kriza politike

Business-Forum-with-GCD-51-1280x854.jpg
nev ila10:30 | 22/06/2019

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Ilir Trimi, tha se bizneset që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri janë të shqetësuara dhe të frustruara nga kriza politike. “Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare”. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik, është i lartë…

A janë stresuar kompanitë e Dhomës Amerikane të Tregtisë që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë nga thellimi i krizës në vend?

Pyetja vjen pas një deklarate të Dhomës Amerikane, DIHA dhe ICC Albania e cila vendosi theksin pikërisht te shqetësimi dhe frustimi i bizneseve në vend, për shkak të situatës së rënduar politike. Pra, përgjigjja është po. Bizneset jetojnë nën presionin dhe pasigurinë që klima politike reflekton në ekonominë shqiptare. Bizneset janë në raporte të vazhdueshme pune me homologë në rajon dhe jashtë vendit, të cilët kufizohen për të punuar me një vend ku zhvillohen kriza politike.

Për fatin e keq, situata politike, nuk është çështje emergjente e javës së fundit. Ky tension politik vazhdon prej kohësh dhe nuk po përmirësohet. Nuk është e rastit që në Indeksin e Biznesit që Dhoma e publikoi në prill 2019, një nga indikatorët më të përkeqësuar ishte “Klima e brendshme politike”. Mund të them se ky indikator kishte pësuar një përkeqësim me -3.02% në raport me një vit më parë, çfarë reflektoi shqetësimin e anëtarëve të Dhomës Amerikane për klimën ku po punojnë. Me këtë përgjigje ata adresuan qartë problemin që vjen nga konflikti politik dhe që shkakton pasiguri tek ata por dhe te komuniteti i biznesit.

Nga takimet tona me organizata homologe, ne kuptuam se dhe anëtarët e tyre ndajnë të njëjtin opinion dhe kjo na çoi në një deklaratë të përbashkët drejtuar së gjithë politikës shqiptare, opozitës, por dhe qeverisë. Përmes kësaj deklarate, ne u bëmë thirrje të gjithë forcave politike se kanë detyrimin ligjor dhe moral të punojnë dhe të gjejmë një zgjidhje për të mos e lënë Shqipërinë të humbasë shanset e veta, disa prej të cilave vijnë pikërisht nga bizneset që orientojnë zhvillime ekonomike dhe ata që pritet të vijnë në vend.

Nëse kriza zgjat, a ndikon kjo në vendimet e investitorëve për të mos u zgjeruar më tej në Shqipëri ose, në rastin më të keq, për t’u tërhequr nga vendi ynë?

Pikërisht, këtë po thosha. Ne e theksuam edhe në deklaratën publike që bëmë se “çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare”. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik është i lartë. Investitorët, bëjnë një analizë të hollësishme kur i drejtohen një vendi, duke kontrolluar të gjithë faktorët makroekonomikë, politikat fiskale, fuqinë punëtore dhe sistemin e drejtësisë. Ndërsa jemi duke punuar shumë për të stabilizuar parametra optimalë që e bëjnë vendin interesant, kemi përpjekje të forta për të krijuar tregje dhe siguri rajonale, të përballësh një investitor me një situatë politike që nuk garanton stabilitet, sigurisht që është e dëmshme.

Në cilin drejtim po e cenon më së shumti kriza ekonomike aktivitetin e biznesit?

Turizmi është i pari që e reflekton këtë fenomen. Nga statistikat duket se ka rënë fluksi i turistëve të huaj. Operatorët turistikë ankohen se turistët e huaj, shqetësohen nga situata dhe kanë tendencën të anulojnë rezervimet. Vera sapo ka filluar dhe kjo do të ndihet shumë nga një sektor që tenton të bëhet vital për vendin dhe ku punësohen gjatë sezonit me mijëra punonjës, të cilët shërbejnë jo vetëm në ambientet akomoduese, por dhe në sektorin e tregtisë, shërbimeve etj. Edhe sektorët e tjerë që lidhin kontrata pune me biznese homologe siç mund të jenë fasoni, eksportet, rrezikojnë shumë nga kjo situatë.

Sektorët e rëndësishëm si energjia, infrastrukturat, apo minierat, që pritet të bëhen të tilla falë investimeve strategjike në to, rrezikohen më shumë. Sikurse e thashë dhe më parë, asnjë investitor strategjik nuk vjen të investojë miliona euro në një vend, ku protestat ndonjëherë edhe të dhunshme, synojnë të largojnë një qeveri e cila ju ka dërguar ftesën për të investuar.

Ndërsa po shikojmë me mjaft interes dhe po përgatisim komentet tona, për ligjin e unifikuar të investimeve, i cili u jep përparësi investimeve vendase krahas dhe atyre të huaja, kuptojmë se më parë duhet të gjithë bashkë të influencojmë që kjo situatë e rënduar të përfundojë në favor të shqiptarëve, ekonomisë së tyre dhe potencialeve që ofron ky vend. Ne kemi besim se forcat politike, do të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe ecuria e reformës dhe një sistem drejtësie i konsoliduar do të jenë një bazë e qëndrueshme për investitorët e huaj dhe zhvillimet në ekonominë e vendit./monitor

edi-rama-divjake.jpg
nev ila19:21 | 12/06/2019

Kryeministri Rama gjatë takimit në Divjakë ditën e sotme, foli edhe për situatën e krijuar pas dekretit të presidentit Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve. Sipas kryeministrit shqetësimi i Metës ka lidhje me reformën në drejtësi pasi pas celjes së negociatave reforma do të përshkallëzohet. Po ashtu Rama tha se një 97’të dytë vendi nuk do të ketë. sipas Ramës akti i fundit i Ilir Metës tregoi vërtetë planin e tyre.

Kam vendosur të bëj paqe dhe të mos flas për atë që e quaj kazan, ashtu ishte dhe do mbetet, cdo natë përpiqen të tmerrojnë njerëzit se do të ndodhë një ’97 e dytë, por pse do të ndodhë? Ata që e shkaktuan 1997 sot janë kaq të dëshpëruar dhe i gënjen mendja se mund të tundin fantazmën dhe të tmerrojnë dynjanë. Cilit popull i janë djegur të gjitha kursimet e jetës pasi është mashtruar me piramida? Kush është në rrugë në protesta popullore për të kërkuar djersën dhe gjakun? Ata që e shkaktuan 97 sot janë të dëshpëruar se mund të tundin para popullit fantazmën e 97. Saliu e ka treguar që është i gatshëm ta çojë deri në zjarrvënie politikën. Sa i takon shqetësimit të madhe të Metës do të përsërisja një këshillë që i dha Spiropali, (Mamica) ku i tha ke hall të shpëtosh Shqipërinë? Bind Monikën që të mos hakërrehet dhe bind Saliun për Lulin. Janë katër veta, dy kryesorët, Ilir dhe Saliu, Monika fallxhorja me artistin dhe e gjitha kjo një llum në filxhanin e fallxhores. Një përpjekje për të penguar Reformën në Drejtësi. Kam informacion thotë Iliri nga agjencitë ligjzbatuese, dmth nga filxhani i Monikës, ku duket një 30-të kokë poshtë. Këto janë agjencitë ligjzbatuese të Presidentit” tha ai.

Paniku i përshkallëzimit të reformës në drejtësi për çeljen e negociatave. Akti i fundit i Ilir Metës e ka zbardhur planin dhe na ka lënë të kuptojmë se ku “fle lepuri”. Ne kemi bërë shumë por jo aq shumë sa kemi dashur, e vërteta është se jo gjithçka që kemi bërë e kemi bërë mirë, ecuria e qeverisjes jo në ritmin e duhur, kemi patur momente të vështira. Ne nuk jemi të rënë nga qielli por padiskutim më të mirë se ne nuk ka patur dhe nuk ka për të patur. Në 30 qershor nuk do shkojmë thjesht për zgjedhjen e kryteraëve të bashkisë por për shkak të atij plani në dëm të shqipërisë, populli duhet të vendosi ndaljen e 30 vjetëve të shkuara me 30 vjetët e ardhshme, asnjë politikan nuk mund të marrë përsipër të zhbëjë të drejtën e popullit për të zgjedhur. Në 30 qershor populli do u japë atyre që janë mësuar keq atë që meritojnë. Përfundimisht ne duhet të vendosim që pas 30 qershorit ata që fitojnë zgjedhjet duhet të rrinë në detyrë. Kërcënimet se do bëhet nami duhet të mbarojnë njëherë e mirë. Është e drejta e tyre të vrasin veten por Shqipërinë me vete nuk mund ta marrin kurrë.

Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverisjes së botës, firmos dhe ç’firmos. Kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar dhe e papërgjegjshme dhe një vepër që s’mund të tolerohet. Ai e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e presidentit të republikës. Për sa kohë që parlamenti ka të drejtën dhe ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse presidenti çmendet. Nuk jam unë problemi i tyre, jam thjesht pengesa që ata nuk arrijnë të varrosin reformën në drejtësi”, deklaroi Rama./abcnews.al

 

kristaq-kume.jpg
nev ila22:39 | 11/06/2019

Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ, ka qenë i ftuari i radhës në studion e Provokacija me Mustafa Nanon. Kume zhvilloi një bisedë ku ndau opinionin e tij për situatën aktuale politike në vend. Kume tha se dekreti i Presidentit është i rregullt por nuk është një dekret i zakonshëm dhe duhet parë si një mundësi që presidenti i ka dhënë palëve, me këtë dekret, qe të zgjidhin ngërçin politik ku ndodhen. Sipas Kumes e drejta e presidentit për të marrë një vendim të tillë është e barasvlershme me të drejtën që i cakton kushtetuta, është i njëjti arsyetim që mund të bëhet edhe për kuvendin e Shqipërisë. Kume theksoi se edhe për kuvendin e Shqipërisë, nuk thuhet askund se mund të shfuqizojë ligje por ai mund ta bëjë këtë, ashtu si bëri me ligjin, “Për importin e mbetjeve urbane”.

Veprimi i presidentit është korrekt. Me këtë veprim presidenti u ka krijuar mundësi palëve që të ulen në dialog. Presidenti kërkoi të konsultohet me palët por palët nuk e morën në konsideratë. Ky nuk është një dekret si gjithë të tjerët, ky dekret ka si efekt stopimin e një procesi të nisur dhe nuk cakton datë se kur mund të rifillojë procesi. Dekreti është atipik, target i tij nuk është të kalohet nga një datë zgjedhjesh në një tjetër, por mundësia që i jepet forcave politike për të zgjidhur problemet.

Në kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës është parashikuar midis të tjerave edhe caktimi i datës së zgjedhjeve. Në vlerësimin tim e drejta për të marrë një vendim të tillë është e barasvlershme edhe për të marrë vendimin e kundërt me të. Është i njëjti arsyetim që mund të bëhet për Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë në Kushtetutë është institucioni që miraton ligje dhe nuk thuhet asgjëkund që Kuvendi i Shqipërisë mund të shfuqizojë ligje. Megjithatë Kuvendi i Shqipërisë mund të shfuqizojë një ligj që e ka miratuar vetë siç është psh: “ligji për importin e mbetjeve urbane”, i cili ishte miratuar nga parlamenti dhe mazhoranca e re e shfuqizoi. Pra nuk ka nevojë të shprehet në dokumentin përkatës sic është Kushtetuta, nëse Presidenti ka të drejtë të caktojë datën. Ai ka të drejtë ta ndryshojë atë, ne kemi precedentë të tillë sa të duash. Ky dekret i presidentit nuk duhet të shihet si një dekret që atakon procesin zgjedhor të radhës”, tha Kume./abcnews.al

moldavi-1280x644.jpg
ent ela17:52 | 09/06/2019

Përkeqësimi i krizës politike në Moldavi ka detyruar presidentin e ri të përkohshëm të shpallë zgjedhjet e parakohshme 4 muaj pas mbajtjes së tyre. Vendi, një ish-republikë sovietike, vazhdon të jetë politikisht i ndarë mes kampeve pro-BE-së dhe pro-rus.

Kriza politike në Moldavi është përshkallëzuar, me presidentin e përkohshëm që ka shpallur zgjedhjet e parakohshme më 6 shtator. Pavel Filip, që u caktua të dielën nga Gjykata Kushtetuese për të pasuar Igor Dodon, ka shpërndarë gjithashtu Parlamentin. Por Kuvendi e ka cilësuar lëvizjen e kreut të shtetit si ilegale, duke deklaruar se institucionet shtetërore të vendit janë marrë peng.

Ngërçi politik vjen pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt, kur mes kandidatëve pro-BE-së dhe atyre pro-rusë nuk doli një fitues i qartë. Tani ekziston frika se kriza e zgjatur politike mund të çojë në përleshje të dhunshme në rrugët e vendit. Moldavia, një ish-republikë sovietike, shtrihet mes BE-së dhe Ukrainës dhe është një nga vendet më të varfëra të Europës.

Në republikën parlamentare, kampet politike rivale shpesh herë përplasen me njëra-tjetrën. Për këtë arsye Moldavia, ku elektorati është i ndarë mes BE-së dhe Rusisë, është bërë arenë e përplasjeve të tilla në vitet e fundit. Të shumta janë dhe rastet kur vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, por rezultatet nuk janë kurrë përfundimtare. /ABC News Albania 24/7

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-REKOMANDIM-POZITIV-DHE-KRIZE-POLITIKE-01.06.2019.mpg_snapshot_04.32-1280x720.jpg
ent ela15:02 | 01/06/2019

Rekomandimi pa kushte që Shqipëria mori për të dytin vit radhazi nga Komisioni Europian, nuk e zbuti krizën politike në vend. Palët janë të paktën publikisht, secili në llogoren e vet, ndërsa mazhoranca e opozita po lobojnë fort secila në kah të kundërt në Bungestagun Gjerman. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Për herë të dytë KE dha një rekomandim pa kushte për Shqipërinë, një mundësi e re për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE. Lobimi i aktorëve politikë në Shqipëri, jo në një linjë, u ndje i fortë, teksa kriza politike vijon prej tre muajsh. Rama e coi në 6 nr e letrave në fb për bashën; CDU/CSU e bënë për herë të tretë, ofertën për ndërmjetësim të krizës politike, ndërsa BE kaloi me sukses sprovën ndaj partive euroskeptike në zgjedhjet për PE.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Sic kishin paralajmëruar, në ditët e fundit të mandatit, Komisioni Junker, rekomandoi për herë të dytë, hapje të negociatave pa kushte për Shqipërinë. Në raport vërehet se Shqipëria ka dhënë rezultate për kushtet e identifikuara nga Këshilli qershorin e kaluar. Përcaktimet si vend mesatarisht i përgatitur në reformën e administratës publike, kriterin ekonomik, lirinë e shprehjes; një vend me një farë përgatitje në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e sistemin e drejtësisë, shoqërohen në 114 faqet e raportit me vlerësimin se është bërë progress. Raporti ndalet më gjatë tek reforma në drejtësi, ku thuhet se në përgjithësi ka përparim. Evidentohet ngritja e KLP e KLGJ dhe KED, si hapa për forcimin e pavarësisë e llogaridhënies së gjyqësorit. Mes detyrave, zgjedhja e PP dhe bërja funksionale e trupave të reja të hetimit, SPAK dhe BKH, sapo të përfundojë vettingu i kandidatëve. Në raport evidentohet se Vettingu ka dhënë rezultate të prekshme, nën udhëheqjen e Komisionit Europian.

Raporti pranon se gjatë vitit të monitoruar, GJK nuk ka kryer dot detyrën, pasi ka mbetur me 1 anëtar nga 9 që duhej të kishte, ndërsa GJL ka mbetur me 3 nga 18 anëtarë. Plotësimi i vakancave, përfshi Inspektorin e lartë të drejtësisë thuhet në raport, ka nisur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. 30 mijë është nr i dosjeve të mbetura në pritje, sipas raportit, por shifra ka shkuar në 44 mijë dosje në pamundësi shqyrtimi. Reforma në drejtësi mbetet pika e fortë ku mbështetet rekomandimi pa kushte.

Qasja duket interesante në drejtim të situatës politike. Raporti vlerëson se vendi ka vijuar përparimin në axhendën e reformave të BE. Ndërsa kriza politike vecohet si një çështje e brendshme përmes konstatimit se bojkoti i opozitës u pasua me djegie mandatesh, e mosregjistrimin në zgjedhjet e caktuara më 30 qershor.

Me tone relativizuese, Mogherini tha se kriza politike në Shqipëri është një realitet i parë, e jo vetëm në vendin tonë

Mesazhet vijnë të ngjashme në Tiranë, edhe në komunikimin telefonik mes ambasadorit të BE Soreca dhe Kryeministri  Rama. Të dy bashkohen se është momenti që BE të mbajë premtimin për hapjen e dyerve, e mbështetja gjendet tek një zë brenda qeverisë gjermane.

Referenca e Kryeministri  ishte për këtë editorial të ministrit për Evropën në kabinetin e kancelares Merkel, Michael Roth. Editoriali i botuar jo vetëm në gazetën gjermane por edhe në faqen zyrtare të MJ mban titullin  “BE duhet të mbajë premtimet e saj ndaj Ballkanit”, me shtjellimin se si Shqipëria ashtu edhe MV po punojnë me një axhendë ambicioze reformash e compromisesh të dhimbshme për t’iu afruar BE. Ndërsa shkruan se me zgjidhjen e cështjes së emrit, MV e Greqia bënë histori, Roth ndalet në mënyrë të detajuar tek rasti I shqipërisë.

Editoriali vinte pas dy ofertave të partive kryesore të koalicionit qeverisës CDU/CSU për ndërmjetësim e madje edhe mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore. Por në Tiranë janë të paktën dy aktorët e rëndësishëm, që konsiderojnë zërin e z.Roth.

Në krah të ambasadorit të BE, Kryeministri  refuzon edhe ofertën e presidentit për të rishikuar dekretin datën e zgjedhjeve.

Komunikim me opozitën vlerëson 6 letrat e postuara në FB, dhe sheh tek ajo rolin pengues për konfirmimin e rekomandimit të KE nga Këshilli Europian

Korridoreve politike e diplomatike janë rikthyer zërat se ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, vendimi për Shqipërinë e Maqedoninë mund të vijë vecmas, duke lënë në pritje Shqipërinë, edhe për shkak se MV e ka kryer detyrën e vet, ndryshimin e emrit. E nënvizoi ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov për amerikanen FT.

Edhe komisioneri Hahn duket në dijeni të këtij skenari.

Nga tre vendet themeluese të BE skeptike, Franca është në parim kundër zgjerimit në këtë moment me cdo vend, por Gjermania e Hollanda kanë gjëra konkrete për Shqipërinë dhe janë dy vendet e vetme të BE, ku vendimi për hapjen ose jo të negociatave merret në parlament. Në Hollandë, 6 javë pasi parlamenti i kërkoi qeverisë pezullimin e vizave për shqipërinë, për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar, qeveria ia përcolli njoftimin KE të premten e 31 majit. Në këtë letër, i kërkohet Komisionit të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare, të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar, por duke nënvizuar bashkëpunimin me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Do jetë KE ai që do vlerësojë kërkesën, e të informojë më pas PE e Këshillim Europian. Ky akt vjen pak ditë pasi deputetët hollandezë që vizituan Tiranën në fillim të Majit, dorëzuan raportin e tyre në parlament, ku flitet për djegien e mandateve nga opozita e krizën politike, një situatë që sipas deputetëve është shenjë e marrëdhënieve të vështira politike në Shqipëri, të cilat po pengojnë avancimin e demokracisë

Sytë janë nga Gjermania e kancelares Merkel, vendi më me ndikim në BE. Aty duket i intensifikuar lobimi në hije i qeverisë dhe opozitës shqiptare. Editorialin e socialdemokratit Roth, Rama e rimori edhe gjatë fjalës në kuvend.

Por të njëjtën ditë, po zyrtarisht erdhi një tjetër qëndrim nga Gjermania, krejt i kundërt me atë të Roth, por i ngjashëm me një qëndrim pas rekomandimit, të ish Kryeministri  Berisha. Ishte grupi i kancelares CDU/CSU që ndryshe nga aleati Roth, shprehej se deri tani Shqipëria nuk kishte përmbushur asnjë nga kushtet e para një viti, e vendimi do merrej në shtator.

Grupi parlamentar i kancelares përsëriste për herë të tretë ofertën për të ndërmjetësuar një dialog pa kushte, e pa përjashtuar asnjë temë.

FAZ dhe DW dy media autoritare gjermane, duke i përcjellë këto qëndrime, shkruajnë se Shqipëria përcan koalicionin qeverisës në Gjermani. Duhet thënë se koalicioni qeverisës, nuk është në ditën më të mirë, për shkak të rënies në vota në zgjedhjet për parlamentin Europian. Pavarësisht rënies me mbi 5% në raport me zgjedhjet europiane të 5 viteve më parë, CDU/CSU ruajti kryesimin si forca politike më e votuar në Gjermani, e ndjekur nga të Gjelbrit, një parti proeuropiane jo në qeveri. Ndërsa aleatja qeverisëse e Merkel, PSD e ministrit Roth u rendit e treta, me një rënie prej 11% në raport me 5 vite më parë.

Pra investimi gjerman për Shqipërinë në këtë panoramë mbetet mbresues, edhe në kushtet kur si vendi që konsiderohet motor i BE, ka peshë në zgjedhjen e drejtuesve të ardhshëm të Unionit. Merkel e Makron u dukën më të lehtësuarit, që euroskeptikët nuk morën dot avantazhin e pretenduar në zgjedhjet e fundit për PE, edhe pse në Francën e Macron, rezultuan më të votuarit, duke e lënë koalicionin ku bën pjesë partia e shefit të Elizesë në vend të dytë. Zgjedhjet e rezultatet e tyre sollën tërmete politike në dy vende të BE, që do shkojnë në zgjedhje të parakohshme Greqia e Austria. 32 vjecari Kurz që humbi votëbesimin në parlament, pavarësisht se partia më e votuar në Austri, ishte mungesa që spikati në darkën informale të liderëve të BE, tentative e parë e përbashkët për kompromis për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të Unionit. Por numrat e brishtë vështirësojnë kompromisin, pasi dy blloqet e mëdha politike të qendrës së djathtë e të majtë, PPE e Social demokratët, që morën respektivisht 179 dhe 153 vende, për herë të parë nuk arrijnë dot të vetëm, shumicën në parlamentin 751 vendesh. Do t’u duhet të llogarisin të tretët, me 105 vende, Aleancën e liberalëve e demokratëve për europën, ku bën pjesë edhe partia e Makron. Të katërtit me 69 vende janë renditur të gjelbrit, e me këto shifra, zgjedhja e pasardhësit të Junker, është pengesa e parë, mes Merkel e Makron që kanë marrë përsipër edhe rajonin tonë.

Makron nuk pranon zbatimin e parimit tradicional në BE, se posti i takon partisë që ka marrë më shumë vota, e që në rastin konkret është kandidati i PPE Manfred Ëeber. Në mbërritje për darkën informale në Bruksel, Kancelarja Merkel e përmendi Ëeber si kandidatin e vetëm që mbështetet prej partisë së saj, anëtare e PPE. Por presidenti francez Emmanuel Macron, as që e përmendi z. Ëeber si kandidat të mundshëm. Macron përmendi emrin e kryenegociatorit të Brexit, francezit Michel Barnier, të liberales daneze Margret Vestager dhe hollandezit të qendrës së majtë Frans Timermans, si kandidatë që kanë cilësitë e duhura sipas tij. Përvec Jean-Claude Juncker, në postet më të larta të BE, do zëvendësohen edhe presidenti i Këshillit Europian, polaku Donald Tusk, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, italiani Mario Draghi dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, italiania Federica Mogherini. Lobimi mes udhëheqësve të BE dhe grupeve parlamentare do testohet zyrtarisht në samitin e 20-21 Qershorit, të Këshillit Europian. Tek ky samit pritet të jepet edhe vendimi për Shqipërinë e MV, edhe pse Gjermania është shprehur se Bundestagu do vendosë në shtator. Shqipëria duket se po përcan edhe deputetët nga i njëjti grup në Gjermani. Një ditë pasi pati një qëndrim të grupit CDU/CSU, një deputet i CDU, publikoi një deklaratë në Tëitter. Më hashtagun Shqipëria e meriton respektin tonë, edhe pse ka rrugë të gjatë përpara, deputeti i CDU, Olav Gutting, u tërheq vëmendjen kolegëve të tij, për mesazhet që dërgojnë nga Gjermania.

Çka do thotë se vendimmarrja në Bungestag do jetë vetëm matje numrash. Vetë Basha thotë se është Kryeministri pengesa për integrimin e paralajmëron edhe refuzimet nga disa vende të BE.

Duket thënë se aktorët politikë ne pozitë e opozitë, nuk po arrijnë të bashkohen për integrimin.

Gjithaq vullneti nuk është parë as nga mazhoranca, të paktën ai i premtuar një vit më parë, në prani të komisionerit Hahn.

Kjo ndarje në këtë moment të ri të përsëritur për Shqipërinë, vjen në një kohë kur vendi përballet prej tre muajsh me një krizë politike, e asnjëra pale as mazhoranca e as opozita, të paktën publikisht, nuk tërhiqet prej pozicionit të vet.  /ABC news Albania 24/7

 

 

lulzim-bashaaa-1280x716.jpg
G. P.18:16 | 14/05/2019

Nuk ka vonuar përgjigja e kreut të PD ndaj kryeministrit, njëlloj përmes një komunikimi me gazetarët. Lulzim Basha tha se mirëpret angazhimin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, por me kushtin e pandryshuar se Edi Rama duhet të largohet si kryeministër.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, kreu i PD-së, Lulzim Basha, nënvizoi disa herë se PD-ja dhe opozita janë gati për një proces politik për zgjidhjen e krizës me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që ka shprehur tashmë gatishmërinë për ndërmjetësim. Por kreu i opozitës nuk heq dorë nga kushti që përsërit prej javësh: qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.

“Partia Demokratike dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politikë me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë krizë dhe për t’i kthyer shqiptarëve sovranitetin e vjedhur dhe institucionet dhe proceset politike të marra peng”, tha Basha.

Besimin për të mos hequr dorë nga kushti i tij, e gjen tek pjesëmarrja e lartë e qytetarëve në protestat e opozitës, si ajo e të hënës pasdite, një marshim mbi 9 kilometra në një kohë me shi.

Tek bashkimi i shqiptarëve gjen arsyen për të mos lejuar më në Shqipëri zgjedhje të marra peng nga krimi i organizuar. E pranon se kundërshtarin politik nuk e përcakton dot, por insiston se Edi Rama nuk mund të jetë më kryeministri i zgjedhjeve të ardhshme.

“Edi Rama nuk mund të jetë kryeministër kujdestar i një procesi tjetër zgjedhor”, tha Basha.

Opozita ka humbur afatin ligjor të regjistrimit për zgjedhjet vendore, por Basha beson se bashkimi i shqiptarëve në protestat e ardhshme, nuk do lejojë kapjen nga kryeministri edhe të qeverisë vendore më 30 Qershor.

“Nuk do ta lejojë që 30 qershori të hyjë në historinë e Shqipërisë, si dita kur tirania e krimit çimenton pushtetin dhe kap edhe pushtetin vendor”, tha Basha.

Bashkimi i shqiptarëve ka marrë përmasa që tejkalon kufijtë politik sipas Lulzim Bashës, që falenderoi disa herë shqiptarët dhe mediat që sfiduan shiun me marshimin mbi tre orësh të opozitës të hënën e 13 Majit./ABC News Albania 24/7

ekonomia.jpg
G. P.21:13 | 08/05/2019

Që prej fillimit të krizës politike në vend, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se mund të ndikojë edhe në ekonomi. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, deklaroi këtë të mërkurë në Abc News se çdo acarim i situatës politike ka ndikime negative në ekonomi. Në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi, Malaj nënvizoi se Banka e Shqipërisë nuk do të interferojë në ballafaqimin e brendshëm politik.

“E kemi ngritur këtë shqetësim që ka aktualisht vendi ynë. Ne nuk duam të interferojmë në ballafaqimin politik mazhorancë-opozitë, por nuk mund të ngurojmë që të japim mesazhin publik që çdo acarim i situatës politike dhe çdo zvarritja e zgjidhjes ka ndikime negative në ekonomi. Pastaj sa do jenë këto ato do jenë për t’u matur. Ne jemi në detyrimin emergjent të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes së vendit nga qeverisja me statistika, nga qeverisja me emocion, nga qeverisje me telefon, në një qeverisje që duhet të bazohet në kërkimin shkencor sipas ministrive përkatëse. Është e detyrueshme dhe imediate që çdo dikaster të ketë departament të kërkimit shkencor, ku mund të gjesh shumë mirë të rinj të talentuar shqiptarë”, tha Malaj.

Eksperti i ekonomisë Vjold Danaj nga ana tjetër tregoi se si ndikon kriza politike në ekonomi. Ai u shpreh se situata aktuale mund të çojë në frenimin e investimeve, frenimin e konsumeve dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Ndikimet janë qoftë në frenimin e investimeve të bizneseve qoftë edhe shqiptare vendase duke e parë situatën jo të qartë dhe ecurinë e saj, asnjë biznes nuk e merr guximin të bëjë investime madhore në vend. Gjëja tjetër është frenimi i investimeve të huaja. Asnjë i huaj nuk mund të vijë në një vend që nuk ka stabilitet ekonomik. Problemi i pronës në Shqipëri është një problem madhor që ul ose kufizon investimet e huaja. Kjo situatë politike krijon këtë zymtësinë e situatë ekonomike e cila çon në frenimin e investimeve, frenimin e konsumeve dhe largimin e mëtejshëm të shqiptarëve. Aq më keq që ne kemi një mungesë të madhe edhe në pjesën e investimit në infrastrukturën e arsimit”, tha Danaj./abcnews.al

mogherini-rama.jpg
Sej rie18:19 | 08/05/2019

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministri i vendit Edi Rama nuk iu shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e Qershorit dhe krizës politike në vend.

Kreu i qeverisë theksoi se zgjedhjet do të mbahen  më 30 Qershor dhe se kush merr pjesë kjo është zgjedhje e gjithsecilit.

“Zgjedhjet do mbahen më 30 Qershor dhe do zgjidhen 61 kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiak. Kjo është pak por e sigurt. Se kush merr pjesë se kush jo në zgjedhje, kjo është zgjedhje e lirë e gjithsecilit. Qytetarët do të votojnë më 30 Qershor për zgjedhjet vendore.

Nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017. Natyrisht jo se çka ka ndodhur nuk është shqetësuese, por sepse çfarë ka ndodhur i tejkalon të gjitha kufijtë e të durueshmes nga pikëpamja e kornizës demokratike të bashkëjetesës. Ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga ligji. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar afatgjatë dhe nuk funksionuan. Tani sistemi. Kush qëndron në sistem, qëndron, kush nuk qëndron ka zgjedhjen e lirë, ama nuk ka shans të pengojë të tjerët në sistem”, tha Rama.

Ndërkohë Mogherini theksoi se nuk do të jetë negociatore e dy partive politike për zgjidhjen e krizës aktuale në vend.

“Unë asnjëherë nuk promovoj apo hyj në negociata apo ndërmjetësime ndërmjet partive politike në një vend të caktuar. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE-së është që të ketë marrëdhënie me institucionet qeveri, presidenti, të gjithë. Ky është roli të cilin unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë negociata apo ndërmjetësime në 2017 në dinamikën e brendshme të politikës shqiptare dhe nuk e kam bërë këtë kurrë as në vendet e tjera”, tha Mogherini./abcnews.al

presidencaaa.jpg
G. P.16:41 | 26/04/2019

Pas kërkesës së partive aleate të demokratëve në opozitë për një takim me Presidentin Ilir Meta në funksion të zgjidhjes së krizës politike në vend, ky i fundit do t’i presë në selinë e tij ditën e martë në orën 11.

Me iniciator kreun e republikanëve Fatmir Mediu, takimi do të zhvillohet mes presidentit Meta dhe 5 partive opozitare, PR, PDK, PAA, LZHK dhe PBDNJ.

Kërkesa e artikuluar tashmë nga partitë, të formalizuara edhe në “Grupimin e Qendrës së Djathtë” është që kreu i shtetit të mundësojë një tryezë me të dyja palët, opozitë dhe mazhorancë.

Kjo e fundit sipas këtij grupimi mund të përfaqësohet nga kushdo, përfshi kryeministrin Rama, për sa kohë dialogu mundëson garantimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, gjë e cila sipas opozitës me kryeministrin Rama nuk mund të ndodhë.

Kjo tryezë sipas grupimit të qendrës së djathtë duhet të përcaktojë kohën e implementimit të një qeverie kujdestare për zgjedhjet dhe garantimin e tyre./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono