KPK

altin-dumani.jpg
G. P.15:45 | 30/07/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore për kreun e Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda dhe njëherazi kandidat për Strukturën e Posaçme antikorrupsion Altin Dumani.

KPK e ka zhvilluar hetimin në tre 3 kriteret e vlerësimit, ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Referuar ILDKPI-së, Dumani ka bërë deklarim të saktë dhe nuk ka fshehje pasurie.

Aftësi profesionale shumë të mira dhe DSIK-ja ka deklaruar se Dumani nuk ka kontakte të papërshtatshme. Ajo që ishte e habitshme gjatë kësaj seance është se Theo Jacobs vëzhgues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që njihet për “dorën e hekurt” nuk ka bërë asnjë pyetje, por është shprehur se: “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”.

Altin Dumani shihet edhe si drejtues i ardhshëm i SPAK pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë e renditi atë të parin në listë./ABC News Albania 24/7

SINKRON-KONFIRMOHET-OLSIAN-CELA_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela14:40 | 23/07/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë prokurorin pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Olsian Çela. Kalimi i vetingut nga Çela i hap rrugën zgjedhjes së kryeprokurorit të vendit, garë kjo që zhvillohet mes 4 kandidatësh.

Trupa gjykuese vendosi që të konfirmoje në detyrë subjektin e rivlerësimit Olsian Çelën”

Konfirmimi i tij në detyrë, i hap rrugën garës për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të vendit, ku përballen Olsian Çela, Arta Marku, Fatjona Memcaj dhe avokati Lulzim Alushaj.

Gjithsesi institucioni më i rëndësishëm i hetimit do vazhdojë të drejtohet nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, pasi duhet pritur zbardhja e vendimit të KPK-së, për Çelën,  periudhë kjo që zgjat 45 ditë dhe më pas ka 15 ditë kohë Komisioneri Publik nëse do të bëjë ankimin ndaj këtij vendimi.

Prokurori Çela u përball me Vetingun për tre kriteret e verifikimit, si ligjshmëria e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Në përfundim të hetimeve rezultoi se Prokurori Çela ishte i pastër në të tria kriteret.

Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa e ka drejtuar atë në vitet 2008-2012. Dosjet më të bujshme që ka hetuar janë: Çështja e Mirit të Xhikes, pronarit të Kartodromit, dosjen e trafikut nga grupi “Kompas”, si dhe si dosjen “Xibraka”./ABC News Albania 24/7

kryeprokurori.jpg
G. P.11:35 | 19/07/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore me kandidatin për Kryeprokuror, Olsian Çelën. Hetimi për prokurorin e Krimeve të Rënda është kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës.

Olsian Çela, kandidat për Prokuror të Përgjithshëm doli të premten për seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i pashoqëruar me avokat mbrojtës.

Trupa Gjykuese e përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici ka vlerësuar pozitivisht për tre kritere prokurorin e Shkallës së para për Krimet e Rënda. Për pasurinë, Komisioni i ka kërkuar shpjegime Çelës për një hua, vlerën e marrë nga nëna dhe një shumë prej 1 milion lekësh të përfituar si dëmshpërblim për aksidentin me pasojë vdekjen e babait.

Sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Çela nuk ka pasuri të fshehur. Nga verifikimet ka rezultuar se kandidati për Prokuror të Përgjithshëm ka blerë një apartament  77 m2  në “Don Bosko”,  në 2015 në vlerën e 77 mijë e 500 euro.

Ndërkohë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është shprehur se për Olsian Çelën nuk ka prova, dyshime dhe të dhëna se ai mund të ketë njohje me persona të krimit të organizuar. Nga raporti i Prokurorisë së Përgjithshme Çela është me aftësi shumë të mira profesionale, në drejtim dhe menaxhim të institucionit të akuzës.

Olsian Çela ishte i vetmi që ende nuk i ishte nënshtruar procesit të Vetting-ut, duke mbajtur peng kështu garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa e ka drejtuar atë në vitet 2008-2012.

Më herët kandidati për Prokuror të Përgjithshëm ka hetuar disa dosje të bujshme në vend si ajo e Mirit të Xhikes, Xibrakën dhe grabitjen e parë në Rinas të ndodhur në vitin 2015. Vendimi përfundimtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të jepet mesditën e 23 Korrikut për Çelën./ABC News Albania 24/7

kpk.jpg
G. P.11:22 | 19/07/2019

Pas shkarkimit ditën e djeshme të kandidatit për në Gjykatën Kushtetuese Ilir Mustafaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar mëngjesin e sotëm gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës Anila Guri Kristani, gjithashtu kandidate për në Kushtetuese.

Në përfundim të hetimit administrativ për gjyqtaren Guri, asaj i kanë rezultuar probleme te pasuria. Sipas relatorëve të çështjes në KPK, gjyqtarja nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë ne ILDKPKI, s’ka burime të ligjshme, ndërsa ka kryer fshehje e deklarim të rremë.

Gjatë ditës së djeshme, të njëjtin fat pati edhe një tjetër kandidat për në Gjykatën Kushtetuese. Ilir Mustafaj, gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, rezultoi me probleme me pasurinë. E vetmja kandidate nga gjyqtarët, për në Kushtetuese që ka kaluar vettingun është gjyqtarja Regleta Panajoti.

Ndërkohë, ditën e sotme është konfirmuar në detyrë drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano. Ai ka rezultuar i pastër në të tre shtyllat e vlerësimit. /ABC News Albania 24/7

ILIR-1280x718.jpg
Sej rie14:40 | 11/07/2019

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj, i cili është njëri nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, doli sot për herë të dytë para trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në datën 14 Qershor Mustafaj kishte kërkuar ndryshimin e trupës gjykuese, më konkretisht të gjyqtares Xhensila Pine. Por kërkesa e subjektit te rivlerësimit është rrëzuar.

Gjatë seancës së parë, ai ka shfaqur rezerva për punën e KPK-së. Seanca e kësaj të enjteje ka zgjatur mbi 3 orë, për shkak të debateve midis drejtuesit të seancës dhe gjyqtarit Ilir Mustafaj.

Ky i fundit ka kërkuar shpjegime në lidhje me vendimin për mospërjashtim e Pines dhe moszbardhjen e transkriptit të bisedës së vendimmarrjes së trupës së KPK dhe gjyqtares Xhensila Pine.

Sipas KPK, hetimi për Mustafajn është bërë vetëm për pasurinë. ILDKPI ka dorëzuar raport pozitiv përsa i përket pasurisë se tij. Ndërsa KPK vlerëson se ka mospërputhje në deklarim nga ana e gjyqtarit,për një apartament në vitin 2007./ABC News Albania 24/7

olsian-cela-1280x720.jpg
ent ela12:30 | 27/06/2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkon sërish zyrtarisht Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kryerjen sa më parë të procesit të Vetingut për prokurorin Olsian Çela, kandidat për prokuror të përgjithshëm.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka nisur një letër të dytë KPK-së për këtë qëllim, pasi nuk ka marrë ende asnjë përgjigje pas letrës së parë, të nisur para një muaji e gjysmë.

Olsian Çela është i vetmi nga tre kandidatët prokurorë që nuk ka kaluar akoma Vettingun, i cili është kusht për vijimësinë e procedurave për kreun e Prokurorisë.

Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të kalojë në Vetting vetë kandidatin Lulëzim Alushaj, që vjen nga radhët e avokatisë.

Në garë për prokurorin e përgjithshëm të vendit janë edhe prokurorët Arta Marku e Fatjona Memçaj. /ABC News Albania 24/7

nn-1280x720.jpg
Sej rie12:00 | 26/06/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Prokurorisë për Krime të Renda Eugen Beci. KPK e shkarkoi me arsyetimin se prokurori nuk justifikonte pasurinë si dhe nuk kishte deklaruar refuzimin e vizës nga SHBA. Gjithashtu DSIK e cilësoi si të papërshtatshëm për të vijuar detyrën për shkak se kishte kontakte të papërshtatshme.

KPK u shpreh se për Prokurorin e Krimeve të Rënda kishte qarkulluar një foto në vitin 2015 ku ai është fotografuar në shoqërinë e një presoni të dënuar. Beçi s’dha shpjegime për pasurinë, por kërkoi që fotoja e tij publike me një person që ishte i dënuar të mos merrej parasysh.

Trupa që ka kryer hetime ndaj prokurorit të Krimeve të Rënda kryesohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Roland Ilian. Beci tha se i qëndronte shpjegimeve me shkrim mbi pasurinë, por përsa i përket kontaktit të papërshtatshëm me personin e lidhur me komplotin për vrasjen e Tom Doshit, ai kërkoi që kjo të mos merrej në konsideratë. Prokurori Beci kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK)./ABC News Albania 24/7

SOTIR-KLLAPI-NE-KPK-_ABC-1280x720.jpg
nev ila13:59 | 21/06/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Saida Dollanin, ish-gjyqtaren e dosjes “Shullazi”  pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Valbona Sanxhaktari dhe Lulzim Hamitaj ne vendimin për të konfirmuar në detyrë drejtuesen e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Dollani, vlerësuan se  deklarimet e saj kanë qenë në përputhje me rezultatet e hetimit dhe po ashtu ndaj saj nuk u gjetën probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Nga hetimi administrativ nuk ishin evidentuar probleme në dhurimin e një apartamenti me sipërfaqe 79 m2 në Tiranë, i falur Dollanit prej motrës së saj dhe bashkëshortit të kësaj të fundit, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu pa probleme rezultuan edhe shpenzimet për studimet e dy djemve të gjyqtares në Francë. Disa denoncime, përfshi një denoncim nga Emiljano Shullazi, nuk u morën parasysh nga KPK pasi në to nuk kishte indicie për veprime të paligjshme.

Ndërkohë, nuk është konfirmuar në detyrë gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, për shkak të problemeve me pasurinë. Brahimllari ishte kandidat për Gjykatën Speciale antikorrupsion, SPAK./ABC News Albania 24/7

VLADIMIR-MARA-MBULIM.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela09:45 | 14/06/2019

Edhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Mara, që njëkohësisht është edhe kandidat për SPAK, sipas raportit të ILDKP, nuk ka fshehur pasurinë dhe nuk ka konflikt interesi.

DSIK e ka konsideruar të përshtatshëm prokurorin Mara për vijimin e detyrës dhe të njëjtin vlerësim pozitiv ka dhënë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë lidhur më aftësitë profesionale.

Prokurori i krimeve të rënda Vladimir Mara, është një nga prokurorët që po heton të ashtuquajturën dosjen  “339” .

Po ashtu ai ishte një nga prokurorët e trupës që hetoi dosjen e ish-ministrit Brendshëm Saimir Tahiri, e cila është dorëzuar në Gjykaten e Krimeve të Rënda dhe këtë muaj nis procesi i gjykimit. /ABC News Albania 24/7

KPK-PROKURORJA-E-E-LBASANIT-MBULIM.mpg_snapshot_00.47-1280x720.jpg
ent ela09:00 | 14/06/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Elbasanit Enkelejda Millonai njëkohësisht edhe kandidate për SPAK.

Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit doli dje para komisionit të Pavarur të kualifikimit, në një seancë dëgjimore. Enkeleda Millonai, gjithashtu kandidate për SPAK, është vlerësuar në 43 kriteret e përcaktuar nga vetingu.

Sipas raportit të ILDKPKI, deklarimi i prokurores është i saktë, ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Sipas një raporti të DSIK, drejtuesja e prokurorisë së Elbasanit është e përshtatshme për të vijuar detyrën. Ndërkaq, edhe ne aspektin e aftësive profesionale, vlerësimi ka qenë pozitiv.

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono