Korea e Veriut

raketa-korea-e-veriut-1280x717.jpg
nev ila13:59 | 31/07/2019

Koreja e Veriut ka hedhur të martën dy raketa të reja jo të identifikuara nga bregu i saj lindor. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet koreano-jugore.

Kjo ndodh në më pak se një javë nga hedhja e dy raketave me rreze të shkurtër, të projektimeve të reja, të cilat ranë në detin e Japonisë pasi fluturuan në një lartësi prej 50 kilometrash. Ndërsa udhëtuan për rreth 430 e 690 kilometra secila

Nuk është ende e qartë të cilit lloj janë raketat por Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan ngjarjen. Sipas CNN raketat nuk kanë qenë në asnjë moment rrezik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ABC News Albania 24/7

pompeo-1.jpg
G. P.09:55 | 30/07/2019

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën se shpreson që bisedimet në nivel grupesh pune për të rigjallëruar bisedimet e çnuklearizimit me Korenë e Veriut mund të ndodhin “shumë shpejt”, por theksoi se nuk është planifikuar ndonjë një takim tjetër mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Shpresojmë se shumë shpejt mund të kemi diskutime në nivel grupesh pune,” i tha zoti Pompeo një audiende në Klubin Ekonomik të Uashingtonit, një ditë para se të nisej për në Azi.

I pyetur për mundësinë e një samiti tjetër midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, ai shtoi: “Nuk ka plane. Nuk ka asgjë të planifikuar”.

Zoti Pompeo dhe Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, pritej të takoheshin në periferitë e një konference të ASEAN-it për sigurinë në Bangkok këtë javë.

Ndërsa një burim diplomatik i tha agjencisë së lajmeve Reuters javën e kaluar se ministri Ri e kishte anuluar udhëtimin e tij në konferencë, sekretari Pompeo shfaqi shpresën për një rrugë diplomatike, pavarësisht se Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi më 25 korrik.

Një takim Trump-Kim në Vietnam në muajin shkurt dështoi, pasi dy palët nuk arritën të sheshojnë dallimet ndërmjet kërkesave të Uashingtonit për një çnuklearizim të plotë dhe kërkesave të Koresë së Veriut për lehtësimin e sanksioneve.

Që nga takimi i tyre historik i 28 qershorit në Zonën e Çmilitarizuar që ndan të dy Koretë, Pheniani ka akuzuar Uashingtonin për shkelje të premtimit, pasi ka planifikuar të zhvillojë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut në muajin gusht.

Koreja e Veriut ka paralajmëruar se do t’i japë fund moratoriumit të provave bërthamore dhe të testimit të raketave me rreze të gjatë veprimi.

DIPLOMACIA DHE PHENIANI

Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) do të takohen në Bangkok më 2 gusht, për një forum rajonal. Krahas çështjeve diplomatike aty pritet të diskutohet edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ndërkohë fati i bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit dhe Phenianit mbetet i paqartë, në kushtet kur Pheniani këmbëngul për lehtësim të saksioneve përpara çarmatimit të plotë e të verifikueshëm bërthamor.

Koreja e Veriut iu bashkua Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore në vitin 1985, por për vite të tëra nuk pranoi monitorim nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ndërsa i kërkonte forcave amerikane të tërhiqeshin nga Koreja e Jugut.

Në fund të vitit 2002, Pheniani i largoi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe njoftoi se në uzinën e tij bërthamore do të riniste puna pasi Organizata e Gadishullit Korean për Zhvillim Energjitik (KEDO) pezulloi furnizimet me naftë, që ishte pjesë e kornizës për të cilin ishte rënë dakort më 1994-n. Në janar të vitit 2003, Koreja e Veriut u largua nga traktati bërthamor i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT).

“Qeveria jonë deklaron se tërheqja nga Traktati, i cili ishte pezulluar në mënyrë të njëanshme dhe të përkohshme, do të hyjë në fuqi automatikisht dhe menjëherë”, njoftoi tranmetuesi i Koresë së Veriut, KRT.

Por pas këtij momenti në Pekin në gusht të vitit 2003, filluan bisedimet mes dy Koreve, Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Rusisë dhe Kinës, për shkak të shqetësimeve se Veriu po rriste rezervat me armë me plutonium.

Në përfundim të katër raundeve të bisedimeve në shtator 2005, të 6 vendet ranë dakord për një marrëveshje kuadër sipas së cilës Pheniani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor në këmbim të një ndihme të madhe ekonomike dhe furnizim me energji elektrike si dhe di t’i jepej fund izolimit të tij diplomatik.

Një vit më vonë në tetor 2006 Koreja e Veriut kryen një provë me një pajisje bërthamore, ç’ka nxiti vendosjen e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Prej këtij momenti Koreja e Veriut kryen 6 prova me armë bërthamore më e fundit në vitin 2017.

Në prill të 2018, Kim Jong Un dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in premtuan të punojnë për “çarmatimin e plotë të gadishullit Korean”, në takimin e parë ndër-korean pas më shumë se një dekadë.

Më 24 maj 2018 Koreja e Veriut njoftoi se kishte çmontuar tërësisht objektin e saj të provave bërthamore Punggye-ri. Të 6 provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kryer aty, në tunelet e gërmuara nën malin Mantap në verilindje të vendit.

Aktualisht bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Phenianit kanë ngecur.Më dy gusht Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) pritet të takohen në Bangkok, për një forum rajonal. Krahas çështjeve diplomatike pritet të diskutohet edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Mbatja e këtij forumi vjen ndërsa më 23 korrik 2019-s, agjencia shtetërore e lajmeve e Phenianit njoftoi se Kim Jong Un inspektoi një nëndetëse të madhe të ndërtuar rishtazi, duke sinjalizuar çuarjen më tej të një programi raketash balistike (SLBM) që lëshohen prej nëndetëseve.

Njoftimi vjen ndërsa ka sërisht vonesa në rifillimin e bisedimeve mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni vazhdon të kërkojë që Koreja e Veriut të heqë dorë nga programet e saj të armëve bërthamore e të raketave.

Kim Jong Un po zbaton një moratorium për testimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe armëve bërthamore, ndërsa është angazhuar në bisedimet për çarmatim bërthamor me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë ai ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me mungesën e lëshimeve nga pala amerikane dhe ka thënë se do të presë deri në fund të vitit që Uashingtoni të tregojë fleksibilitet.

Koreja e Veriut i ka ngrirë provat me armë bërthamore e raketave balistike ndërkontinentale prej vitit 2017. Presidenti Trump e ka përshëndetur vazhdimisht këtë gjë duke e cilësuar si një triumf të përpjekjeve të tij diplomatike, pavarësisht aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak në Korenë e Veriut./VOA

KOREA-INTELIGJENCA-1280x720.jpg
ent ela23:43 | 29/01/2019

Pritshmëritë e presidentit Donald Trump nga takimi i dytë me liderin koreano-verior Kim Jong Un janë zbehur nga një raport i inteligjencës kombëtare, që thotë se vendi aziatik nuk do të heqë kurrë dorë nga armatimi bërthamor.

Korea e Veriut nuk ka gjasa të heqë dorë nga i gjithë arsenali i saj bërthamor dhe e ka vazhduar aktivitetin e pasurimit pavarësisht zotimeve për asgjësimin e tij. Deklarata është bërë nga shefi i Inteligjencës Kombëtare amerikane, Den Kots dhe bie ndesh me pretendimet e presidentit Donald Trump për progres në marrëdhëniet me Penianin. Sinjalizimet e zyrtarit të lartë, të bëra gjatë një raportimi në Senat, vijnë pak javë përpara takimit të dytë mes Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong un, nga i cili presidenti amerikan shpreson të shënojë një arritje në politikën e jashtme. Por raporti i publikuar nga Kots vë në dukje se pavarësisht se Peniani nuk ka kryer më teste raketash bërthamore, ai e ka çmontuar vetëm pjesërisht infrastrukturën e tij atomike dhe mund ta riaktivizojë atë në cdo moment.

“Ne besojme se Korea e Veriut nuk do të heqë dorë nga i gjithë armatimi i saj bërthamor dhe kapacitetet prodhuese, edhe pse po përpiqet të negociojë çarmatosjen e pjesshme për të përfituar koncesione nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Kots.

Shefi i inteligjencës ka shtuar se, të dhënat e paraqitura bazohen në vëzhgimet që u janë bërë disa aktiviteteve në vendin e izoluar aziatik, të cilat sugjerojnë të kundërtëtn e pritshmërive amerikane, pasi regjimi vendas e sheh armatimin bërthamor si një mjet për mbijetesë. /abcnews.al

POMPEO-PER-IRANIN-1280x720.jpg
ent ela11:32 | 24/08/2018

Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo ka emëruar të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve në Korenë e Veriut. Gjithashtu ai njoftoi se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Phenian, në vizitën e tij të katërt në vendin komunist.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo emëroi Stephen Biegun si përfaqësues special në Korenë e Veriut. Gjithashtu njoftoi se bashkë me të, do të udhëtojnë në Phenian javën e ardhshme. Do të jetë udhëtimi i katërt i Pompeo në regjimin totalitar, por, ndërsa zyrtarët shpresojnë se do të kenë mundësinë të angazhohen drejtpërdrejt me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se “nuk ka plane për një takim” me Kim gjatë kësaj vizite. Lideri suprem shpërfilli Pompeon gjatë raundit të fundit të takimeve në Korenë e Veriut në fillim të muajit të kaluar, të cilat kanë shkuar shumë keq sipas burimeve të CNN.

Sekretari amerikan i shtetit njoftoi punësimin e Biegun të enjten. Ai është një ish ekzekutiv tek kompania e automjeteve Ford, dhe ish-anëtar i lartë i stafit të këshilltares së sigurisë, Condoleezza Rice, në administratën e Xhorxh W. Bush, i cili thuhej se ishte një kandidat i mundshëm për të zëvendësuar ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të presidentit Trump, McMaster. Biegun merr rolin e të dërguarit të posaçëm në Korenë e Veriut në një kohë kur bisedimet mes dy vendeve duket se janë ngadalësuar në lidhje me çështjen e çarmatosjes bërthamore.

Burime diplomatike thanë për CNN se SHBA i ka prezantuar Koresë së Veriut propozime specifike për një rrugë dhe afat kohor për denuclearizimin. Por këto janë hedhur poshtë nga Kim Jong-un, i cili thotë se qëndrimi i SHBA-së është prej “gangsteri”. Vlerësimi më i fundit i programit bërthamor të Koresë së Veriut i lëshuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore vë në dyshim angazhimin e Phenianit për çarmatosjen bërthamore mes aktiviteteve të vazhdueshme në vende të caktuara në vend dhe pamundësisë për inspektorët ndërkombëtar për të hyrë në ato vende. /abcnews.al

download-6-1280x944.jpg
G. P.11:58 | 15/08/2018

Janë të shumta takimet e rëndësishme që pritet të ndodhin këtë vjeshtë në arenën politike ndërkombëtare. Listës sapo i është shtuar një tjetër takim i mundshëm mes presidentit rus Putin dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong un. Lajmi është konfirmuar nga vetë kreu i Kremlinit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, është gati të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un sa më shpejt. Lajmi është publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve në Penian KCNA, në një moment kur gadishulli korean po përgatitet për një sërë takimesh të rëndësishme.

Kreu i Kremlinit ka ftuar më parë Kim Jong Un dhe presidentin koreanojugor, Moon Jae In në Forumin Ekonomik të Lindjes, të parashikuar më 11 dhe 13 shtator në Vladivostok. Ende nuk dihet nëse lideri i Koresë së Veriut i është përgjigjur kësaj ftese.
Në një mesazh që i drejtohet Kim Jong Un, me rastin e ditës kombëtare të çlirimit që përkujton në Korenë e Veriut fundin e pranisë

kolonizatore japoneze në vitin 1945, presidenti rus ripërsëriti sipas KCNA-së, propozimin e tij për një samit.
“Pohoj se jam gati që t’ju takoj në një datë të afërt për të diskutuar për çështjet urgjente të lidhura me marrëdhëniet dyplëshe dhe çështjet e rëndësishme në rajon”, deklaroi Putini në një mesazh të cituar nga agjencia KCNA. Megjithatë, në këto deklarata nuk përmendet asnjë datë./abcnews.al

vlcsnap-error218-1280x720.jpg
us er22:32 | 10/01/2018

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai i Koresë së Jugut, Moon Xhae-in u dakordësuan për konsultime të ngushta lidhur me dialogun me Korenë e Veriut. Ndërkohë, më herët Moon Xhae-in theksoi se rivendosja e bisedimeve mes koreve është meritë e Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë një bisede telefonike me homologun e tij koreanojugor Mon Xhae-in, ka thënë se vlerëson dialon mes dy Koreve. Sipas tij këto bisedime mund të çojnë në hapjen e negociatave për denuklarizimin e vendit komunist dhe do të sjellë hipoteza për mbledhje mes Uashingtonit dhe Penianit në kohën e duhur dhe kushtet e përcaktuara. “Dy liderët kanë rënë dakord të zhvillojnë konsultime të ngushta rreth drejtimit të bisedimeve Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga presidenca e Seulit.

Biseda e tyre telefonike, vjen pas deklaratës së Mon Xhae-in, i cili tha se merita kryesore, për rihapjen e bisedimeve mes dy koreve pas 2 vitesh shkëputje, i takon Trump. Presidenti i Koresë së Jutu paralajmëroi Penianit se do të përballem me sanksione më të ashpëra nëse provokimet vazhdojnë.

“Mendoj se presidenti Trump ka merita të mëdha për rivendosjen e bisedimeve mes dy koreve. Unë dua t’i tregoj atij mirënjohjen time. Ato mund të kenë ardhur si rezultat i funksionimit të presionit dhe sanksioneve të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara”, tha Mon Xhae-in në një konferencë për shtyp. Gjithashtu kreu i shtetit tregoi ambicjet e tij lidhur me negociatat. “Raundi i parë i bisedimeve ishte për përmirësimin e marrëdhënieve mes Veriut dhe Koresë së Jugut”, theksoi Mon Xhae-in duke nënvizuar se qëllimi kryesor i bisedimeve është trajtimi i çështjes së denuklarizimit të Penianit./abcnews.al

vlcsnap-error687-1280x720.jpg
us er19:12 | 09/01/2018

Në mbledhjen e parë pas dy viteve mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut janë arritur disa marrëveshje. Peniani ka pranuar zhvillimin e bisedimeve me Seulin për uljen e tensioneve ndërsa ka përjashtuar negociatat për programin e saj bërthamor. Koreja e Veriut ka pranuar edhe dërgimin e një delegacioni në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rënë dakord për mbajtjen e bisedimeve ushtarake për të ulur tensionin ndërkufitar. Ky zhvillim ka ardhur pas mbledhjes së parë të nivelit të lartë që është mbajtur pas më shumë se 2 vitesh. Peniani do të dërgojë një delegacion në Lojërat Olimpike Dimërore të 2018 që zhvillohen në Korenë e Jugut në muajin shkurt. Mësohet se në të do të përfshihen pjestarë të Komitetit Olimpik Kombëtar, atletë, nxitës tifozësh, interpretues të artit, spektatorë, një ekip demonstrues taekwondo dhe media në lojërat olimpike. Ndërsa Jugu do të ofronte lehtësitë dhe pajisjet e nevojshme.

“U arrit gjithashtu marrëveshje për të rivendosur një linjë telefonike ushtarake të pezulluar dy vjet më parë”, tha qeveria e Seulit. Megjithatë Koreja e Veriut tha të martën se nuk do të diskutojë për armët e saj bërthamore në bisedimet e ardhshme me Seulin, sepse ata synojnë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe jo “vëllezërit” në Korenë e Jugut.
Pas një dite negociatash, të dy palët dolën me një deklaratë të përbashkët. Sipas dokumentit, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut do të bisedojnë edhe për zona të tjera të pacaktuara në bisedimet e nivelit të lartë për të përmirësuar marrëdhëniet. Kjo bëhet e ditur nga agjencia e lajmeve e Seulit, Yonhap.

“Jugu i kërkoi Veriut t’i jepte fund çdo akti armiqësor që mund të rriste tensionet, ndërsa Veriu ra dakord lidhur me nevojën për të garantuar një mjedis të qetë në gadishull”, tha një deklaratë qeveria e Seulit. Ndërkohë, sipas mediave ndërkombëtare, kreu i delegacionit të Koresë së Veriut në fjalën e tij hapëse të takimit ishte suhmë neutral. Ri Son-guan tha se shpreson që bisedimet do të sjellin një “dhuratë të mirë” për vitin e ri dhe se Peniani kishte një “qëndrim serioz dhe të sinqertë”.

Takimi i parë pas dy vitesh mes dy vendeve u mbajt në Panmunxhom, një zonë kufitare e demilitarizuar që ndryshe cilësohet si fshati i paqes. Në bisedime morën pjesë 5 zyrtarë të Koresë së Veriut dhe 5 të Koresë së Jugut. Ndërsa lideri Kim Jong-un dhe presidenti Mon Xhae-in e kanë ndjekur takimin me anë të raportimeve televizive./abcnews.al

vlcsnap-error763-1280x720.jpg
us er12:40 | 07/01/2018

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë përcaktuar përbërjen e delegacioneve që do të marrin pjesë në takimin e parë mes dy vendeve që prej 2015. Qëllimi kryesor i këtij takimi është pjesëmarrja e Penianit në Lojërat Olimpike Dimërore.

Dy koretë kanë dakordësuar përbërjen e delegacioneve respektive që do të marrin pjesë të martën në takimin e parë të nivelit të lartë që zhvillohet mes dy vendeve pas më shumë se 2 vitesh. “Delegacioni i Koresë së Veriut do të përbëhet nga pesë anëtarë dhe kryesohet nga Ri Son-gëon, i cili kryeson Komitetin për Bashkimin e Koresë në vendin e tij”, njoftoi Ministria për Unfikimin e Koresë së Jugut.

Seuli propozoi të shtunën të dërgonte një delegacion të udhëhequr nga ministri i Unifikimit Cho Myoung-gyon, i cili do të përbëhej nga katër persona të tjerë, dy zëvendësministra të Unifikimit dhe dy zëvendësministra të sportit. Të premten, Peniani pranoi propozimin e Koresë së Jugut për të mbajtur një takim në Panmunjom më 9 janar për të diskutuar dërgimin e një delegacioni të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore që fillojnë në shkurt dhe zhvillohen në PyeongChang të Koresë së Jugut.

Vendimi erdhi pasi lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un në fjalimin e fundvitit shprehu dëshirën e tij për të përmirësuar mardhëniet dhe për të dërguar një delegacion në PyeongChang. Nga ana tjetër Seuli dhe Uashingtoni ranë dakord të shtynin zhvillimin e manovrave ushtarake vjetore, të cilat regjimi komunist i Penianit i konsideron një provë për pushtimin, deri pas Lojrave Olimpike Dimërore. Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në PyeongChang dhe një mirëkuptim më i mirë mes dy koreve, të cilat mbesin teknikisht në luftë, mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve rajonale pas 2017, të shënuara nga testet e vazhdueshme raketore të Koresë së Veriut dhe toni luftarak i presidentit amerikan Donald Trump./abcnews.al

vlcsnap-error073-1280x720.jpg
us er11:33 | 03/01/2018

Koreja e Veriut ka rihapur pas dy vjetësh linjën telefonike me Korenë e Jugut. Ky zhvillim është konfirmuar nga zyrtarët e Penianit. Ndërsa telefonata e parë është zhvilluar gjatë ditës së sotme.

Koreja e Veriut ka rihapur linjën telefonike në Korenë e Jugut, gati dy vjet pasi ishte çaktivizuar me urdhër të liderit Kim Jong-un. Seuli zyrtar konfirmoi se gjatë të mërkurës kishte marrë një telefonatë nga Veriu në 15:30 me orën lokale. Udhëheqësi i Koresë komuniste më parë kishte thënë se ishte i hapur për dialog me Seulin dhe për të dërguar një ekip në Olimpiadën Dimërore në jug muajin e ardhshëm.

Të dy vendet nuk kanë mbajtur bisedime të nivelit të lartë që nga dhjetori i vitit 2015. Koreja e Veriut preu menjëherë kanalin e komunikimit, duke refuzuar ti përgjigjet thirrjeve, sipas autoriteteve në Jug. Ndërsa një zyrtar i Koresë së Veriut njoftoi rihapjen e linjës telefonike në një deklaratë televizive. Ai tha se të dy vendet do të diskutonin mbi çështjet praktike rreth një propozimi për të dërguar një delegacion të Koresë së Veriut në Lojrat Dimërore në Pyeongchang në shkurt. “Ne do të kemi kontakt të ngushtë me Korenë e Jugut në një mënyrë të sinqertë dhe besnike”, shkruan agjencia e lajmeve Yonhap duke cituar zyrtarin e Penianit.

Zyra e shtypit e presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se rivendosja e këtij kanali të komunikimit ishte “shumë domethënës”. “Ai krijon një mjedis ku komunikimi do të jetë i mundur në çdo kohë”, nënvizon zyra e shtypit.

Sipas Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, ekzistojnë gjithsej 33 linja të drejtpërdrejta që Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë përdorur më përpara për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kjo linjë telefonike e veçantë, e themeluar në vitin 1971, është e bazuar në Panmunjom. Fshati kufitar, në zonën e çmilitarizuar, është vendi ku dy koretë kanë biseduar historikisht. Në një fjalim të Vitit të Ri, lideri suprem Kim Jong-un foli për uljen e tensioneve dhe shkrirjen e “marrëdhënieve të ngrira Veri-Jug”. Ai tha se pjesëmarrja në Lojërat do të ishte “një mundësi e mirë për të treguar unitetin e njerëzve” në Korenë e Veriut. Nga ana tjetër Seuli është shprehur i gatshëm të mirëpresë sportistët e Penianit./abcnews.al

vlcsnap-error516-1-1280x721.jpg
us er22:23 | 27/12/2017

Sekretari Amerikan i Shtetit, Reks Tillerson, ka rënë dakord me homologun e tij rus, Sergej Lavrov për të vazhduar mënyrën diplomatike për krizën me Korenë e Veriut. Në një bisedë telefonike, dy zyrtarët theksuan se Peniani nuk mund të jetë fuqi bërthamore.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se udhëheqësit e diplomacisë amerikane dhe ruse, Rex Tillerson dhe Sergei Lavrov, kanë rënë dakord për të vazhduar iniciativat diplomatike për krizën me Korenë e Veriut. Dakordësimi u arrit pasi dy burrat e shtetit folën me telefon një ditë më parë. “Ata diskutuan shqetësimet mbi programin bërthamor destabilizues të Republikës Popullore Demokratike të Koresë dhe kanë theksuar se as Shtetet e Bashkuara dhe as Rusia nuk mund ta pranojnë që Koreja e Veriut të jetë një fuqi bërthamore”, tha Heather Nauert , zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gjatë bisedës mes Lavrovit dhe Tilersonit, ministri i jashtëm rus ka theksuar se retorika agresive nga Uashingtoni nuk kontribuon për të ulur tensionin në gadishullin Korean. Rusia propozoi që të jetë ajo ndërmjetësja në rast të bisedimeve të mundshme midis Uashingtonit dhe Penianit. Tillerson më herët ka deklaruar se është për gjetjen e një zgjidhje diplomatike, por administrata e Donald Trump rregullisht i ka kujtuar kryediplomatit amerikan se të gjitha opsionet janë në tryezën e Penianit. Në tetor, presidenti i SHBA vlerësoi se Sekretari i tij i shtetit po “humbiste kohën e tij”, duke u përpjekur për të negociuar me regjimin e Kim Jong-un.

Në një raport mbi prespektivat e vitit 2018 të bërë publik të martën, Koreja e Jugut parashikon se Pheniani do të kërkojë hapjen e negociatave vitin e ardhshëm me Shtetet e Bashkuara lidhur me programet e saj të armëve dhe se do të tentojë në të njëjtën kohë edhe të afrohet me Seulin zyrtar./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Xhevahir Qardaku


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono