsa mundësitë për kualifikim janë që të gjitha.

Yjet kryesorë, Xhaka, Shaqiri e Lihtshtajner, nuk u pezulluan nga FIFA.

Trajneri Petkoviç nuk dëshiron të shpërqëndrohet nga pyetjet për shqiponjën e Xhakës dhe Shaqirit.

“Ne jemi këtu për të luajtur futboll, dhe do të luajmë futboll së bashku. Ne varemi nga futbolli që luajmë dhe nga emocionet që na jep ai. Ajo që ndodhi, ndodhi, dhe ne duhet të bëjmë kujdes. Unë nuk flas me lojtarët për gjëra të tjera. Thjesht, duam të fitojmë ndeshjen dhe të dalim në krye të grupit”.

Kosta Rika do të përpiqet të shkaktojë një të papritur, ndonëse bilanci i saj në Kupat e Botës nuk është aq i mirë, dhe po ashtu bilanci ndaj ekipeve europiane.

Dueli më i madh i grupit E është ai, Brazil-Serbi.

Çështja kryesore e brazilianëve është forma e Neymar-it, por problem janë edhe kartonët e verdhë.

Trajneri Tite shprehet se Brazili nuk është vetëm Neymar-i, ndërsa nuk dëshiron të krijojë shumë presion.

“Nuk dua të mendoj për një sfidë të mundshme me Gjermaninë në turin tjetër. Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. E dimë se bëmë gabime ndaj Kosta Rikës, dhe duhet t’i ndreqim, por unë nuk mund të flas publikisht për gabimet. Duam të dalim në vend të parë në grup, ndonëse Serbia do jetë rival shumë i fortë, me lojtarët e saj tepër të talentuar”.

Po Serbia, si e pret këtë ndeshje?

Skuadra mbërriti në Moskë nën masa të forta sigurie.

Trajneri Krstajiç është përpjekur që ekipi i tij të kalojë shpejt tronditjen e humbjes me Zvicrën, ndërsa mediat serbe i kujtojnë fitoren e Serbisë U20 në finalen e Kupës së Botës ndaj Brazilit, 3 vjet më parë.

“Brazili është një superfuqi futbolli dhe ne e respektojmë. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin për të fituar. Nuk dua të komentoj deklaratat e mia pas ndeshjes me Zvicrën, pasi duhet të mendojmë për Brazilin. Fitorja e finales së Botërorit U20 ndaj brazilianëve na jep më shumë shpresë se mund t’ia dalim”.

Në Moskë do të jetë edhe një duel tifozësh, ku të dyja palët paraqiten me besim, por ku natyrisht epërsinë numerike e kanë ata të Brazilit./abcnews.al

messs.jpg
G. P.14:20 | 27/06/2018

Entuziazëm i jashtëzakonshëm në Argjentinë pas kualifikimit në Botëror. Tifozët dhe mediat lavdërojnë Messin dhe karakterin e ekipit, në fitoren ndaj Nigerisë.

Detyra u krye.

Lionel Messi dhe gjithë argjentinasit e tjerë, më në fund, u kthyen të qetë e të lumtur pas një ndeshjeje të Botërorit, të kualifikuar.

Grupet u kaluan dhe sfida rikthehet të shtunën me Francën, në të tetat e finaleve, por për momentin, mendohet vetëm për të mbledhur veten, por edhe për të festuar.

Tifozët e bënë këtë fare lirshëm, dhe është pikërisht kjo që kërkohej prej tyre.

Kombi i madh amerikanojugor ishte në prag të dëshpërimit, ndërsa tani është në qiellin e shtatë, me besim të plotë tek idhujt e tij, ashtu si edhe mediat.

Gazeta “Ole”: U shfaq raca argjentinase, asgjë e pamundur! Të shtunën ndaj Francës, tregoni karakterin!

“Klarin”: Argjentina pati zemër dhe Mesin, dhe tani përballë Francës!

“La Nasion”: Dramë dhe çlirim! Të vuajtur, por të kualifikuar, seleksioni është në të tetat!

“Pagina 12” bën lojë fjalësh, duke shkruar: Me Marcos Rojo, që është edhe emri i shënuesit të golit të kualifikimit, por edhe përkthehet “me shenjë të kuqe”!

“La Kapital”: Tani po, që fillon Botërori! Seleksioni fiton dhe kryqëzohet me Francën!

Mesi u shpall lojtari i ndeshjes ndaj Nigerisë.

Leo Messi: “Jo, vështirë të kem gëzuar ndonjëherë kaq shumë sa pas golit të Rojo, pasi vuajtëm shumë këto ditë. Ishte e pandershme që ne të ishim jashtë që në grup, pas aq shumë përpjekjeve që bëmë. Në pushim të ndeshjes, i thashë ekipit që të qarkullonim topin, pasi ata do të na sulmonin. Pasi pësuam gol, ishte shumë e vështirë, por ia dolëm”.

Trajneri Sampaoli doli në konferencë në krah të Mesit.

Jorge Sampaoli: “Lojtarët e mi luajtën me zemër një ndeshje shumë të vështirë dhe kjo do të thotë shumë për ne. Kjo na bën më të fortë dhe na rrit shanset për sukses në ndeshjen e ardhshme”.

Futbollisti i Nigerisë, Xhon Obi Mikel, u shpreh për Mesin se “Zoti ishte sërish në anën e tij, dhe ai pati fat përsëri duke u kualifikuar”.

Argjentina ia doli dhe festa ishte e ligjshme, por Franca do të jetë një pengesë tepër, tepër e vështirë./abcnews.al

spanjaaa.jpg
G. P.15:29 | 26/06/2018

Kritika të forta për Spanjën pas kualifikimit të vështirë në Botëror. Po ashtu, akuza për gjyqtarin pasi nuk i dha kartonin e kuq Cristiano Ronaldos.

Një minutë çmendurie vendosi gjithçka.

Spanja e para e grupit, Portugalia e dyta, dhe jehona, reagimet e kritikat nuk mund të mungonin.

Ja mediat spanjolle.

“Marka”: Rroftë VAR-i! Por, në këtë mënyrë nuk e fitojmë Botërorin!

Njësoj edhe “AS”: Rroftë VAR-i! Spanja fiton grupin në një minutë të denjë për Hiçkokun!

“El Mundo Deportivo” në Barcelonë: Faleminderit VAR! E kuqja kalon si e para në grup dhe do të luajë ndaj Rusisë në të tetat e finaleve!

“Sport”: Të parët në një minutë çmendurie! VAR-i vendosi!

Në Portugali, toni ishte pak më ndryshe.

“Magji dhe vuajtje, shkruan “A Bola”, shkëlqen Quaresma, gabon Ronaldo, dhe kombëtarja na lë me zemër në dorë!

Gazeta “Rekord”: Magjike dhe e vuajtur! Seleksioni lejon t’i shpëtojë vendi i parë në grup dhe tani përballet me Uruguajin!

“O Zhogo”: Nga dera e pasme! Goli i madh i Quaresma-s dha iluzionin e lehtësisë, që kurrë nuk erdhi!

Spanja u kritikua ashpër për lojën, dhe trajneri Hierro ra dakord.

“Nuk është kjo mënyra për të fituar Kupën e Botës,– tha ai,- mbrojtja më shqetëson, nuk mund t’i lejojmë rivalëve kaq shumë raste”.

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, i doli në krah Cristiano Ronaldos që pati një mbrëmje për t’u harruar.

“Është normale që të jetë i mërzitur, kështu ndodh me të gjithë lojtarët e mëdhenj, – tha Santos, – por është normale edhe të humbësh penallti”.

Ronaldo rrezikoi të merrte kartonin e kuq, kur goditi me bërryl një lojtar të Iranit.

Gjyqtari u këshillua me VAR-in, por i dha yllit të Realit vetëm të verdhë.

Kjo detyroi trajnerin e Iranit, Carlos Queiroz, që të shprehej se “rregullorja është e qartë, duhej dhënë karton i kuq, por mesa duket lojtarë si Messi apo Ronaldo trajtohen ndryshe”.

Cristiano rrezikonte të mungonte ndaj Uruguajit, në një ndeshje për jetë a vdekje në të tetat e finaleve./abcnews.al

ndeshjaaa.jpg
G. P.17:05 | 24/06/2018

Polonia dhe Kolumbia pritet të luajnë vetëm për fitore në ndeshjen mes tyre në grupin H. Të dyja skuadrat i humbën takimet e para dhe nuk mund të bëjnë më asnjë gabim.

I gjithë Kazani është me Kolumbinë. Kështu besojnë mediat kolumbiane që janë në qytetin rus, në prag të ndeshjes ndaj Polonisë.

Vërtet, shumë banorë vendas premtojnë mbrështetje dhe u bien veglave muzikore për Kolumbinë, ndërsa tifozët amerikanojugorë shpresojnë që skuadra e tyre kombëtare të jetë me më shumë fat sesa në takimin ndaj Japonisë.

Trajneri argjentinas, Jose Pekerman, është vënë nën kritika të forta kohët e fundit dhe humbja me japonezët nuk do ta ndihmojë, por ai mbetet me besim.

Pekerman bën analizën e tij.

“Nuk do të jetë e lehtë, por e dimë se i kemi mundësitë për t’ia dalë. Ndaj Polonisë do të jetë një ndeshje e fortë që do të vendoset nga detajet, dhe shpresoj të mos pësojmë gol të parët. Shpresoj që James Rodriguez të jetë në 100 për qind të formës, pasi është lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Polonia është një kundërshtar i fortë, që ne e respektojmë, pavarësisht humbjes së ndeshjes së parë”.

Polonia gjithashtu vjen në këtë ndeshje pas një humbjeje, asaj me Senegalin. Skuadra nuk duket se ka probleme me dëmtimet dhe trajneri Navalka bën një premtim.

 “Ne presim një ndeshje shumë të vështirë, me shumë intensitet, por më lejoni t’iu them se ne besojmë fuqimisht se do të jemi fitues. Ne jemi shumë të zemëruar pas humbjes me Senegalin, ndaj duam që të luajmë në një tjetër nivel. Në skuadrën tonë ka ndodhur një ndryshim dhe shihet një energji më e madhe. Jemi të përgatitur siç duhet për të fituar”.

Duke mos pasur asnjë pikë pas ndeshjeve të para, të dyja skuadrat do të luajnë për fitore që të mos pakësojnë ndjeshëm shanset për kualifikim./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono