kristian panuci

panuci-dhe-duka.jpg
G. P.16:24 | 27/11/2018

Kristian Panuçi nuk e ka aspak të sigurt postin e trajnerit të kombëtares. ABC News mëson se presidenti Duka po kërkon një pasardhës në Itali dhe Kroacia.

Fitoi ndaj Uellsit dhe u duk se e keqja kaloi. Kristian Panuçi u mendua se e siguroi stolin e kombëtares të paktën deri në verë, pasi presidenti Duka deklaroi publikisht mendimin e tij.

“Kjo nuk do të thotë që ne në këtë kohë të marrim vendime të nxituara. Trajneri ka të mirat dhe këqijat e veta këto ndeshje. Ne do vazhdojmë të mbështesim trajnerin dhe stafin në eliminatoret e Europianit”, tha Duka.

Gjithsesi, të mos nxitohemi, pasi kërkimi për një trajner të ri po vazhdon me këmbëngulje. Burime tepër të besueshme në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë për ABC News se Duka dëshiron ndryshim, dhe se trajneri i ardhshëm do të jetë përsëri i huaj.

Numri 1 i Federatës është në bisedime në Itali dhe në Kroaci, e ndonëse nuk jepen emra konkretë, burimet e mësipërme theksojnë se preferenca është sërish për një italian. Pas De Biazit dhe Panuçit, Duka mesa duket dëshiron të ketë vazhdimësi, për të mos krijuar konfuzion tek futbollistët. Në mediat italiane është përmendur emri i Alberto Malezanit, veçse ai është 64 vjeç dhe presidenti i Federatës dëshiron trajner me moshë më të re.

Gjithsesi, ekziston mundësia që kombëtarja të mund të drejtohet përkohësisht nga një trajner shqiptar, deri në gjetjen e një të huaji. Disa javë më parë, ABC News informoi se Duka ishte kthyer tek pista shqiptare, dhe më pas doli emri i Bledar Kolës, i cili e refuzoi detyrën. Burimet në Federatë bëjnë me dijë se presidenti ka humbur besimin tek Panuçi, dhe arsyet kryesore janë mungesa e një formacioni stabël dhe e mënyrës së duhur të lojës./abcnews.al

uzuni.jpg
G. P.18:01 | 26/11/2018

Myrto Uzuni vazhdon me formën e tij të madhe në Ligën e Parë të Kroacisë. Futbollisti beratas shënoi një tjetër gol, ndërsa po ndihmon Lokomotivën e Zagrebit që të kualifikohet për në Europë.

Nëse ka të ardhme kombëtarja e Shqipërisë, ai është një nga arsyet që të bindin. Myrto Uzuni, 23-vjeçari nga Berati, e tregoi edhe një herë vlerën e tij, në Ligën e Parë të Kroacisë, duke shënuar një tjetër gol. Lojtari ofensiv realizoi golin e barazimit 1-1, në ndeshjen e skuadrës së tij, Lokomotiva e Zagrebit, ndaj Osijekut, dhe festoi duke bërë shenjën e shqiponjës. Edhe pse Lokomotiva nuk arriti të fitonte, por barazoi 2-2 në fushën e saj, sëfrish kjo nuk e zbeh aspak paraqitjen e shqiptarit.

Uzuni ka shënuar 3 gola deri tani në kampionatin kroat, duke qenë një nga më të mirët për skuadrën e Zagrebit që mban vendin e dytë në renditje, duke pasur pretendime për t’u kualifikuar të paktën për në Ligën e Europës. Po ashtu, ai ka dhënë pasime goli, nga të cilët ka përfituar edhe shqiptari i Kosovës, Lirim Kastrati, që ka realizuar deri tani 7 rrjeta. Uzuni cilësohet si tepër i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, me trajnerin Panuçi që e vlerëson shumë, ashtu si edhe Eros Grezdën. Pasi luajti 7 herë për ekipin Shpresa, beratasi tani është bërë pjesë e ekipit përfaqësues, për të cilin pritet të japë kontribut të madh./abcnews.al

kristian-panuci.jpg
G. P.12:13 | 21/11/2018

Kristian Panuçi nuk dorëzohet dhe ndihet më I fortë pas fitores me Uellsin. Trajneri italian as nuk dëshiron të dëgjojë për dorëheqje, ndërsa shpreson ta ndryshojë kombëtaren.

Një fitore e vogël, por edhe kaq mjafton për të qenë më i qetë. I tillë u ndje trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, pas suksesit të diskutueshëm ndaj Uellsit, dhe kjo u duk në analizën që bëri. Një gol i vetëm dhe shumë vështirësi për të fituar një miqësore, që vlen shumë më pak se një duel zyrtar.

“Ishte fitore e rëndësishme sepse dhamë një sinjal pas një Lige të shëmtuar të Kombeve që zhvilluam. Ndryshova diçka me lojtarët, duke i dhënë ekipit më shumë ekuilibër. Jam i lumtur për lojtarët dhe për federatën, sepse që të gjithë vuajmë kur humbasim. Kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se nuk kemi probleme, sepse kemi ende shumë probleme”, u shpreh trajneri i kombëtares.

Panuçi konfirmoi ndryshimin taktik dhe vlerësoi skuadrën, sidomos në pjesën e dytë.

“Kur ju thashë përpara ndeshjes se ishte faji im, kjo do të thotë se duhej të ndryshoja diçka. Mendoj se pas këtij ndryshimi, djemtë u ndjenë më mirë, ndonëse ishte thjesht një miqësore. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë sepse hynë në fushë Bejl apo Ramsej, dhe atyre nuk u pëlqen të humbasin. Ne u treguam të zotët për t’i përballuar, duke qenë kompaktë, e duke dalë tri-katër herë në kundërsulm për të bërë golin e dytë”, tha Panuçi.

Trajneri këmbënguli fort në një fakt të rëndësishëm.

“E ardhmja ime? Është e vërtetë që fitoret krijojnë atmosferë të mirë, dhe është normale që pozicioni im vihet në diskutim. Lojtarët kanë punuar gjithnjë mirë. Nëse do të kisha menduar se lojtarët nuk ishin me mua, do të kisha shkuar tek presidenti për t’i kërkuar dorëheqjen”, tha ai.

Ja dhe një pyetje e drejtpërdrejtë, a do ta japë dorëheqjen pas dështimit në Ligën e Kombeve?

“Unë nuk jap kurrë dorëheqje, sepse më pëlqen të luftoj, nuk dorëzohem. Nuk e braktis varkën kur ajo është në vështirësi”, u përgjigj Panuçi./abcnews.al

SKOCIA-PANUCI-GOLI-1280x720.jpg
G. P.18:00 | 19/11/2018

Kombëtarja mund të drejtohet nga një trajner shqiptar, pas shkarkimit të pritshëm të Panuçit. Federata Shqiptare dëshiron të ulë kostot, ndërsa presidenti Duka mbetet i pavendosur.

Besohet se është në një nga pozicionet më të vështira. Armand Duka nuk pati dëshirë të flasë me askënd, ndërsa kombëtarja shqiptare pësoi humbjen më të rëndë të kohëve të fundit. Jo, komunikim me mediat, dhe madje nuk iu përgjigj as telefonatës apo mesazheve të ish-trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi. Numri 1 i Federatës shpresoi se me përzgjedhjen e Kristian Panuçit, siguroi vazhdimësinë pas suksesit në Europian, por nuk e pati imagjinuar se koha për ta shkarkuar do të vinte kaq shpejt. Disfata 0-4 në “Loro Boriçi” nuk i ka lënë rrugë tjetër, ndonëse ai nuk ka dashur të komentoi apo të reagojë.

Momenti duket se ka ardhur për një trajner shqiptar, ndonëse nuk dihet nëse ky do të jetë Bledar Kola, i përfolur në mediat e shkruara, Besnik Hasi si kandidat i kahershëm, apo ndonjë trajner i Superligës, si Ilir Daja. Burime në Federatë bëjnë me dijë se Duka është i shqetësuar sepse nuk mund të gjenden trajnerë të huaj të mirë në këtë moment, por sidomos për arsye financiare.

Një trajner shqiptar mund të kushtontë disa herë më lirë. Po ashtu, kreu i FSHF-së nuk dëshiron të nxitohet, ndërsa Bledar Kola punon zv. trajner, siç ka qenë më parë edhe Panuçi, ndërsa Hasi ka disa kohë pa skuadër. Përsa i përket Panuçit, burimet e mësipërme theksuan se presidenti u përpoq deri në fund për të qenë në krah të trajnerit, por duket se kjo mbështetje tashmë nuk mund të vazhdojë. Konfliktet dhe ftohja e italianit me lojtarët janë një arsye madhore, sidomos me disa nga futbollistët kryesorë të kohës së De Biazit. Po ashtu, trajnerë të njohur shqiptarë, disa herë kanë theksuar se Panuçi ka qenë konfuz në zgjedhjet e tij.

Kritikat kanë qenë të forta kur Panuçi, lojtarë si Lilaj apo Kaçe fillimisht i ka lënë jashtë grumbullimit, ndërsa më pas i ka thirrur për arsye dëmtimesh, dhe i ka aktivizuar si titullarë apo si zëvendësues./abcnews.al

KOMBETARJA-FATI-I-TRAJNERIT.mpg_snapshot_01.08-1280x720.jpg
ent ela19:11 | 18/11/2018

Kristian Panuçi është praktikisht i larguar nga kombëtarja shqiptare. Presidenti Duka ka humbur besimin, por nuk pritet ta shkarkojë përpara miqësores me Uellsin. E fundit herë kur u ndjemë kaq keq ishte saktësisht 11 vjet më parë.

Kombëtarja u shkatërrua në Rumani 1-6, një shkërmoqje e ngjashme me këtë të Shkodrës, por me një ndryshim. Trajneri i asaj kohe, Oto Bariç, nuk ishte në stol për shkak pezullimi, veçse ai vendosi të jepte dorëheqjen. Kristian Panuçi e drejtoi vetë ekipin e tij ndaj Skocisë, humbi 0-4, por nuk deshi të dinte për të ikur vullnetarisht. Një lojë e kohës sonë, trajner-punëdhënës, që vetëm personalitete si Bariç apo Fatih Terim kanë refuzuar që ta luajnë, veçse fati i italianit tashmë duket i përcaktuar. Mesazhi i presidentit Armand Duka përpara ndeshjes ishte i qartë.

Armand Duka, president i FSHF-së: “Të arrijmë rezultat pozitiv. Të fitojmë ndeshjen. Është e vështirë që të bëj analizën e trajnerit tani. Përveçse ti jap kurajo dhe mbështetje maksimale trajnerit dhe ekipit për të arritur objektivin dhe për të fituar ndeshjen. Nëse kjo nuk arrihet, atëhere duhet të flasim në post ndeshje.”

Gjithsesi, për momentin, numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur të presë. Panuçi vazhdon të drejtojë stërvitjet për miqësoren e së martës ndaj Uellsit, që me shumë gjasë do të jetë edhe e fundit e italianit në stol. Burime në Federatë pohojnë se Duka e ka humbur tashmë besimin, por thjesht pret kohën e duhur për të vepruar, ndërsa kërkohet ethshëm një pasardhës. Presidenti nuk dëshiron të gabojë siç thotë se bëri me Ari Hanin apo tani me Panuçin. Cili mund të jetë pasardhësi i këtij të fundit në stol?

Padyshim që një trajner i huaj do të ishte gjithnjë preferencë e Dukës, që zgjedh një të tillë prej 16 vitesh. Më pak presion, por edhe më shumë shpenzim, ndërsa aktualisht Federata nuk ka luksin që pati pas Europianit në 2016. Përplasja me qeverinë i kushton 2 milionë euro në Arenën Kombëtare, ndërsa rroga e Panuçit arrin në 280 000 euro në edicion, nga të cilat ka për të marrë edhe gjysmën. Burime në Federatë kanë bërë me dijë se presidenti ka biseduar edhe me trajnerë shqiptarë, por ende nuk ka vendosur asgjë. Pritet të luhet edhe ndaj Uellsit të martën në “Elbasan Arena”, për të kaluar në etapën e ardhshme./abcnews.al

DEKLARATAT-PAS-NDESHJES.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
ent ela16:46 | 18/11/2018

Dëshpërim dhe dorëzim thuajse i plotë i trajnerit Panuçi dhe lojtarëve të kombëtares pas ndeshjes me Skocinë. Italiani, sidoqoftë, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ky brez nuk ishte ndjerë ndonjëherë kështu.

Futbollistët e kombëtares e padyshim edhe Kristian Panuçi, ishin të dërrmuar në përfundim të ndeshjes së humbur 0-4 me Skocinë. Më shumë sesa vendi i fundit në grupin e Ligës së Kombeve dhe rënia nga kategoria, tronditja ishte nga dorëzimi i plotë i ekipit në fushë. Panuçi nuk e fshehu aspak, thjesht bëri një kronologji.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Ndeshja nuk ka filluar mirë, kundërshtari shënoi gol që në goditjen e parë, pastaj pësuam një karton të kuq dhe një gol në minutën e fundit të pjesës së parë, i cili demoralizoi skuadrën. Të gjithë kritikat duhet të jenë mbi mua jo tek lojtarët. Nuk ndihem aspak i tradhëtuar, lojtarët kanë ndjekur të gjitha skemat dhe udhëzimet e mia, por përgjegjësitë bien mbi mua.”

Mos është normale të jepet dorëheqje pas një katastrofe të tillë?

“Nuk mendoj se është koha që të jap dorëheqjen. Nëse presidenti Duka kërkon diçka të tillë do të ulemi dhe do të bisedojmë. Kjo është ndeshja më e keqe që kur së unë drejtoj Shqipërinë. Ndeshja e radhës do të ndryshojë. I gjithë faji është i imi.”

Kapiteni Mavraj e pati shumë të vështirë që të fliste, thuajse refuzoi.

Mergim Mavraj, kapiten i Kombëtares: “Kur ndodh një humbje mund të ndodhin shumë gjëra. Kështu që mund të bëhet analiza me një situatë përfundimtare. Ishin shumë situata që u shumuan dhe u bënë bashkë dhe u vendos ndeshja kështu. Aktualisht po i përjetojmë disa momente shumë të vështira, por duhet ti përgjigjemi edhe kësaj situatë, ashut siç kemi qenë bashkë edhe në momentet e mira e të suksesshme, ashtu duhet me qenë dhe në momentet e vështira bashkë, e të afrojmë njëri-tjetrin.”

E rëndë ishte humbja për një shkodran në Shkodër, si Bekim Balaj.

Bekim Balaj, futbollist i Kombëtares: “Një humbje që le shije të keqe tek të gjithë ne. Që nga fillimi s’e nisëm mirë. Ndoshta me një gabim tonin arritën të shënonin dhe dalja me të kuqe na i vështirësoi gjërat. Por 4-0 mund të them që janë shumë për ne. Sigurisht që rrethanat ishin negative në këtë ndeshje, por është e papranueshme për ne që të dorëzohemi.”

As portieri Etrit Berisha nuk u duk në formën e zakonshme.

Etrit Berisha, futbollist i Kombëtares: “Na kanë penalizuar shumë gjerat që kemi bërë gabime në lojë. Kemi bërë shumë gabime edhe më herët dhe kjo na ka penalizuar shumë. Pastaj edhe motivimi apo qetësia e ekipit nuk ishte në  nivelin e duhur.”/abcnews.al

 

shqiperia.jpg
G. P.22:46 | 16/11/2018

Në prag të ndeshjes me Skocinë, dolën para mediave trajneri i kombëtares Christian Panucci dhe kapiteni Mërgim Mavraj. Në fjalën e tij trajneri italian nuk i diskutoi tre pikët. Në krahun tjetër, Mavraj tha se gabimet në të kaluarën nuk duhet të përsëriten më.

Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të shtunë ndeshjen ndaj Skocisë e vlefshme për Nations League. Në prag të këtij takimi, trajneri Christian Panucci tha se Shqipëria ka mundësi të shkëlqyera të koleksionojë fitoren.

“Nesër do të mundohemi për të shënuar gol. Në Izrael kemi pasur raste pavarësisht se nuk finalizuam në gol. Shpresojmë për rezultat pozitiv. Gjithmonë kur kam qenë këtu i kam inkurajuar lojtarët e mi. Duhet të ruajmë ekuilibrat dhe do të synohet fitorja. Grezda është stërvitur gjithë javën dhe dje ka kërkuar me luajtur prapë, por unë e kam refuzuar. Ndoj ka prapë disa probleme. Do të rikthehet Shqipëria e fortë. Ju i referoheni gjithmonë ndeshjes me Kosovën dhe Ukrainën. Sigurisht që rezultatet kanë rëndësinë e tyre. Nuk është e vërtetë që skuadra është dorëzuar. Dua të theksoj se performanca më e mirë ka qenë me Izraelin”.

Në lidhje me problemet e skuadrës, Panucci ritheksoi se skuadra duhet të komunikojë më tepër.

“Është e vërtetë që skuadra nuk komunikon shumë në fushë. Këtë e dimë të gjithë. Nëse lojtarët arrijnë ta kalojnë këtë lidhjen e komunikimit do të jetë diçka shumë e mirë. Duhet të shohim nesër sesi do të sillen në fushën e lojës, kjo ka për të ndihmuar shumë në lidhje me rezultatin”.  

Në konferencë doli edhe kapiteni i kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili tha se të gjithë lojtarët kanë përgjegjësi në rezultatet negative./abcnews.al

PANUCI-FLET-PER-IZRAELIN.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
G. P.17:41 | 15/10/2018

Trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, duket i dorëzuar pas disfatës së radhës. Italiani nuk beson te kualifikimi, edhe pse ka fjalë të mëdha për lojtarët e tij.

Duket paradoksale, por është më i lehtësuar me një humbje të tillë. Kristian Panuçi ndoshta nuk është aspak i lumtur, por pozicioni i tij si trajner i Shqipërisë duket më pak i rrezikuar për shkak të mënyrës sesi luajti skuadra. Gjithsesi, italiani i mësuar me suksese të mëdha si lojtar, nuk deshi të fliste për fatin e tij.

Kristian Panuçi, trajner i Shqipërisë: “Më vjen keq për djemtë, bëmë një ndeshje të jashtëzakonshme. Morëm një gol nga goditja e portierit, dhe kjo është e rëndë. Edhe më pas morëm një tip autogoli. Të kthehesh me një humbje të tillë, të bën të ndihesh keq”.

Kombëtarja ende nuk është e eleminuar matematikisht nga Liga e Kombeve, por renditja është bërë tepër e vështirë. Vetë trajneri sikur është dorëzuar.

“Është e vështirë të fitosh 3-0, dhe pastaj që Skocia të mundë Izraelin, e më pas do jemi me pikë të barabarta. Ne ndërkohë, jemi jashtë. Natyrisht, nuk jemi dorëzuar, por duke humbur kështu, bëhet shumë e vështirë. Përsa i përket lojtarëve, nuk më pëlqen që përmendni emra, ka qenë një skuadër e madhe”./abcnews.al

panuci.png
G. P.22:58 | 14/10/2018

Në fund, rëndësi kanë pikët dhe jo loja e mirë. Kështu thotë aksioma e futbollit, ndërsa kombëtarja shqiptare do të donte të kujtonte formulën tjetër, atë që pas lojës së mirë vijnë edhe rezultatet.
Duhet të presim gjithsesi, sepse rezultati këtë herë nuk ishte me ne, por me Izraelin që fitoi 2-0 në stadiumin e Haifës, duke iu afruar kualifikimit për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve.

Kualifikim që duket i pamundur për ekipin e trajnerit Kristian Panuçi, pas njërës prej ndeshjeve më të mira të zhvilluara prej tij. Kombëtarja reagoi pas humbjes së rëndë në fushën e Skocisë, duke qenë më e mirë sesa izraelitët në pjesën më të madhe të kohës. Një lojtar i ri si Uzuni ishte vërtet zbulim, po ashtu Grezda u konfirmua si vlerë e shtuar, ndërsa Lilaj që zëvendësoi Bashën, dha një shtysë më shumë për lojën e kuqezinjve. Jo vetëm kaq, por edhe mbrojtësit e krahut, Hysaj e Binaku, shtynë përpara duke ndihmuar sulmin, ndërsa vendasit u detyruan të mbylleshin në gjysmëfushën e tyre. Shqipërisë së Panuçit, sidoqoftë, i mungoi gjëja më e rëndësishme, goli.

Nxitimi para portës kundërshtare ishte i madh, pra qetësia psikologjike u duk larg. Po ashtu, ekipi përfaqësues pati edhe fat, pasi portieri Strakosha bëri pritje të rëndësishme, ndërsa mungoi edhe pjekuria. Mbrojtja e një skuadre që pretendon vështirë se mund të pësojë gola, siç ishte i pari i izraelitëve. Pas tri ndeshjeve në grup, kombëtarja ka vetëm 3 pikë, golaverazh negativ, 1-4, por gjithsesi paraqitja në Haifa bën që Panuçi ta meritojë mundësinë për të vazhduar punën. Ndoshta do të jemi ndryshe në eleminatoret e Europianit./abcnews.al

panuc.png
G. P.13:05 | 11/10/2018

Kristian Panuçi, nën presion të madh në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Trajneri flet për mungesat dhe nuk premton rezultat, ndërsa ka kritika nga presidenti Duka.

Mbetëm me një fitore në 6 ndeshje. Rezultatet nuk janë aspak të mira, edhe pas barazimit me Jordaninë, dhe trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, për një moment nuk e përballoi dot presionin. Kjo u duk kur refuzoi të fliste për “Supersportin”.

Një moment dobësie, padyshim, ndonëse jo i vetmi në futboll, pasi mjafton të kujtojmë se Sër Aleks Fergusoni nuk foli për të famshmen BBC për plot 7 vjet. Panuçi, gjithsesi, doli në konferencë për mediat, por nuk premtoi rezultat në Izrael, për Ligën e Kombeve.

“Unë nuk mund t’i blej lojtarët në kombëtare. Në këtë moment, jemi këta që jemi, në këtë ndeshje bëra 6 zëvendësime, ndërsa shumë titullarë nuk luajtën. Jam i detyruar qëë të bëj ndryshime. Nëse do t’i kishim të gjithë lojtarët, do ta kisha një ide më të qartë. Në ndeshjet e para, Lihtenshtajn, Maqedoni, Spanjë, Itali, luajtëm vazhdimit me skemën 4-3-3. me Turqinë po ashtu. Kur nuk i ke lojtarët, do të ndryshosh. Gjithsesi, unë jam i bindur se kjo skuadër mund të shkojë në Izrael dhe t’ia dalë, por kemi shumë mungesa”, tha ai.

Italiani kurseu disa nga lojtarët për Izraelin, duke bërë shumë ndryshime. Hysaj, Memushaj e Basha ishin disa nga ata që nuk luajtën, ndërsa trajneri u pyet për shqetësimet në mbrojtje.

“Të shohim sesi do të luajmë në Izrael. Tani duhet të rikuperojmë. Mavraj kishte 9 muaj që nuk luante, sapo ka nisur tek Arisi. Edhe Gjimshiti ka luajtur pak, ndaj doja që të lodheshin më pak. Për fat të keq, Gjimshiti luajti 90 minuta sepse Mihaj u dëmtua. Të shohim edhe sesi do të luajë Izraeli, por nuk është problemi nëse luajmë me tre apo me katër, por sesi të shënojmë gol, sepse luajmë mirë por nuk shënojmë”, u shpreh trajneri.

Një sinjal jo plotësisht pozitiv erdhi nga kreu i Federatës, Duka. Gjithsesi, pak besohet se trajneri rrezikon postin, edhe nëse nuk ia del në Izrael. Burime në Federatë bëjnë me dijë se Duka nuk do të nxitohet, pavarësisht nga ecuria negative. Problemet kanë qenë të shumta, ndërsa nuk do të ishte e lehtë të nisej tani gjithçka nga e para./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono