Kotzias

kotzias-dimitrov.jpg
ent ela13:45 | 23/05/2018

Ministrat e jashtëm të Shkupit dhe Athinës do të takohen të enjten dhe të premten në Nju Jork për të negociuar lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit. Nikos Kotzias u shpreh se Greqia nuk pranon asnjë lloj presioni nga Maqedonia.

Shkupi dhe Athina rifillojnë në Nju Jork një raund të ri negociatash për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi u refuzua dhe oferta nga ana e Greqisë që Maqedonia të emërtohet si “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Ministrat e jashtëm, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias do të takohen të enjten dhe të premten në praninë e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Matthew Nimetz. Ndërsa paralelisht do të mblidhen edhe grupet e ekspertëve.

Ministri i Jashtëm grek që ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara, tha se e diskutoi gjerësisht këtë çështje edhe me ndihmës sekretarin e shtetit për Euro-Azinë, Wess Mitchell.

“Nuk na bëhet asnjë presion dhe as pranojmë të na bëhet presion. Por pala amerikane interesohet jashtëzakonisht dhe po përpiqet të kuptojë se në ç’pikë ndodhen negociatat dhe cilat janë pikat e vështira”, u shpreh Kotzias.

Edhe pse nuk pritet që edhe këto bisedime të prodhojnë ndonjë rezultat përfundimtar, Athina dhe Shkupi përpiqet të përshpejtojnë kohën e negociatave. Kjo është dhe një dëshirë e partnerëve të fuqishëm. Pas telefonatës me nënpresidentin amerikan Mike Pence, kryeministrit Aleksis Tsipras biseduar sëfundmi edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel. Shefi i qeverisë greke njoftoi se Merkel shfaqi shumë interes për zgjidhjen e çështjes së emrit. /abcnews.al

kotzias.jpg
ent ela10:17 | 22/05/2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë , Nikos Kotzias po qëndron në SHBA, ku është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo. Pas takimit, shefi i diplomacisë së Athinës tha se mbështet nevojën për të pranuar një nga propozimet e ndërmjetësuesit Methju Nimiç, për çështjen e emrit. Ai thotë se pajtohen me propozimet e të dërguarit të OKB-së, por jo me propozimin e pestë, që është “Republika Maqedonase e Ilindenit”. Ai nënvizoi se pas pranimit të njërit nga propozimet, të shkohet drejt një plani strategjik për bashkëpunim e miqësi me fqiun e veriut, me emrin e ri. /abcnews.al

bushatiii.jpg
G. P.16:03 | 04/05/2018

Ministri Ditmir Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij grek Nikos Kotzias, gjatë ministerialit të ministrave të jashtëm që po mbahet në Selanik. Bushati dhe Kotzias morën në shqyrtim ecurinë e paketës së dakordësuar mes palëve në Kretë dhe Korçë. Dy ministrat vlerësuan përmbylljen me sukses të një pjese të elementëve përbërës të saj dhe shprehën angazhimin për të vijuar me të njëjtin ritëm për të jetësuar zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e rëna dakord.

Ministri Bushati vlerësoi progresin e arritur në takimin e ekipeve negociatore javën e shkuar, ndërsa u shpreh optimist për takimin e radhës që do të zhvillohet në Athinë. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se disa çështje për të cilat palët kanë dakordësi finale janë në zbatim tashmë dhe po punohet për pjesën tjetër të paketës siç është njohja e patentave apo çështjet e kufirit detar dhe tokësor. Në një deklaratë të shkurter pas takimit, ministri Bushati u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve.

“Ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të shkojnë drejt një marrëveshjeje të re. Një marrëveshje që do të jetë e mirë për të dyja vendet. Diskutuam gjithashtu edhe për pjesën tjetër të paketës. Kemi një dokument përsa i përket njohjes së ndërsjelltë të lejeve të qarkullimit”, u shpreh Bushati./abcnews.al

KOTZIAS-NE-SHKUP-1280x720.jpg
G. P.14:07 | 20/04/2018

Ndërmjetësuesi i OKB-së për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës, Methju Nimiç, ka ftuar në një takim të ri, krerët e diplomacise së dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias. Takimi pritet të zhvillohet në Vjenë, më 25 prill. Sipas raportimeve të mediave, ky takim duhet të shërbejë për të tejkaluar dallimet që kanë dalë në pah në takimin e fundit të realizuar në Ohër. Në atë samit, Dimitrov dhe Kotzias lajmëruan se kanë mbetur pa zgjidhur vetëm disa çështje, të cilat u konsideruan si shumë të rëndësishme. Greqia këmbëngul që në marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të përfshihen dhe ndryshimet kushtetuese. Ndërsa Maqedonia kërkon zhvillimin e një referendumi sa i përket emrit të ri që do të propozohet dhe ndryshimeve kushtetuese. Një ndër opsionet e përfolura për emrin e ri është “Maqedonia e Epërme”./abcnews.al

TURI-BALLKANIK-I-KOTZIAS-1280x720.jpg
ent ela11:45 | 14/04/2018

Këtë javë kreu i diplomacisë greke Nikos Kotzias zhvilloi një tur në Ballkan që përfshiu Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën.  Gjatë takimeve me krerët më të lartë në të treja vendet, Kotzias zhvilloi diskutime për çështje që Greqia ka me këto vende ku ra në sy bërja publike e hapjes së zyrës tregtare të Kosovës në Athinë, por që kjo nuk është përfaqësi diplomatike sipas ministrit të jashtëm grek. Detajet na i sjell “Ballkan ABC” i Bruna Çifligut. /abcnews.al

kotziasjpg-2-thumb-large.jpg
ent ela11:52 | 11/04/2018

Turi ballkanik i ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias në Ballkan, ka marrë një vëmendje shumë të madhe nga mediat greke dhe serbe. Ndërkohë që media të tjera shkruajnë se gjatë qëndrimit në Ohër, ai do të nënshkruajë marrëveshjen për emrin përfundimtar të Maqedonisë, i cili do të jetë Maqedonia e Epërme.

Mediat greke shkruajnë se qeveria e kryeministrit Tsipras është e gatshme që të mundësojë hapjen e zyrës diplomatike të Kosovës në Athinë. Lajmi është raportuar në një kohë që ministri i jashtëm grek Kotzias ka ndërmarrë një tur ballkanik.

E përditshmja serbe Politika nga ana e saj shkruan se kreu i diplomacisë greke Kotzias do të qëndrojë fillimisht në Beograd e më pas në Prishtinë dhe Shkup, ndërsa në qendër të bisedimeve do të jetë pikërish  Dialogu ms Kosovës dhe Serbisë.

Në shkrim më tej theksohet se Athina është e pakënaqur me disa veprime të qeverisë së Kosovës, veçanërisht me arrestimin e Marko Gjuric dhe me mundësinë që iu krijua Turqisë për të nxjerrë nga Kosova gjashtë shtetas turq, të auzuar si gylenistë. Kotzias gjatë vizitës në Beograd, pritet të bisedojë me zyrtarët serbë për hapjen e kësaj zyre diplomatike.

Agjencia greke e lajmeve “Protothema”, shkruan se vizita e Kotziasit në Kosovë është e një rëndësie të madhe diplomatike, e parë si një përpjekje për të larguar ndikimin e fuqishëm tradicional turk në Kosovë dhe krijimin e kushteve për të afruar Athinën me Prishtinën.

Por qendra e vëmendjes do të jetë pikërisht në vizitën e ministrit të jashtëm grek në Ohër. Sipas raportimeve, Kotzias me homologun e tij maqedonas Dimitrov, do të përmbyllin marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila më pas do të nënshkruhet nga kryeministrat përkatës.

Ndërkohë Radio Evropa e Lirë raporton se është arritur një marrëveshje përfundimtare për çështjen e emrit të Maqedonisë. Ai do të jetë “Maqedonia e Epërme: ose në anglisht Upper Macedonia, dhe do të jetë ky emri përfundimtar që do të pranohet nga të dyja palët  në marrëveshjen e së enjtes në Ohër në takimin midis ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë. Ndërsa në shënimin Macedonian do të shkruhet se gjuha i takon grupit të gjuhës sllave. /abcnews.al

 

KOTZIAS-VIZITAT-1280x720.jpg
ent ela10:59 | 10/04/2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias nis sot pasdite një tur ballkanik ku do të vizitojë Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Megjithë raportimin e gazetës “Protothema” se në këtë tur përfshihet dhe Shqipëria, Ministria Jonë e Jashtëme konfirmoi që Kotzias nuk do të vizitojë Tiranën. Fillimisht shefi i diplomacisë greke do të udhëtojë për në Beograd, ku vizita e tij ka në thelb forcimin e mardhënieve dy palëshe. Më pas ai viziton Prishtinën. “Megjithëse Greqia nuk e ka njohur Kosovën, vizita e Nikos Kotzias ka një mesazh pozitiv edhe në këtë nivel. Është njëkohësisht një lëvizje e vullnetit të mirë ndaj Tiranës”, shkruan “Protothema”. Ndërkohë, fokusi më i madh do të jetë për vizitën e tij në Shkup. Sipas raportimeve, Kotzias bashkë me homologun e tij Dimitrov do të përmbyllin marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila më pas do të firmoset nga kryeministrat përkatës. /abcnews.al

 

kotziasjpg-2-thumb-large.jpg
ent ela13:35 | 09/04/2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, duke e cilësuar presidenti Erdogan si arrogant thotë se ai nuk mund të ndryshojë kufijt mes dy vendeve. Gjithashtu thotë se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes diplomacisë.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një intervistë për median gjermane, Der Spiegel”, ka folur gjerësisht për mardhënien delikate me Turqinë. Ai nënvizon se qeveria e Athinës dhe as Ankaraja nuk po përgatitet për luftë. “Nuk ka alternativë për paqen; ne duhet t’i zgjidhim problemet tona përmes diplomacisë, në mënyrë paqësore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk ndjekim nga afër sjelljen e fqinjëve tanë”, shprehet Kotzias.

Në intervistë, kryediplomati grek thotë se presidenti i Turqisë ka hyrë në një fazë nervozizmi. Gjithashtu akuzoi Erdogan se është arrogant dhe se mendon se mund të bëjë gjithçka që dëshiron në rajon. Kotzias thotë për “Der Spiegel” se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përshkallëzuar për shkak të presidentit turk dhe ëndrrave të tij për hegjemoni. Për këtë, ministri i jashtëm pati edhe një qartësim.

“E drejta ndërkombëtare është në anën tonë. Erdogan nuk mund të dëshirojë seriozisht të ndryshojë kufijtë e Europës. Ai nuk ka lënë të kuptohet se është duke menduar për diçka të tillë. Por ai provokoi incidente që provonin se vendosi në diskutim sovranitetin grek, dhe në mënyrë indirekte, atë të BE-së, në Mesdhe dhe gjetkë”, shprehet Kotzias. Më tej këshillon Turqinë që të mos nënvlerësojë forcën ushtarake të Athinës. “Miqtë e mi në Turqi duhet patjetër të kuptojnë se përgjigja jonë për provokimet, madje edhe për ato të një natyre ushtarake, nuk duhet të interpretohet si dobësi”, thotë kryediplomati grek.

Ndër të tjera, Kotzias tregoi dhe se i kishte thënë presidentit Erdogan gjatë vizitës që zhvilloi në Athinë se “Allahu ka vendosur që tokat të jenë pranë njëri-tjetrit dhe Ai i shikon veprimet tuaja dhe pret që ju të veproni në mënyrë racionale dhe morale”. Gjithashtu kërkoi lirimin e dy ushtarëve grekë të arrestuar në territorin e Turqisë duke thënë se dorëzimi i ushtarëve që kalojnë vijën kufitare mes dy vendeve ishte një praktikë që zbatohej rregullisht mes tyre./abcnews.al

kocias-bushati.jpg
ent ela10:33 | 28/03/2018

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias do të takohet me homologun shqiptar Ditmir Bushati këtë të enjte. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmon për ABC News se axhenda e takimit janë çështjet që priten të marrin zgjidhje, një prej të cilave është edhe marrëveshja për kufirin detar dhe heqjen e ligjit të luftës nga qeveria greke.

Ministri i Jashtëm grek do të ndalojë për disa orë në Tiranë rreth mesditës të së enjtes për të udhëtuar më pas drejt Vjenës konfirmon Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ku do të zhvillojë bisedime me homologun maqedonas për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Kjo vizitë vjen 10 ditë  pasi presidenti i Republikës Ilir Meta lëshoi autorizimin për fillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e “shellfit kontinental”, problemit që ka mbajtur të vështira marrëdhëniet mes të dy vendeve që nga viti 2010. Qeveria aktuale do të duhet të negociojë me Greqinë një marrëveshje të re, e cila do të duhet të ratifikohet dhe dekretohet para se të hyjë në fuqi./abcnews.al

1-16.gif
ent ela19:38 | 22/03/2018

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias mbërriti pasditen e së enjtes në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, që nuk mban më emrin “Aleksandri i Madh”. Vizita zyrtare ka në fokus çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe sipas raportimeve të mediave vendase, Kotzias ka zhvilluar tashmë një darkë pune me homologun Nikolla Dimitrov. Të premten ai do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi dhe figura të tjera të klasës politike. Bisedimet, ku do të prezantohen variantet përkatëse për zgjidhjen e kontestit dypalësh, do t’i paraprijnë takimit të përbashkët me ndërmjetësin e OKB-së Metju Nimiç. Ndërkohë, gjatë së enjtes një grup qytetarësh protestuan përpara selisë së Ministrisë së Jashtme në Shkup kundër vizitës së Kotzias dhe kundër bisedimeve për ndryshimin e emrit. Pasi ndaluan për një moment përpara hotelit ku qëndron shefi i diplomacisë greke, qytetarët deklaruan se të premten do të manifestojnë sërish.

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono