kryeqytet

Veliaj-regjistrohet-per-Maratonen-e-Tiranes-1-1280x853.jpg
ad min15:12 | 01/10/2019

Vijojnë regjistrimet për gjysmë-maratonën e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj është një ndër pjesëmarrësit dhe thotë se këtë vit do të garoje për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

Gjysmë-maratona e Tiranës vjen këtë vit në 13 tetor, në edicionin e saj të katërt, me mbi 1 mijë vrapues të regjistruar nga 35 vende të ndryshme të botës.

“Sapo u regjistrova për të vrapuar në maratonën e Tiranës në 13 Tetor. Kam një lajm të mirë për të gjithë ata që, si puna ime, e kanë lënë për minutën e fundit: regjistrimet i kemi shtyrë deri në 6 tetor, ndaj dua t’i ftoj të gjithë ata qytetarë, të apasionuar pas sportit apo atletë, të shfrytëzojnë kohën deri në 6 tetor”.

Gara e tij këtë vit u shpreh kryetari i bashkisë do t’i kushtohet ndërgjegjësimit të qytetarëve për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti i muajit të shkuar.

“Unë kam zgjedhur një kauzë, do të vrapoj në maratonë për të ndihmuar rindërtimin e të gjitha shtëpive të prekura nga tërmeti. Nëse dikush, ashtu siç ka mbështetur disa kauza mjedisore apo kauza të tjera sociale, do të mbështesë kauzën për të cilën unë vrapoj, di se ku më gjen në qendër të Tiranës. Keni një mundësi fantastike që nëpërmjet këtij aktiviteti sportiv, edhe shumë kauza të tjera, duke filluar nga rindërtimi i shtëpive tek ato për personat me aftësi të kufizuar apo kauzat mjedisore, të gjejnë sadopak mbështetje”.

Itinerari që do të përshkojnë pjesëmarrësit do të përfshijë pjesët më tërheqëse të kryeqytetit./ABC News Albania 24/7

erion-veliajj.jpg
ad min15:54 | 12/09/2019

Bashkë me qytetin e Bazelit në Zvicër, Tirana do t’i bashkohet iniciativës ndërkombëtare për platformat e qyteteve inteligjente. Teknologjia e informacionit do të vendoset në dispozicion të qytetarëve për marrjen e shërbimeve qeveritare, bashkiake dhe në sektorin privat.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lajmin e dha nga Praga ku mori pjesë në Forumin e 27-të Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së. Ky forum synon të stimulojë dialogun politik ndërmjet shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së për çështjet kryesore ekonomike dhe mjedisore që lidhen me sigurinë.

Ndërkohë kryebashkiaku Veliaj vlerësoi si të jashtëzakonshëm lajmin që Shqipëria do të mbajë Presidencën e OSBE-së ndërsa e cilësoi si mundësi fantastike për kryeqytetin shqiptar. Duke filluar nga kjo vjeshtë, Tirana do të ketë mundësi për të mikpritur mbi 50 delegacione thuajse çdo javë./ABC News Albania 24/7

greqi-zjarri-1280x711.jpg
nev ila11:15 | 12/08/2019

Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe malore në lindje të Athinës, duke shkaktuar frikë dhe panik në kryeqytetin helen. Flakët janë vënë nën kontroll nga skuadrat e ndërhyrjes së shpejtë, por në zonat përreth shumë banorë u evakuuan.

Banorët e Athinës janë alarmuar për shkak të një zjarri të madh që ra rreth orës 3,30 pas mesnate. Flakët, që arritën në 20 metra lartësi, përfshinë shumë shpejt një pjesë të malit Ymitos, në lindje të kryeqytetit.

Për fat të mirë, reagimi i autoriteteve raportohet se ishte i menjëhershëm dhe brenda orëve të para të mëngjesit arritën ta kufizonin perimetrin e zjarrit, duke shmangur përhapjen e flakëve në një zonë më të gjerë.

Në zonat e banuara që ishin më afër vatrës së zjarrit u bë evakuimi i banorëve, ndërkohë që po vazhdojnë të operojnë 10 avionë dhe helikopterë, 46 mjete dhe rreth 150 zjarrfikës.

Megjithatë, dy banesa raportohet se janë djegur dhe disa të tjera janë dëmtuar rëndë, ndërsa nuk ka të lënduar.

Për disa orë u ndërpre qarkullimi në autostradën që lidh Athinën me aeroportin ndërkombëtar Eleftherios Venizelos. Deri në orën 8,30 të mëngjesit të së hënës situata ishte më e vështirë në zonën ku ngrihet parku i antenave ritransmetuese radiotelevizive.

Kjo ka bërë që stacionet radiofonike të Athinës të ndërpresin transmetimin në sistemin analog.

Në fundjavë në gjithë Greqinë u shënuan 122 zjarre, disa prej të cilave po vazhdojnë.

Shërbimi i mbrojtjes civile ka paralajmëruar se edhe gjatë së hënës rreziku i zjarreve është mjaft i lartë, thuajse në gjithë pjesën qendrore të vendit./ABC News Albania 24/7

aksidenti-ne-tirane.jpg
ad min20:37 | 27/07/2019

Një aksident me makinë ka ndodhur në kryeqytet mbrëmjen e kësaj të shtune. Mësohet se një makinë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë. PËr pasojë drejtuesi i mjetit dhe 3 pasagjerë kanë mbetur të plagosur.

Ata janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ngjarja ndodhi në rrugën e Elbasanit. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e plota të aksidentit./abcnews.al

bllok-ngjarja.jpg
ad min13:36 | 15/07/2019

Këto janë momentet e para të shpërthimit brenda argjendarisë në zonën e ish-Bllokut.

Shumë persona të plagosur dhe të asfiksuar u raportuan rreth orës 13:15 në urgjencën e Tiranës.

Siç duket edhe në video, paniku dhe frika përfshinë banorët e pallatit Vaso Pasha.

Shpërthimi i bombolës me oksigjen ishte aq i fuqishëm sa dëntoi edhe disa biznese të tjera që ndodheshin ngjitur me Argjendarinë. Të njëjtën fat patën edhe banesat sipër biznesit

Nga hetimet e para rezultoi se bombolat e oksigjetni dhe ato gazit ishin jashtë kushteve teknike. Ato ishin vendosur në bodrumin e argjendarisë dhe përdoreshin nga pronari i saj, Sokol Pirra për të përpunuar Floririn. Sokoli ishte i pari që ndërhyri në bodrum për të fikur flakët, ku mbeti i plagosur bashkë me gruan e tij Alma Pirra. Gjithashtu edhe punonjësja e argjendarisë Eneda Nure u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Në gjendje më të rëndë është edhe një kalimtar i rastit që  po kalonte rastësisht në trotuar. Ai gjendet në repartin e thyerjeve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Për të vënë situatën nën kontroll u nevojitën katër automjete zjarrfikëse, ndërsa pjesa më e vështirë ishte nxjerrja nga bordrumi i argjendarisë i tre bombolave, dy me gaz dhe një me oksigjen.

Ekspertët zjarrfikës dhe ato të policisë së Tiranës kanë sekuestruar provat materiale për të zbuluar shkakun e shpërthimit të fuqishëm në ish-Bllok.

Zyrtarisht policia njoftoi se kanë nisur hetimet për kushtet teknike ku kryhej përpunimit i florit nga pronari i argjendarisë Sokol Pirra.

Gazetar i ABC News: Andi Qosja

 

 

veliaj-12-1280x724.jpg
ad min14:21 | 27/06/2019

Një ndër prioritetet e Erion Veliajt gjatë mandatit të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës do të jetë ndërtimi i 17 shkollave të reja. Gjatë një takimi me vajza dhe gra kryebashkiaku u shpreh se institucionet arsimore do të shërbejnë njëkohësisht edhe si qendra komunitare.

Me ndërtimin e 17 shkollave të reja nq Tiranë do të marrë fund  mësimi me dy turne e njëkohësisht nxënësit do të kenë një hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve sportive gjatë pasditeve. Kandidati socialist për një mandat të dytë në kryeqytet Erion Veliaj gjatë një takimi me gra dhe vajza u shpreh se projektet e institucioneve arsimore janë dizenjuar nga arkitektët më të mirë.

 “Një nga gjërat që shumë nga nënat e qytetit tonë ngritën në fushatën e kaluar ishte: -Mirë këto shkollat e reja, por unë kam punë deri në orën 5 dhe goca mbaron në orën 1 mësimin, dhe gjëja e dytë më e mirë që kemi bërë është që në 62 shkolla ne kemi filluar kurset sportive pas mësimit, jo vetëm si një mënyrë për të “parkuar’’ kalamajtë për disa orë të tjera deri sa të mbarojnë punë prindërit, por së pari për të luajtur në një ambient të shëndetshëm. Së dyti për të pasur një tjetër mësues dhe një tjetër mentor, por kësaj here në formën e një trajneri sportiv, së treti për t’i bërë pak më fit fizikisht”. 

Krahas infrastrukturës, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se bashkia do të vijojë të mbështesë me bursa nxënësit ekselentë.

 “Jam shumë i lumtur që rikthyem një tjetër traditë të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës që ishte pagesa për të gjithë studentët dhe nxënësit ekselentë, jo për t’i blerë 10-at me lek, por për të dhënë një mesazh që në qytetin tonë për më të dobëtit, pra për të sapo lindurit, por edhe për më të mirët e fëmijëve tanë ne nuk do të kursehemi. Unë besoj se tregon atë që ne përfaqësojmë si socialistë, nëqoftëse e djathta thotë secili për vete Zoti për të gjithë, edhe le të ketë njerëz që pasurohen masivisht ne themi jo, do të duhet të ketë një mënyrë rishpërndarje sidomos kur vjen puna tek ata që e meritojnë dhe ata që janë më të dobëtit”. 

Paralelisht, do të vijojë puna dhe për dhënien e çekut të bebes u shpreh Veliaj qe gjithashtu u ndal tek synimi që Tirana të furnizohet me ujë në 24 orë./ABC News Albania 24/7

erion-veliaj-8.jpg
ad min21:37 | 26/06/2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi këtë të mërkurë se arritja më e madhe e tij gjatë këtyre 4 viteve është se kryeqyteti është bërë më i njerëzishëm dhe solidar. Ai ishte i ftuar në emisionin “Byro Politike” ku bëri bilancet e punës gjet mandatit në drejtimin e kryeqytetit. Veliaj theksoi se ka pasur investime në infrastrukturë, por arritje e madhe e tij është se janë kthyer ndjesitë komunitare.

“Njerëz të ndryshëm shohin arritje të ndryshme. Ajo që unë do theksoja si arritje më e madhe nuk është ajo që duket, që është infrastruktura. Unë them që qyteti është bërë më i njerëzishëm, është bërë më solidar. Janë kthyer ndjesitë komunitare duke filluar nga administratori i pallatit, tek një grup banorësh që mblidhen bashkë për të rregulluar fasadën dhe të bërit të qytetit më të njerëzishëm e bën më të lehtë pastaj dhe punën tjetër të infrastrukturës. Ndoshta dikush do thoshte, sheshi, Pazari, lodrat, shkollat etj. Të gjitha janë të mira, por të gjitha në fakt janë hapësira për njerëzit dhe fakti që jemi bërë më të njerëzishëm jemi bërë më të njerëzishëm më bën të jem më shpresëplotë për çfarë vjen për Tiranën. Unë them që qytete me infrastrukturë ka gjithandej, por ajo që nuk është gjithandej. Ajo që kishim humbur besoj nuk ishin vetëm malet me plehra, pusetat ku binim, gropat, por ne kishim humbur edhe solidaritetin me njëri-tjetrin. Nuk i thonim njëri-tjetrit “mirëmëngjesi, mirëmbrëma, bravo të qoftë jam krenar për ty, provoje prapë. Kjo më duket sikur është kthyer edhe në qoftë se më pyet mua kjo arritje që është pak më shumë shpirtërore më duket më shumë se ato fizike” , tha Veliaj.

Për sa i përket gabimit më të madh që ka bërë gjatë mandatit të tij 4-vjeçar, Veliaj foli për teatrin. Ai theksoi se nuk duhet të kishte pritur kaq shumë kohë për ndërtimin e tij.

“Gabimi më i madh është që ndoshta në ca gjëra mora më shumë kohë se ç’duhet. Fjala vjen teatri. Teatri Duhet të ishte sot ku jemi me stadiumi. Pra i dëgjon të gjitha palët, por ka një shumicë që vendos dhe ti ecën përpara. Insistimi im t’i dëgjojmë të gjithë, të bindim 99.99% e njerëzve arrita të kuptoj si te lodrat, si tek sheshi, si tek pazari, nuk i bind dot 100% të njerëzve. Duhet të ketë një masë. Nuk mund të debatohet diçka 2 vjet. Sheshi Skënderbej u debatua 10 vjet. Pas 10 vjetëve më mirë që morëm një vendim. Ajo që kuptova është audienca e sheshit dhe pazarit është një çikë më gjenerike, por e teatrit është më specifike, pra kateringu  që duhet t’i bësh, por gjykoj që humbasim kohë të çmuar që nuk kthehet më. Kur ti zbulon që ata që janë kundër teatrit në fakt ishin kundër lodrave dhe në fakt janë edhe tani kundër zgjedhjeve me këtë lëvizjen “Edhe unë” që në fakt është lëvizja “Me too” që i referohet atyre që janë përdhunuar nga dikush, nuk e di kush i ka dhunuar këta përveçse udhëheqësve politikë. I kopjojnë keq dhe ti zbulon që këta janë kundër çdo gjëje. Më pyete çfarë kisha peng. Peng kisha që te projektet e mëdha do doja që në listën e gjatë ta kisha dhe këtë megjithatë do jetë diçka që do e filloj mandatin e dytë”, tha Veliaj./abcnews.al

deget-e-pemeve-1280x716.jpg
ad min14:51 | 08/05/2019

Mosfunksionimi i sinjalistikës rrugore, mund të bëhet burim aksidentesh. I tillë është edhe rasti kur fushëpamja e semaforëve në disa rrugë, është e kufizuar për shkak të degëve të pemëve.

Sinjalistika rrugore luan një rol të rëndësishëm në disiplinimin e përdoruesve të rrugës, qytetarë apo mjete, por kur ajo nuk funksionon siç duhet sjell probleme në orientim

Në disa zona të kryeqytetit, për shkak të rritjes së degëve të pemëve, një pjesë e semaforëve kanë një fushëpamje të kufizuar, për drejtuesit e automjeteve, çka përbën problem për ta.

Në pritje që autoritetet të marrin masa për prerjen e degëve e hapjen e fushëpamjes së semaforëve, përdoruesit e rrugës, sidomos drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë një vigjilencë maksimale, si tek ky kryqëzim, në mënyrë që të mos bëhen shkak për aksident./ABC News Albania 24/7

aksidedent-1280x767.jpg
ad min09:55 | 26/04/2019

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm pranë shkollës 9-vjeçare “Gjon Bozuku” në kryeqytet. Dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Mjeti me targa AA 800 MB mbeti i dëmtuar në pjesën e parme të tij, sikundër mund të shikohet edhe nga video. Në bordin e këtij mjeti ndodhej vetëm drejtuesi ndërsa në makinën gri që shikohet në video, ishte një burrë dhe një grua. Policia nuk ka arritur ende në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e aksidentit./abcnews.al

sheshi-skenderbej-1280x853.jpg
ad min13:45 | 13/03/2019

Tirana është pjesë e listës së një nga pesë qyteteve kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022.

Qytetet finaliste për këtë kompeticion u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve Evropiane, Këshilli Këshillimor i Rinisë i Këshillit të Evropës, si dhe disa organizma të tjera të rëndësishme europiane.

Bashkia e Tiranës arriti të ketë këtë rezultat pasi ka ndërmarrë një sërë nismash në mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve. Vëmendja ndaj politikave rinore ka marrë një fokus të madh pasi Shqipëria u bë zyrtarisht vend kandidat për pranimin në BE dhe agjenda e të rinjve është bërë një prioritet shumë më i madh në nivel qendror dhe lokal.

Në vitin 2014 kryebashkiaku Erion Veliaj, asokohe ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë krijoi për here të parë ‘Shërbimin Kombëtar të Rinisë’, i cili mbështet përfshirjen e të rinjve në të gjitha fushat e shoqërisë dhe veprimtarinë publike./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono