Kotzias

Kotzias-Parliament.jpg
ent ela13:47 | 01/03/2018

Në parlamentin grek është folur për negociatat e paktit detar me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias gjatë interpelancës, e konsideroi akordin e 2009-ës si një marrëveshje fantazmë pasi nuk është ratifikuar kurrë në kuvend nga qeveria e mëparshme e koalicionit mes Demokracisë së Re dhe PASOK. “Një marrëveshje e vërtetë që do të zgjidhë çështjet teknike është më mirë se një marrëveshje fantazmë”, është shprehur Kotzias në replikën ndaj deputetes Dora Bakojanis, e cila e ka nënshkruar atë në 2009-ën si Ministre e Jashtme në atë kohë.

Gjithashtu shefi i diplomacisë greke bëri me dije se “mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Greqisë për 9% të sipërfaqes detare, nuk do të ndryshojë të gjithë hapësirën detare të vendit”. Më tej ai nënvizoi se grupi negociator i palës greke përbëhet nga 10 persona, 8 janë zyrtarë të ministrisë së jashtme, një personalitet i të drejtës ndërkombëtare dhe një specialist i hartografisë. Në interpelancë Kotzias foli edhe për polemikat në Shqipëri rreth çështjes së detit.

Nikos Kotzias, Ministër i Jashtëm i Greqisë: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë janë çështje të brendshme të Shqipërisë dhe nuk na angazhojnë për ndonjë gjë. Unë pres një mirëkuptim dhe bashkëpunim. Sa herë që të doni, unë jam në dispozicionin tuaj për t’ju informuar. Nuk është mirë të nxirren përfundime nga raportet e shtypit. Ministria e Jashtme e Shqipërisë po diskuton me presidentin për plotfuqishmërinë. Kjo plotfuqishmëri do të bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që për ne nuk është vendim i duhur”.

Më tej Bakojanis akuzoi ministrin se ka zhvilluar negociatat me Shqipërinë në mënyrë të fshehtë. Ndërsa Kotzias iu përgjigj se kjo është metodologji e Demokracisë së Re dhe jo e SYRIZA-s. /abcnews.al

vlcsnap-error390-1280x720.jpg
ent ela15:06 | 24/02/2018

Në një intervistë radiofonike, ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias u shpreh se opozita në vend po e akuzon pa fakte kur deklaron se ai i ka falur det Shqipërisë. Ndërkohë që javën e ardhshme ai pritet të jetë në parlament për një interpelancë rreth marrëveshjes me Shqipërinë.

Ish-ministrja greke Dora Bakoyannis ka kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e jashtëm Nikos Kotzias për marrëveshjen me Shqipërinë. Vetë Kotzias i është përgjigjur kësaj kërkese në një intervistë për ERT. Ai u shpreh se aktualisht politika e jashtme dhe pse mbetet një fushë interesante është e rrethuar nga lajme të rreme dhe shtrëmbërime të realitetit. Kotzias theksoi se po akuzohet pa të drejtë nga opozita në vend për faktin se mund t’i ketë dorëzuar të gjithë Jonin shqiptarëve. Sipas tij marrëveshja mes dy vendeve është akoma e papërfunduar dhe askush nuk mund ta ketë parë e nuk mund të jetë në dijeni për atë që po ndodh në këtë proces.

Ministri i jashtëm grek u shpreh se për sa i përket çështjes së zonave detare, negociatat janë në fazën ku Presidenti i Shqipërisë duhet të japë autorizimin për skuadrën e negociatave të ministrisë së Jashtme Shqiptare për të negociuar me atë greke. Dhe përderisa ka ende një proces institucional në Shqipëri, opozita greke po akuzon për përmbajtjen e kësaj marrëveshje që do negociohet me detaje pas lejes së Presidentit të Shqipërisë. Kotzias përfundoi reagimin e tij duke thënë se ka njerëz që nuk e kanë idenë e politikës së jashtme dhe si negociohet. /abcnews.al

vlcsnap-error478-1-1280x720.jpg
ent ela11:43 | 21/02/2018

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias foli dhe për çështjen e emrit me Maqedoninë, duke shprehur bindjen se ajo do të zgjidhet deri në verë.

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias u shpreh se FYROM është si një nuse e bukur, e cila e ndryshon mbiemrin pas martesës. Deklarata e tij erdhi menjëherë pas asaj të kryeministrit maqedonas Zaev, i cili tha se qeveria greke nuk ka mbrojtur identitetin e vendit fqinj gjatë kontakteve dypalëshe. Në një intervistë për Reuters kreu i diplomacisë greke tha se cështja ngjasonte me një grua të bukur me emrin Maqedoni, të cilës do i shtohet emri i bashkëshortit të saj.

“Sot ne nuk do ta pagezojmë këtë shtet. Ky shtet përfshin fjalën Maqedoni dhe madje edhe për 140 shtete është pa një identifikim agresiv. Sot ajo që bëjmë është martesa. Ajo është si një nuse e mirë që vjen në martesë dhe pyetet nëse në mbiemrin e saj do të shtojë mbiemrin e burrit të saj “

I pyetur për faktin nëse kryeminsitri maqedonas Zaev gjatë bisedimeve kishte mbrojtur ose jo cështjen e identitetit të Maqedonisë, Kotzias u shpreh Ii kënaqur që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Unë jam i kënaqur që nuk ka referencë për identitetin në të shtatë pikat. Është mirë, sepse identiteti është një emocion personal. Kjo çështje nuk zgjidhet as me votim në parlament apo me referendum”.

Në përfundim ministri i jashtëm grek u shpreh i bindur se çështja e emrit me Maqedoninë do të zgjidhet deri në verë. /abcnews.al

 

vlcsnap-error354-1280x720.jpg
ent ela13:32 | 14/02/2018

Ministrat e jashtëm të Athinës dhe Shkupit do të takohen përsëri në Bullgari ku do të vazhdojnë negociatat për gjetjen e zgjidhjes për emrin e Maqedonisë. Ndërkohë, mediat njoftojnë se në takimin e Vjenës, Kotzias nuk i ka dorëzuar draft-marrëveshjen homologut Dimitrov.

Mediat greke bëjnë me doje se, pas atij të zhvilluar në Vienë, do të ketë edhe një takim tjetër mes ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias. Sipas televizionit shtetëror ERT, takimi duhet të mbahet të enjten. Ndërkaq mediat e tjera publikojnë se është e mundur dhe me siguri të dy ministrat e punëve të jashtme të bisedojnë në margjinat e takimit joroformal Gimnih në Sofje.

“Kotzias dhe Dimitrov sërish do të takohen në Sofje, në këshillin joformal të MPJ-së nga BE-ja me kolegët e vendeve kandidate për integrim”, shkruan televizioni shtetëror grek. Ndërsa, gazeta “Avgi”, që njihet si media afër SYRIZA-s, thekson se gjithnjë e më shumë dendësohen hapat “për zgjidhjen e çështjes së Maqedonisë”.

Lidhur me bisedimet dyditore në Vjenë, përveç kumtesës nga Ministria e Jashtëme greke, që ishte identike dhe e dërguar në të njëjtën kohë me atë nga MPJ-ja të Maqedonisë, në Greqi nuk ekzistojnë detaje shtesë. “Katimerini” dhe “Avgi” zbulojnë se draft-marrëveshjen që Athina duhet t’ia propozojë Shkupit, nuk është dorëzuar në Vjenë.

“Greqia nga ana e saj shprehu interes të vazhdojnë kontaktet derisa Shkupi dhe Athina nuk arrijnë deri te teksti i përbashkët, përkatësisht marrëveshja që propozon Kotzias si bazë për biseda. Në tet-a-tetë, para takimit të tyre të mbrëmshëm me ndërmjetësuesin e OKB-së Mattheë Nimetz, dy ministrat diskutuan për çështjet thelbësore dhe procedurale”, shkruan gazeta “Katimerini”.

Ndërkohë, mediat nënvizojnë se dy palët kanë vullnetin e mirë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për emrin e Maqedonisë, duke parë edhe takimin e fundit në Vjenë mes Kotzias dhe Dimitrov me ndërmjetësin Nimetz i cili zgjati më shumë se 6 orë. Megjithatë, në bazë të raportimeve, palët ende nuk kanë kaluar në diskutimin e temave që cilësohen të vështira. Mediat në Athinë dhe Shkup gjerësisht kanë shkruar se opsioni më i mundshëm që mund të përdoret për emërtimin është “Gorna Makedonia” që do të thotë “Maqedonia e Epërme”./abcnews.al

nikos-kotzias-nikola-dimitrov.jpg
ent ela10:01 | 13/02/2018

Mediat maqedonase raportojnë për një takim sekret mes ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias dhe atij maqedonas Nikola Dimitrov, në Vjenë. Në takimin që pritet të vazhdojë dhe gjatë ditës po diskutohen detajet e fundit të marrëveshjes për cështjen e emrit.

Në Vjenë në orët e mbrëmjes së të hënës ka nisur takimi me dyer të mbyllura mes ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov. Sipas mediave maqedonase në takim është diskutuar për detajet përfundimtare të marrëveshjes për cështjen e emrit të Maqedonisë.

Takimi është konfirmuar dhe nga Ministria e Jashtme maqedonase përmes një deklarate për shtyp, por nuk janë dhënë detaje të tjera. Pritet që takimi të zgjasë dhe gjatë ditës, ku bashkë me dy ministrat e jashtëm do të jetë edhe ndërmjetësi  i OKB-së për emrin Metju Nimic.

Ditë më parë kishte zëra se dy shefat e diplomacisë mund të takohen edhe në Sofje më 15 dhe 16 shkurt në kuadër të takimit joformal me homologët e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve aspirante. Mediat greke gjithashtu shkruajnë për një takim të mundshëm në nivel kryeministrash.

E përditshmja greke, “Ekathimerini” shkruan se me këto takime do të fillojnë negociatat e vërteta “operative”. Ndërsa draft-propozimi që do të përpilohet nga pala greke, do të jetë baza e diskutimeve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Sipas mediave greke, Gorna Makedonija, pra Maqedonia e Epërme, si emër i papërkthyeshëm është më favorshëm nga propozimet e mundshme, megjithëse palët akoma nuk kanë negociuar për identitetin dhe gjuhën

/abcnews.al

vlcsnap-error026-1280x720.jpg
ent ela13:14 | 06/02/2018

“Pres nga Shkupi që më në fund të dalë publikisht të thotë se cili do të jetë përcaktimi i tyre për emrin e përbërë dhe këtë t’ua shpjegojë qytetarëve”. Kështu është shprehur ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një deklaratë për Euronjuz në gjuhën greke. Ai ka pohuar se Athina tani po përgatit terrenin që grekët të pranojnë emrin e përbërë. Por nënvizoi se në Shkup nuk ekziston një përgatitje e tillë.

“Ne e kemi bërë punën tonë. Ende presim që Shkupi, të dalë dhe të thotë publikisht se cili do të jetë mbiemri pas emrit dhe ta shpjegojnë atë para popullit. Ne po e përgatisim këtë dhe siç e shihni ka vështirësi. Nuk shoh se pala tjetër po bën përgatitje të tilla dhe kjo më shqetëson”, nënvizon Kotzias.

Ndërkohë, gazeta greke “To Vima” ka publikuar një dokument për të cilin pohon se përmban propozimet që ndërmjetësuesi i OKB-së, Mattheë Nimetz i ka prezantuar në takimin me negociatorët në Nju Jork. “Republika e epërme e Maqedonisë”, “Republika Veriore e Maqedonisë”, “Republika e Maqedonisë së Vardarit”, ”Republika e re e Maqedonisë” dhe “Republika e Maqedonisë së Shkupit”, janë pesë propozimet e vendosur në projekt-idenë e zyrtarit të OKB-së.

Ndërsa për nacionalitetin ekzistojnë tre opsione: qytetarë maqedonas, qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Epërme ose qytetarë të Maqedonisë së epërme. Ka edhe tri variacione për gjuhën: gjuha maqedonase, gjuhë zyrtare e Republikës së Epërme të Maqedonisë ose gjuhë zyrtare e Maqedonisë së epërme.

Gazeta shkruan se askund nuk përmendet ndryshim i domosdoshëm i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa Nimic ka nënvizuar tre vërejtje. Termi Maqedonia i përkthyer apo i pa përkthyer nuk do të përdoret nga Shkupi si emër zyrtar i shtetit në çfarëdo lloje konteksi. Referenca Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe FYROM, nuk do të përdoret më ndërsa termi Republika e Maqedonisë do të vazhdojë të përdoret për përdorim të brendshëm derisa vendi të hyjë në Bashkimin Evropian. Kurse nga ana tjetër, Athina angazhohet se nuk do të qëndrojë më në rrugën e Shkupit drejt BE-së dhe NATO-së, me emrin e ri, ndërsa gjithashtu do ta mbështes Maqedoninë në përdorimin e shkurtesave “MK” dhe “MKD”./abcnews.al

rama-22.jpg
ent ela10:02 | 23/01/2018

Përfaqësuesi i Athinës për politikë të jashtëme, Nikos Kotzias në mbledhjen e këshillit për punë të jashtëme të BE-së, njoftoi se kryeministri Edi Rama do të takohet me homologun e tij grek, Aleksis Tsipras. Takimi mes dy krerëve të qeverive respektive do të zhvillohet gjatë forumit ekonomik botëror që mbahet në Davos nga data 23 deri më 26 janar. “Informova kolegët e mij për negociatat 3-ditore që mbajtëm në Shqipëri, pas negociatave 4-ditore të zhvilluara në Kretë. Unë i informova ata se negociatat në Shqipëri ishin të suksesshme dhe u dakordësuam në pika ku kishim mosmarrëveshje dhe për çështje të mbetura pezull në 70 vitet e fundit”, shkruhet mes tjerash në një deklaratë të ministrsë së jashtme të Greqisë. Ndërsa nënvizohet se këto zhvillime do të konfirmohen në takimin mes Ramës dhe Tsipras./abcnews.al

pd.jpg
G. P.14:38 | 21/01/2018

Partia Demokratike ka reaguar përmes nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Jashtme, Tritan Shehu, për takimet tre ditore mes ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrit për Punët e Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

“Dy herë u mbars mali, në Kretë dhe në Korçë dhe nuk polli as edhe një mi”, komenton Shehu në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Deputeti demokrat thotë se “pa u larguar nga aventurizmi politik edhe në diplomaci, pa u bërë të besueshëm për partnerët, nuk mund të arrihen marrëveshje të rëndësishme, jo vetëm me Greqinë, por me secilin nga ata”.

Tritan Shehu e mbyll komentin e tij në rrjetin social duke u shprehur: “Fatkeqësisht politikat, së paku aventureske të Rilindjes, e kanë larguar Shqipërine nga ai rol i saj shumë i rëndësishëm për ne e për rajonin, i humbur mbas vitit 2013. Le të shpresojmë e punojmë për kohë më të mira e produktive.”/abcnews.al

vlcsnap-error281-1-1280x720.jpg
G. P.12:33 | 21/01/2018

Ka përfunduar pa një komunikim me mediat në Korçë, dita e tretë e bisedimeve mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë e Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. Sipas njoftimit në axhendë, ministri grek është larguar në mesditë nga Korça.

Nuk dihet nëse më vonë Ministria e Jashtme do ketë një informacion për bilancin e këtyre bisedimeve tre ditore. Mbrëmë, në fund të takimit të ditës së dytë, ishte ministri ynë i Jashtëm, Bushati, ai që deklaroi për mediat, se është bërë progres i rëndësishem në diskutimet për çështjet e hapura mes dy vendeve dhe se e sotmja do ishte një ditë e rëndësishme për këto bisedime.

Ecuria e negociatave këto ditë ishte mbajtur e fshehtë, por çështjet delikate midis dy vendeve, si ligji i luftës, kufiri detar, varrezat e ushtarëve grekë dhe minoriteti grek ne Shqipëri tashmë janë të njohura.

Sipas burimeve paraprake, dakordësia e këtij takimi treditor, do materializonte një takim të nivelit të lartë mes dy kryeministrave Rama e Cipras, në muajin Prill./abcnews.al

vlcsnap-error601-1280x720.jpg
G. P.10:31 | 21/01/2018

Ka nisur sot paradite në Korçë, dita e tretë e bisedimeve mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë e Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias.
Në përfundim pritet të ketë një komunikim të dy ministrave me mediat, ndërsa sipas axhendës, Kotzias largohet në mesditë nga Korça.

Mbrëmë, në fund të takimit të ditës së dytë, ishte ministri ynë i jashtëm Bushati, ai që deklaroi për mediat se eshte bere progres i rendesishem ne diskutimet per ceshtjet e hapura mes dy vendeve, dhe se e sotmja është një ditë e rëndësishme për këto bisedime.

E gjithë ecuria e procesit të bisedimeve gjatë këtyre ditëve është mbajtur e fshehtë, por çështjet delikate midis dy vendeve, tashmë janë të njohura. Bëhet fjalë për ligjin e luftës, kufirin detar, varrezat e ushtarëve grekë dhe minoriteti grek në Shqipëri.

Dakordësia e këtij takimi treditor pritet të materializojë një takim të nivelit të lartë mes dy kryeministrave Rama e Cipras në muajin Prill, ku do nënshkruhen disa marrëveshje./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono