korfuz

NOTARET-E-HUAJ-KSAMIL.mpg_snapshot_00.03-1-1280x720.jpg
ent ela15:30 | 01/09/2019

70 notarë të huaj nga vende të ndryshme të botës morën pjesë në një garë notimi që nisi nga birgjet e Ksamilit deri në ishullin e Korfuzit. Për fat të keq në këtë event që kishte për qëllim promovimin e turizmit dhe një homazh për ata që u arratisën nga diktatura me not drejt Greqisë, nuk mori pjesë asnjë notar shqiptar.

Një event ndryshe. Një grup të rinjsh të huaj, djem e vajza, përshkuan me not distancën nga Pema e Thatë në Ksamil drejt Korfuzit.

Djem e vajza, 70 notarë në garë për 2 milje. Kush është më i shpejti nga Pema e Thatë në drejtim të brigjeve greke Kasiopi.

Erdhën nga vendet e largëta. Notarë nga Austria dhe Zelanda e re.

Grupi i të huajve mbërritën me jahtin e tyre nga Korfuzi në Ksamil.

Është vitit i dytë i një eventi të tille. Kalimi me not nga Pema e Thatë në ishullin e Korfuzit. Interesi duket më i madh pasi dhe numri i pjesëmarrësve është rritur.

Qëllimi është promovimi i turizmit, trashëgimisë kulturore. Por edhe homazh për të gjithë ata shqiptarë që në diktaturë tentuan të kalonin kanalin e Korfuzit me not. Drejt Greqisë për një jetë më të mirë.

Fatkeqësisht në grupin e notarëve  pjesë e këtij evenimenti nuk ishte asnjë shqiptar.

Deri në ujërat kufitare ndarëse mes Shqipërisë dhe Greqisë grupi i notarëve u shoqërua edhe nga skafi i policisë kufitare të Sarandës. Në anën tjetër u prit nga skafi i policisë greke. /ABC News Albania 24/7

berat-morti-1280x720.jpg
ent ela12:10 | 09/01/2019

U përcoll për në banesën e saj të fundit, Anxhelina Petro, 28-vjeçarja që u vra barbarisht nga babai i saj Aleko Petro, disa ditë më parë në Greqi.

Kortezhi udhëhiqej nga e motra e Anxhelinës, Klea, e cila mbante në duar fotografinë e viktimes dhe kurora me lule.

Familjarët e Anxhelinës nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për mediat, ndërkohë që nuk dihet nëse u lejuan të marrin pjesë apo jo në varrim familjarët e babait të vajzës. /abcnews.al

MBULIM-VRASJA-NE-KORFUZ-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela14:33 | 05/01/2019

Mjekja ligjore e Korfuzit që ka ekzaminuar trupin e pajetë të Anxhelinës, të resë që u vra nga babai i saj, ka bërë publike detaje tronditëse. Ndër të tjera ajo theksoi se viktima ishte përpjekur të mbrohej nga goditjet e shumta të babait të saj.

52 vjeçari Alekso Petro, i akuzuar për vrasjen e të bijës, Anxhelina, është dërguar të shtunën në mesditë te prokurori i Korfuzit, për të dëshmuar mbi rrethanat dhe motivet e aktit të rëndë kriminal.

Ndërkaq, mjekja ligjore e Korfuzit, Krisavgji Kousi, që bëri ekspertizën e trupit pa jetë të 29 vjeçares, ka dhënë detaje rrënqethëse.

Sipas raportit të saj viktima është goditur shumë herë. Ka shtatë goditje, të paktën ato që dallohen në kokë. Më pak në trup. Gjymtyrët, sidomos duart, kanë shumë shenja goditjesh. Kafka ishte deformuar dhe kishte shumë fraktura në anën e majtë.

Mjekja ligjore sqaron se vajza është përpjekur të mbrohet dhe këtë e dëshmojnë goditjet në pjesën e mbrapme të parakrahëve, aty ku ka ngritur duart lart që të mbronte fytyrën dhe kokën. Ajo theksoi se goditjet i janë dhënë me shumë zemërim dhe se nuk e kuptonte se si një prind mund të vrasë në këtë mënyrë fëmijën e tij.

Më tej, Kousi u ka tha gazetarëve se nuk do të fliste më si mjeke ligjore e Korfuzit, por si njeri. Ajo u shpreh e revoltuar kur autori i viktimës i kishte shkuar në zyrë për ekzaminim duke qarë. “U përpoqa sa munda të ruaja gjakftohtësinë, mirëpo, si njeri u revoltova. Po të mundja në ato momente të reagoja, besomëni, do të kisha reaguar. Mirëpo duhej të ruaja pozicionin tim dhe profesionalizmin. Nuk është thjesht një krim monstruoz, është një kafshëri,” përfundoi ajo. /abcnews.al

petro.jpg
G. P.13:40 | 04/01/2019

Dashuria e ekzagjeruar për të bijën, këmbëngulja për të komanduar jetën e saj, janë këto disa nga arsyet që shtynë Aleko Petron të vrasë vajzën e tij në Korfuz. Deklarata u dha nga avokati i vrasësit në një intervistë për mediat greke.

Avokati i Aleko Petros, që akuzohet për vrasjen e vajzës së tij Anxhelina, ka treguar detaje të reja mbi debatin mes të dyve që pati përfundim tragjik. Duke folur për televizionin “Star”, avokati Vasilis Nulezas, përgënjeshtroi faktin se autori i vrasjes kishte ushtruar edhe më parë dhunë ndaj të bijës.

Sipas avokatit, “ajo çka shkaktoi krimin e tmerrshëm, ishte dashuria e ekzagjeruar, interesimi i jashtëzakonshëm dhe këmbëngulja e tij e pajustifikueshme që të vendoste për jetën personale, profesionale dhe shpirtërore të vajzës së tij”.

Avokati tha se Aleko kundërshtonte lidhjen e të bijës me shtetasin afgan, jo për motive raciste. Po për faktin se që nga Nëntori 2017 ajo ishte larguar nga i ati dhe të afërmit e tjerë. Avokati tha se Petro nuk ishte nën ndikimin e alkoolit gjatë kryerjes së krimit. Sipas avokatit, vrasja nuk ishte e paramenduar.

Pas debatit ai e goditi me levën e hekurit që ishte pranë sobës. Vajza u hodh nga dritarja, nga një lartësi 2 metra që të shpëtonte. Aleko e ndoqi dhe finalizoi aktin kriminal, pasi iu errësuan sytë.

“Është penduar, qan vazhdimisht”, tha avokati.

Ai shtoi se Aleko Petro i tha që do të donte të ishte ai në vend të vajzës së vrarë dhe se në gjyq nuk do të kërkojë të shqyrtohet asnjë rrethanë lehtësuese./abcnews.al

qeni.jpg
G. P.12:51 | 04/01/2019

Rezultatet e hetimit të policisë greke ndoshta nuk do të ishin kaq të shpejta nëse nuk do të ishin ndihmuar nga Roki, qeni i Anxhelina Petros. Qeni besnik i vajzës shqiptare drejtoi hetuesit në vendin ku Aleko Petro kishte varrosur të bijën e tij 29-vjeçare. Edhe sot, Roki qëndron jashtë derës së banesës duke pritur që Anxhelina të kthehet.

Vajza 29-vjeçare u qëllua më shumë se 7 herë me shufër hekuri në kokë nga babai i saj Aleko Petro. Pasi i mori jetën, 52-vjeçari e varrosi më pas në oborrin e pasmë të shtëpisë së tij në Korfuz. At e bijë fillimisht kishin debatuar, pasi Aleko nuk pranonte lidhjen e vajzës së tij me një djalë afgan. Mjeku-ligjor tha se Anxhelina kishte pësuar trauma në kokë nga goditjet e njëpasnjëshme. Vrasja e saj ishte brutale, tha mjeku-ligjor. Alarmin në polici e dha i pari i dashuri i Anxhelinës, i cili u shpjegoi hetuesve se Aleko Petro grindej vazhdimisht me vajzën për shkak të lidhjes së saj. I dyshuari kryesor i policisë ishte pikërisht babai 52-vjeçar.

Fillimisht ai u kërkoi autoriteteve që t’i gjenin vajzën dhe mohonte përfshirjen në ngjarje. Por dyshimet e policisë ishin të sakta. Deklaratat e tij kontradiktore bënë që pas disa orësh ai të pranonte krimin e rëndë. Kurse me ndihmën e qenit të Anxhelinës u gjet vendi ku ishte varrosur 29-vjeçarja. Aleko Petro tha më vonë se ishte penduar dhe nuk donte të vriste vajzën. /tvklan.al

an.jpg
G. P.10:15 | 03/01/2019

Një krim makabër ka ndodhur në Korfuz të Greqisë ku një shqiptar ka vrarë vajzën e tij 28-vjeçare dhe më pas ka fshehur trupin e saj në kopshtin e shtëpisë. Anxhelina Petro u shpall e humbur nga policia helene dy ditë më parë dhe u denoncua nga i dashuri i saj.

Mediat shkruajnë se babai shqiptar është minoritar grek nga Shqipëria dhe ka pranuar autorësinë e krimit pasi zbuloi lidhjen intime që vajza e tij kishte me një shtetas afgan. Ka qenë pikërisht partneri i 28-vjeçares që ka denoncuar në policia pasi ajo nuk ishte paraqitur dje në punë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Alepu në Korfuz. 28-vjeçarja ka humbur jetën pas goditjeve të forta me armë të ftohta në kokë.Vrasësi është detyruar të dëshmojë pas këmbënguljes së policisë dhe gabimeve të shumta që e kanë tradhtuar gjatë hetimit policor./abcnews.al

ministria-e-jashtme.jpg
ent ela10:04 | 04/12/2018

Në përgjigje të interesit të medias në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Korfuz ku humbi jetën një shtetas i Republikës së Shqipërisë, zëdhënësja e MEPJ Edlira Prendi, bëri me dije se: “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbradhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”. 

korfu.jpg
G. P.17:40 | 03/12/2018

Mediat greke kanë publikuar identitetin e shqiptarit të vrarë në Korfuz më 25 Nëntor. Viktima është Petrit Zifle 63 vjeç. Autori i krimit është një 44-vjeçar banor i zonës, i cili u arrestua pak ditë pas vrasjes. Ai pranoi krimin para hetuesve, ndërsa gjykata e ka lënë në burg. Shtypi grek shkruan sot se autori është një anëtar i partisë naziste “Agimi i Artë”. Ai madje ka qenë përfaqësues i “Agimit të Artë” në zgjedhjet që janë mbajtur në fshatin Lefkimi të Korfuzit.

Konflikti mes 63-vjeçarit Zifle dhe autorit nisi në një lokal të zonës. Sipas mediave vendase, 44-vjeçari ishte përfshirë në një bisedë me të pranishmit për çështjen e emrit të Maqedonisë duke marrë shkas nga marrëveshja mes dy vendeve. Ai ofendonte Maqedoninë dhe qytetarët e tjerë jo grekë. Në këtë pikë të debatit ndërhyri edhe shqiptari Petrit Zifle. Mes të dyve nisi konflikti, ndërsa 44-vjeçari e kërcënoi me vrasje. Për të ndarë sherrin ndërhynë klientët e tjerë që ndodheshin në lokal.

Por, 44-vjeçari anëtar i “Agimit të Artë” ishte larguar dhe kishte shkuar të merrte armën. Ai i ngriti kurth 63-vjeçarit dhe e qëlloi për vdekje me çifte. Më pas trupin e tij e kishte hedhur në një kanal në anë të rrugës, që u gjet një ditë më pas nga kalimtarë të rastit. Banorët e zonës thanë se shqiptari Petrit Zifle jetonte prej vitesh në Korfuz dhe nuk kishte konflikte me askënd. Mediat lokale kanë ngritur problemin e personave me prirje nacionaliste, sikurse janë ata të “Agimit të Artë”, ndërsa vdekjen e shqiptarit e kanë konsideruar si një “vrasje fashiste”. /tvklan.al

gjiknur.jpg
G. P.11:34 | 01/08/2018

Më shumë linja transporti me Korfuzin dhe në një të ardhme të afërt edhe një aeroport në Sarandë. Kështu është shprehur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë vizitës në disa biznese të reja hotelerie në Sarandë dhe Ksamil.

Rritja e numrit të turistëve në jug të vendit ka nxjerrë në pah kërkesën për shtim të linjave të transportit me Greqinë, madje edhe planifikimin e ndërtimit të një aeroporti në Sarandë.

Në këtë përfundim arriti ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në takimin me operatorë turistikë në Sarandë e Ksamil.

“Pra më shumë linja transporti me Korfuzin, pse jo në të ardhmen e afërt edhe një aeroport në Sarandë. Shpresojmë që me partneritet të huaj, të kemi mundësinë të ngremë një aeroport turistik në Sarandë. Ne po punojmë, Saranda e ka këtë mundësi dhe do të ofrojë një ekonomi shkalle të tillë që ta justifikojë bërjen e një aeroporti turistik”, tha Gjiknuri.

Sipas ministrit Gjiknuri, zgjatja e sezonit turistik do të mund të krijojë mundësinë për të gjetur edhe fuqi punëtore më të përgatitur, e cila të ofrojë shërbimet në këto zona. Në emër të qeverisë tha se investimet në zonat bregdetare kanë nisur dhe do të vazhdojnë me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono