krijimi

040-1280x853.jpg
ent ela09:50 | 26/12/2018

Forca detare shqiptare po ristrukturohet dhe konceptohet si pjesë e një ushtrie të një vendi të NATO-s. Në 93 vjetorin e krijimit të kësaj force, ministrja e Mbrojtjes Xhaçka tha se misioni i forcave tona detare në detin Egje, në kuadër të Aleancës, do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2019.

Në 93 vjetorin e krijimit të Forcës Detare shqiptare Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, sot kjo forcë, ashtu si gjithë Forca e Armatosur, ka pësuar transformime të thella që i janë përgjigjur kërkesave dhe sfidave të kohës.

Sipas Xhackes forca detare shqiptare është rikonceptuar, ristrukturuar dhe integruar natyrshëm me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura, duke u bërë pjesë e sistemit të mbrojtjes së hapësirës detare të NATO-s.

“Në planet tona afatgjata ne kemi parashikuar zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës Detare, dhe modernizimin e saj me paisje dhe mjete lundruese moderne, trajnimin e personelit me standardet e Aleancës, që t’i përgjigjemi jo vetëm kërkesave tona por edhe atyre të NATO-s..

Ajo gjithashtu bëri të ditur se falë profesionalizimit të treguar nga efektivët shqiptarë, në 24 muajt e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, misioni do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019.

“Tashmë u mbushën dy vjet që nga fillimi i këtij misioni jo të lehtë dhe prezenca jonë atje është tepër e vlerësuar dhe e kërkuar nga drejtuesit e operacionit. Marinarët tanë janë kthyer në heronj dhe kanë shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga mbytja e sigurt në det. Ne jemi të vendosur që të vijojmë edhe vitin që vjen do të jemi sërish prezent në këtë rajon, së bashku me Aleatët tanë”,

93- vjetori i krijimit Forcës Detare përkon edhe 100 vjetorin e lindjes së Kundëradmiralit më jetëgjatë, të Flotës Luftarake Detare, Abdi Matit. Në nder të tij, familja botoi albumin me foto e fakte historike për figurën e Kundëradmiralit dhe të Flotës Luftarake Detare në vitet 1945 – 1992. /abcnews.al

 

 

koza-lara-123.jpg
ent ela16:57 | 16/12/2018

Kompozitori i njohur Kozma Lara na rrëfen emocionet e të jetuarit nën efektin e tingujve muzikorë. “Artisti i merituar” në një intervistë për ABC News rrëfen frymëzimin që ka marrë gjithnjë nga deti i vendlindjes së tij Durrësit në krijimtarinë e tij.

Kozma Lara është padyshim një prej kompozitorëve, të cilët i kanë dhënë shumë muzikës shqiptare. Ai ka lëvruar thujase çdo zhanër të muzikës serioze dhe ku vazhdon të krijojë edhe sot. Ajo çfarë e karakterizon këtë artist është modestia.

“Muzika në përgjithësi që unë e barazoj me tinguj merr jetë sikur të jenë një ose dy tinguj. Ata bëjnë shumë jo vetëm në sferën intelektuale, por edhe në atë të gjallën. Të dyja sëbashku komunikojnë me njëra tjetrën dhe na japin pikërisht atë madhoren, atë që mishërohet në një vepër qoftë e vogël ose e madhe”, tha kompozitori.

Kozma Lara jeton një jetë nën tingujt muzikorë, ndaj ai nuk i reziston edhe improvizimit mbi tastet e pianos. Miqtë e tij artistë në Akademinë e Shkencave nxorrën në pah vlerat e tij në krijmtarinë muzikore, ku Lara jetoi emocione të veçanta. Teksa rrëfen plot pasion për të shenjtën muzikë, pranon se aroma e detit ka qenë një frymëzimi i pashtershëm për profesor Kozma Larën.

“Vij nga një qytet bregdetar që u rrita me ndjenja të fuqishme që mora pikërisht nga deti i pafund. Sa herë që shkoja unë vështroja gjithnjë nga deti për të zbuluar enigmën e pafundësisë. Po s’e gjeta asnjëherë. Kaq ishte i madh deti! Ç’është e vërteta ky ballafaqim me detin, fillova të bisedoj, krijova monologun me të. Siç ishin dallgët njëherë të fuqishme që më ndihmuan me kuptu dramaturgjinë muzikore. Kontrasti midis tyre po edhe numeriteti që ekziston edhe midis tyre”, tha ai.

Por ajo që e gëzon më fort sot është liria. Ai thote se e ka sfiduar edhe diktaturën e kornizave në këtë formë.

“Sot kam kohën në dispozicion. Jam i lirë. Ashtu siç kam qenë i lirë dhe në trajtimin e veprave të mia. E kam sfiduar sipas mendimit të diktaturës, e cila qe sfida e parë. Unë duke qenë pianist e pashë që qysh në këngët kishte qëndrime ideologjike, politike të krijuesve. Unë nuk ia dal thashë. Jam me temperament shumë emocional dhe shkruajta në një literaturë që e pranonte piano. Sfidova pak a shumë atë gjendje shumë të vështirë. Ato ngacmime që jepnin nga koha në kohë dhe kur mora vesh që krijuesit e tjerë, piktorë më vinte shumë keq. Atëherë pse ta bëj unë këtë? Sepse kafshët që ishin në fuqi nuk e kuptonin muzikën serioze”, tha Lara.

E ndjen veten me fat që një pjesë të krijmtarisë e ka botuar dhe brezi i ri. I ka ndër duar partiturat e tij, për t’i luajtur në koncerte të ndryshëm.

“Pjesë të krijimtarisë time është e botuar në kohët e fundit, në tre volume. Janë sonatat e mia. E vështirë në zhanrin simfonik që marrin e i japin njëra-tjetërs pranë. Është ajo që krijon aty përmbajtje të karakterit, atij detit që them unë. Janë kontraste kaq të nevojshme për t’i aplikuar në format e mëdha të muzikës, qofshin këto simfonike apo instrumentale”, u shpreh ai.

Por ai vlerëson edhe pianisten e re Ana Kaçinarin e cila interpretoi sonatën nr. 7 të tij.

“I ra shumë bukur. E kishte kuptuar mesazhin tim dhe interpretimi i saj më shtyu të them se është përfaqësuese e gjeneratës së re. Çfarë mund të bëjë gjenerata e re? Shumë gjëra. Respekton traditën. Me ato veçori që marrin duke i parë me profesionalizëm, me një optikë të re ato karakteristika të reja, bashkëkohore që i kërkon vetë jeta jonë”, u shpreh ai.

Megjithëse aktualisht është i fokusuar tek këngët, ai renditet në sërën e kompozitorëve që lanë pas një thesar të muzikës serioze të gjinive të ndryshme.

“Historia do të evidentojë vlerat e saj. Krijuesit tanë, kompozitorët në atë kohë kanë krijuar vepra ç’është e vërteta, opera simfoni. Sot ka një vakuum. Kur meditojmë sot për krijimtari muzikore, për kompozitorët që kanë shkruar me pasion kjo mungon në kohën e sotme”, theksoi Lara.

Kompozitori i mirënjohur, autor i shumë krijimeve muzikore: kuartete, trio, romanca, rapsodi intervistën për ABC News e përmbyll  me një këshillë për brezin e ri.

“Muzikë do thoja në vazhdim të asaj që kemi krijuar duke respektuar momentet, veçoritë, identitetin kombëtar në përgjithësi, traditën. Vetëm në saj të kulturës që marrin, fitojnë, kulturë e cila jo vetëm të jetë për artin muzikor, por edhe ana tjetër, të njohin letërsinë e këtij vendi, poezinë e këtij vendi. Është një domosdoshmëri për të kompletuar atë që thoni ju se pa këto nuk mundet të krijosh”, përfundoi kompozitori.

/abcnews.al

REZULTATET-NE-SHBA-2-1280x643.jpg
ent ela13:23 | 14/12/2018

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar Kosovën për krijimin e ushtrisë së saj, nëpërmjet ambasadës amerikane në Prishtinë.

Me anë të një deklarate për mediat SHBA-të i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksuan mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës  në forcë me mandat mbrojtës territorial siç është e drejta sovrane e Kosovës. Më tej shtohet se votimi i së premtes në Kuvend ishte hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti. SHBA ndër të tjera bën apel që Prishtina të përpiqet të normalizojë marrëdhëniet me Beogradin në mënyrë që të ulen tensionet.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett uroi qytetarët për Ushtrinë, me anë të një mesazhi në Tuiter ku shkruante se tani më shumë se kurrë Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për pakicat dhe koordim me NATO-n. Sipas tij, SHBA-të do të jenë gjithmonë më Kosovën. /abcnews.al

kOSOVEUSHRI-933x445.jpg
ent ela08:52 | 14/12/2018

Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë sot përfundimisht tri projektligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një forcë me kapacitete ushtarake.

Bëhet fjalë për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të tri këto projektligje janë miratuar në parim gjatë muajit nëntor, më pastaj janë shqyrtuar nëpër komisione parlamentare dhe tani presin edhe miratimin final nga Kuvendi.

Partitë shumicë në Kuvendin e Kosovës tashmë kanë deklaruar se do ta mbështesin këtë transformim të FSK-së. Kurse, deputetët e Listës Serbe, që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë, janë pozicionuar kundër transformimit.

Nëpërmjet këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Transformimi i kësaj Force nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha javën e kaluar se ky transformim po ndodh në një “kohë të papërshtatshme” dhe i tërhoqi vërejtjen Prishtinës se nëse do të ndërmarrë hapin e transformimit “do të përballet me pasoja”.

Por, në Prishtinë deklarata të tilla u panë si reflektim i qëndrimeve të disa vendeve anëtare të NATO-s, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës besojnë se e kanë mbështetjen e nevojshme të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake.

Për dallim nga NATO, e cila ka në përbërje të vet shumë shtete, Qeveria Amerikane përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zhvillimin profesional dhe organizativ të FSK-së, që do të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar si karakterin multi-entik të shtetit, ashtu dhe dedikimin e popullit të Kosovës për paqe”, ka thënë Kosnett.

Autoritetet e Kosovës janë zotuar në vazhdimësi se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Kosova i konsideron si aleate, duke veçuar sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përderisa Forca e Sigurisë së Kosovës do të nisë rrugën drejt shndërrimit në Ushtri, rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë forca paqeruajtëse dhe shumëkombëshe e KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in”.

“Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”, ka deklaruar Haradinaj.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në një raport të publikuar thotë se tranzicioni i FSK-së në ushtri nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm përderisa është një proces që do t’i marrë 7-10 vjet.

“Ndërtimi i kapaciteteve të saj sigurisht se pritet të bëhet bazuar në mbështetjen bilaterale të shteteve përderisa NATO, ashtu sikurse në rastin e mandatit aktual, ka një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për shkak të mungesës së konsensusit. Mandati i kufizuar për qëllime të vetëmbrojtjes është në shërbim të ruajtjes së paqes, jo luftës”, thekson QKSS-ja.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq hapi tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte që kjo Forcë të transformohej në Forcat e Armatosura të Kosovës. Por, një hap i tillë nuk arriti të realizohet për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.

Prandaj, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./REL

 

PUTIN-KOSOVE.mpg_snapshot_00.02-1280x737.jpg
ent ela10:42 | 13/11/2018

Presidenti rus Vladimir Putin mbështet idenë e homologut francez Emanuel Makron për krijimin e një ushtrie europiane. Lideri i Kremlinit u shpreh se ishte normale që Bashkimi Europiane të kërkojë sovranitetin dhe për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

Ideja e një ushtrie europiane nuk është e re por është pozitive në optikën e përforcimit të një bote multipolare. Deklarata është bërë nga presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë qëndrimit në Paris për celebrimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së parë botërore. Në një intervistë për mediat franceze, lideri i Kremlinit u shpreh se propozimi për trupa ushtarake të përbashkëta europiane është bërë më parë dhe nga ish presidenti francez Zhak Shirak.

Sipas tij presidenti francez Makron vetëm sa po e risjell si ide. Një ide që sipas tij është një process pozitiv, dhe Rusia në këtë pikë ndan të njëjtin mendim. Presidenti rus Putin, theksoi se Europa është një bllok i fortë ekonomik, një union i fuqishëm ekonomik dhe në përgjithësi është normale që kërkon të jetë e pavarur dhe sovrane për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.

Në një intervistë disa ditë më parë, presidenti francez Emanuel Makron deklaroi domosdoshmërinë e një ushtrie të vërtetë europiane për t’u mbrojtur nga ushtritë e vendeve si Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një deklaratë që shkaktoi zemërimin e presidentit amerikan Donald Tramp i cili me anë të një mesazhi në Tuiter, i kërkoi Parisit dhe vendeve të tjera europiane, që më parë të paguanin kontributet e tyre për buxhetin e NATO-s.  /abcnews.al

IMG_5325-1280x815.jpg
ent ela12:15 | 21/10/2018

Forcat Speciale kanë festuar 20 vjetorin e krijimit. Astet kombëtar i ka cilësuar  Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka gjatë fjalës së saj e cila i premtoi mbështetje si në trajtimin e tyre, ashtu edhe në modernizimin e batalionit.

Të tilla pamje janë të pazakonta kur flet për Batalionin e Forcave Speciale shqiptare.

Dita e 20 vjetorit të krijimit u shndrrua në festë me pjesëmarrjen e familjarëve të pjesëtarëve të këtij batalioni.

Për të festuar 2 dekada histori e angazhime të njësisë elitë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila vlerësoi maksimalisht kontributin 20-vjeçar të Forcave Speciale.

“Kjo trupë është një aset kombëtar dhe këta djem janë krenaria e Forcave tona të Armatosura, krenaria e vendit tonë, krenaria e secilit prej nesh. Janë heronj të heshtur për të cilët flet vetë historia.

Falë tyre flamuri ynë është valëvitur krenar, përkrah flamujve të aleatëve tanë, në teatrot më të vështira të operacioneve, që nga Mosuli i largët deri tek Kandahari i frikshëm.”

Përgjatë 20 vjetëve, Forcat Speciale ia kanë dalë me sukses të pasurojnë CV-në e tyre me një gjeografi dhe shumëllojshmëri angazhimesh, operacionesh, në vende me rrezikshmëri të lartë, dhe të jenë trupa më elitare e Forcave tona të Armatosura nënvizoi ministrja Xhacka e cila nuk la pa përmendur kontributin e ish-pjesëtarëve të këtij batalioni.

“Përkushtimi, profesionalizmi dhe idealizmi i tyre shërbejnë si frymëzim për brezat që vijnë.”

Gjithashtu, ministrja e Mbrojtjes vlerësoi edhe rolin e veçantë të familjeve të efektivëve specialë, sakrifica e të cilave, sipas saj, ka shërbyer për një Shqipëri më të sigurt.

Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka nuk la pa falënderuar aleatët, SHBA dhe Turqinë për ndihmën e tyre profesionale dhe bujare në përgatitjen e Forcave tona Speciale.

Duke iu drejtuar efektivëve trupave specialë, ministrja Xhaçka premtoi mbështetje, si në trajtimin e tyre, ashtu edhe në modernizimin e batalionit.

“Forcat tona Speciale, kjo forcë e vogël, po me një mision të madh, do të kenë vëmendjen dhe mbështetjen tonë për të marrë vlerësimet e duhura për punën që ata kryejnë.

Siguria sot është mbi gjithçka dhe këta djem, janë këtu pikërisht si gardianë të lirisë dhe të sigurisë së vendit tonë dhe si të tillë duhet të trajtohen ashtu siç e meritojnë.

Gjithashtu, ne do të vijojmë punën që kjo forcë të modernizohet më tej dhe mbetet në lartësinë e detyrës. Jeni vërtet specialë dhe vendi do t’ju jetë përherë mirënjohës për çfarë ju keni bërë dhe vijoni të bëni.”

Ministrja e mbrojtjes kujtoi edhe dëshmorin e atdheut, kapiten Feti Vogli, duke vënë një buqetë me lule në bustin e tij.

Familjarët, por sidomos fëmijët e pjesëtarëve të batalionit të Forcave Speciale u bënë pjesë e një programi argëtimi me animatorë dhe numra cirku.

Me këtë rast, u ekspozuan armatimet, pajisjet dhe mjetet që ka në përdorim batalioni i Forcave Speciale, ku gjithashtu fëmijët ishin frekuentuesit më të mëdhenj.

Në festën e 20-vjetorit të Forcave Speciale morën pjesë gjithashtu shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandantët e forcave, ish-komandantë e këtij batalioni, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, si dhe të ftuar të tjerë. /abcnews.al

 

 

USHTRIA-E-KOSOVES_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.08-1280x650.jpg
ent ela11:42 | 04/10/2018

Ushtria e Kosovës mund të jetë gati për dy muaj, edhe pse ky process mund të zvarritet nga kundërshtimi i Listës Serbe. Një ditë më parë komisioni për punë të brendshme e siguri miratoi pakon e projektligjeve për transformimin e forcave të sigurisë

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së një ditë më parë procedoi për në parlamentin e Kosovës pakon e projektligjeve që i ndryshon mandatin ushtarak Forcës së Sigurisë së Kosovës, por pa i ndryshuar emrin.

Pro këtyre projektligjeve kanë votuar si partitë në pushtet ashtu dhe ato në opozitë, por përfaqësuesi i Listës Serbe kundërshtoi iniciativën për ndryshimin e mandatit të FSK-së.

Njohës të çështjeve politike në vend konsiderojnë që nëse procesi rrjedh normalisht, atëherë transformimi i FSK-së në ushtri do të bëhet brenda dy muajve.

Mirëpo, sipas tyre, Lista Serbe mund ta zvarrisë këtë proces, duke kundërshtuar vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që janë pro transformimit të FSK-së në ushtri. /abcnews.al

USHTRIA-E-KOSOVES-1280x720.jpg
ent ela13:10 | 03/10/2018

Ushtria e Kosovës është një hap larg krijimit, kjo pas miratimit të projektligjeve të transformimit të forcave të sigurisë, nga komisioni i sigurisë në vend. E vetmja që ka votuar kundër ka qenë Lista Serbe

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mbledhjen e rradhës diskutoi tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Kjo bën që krijimi u ushtrisë së Kosovës të jetë vetëm një hap larg.

Kryetari i këtij Komisioni, Haxhi Shala, propozi që tri projektligjet të votohen në pako, meqenëse janë për të njëjtën çështje, dhe më pas t’i dërgohen Kuvendit në seancën e radhës për miratim.

Anëtari i këtij Komisioni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri, tha se këto tri projektligje janë të rëndësishme. Ai theksoi se partia e tij I mbështet dhe shpreson që të të marrin përkrahjen edhe të atyre që e kanë ndihmuar Kosovën, si NATO e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin pro këtyre tri projektligjeve.

Edhe anëtarja e PSD-së në këtë Komision, Aida Dërguti, theksoi se partia e saj është pro miratimit të këtyre projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri.

Forca e Sigurisë së Kosovës, me legjislacionin e ri, do të marrë rolin e ruajtjes së integritetit territorial të vendit, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës. Ndërsa lista serbe ka qenë e vetmja që ëshët shprehur kundër. /abcnews.al

vlcsnap-error268-1280x720.jpg
ent ela14:23 | 13/01/2018

Policia e Tiranës theksoi gjatë ceremonisë së 105-vjetorit të krijimit të uniformave blu se duhet ende punë për të fituar besimin e publikut.  Ndërkohë jashtë ambienteve të policise së shtetit, efektivët e liruar hodhën akuza të forta për kupolën e policisë.

Edhe policia e kryeqytetit ishte pjesë e ceremonies per 105-vjetorin e krijimit të saj. Drejtuesit e policisë së tiranës theksuan se duhet ende punë për të arritur pritshëritë dhe fituar besimin e publikut tek uniformat blu.

Ndërkohë që kolegët e tyre kremtonin ceremonin e krijimit të policisë brenda ambienteve të saj, jashtë në kangjellat e drejtorisë së policisë së shtetit, përfaqësuesit e punonjësve të policisë në lirim, kishin zgjedhur një formë tjetër të përkujtimin të 105-vjetorit. Ismail Elezi theksoi se policia u përdor për kanabizimin e vendit, duke mbartur shumë mëkate në kurriz.

Në fund përfaqësuesit e punonjëve të policëve në lirim pohuan se nuk do te ndalemi deri sa policia te shkoje ne drejtimin e duhur./abcnews.al

 

 

 

vlcsnap-error547-1280x720.jpg
ent ela12:32 | 13/01/2018

Në 105 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi se procesi i reformave do të thellohet në këtë vit që sapo kemi nisur, ndërsa shtoi se sfida e policisë është kapja e ritmit të organizatave europiane.

“Procesi i reformave do të thellohet në këtë vit që sapo kemi nisur.

Kemi tashmë një polici më të përgatitur e reaguese. Jemi të përgjegjshëm për të qenë në standardet e BE”- theksoi ministri.

Rezultatet e arritura, sipas tij nxorrën Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis, në uljen e vrasjeve e aksidenteve.

“Rezultatet e arritura që nxorrën Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis, në uljen e vrasjeve e aksidenteve rrugore, janë tregues i qartë i kapaciteve që ka policia e shtetit”.

Në fajalën e tij ministri përmendi edhe rrezikun e punës së policisë që është në frontin e parë të luftës kundër krimit e paligjshëmërisë, ndërsa shprehu nderim [për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në krye të detyrës

“Trupa  e policisë është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit e paligjshëmërisë dhe rreziku ëhstë më i lartë në krahasim em çdo organ tjetër ligjzbatues. Kujtojmë me respekt ata burra e gra që kanë dhënë jetën në detyrë. Misioni i tyre mbartet sot me dinjitet nga pjesa më e madhe e policisë së shtetit. Puna e tyre nuk mund të njolloset”.

Fjala e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në ceremoninë për 105 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, organizuar në Lezhë
I nderuar zoti Kryeministër, Të nderuar punonjës dhe ish punonjës të Policisë së Shtetit, Të nderuar kolegë ministra, deputetë, Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor, Të nderuar drejtues të misioneve partnere, Data e krijimit të Policisë së Shtetit, 13 Janari 1913, përveçse një pikë referimi në historinë e kësaj organizate, na bën të gjithëve të hedhim vështrimin pas e të nderojmë ata mijëra punonjës Policie që ndër vite kanë shërbyer dhe sakrifikuar, për t’u siguruar rend dhe qetësi qytetarëve në të gjithë territorin e vendit, në përmbushje të një misioni sa civil aq edhe shtetar.
Më sëpari sot është dita t’u bëjmë homazh atij grupi atdhetarësh të kohës, të cilët në zbatim të vendimit të qeverisë së Ismail Qemal Vlorës, ngritën një strukturë, e cila do të merrej me detyra të mbrojtjes së rendit dhe qetësisë, pararendëse, kjo, e Policisë së Shtetit. Në rrugëtimin e saj 105 vjeçar, organizata e Policisë është përballur me vështirësi e sfida të panumërta, të cilat në raste të ndryshme kanë cënuar vetë ekzistencën e saj, si strukturë. Por sot, pas më shumë se 1 shekulli, kemi rastin të themi me krenari se Policia e Shtetit ia arriti t’u mbijetojë sfidave dhe rreziqeve, duke u ngritur e konsoliduar si një institucion ligj zbatues që siguron rendin, qetësinë, jetën dhe pronën e qytetarëve. Trupa e Policisë për vetë detyrën që kryen, është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit dhe paligjshmërisë. Për këtë arsye, edhe rreziku me të cilin ajo përballet, është thelbësisht më i lartë në krahasim me çdo organ tjetër ligj zbatues në vend. Me këtë rast, përkujtojmë dhe nderojmë me respekt ata burra dhe gra që kanë dhënë jetën gjatë kryerjes së detyrës në mbrojtje të ligjit, jetës dhe pronës së qytetarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! Misioni dhe ideali i tyre mbartet sot me dinjitet nga pjesa më e madhe dhe më e shëndetshme e Policisë së Shtetit. Për shkak të kësaj shumice të shëndetshme moralisht dhe të zotë profesionalisht organizata e Policisë së Shtetit gëzon sot një besim relativisht të lartë tek qytetarët. Jashtë çdo pragmatizmi të çdo lloji, deklaroj se kam bindjen që në radhët e Policisë së Shtetit gjenden shumë gra dhe burra, vajza e djem të cilët punojnë me përkushtim dhe me ndershmëri, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave legjitime të qytetarit. Puna e tyre nuk mund të njolloset nga një grup i vogël, performanca e të cilëve bie ndesh me moralin e pjesës dërrmuese të Policisë. Policia e Shtetit ka dhënë prova të vitalitetit dhe jam besim plotë se do t’ja dalë të fitojë edhe këtë betejë me vetveten, më saktë me pjesën e padenjë që ende gjendet në radhët e saj. Sfida e ditës për Policinë e Shtetit është kapja e ritmit të organizatave europiane e të mbërrijë kësisoj në standardet e vendeve të BE-së. Me reformat e gjithanshme të ndërmarra vitet e fundit, qoftë ligjore, infrastrukturore, në burime njerëzore, kemi tashmë një Polici më të përgatitur dhe më reaguese, në mbrojtje të sigurisë publike, jetës dhe pronës së shtetasve. Jemi të përgjegjshëm për të qenë në lartësinë e standarteve të BE dhe jam i bindur se do ta përmbushim këtë detyrim brenda këtij mandati qeverisës. Rezultate e arritura në vitin që lamë pas, të cilat konsistojnë në nxjerrjen për herë të parë të Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis, në minimumin historik të numrit të vrasjeve, në numrin më të ulët ndër vite të aksidenteve rrugore, në vlerat e shumëfishuara të aseteve të sekuestruara të përfituara nga aktiviteti kriminal, në luftën kundër korrupsionit dhe në ndëshkimin e rasteve të evidentuara, janë tregues i qartë i kapaciteteve të Policisë. Të nderuar qytetarë, Në këtë fillim viti dhe në këtë ditë domethënëse për Policinë e Shtetit, dëshiroj të përcjellë qartë mesazhet se procesi i reformave të nisura me synim vendosjen e Policisë më pranë dhe në shërbim të qytetarit, do të thellohet në këtë vit, që sapo kemi nisur. Ne jemi duke realizuar, me mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe kontributin aktiv të partnerëve ndërkombëtar një projekt ristrukturimi të policisë që do ta bëjë atë shumë më prezente dhe më eficente në kontrollin e territorit dhe do të mundësojë një lidhje më të drejtëpërdrejtë të punonjësit të policisë së zonave policore me komunitetin përkatës dhe kryesorja në shërbim të çdo familje e çdo qytetari banorë të atij komuniteti. Operacioni ‘Forca e Ligjit’, siç ka dhe emrin, do të vendosi autoritetin e Policisë së Shtetit dhe punonjësit të Policisë në luftë me krimin dhe organizatat kriminale. Vetëm në dy muaj ka shënuar rezultatet e para premtuese, duke dëshmuar se Policia është e vendosur të godasë intensivisht grupet kriminale, tashmë të identifikuara. Mbështetja e Qeverisë, bashkëpunimi aktiv me prokurorinë dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese në vend si dhe me kontributi i drejtëpërdrejtë i partnerëve ndërkombëtarë në këtë sfidë madhore për të ardhmen e vendit, është një inkurajim dhe garanci e madhe për suksesin që duam të arrijmë. Procesi i Vetting-ut që nis së shpejti do të reformojë në kapacitetet e saj njerëzore Policinë e Shteti duke synuar të promovojë pjesën më të shëndetshme të saj, punonjësit më me integritet, ata më të trajnuarit, më të arsimuarit, të cilët për hir të së vërtetës janë shumicë në këtë organizatë. E gjithë historia e këtyre 27 viteve ka treguar qartësisht se ndikimi, apo më keq akoma përdorimi politik i policisë ka qenë një dështim i madh politik i vetë atyre që e kanë tentuar këtë sipërmarrje. Ne këtë mësim të historisë e dimë shumë mirë. Është shenjë e një sjellje politike jo të pjekur dhe jo në interes të publikut e të vendit sulmi politik që synon ta tregoj Policinë si një organizatë të inkriminuar. Ndaj nga kjo foltore, apeloj fuqishëm për të ndalur dhunën verbale ndaj Policisë së Shtetit. Ashtu sikurse, në çdo rast, kemi ndëshkuar veprimtarinë jo ligjore mes radhëve të Policisë së Shtetit, po aq jemi të vendosur për të reaguar ligjërisht ndaj kujtdo që ngre dorë apo dhunon punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës së tyre. Policia e Shtetit është e Shtetit, dhe jo e Ministrit të rradhës. Ndaj dua të ftoj qytetarët të mbështesin fort Policinë e Shtetit, sepse ajo është e qytetarëve dhe vetëm në shërbim të tyre. Policia ka qenë dhe do të mbetet me shërbimin e saj të sakrificës së përditëshme aleati kryesor i qytetarëve dhe i njerëzve të thjeshtë që dëshirojnë të jetojnë në këtë vend të qetë dhe të sigurtë. Ndaj si Ministër i Brendshëm, inkurajoj dhe mbështes fuqimisht të gjithë punonjësit në uniformë dhe civilë të Policisë së Shtetit të cilët me punën e tyre të mundimshme dhe fisnike u shërbejnë qytetarëve duke u përballur me sfidat e të sotmes dhe të ardhmes. Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të uroj të gjithë dhe secilin punonjës të Policisë së Shtetit: Gëzuar ditën e Policisë! Ju faleminderit judhe familjeve tuaja që ju mbështesin, për gjithçka bëni në mbrojtjes të rendit dhe sigurisë së qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë së bashku duhet dhe do ta fitojmë betejën për një Shqipëri më të mirë dhe më të sigurt, si detyrim ndaj qytetarëve, ndaj të ardhmes Europiane të vendit dhe fëmijëve tanë. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono