krime lufte

GJAKOVE-KRIME-LUFTE-ABC-M4-T1.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela14:35 | 28/10/2019

102 kallëzime penale të qytetarëve të Gjakovës janë dorëzuar sot në policinë e Kosovës dhe kanë të bëjnë me krime të kryera nga serbët gjatë luftës. Ato përfshijnë vrasje, keqtrajtime dhe shkatërrim të pronës.

Shoqata për krime lufte “Gjakova ’98-99“ dorëzoi në policinë e Kosovës grupin e trembëdhjetë të padive me 102 kallëzime penale të bëra nga qytetarët e Gjakovës ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte, bënë të ditur mediat në Kosovë.

Shkëndije Hoda: “Ky është bashkëpunimi i parë me policinë, direkt po i sjellim këtu. Qëllimi i këtyre dëshmive është një ndihmesë që ne i ofrojmë më tepër dëshmi rreth një krimi, japim më tepër fakte. Policia ka vullnet dhe shpresojmë për rezultate pozitive. Veprimi i policisë në Komunën e Gjakovës është shumë i madh dhe merren çdo ditë në pyetje dëshmitarë. Ky proces ndoshta do të zgjasë me vite, por jemi të bindur që rezultatet do të jenë pozitive”.

Zonja Hoda tha se kallëzimet penale kanë të bëjnë me vrasje, keqtrajtime e deri të shkatërrimi i pasurisë në Komunën e Gjakovës. /ABC News Albania 24/7

kosovaaa.jpg
ad min15:59 | 09/09/2019

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, jo të gjitha partitë i kanë shkuar deri në fund premtimit se nuk do të fusin në lista për deputetë kandidatët, të cilët kanë probleme me ligjin.

Përkundër thirrjeve që u janë bërë partive politike që në zgjedhjet e 6 Tetorit të mos kandidojnë individë me aktakuza, kjo nuk është respektuar nga disa parti politike. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi koalicioni AAK-PSD i prin listës me 13 kandidat me aktakuza, prej tyre pesë të dyshuar për vepra korruptive.

Me aktakuza apo dënime, por jo për vepra korruptive LVV- ja ka 6 kandidatë në listën e saj zgjedhore, PDK-ja 4 dhe koalicioni Nisma-AKR-PD, 2.  Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kishte futur një kandidat me aktakuzë për vepra korruptive, por që ka thënë se do ta heqë menjëherë pas raportimit në media.

Ndërkohë Instituti Demokratik i Kosovës ka lançuar fushatën ku kërkohet nga qytetarët që të mos i votojnë kandidatët me aktakuza. Instituti i Kosovës për Drejtësi ka prezantuar një raport krahasues me kandidatët me aktakuza në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale.

Sipas raportit, në listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e vitit 2014 ka pasur 15 persona me aktakuza, 12 prej të cilëve ishin zgjedhur deputetë. Ndërsa në zgjedhjet e 2017-s, në listat e partive kanë qenë 27 kandidatë me aktakuza, prej të cilëve 21 ishin bërë deputetë.

Edhe shtetet anëtare të Quint-it ditë më parë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos i votojnë personat e lidhur me krimin dhe për të cilët ka dyshime për afera korrupsioni.

Lista e PDK-se me asnjë kandidat me aktakuzë apo të dënuar për korrupsion.

Përjashtimisht, lista ka një të dënuar për krime lufte, një të dënuar për vepra penale kundër sigurisë në trafik dhe dy të akuzuar për vepra penale që nuk hyjnë në kuadër të veprave penale korruptive./ABC News Albania 24/7

lufta-ne-jemen.jpg
ad min22:08 | 03/09/2019

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca mund të jenë bashkëfajtorë për krime lufte në konfliktin që ka përfshirë Jemenin. Një panel hetimor i OKB-së ka arritur në përfundimin se armët e ofruara nga Perëndimi për vendet arabe që luftojnë kundër rebelëve kanë çuar në vdekjen e civilëve.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca mund të kenë bashkëpunuar në kryerjen e krimeve të luftës në Jemen, përmes mbështetjes së koalicionit të shteteve arabe me armë dhe informacione.

Akuza është ngritur nga një panel ekspertësh të OKB-së, të cilët nga ana tjetër kanë akuzuar koalicionin e udhëhequr nga Sauditët se kanë përdorur vdekjen nga uria si taktikë lufte kundër civilëve.

Ekspertët u kanë sugjeruar të gjitha vendeve që eksportojnë armë të vendosin embargon për vendet arabe, të përfshira në luftën kundër rebelëve Huthi, të cilët kontrollojnë kryeqytetin e Jemenit.

“Është e qartë që furnizimi me armë i palëve të përfshira në këtë përplasje po mban gjallë konfliktin dhe po zgjat vuajtjet e popullit të Jemenit”, deklaroi Melisa Park, eksperte e OKB-së në një konferencë shtypi.

Për këtë arsye, shtoi ajo, vendet perëndimore duhet të ndalin furnizimin me armë për vendet arabe. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë aktorët kryesorë në konfliktin në Jemen dhe janë njëkohësisht blerësit më të mëdhenj të armëve nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca.

Dy vendet akuzohen nga ekspertët se veç përdorimit të taktikës së vdekjes nga uria kanë marrë jetët e civilëve të pafajshëm edhe përmes sulmeve ajrore. Ndërsa rebelët Huthi akuzohen se kanë bombarduar qytete dhe kanë përdorur fëmijët ushtarë. Ekspertët kanë hartuar gjithashtu një listë sekrete me të dyshuarit për krime lufte, por kanë refuzuar ta bëjnë publike atë./ABC News Albania 24/7

98111A27-F59B-48DA-AF8C-A6EFAB717B04_w1023_r1_s.jpg
ad min08:30 | 17/05/2019

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

Rezoluta u miratua me 79 vota Pro.
Për hartimin e saj kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Në rezolutë, veç të tjerash, përmenden të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që autoret e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë.

Po ashtu, aty përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës miratojnë një rezolutë të tillë, megjithëse për të është diskutuar që nga përfundimi i luftës./ABC News Albania 24/7

 

protesta-e-komunitetit-shqiptar-ne-shba.jpg
ad min10:51 | 01/05/2019

Të mbijetuar të dhunës në Kosovë dhe familjarë të viktimave, si edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, protestuan pasditen e të martës para ambasadës serbe në Uashington, ku kërkuan drejtësi për krimet e kohës së luftës.

Anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, që sapo është kthyer nga Kosova, ishte një prej protagonistëve të protestës. Ilir Bytyqi, që edhe në Kongres foli për domosdoshmërinë e vënies para përgjegjësisë të fajtorëve, tha në protestë se Serbia duhet të arrestojë shkaktarët e këtyre krimeve.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, dy pjesëtarë të personelit të ambasadës së Serbisë në Uashington thanë se protesta “nuk do të thotë asgjë”.

“Është një vend demokratik dhe gjithkush mund të protestojë,” u shprehën ata./ABC News Albania 24/7

OKB-IZRAELI-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.01-1280x660.jpg
ent ela23:30 | 28/02/2019

Një komision hetimor i OKB-së ka fajësuar Izraelin për krime lufte ndaj 190 civilëve palestinezë në Gaza. Sipas komisionit, trupat izraelite kanë vrarë me qëllim fëmijë e të rritur të çarmatosur. Vetë shteti hebre e ka hedhur poshtë raportin duke e cilësuar një “teatër absurditetesh”.

Ushtarët izraelitë mund të kenë kryer krime lufte kur kanë reaguar ndaj protestuesve palestinezë në kufirin me Gazën vitin e kaluar. Kështu thotë një komision hetimor i përbërë nga ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut, që ka hetuar vrasjen e 189 palestinezëve në periudhën 30 mars-31 dhjetor 2018.

Komisioni ka deklaruar se ka konstatuar të dhëna të arsyeshme që sugjerojnë se snajperët izraelitë kanë qëlluar fëmijë, mjekë dhe gazetarë, edhe pse ata ishin qartësisht të dallueshëm në mes të turmës.

Duke reaguar ministri i Jashtëm në detyrë i Izraelit ka hedhur poshtë konstatimet e komisionit. “Këshilli për të drejtat e njeriut është një teatër i absurditeteve dhe sërish ka prodhuar një raport që është armiqësor, i rremë dhe që hedh baltë ndaj Izraelit”, ka deklaruar ministri Jizrael Katz.

Ai ka shtuar se askush nuk mund t’i mohojë Izraelit të drejtën për t’u vetëmbrojtur dhe detyrimin për të mbrojtur qytetarët dhe kufijtë e tij nga sulmet e dhunshme. Palestinezët kanë mbajtur protesta përgjatë kufirit të Gazës që prej marsit të kaluar, në kuadër të fushatës së koduar “Marshi i madh i rikthimit”, në mbështetje të së drejtës së deklaruar të palestinezëve për t’u rikthyer në shtëpitë e hershme që tashmë konsiderohen territor i Izraelit. Fushata është organizuar nga militantët e lëvizjes Hamas, që kontrollon Gazën dhe që konsiderohet si grup terrorist nga Izraeli. /abcnews.al

 

serbia-krimet-e-luftes.jpg
ad min19:30 | 12/01/2019

Gjykata për krimet e luftës në Kosovë ka nisur festat e para për të dëgjuar persona të rëndësishëm në luftën e Kosovës. Serbia ka alarmuar prej vitesh se shqiptarët kanë kryer krime dhe ka ngritur akuza në gjyqet e saj për shumë raste, përfshirë edhe krerët e Kosovës që disa herë janë ndaluar nëpër shtete të ndryshme me kërkesën e Serbisë. Beogradi zyrtar pretendon se ka mijëra dokumente për t’ia dorëzuar gjykatës, ndër to edhe dokumente të vetë UÇK-së.

Kjo është vetëm një nga parullat në kryeqytetin serb ku kërkohet, siç thuhet, gjykimi i terroristëve shqiptarë për krimet ndaj serbëve. Serbia e pret me padurim fillimin e punës së Gjykatës së Hagës për krimet në Kosovë. Ndër vite janë grumbulluar mijëra dokumente për të dëshmuar se shqiptarët ishin ata që kryen krime. Milovan Drecun, deputet i partisë së presidentit serb, thotë se Serbia ka ofruar dosjet e saj.

Milovan Drecun: Kemi një paraqitje të strukturës së UCK-së dhe përgjegjësisë komanduese dhe kjo është bërë. Ne nuk i kemi bërë këto dosje vetëm në bazë të dëshmive, por edhe në bazë të dokumenteve që janë kapur në shtabet e terroristëve të UCK-së dhe ne kemi mijëra dokumente këtu.

Mes Serbisë e Kosovës ka ngelur ende e pa zgjidhur çështja e të zhdukurve. Serbia ka gjykuar disa raste ku viktimat kanë qenë shqiptarë e autorët serb. Por, krimet e luftës nuk janë një temë e famshme as këtu. Marko Millosavljeviç, aktivist për të drejtat e njeriut, thotë se narrative në tërë Ballkanin është se njëra palë është heroike kurse tjetra terroriste. Kjo ka penguar ripajtimin pasi pak janë gjykuar për krime.

Marko Milosavljevic: Është e rëndësishme të theksohet se cfarë mandati ka kjo gjykatë. Kjo është e rëndësishme për Kosovën, por edhe momenti i fundit për të parë se cfarë do të ndodh me krimet e luftës në përgjithësi.

Akuzat e Serbisë nuk kanë patur shumë efekt ligjor, por kanë shkaktuar problem për disa qytetarë dhe politikan të Kosovës. /abcnews.al

sheshel.jpg
ad min22:08 | 30/11/2018

Gjykata e Hagës ka shpallur në mënyrë përfundimtare kriminel kufte Vojislav Sheshel. Gjithësesi dënimi i tij me 10 vjet burg, është kryer gjatë kohës së paraburgimit në Hagë.

Vojislav Shesheli është dënuar përfundimisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndonëse në shkallën e parë ishte shpallur i lirë ndaj akuzave për krime në Bosnjë-Hecegovinë, Kroaci dhe Vojvodinë. Ditën e fundit të marsit 2016, ai ishte shpallur i pafajshëm dhe ishte liruar nga gjykatësi francez Zhan Klod Antonetti.
Në shpjegimin e vendimit Antonetti, tha se Shesheli “nuk ishte udhëheqës i vullnetarëve të partisë së tij, Partia Radikale Serbe, sepse ata kanë qenë nën komandën e Armatës Popullore të Jugosllavisë”. Gjykata në atë kohë vendosi se nuk ka ndonjë lidhje konkrete mes “gjuhës së urrejtjes” së Sheshelit me krimet e bëra.

Dy gjykatës të trupit gjykues – kryesuesi Antonetti dhe gjykatësi nga Senegali Niang – ishin të mendimit se Shesheli është i pafajshëm. Ndërsa anëtarja e tretë e trupit gjykues, italiania Flavia Lattanzi kundërshtoi ashpër këtë vendim duke thënë se vendimi për lirimin e Sheshel ishte një gabim i madh dhe i pavlefshëm. Në Kroaci gjatë luftës janë vrarë 20.000, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë mbi 100.000 persona. 72 dëshmitarët në procesin kundër Sheshelit para Gjykatës të Hagës për krime në ish-Jugosllavi, paraqitën shumë argumente për përgjegjësinë e Sheshelit për krimet e bëra nga Lëvizja çetnike serbe, të cilën ka udhëhequr ai në Bosnje e Hercegovinq, Vukovar, Bijeljinë, Bërçko, Nevesinje, në afëri të Mostarit dhe në zonën e Sarajevës. Prokuroria kishte kërkuar denim prej 28 vjet heqje lirie.

Gjykatësit me 11 prill të këtij viti dënuan Vojisllav Sheshelin me 10 vjet heqje lirie – me akuzën për përndjekje, deportim dhe vepra të tjera jo njerëzore, si pjesë e krimeve kundër njerëzimit, të kryera në vendin Hërtkovci në Vojvodinë. Por edhe në këtë proces gjykatësit e liruan Sheshelin ndaj akuzave për krime në Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci. Sheshel kërkon të apelojë vendimin por ai tashmë është përfundimtar: Vojisllav Shesheli denohet për krime lufte me 10 vjet heqje lirie. Këtë dënim ai e ka vuajtur në kohën e paraburgimit në Hagë. Por ky vendim nuk mund të ndryshojë më. Ai është përfundimtar./abcnews.al

BOSNJE-KOMANDANTI-1280x907.jpg
ent ela19:38 | 11/10/2018

Autoritetet në Sarajevë kanë ngritur akuzë për krime lufte ndaj ish-komandantit të myslimanëve-boshnjakë. Atif Dudakoviç akuzohet për vrasjen e 300 serbëve, mes të cilëve civilë dhe ushtarë të dorëzuar.

Komandanti i boshnjakëve myslimanë gjatë luftës së viteve 1992-95 dhe 16 anëtarë të njësisë së tij janë akuzuar të enjten për kryerjen e masakrave ndaj serbëve në perëndim të Bosnjës. Atif Dudakoviç është akuzuar gjithashtu për krime kundër boshnjakëve që ishin anëtarësuar ose kishin mbështetur një fraksion rival në zonë gjatë konfliktit. Nga ana e tij, 65-vjeçari i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar të motivuara politikisht.

Bosnja qeverisej nga partitë nacionaliste serbe, kroate dhe boshnjake gjatë luftës që mori mbi 100 mijë jetë njerëzish. Dudakoviç ishte gjeneral i ushtrisë myslimano-boshnjake që udhëhoqi trupat që vepronin në enklavën Bihaç, e rrethuar dhe e sulmuar nga forcat serbe në vitet 1991-95.

Pas luftës, ai shërbeu si komandant i përgjithshëm i federatës autonome kroato-boshnjake, që më vonë u bashkua me forcat e armatosura të vendit. Sipas prokurorëve të çështjes, të pandehurit akuzohen për vrasjen e 300 serbëve, shumica e të cilëve civilë dhe të moshuar, por edhe ushtarë të dorëzuar. Trupat e një pjese të viktimave u gjetën në varre të shumta masive dhe individuale të zbuluara pas luftës, ndërkohë që për të tjerët kërkimet vazhdojnë.

Dudakoviç dhe 11 anëtarë të njësisë së tij u arrestuan në prill nën akuzën për krime lufte, por më vonë u lanë në liri të mbikëqyrur. Prokurorët kanë deklaruar se do të thërrasin 447 dëshmitarë në proces dhe do të publikojnë 1 mij e 100 dokumente si prova. Tashmë i takon gjykatës shtetërore të Bosnjës për të konfirmuar padinë. /abcnews.al

ministria-1280x850.jpg
ent ela08:40 | 06/10/2018

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se ka pranuar informacionin e konfirmuar zyrtar që autoritetet në Serbi kanë ndaluar edhe një shtetas të Kosovës.

Sipas informacioneve të MPJ-së, shtetasi i Republikës së Kosovës po mbahet në Beograd nga Zyra e Prokurorit Special, me arsyetimin e krimeve të luftës.

Ministria e Punëve të Jashtme ka vlerësuar se “sjellja e autoriteteve serbe karshi shtetasve të Kosovës mbetet e ngjashme me politikat e Millosheviqit dhe veprime të tilla i konsideron thjeshtë si një “gjueti shtrigash” ndaj shtetasve tanë”.

“Autoritetet serbe para se të merren me shtetasit e shtetit fqinj – Republikës së Kosovës do të duhej duhej të merreshin me shtetasit e tyre serb, të implikuar në krimet e luftës, kundër njerëzimit dhe krimeve tjera në Kosovë, gjë të cilën ata kanë dështuar ta bëjë”.

“Kjo është dëshmia më e mirë se në Serbi nuk ka asnjë shenjë keqardhje, pendimi e as kërkim falje ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, sikurse nuk ka pasur as me qytetarët e vendeve tjera në rajon”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëvë të Jashtme, njofton Klan Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka bërë thirrje fqinjit verior që “urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, shteteve të Kuintit dhe komunitetit ndërkombëtar që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Republikës së Kosovës. /klankosova


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono