krizë

lulzim-bashaaaa.jpg
ad min13:32 | 02/10/2019

Opozita e bashkuar i ka dërguar një plan me 5 pika kryeministrit Rama për zgjidhjen e krizës politike, ku në fokus është Reforma Zgjedhore.

Sipas opozitës, diskutimet mbi reformën zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke përfshirë në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.

Gjithashtu opozita propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i parlamentit dhe një përfaqësues i opozitës së bashkuar.

Ndërkohë ditën e sotme, kreu i selisë blu Lulzim Basha tha se këtë plan ia ka dërguar kryeministrit Rama dhe nëse nuk e zbaton duhet të hapë krahun.

“Nuk është çështje për Bashën e Ramën. Shqipëria është në krizë. Ne kemi një plan për të nxjerrë vendin nga kriza dhe propozim për reformën zgjedhore. Ia kemi dhënë Ramës ta zbatojë nëse nuk e zbaton të hapë krahun se e zbatojmë ne”, u shpreh Basha.

5 pikat e platformës:

  1. Opozita e Bashkuar i përgjigjet pozitivisht ftesës së partnerëve ndërkombëtarë, si tregues i mirënjohjes për përpjekjet e tyre për forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri dhe bashkëpunimit ndër vite për reformimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet në Shqipëri.

1.1. Duke qenë se Reforma Zgjedhore është një nga kushtet për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, Opozita e Bashkuar angazhohet të mbështesë realizimin e saj.

1.2. Opozita e Bashkuar rithekson nevojën për Reformë të vërtetë Zgjedhore, që mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë drejtim, personat, subjekt të hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/2017, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore për të cilën ka nevojë vendi.

1.3. Diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke përfshirë në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile. Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.

1.4. Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për realizimin e reformimit të kuadrit ligjor zgjedhor dhe nuk është organ përfaqësues i vullnetit të qytetarëve. Ai është produkt i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, të diktuara gjerësisht nga krimi i organizuar dhe blerja e votave me paratë e pista të krimit. Për pasojë, asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.

1.5. Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.

  1. Reforma Zgjedhore është e nevojshme për përmirësimin e aspekteve teknike të organizimit të zgjedhjeve, por e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

2.1. Ligji elektoral dhe legjislacioni penal që mbron zgjedhjet demokratike më së pari janë të nevojshme të zbatohen. Asnjë Reformë nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ekziston vullneti politik dhe institucional për të zbatuar ligjet në fuqi. Reformat Zgjedhore marrin kuptim vetëm atëherë kur krimet elektorale të së shkuarës të jenë hetuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur, dhe autorët e krimeve të jenë përballur me ligjin.

2.2. Opozita e Bashkuar mbështet qëndrimin e Misionit të OSBE-ODIHR se “Kuadri ligjor aktual mund të ofronte një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse do të zbatohej në mënyrë të paanshme dhe me një vullnet të sinqertë politik”. Për pasojë, organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore:

  • shitblerja e votës;
  • presioni mbi zgjedhësit në administratë publike;
  • abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, pra mos ndarja e shtetit nga partia në pushtet;
  • cënimi i sekretit dhe lirisë së votës;
  • manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit.

2.3. Duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi. Kapja e shtetit nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale apo me lidhje me krimin e organizuar, në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin vendor, në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare.

2.4. Zbatimi i Rekomandimeve teknike të OSBE-ODIHR kërkon ndërhyrje në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Kodin Zgjedhor, ligjin e administratës publike, ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Mediat Audio-Vizive, etj.

  1. Diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhen sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese, dhe më pas me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik.
  2. Ofrimi i garancive shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Në këtë kuadër, konstatohet se:
  • Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci për ndarjen e shtetit nga partia apo politikës nga krimi.
  • KQZ nën kontrollin politik të partisë në pushtet nuk garanton paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore, duke anulluar të gjitha garancitë që ofron ligji për subjektet zgjedhore.
  • Organet e zbatimit të ligjit (Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ i Shtetit) nuk kryejnë dot funksionet e tyre sipas ligjit, për shkak të kontrollit nga partia në pushtet dhe Qeveria.
  • Gjykatat janë jofunksionale dhe nën presionin politik të Qeverisë, siç evidentoi OSBE/ODIHR, duke pamundësuar ushtrimin e garancive që Kushtetuta dhe ligji ofrojnë në rast shkeljesh nga Qeveria apo administrata zgjedhore.
  1. Ofrimi i garancive për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të Referendumeve.

Zgjedhjet nuk janë e vetmja forme e shprehjes së vullnetit të qytetarëve. Kushtetuta i garanton qytetarëve shprehjen e vullnetit dhe pjesëmarrjen e  drejtpërdrejtë në vendimmarrje, nëpërmjet Referendumeve. Kodi Zgjedhor aktual, i pandryshuar për këtë çështje që nga viti 2000, pamundëson zhvillimin efektiv të Referendumeve. Referendumet janë e vetmja formë që përveç mundësisë për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët për një çështje, garantojnë edhe të drejtën e qytetarëve për të ndikuar drejtpërdrejtë në politikbërje, nga Qeveria, Parlamenti dhe partitë politike./abcnews.al

ekonomia-ne-krize-1280x708.jpg
ad min14:27 | 12/09/2019

Ekonomia shqiptare është duke kaluar një periudhë të vështirë, ku rritja ekonomike pritet të tkurret ndjeshëm, investimet vendase dhe të huaja janë në rënie dhe ku deficiti dhe borxhi vazhdojnë të mbeten në nivele kritike, bashkë me disnivelin e eksport-importeve. Kështu i përshkruan “Zëri i Amerikës” zhvillimet ekonomike të vendit, duke iu referuar ekspertëve të ekonomisë.

Ditë të vështira po kalon ekonomia shqiptare. Është ky konstatimi i studiuesve të ekonomisë i pasqyruar edhe nga Zëri i Amerikës. Shumë nga problemet e këtij viti kanë ardhur prej thatësirës dhe sigurimit të energjisë elektrike, po ashtu edhe me ndikime të forta mbi bujqësinë, që zë 20 për qind të prodhimit kombëtar-nënvizojnë ekspertët.

Jo vetëm kaq, por duke iu referuar edhe të dhënave zyrtare ka një përgjysmim të rritjes ekonomike nga 4% vjet në 2 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti. Ndërsa një vit më parë rritja ekonomike erdhi kryesisht prej shirave dhe shitjes masive të energjisë elektrike.

Një tjetër problem që vë në dukje “Zëri i Amerikës” është mungesa e investimeve të huaja që shihet po ashtu si një problem kryesor, sepse Shqipëria nuk është tërheqëse prej taksave të larta dhe investimet e huaja po shkojnë në vendet fqinje.

Sipas ekspertëve e vetmja shpresë po mbetet turizmi, i cili duket se ka lëvizje, por fitimet e tij nuk po shfaqen në përmirësimin e treguesve, ose se ka evazion fiskal dhe fitimet fshihen, ose se konsumi i turistëve ka zëvendësuar konsumin e shqiptarëve tashmë të larguar nga vendi.

Papunësia është një tjetër problem kryesor. Shifrat tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit janë punësuar vetëm 1 mijë e 200 persona, ose 200 vetë në muaj.

Ekspertët e ekonomisë pohojnë se paqëndrueshmëria e ligjeve ekonomike dhe trazirat politike janë faktorë shtesë që dëmtojnë ekonominë, po edhe kur ato kanë qenë të qëndrueshme, shifrat nuk kanë patur ndonjë përmirësim domethënës e të ndjeshëm./ABC News Albania 24/7

koreja.jpg
ad min08:26 | 09/09/2019

Gadishulli korean në Azi është goditur nga tajfuni “Lingling”. Në Korenë e Veriut stuhia shkaktuar vdekjen e disa personave, ndërsa ka rrafshuar edhe një pjesë të mirë të të mbjellave, në një moment kur vendi ndodhet në krizë ushqimore.

Tajfuni i fuqishëm “Lingling” ka kaluar nëpër gadishullin korean, duke lënë 5 të vdekur dhe 460 shtëpi të shkatërruara vetëm në Korenë e Veriut. Sipas medias shtetërore të vendit aziatik, stuhia ka përmbytur 460 kilometra katrorë tokë të mbjellë, në një kohë kur vendi vuan nga rezervat e tkurrura ushqimore.

Ndërkohë, autoritetet druhen se situata mund të përkeqësohet në orët e ardhshme. Më herët gjatë vitit, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se deri në 10 milionë koreano-veriorë kishin nevojë urgjente për asistencë ushqimore.

Lideri Kim Jong Un mbajti të premten një mbledhje të jashtëzakonshme me zyrtarët përgjegjës, të cilët i kritikoi për mungesë veprimi në parandalimin e dëmeve të tajfunit. Sipas agjencisë së lajmeve “KCNA”, qeveria po u kushton vëmendje mbrojtjes së të mbjellave, si dhe digave e rezervuarëve.

Ditën e shtunë “Lingling” goditi Korenë e Jugut, ku u mori jetën të paktën 3 personave, la pa energji dhjetëra mijëra shtëpi dhe çoi në anulimin e shumë fluturimeve. Aktualisht vendi po merr veten nga dëmet e shkaktuara, me energjinë elektrike që është rikthyer në rreth 160 mijë shtëpi dhe fluturimet që po rifillojnë gradualisht. Me erëra që fryjnë deri në 140 kilometra në orë, “Lingling” është ndër tajfunet më të fuqishme që godet gadishullin Korean./ABC News Albania 24/7

49217714_403.jpg
nev ila09:55 | 21/06/2019

Përpjekjet e bëra nga Gjermania për afrim mes pozitës e opozitës shqiptare deri tani kanë qenë të pasuksesshme. Socialistët nuk lëvizin nga vendimi i tyre për të shkuar në zgjedhje, ndërkohë kriza në vend po thellohet.

Më 30 qershor në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje lokale. Trazirat janë të sigurta. Një ide të parë për atë çka mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve lokale, e pamë në ditët e shkuara, kur militantë të opozitës në Shkodër e Tropojë dhe gjetkë u përpoqën të asgjësojnë materialet zgjedhore dhe t’i vënë zjarrin lokaleve të votimeve. Opozita e ndjen veten te legjitimuar për sabotazhe te tilla që më 10 qershor, kur Presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve, i shqetësuar nga trazirat e paralajmëruara.  Partia Socialiste reagoi me procedurën për shkarkimin e presidentit.

Kriza politike

Qe prej shkurtit Partia Socialiste sundon thuajse e vetme ne Parlamentin e Shqipërisë, hiq ata pak  deputetë opozitarë, me pozitë shumë të dobët në Kuvend, që nuk iu përgjigjën thirrjes së partisë së tyre për të dorëzuar ose mos pranuar mandatet. Dy grupimet kryesore të opozitës, aleanca përreth Partisë Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e zgjodhën këtë hap radikal pasi në media u botuan audio-përgjime që dëshmonin për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, në të cilat socialistët fituan shumicën absolute, me anë të blerjes së votave me ndihmën e Krimit të Organizuar, sipas tyre.

Në një intervistë me Deutsche Wellen Lulzim Basha  u shpreh se e shikonte zgjidhjen e situatës aktuale vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të reja të parakohshme. Më pas dolën përgjime të reja që janë tregues për një sistematikë të mundshme në blerjen e votës – kësaj radhe të botuara në faqet online të gazetës bulaverdeske gjermane, Bild. Kryeministri dhe shefi i socialisteve Rama i hedh poshtë akuzat dhe kërcënon me paditje  gazetarin e Bild-it, Peter Tiede, i cili nga opozita dhe shumë shqiptarë konsiderohet tashmë hero.

Që audio-përgjimet janë të vërteta, këtë nuk e vë askush në dyshim në Shqipëri. Sepse ato vijnë nga prokuroria, e cila fillimisht i mbajti të mbyllura për gati dy vjet dhe vetëm pas presionit të shkaktuar nga publikimet nisi t’i trajtonte. Siç bëri të ditur për Deutsche Wellen të martën, Prokuroria e Përgjithshme  nuk ka ngritur ende padi për krimin elektoral, por sipas saj „hetimi vazhdon intensivisht dhe me dinamikë“.

Protesta në Tiranë, 8 qershor

Reformë apo krizë gjyqësori?

Zvarritja e trajtimit të çështjeve gjyqësore është ndërkohë një problem i të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare. Atë nuk e vuan vetëm prokuroria. Edhe Gjykata Kushtetuese, që do të duhej të ishte instanca, ku do të zgjidhej konflikti aktual mes parlamentit dhe opozitës, nuk funksionon. Shkak për këtë është procesi i Vettingut, i cili synon të kontrollojë përshtatshmërinë e gjykatësve dhe prokurorëve mbi bazën e kualifikimeve të tyre profesionale, pasurisë dhe integritetit etiko-profesional dhe që i ka bërë shumë gjyqtarë dhe prokurorë që të lëshojnë karriget ende pa filluar procesi i testimit. Të tjerë nuk e kaluan dot provimin e fortë të Komisionit të mbikqyrur nga BE-ja dhe u skualifikuan.

Në këto institucione dosjet po bëhen pirg. Për Jordan Dacin, drejtues i Qendrës Shqiptare „Rule of Law“, problemi kryesor i reformës së drejtësisë është mungesa e një mekanizmi efikas për të zëvendësuar ata gjykatës dhe prokurorë që dalin nga sistemi për shkak të Vetingut. Paralizimi i gjyqësorit bën që çdo vit të shtohen nga 30 përqind dosje të reja që mbeten të patrajtuara për shkak të mungesës së stafit adekuat, vëren Daci në një intervistë me DW. Vetëm në Gjykatën e Lartë numri i dosjeve të patrajtuara është mbi 31 000, thotë ai.

Për bllokimin e drejtësisë në vend qeveria dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën. Ndërsa opozita e akuzon qeverinë se po e përdor bllokadën e gjyqësorit për të asgjësuar përfundimisht partitë e opozitës  për të instaluar një regjim autokratik, partia qeverisëse e akuzon opozitën se po  e përdor bojkotimin e zgjedhjeve si alibi për të penguar ngritjen e gjyqësorit të pavarur, prej të cilës të parët që do të dënoheshin do të ishin vetë krerët e opozitës. Prokuroria shqiptare është duke bërë hetime aktualisht kundër kreut të opozitës me akuzën për larjen e parave dhe fallsifikimin e dokumentave. Për Bashën kjo nuk është gjë tjetër, veçse një inskenim politik i sajuar nga kryeministri Rama për ta  shantazhuar politikisht.

Përpjekje të pasuksesshme për ndërmjetësim

Në vjeshtë parlamenti gjerman do të duhet të japë dritë të gjelbër për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, shumica e deputetëve në parlamentin gjerman janë mëse të qartë për një „po“ në lidhje me Shqipërinë ata kanë ende rezerva.

Sidomos deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU ngurrojnë t’i hapin Shqipërisë këtë derëzë  kaq të rëndësishme drejt BE-së. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Johann David Wadephul, dëshiron së paku që të kapërcehet kriza aktuale, dhe gjykon se mbajtja e zgjedhjeve lokale pa partinë më të madhe opozitare është problematike për demokracinë. Sepse gjysma e kandidatëve për kryetarë bashkie kandidojnë pa rivalë. Deri në ditët e fundit, Wadephul u përpoq të ndërmjetësonte mes partisë së mazhorancës dhe asaj opozitës, në mënyrë që së paku të shmangte përplasjen gjatë zgjedhjeve. Por deri tani pa sukses.

Johann Wadephul

Partia Socialiste nuk e pranon kurrsesi shtyrjen e datës së zgjedhjeve, thuhet nga kreu i saj. Ndër të tjera, socialistët nuk duan të krijojnë një rast precedent për shtyrjen e zgjedhjeve nëpërmjet kërcënimit me bojkotim. Veç kësaj, mazhoranca e akuzon opozitën se nuk mori pjesë në zgjedhje vetëm ngaqë ishte e papërgatitur dhe llogariste se do të dilte e humbur. Edhe deputeti gjerman nga Të Gjelbrit, Manuel Sarrazin, një ndër raportuesit e Shqipërisë në Bundestag, mendon se bojkoti i opozitës është i papërligjur. Ai thotë se këtu po bëhet thjesht një luftë  për pushtet mes Ramës dhe Bashës. Por sipas Sarrazinit, kjo luftë është shumë e pafavorshme për Shqipërinë duke pasur parasysh vendimin e vjeshtës në Bundestag.  Por Sarrazin shton se, sido që të përfundojë kjo betejë, Shqipëria do ta marrë votën si nga grupi parlamentar i tij, ashtu edhe ai socialdemokrat./DW

astrit-patoziii.jpg
ad min21:36 | 14/06/2019

Astrit Patozi ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija” në Abc News. Koordinatori i Bindjes Demokratike u pyet se kush do të ishte zgjidhja sipas tij e krizës ku ndodhet vendi.

E para do bëja ç’është e mundur që kurrë të mos shkonte puna në këtë pikë, por në rast se do shkonte pastaj, do ndiqja instiktin tim për interesin që ka ky vend dhe ky popull për këto zgjedhje dhe për shumë më tepër se sa këto zgjedhje. Shqipëria ka nevojë për t’u ndarë nga ky sistem i kalbur politik dhe ky do ishte rast i mirë për të filluar kthesa sipas meje. Në rast se kjo nuk do ndodhë do të ketë arnime të vazhdueshme dhe ne do të biem në kriza të tjera dhe të shpeshta, madje dhe më të këqija në të ardhmen sepse do ishte thjesht kapërcime i momentit. Ne kemi nevojë të ikim nga ky sistem. Kryetarokracia është një sistem i pisët politik, i cili na ka sjellë në këto nivele, të shpifura do thoja, dhe për të dalë nga kjo Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të madhe. Nuk ka nevojë për një marrëveshje për zjedhje lokale. Pas kësaj në rast se ne nuk ikim nga ky lloj sistemi, nga listat e mbyllura, nga kjo që tre vetë në Shqipëri vendosin për 3 milionë të tjerët, ku sulltani vendos shumë më tepër se dy të tjerët, kjo është një gjë që duhet të përfundojë një orë e më parë përndryshe nuk do të ketë qetësi”, tha Patozi.

Për krijimin e Bindjes, Patozi nuk ka asnjë pendim. Ai shprehet se me të i solli vendit një ofertë të re.

“Për ne ka qenë vendimi i duhur dhe nuk i heqim asnjë presje. Një mijë herë të kthehemi mbrapa, një mijë herë do ta kishim bërë të njëjtën gjë. Pse? Sepse ne i sollëm vendit një ofertë të re, e cila ishte e ndryshme nga çfarë është parë deri tani, i sollëm një model të ri. Mbi të gjitha këtë gjë e bëmë në ditën, kur ata ndjeheshin më të dobët. Pra sistemi politik që është krijuar në Shqipëri dhe është në grahmat e fundit sipas nesh ishte në pikën e tij më të dobët prandaj ne bëmë gjënë e duhur dhe nuk pendohemi. Në këtë situatë ne jemi të disavantazhuar. Që në çastin  që gjithë debati është përqendruar që kush është më i fortë, Ilir Meta apo Edi Rama, apo Lulzim Basha nuk ka shumë vëmendje, shumë veshë për të dëgjuar se çfarë themi dhe çfarë jemi ne. Sigurisht që kjo na penalizon, por më mirë të bëjmë një sakrificë të vogël, por të shpëtojë vendi dhe të ketë një zgjidhje afatgjatë”, tha Patozi./abcnews.al

neymar.jpg
ad min15:30 | 06/06/2019

Neymar po kalon një nga momentet më të vështirë në karrierë dhe në jetën e tij. Ylli brazilian pësoi dëmtim me kombëtaren, ndërsa u rënduan akuzat për përdhunim.

E keqja nuk paska të mbaruar për të. Neymar po kalon ndoshta momentet më të vështira të karrierës dhe të jetës, pas dëmtimit që i ndodhi me Brazilin dhe lajmeve të reja nga skandali i përdhunimit të dyshuar.

Ylli brazilian u lëndua në miqësoren që kombëtarja e tij fitoi 2-0 ndaj Katarit, dhe u detyrua të largohej nga stadiumi që në pjesën e parë.

Ky ishte dëmtimi i tij i dytë në pak muaj, ndërsa gazeta franceze “Le Parisien” shkruan se ylli i PSG-së do të jetë jashtë fushave për 6 javë, pra do të humbasë Kupën e Amerikës në Brazil.

Edhe më rëndë se nga dëmtimi, sulmuesi u godit nga videoja e re e publikuar nga modelja e quajtur Nahila Trindade. Në filmim dallohet që futbollisti dhe Nahila ndodheshin në një dhomë hoteli, dhe se ata shtrihen në shtrat, por më pas, femra ngrihet dhe e godet Neymar, i cili duket se tenton t’i kundërpërgjigjet.

Interpretimi i modeles është se ajo goditi pasi u tentua të përdhunohej, ndërsa babai i Neymar-it, i ftuar në një studio televizive në Brazil, pretendon të kundërtën.

“Djali im u sulmua dhe ky ishte një provokim”, – tha babai i sulmuesit.

Vetë Neymar i ka hedhur poshtë akuzat si përdhunues, duke publikuar një video në rrjetet sociale, ku paraqiten edhe mesazhet intime mes tyre. Nahila Trindade ka bërë denoncim në një rajon policie në qytetin e Sao Paulos, duke deklaruar se u përdhunua në një hotel në Paris.

Ajo thotë se Neymar i preu biletë avioni dhe prenotoi dhomën e hotelit në Francë, dhe se ajo e pëlqente, por pastaj futbollisti u bë agresiv. Pritet procesi gjyqësor për të përcaktuar nëse bëhet fjalë vërtet për një përdhunim, apo për një grackë të modeles për të përfituar një shumë të madhe parash nga Neymar.

Ylli i Paris SG pati probleme edhe më parë, pasi u dënua me disa ndeshje pezullim për shkak se goditi një tifoz në përfundim të finales së Kupës së Francës.

Po ashtu, atij iu hoq shiriti i kapitenit nga trajneri i Brazilit, Tite, dhe ndoshta largimi i tij për shkak dëmtimi mund t’i bëjë mirë ekipin përfaqësues për në Kupën e Amerikës./ABC News Albania 24/7

besart-kadia.jpg
ad min21:46 | 28/05/2019

Sipas ekspertit të ekonomisë, Besart Kadia, shoqëria në Shqipëri ka një krizë të thellë kulturore.

Gjatë emisionit “Provokacija” të Mustafa Nanos, pedagogu u shpreh se qytetarët vuajnë një mungesë besimi, e cila bën që të ndërtohet një konflikt i përhershëm dhe më pas sjell kriza të tjera.

Sipas tij, në vendin tonë ka krizë të thellë të simboleve dhe zakoneve. Si shembull, Kadia mori Ditën e Çlirimit dhe të rinjtë që duan të emgrojnë jashtë vendit.

“Këtu mënyra e botëkuptimit është aq e fortë saqë e bën të vështirë një dialog dhe ka një krizë të thellë kulturore si shoqëri. Nuk është më një krizë politike e mirëfilltë, por është një krizë kulturore e thellë. Do thoja elementët e përbashkët si zakonet, simbolet, sistemet e bashkëpunimit. Ne kemi shoqëri, e cila në formën e vlerave të përbashkëta, ne kemi minimalisht Ditën e Çlirimit konfuze. Është data 28 apo 29 Nëntor dita që duhet të festojmë? Në rast se opozita dhe qeveria shkojnë të dy në krahë të ndryshme kur është dita e përkujtimit të dëshmorëve, ne jemi sërish pa simbole të përbashkëta.

Në rast se të rinjtë thonë që 70% e tyre duan të largohen nga vendi, s’kanë besim te institucionet e vendit këtu jemi në një krizë të thellë të simboleve apo zakoneve të përbashkëta. Pra ne ndihemi aq shumë që s’mund t’i përkasim kësaj shoqërie saqë nuk mund të ndërtojmë asgjë. Pra as demokracinë nuk e ndërtojmë dot se nuk besojmë te ai në krah, por as ekonominë nuk e ndërtojmë dot se nuk besojmë te biznesmeni që na shet një produkt. Kemi mosbesim te ushqimet? Kemi mosbesim te partitë politike se themi janë të korruptuara të gjitha? Kemi ne mosbesim te mjekët se mendojmë që janë aty vetëm për të vjedhur. Kjo çështje mosbesimi bën që të ndërtohet një konflikt i përhershëm dhe nuk ka besim. Dhe mungesa e besimit sjell pastaj kriza të tjera politike, ekonomike sociale etj, me radhë”, tha Kadia./abcnews.al

trump-phones-venezuelas-guaido-as-u-s-pushes-for-maduro-to-go.jpg
ad min14:44 | 30/04/2019

Në Venezuelë po ndodh një grusht shteti. Lajmi është konfirmuar nga qeveria me anë të një deklarate për mediat ku i kërkohet popullit që të ketë shumë kujdes. Çdo gjë nisi kur lideri i opoztës Guaido i rrethuar me ushtarë të armatosur i kërkoi ushtrisë, si kreu legjitim i Forcave të Armatosura, që të kryejnë një revoltë ushtarake.

Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, bëri apel për një revoltë ushtarake në Venezuelë me anë të një video, ku duket se ndodhet në një bazë ajrore në Karakas. Ai është i rrethuar nga ushtarë të armatosur dhe pranë tij ndodhet dhe aktivisti Leopoldo Lopez.

Momenti është pikërisht tani shprehet Guaido: “Si president në detyrë dhe kreu i ligjshëm i Forcave të Armatosura ju bëj thirrje që të na ndiqni në veprimet tona”.

Maduro nga ana e tij deklaroi se po përpiqej të shuante një grusht shteti që po ndodh në vend. Me anë të një deklarate për shtyp, qeveria e Maduros informoi popullin venezuelian se në këto moment po përballej dhe po përpiqej të neutralizonte një grup të vogël ushtarësh tradhtarë që kanë bllokuar hyrjen kryesore në kryeqytet duke organizuar një grusht shteti.

Ministri i Informacionit u shpreh se këtij grupi i janë bashkuar dhe ekstremi i djathtë vrasës, i cili prej disa muajsh ka bërë publik planin e tij. I bëjmë thirrje popullit të ketë shumë kujdes, përfundon deklarata.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës, Kabelo, u ka kërkuar të gjithë mbështetësve të presidentit Maduro që të mblidhen para presidencës për të mbrojtur Kushtetutën dhe presidentin Nikolas Maduro. Guaido mbështetet dhe nga ushtria e Bolivisë./ABC News Albania 24/7

mancester-1280x748.jpg
ad min20:54 | 22/04/2019

Mançester Junajtid është në një krizë të thellë, sidomos pas humbjes në fushën e Evertonit. Kritikat për yjet e skuadrës janë të forta, ndërsa trajneri Solskjer bën një paralajmërim.

As legjendat e dikurshme nuk po dinë t’ia venë emrin.

Mançester Junajtid, një nga klubet më të mëdhenj të Europës, u turpërua thellësisht pas humbjes 0-4 në fushën e Evertonit në kampionatin anglez.

Pas eleminimit nga Championsi, ky dorëzim pa kushte ishte një tjetër sinjal alarmi për krizën e rëndë në të cilën ndodhet skuadra e trajnerit Ole Gunar Solskjer.

Akuzat kryesore ishin ndaj disa prej futbollistëve, atyre që paguhen më shumë dhe që pretendohet të udhëheqin skuadrën.

Të tillë si Pol Pogba apo David De Gea.

“Jam absolutisht I tërbuar nga zemërimi, – tha ish-ylli i Junajtidit, Geri Nevil, që fitoi gjithçka nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit, – kjo paraqitje ishte e turpshme. Trajneri Solskjer duhet të largojë barërat e këqija, pasi kështu nuk mund të vazhdohet. Nuk ka nevojë të jap emra, sepse ata i di gjithkush”.

“Hiqni qafe lojtarë si Pogba dhe De Gea, që nuk duan të qëndrojnë këtu, – tha ish-kapiteni i Liverpulit, Xhemi Karrager, – ata duket se e kanë më shumë mendjen te kontratat e tyre, sesa tek fati I skuadrës. Po flasim për Mançester Junajtidin, një nga klubet më të mëdhenj të botës”.

Duket se edhe Solskjerit kjo gjë i ka ardhur në majë të hundës.

Norvegjezi ka humbur 7 nga 9 ndeshjet e fundit në stol, dhe kjo menjëherë pasi firmosi kontratën si trajner I përhershëm.

“Unë do të jem i suksesshëm këtu, por disa lojtarë nuk do të jenë me mua sezonin e ardhshëm, – u tha ai gazetarëve, – kush dëshiron të luajë për këtë klub, duhet të bëjë më shumë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve, i lamë në baltë dhe i mërzitëm shumë”.

Faktet flasin qartë, pasi lojtarët e Junajtidit vrapojnë më pak se ata të skuadrave të tjera, më pak se 15 nga 17 kundërshtarët në ndeshjet nën drejtimin e Solskjerit.

“Ne nuk kishim udhëheqës në fushë në këtë ndeshje, – ishte deklarata e qartë e mesfushori Nemanja Matiç, – flas së pari për veten time, pastaj për të tjerët. Duhet të kemi mentalitet kampioni”.

Për fat, Totenhemi humbi të shtunën dhe Arsenali pësoi po ashtu disfatë të dielën, ndaj edhe rivalët nuk mundën të shkëputeshin.

Junajtid ndodhet vetëm 2-3 pikë larg zonës Champions, por tani duhet që të fitojë në “Old Traford” ndaj Mançester Sitit.

Me këtë formë që ka, nuk dihet sesa do t’ia dalë./abcnews.al

itali-1280x681.jpg
ent ela23:59 | 08/03/2019

Një krizë e ashpër ka përfshirë koalicionin qeverisës në Itali, me kryetarët Mateo Salvini dhe Luixhi di Maio që janë përplasur në lidhje me ndërtimin e linjës hekurudhore Torino-Lion. Ndonëse ka përpjekje për qetësimin e ujërave, mediat italiane njoftojnë se kriza është mëse e qartë.

Koalicioni qeverisës në Itali është përfshirë nga një debat i ashpër mbi të ardhmen e linjës hekurudhore me Francën dhe siç njoftojnë mediat lokale, kriza ka filluar. Përplasjet nisën ditën e enjte dhe në vazhdim, përfshirë të premten, rritën rrezikun e një falimentimi qeveritar, pasi njëri nga partnerët e koalicionit akuzoi tjetrin se po vepronte në mënyrë të papërgjegjshme.

Linja hekurudhore që do të kalojë në Alpe mbështetet nga partia Liga e Veriut, por kundërshtohet nga aleatja e saj qeverisëse Lëvizja 5 Yjet, që pretendon se të ardhurat mund të investohen për të përmirësuar infrastrukturën ekzistuese të rrugëve dhe urave.

TAV është një projekt italo-francez që parashikon lidhjen e qytetit të Torinos me atë të Lionit, përmes një tuneli të gjatë 58 kilometra, punimet për të cilin kanë nisur prej disa vitesh.

Pasi lideri i Ligës, Mateo Salvini deklaroi në një intervistë televizive se nuk do të tërhiqet dhe se partia e tij nuk do të firmosë pezullimin e projektit, kreu i 5 Yjeve Luixhi di Maio e akuzoi atë se në këtë mënyrë rrezikon rrëzimin e qeverisë. Gjatë së premtes, ndonëse si Salvini edhe Di Maio janë përpjekur të qetësojnë ujërat, duke u shprehur të hapur për bashkëpunim, eksponentë të Këshillit të Ministrave kanë deklaruar se situata është shumë ndryshe.

“Ajo që po ndodh është e qartë. Këtu nuk bëhet fjalë për të hapur një krizë, por për një krizë që tashmë është hapur”, ka deklaruar nënsekretari i qeverisë, Stefano Bufanji, nga radhët e 5 Yjeve./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono