KQZ

kqz-mandatet-1280x714.jpg
nev ila21:41 | 22/07/2019

Dhe në fakt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë këtë pasdite asnjë vendim lidhur me shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve Bashkiake të dalë nga votat e 30 qershorit. KQZ shqyrtoi projektvendimet për shpërndarjen e mandateve për këshilla bashkiakë në 6 qarqe, por nuk vendosi shpërndarjen e tyre.

Bëhet fjalë për mandatet e Këshillit të Bashkisë Berat, Shijak, Selenicë, Kurbin dhe Shkodër. 

Pritet që vendimin për këshilltarët e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ta marrë Kolegji Zgjedhor./ABC News Albania 24/7

 

kqz-6-1280x710.jpg
Sej rie18:45 | 15/07/2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  hedh poshtë akuzat e Partisë Demokratike lidhur me zëvendësimin e fletëve të votimit pas ngjarjes së ndodhur në KZAZ nr. 6 Vau Dejës. Zëdhënësja Drilona Hoxhaj thotë se fletët e votimit te porositura në Slloveni, kanë kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, rreth orës 02:00 të mëngjesit të 30 Qershorit. Sipas saj, për shkak se nuk ka punuar sistemi TIMS, janë kryer  procedura të deklarimit të thjeshtuar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike. Nëpërmjet  Sekretarit për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso, selia blu deklaron se fletët e votimit kanë mbërritur në orën 8 të mëngjesit dhe se alibia e mosfunksionimit të sistemit TIMS është qesharake.

Sipas tij, gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor, ndërsa vendimi për këtë porosi është marrë në mbledhjen e 28 Qershorit.

Kaso thotë se ka dy alternativa: Ose Kqz apo dogana të pranojnë se po gënjejnë për llogari të Edi Ramës, ose të dalin para drejtësisë e të shkojnë në burg për shpërdorim detyre./ABC News Albania 24/7

kqz-5-1280x492.jpg
Sej rie11:15 | 12/07/2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumëroi sot 11 kuti të Lezhës, nga ku nuk rezultoi të kishte fletë votimi më shumë se sa votues. Kandidati që ishte ankuar, Eduard Ndocaj, rezultoi që t’i ishin marrë vetëm 4 vota. KQZ rrëzoi kërkesën për shpalljen e pavlefshme të këtyre qendrave të votimit.

Kutitë e Lezhës janë të pastra. Për rreth një orë KQZ numëroi 11 kuti të kësaj bashkie, ku rezultoi se 9 të ishin plotësisht të rregullta dhe vetëm në 2 të kishte pasaktësi me diferencë të vogël votash.

Ndocajt i mungonin vetëm 4 vota, në një qendër votimi një votë i ishte shtuar Pjerin Ndreut, ndërsa në një tjetër 3 vota i ishin shtuar kandidatit të Bindjes Demokratike, Salvador Kacajt.

Në këto kushte, KQZ vendosi të rrëzojë kërkesën e Partisë Konservatore Albania për pavlefshmëri të procesit në këto qendra.

Nga rinumërimi nuk  u  vërtetua as pretendimi i dytë i ankuesve, që pretendonin më shumë vota në kuti, se sa ishin vërtetë votues.

Këto ishin kutitë e para që u hapën për 30 qershorin. Ndërkohë, më herët KQZ refuzoi kërkesën e Bindjes Demokratike për hapjen e kutive në 41 bashki të vendit./ABC News Albania 24/7

kqz-4-1280x714.jpg
Sej rie09:45 | 12/07/2019

Një lloj si PS në vitin 2009, as PD tani nuk do të marrë nga KQZ listën e pjesëmarrësve në votimet e 30 qershorit. Komisioni  argumenton se ky dokument elektoral mban të dhëna personale, e nuk mund të jepet, ndërsa PD do të marrë gjithë informacionet e tjera që janë jashtë kutisë së materialeve zgjedhore, sic janë procesverbalet apo pamjet filmike gjatë numërimeve.

Partia Demokratike nuk do të mundë të verifikojë nëse kutitë e votimit u mbushën apo jo nga komisionerët e Partisë Socialiste.

Kjo pasi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos i japë opozitës listën e pjesëmarrësve në votime, dokument që është brenda kutisë së materialeve zgjedhore.

Komisionerët qendrorë të PS, përdorin sot të njëjtin argument që PD përdori në vitin 2009, kur refuzoi Ramën në fushatën e tij “hap kutitë ose largohu”.

Ndërkohë, KQZ është duke i përgatitur Partisë Demokratike të gjitha materialet e tjera që ka kërkuar, që janë jashtë kutive, si tabelat e rezultateve apo pamjet filmike të të gjitha grupeve të numërimit./ABC News Albania 24/7

kqz-hap-kutite-1280x720.jpg
nev ila21:08 | 11/07/2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar të numërohen 11 kuti votimi në Bashkinë e Lezhës. Ankimimi i kandidatit për kryebashkiak Eduart Ndocaj është përkrahur edhe nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në këtë komision.

Atë që nuk e bëri dot Astrit Patozi, e bëri Eduard Ndocaj.
Kutitë e votimit të 30 qeshorit, do të hapen.

Ky subjekt ndryshe nga Bindja Demokratike e bindi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të numërohen 11 kuti votimi.

 Edhe Partia Socialiste reagon ndryshe nga rasti i Bindjes Demokratike duke thënë se kandidati i Partisë “Kombëtare Konservatore Albania” kishte qendra konkrete me dyshime.

Dorëlëshuar duken socialistët në këtë mbledhje, jo vetëm pranojnë hapje të kutive por paralajmërojnë se do të bëjnë kallëzim penal ndaj komisionerëve të tyre nëse kanë kryer falsifikime gjatë procesit zgjedhor.

Dy vota mjaftojnë që kutitë të hapen. I surprizuar nuk u gjet as kryetari i KQZ-së.

Numërimi i kutive do të nisë të premten në orën 10./ABC News Albania 24/7

astrit-patozi-1-1280x608.jpg
nev ila20:33 | 11/07/2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News me gazetaren Mirela Milori, ka qenë i ftuar Koordinatori i partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi. Duke ndarë opinionin e tij në lidhje me procesin zgjedhor, Patozi tha se “Bindja Demokratike” ka të dhëna për deformim të votës, ai gjithashtu tha se KQZ e goditi që në fillim partinë e tij, duke mos e lejuar të garonte në të gjithë vendin, e për pasojë solli penalizmin e saj. Më tej Patozi deklaroi se do ta ndjekin çështjen e hapjes së kutive edhe më tej, pasi hapja e tyre do të përmbyste rezultatin që është pasqyruar. Për Patozin, zgjedhje të tilla ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë.

“Shqiptarët nuk patën mundësi të dëgjojnë zërin e bindjes demokratike. Ne kemi të dhëna por nuk kemi prova për deformim të votës. KQZ na goditi që në fillim sepse nuk na la të garonim në të 61 bashkitë. Ne na ndodhi që u penalizuam nga KQZ me dominancë socialiste dhe KZAZ 100 % socialiste, nuk u lejuam të kandidojmë në gjithë territorin, na sulmuan kandidatët të cilët u tërhoqën edhe nga gara dhe na u morën votat në tavolinë. Ne kërkuam të ishim të pranishëm në numërimin e votave dhe nuk u lejuam”, deklaroi Patozi.

Mirela Milori: Si do të veproni më tej?

Astrit Patozi: Ne respektojmë bindjen dhe vullnetin tonë dhe zgjedhësve që atë ditë na u përgjigjën në kulmin e një trysnie politike në kushte ekstreme. U ushtrua trysni mbi zgjedhësin shqiptar dhe kjo i bezdisi njerëzit, padyshim dhe e dëmtoi praninë tonë. Ne për qeverinë ishim të padëshirueshëm në zgjedhje. Ne jemi të detyruar që ta ndjekim këtë çështje por nuk kam shumë besim. Ne kemi të drejtën ta kërkojmë hapjen e kutive.

Mirela Milori: Pritshmëritë tuaja a i arritët?

Astrit Patozi: Jo sepse rezultati ynë u coptua që në hyrje, gjatë fushatës dhe në numërim pra në të gjithë procesin. Edi Rama nëse nuk hap kutitë, atëherë duhet ta pranojë që kutitë brenda janë krejt ndryshe nga cfarë janë shënuar. Mund ta bëjnë provë vetëm me një zonë zgjedhore, mjafton që 1 mostër të hapet dhe ne jemi të bindur që rezultati përmbyset dhe kjo e bën procesin edhe më të shëmtuar.

Mirela Milori: E prisnit këtë sjellje nga qeveria e Ramës?

Astrit Patozi: Jo nuk e prisnim në fillim, mendonim që edhe ata kishin interes për praninë tonë, por ata me sa duket kishin ankthin e pjesëmarrjes etj. Zgjedhje në Shqipëri ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë më kurrë sepse ne nuk do dalim nga kjo spirale./abcnews.al

celibashi-ilirjan-1280x615.jpg
nev ila22:44 | 10/07/2019

Ilirjan Celibashi mbrëmjen e sotme në Mbrëmje ABC, me gazetaren Mirela Milori, ka dhënë mendimin dhe versionin e tij për depolitizimin e administratës zgjedhore. Celibashi e sheh të domosdoshme depolitizimin e institucionit të KQZ.

Mirela Milori: Zoti Rama tha në parlament përpara disa ditësh se këto janë zgjedhjet e fundit që administrata zgjedhore është e politizuar, jo vetëm KQZ por edhe administrata do të depolitizohet. Sa reale është kjo?

Ilirjan Celibashi: Në fakt edhe ODHIR në raportet e fundit ka rekomanduar që të shihet mundësia për të patur një administratë të depolitizuar në Shqipëri. Mendoj se jemi shumë herët duke marrë në konsideratë situatën dhe kushtet politike në vend që ne të kemi një administratë të depolitizuar. Unë mbështes fuqimisht këtë rekomandim të ODHIR dhe e shoh si tepër të dobishme që të paktën institucioni i KQZ të depolitizohet. Pra propozimet për anëtarë të KQZ të mos vijnë nga anëtarë të partive politike por të ndërtojnë ost ë shfrytëzojnë një mekanizëm ekzistues i cili na çon të kandidatë që nuk vijnë nga zyrat e partive politike. Kjo është një gjë që mund të funksionojë. Ne kemi dy struktura që i supozojmë jashtë ndikimit partiak dhe jo aq shumë të ndikuara politikisht sikurse janë KLGJ dhe KLP. Kjo zgjidhje mund të na çonte në pasjen e një KQZ-je me anëtarë të cilët nuk vijnë nga zyrat e partive politike. Pra për KQZ duhet dhe mund të bëhet depolitizomi i administratës. Kam mbështetur vazhdimisht idenë, që KQZ mund të përfaqësohej qoftë edhe nga një individ, i zgjedhur me konsensus të të gjitha forcave politike ashtu sikurse është edhe në Kanada, ku që prej vitit 1926 ka patur vetëm 6 kryetarë të Komisionit qendror të zgjedhjeve, të cilët janë larguar nga detyra vetëm kur kanë dhënë dorëheqjen por në të gjitha rastet janë zgjedhur me konsensus të të gjithë palëve. Për sa i përket administratës së nivelit të dytë dhe të tretë në komisionet e qendrave të votimit mendoj që nuk është e dobishme që partitë politike të jenë jashtë procesit. Partitë politike të vazhdojnë të jenë kontribuese në administrimin  procesit zgjedhor por jo me këto të drejta të pakufizuara që ato kanë, sikurse është ajo që mund ta heqin një komisioner kur të duan dhe të emërojnë kur të duan.

I pyetur nga gazetarja Mirela Milori se nëse ishte më e lehtë puna si kryetrar i KQZ, në kohën kur Celibashi ishte kryetar, apo nëse është më e lehtë tani puna në këtë institucion, Celibashi tha se opozita e asaj kohe ka qenë tepër e ashpër e agresive me KQZ ndërsa theksoi se sjellja e qeverisë kur kryeministër ishte Fatos Nano kundrejt KQZ së kohës, ishte model.

Mirela Milori: Nëse do të ishit tani Kryetar i Komisionit Zgjedhor është më e lehtë tani apo ishte më e lehtë atëherë?

Ilirjan Celibashi: Vështirë ta them por me bindje them që në atë kohë presioni politik i palëve ishte shume i ashpër. Qasja e opozitës së kohës kur unë kam qenë kryetar i KQZ ka qenë tepër agresive, shpesh herë duke tejkaluar dhe normat më minimale të qytetarisë. por për meritë të të gjithë anëtarëve të KQZ ja kemi dalë ta fitojmë pak nga pak besimin dhe të opozitës së kohës. në zgjedhjet e 2005 opozita dhe pse jashtë dëshirës së vet u detyrua ta pranonte që veprimtaria e KQZ ishte profesionale, e pavarur dhe transparente. Ndoshta edhe formula e përbërjes së KQZ në atë kohë jepte një lirshmëri më të madhe dhe anëtarëve për të qenë më të baraslarguar nga forcat politike. Dua te them edhe një të vërtetë të madhe: Ka munguar presioni i qeverisë së kohës mbi institucionin e KQZ, edhe mbi mua si kryetar i KQZ. Pas kaq viteve them që sjellja e qeverisë së kohës, në atë kohë ka qenë Fatos Nano kryeministër, ishte model në pikëpamje të raportit me institucionin e KQZ. Ka patur momente të vështira të vendimmarrjes sic ka qenë cështja e kandidatëve të pavarur e cila ka qenë një vendimmarrje e vështirë për KQZ e asaj kohe./abcnews.al

kqzz-1280x724.jpg
Sej rie15:20 | 10/07/2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi disa kërkesa të Bindjes Demokratike e cila kërkoi hapjen e kutive të votimit me dyshimet se ato ishin mbushur fiktivisht. PS dhe KQZ nuk e pranuan kërkesën, me argumentin se partia e Patozit nuk kishte sjellë asnjë provë konkrete për shkelje. Disa ankimime të tjera të Bindjes, janë ende në proces shqyrtimi nga KQZ.

Me argumentin se kutitë e votimit janë mbushur në mënyrë fiktive nga komisionerët e partisë socialiste, Bindja Demokratike kërkoi nga KQZ të hapë kutitë e votimit në 41 bashki të vendit.

Por partia socialiste e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se partia e Patozit nuk kishte sjellë asnjë provë konkrete qoftë edhe për një qendër votimi.

Të njëjtat dyshime ngritën dhe anëtarët e KQZ-së. Pas disa orësh debate, KQZ rrëzoi të gjitha kërkesat që mori në shqyrtim./ABC News Albania 24/7

procedura-bledar-skenderi.jpg
G. P.16:05 | 09/07/2019

Edhe pse numërimi i votave të 30 Qershorit u mbyll brenda 48 orëve, kryetarët e rinj të bashkive nuk do të shkojnë në zyrë deri në fund të muajit. Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi shpjegon për ABC News se shpallja e rezultateve për çdo bashki, do të kalojë më parë në Kolegjin Zgjedhor.

Votat e 30 Qershorit, u numëruan brenda dy ditësh, koha më e shkurtër e historisë së zgjedhjeve tona, por ankimimet dhe vota kundër e Klement Zgurit në shpalljen e rezultateve, do të bëjë që kryetarët e rinj të bashkive të mos shkojnë në zyrë brenda këtij muaji.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi shpjegon se çdo kryetar bashkia fillimisht duhet të konfirmojë fitoren pranë gjykatës së rrethit të tij. Përveç këtyre rregullave zgjedhore, vota kundër e Klement Zgurit që nuk njeh zgjedhjet, bën që çdo vendim i KQZ-së të kalojë detyrimisht në Kolegj.

KQZ po shpall një nga një fituesit e bashkive, por kjo nuk e përshpejton rotacionin e pushteteve. Por a mund të fillojnë punë të zgjedhurit e rinj, përpara 10 gushtit, kur ju mbaron mandati organeve aktuale?

KQZ deri tani ka administruar disa ankimime për rezultatet, ku të paktën 41 ankesa janë regjistruar nga Bindja Demokratike./ABC News Albania 24/7

endi-hasa-1280x661.jpg
ent ela17:58 | 06/07/2019

Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve se ka manipuluar zgjedhjet për qarkun e Elbasanit, për të mbuluar manipulimin e pjesëmarrjes, duke prodhuar dokumenta falco. Ka qenë Endri Hasa nga selia blu i cili denononcoi se në website-in e KQZ sot ka 2 rezultate për Elbasanin.

Deklaratë Partia Demokratike, Endri Hasa

Sa më shumë Partia Demokratike, mediat dhe shoqëria civile zbulojnë skandalet nga manipulimi që iu bë pjesëmarrjes së votuesve në 30 Qershor, aq më shumë fallsifikime detyrohet të bëjë Komisioni Qendror i Vjedhjeve.

Sot, duke tentuar të mbulojë se në kuti ka më shumë vota se votues, KQZ-ja, ka prodhuar dokumenta fallco në shërbim të pushtetit të Edi Ramës.

Rezultati i Bashkisë së Elbasanit është simboli i manipulimit dhe falsfikimit të 30 Qershorit.

Qytetarët janë njohur sot me faktin skandaloz se kandidati i Partisë Socialiste në Elbasan ka më shumë vota sesa numri i fletëve në kutitë e votimit. Nuk janë 100 apo 200 vota. Janë 2861 vota për Edi Ramën më shumë në Elbasan, sesa fletë votimi të gjendura në kuti.

Kjo është matematika e kryeministrit në ikje që nuk di çfarë janë zgjedhjet e lira e të ndershme, që manipulon votat edhe kur është i vetëm në votime.

Këtë matematikë prej hajduti nuk mund ta mbulojë as Edi Rama, as Komisioni Qendror i Vjedhjeve dhe as Taulant Balla.

Për të kuptuar se çfarë është në gjendje të bëjë banda e Edi Ramës për të mbuluar skandalin e mbushjes së kutive dhe të procesverbaleve, po demonstroj disa të dhëna të thjeshta, që provojnë manipulimin.

Me publikimin e skandalit të rezultatit të Elbasanit me 2861 vota më shumë për kandidatin socialist sesa janë gjendur vota në kuti, Komisioni Qendror i Vjedhjeve fallsifikoi një dokument posaçërisht përTaulant Ballën dhe Partinë Socialiste, në mënyrë që banditët me kollare të Edi Ramës të bënin propagandë, duke fallsifikuar të vërtetën.

Dokumenti i parë që zbuloi skandalin është publikuar në faqen e KQZ-së më 5 korrik, në orën 10.39.  Linku i këtij dokumenti, të cilit iu referua media sot, gjendet akoma në ëebsite-n e KQZ-së.

Pas publikimit të skandalit, Komisioni Qendror i Vjedhjeve, shtoi sot një dokument të ri, të prodhuar posaçërisht për Taulant Ballën, me rezultate të ndryshuara. Ky dokument është shtuar sot në orën 12.14, siç provohet qartë nga të dhënat që gjenden në faqen e KQZ-së në internet.

Pak minuta pas shtimit të këtij dokumenti të fallsifikuar nga KQZ-ja, numri dy i Partisë Socialiste, Talant Balla, e publikoi atë në facebookun e tij, duke thelluar me mashtrime të pacipa dhe të paprecedenta krimin e manipulimit të 30 Qershorit.

Ky skandal është unik në llojin e manipulimeve të vëna në zbatim që në orët e para të votimeve të paligjshme dhe antikushtetuese të 30 Qershorit.

Manipulimi është kryer në çdo qendër votimi në të gjitha bashkitë e vendit. Kjo është arsyeja pse Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Denar Bibës nuk I dalin llogaritë. Kjo është arsyeja përse 5 ditë pas mbylljes së numërimit, nuk janë publikuar të dhënat për çdo qendër votimit.

As prodhimi i një dokumenti fallco për të mbajtur në këmbë kryeministrin e refuzuar nga 85 % e shqiptarëve, as propaganda bajate, nuk ka për ta shpëtuar dot pushtetin e kriminalizuar të Edi Ramës.

Shqiptarët nuk kanë për t’u ndalur derisa të largojnë Edi Ramën për t’i dhënë Shqipërisë shansin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Me këtë vendosmëri, do të jemi të hënën në protestë, pa asnjë hap pas! /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono