kroacia

rakitic.jpeg
Vladimir Prenga08:21 | 09/10/2019

“Ronaldo më telefonoi të shkoja te Juventusi, por Barcelona kërkonte 50 milionë euro. Ishin shumë para”, tregon Ivan Rakitic, mesfushori kroat që nuk dëshiron të shijojë plazhet e bukura të Barcelonës. Mesfushori dëshiron të zbresë në fushën e blertë dhe të japë kontributin e tij.

Është e vështirë dhe e sikletshme. Unë dua të luaj për Barcelonën, jo vetëm të jem pjesë e atij ekipi. Do të bëj çmos që ta ndryshoj këtë situatë. Kam kontratë edhe për disa vite. Nuk ka një vend më të mirë se të luash te Barcelona, klubi më i mirë në botë. Por dua të luaj dhe jo të kënaqem duke ecur nëpër qytet dhe duke shijuar detin.

Kam folur me njerëzit në klub, të gjithë e kanë ditur për ofertat që kam pasur.  Nuk ka pasur sekrete. Unë gjithsesi i dua të mirën Barcelonës. Dua të luftoj, që skuadra të shohë që dua të bëj gjithçka në fushën e blertë”, shprehet Rakitic, i cili në dy ndeshjet e fundit nuk ka luajtur për Kroacinë. E gjitha prej situatës që po kalon te Barcelona dhe mesfushori tregon se nuk ka dashur të shkojë në kombëtare pa formën dhe humorin e duhur. Është i prekur shumë prej fjalëve.

“Ishte e dhimbshme për mua të lexoja dhe të dëgjova që nuk doja të luaja për ekipin kombëtar. E respektoj mendimin e të tjerëve, por ishte e dhimbshme të lexoj gjëra të tillë të pavërteta. Askush nuk ka dëshirë më të madhe se unë për të luajtur për Kroacinë. Askush nuk e do më shumë se unë.

U largova nga vendi që më dha gjithçka. Zvicra më dha mua dhe familjes sime një mundësi për të qenë pjesë e tyre. Ata na dhanë gjithçka, por zemra rrihte për Kroacinë. Dashuria ime është e madhe për këtët vend.

Mendova se ishte më mirë të qetësohesha dhe të bëhesha gati 100%. Doja të tregohesha korrekt me shokët e skuadrës. Nuk dëshiroj të shkoj diku me humor të keq. Falënderoj trajnerin për mirëkuptimin dhe fjalët e ngrohta, po ashtu edhe shokët e skuadrës dhe në veçanti kapitenin”, shprehet Rakitic. /abcnews.al

KUALIFIKOHET-ANGLIA.mpg_snapshot_01.13-1280x720.jpg
ent ela20:46 | 18/11/2018

Anglia u kualifikua me meritë për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, pas fitores ndaj Kroacisë. Suksesi 2-1 u arrit me përmbysje dhe anglezët lanë prapa kroatët dhe spanjollët.

Nuk ishte favorite, por ia doli. Anglia, skuadra e cilësuar si shumë e talentuar, por me tepër pak përvojë, përballoi presionin dhe kundërshtarët më me emër për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Triumfoi 2-1 me përmbysje ndaj Kroacisë në “Uembli” të Londrës, duke zënë vendin e parë në grupin 4 të nivelit A. Formacioni kroat, nënkampion i botës në fuqi, zbriti nga kategoria, ndërsa Spanja që u cilësua favorite pas ndeshjeve të para mbeti në vend të dytë.

Anglezët e trajnerit Garet Sauthgejt patën epërsi, dhe krijuan disa rastë në pjesën e parë, të cilën duhej ta kishin mbyllur në avantazh. Nuk ia dolën dhe u ndëshkuan kur ballkanasit realizuan gjuajtjen e parë në portë, duke shënuar me autor sulmuesin Andrej Kramariç. Sidoqoftë, vendasit treguan nerva të forta duke ruajtur qetësinë e duke arritur përmbysjen e rezultatit. Sauthgejt bëri lëvizjen që rezultoi fituese, hodhi në fushë si zëvendësues Lingardin e Sançon. Ishte pikërisht Lingard që barazoi rezultatin në minutën e 78-të, ndërsa kapiteni Harri Kejn shënoi 5 minuta para fundit.

A mund të thuhet se shpikësit e futbollit janë tani gati për një trofe të madh? Ata janë të bindur, ndonëse në gjysmëfinale padyshim që do të duhet të përballojnë sfida të tjera të forta. Kualifikimi ishte tërësisht i merituar, pasi Anglia mundi Spanjën në Spanjë, pasi dështoi në “Uembli”, si dhe luajti më mirë se Kroacia në barazimin pa gola në Zagreb./abcnews.al

tifozja.jpg
G. P.13:05 | 17/07/2018

Kombëtarja e Kroacisë ishte në duart e një femre gjatë festimeve në Zagreb. Autobusi i nënkampionëve të botës u drejtua për 5 orë nga një grua shofere.

Vëmendja ishte e gjitha tek ata, por edhe diçka tjetër tërhoqi.

Kombëtarja kroate mbërriti triumfuese në Aeroportin “Franjo Tuxhman” të Zagrebit, por ndoshta nuk e dinin se do të ishin në duart e një femre.

Autobusi i festës do të drejtohej nga një shofere, një grua me emrin Nikolina Zhiljak.

Ajo është 37 vjeç dhe gazetat kroate thonë se është shofere me shumë vite përvojë.

“Zemra ime është e madhe sa autobusi,– u shpreh ajo për mediat,- ishte tepër e lodhshme, por do të doja që gjithçka të përsëritej”.

Për fat të keq, ajo nuk mundi t’i çonte heronjtë deri tek Sheshi i Princit Jelaçiç.

“Autobusi pati një avari në urën e Savës, dhe kombëtarja hipi në autobusin e një kolegeje tjetër”, – tha Nikolina për “Jutarnji Listin”, – e çova autobusin në servis, por u ktheva në shesh për festimet”.

Me Nikolinën apo pa të, nënkampionët e botës u drejtuan nga shofere femra gjatë 5 orëve të kremtimeve nga aeroporti deri në sheshin qendror të Zagrebit.

Ishin plot 500.000 njerëz që kishin dalë në rrugë e në sheshe, një shifër e jashtëzakonshme në një qytet me jo më shumë se 800.000 banorë, dhe në një shtet me 4.2 milionë popullsi.

Gjithçka ishte e merituar pasi kombëtarja u shpall nënkampione e botës në Rusi./abcnews.al

 

kroaciaa.jpg
G. P.16:56 | 16/07/2018

Ndryshe nga Franca, në Kroaci u festua qetë vendi i dytë dhe përkundër humbjes, kroatët ishin të lumtur, pasi realizuan një kthim të madh në futboll. Festa u bë në çdo zonë të vendit. Vukovari, dikur kryqendra e luftës së viteve ’90, tani feston dhe e sheh si rimëkëmbje, finalen e shtetit tashmë edhe anëtar i BE.

Ndryshe nga Franca, në Kroaci u festua qetë vendi i dytë dhe përkundër humbjes kroatët ishin të lumtur, duke arritur një kthim të madh në futboll. Festa u bë në të gjitha vendet e këtij shteti.

Vukovari, që dikur ishte kryqendra e luftës së viteve ’90 dhe ku ranë gjysma e viktimave, tani feston dhe e sheh si rimëkëmbje finalen e shtetit të fundit që u antarësua në BE.

Në rrugët e Kroacisë nuk ka ngelur njeri. Të gjithë kanë ikur të ndjekin ethet e futbollit. Në sheshin “Franje Tuxhman” të Vukovarit, qytetit të shkatërruar të luftës tani kroatët janë për finale.

Ndeshja fillon me entuziazëm. Vite pas luftës sporti tregon kthimin e fuqisë së shtetit ish Jugosllav. Pjesa e parë me pak fat, por kroatët arrijnë të shënojnë gol.  Francezët janë të vështirë, por për kroatët kjo eshtë festë gjithsesi.

“Jemi të lumtur pasi im atë ka mbrojtur në luftë Kroacinë dhe ata na kanë mundësuar ne këtë festë”.

“Lumturi e madhe pasi jemi popull i vogël dhe komb i madh në futboll”.

“Pas gjithë gjërave që kanë ndodhur në luftë këtu kjo për ne është lumturi e pafund”.

Pjesa e dytë zbeh paksa shpresat. Të gjithë janë të veshur në ngjyrat e simbolit të shahut e deri tek luku. Kroacia ende shpreson të jetë e para. Shënojnë golin e dytë.  Fundi nuk i dëshpëron dhe duartrokitjet nuk mungojnë, ashtu siç nuk mungon as mbështetja për çunat kroatë në Rusi.

“Kroacia është shteti i dytë në mjeshtrinë  e futbollit në botë. Dhe kjo është arritja më e madhe që pas pavarësisë e Kroacisë në këtë sport”.

Festa vazhdoi në tërë Kroacinë./abcnews.al

franca-2.jpg
G. P.18:54 | 15/07/2018

Djemtë e Deschamps ia dolën.

Franca arriti të fitojë Kupën e Botës Rusi 2018, duke u bërë kështu dy herë fituese e trofeut të artë.

“Gjelat” mposhtën me rezultatin 4-2 Kroacinë.

Në një nga ndeshjet më të bukura të kësaj Kupe Bote për francezët shënuan Griezmann, Mbappe, Pogba dhe një autogol i Mandzukic. Ndërsa për kroatët shënuan Perisiç dhe Mandzukiç. Ky i fundit falë një gabimi të Hugo Lloris.

Për të arritur në finale, Franca doli e para në grupin C. Më pas në fazat me eleminim direkt, filimisht mposhtën Argjentinën. Në çerekfinale mundën pa shumë probleme Uruguajin, ndërsa në gjysmëfinale mposhtën Belgjikën./abcnews.al

kitarovic.jpg
G. P.15:23 | 15/07/2018

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, u shpreh e bindur në fitoren e kombëtares së saj në finale e Botërorit në Moskë përballë Francës.

Duke folur me gazetarët mëngjesin e sotëm në Zagreb para se të nisej për në kryeqytetin rus ku do të ndjekë ndeshjen së bashku me homologun rus Putin, Grabar-Kitaroviç u shpreh se nuk e kishte menduar asnjëherë se do të arrinin në finale dhe pse shpresonte.

Por tashmë që finalja është aty ajo tha se ndihej krenare për djemtë e kombëtares dhe besonte në fitore. Grabar-Kitaroviç shtoi se shpresonte se një moment i tillë magjik për futbollin kroat mund të influencojë pozitivisht dhe në sektorë të tjerë të jetës në vend.

“Duhet të japim mesazhin se jemi një komb talentesh jo vetëm në sport, por dhe në shumë sektorë të tjerë e aktivitete”, përfundoi ajo./abcnews.al

bilancet.jpg
G. P.14:15 | 15/07/2018

Finalistet e sotme të Botërorit kanë luajtur pesë herë në të kaluarën me njëra-tjetrën. Skuadra favorite për të marrë titullin, ka bilanc më pozitiv.

Franca dhe Kroacia synojnë fitore në finalen e Botërorit, por si janë ndarë në të kaluarën? Dy skuadrat kanë luajtur përballë njëra-tjetrës 5 herë, dhe epërsia është me francezët.

Të mbiquajturit “gjelat” kanë fituar tri herë, ndërsa dy takime të tjera janë mbyllur në barazim. Kroacia, pra, do të kërkojë fitoren e parë në histori, kur dy ekipet të ndeshen në finalen e Moskës.

Historia nisi relativisht vonë, në 1998-n, në gjysmëfinalen aq shumë të famshme të Kupës së Botës në Francë. Edhe pse kroatët kaluan në epërsi me anë të Davor Shukerit, vendasit ia dolën të fitonin.

Autor i dy golave ishte një mbrojtës, Liliam Thuram, ashtu siç ishte një mbrojtjes, Samuel Umtiti, autor i golit të fitores ndaj Belgjikës, në gjysmëfinalen e tanishme.

Në nëntor 1999, Franca triumfoi 3-0 në “Stade de France”, ndërsa në Maj të vitit 2000, në prag të Europianit, francezët ia dolën edhe një herë tjetër, 2-0 në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.

Ishin vitet e dominimit francez në futbollin botëror. Dy përballjet e fundit janë mbyllur në barazim. Dy me dy në Qershor 2004, në finalet e Europianit në Portugali, dhe 0-0 në  miqësoren e luajtur në 2011, në Paris. Franca dhe Kroacia ndeshen pra pas plot 7 vjetësh./abcnews.al

ndeshja.jpg
G. P.13:58 | 15/07/2018

Kush do të jetë kampione e botës, Franca apo Kroacia? Kjo do të mësohet pas finales së madhe të Botërorit, që luhet në orën 17:00 në Moskë.

Ja edhe udhëtimi i fundit.

A thua Franca po shkon drejt triumfit të madh të radhës, një tjetër titulli botëror?

Me gjashtë finale në histori, kjo kombëtare ka padyshim një traditë më të madhe sesa Kroacia.

Luhet për Kupën e dytë të Botës, që do ta vendoste Francën edhe më shumë në mes kombëtareve më të lavdishme në rruzull, dhe trajneri Didier Deschamps, e di se çdo të thotë të fitosh.

“Është një privilegj i madh, është kënaqësi e vërtetë të jesh këtu. U kam thënë lojtarëve se nuk ka gjë më të bukur sesa një finale e Kupës së Botës. Do t’u them po ashtu, “ruani qetësinë, besoni në vetvete dhe përqëndrohuni”. Pësimet e finales së humbur në 2016 do të na ndihmojnë këtë herë. Kroacia ka talent dhe përvojë të madhe, por jemi ndeshur edhe më parë me ekipe të këtij niveli, me lojtarë si Messi apo Hazard”, tha trajneri i Francës.

Kapiteni Lloris thotë sesi është motivimi tek francezët.

“Jemi në finale, por nuk mendojmë se e kemi arritur qëllimin tonë. Ne duam të fitojmë Kupën e Botës, por e dimë se kemi përballë një kundërshtar të një cilësie maksimale. Kroacia meriton po aq vlerësim sa edhe ne. Do të duhet të luajmë finalen e përsosur për t’ia dalë”, tha kapiteni francez.

Kroacia luan finalen e parë në histori, dhe padyshim euforia është më e madhe tek ajo.

Mund të jetë një minus, por trajneri Zllatko Daliç ka besim te karakteri i lojtarëve të tij.

“Është pragu i finales së Botërorit dhe lojtarët e dinë se çdo të thotë kjo. Më vjen mirë që lojtarët e mi thonë se janë 100 për qind gati. Nëse nuk do të ishin, nuk do të donin të luanin. Nuk është se jemi stërvitur shumë së fundmi, sepse nuk kemi nevojë. Kishim nevojë për të pushuar, gjithçka tjetër e dimë”, u shpreh Daliç.

Luka Modriç, mos ndoshta mendon se mund të fitojë edhe Topin e Artë?

“E përsëris se jam i përqëndruar tek suksesi i kombëtares. Natyrisht, është kënaqësi kur përmendem si fitues i mundshëm i Topit të Artë, por nuk dua që të mendoj për këtë. Kemi shansin të arrijmë një sukses të madhe dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit t’ia dalim”, tha Modriç.

Dy ekipet nuk kanë asnjë mungesë, ndërsa parashikimet favorizojnë Francën.

finalja.jpg
G. P.15:23 | 13/07/2018

Kupa e Botës nuk është vetëm një sukses sportiv, por edhe ekonomik për Kroacinë. Tifozët ballkanas nuk po i kursejnë shpenzimet, ndërsa ndjekin ndeshjet e ekipit të zemrës.

I gjithë vendi po fluturon nga gëzimi.

Një çmenduri e vërtetë ka përfshirë Kroacinë dhe tifozët saj nuk kanë ndërmend shpejt të zbresin me këmbë në kokë.

Gjithsesi, kjo ndjenjë e rrallë nuk ka sjellë vetëm lumturi e dalldisje, por ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit të vogël.

Faktori i njohur “Kënaqësi” ka bërë që kroatët ta fusin më lehtë dhe më shpesh dorën në xhep.

“Kur luan Kroacia, njerëzit shpenzojnë 30 për qind më shumë, – shkruan faqja e specializuar, “novac.hr”, – që nga fillimi i Botërorit, kroatët kanë ngrënë 9 milionë qebape, dhe më shumë se 1 milionë racione mishi të skarës”.

Ka një dallim mes kroatëve dhe anglezëve.

Plot 5 milionë banorë të ishullit britanik nuk shkuan në punë pas fitores me Kolumbinë.

Në të kundërt, kroatët kanë qenë të detyruar që të punojnë për të financuar shpenzimet e qejfit gjatë Kupës së Botës.

Jo vetëm kaq.

Kroatët, përgjithësisht, i kanë ndjekur ndeshjet nëpër sheshe dhe kafene, por mjaft prej tyre kanë preferuar t’i shikojnë në shtëpi.

Kjo ka bërë që shitja e televizorëve të dyfishohet gjatë Botërorit.

Shumë para janë harxhuar për modelet e flokëve.

Po ashtu, shpenzimet kanë qenë shumë më të mëdha për të blerë fanelën e kombëtares apo suvenire të tjera./abcnews.al

NDESHJA-KROACI-RUSI-1280x720.jpg
ent ela10:23 | 08/07/2018

Kroacia është gjysmëfinalistja e fundit e Botërorit. Eleminoi Rusinë pas penalltive, dhe do të ndeshet me Anglinë, për një vend në finale.

Nuk mund të fitojë ndryshe, përveçse kështu.

Kjo është Kroacia e madhe e një vendi të vogël, që mposhti kombëtaren e shtetit më të madh në botë, Rusisë, për të arritur në gjysmëfinale të Botërorit.

Në pengesën e fundit përpara finales do të kenë Anglinë.

Nuk mjaftuan 90 minuta, madje as 120, dhe ashtu si kundër Danimarkës, shpëtimtari u bë portieri Danijel Subashiç, vendimtar tek gjuajtjet e penalltive.

Numri 1 kroat, këtë herë priti vetëm një 11-metërsh, por edhe kaq mjaftoi, sepse rusët gabuan më shumë.

Gjithsesi, Subashiç pati fat, pasi kaloi shpejt një dëmtim që u duk serioz në minutën e parafundit.

Nëse ai nuk do të kishte qenë, historia e penalltive mund të kishte qenë ndryshe.

Çerekfinalja në stadiumin e Soçit u parashikua pikërisht në favor të Kroacisë, veçse suksesi ishte më shumë sesa i vuajtur.

Rusia, e udhëhequr nga trajneri Çerçesov, mbiquajtur “Komandanti”, sfidoi çdo vlerësim teknik të bërë para ndeshjes, duke mos lejuar të shkelej me këmbë.

Kaloi e para në avantazh dhe nuk u dorëzua as kur potenciali shumë më i madh kroat solli përmbysjen.

Në minutat e fundit të shtesës së dytë, barazoi rezultatin duke treguar një forcë të madhe psikologjike.

U mund me meritë nga një ekip më i fortë, por duke dalë me kokën lart nga Botërori, duke bërë krenar një komb të tërë dhe presidentin Putin, I cili këtë herë nuk ishte në tribunë.

Aty ishte presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Yjet kroatë tani ëndërrojnë të mundin dhe Anglinë, e të kalojnë mrekullinë e brezit të artë të vitit 1998.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono