kristal abazaj

shpetim-duro.jpg
G. P.12:05 | 29/08/2019

Kukësi duket se ka shanse më të mëdha për titullin, me lojtarët e rëndësishëm që ka në përbërje. Trajneri Duro ishte I lumtur me suksesin në Vlorë, por duhet të menaxhojë edhe konfliktet e mundshme nga konkurrenca.

Një lojtar të tillë thuajse e kanë pasur gjithnjë. Kukësi nuk ka vuajtur kurrë për një sulmues goli, dhe pas Pero Pejiçit, Sidrit Gurit apo Rezhinaldos, ja ku vjen Vasil Shkurtaj.

Vlonjati është në skuadër që prej janarit, por vetëm mund të thuhet se është përshtatur plotësisht dhe se po jep atë që pritet prej tij.

Ndëshkoi skuadrën e qytetit të tij, Flamurtarin, duke i shënuar dy gola, e duke e detyruar të shkaktojë autogol, pra padyshim ishte lojtari më i rëndësishëm në fushë, në suksesin 3-0 të veriorëve.

Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro mban tani vendin e parë në Superligë, me 6 pikë në dy javë, po aq sa Skënderbeu, por me golavarazh më të mirë.

“Fitorja tregon që është shumë e rëndësishme, por me thënë të drejtën kisha frikë ndeshjen në Vlorë ndaj një kundërshtari që mendoj nuk ka përgjegjësinë e Kukësit”, tha Duro.

Duro ka në dispozicion disa lojtarë shumë të mirë si Shkurtajn, Rrocën apo Gavazajn, por edhe Kristal Abazajn, që bëri debutimin për skuadrën e tij të re.

Hyrja në fushë e tropojanit, gjithsesi, shkaktoi një problem pikërisht me Gavazajn, të cilin e zëvendësoi, dhe shqiptari i Kosovës nuk e priti aspak mirë daljen nga fusha.

Mos vallë Duro do të ketë probleme pikërisht nga luksi? Trajneri nuk deshi të komentonte, dhe u përgjigj ndryshe.

“Abazaj ka cilësi të jashtëzakonshme. Është lojtar shumë cilësor. E rëndësishme është që të ambientohet me ritmin e skuadrës”, tha Duro.

Trajneri mund të ndihet i kënaqur dhe i sigurt pasi me lojtarë të tillë, shanset për të fituar titullin janë më të mëdha./ABC News Albania 24/7

ndeshja.jpg
G. P.16:55 | 28/08/2019

Kukësi shkon për fitore në fushën e Flamurtarit, në ndeshjen e sotme të Superligës, në orën 19:00. Pas fitores me Partizanin, trajneri Duro kërkon vazhdimësi, por edhe vlonjatët nuk duan që të dorëzohen.

Padyshim që emocion ka, pasi kthehet shpejt aty. Shpëtim Duro do të vihet sot përballë Flamurtarit, madje brenda në Vlorë, ndërsa dy sezone më parë ishte trajner i kuqezinjve.

Pas një përvoje në Kosovë, ja ku vjen si kundërshtar në stolin e Kukësit për ndeshjen e Superligës që luhet në 19:00. Duke folur për mediat, tekniku tiranas theksoi se po kthehej me nostalgji në Vlorë, ku është vlerësuar dhe respektuar për sa kohë punoi aty.

Gjithsesi, Duro pohon se ashtu si në çdo ndeshje tjetër, do të kërkohet tripikëshi. Trajneri vlerësoi lart paraqitjet e bëra ndaj Partizanit, në Superkupë dhe në kampionat, si dhe fitoren e fundit, duke kërkuar vazhdimësi.

Kukësi tashmë do të ketë edhe një lojtar të ri, Kristal Abazajn, që u prezantua nga drejtori sportiv, Nexhipi, ndërsa pritet që të luajë direkt në formacion, ose të paktën të jetë i gatshëm për ndeshjen.

Kukësi është më i plotësuar me ardhjen e Abazajt, Kotobellit dhe afrikanit Obanor, pavarësisht largimeve në mbrojtje dhe dëmtimit të kapitenit Musolli.

Flamurtari, ndërkaq, e pret ndeshjen në pozita të vështira. Skuadra dihet që është krijuar vonë, dhe gjithashtu vonë ka nisur punën përgatitore, duke mos qenë gati për nisjen e kampionatit. Gjithsesi, trajneri Sadedini, kërkon sukses pas humbjes në Korçë.

Sadedini shqetësohet se, me gjendjen që ka skuadra, tri ndeshje në gati një javë janë shumë dhe mund të ndikojnë për keq./ABC News Albania 24/7

abazaj.jpg
G. P.15:47 | 21/08/2019

Kristal Abazaj pritet të nënshkruajë për Kukësin në orët në vijim. Sulmuesi i huazuar nga Anderlehti ka akord me presidentin Gjici, ndërsa kuksianët pritet t’i japin 8 000 euro në muaj.

Një tjetër prezantim e pret shumë shpejt. Kristal Abazaj do të ndërpresë të paktën përkohësisht aventurën jashtë vendit, për të luajtur në Shqipëri, tashmë në radhët e Kukësit.

Sulmuesi që ishte i huazuar tek Osijeku në Kroaci gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ka arritur dakordësi me klubin verior dhe zyrtarizimi pritet të bëhet shumë shpejt, maksimumi deri nesër.

Burime pranë tij bëjnë me dijë se Kukësi do t’i japë 8.000 euro në sezon, ndërsa sulmuesi tropojan do të jetë i huazuar nga Anderlehti. Kartoni i 23-vjeçarit vazhdon të jetë në zotërim të klubit belg, i cili ende ka besim se ai mund të jetë futbollist i vlefshëm sezonet e ardhshme.

Abazaj spikati në Superligë kur luajti për Luftëtarin e Gjirokastrës në sezonet 2016-2018, duke shënuar shumë gola e duke u shpallur talenti i sezonit në kampionat në 2017. Kjo formë me gjirokastritët I siguroi kalimin në Belgjikë tek Anderlehti.

Përpara akordit me Kukësin, për të pati interesim nga Tirana apo Partizani, por veriorët u treguan më bindës. Sulmuesi ka luajtur edhe për Shqipërinë U21 duke shënuar 3 gola në 10 ndeshje, si dhe ka debutuar edhe për ekipin kombëtar./ABC News Albania 24/7

valdet-rama.jpg
G. P.20:20 | 20/08/2019

Ish-sulmuesi i Kukësit zyrtarisht nuk është më pjesë e kampionatit shqiptar, por së fundmi ka nënshkruar me gjermanët e Meppen, një skuadër në një nga ligat e Gjermanisë. Ndërkaq, pritet që Kukësi të zyrtarizojë shumë shpejt afrimin e Kristal Abazajt.

Nuk ka më asnjë dyshim tashmë. Ish-futbollisti i Kombëtares dhe Kukësit Valdet Rama, është prezantuar sot te skuadra e Mepen, duke u rikthyer kështu në futbollin gjerman. Pasi i dha fund aventurës me Kukësin, Valdet Rama nuk ka humbur kohë, teksa ka nisur sot aventurën e re në ligën e tretë gjermane.

“Mepen forcohet në sulm me Valdet Ramën, një ëndërr e madhe e trajnerit Kristian Neidhart për shumë kohë. 31-vjeçari ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsionin rinovimin në bazë të paraqitjeve të bëra. Ai mund të kishte firmosur më herët, por kishte kontratë me Kukësin deri në përfundim të Kupave të Europës”, shkruan klubi në njoftimin zyrtar.

E ndërkaq, pritet që së shpejti Abazaj një njohje e vjetër e kampionatit shqiptar, me Luftëtarin e Skënderbeun, tashmë shumë shpejt pritet të kalojë te skuadra e Shpëtim Duros.

Abazaj, kartonin e të cilit e zotëron Anderlehti do të jetë futbollisti më i ri i Kukësit dhe pritet vetëm firma në kontratë dhe prezantimi, ndërkohë që orët në vijim mund të jenë vendimtare për të.

Abazaj flitej se kishte një akord me Tiranën, por në fakt bardheblutë nuk kanë arritur të bindin dhe të plotësojnë kushtet financiare të sulmuesit, i cili e njeh mirë futbollin në vend.

Abazaj mund të vihet nën urdhrat e Shpëtim Duros shumë shpejt dhe ndoshta do të jetë i gatshëm që në ndeshjen ndaj Partizanit. Por zyrtare nuk ka ende asgjë për momentin./ABC News Albania 24/7

abazaj.jpg
G. P.14:15 | 18/02/2019

Kristal Abazaj e nis me gol karrierën në Kroaci dhe lavdërohet nga mediat. Sulmuesi shqiptar shpreson të ketë sukses dhe të rikthehet në kombëtare.

Fundi i ndeshjes e gjeti të lumtur. Nuk e kishte menduar më mirë se kaq, debutimin e tij, Kristal Abazaj, me gol dhe me fitore. Iu deshën vetëm 10 minuta në fushë që të vendoste një ndeshje të vështirë të Osijekut, atë ndaj Istrës në Ligën e Parë të Kroacisë. Pasi hyri në minutën e 54-t, realizoi në të 64-n, ndonëse u duk në pozicion të dyshimtë për jashtë loje.

Ishte ndeshja e parë e tij në kampionatin kroat, pasi u largua nga Anderlehti i Superligës së Belgjikës, dhe shpresa është që karriera të vazhdojë ashtu siç shpresohej verën e kaluar. Gazeta e Osijekut, “Glas Slavonije”, kishte si artikullin më të lexuar të ditës, atë për fitoren e Osijekut falë Abazajt.

Titulli ishte: “Një gol, por sa shumë i vlefshëm, ai ishte i kristaltë”, duke iu referuar emrit të Abazajt, Kristal.

“Jutarnji List” e Zagrebit shkruajti se fitorja e Osijekut ishte shumë e vështirë, dhe se vendosi goli i shqiptarit.

I njëjti vlerësim edhe tek media sportive, “Sportnet.hr”: Osijeku vuajti ndaj Istrës, Abazaj dhuroi fitoren në debutim!

Abazaj është 22 vjeç dhe shpreson të rikthehet në kombëtaren shqiptare, pas një përvoje jo shumë të mirë tek Anderlehti, ku pati pak shanse për t’u aktivizuar, dhe ku luajti më shumë me skuadrën e dytë./abcnews.al

SPORT-KRISTAL-ABAZAJ-KARRIERA-_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
ent ela15:01 | 13/02/2019

Transferimi në Kroaci ishte i vetmi i mundshëm për Kristal Abazajn. Sulmuesi i kombëtares synoi Italinë, Suedinë dhe Holandën, por pa sukses.

Ishte i tillë kur luante tek Luftëtari.

Kristal Abazaj shpreson të rikthehet te suksesi tashmë I harruar, ndërsa përfundoi transferimin e radhës në karrierë.

Sulmuesi 22-vjeçar u dha në formë huazimi nga Anderlehti tek Osijeku në Ligën e Parë të Kroacisë.

Për një vit, parashikohet që ai të provojë fatin dhe të ndihmojë skuadrën ku pak muaj më parë ishte edhe Eros Grezda, sot lojtar I rëndësishëm i kombëtares shqiptare, që luan tek Gllazgou Rejnxhëri në Skoci.

Abazaj kaloi një dhjetor dhe janar të vështirë, pasi menaxherët e tij, Elton Marini dhe Shkumbin Qormehmeti, nuk e patën aspak të lehtë për t’i gjetur një skuadër.

Pavarësisht cilësive, lojtari me origjinë nga Tropoja, luajti shumë pak me ekipin e parë të Anderlehtit, duke u kufizuar më shumë tek rezervat.

U bënë përpjekjet për t’i gjetur skuadër në Itali, Suedi apo Holandë, por ishte e pamundur.

Gjithsesi, besimi është se Kroacia do të jetë sukses, edhe sepse mënyra e lojës aty është më e përshtatshme për lojtarët shqiptarë, siç e ka treguar përvoja e Grezdës e Rrahmanit, apo më parë e Erion Bogdanit dhe Adrian Aliajt.

Abazaj pati kulmin tek Luftëtari, pasi Partizani nuk pranoi ta mbante lojtarin e dalë në akademinë e tij.

Po ashtu, provat tek Dinamo dhe Tirana nuk patën sukses, dhe ai kaloi tek Elbasani, për t’u bërë I njohur në Gjirokastër.

Skënderbeu bëri lëvizjen e duhur duke ia blerë kartonin e duke marrë pjesën më të madhe të parave të transferimit të Abazajt tek Anderlehti, që arriti në gati 700 000 euro. /abcnews.al

abazaj.jpg
G. P.14:40 | 29/05/2018

Kristal Abazaj ishte padyshim zbulimi i këtij sezoni në Superligën shqiptare. Ish-futbollisti i Luftëtarit tregon emocionet e këtij viti dhe objektivat e së ardhmes, në një intervistë për ABC News.

Tifozët e pritën në mënyrë triumfale, në takimin e tyre të fundit.

Kristal Abazaj ishte ylli kryesor në festën e mbylljes së sezonit të Luftëtarit, në Pallatin e Sportit të Gjirokastrës, ndërsa lojtari më i mirë i Superligës do ta vazhdojë karrierën jashtë vendit.

Me shumë gola, me pasimet vendimtare, me shumë klas, por sidomos me shumë përkushtim, ai i dha fund aventurës shqiptare në mënyrën më të mirë.

Në intervistën për ABC News, ai vlerëson sezonin, ndeshjen më të mirë dhe golin më të bukur.

Kristal Abazaj: “Kemi bërë një sezon perfekt, një sezon super. Kemi treguar që jemi një ekip shumë i mirë, por këtë vit e kurorëzuam me kupat e Europës, që është shumë pozitive dhe jemi shumë të lumtur. Goli më i bukur është ai që i kam shënuar Partizanit”.

Edicionin tjetër, Kristali do të jetë tek Anderlecht-i.

Përse zgjodhi kështu?

Kristal Abazaj: “Kam pasur 3-4 oferta nga ekipe që janë shumë shumë të mira. Besoj që Anderlecht-i dhe dihen se çfarë ekipi janë ata dhe se çfarë shitjesh bëjnë”.

Kur e pyet se në çfarë lige të madhe europiane dëshiron të shkojë, ai përgjigjen në mënyrën e tij tepër të përmbledhur.

Kristal Abazaj: “Besoj që për momentin jam shumë mirë aty dhe do përqëndrohem e do jap makimumin”.

Abazaj 22-vjeçar po nis një aventurë të bukur, por edhe të rrezikshme, pasi shumë lojtarë të kampionatit shqiptar kanë dështuar jashtë.

Kristal Abazaj: “Normalisht, ajo është e vërtetë, por nuk është pjesë e karakterit tim, që  të shkoj aty dhe të dorëzohem. Do të shkoj që të punoj më shumë sepse më motivon akoma më shumë”.

Karriera e tij është pasuruar edhe më shumë prej disa muajsh, pasi është bërë pjesë e kombëtares së Shqipërisë./abcnews.al

anderlecht.jpg
G. P.10:29 | 17/04/2018

Skënderbeu është fituesi më i madh i transferimit të Kristal Abazajt tek Anderlecht në Belgjikë. Gjithsesi, klubi korçar do të kishte fituar shumë më tepër nëse nuk do të ishte dënuar nga UEFA.

Nga Tropoja në Bruksel. Nuk është ndonjë emigrant, as ndonjë azilant politik si ata të pas vitit 1997, por njëri nga talentet më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, sot për sot, Kristal Abazaj.

Futbollisti i thirrur së fundmi në kombëtare nga trajneri Panuçi, e shfrytëzoi maksimalisht emrin që krijoi këtë sezon, duke u transferuar te klubi më i madh i Belgjikës, Anderlecht.

Sulmuesi 21-vjeçar mësohet se firmosi një kontratë 3-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për dy sezone të tjera, ndërsa besohet se për kartonin e tij u paguan 750 000 euro.

Aventura e tij belge nis në verë, ndërsa deri në fund të sezonit do të vazhdojë të luajë për Luftëtarin. Gjithsesi, kartoni i tij u ble nga Skënderbeu që në Janar pasi paguan 200 000 euro, me gjirokastritët që mësohet se mbajtën 25 për qind të vlerës, ndaj edhe pjesën më të madhe të të ardhurave do t’i marrë klubi korçar.

Nuk dihet se cila do të jetë pjesa për menaxherët ndërmjetës, por nëse 750 000 eurot ndahen sipas akordit të dy klubeve shqiptarë, Skënderbeut i takojnë mbi 560 000 euro, e Luftëtarit mbi 180 000.

Abazaj bëhet kështu një nga ato raste të veçantë, kur largohet nga ekipi, konkretisht nga Skënderbeu, pa qenë asnjë ditë lojtar i tij.
Besohet se presidenti Takaj u detyrua të ndryshonte planet për shkak të përjashtimit të klubit të tij për 10 vjet nga kupat europiane, pasi fillimisht u mendua se Abazaj do të luante në Champions dhe pastaj do të transferohej.

Padyshim që Skënderbeu doli me humbje nga ky operacion, edhe pse fitoi jo pak. Në kushte normale, me ekipin në Champions dhe me një paraqitje të mirë, kartoni i tropojanit mund të arrinte në mbi 1 milionë euro, ndërsa tani u veprua në kushtet e urgjencës.

Abazaj, nga ana e tij, arriti një sukses të madh në karrierë, duke kaluar në skuadrën më të shquar të Belgjikës që në moshën 21-vjeçare.
Belgët u bindën nga paraqitjet e tij, nga golat dhe pasimet për gol, ndërsa patën edhe konkurrencë nga ekipe të tjerë si Gallatasaraji apo Viteshe e Holandës. Për Luftëtarin këtë sezon, sulmuesi shënoi 9 gola në 21 ndeshje, duke qenë padyshim një nga lojtarët më të mirë të Superligës./abcnews.al

vllaznia-luftetari-1280x894.jpg
G. P.17:00 | 25/02/2018

Vllaznia mori një pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën, duke barazuar 0-0 në Gjirokastër. Luftëtari vendas pati raste të shumta dhe habia ishte e madhe që nuk arriti të shënonte qoftë edhe një gol.

Dy ndeshjet ngjanë si dy pika uji.
Pasi Teuta arriti të merrte pikë në Durrës ndaj Flamurtarit, ja ku u përgjigj Vllaznia me një barazim në Gjirokastër.
Të njëjtët rezultate, 0-0, me thuajse të njëjtën lojë nga dy ekipet në garë për mbijetesën.

Ndryshimi i vetëm ishte nga faktori fushë, pasi shkodranët u ndodhën nën presion nga Luftëtari vendas, ndërsa durrsakët krijuan më shumë të shtunën përballë vlonjatëve.
Gjirokastritët duhej të kishin shënuar më shumë sesa një gol, me rastet që patën, por Bregu e Abazaj sikur u tallën me futbollin, dhe me publikun, duke humbur shanse të pabesueshme.
A thua gabuan si njerëz, apo mos ndoshta llogaritë në Superligë kanë nisur të ndikojnë që tani?

Vështirë të thuhet dhe vështirë të gjendet edhe pse vetë Luftëtari nuk mund të thuhet se është krejtësisht jashtë rrezikut për të rënë nga kategoria.
Vllaznia e trajnerit Ernest Gjoka, besohet ende të tronditur pas sulmit të së enjtes, bëri pak, por mori atë që deshi, pra pikën.
Me 22 pikë, shkodranët janë 4 pikë mbi Teutën e vendit të parafundit, vend që të zbret poshtë.

Luftëtari, ndërkaq, u barazua me pikë me Partizanin, nga 28, por duke qenë mbi kryeqytetasit për shkak të golaverazhit më të mirë./abcnews.al

vlcsnap-error766-3-1280x720.jpg
G. P.21:12 | 26/01/2018

Mendimet ishin të njëjta në përfundim të ndeshjes së Superligës në Gjirokastër. Trajnerët Hasan Lika dhe Ilir Daja e quajtën të merituar fitoren e vendasve.

Ishte shumë më e vështirë sesa fitoret e tjera.
Tregohet totalisht i ndershëm trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, edhe pas triumfit të madh 2-0 ndaj Skënderbeut.
Tekniku tiranas i bëri një analizë objektive ndeshjes, duke mos shmangur meritat, por edhe fatin.

“Fitore e rëndësishme aq më tepër me një kundërshtar shumë të fortë siç është Skëndërbeu, i cili gjatë gjithë lojës na vuri në vështirësi sidomos në pjesën e parë. Ishin më mirë se ne, por besoj se në pjesën e dytë korrigjuam diçka. Avantazhi që kishim na bëri të luajmë akoma më mirë, me kujdes. Është një fitore e cila është në vazhdën e lojërave të mira. Sigurisht na jep dhe optimizëm për të vazhduar akoma më tej”, u shpreh trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika.

Heroi i ndeshjes ishte Kristal Abazaj, shënues i dy golave, që pritet të jetë te Skënderbeu sezonin e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur, jo për golat, por për fitoren e ekipit sepse ishte një trepikësh shumë për ne. Kjo tregon që jemi një ekip shumë shumë i mirë sepse arritëm të dominojmë Skënderbeun. Normalisht çdo gol të jep emocion, por siç thashë ddhe më parë nuk u ndjeva në siklet sepse i shënova Skënderbeut apo ndonjë ekipi. Sepse unë jam profesionist. Unë dua të shëndoj ndaj çdo ekipi. Normalish unë ashtu e ndjeva dhe nuk festova, por nuk do të thotë që nuk jam shumë i lumtur për golat sepse jam shumë i lumtur për golat dhe për tre pikët Nuk doja të festoja”, tha Kristal Abazaj.

Sa i tronditur është Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut?

“Ne jemi një ekip që dimë të përballojmë edhe humbjen sepse në fund fare loja e futbollit i ka të treja rezultatet brenda. Marr këtu shkas edhe nga rezultatet në vazhdimësi të Gjirokastrës në këtë periudhë të fundit që kanë qenë pozitive që mendoj që çdo ekip që do vijë në Gjirokastër do ta ketë të vështirë edhe besoj që kemi një grup që me eksperiencën që ka nuk ndikon shumë një humbje por duhet të futemi sa më shpejt në ritmin e duhur”, u shpreh Daja.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono