konsultime

anila-denaj-2.jpg
ad min14:26 | 29/08/2019

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur konsultimet publike për projektligjin e Fiskalizimit, që parashikon futjen në përdorim të faturës elektronike për të gjitha bizneset. Ministrja Anila Denaj, siguroi bizneset se ky projektligj do t’u krijojë lehtësi dhe të do të nxisë konkurrencën e ndershme.

Nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te administrata tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri-tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Është ky qëllimi i projektligjit mbi “Faturën dhe Monitorimin e Transaksioneve”, apo thënë ndryshe projektligjin për fiskalizimin që tashmë i është nënshtruar konsultimit publik me grupet e interesit.

Sipas Ministres Anila Denaj projekt-ligji parashikon të ulë kostot për një kategori të caktuar me shërbim falas, si dhe duke ofruar një aplikacion që do të mund të shkarkohet pa pagesë.

Me miratimin e projektligjit ministria e Finacave dhe Ekonomisë pretendon të mos ketë më fshehje apo të dhëna të manipuluara, taksapagues që nuk paguajnë pjesën që u takon./ABC News Albania 24/7

okb.jpg
nev ila23:30 | 24/06/2019

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Hong Kongut që të tregojë maturi në lidhje me ligjin e ekstradimit, duke i sugjeruar konsultime me aktorët ndërkombëtarë. Ndërkohë, aktivistët e të drejtave të njeriut në rajonin autonom të Kinës kanë paralajmëruar sërish protesta.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Mishel Baçelet u bëri thirrje autoriteteve në Hong Kong që të zhvillojnë konsultime të gjera përpara se të miratojnë ligjin e ekstradimit, që shkaktoi protesta masive në rajonin autonom të Kinës.

Manifestimet ndaj projektligjit futën në krizë qytetin, duke i hapur sfidën më të fortë presidentit kinez Xi Jinping që nga marrja e pushtetit në vitin 2012. Guvernatorja e Hong Kongut, Kerri Lam e pezulloi përkohësisht draftin që do t’i lejonte ish-kolonisë britanike të ekstradonte në Kinën mëmë disidentët politikë.

Por aktivistët kanë bërë thirrje për anulimin tërësor të tij dhe kanë paralajmëruar protesta të reja së shpejti.

“Inkurajoj autoritetet që të konsultohen gjerësisht përpara se të miratojnë këtë apo çfarëdo ligji tjetër”, deklaroi Baçelet në Këshillin e OKB për të drejtat e njeriut, që nisi të hënën sesionin trejavor.

Baçelet tha se do të vazhdojë të ngrejë edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Kinën, siç është ajo e komunitetit ujgur. Ekspertët e OKB-së deklarojnë se rreth 1 milionë ujgurë mbahen në qendra burgimi në provincën Xinjiang të Kinës.

Nga ana e tij, Pekini, që është vend anëtar i forumit 47-anëtarësh, është i prirur të mos i aprovojë këshillat dhe sugjerimet./ABC News Albania 24/7

balla-2.png
ad min11:26 | 31/10/2018

Presidenti Ilir Meta nisi sot konsultime me palët politike për caktimin e datës se zgjedhjeve vendore që mbahen vitin e ardhshëm. Drejtues  të tre partive kryesore Taulant Balla, Edmond Spaho dhe Luan Rama, kanë zhvilluar takime të veçanta me kreun e shtetit në presidencë.

Është koha për të vendosur datën e zgjedhjeve të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja që kryetari i grupit parlamentar socialist po i drejtohet institucionit të presidencës. Është i pari në listën e të thirrurve për konsultime nga Presidenti i Republikës. 30 minuta më pas, Taulant Balla informon se një prej dy të dielave të fundit të muajit Qershor 2019 parashikon Kodi Zgjedhor për zgjedhjet lokale.

“Janë cituar dy të dielat e fundit të Qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Ka pasur në fakt nga operatorët turistikë një kërkesë për një datë më herët se fundi i Qershorit, por sigurisht që kjo është një çështje që i takon edhe dakordësisë mes të gjithëve. Megjithatë presidenti do të bëjë këtë proces konsultash. Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton Presidenti dhe Kodi Zgjedhor”, tha Balla.

Pas takimit me Presidentin e Republikës të kryetarit të grupit të deutetëve socialistë ishte e radha e Edmond Spahos që ndryshe nga kolegu i tij hyri me makinë. E po kështu doli duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat mbi propozimin në emër të grupit parlamentar demokrat.

Ndryshe bëri partia tjetër në opozitë. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, qëndroi më gjatë pasi siç tha në dalje kishin shqetësime jo me vendosjen e datës, por me standardet e zhvillimit të zgjedhjeve.

“Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale dhe lobimi kriminal natyrisht nuk mund të bëjë tjetër veçse t’i kthejë reston grupimeve kriminale. Ky është shqetësimi i madh dhe për sa kohë nuk ka vëmendje, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar ajo e para veten dhe zgjedhjet nga krimet pastaj çdo gjë tjetër është formale”, tha Rama.

Pas konsultimeve me partitë politike, Presidentit të Republikës i duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj pasi i mbaron mandati të zgjedhurve të njësive të qeverisjes vendore./abcnews.al

olta-xhacka.jpg
ad min12:52 | 10/06/2018

Drafti për statusin e minatorit është duke u shqyrtuar dhe së shpejti do t’i nënshtrohet konsultimeve publike. Deklaratën e bëri ministrja e Mbrojtjes, Olta  Xhaçka, në takimet që zhvilloi me banorë të qarkut Dibër.

Shumë shpejt çështja e statusit të minatorëve do të ketë zgjidhje përfundimtare. Garancinë e dha ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, nga turi llogaridhënës në Bashkinë e Klosit.

Olta Xhaçka: “Çështja e statusit të minatorit nuk ka patur asnjëherë mungesë vullneti nga ana jonë. Kemi qenë gjithmonë ne që e kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Sot kjo çështje ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj”.

Më konkretisht për draftin foli zëvendësministri i Infrastrukkturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.

Olta Xhaçka: “Në këtë moment që flas unë, drafti përfundimtar ka ardhur në ministrinë tonë dhe në Ministrinë e Financave. Presim një “OK” nga Ministria e Financave, një akordim ligjor me Ministrinë e Drejtësisë. Kryeministri e kërkon me ngulm këtë, pasi kjo i kërkohet në të gjitha llogaridhëniet në veri. Nuk duam të përsëritet me minatorët historia e naftëtarëve. Është çështje javësh”.

Në takimet e zhvilluara në njësitë administrative Gurrë e Suc të qarkut Dibër, banorët kanë shprehur shqetësim për aksin Milot-Burrel-Klos-Peshkopi, për të cilin zv/ministri Shkreli u shpreh se do të ketë një rehabilitim të kësaj rruge deri sa të bashkohet me rrugën e Arbrit./abcnews.al

KONSULTIMET-SHKRELI-NE-HAS-E-KUKES-1280x720.jpg
ent ela12:21 | 13/04/2018

Konsultimet për tarifën e Rrugës së Kombit kanë vazhduar edhe me banorë të Hasit dhe Kukësit. Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli tha se po vijohet paralelisht negocimi me koncensionarin.

Është radha e banorëve të Hasit dhe Kukësit të dëgjojnë se sa do të paguajnë për të kaluar në rrugën e kombit. Nuk ka ende asnjë shifër konkrete pasi qeveria është në fazë negocimi me koncensionarin ua bëri të ditur zëvendës ministri i Infrastukturës dhe Energjisë Artan Shkreli.Debati që shtrohet aktualisht sipas Shkrelit nuk ka të bëjë me nëse do të ketë apo jo një kalim me pagesë pasi kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë aset nga degradimi tha ai.

“Idea këtu nuk shtrohet më që ta bëjmë rrugën me Toll apo pa Toll. Rruga pa Toll do të thotë një rrugë që nuk mirëmbahet dhe gjithë ato miliarda që janë harxhuar do shkojnë drejt degradimit”, u shpreh Shkreli.

Zëvendësministri Shkreli theksoi rëndësinë që ka përfundimi i rrugës së kombit,

“Për të mbaruar kjo rrugë, sipas projekteve fillestare të fizibilitetit, duhen 240 deri 260 milion euro pasi asnjë njeri nuk e ka bërë azhornimin se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit kur rruga natyrisht mund të ketë degraduar në element të rëndësishëm të saj. 260 milion euro që nuk janë. Borxhi që lahet çdo vit i kësaj rruge, principal plus interesa është rreth 40% e krejt taksës së qarkullimit që mblidhet në rang Shqipërie. Rruga është menaxhuar ashtu siç është menaxhuar dhe ka ardhur me një histori të veten ashtu sikurse ka ardhur. Kjo rrugë duhet mbaruar”, nënvizoi Shkreli.

Kryebashkiaku i Hasit Adem Lala tha se qytetarët e kësaj bashkie nuk janë kundër tarifës por kërkojnë që ajo të jetë e përballueshme.

“Banorët që jetojnë në Has nuk janë kundër tarifës por tarifa duhet të jetë e veçantë për ne që e përdorim më shpesh këtë rrugë duke marrë parasysh gjendjen sociale dhe ekonomike që ka zona. Duhet që tarifa të jetë stimuluese për banorët e zonës sonë”, u shpreh ai.

Optimist për gjetjen e një zgjidhje shprehet Safet Gjici.Ai beson se qeveria, duke negociuar fuqishëm me koncesionarin do të dalë në një zgjidhje shumë të pranueshme dhe në favor të qytetarëve. /abcnews.al

basha-reforma-zgjedhore.jpg
ad min13:58 | 22/10/2017

Lulzim Basha ka thirrur pasditen e të mërkurës aleatët e tij parlamentarë, për të nisur konsultimin mbi reformën zgjedhore.
Sipas burimeve nga Partia Demokratike, Basha ka deklaruar se konsultimet për reformën, do kryhen edhe me aleatët jashtë parlamentit, por edhe me cdo forcë tjetër politike dhe faktorë shoqërorë, që janë pro zgjedhjeve të lira.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono