kryeministri

kryeministri-irlandez.jpg
nev ila15:53 | 04/11/2019

Azilkërkuesit nga Shqipëria, në pjesën më të madhe me dokumente të falsifikuara po shënojnë rritje në Irlandë. Është kjo deklarata e kryeministrit të vendit Leo Varadkar, i cili shtoi se vitet e fundit është shënuar një rritje prej 60 për qind e numrit të tyre.

Kryeministri irlandez Leo Varadkar deklaroi se dy vende të Eurppës Lindore janë shtytësit më të mëdhenj në rritjen e numrit të azilkërkuesve që shkojnë në Irlandë. Këto vende sipas tij janë Shqipëria dhe Gjeorgjia, nga ky emigrantët udhëtojnë me dokumente të falsifikuara.

Ai shtoi se ka një rritje prej 60 për qind në numrin e azilkërkuesve vitet e fundit, por gjithësesi ai mohoi që vendi të jetë përmbytur nga këto ardhje duke theksuar se ka më pak emigrant në krahasim me 20 vjet më parë.

Rreth 460 shtetas shqiptarë kërkuan azil në Irlandë në vitin 2018, duke përfaqësuar 13% të aplikuesve, 450 ishin nga Gjeorgjia dhe 330 nga Siria. Aktualisht janë 6 mijë personat në process azili në Irlandë.

Kryeministri irlandez tha se janë shtuar kontrollet në aeroporte për të ndaluar hyrjet e paligjshme në vend, dhe kjo gjë ka dhënë efektet e saj. Ai shtoi se ka shumë mënyra për të hyrë rregullisht në Irlandë me një vizë apo leje pune, kështu që nuk mund të lejohen hyrjet e paligjshme./abcnews.al

Rama-kuvendi-zgjedhjet.jpg
nev ila10:11 | 04/11/2019

Kryeministri Rama është thirrur për interpelancë e iniciuar nga deputetët e opozitës parlamentare. Për herë të parë kryeministri Rama do të flasë në parlament si Ministër i Jashtëm.

Deputetët kanë kërkuar interpelancë të posacme për rastin e Alvin Berisha por jo vetëm për të por edhe çfarë po bëhet për fëmijë të ngjashëm si Alvini.

Interpelanca është iniciuar nga deputeti Andi Përmeti. Seanca parlamentare sapo ka nisur por Kryeministri Rama nuk i është pergjigjur kërkesës per interpelancë
dhe ia ka deleguar përgjegjësinë për t’iu përgjigjur opozitës, Elisa Spiropalit./abcnews.al

edi-rama-8.jpg
ad min16:14 | 29/10/2019

Nuk dha detaje kryeministri Edi Rama për bisedimet që kanë nisur e vazhdojnë me Greqinë për kufijtë detarë dhe çështje të tjera. Vazhdon të shpresojë në arritjen e një konsensusi me qeverinë e re është përgjigja që i dha gazetares greke në një intervistë për Euroneës.

“Ne kemi punuar për qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”.

Marrëzi e konsideroi kryeministri Edi Rama frikën e pakicës greke ndaj ligjit të shpronësimit.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i respektit për të gjitha pakicat dhe për grekët, të cilët kanë jetuar atje për shumë vite, në të njëjtat kushte si shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë të njëjta për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën. Pra, këto janë marrëzi”.

Sipas kryeministrit shqiptar, zhurma rreth çështjes është thjesht politike.

“Për sa i përket ligjit, ne kemi punuar për një kohë të gjatë për të zgjidhur çështjet e pronave, shumë të komplikuara pas rënies së komunizmit, kur regjimi që lejonte mos pasjen e një prone ra dhe shumë gjëra shkuan keq. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është thjesht riformulimi i disa ligjeve ekzistuese për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë një sistem korrupsioni që derdh – mund të themi – gjakun e njerëzve për pronën e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por me të gjithë “.

Fqinjësinë e mirë me Greqinë nuk mund ta zbehë as rasti I vdekjes së shtetasit Grek Konstantinos Katsifas theksoi kryeministri Rama sipas të cilit ai përfaqësonte cmendurinë ekstremiste e kjo nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet mes shqiptarëve e grekëve.

“Unë nuk mendoj. Përkundrazi, besoj se historia e të dy komuniteteve tregon që nëse politika nuk ndërhyn apo axhendat e ndryshme politike, ato janë një. Prandaj nuk ka ndarje ose urrejtje në zemrat e komuniteteve ku kanë shqiptarët dhe grekët. jetuan së bashku për shumë vite. Ata janë një shembull i ndritshëm se si politika duhet të merret me faktin se ne jemi fqinjë dhe sa “të mallkuar” jemi për të jetuar së bashku dhe ta duam njeri-tjetrin. Kështu që unë nuk mendoj kështu. Nëse politika nuk bën gërmoni hundën në interesat e vendit dhe përpiquni të fitoni mbështetje duke ushqyer urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë “.

Këtë intervistë kryeministri Rama e dha gjatë qëndrimit të tij në Athinë ku mori pjesë në samitin e katërt euro-arab./ABC News Albania 

agim-kajmakuu.jpg
ad min15:27 | 29/10/2019

Partia Demokratike i kërkon kryeministrit Rama të firmos menjëherë shkresën për shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku pas fakteve të bëra publike për arrestimin e tij në Greqi. Sipas demokratëve, Kajmaku jo vetëm që duhet të largohet nga detyra por duhet t’i nënshtrohet edhe hetimeve për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Demokratët e cilësojnë të përmbushur betejën e tyre publike me Agim Kajmaku dhe tani i kërkojnë një gjest moral e politik kryeministrit Rama, për firmosjen e shkarkimit të kryebashkiakut të Vorës. Sekretari ligjor i demokratëve, Çlirim Gjata vuri përballë njëra-tjetrës deklaratat e gënjeshtërta të Kajmakut dhe konstatimet e Prokurorisë.

Si propozues të ligjit të dekriminalizimit, demokratët i kujtuan kryeministrit Rama edhe parashikimit në ligj për zyrtarët që nuk deklarojnë të dhëna të sakta.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka përfunduar hetimet për rastin e Agim Kajmakut duke konstatuar  se gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazën e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto të arrestuar në vitin 2003 për falsifikim të kartmonedhave./ABC News Albania

basha-rama-.jpg
ad min14:16 | 26/10/2019

Vendimi për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut pas refuzimit nga BE për hapjen e negociatave ka trazuar politikën në Tiranë. A do ndjekë Shqipëria njëlloj e refuzuar modelin e fqinjit tonë ? Përtej deklaratave publike, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë nisur bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Dritëhijet e kësaj panorame na sjell këtë javë Mimoza Kociu me Politika në ABC News.

Zgjedhjet e parakohshme, strategjia politike e MV pas refuzimit të BE për të hapur bisedimet e antarësimit, trazoi aktorët politikë në Shqipëri. Nuk ka një dakordësim të paktën publik për këtë model, por çka po bashkon Edi Ramën e Lulzim Bashën, duket interesi për reformën zgjedhore, pra rishikimi i rregullave të lojës për zgjedhje, të zakonshme apo të parakohshme.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Lëvizja e Km Zaev e mbështetur nga të gjitha partitë politike, për të cuar MV në zgjedhje të parakohshme, pas JO-së për hapjen e negociatave, solli ethe politike në Tiranë. I pari Lulzim Basha, u kujtua se mund të kërkonte të njëjtën gjë nga Edi Rama.

Pas refuzimit të KE, ishte Gjermania, mbështetësja kryesore e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që përmes një mesazhi nxitës, kërkoi që reformat të mos ndalen. Përmes nënkryetarit të grupit parlamentar të shumicës, Vadeful dhe raporterit për Shqipërinë, në të njëjtin grup Shmid, Gjermania dha sinjalin se do këmbëngulë që hapja e negociatave të bëhet për dy vendet, sipas vendimit të miratuar në Bundestag.

Edi Rama e nisi të hënën jo në zyrën kryeministrore, por në selinë e partisë socialiste që drejton. çfarë e kishte nxitur vallë atë lëvizje që në nisje të javës? Pas tre orësh u bë i ditur vendimi i marrë: kryesia e PS nuk i njihte asnjë përgjegjësi qeverisë për mos hapjen e negociatave. Kryesia mbështeste Km, se nuk kishte asnjë arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme si RMV, por vetë socialistët do përballen me një proces për të zgjedhur krerët e 61 degëve, në të 61 bashkitë që i morën në 30 qershor, si asnjë forcë politike në tre dekada demokraci. A kishte patur zëra që mendonin ndryshe në kryesi? Cili është qëndrimi i PS, për refuzimin për hapjen e negociatave? Përgjigjet mbeten brenda mureve ku u mbajt mbledhja tre orëshe, ndërsa qëndrimin se nuk kishte asnjë përgjegjësi si Kryeministër, Edi Rama ia besoi vec vetes, për t’ia përcjellë publikut.

Nëse këtë moment politik delikat mund ta tejkalojë me forcën e numrave në kuvend dhe peshën institucionale, KM e ka të qartë, se për 9 kushtet e Bundestagut, nuk e ka atë lloj fuqie. E ka nisur me reformën zgjedhore, një nga dy kushtet e para, që i mundëson uljen në një tryezë ndërqeveritare. Plotësimi i tyre e con drejt 7 kushteve të tjera, përmbushja e të cilave i mundëson Shqipërisë hapjen zyrtare të negociatave, me dy kapitujt e parë 23 e 24.

Dukshëm Edi Rama po përpiqet të ketë vetë kontrollin e përmbushjes së atyre kushteve. Kjo shpjegon edhe mungesën e një platforme, që do përfshinte edhe opozitën politike. Atë që e quan fazë të parë të reformës zgjedhore e ka planifikuar ta miratojë brenda vitit, pa asnjë pengesë, edhe pa opozitën politike e atë parlamentare, i sigurt se mund të shkojë përtej 80 votave, që ka arritur të ketë në kuvend.

Por lëvizja e Zaev kishte sjellë ethe edhe nga kampi opozitar. 3 ditë pas vendimit te Keshillit Europian për të mos hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Lulzim Basha artikulon më qartë idenë e zgjedhjeve të parakohshme, tashmë pa kërkesën e hershme të qeverisë tranzitore. Pak orë pas atyre deklaratave mblodhi aleatët në seli për t’i përkthyer në strategji. Pas mbledhjes Monika Kryemadhi foli për protesta, nëse mazhoranca nuk reagon.

Këto lëvizje të të hënës, u pasuan me një komunikim virtual mes Ramës e Bashës për përgjegjësitë e negociatave. Kërkesës së Bashës se si përgjegjës Rama duhej ta conte vendin në zgjedhje të parakohshme, Kryeministri u përgjigj me një fragment nga mesazhi i Donald Tusk pas vendimit të BE, ku thuhej se dy vendet nuk kishin përgjegjësi. Basha iu përgjigj në tuiter se shqiptarët janë të lodhur me justifikimet e KM për dështimet e mosmbajtjen e përgjegjësive dhe solli citate mesazhesh nga Merkel e Macron. Përballja virtuale nuk u ndal aty. Rama e vijoi lojën e Basha i shkoi pas, deri kur mbaruan mesazhet e liderëve europianë.

Por përgjegjësia për mos hapjen e negociatave dhe modeli që dha Zaev ishte gjatë gjithë javës kryetemë e çdo bisede e debati televiziv, njëlloj si në rrjetet sociale, e jo vetëm në Shqipëri. Der Spiegel një nga revistat gjermane informative me tirazh të lartë në Europë, analizonte në një artikull të posaçëm vendimin e BE, si shkelje premtimi që i kishte bërë Shqipërisë dhe MV për hapjen e negociatave. E ndërsa për Shkupin e konsideronte një befasi e vërtetë “jo”-në pas përmbushjes së kushtit për ndryshimin e emrit, për Tiranën analiza pranonte arsyetimin se ka ende probleme të mëdha për të zgjidhur, sidomos me mafien e drogës. Një konstatim që Lulzim Basha e gjeti si pjesë e denoncimeve të opozitës.

Njëlloj edhe krerët e grupeve politike në PE, që e konsideruan të gabuar mos hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qëndrimet u materializuan në një rezolutë, që mori mbështetjen e 412 eurodeputetëve, ku refuzimi ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut konsiderohej gabim strategjik. Rezoluta e Parlamentit Europian apelon për një vendimmarrje të shpejtë për hapjen e negociatave për dy vendet, ndërsa shpreh gatishmërinë e PE për ndryshimin e metodologjisë së procesit të zgjerimit, sipas propozimit të Macron.

Në Tiranë, c’ka në fillim javë u duk si tension i ri politik, u orientua drejt bashkëpunimit, edhe pse në distancë. Reforma zgjedhore një nga dy kushtet e para të Bundestagut, duket se ka vëmendjen si të Ramës ashtu edhe të Bashës. Socialistët përgatitën një draft të parë me ekspertët e tyre, që u paraqit në komisionin e reformës zgjedhore, të enjten e javës politike që lamë pas. Paralelisht opozita diskutoi një draft të vetin, në një tryezë në nivel teknik në selinë blu, me përfaqësues të të gjitha partive aleate. Duket se opozita do bëjë pjesën e vet në përmbushje të atij kushti.

Madje drejtuesi politik i tryezës zgjedhore të opozitës, saktëson se pse reforma duhet bërë mes PS e opozitës politike. Njëlloj si më herët, socialistët duken mjaft të kënaqur të kenë kontributin e opozitës politike, madje Gjiknuri tregon edhe mënyra sui generis të këtij bashkëpunimi. Ka një detaj në draftin e socialistëve, që tingëllon si përmbushje e pjesshme e kërkesës së opozitës për qeveri teknike 6 muaj para zgjedhjeve. Janë ndryshimet në nenin 4 që i japin të drejtë KQZ-së të anulojë aktivitet e qeverisë apo bashkive gjatë fushatës elektorale, nëse konstaton se veprimtaria e tyre mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore.

Pikërisht këtë e evidentoi Gjinknuri. Por përtej qëndrimit të opozitës parlamentare, Edi Rama e di mirë se rëndësi të pazëvendësueshme ka perceptimi publik, dhe akti i Zaev mbetet i freskët. Një telefonatë me Merkel të enjten ishte mundësia për të fituar terren në perceptimin publik. E shfrytëzoi më së miri, ndërsa efekti në nivel personal i asaj telefonate, i lexohej tek shpallja si tuiter i ditës i lajmit që vetë kishte ndarë. Ajo telefonatë i shërbeu si argument edhe në studion e Blendi Fevziut, për të thënë se marrëdhënia e tij me kancelaren Merkel nuk kishte ndryshuar. Përballë skepticizmit që hasi në debat, KM theu edhe rregullin që vetë përsërit atë të konfidencialitetit, dhe ndau një detaj tejet të rëndësishëm nga biseda kokë me kokë me Merkel më 13 shtator në kancelarinë gjermane.

Por c’ka Kryeministri nuk thotë është se homologu i tij Zaev, e kishte marrë telefonatën nga Merkel 6 ditë më herët, menjëherë pas vendimit të KE. Sidoqoftë edhe 6 ditë me vonesë, për Ramën ajo telefonatë mbetet e çmuar, pasi presionit të brendshëm pas JO-së për hapjen e negociatave, i vuri përballë ndërkombëtarët që thotë se e mbështesin. Pavarësisht gjithckaje, c‘ka nuk ka ndryshuar për KM është leximi i krizës politike. Në rezolutën e Bundestagut, përkrah 9 kushteve, thuhet se zgjidhja e krizës politike lidhet me ecurinë e negociatave, por Rama nuk e pranon pjesën e vet.

E pavarësisht deklaratave, në fund të ditës si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha e kanë kuptuar se në raundin më të parë të Këshillit Europian, do jetë pozicioni gjerman ai që do dominojë. Pas protagonizmit me veton që vuri për Shqipërinë e MV, edhe Presidenti francez Macron është dakordësuar me konkluzionin e publikuar të Samitit, se “Këshilli Evropian do t’i rikthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në maj 2020.”

Para samitit të Zagrebit drita jeshile për MV e Shqipërinë mund të hapet pikërisht sipas propozimit gjerman, që ka gjetur mbështetje edhe tek vendet skeptike. Por Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj dhe si Rama ashtu edhe Basha i kanë marrë mesazhet e kësaj pritshmërie. Finalizimi i reformës zgjedhore do jetë një test i pjekurisë së palëve për të tejkaluar krizën politike. Ndërsa grupi i dytë i kushteve gjermane, parashikon që në pikën e parë, zbatimin e reformës zgjedhore të miratuar, një sinjal se zgjedhjet e parakohshme nuk janë tabu.  /abcnews.al

politika-ne-abc-news-1280x716.jpg
ad min18:44 | 19/10/2019

BE refuzoi të hapte negociatat e antarësimit si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Mosndarja e dy vendeve aspirante, ndikoi në reagimin e Tiranës zyrtare, si në justifikimin e Edi Ramës, ashtu edhe në apatinë e Lulzim Bashës. Ndjekim Mimoza Koçiun me Politika në ABC News.

Për herë të katërt, që prej 2014, kur mori statusin e vendit kandidat, Shqipëria e humbi shansin e hapjes së negociatave. Franca frenuese e zgjerimit mori pas vetes edhe vende të tjera, që ishin për lënien në klasë të Shqipërisë, por jo të Maqedonisë së Veriut, duke bërë që të dy vendet të mbeten në vend numëro. Në Tiranë Edi Rama e Lulzim Basha po bashkëjetojnë çuditshëm me krizën politike 9 mujore, një realitet absurd që u evidentua edhe nga Kryeministri italian, vend mbështetës i fortë i Shqipërisë për hapjen e negociatave. Refuzimi i BE për hapjen e negociatave duket se nuk do e prishë këtë status quo, të paktën së afërmi. Duket se nuk do shohim as modelin e fqinjit tone, Maqedonisë së Veriut, ku zgjedhjet e parakohshme u shfaqën nga Zaev, si opsioni më i parë pas dështimit në hapjen e negociatave.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

16 muaj pasi kishin vënë disa kushte, si për Shqipërinë e Maqedoninë, Këshilli Europian nuk gjeti dot unanimitetin e kërkuar, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me këto dy vende. Në Tiranë ky vendim u parapri me një klimë stanjacioni. Kriza politike e institucionale vijon prej 9 muajsh e aktorët kryesorë po bashkëjetojnë me të, pa vullnetin për ta zgjidhur. Ua vuri në pah, Km italian në pak orë qëndrim në Tiranë, duke premtuar se si pjesë e Këshillit Europian do bënte gjithcka mundej që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Por Giuseppe Conte nënvizoi pritshmërinë për zgjidhjen e krizës politike, duke i thënë KM se duhej të bënte lëvizje konkrete.

Nuk pati një reagim nga Kryeministri, por i njëjti mesazh duhej të ishte përcjellë edhe në takimin me presidentin Meta e kreun e opozitës Basha. Të dy i bashkoi 10 vjetori i Kastiftung në Shqipëri, fondacioni politik i Unionit Kristian-Demokrat të kancelares Merkel, mazhoranca që e orietoi Bundestagun drejt hapjes me kushte të negociatave për Shqipërinë, pasi në mënyrë të përsëritur ishte ofruar për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës. Ilir Meta ripërsëriti apelin për dialog mes palëve.

9 kushtet gjermane Lulzim Basha thotë se i ka kauzë të vetën. Por asnjëra palë nuk shkoi përtej deklaratave. Kjo panoramë mbeti kokëfortë në Tiranë, teksa në Bruksel sinjalet e refuzimit qartësoheshin ditë pas dite: të parët ambasadorët e përhershëm që dështuan për të gjetur gjuhën në tre takime të përjavshme. Pas tyre, njëlloj edhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Refuzimi i Francës kishte ndikuar edhe vendet e tjera, Holandën e Danimarkën. Në siklet së pari u vu Komisioni Europian, rekomandimi i të cilit nuk konsiderohet nga Këshilli, prej të paktën 4 vitesh.

Pavarësisht atij mesazhi paralajmërues, Rama u shfaq optimist në një videomesazh nga makina e tij, teksa njoftonte se po shkonte në Bruksel bashkë me Zaev. Shefi i ekzekutivit njoftoi shqiptarët se Merkel do takonte Macronin skeptik, për ta bindur për një PO për negociatat. Sipas informacionit zyrtar në faqen e presidencës franceze, mikpritëse e takimit, në fokus ishte bashkëpunimi mes dy vendeve për mbrojtjen, klimën, inovacionin, hapësirën dhe kulturën. Disa prej tyre do ishin edhe objekt i Samitit të KE. Kjo duket arsyeja se pse takimit Merkel-Makron, i ishte bashkuar edhe presidentja e zgjedhur e KE Ursula von der Leyen.

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Merkel mbështetet nga Franca, pasi sic thuhet në faqen zyrtare të presidencës franceze, programi i Von der Leyen është frymëzuar nga vizioni i Francës për risktrukturimin e BE, i paraqitur nga Macron në Shtator 2017 e i detajuar në Mars 2019, sipas të cilit nuk duhet të ketë zgjerim me vende të reja, pa reformuar në thellësi BE-në. Për pasojë vendimmarrja për Shqipërinë e MV, doli në konferencën për shtyp Makron-Merkel, vetëm pas pyetjes që bënë gazetarët. Presidenti francez e ilustroi me Shqipërinë arsyen se përse nuk duhet lejuar zgjerimi, pa e reformuar si proces.

Kancelarja Merkel u përpoq të merrte kohë. Por të nesërmen para nisjes për në Bruksel, para Bundestagut, Merkel nuk u shfaq optimiste. A po përgatiteshin vallë për këtë vendimmarrje dy vendet në pritje? Në Bruksel dy ditë para Samitit u shfaq Km Zaev, që pati takime me kreun e PE David Sasoli, presidentin në largim të KE Donald Tusk dhe një takim e konferencë për shtyp me komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, që konfirmoi deklaratën e dhënë më herët, se qeveria e tij mund të rrëzohej në rast të një refuzimi nga KE për hapjen e negociatave.

Siç kishte njoftuar, në Bruksel kishte mbërritur edhe Rama. Takim me Tusk, Mogherinin e Hahn, e në vend të një konference për shtyp si me Zaev, një mesazh përmes gojës së komisionerit, se një JO për hapjen e negociatave, nuk ishte faji i qeverisë. Arritja e marrëveshjes për Brexit me Britaninë e Madhe, pika e parë në axhendën e Samitit të Këshillit Europian, nuk e cliroi dot vendimmarrjen për një dritë jeshile për Shqipërinë e RMV. Madje as lehtësimi për një armëpushim të Turqisë ndaj kurdëve në Veri të Sirisë, i arritur pas një takimi 4 orësh të zv/presidentit amerikan Pence me presidentin Erdogan në Ankara.

Në tryezën e KE mbetën vetëm çështjet e BE në vazhdim, buxheti, klima e zgjerimi, por nuk pati dritë në fund të tunelit për Shqipërinë e MV. E para që reagoi nga tryeza e udhëheqësve ishte kancelarja Merkel e cila tha se kjo qasje do zhgënjente dy vendet. Ai që i kishte prerë shpresat edhe për MV ishte presidenti Francez. I kishte vënë veton dritës jeshile, që disa vende do i hapnin Shkupit.

Kush ia kishte vizatuar vallë Presidentit Macron, atë skenar dhune, në rast të ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria? SHBA shohin një tjetër rrezik nga vendimi i KE që e vlerësojnë zhgënjyes. Në një deklaratë të DASH thuhej se një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së këtyre vendeve për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Lënia në klasë e dy vendeve është një lehtësim politik për Ramën, që paraprakisht e ka lexuar atë qasje, si problem të vetë BE, edhe pse për Shqipërinë rezervat ishin materializuar tek 9 kushtet gjermane. A e ndjen vallë Kryeministri se duhet të ndryshojë dicvka, qoftë edhe të testojë veten në kuvend?

Opozita duket që kishte pritshmëri për hapjen e negociatave me 9 kushtet gjermane, të cilat do ta ulnin në tryezë me Edi Ramën. Tonaliteti i zbutur politik i Bashës dhe përcaktimi i reformës zgjedhore si prioritet, duket orientimi që bashkon PD me PS, i nxitur apo jo nga ndërkombëtarët. Roli i tyre në Tiranë mbetet i zbehtë, sidomos pas situatës në të cilën u përfshi javën politike që lamë pas, iniciuesi i tryezës zgjedhore edhe me opozitën politike, ambasadori i OSBE Bern Borchardt.

Mbrëmjen e 13 tetorit, kreu i prezencës së OSBE po kalonte në trotuarin ku po qëndronin familjarë e mbështetës të protestuesve të arrestuar, kur drejt tij është lëshuar thirrja “shame on you”, “turp të kesh”, e cila 5 muaj më parë ishte shkruar në hollin e pallatit ku ai jetonte, e që u lexua gjerësisht si kërcënim ndaj ambasadorit për shkak të deklaratave të tij kundër dhunës në protestat e opozitës. Rikthimi i kësaj shprehje, duket i ka humbur vetëpërmbajtjen gjermanit Bernd Borchard ndërsa ky gjest i tij si përgjigje, bëri xhiron e mediave e rrjeteve sociale. Prezenca e OSBE ne Shqipëri postoi në llogarinë tuiter një mesazh ndjese të ambasadorit.

Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë dënoi gjestin dhe kërkoi nga OSBE marrjen e masave disiplinore ndaj diplomatit të lartë, ndërsa vetë banorët e unazës së re iniciuan një peticion ku kërkohet shkarkimi i ambasadorit. Njëlloj si në rastin e shkrimit në banesë, politika ishte e ndarë në leximin e ngjarjes. Por Parlamenti prej muajsh me 122 deputetë nga 140 që parashikon kushtetuta, vijon të humbasë së pari solemnitetin e vet. Një situatë në kufijtë e një telenovele u prodhua brenda grupit Demokrat 9 anëtarësh, deputetë të dalë nga listat e Lulzim Bashës, që thyen vendimin politik për djegien e mandateve. Një tentativë për të larguar Rudina Hajdarin nga kreu i grupit, duke e zëvendësuar me Korab Litën dështoi, ndërsa të paktën dy deputetë që kishin firmosur për shkarkimin e Hajdarit, ndryshuan mendje. Kjo e fundit ia faturoi Lulzim Bashës atë tentativë, ndërsa siguroi votat e 5 deputetëve të tjerë duke shpëtuar postin e vet, por dhe grupin nga shkrirja.

Energjitë politike në Tiranë mbeten të fokusuara tek axhendat respektive, të orientuara më shumë drejt ndarjes, të paktën publikisht, sesa drejt bashkimit. E tillë duket iniciativa e socialistëve për të shkarkuar presidentin e Republikës, pas anullimit prej tij të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. C’ka i bashkoi në orientimin që komisioni i Venecias të interpretonte vendimin e Ilir Metës, i ndau sërish në leximin e konkluzioneve. Për herë të parë opinioni përfundimtar i komisionit pësoi ndryshime të ndjeshme nga varianti paraprak. Në dokumentin final konstatimet ishin zëvendësuar me vlerësim hipotetik, duke ia lënë fjalën e fundit parlamentit e Gjykatës kushtetuese.

Dy janë momentet ku spikasin këto ndryshime të lidhura me aktet e kreut të shtetit. Në draft dokument në pikën 99 të konkluzioneve thuhej se  “Presidenti i tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës, fillimisht duke anulluar e më pas, duke shtyrë zgjedhjet lokale dhe se i takon parlamentit e GJK të vlerësojë peshën e shkeljeve të rënda, që do çonin në shkarkimin e presidentit”.

Ndërsa në opinionin përfundimtar fraza konstatuese e tejkalimit të kompetencave është hequr, por duke u plotësuar pjesa vijuese me specifikim të njëjtë. Ndryshim ka pësuar dhe pika 101 e përfundimeve të Komisionit të Venecias. Konstatimi i draftit paraprak se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe shtyrë më pas zgjedhjet lokale, përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore”, është riformuluar, duke e sjellë si akt hipotetik, në konkluzion të parashtrimeve të mëparshme.

Këto ndryshime nga drafti paraprak, të cilin e pati kritikuar ashpër, i evidentoi i pari Presidenti Meta. Por pika e pandryshueshme e ekspertëve se gjesti i Metës nuk justifikon shkarkimin e tij, nuk arriti t’i bashkonte palët, mazhoranca kundër e opozita politike pro Presidentit. JO-ja e KE për hapjen e negociatave, iu shtua kësaj situate absurdi Kafkian, ku kriza politike po përjetohet si normalitet. “Jeta vazhdon” duket filozofia e Tiranës zyrtare, që po arshivon dështimin e radhës pa reflektim. Krejt ndryshe nga Maqedonia, ku KM Zaev, edhe pas presionit të Opozitës mori përgjegjësinë për refuzimin e KE, dhe tregoi gatishmëri për ta cuar vendin në zgjedhje të parakohshme. E paqartë nëse palët në Tiranë do impenjohen të paktën për një strategji për vendin, ndërsa hapja e negociatave do të shqyrtohet sërish vitin e ardhshëm, para Samitit BE-BP, që do mbahet në Zagreb të Kroacisë në Maj 2020./abcnews.al

pdiu-1.jpg
ad min09:52 | 19/10/2019

PDIU ka reaguar për mos-hapjen e negociatave nga Këshilli Europian për Shqipërinë. PDIU bën përgjegjës për këtë vendim Kryeministrin Rama, duke theksuar se alibia e problemeve të brendshme të Europës është e papranueshme.

PDIU thotë se familja europiane e ka të pamundur të pranojë një vend që eksporton vetëm krim të organizuar, drogë dhe emigrantë.

Gjysmë milioni shqiptarë që ikin nga sytë këmbët janë treguesi më domethënës për gjendjen në vend. Për gjithë situatën ku është katandisur vendi ka vetëm një përgjegjës, kryeministri Edi Rama dhe politikat e tij në mbrojtje të krimit, shkatërruesit të demokracisë funksionale dhe ekonomisë, të cilat po detyrojnë shqiptarët të braktisin masivisht vendin dhe po i vënë Shqipërisë një vulë turpi të pamerituar në familjen Europiane”, deklaron PDIU.

Sipas kësaj force politike, ka tre vite që shqiptarët po gënjehen me zë dhe figurë nga vetë kryeministri i tyre çdo Tetor kur hap shishen e shampanjës për hapjen e negociatave.

PDIU thekson në fund të reagimit se i vetmi hap që kryeministri duhet të mendojë sot dhe pa humbur asnjë minutë është dorëheqja e tij dhe hapja rrugë e normalizimit të klimës politike në Shqipëri dhe zgjedhjeve te parakohshme./ABC News Albania 

kryeministri-edi-rama.jpg
ad min09:46 | 14/10/2019

Kryeministri Edi Rama zgjodhi Universitetin e Mjekësisë për të uruar nisjen e këtij viti të ri akademik. Kreu i qeverisë tha se studentët që nisin studimet për mjekësi bëhen pjesë e një fronti që nuk bëhet fjalë vetëm për profesion, por shumë më tepër.

Kryeministri falënderoi pedagogët për punën e tyre, ndërsa garantoi studentët që qeveria do të punojë që ta bëjë jetën e tyre gjatë kësaj kohe të jetë më cilësore.

“Ne zgjodhëm universitetin për të uruar fillimin e një viti të ri akademik sepse ky është universiteti ku nga njëra anë hyn studente dhe studentë që janë më të mirët dhe nga ana tjetër ku nis një rrugëtim për tu bërë pjesë e frontit më të vështirë sepse nuk bëhet fjalë thjesht për të marrë një profesion, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Siç e thoshte Hipokrati, “të dashurosh artin e mjekësisë do të thotë të dashurosh njerëzimin”. Nga mjeku kërkohet të bëjë mrekullia dhe kur mrekullirat nuk janë të mundshme atëherë kjo i kthehet mjekut që duhet të përballojë një stres dhe kosto morale jo të vogël me njerëzit. Aq më tepër në vendin tonë kur ju e dini sa e vështirë është vendosja e një raporti të shëndetshëm mes mjekut dhe pacientit.

Sot mund të themi që universiteti është në një gjendje më të mirë se dje. Natyrisht që duhet ende përpjekje e përbashkët për ta bërë edhe shumë më të mirë se kaq. Studentët që nisin sot vitin kanë kushte më të mira se sa studentët që e mbyllën këtë vit shkollor. Ministrja përmendi një sërë risish që sot janë realitet në universitet dhe do të jenë në dispozicion të studentëve. Të tjera do të vijojnë. Ne kemi bërë dhe do të bëjmë që QSUT të përmbyllë një proces transformimi epokal që ka nisur. Nëse e shohim sot ka ende zona gri dhe boshllëqe të konsiderueshme, por nëse kthejmë kokën pas nga e nisëm besoj se kushdo që e njeh QSUT jemi si dita me natën me 5 apo 6 vjet më parë.

Falenderim për pedagogët që janë baza e gjithë kësaj pune të madhe që bëhet prej vitesh. Një urim për të gjithë vajzat dhe djemtë që sot fillojnë shkollën, por edhe për ata që e vazhdojnë me garancinë që do të bëjmë çmos që çdo ditë të bëjmë më shumë që jeta juaj në kohën e studimeve të jetë më cilësore“, tha Rama./abcnews.al

lagja-historike.jpg
ad min18:03 | 13/10/2019

Ndërsa kryeministri Rama ishte në Vlorë me rastin e përfundimit të rehabilitimit e restaurimit të lagjes historike të këtij qyteti. Kryeministri tha se tani lagja e lënë pas dore nën dekada po del në dritë jo vetëm si një hapësirë e re pastërtie e bukurie, por edhe zhvillimi ekonomik.

Zona që mbart histori në shumë prej objekteve të saj, ka kryeministri, si zona ku ka pasur shtëpinë e vet edhe qeveria e Shqipërisë, tani merr një status tjetër për të tërhequr vizitorë, turistë, të gjitha moshat vendas apo të huaj.

Rama ka kujtuar investimet e tjera të premtuara për Vlorë, aeroportin e ri ndërkombëtar, zonën e mbetur të pjesës së Bulevardit, ku ndodhet Sheshi i Flamurit, si dhe zgjatimi i Lungomares, fillimisht me segmentin deri tek Tuneli e më pas edhe deri poshtë në Orikum./abcnews.al

ILIR-META-ASTRIT-PATOZI.jpg
ad min16:42 | 05/10/2019

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, beson se kriza që po kalon vendi ka bërë që shumë prej aktorëve politikë të ndihen nervozë. Sipas Patozit, Presidenti Meta ndihet i kërcënuar, duke e shprehur këtë në intervistat publike të tij ndërkohë që pohon se në një situatë të ngjashme është edhe kryeministri Rama. 

Shpërthimet e vazhdueshme të Ilir Metës i konsideron legjitime. Astrit Patozi beson se kreu i shtetit në situatën e krijuar në vend ndihet i kërcënuar. I ftuar në emisionin “Provokacija” të gazetarit Mustafa Nano, Patozi flet për udhëkryqin që sipas tij gjendet Ilir Meta.

Nervozizmin e lexon edhe në sjelljet politike të Edi Ramës, i cili sipas Patozit ra në kurthin e dëshirës për pushtet. Reformën Zgjedhore e sheh si një rrugëdalje për krizën në të cilën ndodhet vendi dhe këshillon që aktorët politikë të mos e bëjnë atë si imponim të ardhur nga ndërkombëtarët.

Koordinatori i Bindjes Demokratike ka kërkuar vazhdimisht ndryshim të sistemit zgjedhor, duke ngritur gishtin e akuzës te kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha si dy personat kryesorë që pamundësojnë këto ndryshime./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono