kroaci

ivo-sanader.png
G. P.21:00 | 22/10/2018

Ish-kryeministri i Kroacisë nuk po u shpëton dot telasheve. Në fund të një procesi gjyqësor ai është dënuar me disa vite burg për një megaskandal korrupsioni. Bëhet fjalë për qindra milionë dollarë të marrë gjatë luftës së viteve ’90 për të favorizuar një kompani austriake.

Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, u dënua të hënën me dy vjet e gjysmë burg për marrrje ryshfeti nga një bankë austriake gjatë kohës së luftës 1991-95. Sanader, që ka hedhur poshtë akuzat dhe e ka cilësuar procesin të motivuar politikisht, në përfundim të seancës nuk u dërgua në qeli por u lejua të largohej pa thënë asnjë fjalë.

Avokatja e tij, Jadranka Slokoviç, deklaroi se ai ka kaluar në gjendje burgimi një periudhë të gjatë, ndaj dhe do ta apelojë vendimin. Sipas prokurorëve, Sanader mori 557 milionë dollarë, kur ishte zëvendësministër i Jashtëm, një shumë që sipas tyre u shpenzua për spekulime gjatë luftës.

Më pas, ai i hapi rrugë bankës që të merrte hua nga buxheti i Kroacisë për të blerë ndërtesa për ambasada dhe konsullata. Sanader, që shërbeu si kryeministër në periudhën 2003-2009, ishte dënuar në lidhje me këtë çështje në vitin 2012, por 3 vjet më vonë e përmbysi dënimin me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që asokohe deklaroi se atij i ishin mohuar shanset për një gjyq të drejtë.

Ndërkohë, në vendimin e së hënës gjykata urdhëroi Sanader që t’i kthejë ryshfetin shtetit. ndërkohë, të martën ai do të përballet me një tjetër proces për akuzën se ka pranuar ryshfet nga një kompani hungareze e energjisë në vitin 2008, duke i siguruar asaj një rol lider në sektorin kroat të energjitikës./abcnews.al

zagtrebiii.png
G. P.18:14 | 22/10/2018

Myrto Uzuni vazhdon formën e mirë në Ligën e Parë të Kroacisë. Lojtari i kombëtares shënoi gol në fitoren e skuadrës së tij, Lokomotiva e Zagrebit.

Përballë kishin legjendën numër 2 të Kroacisë. Kjo sidoqoftë nuk i stepi aspak lojtarët e Lokomotivës së Zagrebit dhe sidomos futbollistin e kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni. Lojtari ofensiv 23-vjeçar fillimisht shërbeu pasimin për golin e parë, realizuar nga Domagoj Drozhgjek. Avantazhi në pjesën e parë i shtoi moralin formacionit nga kryeqyteti, dhe pas pushimit, fitoren e garantoi pikërisht Uzuni.

Beratasi, i vlerësuar lart nga trajneri kuqezi Panuçi, shënoi një gol thuajse krejtësisht personal, duke konfirmuar cilësitë e tij të larta. Me këtë fitore, Lokomotiva e Zagrebit është në vendin e tretë në Ligën e Parë të Kroacisë, me 22 pikë pas 11 javëve. Duke qenë pranë ekipeve të kreut, Uzuni me shokë mund të pretendojnë titullin kampion, ndonëse favorit mbetet Dinamo e Zagrebit.  Këta ishin dy golat e parë të Uzunit në kampionat, ndërsa shënuesi më i mirë është shqiptari i Kosovës, Lirim Kastrati, që luan po për Lokomotivën, dhe që ka shënuar 7 gola./abcnews.al

protesta-kroaci.png
G. P.23:35 | 20/10/2018

Qytetarët kroatë kanë mbushur rrugët për të protestuar kundër reformës së pensioneve, që parashikon mes të tjerash rritjen e moshës. Manifestuesit kanë akuzuar qeverinë se po varfëron dhe grabit klasën punëtore.

Disa mijëra njerëz kanë protestuar të shtunën në Zagreb të Kroacisë kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit dhe për të shkurtuar pensionin për ata që tërhiqen më herët.

Këtë javë, qeveria kroate i kërkoi Parlamentit të miratojë ligjin që e ngre moshën e pensionit me 2 vjet, nga 65 në 67, me argumentin për ta bërë sistemin e pensioneve më të qëndrueshëm. Projekt/ligji përfshin gjithashtu propozimin për reduktimin e pensioneve për ata që tërhiqen më herët me 4 për qind në vit.

Protestuesit janë shprehur të hidhëruar dhe të acaruar duke e konsideruar propozimin e qeverisë si të papërgjegjshëm. Disa prej tyre i kanë quajtur qeveritarët hajdutë dhe i kanë akuzuar se po varfërojnë klasën punëtore.

“Nga shkolla në papunësi, nga puna në varr”, ka qenë një prej parullave të ngritura.

Protestuesit kanë qenë kryesisht punëtorë të industrisë metalike, infermierisë dhe profesioneve të tjera dhe kanë deklaruar njëzëri se nuk mund të punojnë deri në moshën 67-vjeçare.

Ndërkohë, krerët e sindikatave kanë deklaruar se ligji i ri do të dëmtojë veçanërisht punëtorët e vjetër në moshë, të cilët shpesh herë ndodhen nën presion për t’u tërhequr për shkak të problemeve shëndetësore, ose sepse punëdhënësit duan të ndërrojnë stafin.

Sindikatat kanë paralajmëruar se do të nisin një fushatë për referendum kombëtar në lidhje me reformën e pensioneve nëse qeveria refuzon të dëgjojë kërkesat e tyre dhe miraton planin./abcnews.al

lirim-kastratio.jpg
G. P.21:25 | 24/09/2018

Një talent shqiptar nga Kosova shpreson të luajë për Kroacinë. Lirim Kastrati ka luajtur për kombëtaret e moshave të Shqipërisë dhe Kosovës, por pret një ftesë nga nënkampionët e botës.

Është vetëm 19 vjeç, por e gjithë Kroacia po flet për të.

Lirim Kastrati mund të quhet pa frikë zbulimi më i madh i Ligës së parë kroate, veçse ky talent i veçantë nuk besohet se do të veshë fanelën e përfaqësueses së Shqipërisë apo të Kosovës.

Mediat kroate raportojnë se dëshira e tij është tjetër. Gazeta “Jutarnji List” i referohet medias “Sportske Novosti”, një interviste ku Kastrati është shprehur se pret një ftesë nga kombëtarja e Kroacisë.

“Më kanë ftuar edhe Shqipëria, edhe Kosova, kam folur me të dyja federatat, por pres ftesë nga Kroacia, – shprehet sulmuesi, – nuk kam ende pasaportë, por do ta kem për 3 vjet. Kroacia është më e fortë se Shqipëria dhe se Kosova”.

Rasti Kastrati është disi i veçantë, sepse pasi e nisi karrierën në Kosovë, kaloi tek Shkëndija e Tiranës, e quajtur ndryshe ekipi i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive. Doli kampion i Shqipërisë në kategorinë U17, në vitin 2016.

Kastrati u aktivizua me kombëtaret shqiptare të moshave deri në U17, ndërsa më pas për Kosovën deri në U21. Verën e kaluar kaloi me sukses provën tek Lokomotiva e Zagrebit, duke u bërë fillimisht pjesë e ekipit të të rinjve, por shpejt talenti i tij ra në sy.

Kaloi në ekipin e të rriturve në fillim të këtij viti duke shkëlqyer, e duke shënuar gola ndaj Dinamos së Zagrebit, ndërsa këtë sezon ka qenë i papërmbajtshëm, duke realizuar kundër Sllaven Belupos apo Rijekës./abcnews.al

G. P.10:20 | 24/09/2018

Presidentja kroate Kitaroviç, me anë të një video mesazhi u ka bërë apel qytetarëve të Maqedonisë që të votojnë në referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit. Ndër të tjera ajo u shpreh se maqedonasit tashmë e kanë vendin në Bashkimin Europian dhe Nato.

Rradhës së liderëve të ndryshëm botërorë të cilët i bëjën apel qyetarëve të Maqedonisë për të votuar në referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit i është shtuar dhe presidentja e Kroacisë Kitaroviç. Ndër të tjera ajo thotë se Kroacia mbështet fuqishëm vendin tani që përballet me një vendim shumë të rëndësishëm për referendumin. Ajo thekson se maqedonasit e kanë vendin në familjen e BE-së dhe NATO-s, dhe se Kroacia është e gatshme t’i ndihmojë në këtë rrugë, duke e ndarë përvojën e saj”.

Kitaroviç tha se kjo është një mundësi për të kontribuar në stabilitetin dhe përparimin e tërësishëm në Evropën Jugperëndimore.
Disa ditë më parë dhe presidenti francez Makron me anë të një video mesazhi u tha qytetarëve të Maqedonisë se marrëveshja me Greqinë mundëson një të ardhme të mirë për vendin./abcnews.al

FUTBOLLISTET-SHQIPTARE-NE-EUROPE-1280x720.jpg
ent ela18:25 | 17/09/2018

Dy futbollistë të Shqipërisë dhe një i Kosovës shkëlqyen këtë fundjavë në Europë. Tomas Strakosha shpëtoi Lacion, ndërsa i riu Kolaj realizoi dy herë në Greqi.

Mundi i gjithë ekipit mund të kishte shkuar kot. Lacio vërtet fitoi 1-0 në fushën e Empolit, por sfida e Serisë A do të kishte përfunduar fare mirë në barazim, nëse në portën mike nuk do të kishte qenë Tomas Strakosha.

Ai që tashmë është titullar i kombëtares shqiptare, bëri pritjen ndoshta më të vështirë të javës, pse jo edhe të gjithë kampionatit deri tani, duke mos lejuar tundjen e rrjetës.

Një instinkt i pastër që shpëtoi trajnerin Simone Inzagi dhe i dha mundësi Lacios të vazhdojë pretendimet për në Champions.

Një tjetër lojtar kombëtareje, veçse i asaj U19 shkëlqeu në Itali.

Aristidh Kolaj realizoi dy gola në kampionatin e Shpresave, duke i dhënë një fitore të madhe Sasuolos ndaj Romës.

Miqtë nga kryeqyteti ishin në epërsi 3-0, por Kolaj ndryshoi një ndeshje që u duk se ishte e vendosur.

Ishte ai që shënoi dy golat e parë për Sasuolon që mori zemër dhe përmbysi shifrat në 5-3.

Vendimtar edhe një djalë fare i ri nga Kosova.

Lirim Kastrati, tashmë pjesë e ekipit përfaqësues të të rriturve, ishte I papërmbajtshëm në Ligën e Parë të Kroacisë.

Realizoi tri herë në suksesin 5-2 që Lokomotiva e Zagrebit e arriti në fushën e Sllaven Belupos.

Kastrati 19-vjeçar kaloi në avantazh 1-0 Lokomotivën në minutën e 23-të, pastaj shënoi për 3-0 me të nisur pjesa e dytë dhe mbylli paraqitjen e tij të madhe me golin e katërt të ekipit 7 minuta para fundit, kur vendasit ishin afruar në 2-3. /abcnews.al

ETHET-E-NILIT-PERENDIMOR.jpg
G. P.08:20 | 13/09/2018

5 persona kanë kaluar në koma për shkak të epidemisë së etheve të Nilit Perëndimor në Kroaci. Në total 39 persona janë prekur nga kjo epidemi, ndërsa është regjistruar dhe një viktimë në Kroaci.

Enti i Shëndetit Publik të Kroacisë ka njoftuar se nga 10 Korriku deri më 10 Shtator, kur u shfaq epidemia e etheve të Nilit Perëndimor në vend në total 39 persona janë prekur nga ethet, prej të cilëve disa janë në gjendje të rëndë.

Pesë persona të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor ndodhen në klinikën e sëmundjeve infektive “Fran Mihaljeviç” në gjendje kome të thellë, ndërsa frymëmarrja e tyre bëhet përmes aparateve. Deri më tani nga kjo sëmundje, e cila përhapet nga pickimi i mushkonjës në Kroaci, ka vdekur një person.

Të dhënat tregojnë se shumica e të prekurve, 35 nga 39, janë infektuar në zonën e Kroacisë lindore dhe veriperëndimore ku numri i mushkonjave për shkak të pellgjeve të lumenjve dhe zonës kënetore është shumë më e madhe se në pjesët tjera të vendit.

“Virusi bartet tek njerëzit, thundrakët ose gjitarë të tjerë nga pickimi i mushkonjave të infektuara, më së shpeshti Culex, dhe mund të bartet edhe nga lloje të tjera të mushkonjave. Sëmundja nuk bartet nga njerëzit tek njerëzit dhe paraqitet në varësi të aktivitetit sezonal të mushkonjave gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës”, thuhet në deklaratë.

Infeksioni më së shpeshti kalon pa simptoma (në 80 për qind të rasteve) ndërsa në 20 për qind të rasteve paraqitet një manifestim i dhimbjes, kryesisht me simptoma të buta, të cilat ngjasojnë me ftohje apo grip siç është rritja e temperaturës, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, etj.

Sipas Qendrës evropiane të parandalimit dhe luftimit të sëmundjes, deri më 6 shtator në Evropë janë regjistruar në total 1.112 raste të etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa në të njëjtën periudhë 71 persona kanë vdekur./abcnews.al

rangers.jpg
G. P.08:31 | 28/08/2018

Eros Grezda mund të luajë që këtë fundjavë në kampionatin skocez. Lojtari i kombëtares shqiptare, do të jetë pjesë e Gllazgou Rejnxhërsit, në krah të legjendës së Liverpulit, Stiven Xherrard.

Nga Kroacia në Skoci. Eros Grezda, njëri nga lojtarët më të mirë të kombëtares shqiptare, do të ndryshojë ekip, dhe do të shkojë në një nga emrat më të shquar të futbollit europian, Gllazgou Rejnxhërs. Njëzeteca vjet pasi Rudi Vata veshi fanelën e Sëlltikut, këtë herë do të jetë një shqiptar i Kosovës që që do të krijojë një derbi në distancë.

Mediat britanike njoftojnë se Grezda ka qenë në Gllazgou dhe ka kaluar vizitat mjekësore, madje shkruajnë se ai mund të debutojë në ligën skoceze që këtë fundjavë. Nuk do të kishte pagëzim më të mirë pasi do të ndodhte në derbin Sëlltik-Rejnxhërs. Lojtari 23-vjeçar i krahut do të ketë mundësi të punojë me ish-legjendën e Liverpulit, Stiven Xherrard, që është sot trajner i Rejnxhërsit. Djaloshi nga Gjakova po ngjit një nga një shkallët e karrierës, duke kaluar me sukses provat në Kroaci, me Lokomotivën e Zagrebit dhe Osijekun, për të shkuar në stadiumin “Ajbroks Park”.

Kartoni i tij besohet se do të paguhet rreth 2.3 milionë euro. Shpresohet që Grezda të stabilizohet dhe të luajë me minutazh të lartë në Skoci, në mënyrë që të vazhdojë me formën shumë të mirë që po kalon kohët e fundit në ekipin kombëtar./abcnews.al

bukuroshja.jpg
G. P.13:18 | 19/07/2018

Një javë pasi fitoi zemrat e shikuesve me mbështetjen që i dha skuadës përfaqësuese të Kroacisë në finalen e botërorit të futbollit, presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, me të njëjtën mbështetje iu drejtua shqiptarëve nga salla e seancave plenare, duke i konsideruar miq të shtetit të saj, Kroacisë.

“Të dy vendet tona janë të lidhura me detin Adriatik por edhe me dicka më të fortë: Shqipëria ka qenë vendi ynë mik, gjatë luftës, shumë shqiptarë u bënë pjesë e forcave kroate dhe luftuan për lirimin e Kroacisë, shumë shqiptarë sakrifikuan jetën për Kroacinë dhe Kroacia më besoni nuk harron”, tha Kitaroviç.

Mbështetjen e artikuloi edhe në kuadr të integrimit europian të vendit.

“Hapja e ambasadës kroate në Tiranë në vitin 1994 ishte një ngjarje e madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve. Tani, Kroacia dhe Shqipëria marrin pjesë bashkë në operacionet në Afganistan. Kroacia e mbështet fuqishëm perspektivën europiane të Shqipërisë, rrugën drejt integrimit në BE dhe mirëpret progresin e bërë nga Shqipëria”, u shpreh presidentja e Kroacisë.

Në përfundim të vizitës zyrtare dy ditore, presidentja kroate Kitaroviç ndaloi në Durrës, ku e shoqëruar nga minsitri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së projektit për mbrojtjen e mjedisit, një program i përbashkët i dy vendeve respektive për menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në det dhe porte./abcnews.al

ilir-mettaa.jpg
G. P.20:00 | 18/07/2018

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, komentoi negociatat shtetërore me Greqinë për kufirin detar.

“Ky është një proces, i cili duhet të bazohet në barazinë e palëve në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe së dyti, edhe në respekt të Kushtetutës dhe legjislacionin përkatës. Nga ana ime si president, dua t’ju siguroj se do të bëj gjithçka për të përmbushur detyrimet e mia në mënyrën më konstruktive, por gjithmonë në respekt të Kushtetutës së vendit dhe të transparencës dhe bashkëpunimit si me qeverinë, ashtu edhe me Kuvendin e Shqipërisë, që kanë përgjegjësitë e tyre për këtë proces”.

Në lidhje me situatën aktuale të krijuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë për shkak të pamundësisë së plotësimit të vendeve vakante pa u ngritur institucionet e reja të drejtësisë, Presidenti vuri theksin tek bashkëpunimi i qeverisë me opozitën.

“Reforma në drejtësi është shumë e thellë, madhore, komplekse. Duke shrpesuar mbështetjen për ecurinë e kësaj reforme dua t’u siguroj për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore që ka Presidenti për çështjet e drejtësisë në mënyrë më transparente. Ashtu siç kam bërë më herët, dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës për të kaluar çdo moment të vështirë që mund të vërë në vështirësi krijimin e institucioneve të drejtësisë”.

Në takimin që parapriu konferencën, dy presidentët biseduan për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë e Kroacisë, marrëdhëniuet në rajon dhe çështjet ndërkombëtare. Meta vlerësoi mbështetjen e Kroacisë në procesin e integrimit.

Nga ana e saj, Kitaroviç theksoi vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, duke hedhur idenë deri në një partneritet strategjik./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono