komunizmi

pjimage-1110.jpg
Autor E09:01 | 31/12/2019

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur me dëshmitë rrënqethëse të Kristo Budos, ish-partizan me funksione drejtuese dhe i burgosur në Kampin e Prishtinës gjatë Luftës, dhe pas saj, me detyra të larta, si: zv/ Kryetar i Degës së Brendëshme të Peshkopisë, Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Fierit dhe kryeinspektor i Kryeministrisë, i cili u arrestua në vitin 1959 duke u akuzuar si “agjent i grekëve”, gjë për të cilën i kishin pushkatuar dhe babanë, Thoma Budon.

Kujtimet e Budos: “Si më torturonin në pyjet e Kërrabës oficerët Asaf Kondi, Irfan Hoxha, Hilmi Dume, etj., me mënyra çnjerzore në prezencën e Prokurorit të Përgjithshëm, Arianit Çela dhe ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, i cili më tha: ‘Kristo, kam urdhër të vë nën torturë”. Si dhe gjyqi ndaj Budos pas dy vjet e gjysëm hetuesie ku i fusnin si provokatorë e dëshmitarë persona që ishin dënuar me vdekje, dhe si arriti Kryehetuesi, Nevzat Haznedari, të mos pranonte vendimin e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë ku asistonin: Bilbil Klosi, Ministër i Drejtësisë, Nedret Hoxha, zv / ministër, Irakli Bozo, Frederik Nosi, Llazi Stratobërdha, etj.,  që i dha pafajësinë Kristos, duke e dërguar atë përsëri në burg dhe internim?!

Ndërsa Gjykata e Lartë e shpallte të pafajshëm dhe urdhëronte lirimin e tij në sallën e gjyqit, Kryehetuesi i Republikës, gjeneral Nevzat Haznedari, urdhëronte të rikthehej përsëri në qeli. Kështu i ka ndodhur Kristo Budos, ish-kuadër i lartë i brigadave partizane gjatë Luftës dhe i burgosur në Kampin e Prishtinës, e pas mbarimit të Luftës si zv/Kryetar i Degës së Brendshme të Peshkopisë, Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Fierit e Inspektor i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i cili në vitin 1959 u arrestua duke u akuzuar si agjent i zbulimeve greke, gjë për të cilën pak kohë më parë i kishin pushkatuar dhe babanë, Thoma Budon, (po me të njëjtën akuzë, si “agjent i grekëve”), ku më pas vetë krerët më të lartë të Ministrisë së Brendëshme dhe Hetuesisë së Përgjithshëme të Republikës, e torturuan Budon me mënyrat më çnjerzore për dy vjet e gjysëm në pyjet e Qafë Krrabës.

Për të gjitha këto e peripecitë e shumta që kaloi në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ku vuajti për 15 vite, i ndjeri Kristo Budo i ka lënë të shkruara në disa fletore, ku bashke me shumë foto të tij, na i ka dhuruar pak para se të ndërronte jetë në vitin 2004, për t’i bërë ato publike në shtyp, ashtu siç kishim botuar në gjallje të tij disa shkrime dhe intervista me z. Budo, ku ai tregonte edhe për torturat ç’njerëzore që kishin bërë ndaj tij disa nga kuadrot kryesorë të Ministrisë së Brendëshme, Hetuesisë së Përgjithshme dhe Sigurimi i Shtetit. Në përmbushje të dëshirës të të ndjerit Budo, apo më saktë një amaneti të tij, dhe gjithashtu në vijim të shkrimeve të ndryshme ku bëhet fjalë për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, që Memorie.al ka publikuar dhe do vazhdojë të publikoj përsëri, në këtë shkrim po publikojmë një pjesë nga kujtimet e tij dhe bashkë me to edhe foto të ndryshme të Kristo Budos që nga periudha kur ai ishte me funksione të larta shtetërore, me kolegë, me familjen e tij, etj. Si dhe foto të tjera pas viteve, ku Kristo Budo ka dalë në aktivitete të ndryshme, si me ambasadorin zviceran, me Osman Kazazin e Ymer Dishnicën, si dhe ato të ceremonisë së zhvarrimit të eshtrave të babajt të tij, Thoma Budo, i pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1959, bashkë me: Kiço Kuqeshi, Hajredin Cane, Janaq Ruçi, Mihal Cini, Thanas Vidhe dhe Shahin Braho, eshtrat e të cilëve u gjetën në vitin 1994 në fshatin Myshqeta.

 Kujtimet e Kristo Budos: Torturat në prezencën e Hazbiut

“Në majin e vitit 1959 kur isha me shërbim në rrethin e Tropojës, u arrestova nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se “isha vënë në shërbim të grekëve”. Akuzën e kam hedhur poshtë dhe kam deklaruar si në hetuesi, në tortura dhe në sallën e gjyqit, se kurrë nuk kisha tradhëtuar atdheun. Kam kërkuar të bëheshin verifikime, mbasi akuzat nuk ishin të vërteta. Këtë gjë e kam thënë edhe përpara ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiut, bile edhe me një letër me shkrim. E kam thënë edhe para Rexhep Kollit, Aranit Çelës, Faik Minarollit, Nevzat Haznedarit, Asaf Kondit etj. U mbajta për dy vite e gjysëm në Hetuesi (birucë), pa më nxjerrë në gjyq dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Gjatë kohës që kam qenë në hetuesi, për muaj e muaj me rradhë, më janë bërë tortura nga më ç’njerëzoret, të cilat nuk kanë ndodhur as në kohën e inkuizicionit. Këto tortura më bëheshin në pyjet e Qafë-Krrabës dhe aty më kanë djegur mishrat e trupit me hekur të skuqur në zjarr. Aty më janë hequr të dhjetë thojtë e këmbëve, duke m’i shkulur një nga një me dhimbje të mëdha deri sa më binte të fikët. Aty më rrihnin deri sa urinoja gjak dhe këmbët e trupi më ishin nxirë, aty mbahesha nën tortura gjithë ditën dhe vetëm në mbrëmje më sillnin në birucë gjysëm të vdekur.  Përveç dhimbjeve, më duhej të përballoja edhe provokimet e njëmbasnjëshme të atyre që fuste në birucën time Nevzat Haznedari, të cilët për mua mbeten njerzit më të poshtër që kam njohur ndonjëherë. Në këto tortura merrte pjesë vetë Nevzat Haznedari (drejtor i Hetuesisë në atë kohë), ky njeri mizor e xhelat, në ndërgjegjen e të cilit rëndojnë aq krime e persekutime sa është zor t’i përshkruash të gjitha. Ishte ky Nevzat që në kohën e Koci Xoxes në vitin 1948, u kritikua ashpër për dhunën arbitrare. Dhe ja tani në vitin 1960, po ky Nevzat në një post më të rëndësishëm, përdor po ato metoda dhune, bile akoma më të rënda, dhe në vënd që t’i ndalet dora, për “merita” gradohet gjeneral?! Në këto tortura anti-njerëzore, marrin pjesë gjithashtu oficerët Asaf Kondi, Irfan Hoxha etj. Ndërsa oficeri Hilmi Dume, më bënte injeksione për të mos iu mbetur në dorë. Në prezencën time, Kadri Hazbiu jepte urdhëra për tortura. Një ditë më tha: ‘Kam urdhër për të vënë nën torturë’. Kush mund të urdhëronte Kadri Hazbiun përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, dy diktatorëve më të mëdhenj të shtetit tonë?! Si pjesmarrës i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe për aktivitet revolucionar, jam burgosur dhe internuar edhe në kampin famëkeq të Prishtinës, por më duhet të pohoj se tortura të tilla nuk më janë bërë as në okupacionin fashist”.

Budo: Tentativa ime për vetëvrasje

“Tortura të tilla ishin të padurueshme jo më për njerzit por as dhe për kafshët, prandaj një ditë vendosa që t’i jepja fund jetës sime duke përplasur kokën me forcë në murin e birucës. U hapën dy plagë por kafka nuk u ça. Për qepjen e plagëve u suall doktor Llambi Ziçishti. Unë e kisha të qartë se tentativa për vetëvrasje ishte e dënueshme dhe një plus negativ për mua, por në ato kondita që ndodhesha, preferova më mirë vdekjen. Ajo ishte shpëtim. Nuk mjaftuan të gjitha këto e shumë veprime të tjera arbitrare fizike e psiqike, por Kadri Hazbiu me Nevzat Haznedarin arritën deri aty sa që kundra meje të nxirrin dëshmitarë persona që ishin dënuar me vdekje, të cilët për të shpëtuar lëkurën e tyre dhe të nxitur nga Haznedari bënin lloj lloj shpifjesh e deponimesh jo të vërteta. Por ata mjeranë nuk i pashë më në gjyqin tim dhe siç mora vesh nga prokurori, ata ishin ekzekutuar. Duhet thënë gjithashtu se Kadri Hazbiu e të tjerë ishin mjaft të kompromentuar në çështjen time, ata mbanin përgjegjësi ligjore për të gjitha ato që kishin bërë kundra meje, prandaj kërkonin me çdo kusht që me anë të gjyqit të më dënonin me vdekje dhe në këtë mënyrë të mbulonin njëherë e mirë veprimet e tyre antiligjore e t’i vinin kapak çështjes”.

Procesi hetimor

“Duhet të pohoj se me procesin tim nga ana e Prokurorisë janë marrë tre veta: Aranit Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe dy zëvëndësat e tij, Faik Minarolli dhe Vangjel Kocani. Dihet se me ligj organet e Prokurorisë ngarkohen me kontrollin e procesit të hetimit dhe me zbatimin e ligjshëmrisë në hetime. Por në rastin tim, ato bënë të kundërtën dhe zbatonin ato që u thoshte Hetuesia, në dëm të të pandehurit dhe të vërtetës. Këtë pohim po e ilustroj me disa shembuj që kanë të bëjnë vetëm me mua dhe jo me të tjerët. Ishte vetë Aranit Çela që me cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm lëshonte autorizim pas autorizimi për zgjatjen e procesit tim për dy vjet e gjysëm, pa u nxjerrë në gjyq. Këtë gjë nuk e lejonte Kodi Penal. Ai ishte në dijeni se ndaj meje përdoreshin tortura fizike nga më ç’njerzoret dhe dhuna në hetime, të cilat ndaloheshin me ligj, por Araniti nuk merrte asnjë masë për ndalimin e tyre. E vërteta është se atëhere dhe më vonë, ndaj torturuesëve të mi nuk u mor asnjë masë dënimi. Në letrën time të 7 marsit 1963 dërguar personalisht Aranit Çelës, unë kam folur edhe për torturat që më ishin bërë, por ndonjë përgjigje nuk mora kurrë. Është fakt se zëvëndësi i tij, Faik Minarolli, hipte në makinë së bashku me Nevzat Haznedarin, kur më çonin mua për të më torturuar në pyjet e Qafë-Krrabës. Ja pra kjo ishte Prokuroria që kontrollonte procesin hetimor”.

Farsa e gjyqit tim

“Gjykimi i çështjes sime ka një histori më vete. Një ditë përpara se të më nxirrin në gjyq, më thërriti Nevzat Haznedari e më tha: ‘Letrën që i ke bërë familjes, ne nuk do t’ja japim. Ti kërko mëshirë dhe thuaj se; jam i Luftës dhe i varfër, etj.”. Të veproja siç kërkonte Nevzati, do të thosh të pranoja faje që nuk i kisha bërë kurrë. Mua më gjykoi Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë. Trupi Gjykues përbëhej nga koloneli Sotir Spiro (kryetar) dhe nënkolonel Rasim Bazo e Sami Kolaneci antarë. Përfaqësues i akuzës ishte Vangjel Kocani. Sekretare ishte Vangjeli Terova, ndërsa avokat Nexhmedin Shehu. Edhe para gjyqit unë nuk e pranova akuzën as tërsisht dhe as pjesërisht dhe deklarova se kurrë nuk e kisha tradhëtuar atdheun. Kërkova që të bëheshin verifikime pasi akuzat nuk ishin të vërteta. Gjithashtu aty fola dhe për akuzat çnjerzore që më ishin bërë. Megjithë refuzimet e prokurorit, trupi gjykues pranoi kërkesat e mija. Kështu Kolegji Ushtarak, mbas një raporti të gjatë i cili filloi më 21 shtator 1961, u përsërit më 2 tetor 1961 dhe mbasi iu ktheu organeve të Sigurimit dosjen time hetimore si të parregullt, duke caktuar një sërë detyrash për verifikime, thirrje dëshmitarësh, vënie në dosje dokumetesh që mungonin etj., më datën 24 nëntor 1961, mori vendimin përfundimtar, duke më deklaruar mua të pafajshëm për mungesë provash dhe urdhëroi lirimin tim të menjëhershëm nga burgu. Pafajësinë time e kërkoi dy herë dhe avokati im, të cilin e pashë për herë të parë aty në sallën e gjyqit, ku i dhashë edhe akt-akuzën pasi atij nuk i ishte dhënë as ajo, pa le të takohej me mua në qeli gjatë hetimeve. Megjithatë ai më mbrojti mire, duke u mbështetur vetëm në seancat gjyqësore, në deponimet e mia, të dëshmitarëve e të dokumentave që u suallën në gjyq sipas kërkesës sime”.

Budo: “Gjykata më liroi në sallë, kurse Sigurimi më internoi në Zvërnec”

“Po çfarë ndodhi me Kristo Budon pasi Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit? Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, midis të tjerash, Budo shkruan: “Ajo që ndodhi në sallën e gjyqit ishte me të vërtetë një skandal i padëgjuar dhe pa precedentë në analet e historisë gjyqësore. Menjëhere sapo u largua trupi gjykues, në prezencën e shumë njerëzve aty në sallë hyri Nevzat Haznedari i shoqëruar me një grup oficerësh, i cili urdhëroi kapterrin që të më çonte përsëri në burg. Kapterri iu përgjigj: ‘Si ta çoj në burg zoti gjeneral, ai mori pafajësinë’?!. Nevzati i tha: ‘Të urdhëroj unë’. Kështu pas urdhërit të Haznedarit, mua më nisën nëpër koridor për të më çuar në qeli. Aty u ndeshëm me kryetarin e gjyqit, Sotir Spiron i cili i tha kapterrit: ‘Ku po e çon Kristo Budon, pse e ke lidhur, ai ka marrë pafajësinë”?!. Kapterri i shkretë duke ulur kokën iu përgjegj: ‘Kështu më urdhëroi gjeneral Nevzati’. Po a mund ta bënte një veprim të tillë me inisiativën e tij Nevzat Haznedari?! Atë dikush e kishte urdhëruar të vepronte ashtu dhe unë mund të them me bindje se deri aty nuk mund të arrinte as vetë Kadri Hazbiu. Me anë të atij veprimi organet e Sigurimit të Shtetit dhunuan jo vetëm mua por edhe vetë Gjykatën e Lartë, duke u lënë të kuptonin disa kuadrove kryesor të Drejtësisë që asistuan në fillimin e procesit tim si: Bilbil Klosi, Ministër i Drejtësisë, Nedret Hoxha, zv / ministër, Irakli Bozo, Frederik Nosi, Llazi Stratobërdha etj., se Sigurimi Shtetit kishte “carta bianka” nga vetë kapua i tyre, Enver Hoxha, dhe askush s’guxonte ta ngrinte zërin ose t’i kundërshtonte këto organe. Kështu që, në vënd që të shkoja pranë familjes, më mbajtën edhe një ditë në burg dhe të nesërmen më internuan për 5 vite në Ishullin e Zvërnecit. Mbas pesë vitesh më arrestuan përsëri dhe më dënuan me 10 vite heqje lirie të cilat i vuajta të gjitha në burgun e Ballshit”/Memorie.al

visari.jpg
in a16:41 | 16/12/2019

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit  sjell përmes një ekspozite fotografike vuajtjet e të burgosurve, jashtë propagandës së kohës. Të mbijetuarit rrëfejnë  tmerrin e  asaj kohe edhe si zë i  të zhdukurve. Për herë të parë prezantohen edhe fotot e të vrarëve në kufi.

“Ajo çfarë shohim dhe dëgjojmë janë dy gjëra të ndryshme ndaj reliteti dhe propagandës” shprehet Lleshanaku.

45 vitet e errëta të diktaturës komuniste dhe shija e hidhur që regjimi la dekada më pas, duket se nuk kanë arritur ta zymtësojnë shpirtin e të mbijetuarve, të cilët kujtojnë për të mos harruar.

“Ka rrënjë të thella sepse komunizmi është një nga sëmundjet më të rënda dhe më të thella që ka parë njerëzimi. Edhe kolera atë që rrëmben e rrëmben atë që lë gjallë e lë gjallë, por komunizmi lë një vragë që nuk shuhet deri sa të vdesim” thotë Uran Kotreci.

“Ai pranon se me komunizmin është njohur që në moshë fare të vogël, kur ishte vetëm 8-vjeç.

“Ka qënë një gjendje shpirtërore e pikëllueshme, sepse isha i vetëdijshëm që ne do të futeshim aty, por nuk dihet nëse do të dilnim gjallë. Edhe pse komunistët u përpoqën për të na vrarë, ndoshta Zoti një pjesë na kurseu që të flasim për ta, për të mos harruar”, tha më tej Kotreci.

Kuratorja Luljeta Lleshanaku, thotë se gama e fotove të rralla është e gjerë, sidomos vrasjet në kufi të cilat prezantohen për herë të parë.

Qëllimi është pasqyrimi realitet siç ishte dhe jo siç propaganda e ofronte përmes kronikave televizive apo dokumentareve të kohës, që vijnë si jehonë e së shkuarës nga aportolantët. Në sfond të këtij realiteti, përmes zërit(me copëza fjalimesh, kronika televizive, pjesë muzikore nga propaganda e regjimit), do të improvizohet propaganda komuniste, e cila ishte në kontrast të plotë me realitetin.

Në ekspozitë prezantohen fotografi të vrasjeve në kufi, fotografi të ish- të burgosurve politikë të marra në hetuesi dhe burgje.

“Ekspozita ka fotografi nga vrasjet në kufi, nga të burgosurit politik gjatë hetuesisë, qytetarë të huaj të cilët vuajtën nëpër burgje gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri”, tregon Lleshanaku.

“Mes tyre shquhen edhe foto të intelektualëve si Jusuf Vrioni apo Visar Zhiti.  “Ka personalitete si Isuf Vrioni, janë burgosur shumë të rinj për disa prej tyre është një jetë e shkuar dëm”, shprehet Lleshanaku.

Gjithashtu gjenden fotografi të klerikëve të burgosur dhe të ekzekutuarve, fotografi të fëmijëve në ambasadat e huaja në ngjarjen e 2 korrikut 1990, fotografi qytetarësh të huaj të burgosur në Shqipëri, etj. Fotografitë janë origjinale dhe shfaqen për herë të parë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë në oborrin Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit./abcnews.al

termete.jpg
ad min16:55 | 28/09/2019

Tërmeti i datës 21 shtator 2019 i frikësoi shqiptarët. Edhe pse nuk pati viktima, edhe pse dëmet materiale nuk ishin të konsiderueshme, paniku nga dridhjet, që vijuan edhe në ditët në vijim, ishte i madh. Në fakt shqiptarët duhet të kenë frikë nga tërmetet.

Emisioni Abc Story sjell sot në mbrëmje, në orwn 22:15 një histori të tërmeteve më shkatërruese që kanë goditur vendin tonë qysh nga prehistoria. Statistikat thonë se Shqipëria vendoset mes 50 vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe historia dëshmon se, qysh në lashtësi, tërmete shkatërrues, me intesitet 6 deri në 7 ballë, kanë qenë të shpeshtë.

Zonat më të rrezikuara nga lëkundjet e tokës, janë Shkodra e Lezha në veri, Durrësi e Tirana në qendër të vendit dhe Vlora e Himara në jug. Në Durrës, vendndodhja nëntokësore e tërmeteve të fundit, në zonën ku shtrihet ky qytet dhe një pjesë e nëntokës së detit pranë tij, nuk janë pjesë e një ngjarjeje të rastësishme.

Sipas studimeve të ndryshme, qyteti i Durrësit, në nëntokën e të cilit gjenden Sedimente Kuaternare shumë të dobëta, përfaqëson zonën më të rrezikshme bregdetare në Shqipëri. Këtë e tregojnë edhe tërmetet e shumta dhe shkatërrimtare, nisur nga viti 177 para erës sonë, në vitet 300 dhe 500, në shekullin e 13 dhe sidomos në vitet 1800.

Kështu, tërmeti i shekullit të 5, që pothuaj e rrafshoi Durrësin, e detyroi Perandorin Bizantin, Anastasin e Parë, i cili ishte me origjinë nga ky qytet, që të ndërtonte një mur mbështetës, rreth 12 metër të lartë, me qëllim që të mbronte muret e kalasë së qytetit.

Një nga tërmetet më të fortë, që kanë goditur Durrësin, listohet ai i vitit 1273, pas të cilit banorët, të terrorizuar nga lëkundjet e vazhdueshme, u detyruan në braktisnin qytetin dhe të gjenin strehim në Berat.

Zbritur në jug edhe Vlora dhe rrethinat e saj përbëjnë një tjetër teatër të rrezikuar nga tërmetet. I fiksuar në një pikturë të publikuar në për herë të parë në një gazetë gjermane, tërmeti më shkatërrues në trojet shqiptare duket se mban datën 12 tetor 1851. Në pamje duket qyteti i Vlorës në pluhur e flakë dhe banorët, të cilët të frikësuar nga ajo që po ndodhte me tokën e paqëndrueshme nën këmbët e tyre, që po largohen me varka në det të hapur.

Përpara se të vendosnin të arratiseshin përmes detit, banorët kishin ndier e parë situata e skena nga ferri; shpërthime të fuqishme ishin dëgjuar për disa minuta të gjata të shoqëruara me lëkundje të frikshme tërmeti. Pothuaj të gjitha banesat e tyre ishin shembur. Flaka dhe pluhuri kishin errësuar qiellin dhe deti ishte turbulluar nga një valë cunami, dy këmbë e lartë, siç është fiksuar në histori.

Tërmeti do të shkaktonte rreth 2 mijë viktima në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. 400 ushtarë do të varroseshin njëkohësisht nga rrëzimi i një muri në kalanë e Beratit, ndërkohë që, disa kilometra me tej, maja e një mali do të rrokullisej me një hungërime kërcëllitëse.

Ecur kronologjikisht, më 1 qershor të vitit 1905, një tërmet me magnitudë 6.6 goditi Shkodrën dhe zonat rreth saj duke shkaktuar 120 të vdekur. Në fund të vitit 1930 ka pasur dy tërmete me 60 të vdekur gjithsej, më 27 gusht 1943 tëmeti u ka marrë jetën 43 shqiptarëve, ai i 30 nëntorit 1967 vrau 18 njerëz, ndërsa ai i 15 prillit 1979  35 të tjerë.

Më i afërti në kohë, tërmeti i 15 prillit të vitit 1979, me magnitudë 6.9, me qendër diku në Petrovac të Malit të Zi, ishte tejet shkatërrimtar. 1 487 ndërtesa u rrafshuan me tokën, 101 njerëz humbën jetën. Disa qytete bregdetare me qendra historike, si Budva apo edhe Tivari i Vjetër, pësuan dëmtimet më të mëdha – pas nuk mbeti as Ulqini, një qytet që banohet pothuaj krejtësisht nga shqiptarët.

Kaptuar në territorin shqiptar tërmeti shkaktoi dëme të konsidrueshme në Shkodër e rrethina, ku disa fshatra pranë lumit Buna u shkatërruan krejtësisht, por dëme të mëdha pati edhe në Lezhë.

“Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona”, ishte sllogani i shtetit komunist shqiptar, si pjesë e një propagande të shfrenuar që mbulonte me një shtresë të trashë mjalti plagët reale të popullatës së zonave të prekura nga tërmeti.

E njëjta propagandë e shfrenuar, që sot tingëllon e trashë dhe e pakuptimtë, ka mbuluar edhe plagët e tërmetit të datës 3 prill 1969, me epiqendër në Mallakastër, që la të pastrehë mijëra njerëz, një histori që Abc Story e sjell të plotë përmes një dokumentari propagandistik të kohës./abcnews.al

henri-cili123.jpg
ad min21:04 | 20/09/2019

Universiteti Europian i Tiranës do të nisë një projekt të ri ku do t’i japë hapësirë studimeve mbi tranzicionin. Henri Çili, i cili ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”, ku tha se tranzicioni në vendin tonë është mbyllur. Madje sipas tij ka qenë i suksesshëm. Ai renditi disa parametra për ta vërtetuar këtë.

“Ideja është që tranzicioni shqiptar është më i lavdishmi në periudhën e Shqipërisë, 30 vjetët e kësaj pjese të historie shqiptare. Mua prandaj më vjen keq që kryqëzohet elita politike. Elita politike i ka bërë një shërbim Shqipërisë dhe për mendimin tim meriton të amnistohet dhe jo të ndëshkohet. Pse? Po të marr katër parametra.  Në 25-30 vjet, GPD-ja, të ardhurat për frymë të shoqërisë shqiptare janë rritur midis 25 dhe 35 herë. Në vitin ’90, ne kishim midis 200 dhe 400 dollarë për frymë. Sot kemi midis 7 dhe 10. Ndryshimi jonë infrastrukturor është epokal. Për dy orë ti shkon në çdo cep të Shqipërisë.

Ne kemi mbjellë institucione, praktika të cilat vendet e tjera nuk i kemi pasur. Vendet e tjera sa i kanë rikthyer. Është e thjeshtë të flasim për evoluimin e Çekisë, por ajo ka pasur senat dhjetëra vjet.  Gjykata Kushtetuese, sistemi ynë i komunikimit, format e tjera nuk kanë ekzistuar. Ne kemi sisteme komunikimi dhe financiare që nuk i kemi pasur kurrë në histori, sistemi bankar, sistemi i sigurimeve etj.  Fitoret tona janë absolute. Do thoja që ka dy mënyra si të jemi të kënaqur dhe të pakënaqur. Krahasimi me lart dhe krahasimi me poshtë, por mbi të gjitha ka një krahasim që nuk mund ta shmangim, njëshin. Unë mendoj se çdo shqiptar sot është tmerrësisht më mirë se në vitin 1990”, tha Çili.

Por nga ana tjetër, Nano kishte një mendim ndryshe. Ai bëri me faj politikën shqiptare dhe tha se një pjesë e njerëzve e shohin vendin si të pabanueshëm.

“Unë e bëj me faj politikën. Sot një pjesë e madhe të shqiptarëve e shohin vendin si të pabanueshëm dhe ka një arsye. Unë përmenda zgjedhjet. Jemi i vetmi vend në Europë, dhe kjo na turpëron të gjithëve”, tha Nano. /ABC News Albania 24/7

muzeu.jpg
ad min16:13 | 01/08/2019

Një prej burgjeve të kohës së komunizmit në Shkodër, i cili prej vitesh ka shërbyer edhe si komisariat policie është shndërruar në muze, si vendi i dëshmisë dhe kujtesës së diktaturës.    

“Muzeu i dëshmisë dhe kujtesës” është  i vetmi burg i mbijetuar gjatë periudhës komuniste. U ngrit në Shkodër pas luftës së dytë botërore deri nga mesi i viteve 60-të të shekullit të kaluar. Përgjegjësi i Muzeut tregon se në Shkodër kanë ekzistuar shume burgje, të përkohshme, por edhe disa që kanë qëndruar për një kohë të gjatë.
Vizitorët janë të shumtë. Shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ata që fëmijëve duan t’u tregojnë historinë.

Muzeu pasurohet me dëshmi, dokumente. Një punë e vazhdueshme dhe  bashkëpunimet për pasurimin e arkivës së muzeut, i cili në vitin 2014 është hapur për vizitorët vazhdojnë. Në Shkodër ka pasur rreth 13 burgje. Gjurmët e tyre ekzistojnë ende në qytet. Kurse qelitë e këtij burgu kanë qenë hapur deri në vdekjen Marie Tucit, apo Dom Mikel Beltoja, por edhe At Zef Pllumit.

Nga viti 1945, ky objekt pronë e etërve Franceskan e deri në vitin 1992 ka shërbyet si dega e punëve të brendshme të Shkodër. Me ndryshimet politike në vitin 1992 deri në vitin 1997 ka shërbyer si Komisariat i Policisë në Shkodër, për tu rikthyer si pronë Provincës franceskane të Shqipërisë. Kurse në vitin 2005 nisi puna për rikthimin në një muze në respekt të personave që vuajtën nëpër burgjet komuniste./ABC News Albania 24/7

flutura-acka-per-komunizmin.jpg
nev ila23:10 | 28/05/2019

E ftuar në emisionin “Provokacija” me Mustafa Nano këtë mbrëmje, ka qenë shkrimtarja dhe publicistja Flutura Açka. Ajo ka ndarë mendimin e saj për çështje të politikës së gabuar që kanë rrjedhur në vitet e tranzicionit. Sipas Açkës, gabimet e politikës kanë filluar që me mos-purifikimin e shoqërisë nga krimet komuniste, që sipas saj nëse kjo do ishte bërë në kohën e duhur, ndoshta do të kishim një zhvillim ndryshe të jetës politiko-shoqërore në Shqipëri.

Mustafa Nano: Në këtë vend kanë ndodhur shumë gjëra të shëmtuara dhe për shkak të këtyre gjërave te një pjesë njerëzish kanë filluar të rikuperojnë një lloj nostalgjie për komunizmin, kjo është një nga pasojat më të rënda të gjerave që bëjmë sot, si mendoni?

Flutura Açka: Në fakt kjo nuk erdhi vetëm si shkak i një nostalgjie por edhe si në formën e një trendi, të mos harrojmë që në vitet e para të qeverisjes socialiste, trendi u pa menjëherë, që me shfaqjen e portreteve të Enver Hoxhës dhe ky trend vazhdoi për keq.

Mustafa Nano: Ju mendoni se i ka inspiruar dikush?

Flutura Açka: Kjo gjë e ndihmoi këtë lloj nostalgjie sepse për 25 vite kishte një lloj topitje, ky trend e ndihmoi këtë lloj nostalgjie. Partia Socialiste mendoj se për disa vota bëjnë edhe pakte me djallin.

Mustafa Nano: Lidhur me qëndrimin ndaj komunizmit sidomos kur bëhet debati lidhur me luftën nacional çlirimtare dhe me disa figura të luftës, Edi Rama bëri një gjest interesant lidhur me ceremoninë e varrimit të Mit’hat Frashërit, ishte një gjest interesant që synonte përafrimin e palëve në qëndrimin që do të mbajnë ndaj disa figurave, si mendoni?

Flutura Açka: Sigurisht edhe referencat që ai ka shpesh ndaj këtyre njerëzve, ka qenë një gjest për tu respektuar bëri atë që nuk e bëri PD-ja, bëri një shtëpi gjethesh, një muzeum tjetër të kësaj natyre pavarësisht se një pjesë e tyre janë “kica” dhe “kallp”.

Mustafa Nano: Jeni kundër?

Flutura Açka: Jo nuk jam kundër, jam pro por problemi është që kur shkon, im bir ma ka bërë këtë pyetje kur e pamë shtëpinë e gjetheve bashkë, “o mam unë shoh aty viktimat po vrasësit kush janë?”. Derisa jep viktimat duhet të japësh edhe vrasësit se kjo është historia. Janë fshirë vrasësit, më falni por historia ka dy anë jo vetëm një: “ata që ne kemi interesin për tu marrë votat”. Kemi nevojë të tregojmë të vërtetën.

Mustafa Nano: Nuk është kaq kollaj të japim recetat e shkëputjeve prej regjimeve totalitare siç ishte ai komunist i Enver Hoxhës, ka praktika të ndryshme por të gjithë ankohen për shkëputjen nga regjimi diktatorial, sublimohet pak regjimi spanjoll, që duket ka qenë më i miri, mirëpo ai ka synuar pajtimin e palëve jo dënimin e tyre.

Flutura Açka: Edhe trendi ynë ashtu ka qenë në fillim fare, mos harroni formulën me të cilin erdhi Berisha në pushtet, unë kam qenë skeptike ndaj asaj formule, “të gjithë jemi bashkëvuajtës të gjithë jemi bashkëfajtorë”, jo zotëri unë nuk jam bashkëfajtore sepse prej meje nuk ka vuajtur askush dhe ky mund të ketë qenë fillimi i atij gabimi, që tani ne shohim këto pankartat papritur.

Mustafa Nano: Në vitet 90 nuk e kisha menduar kurrë, që në vitin 2019, unë bashkë me të tjerë do flisnim ende për komunizmin e Enver Hoxhës, duhet ti kishim zgjidhur këto probleme mendoj.

Flutura Açka: Po këtë po them, jemi shumë vonë, na ka kaluar treni. Ndoshta ne kemi ngelur në stacion dhe nuk dimë çfarë treni të marrim më sepse nuk i bëmë atëherë kur duheshin bërë. Nuk digjen etapat, çdo etapë duhet në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur./abcnews.al

braho-tufa.jpg
ad min12:17 | 23/05/2019

Periudha e komunizmit vazhdon të ngjallë debate edhe pas 30 viteve demokraci. I thirrur për të paraqitur punën njëvjeçare të Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Komunizmit, drejtori Agron Tufa përsërit shqetësimin se ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të jenë në funksione të rëndësishme edhe sot.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të marra masa, mundësisht urgjente për mënjanimin e ish-oficerëve të sigurimit të shtetit, prania e të cilëve në institucionet shumë të rëndësishme, të financuara nga buxheti i shtetit kanë arritur në një nivel shumë të lartë, të papranueshëm”, tha ai.

Për Tufën kontigjenti i ish-oficerëve të Sigurimit nuk e ka vendin në institucionet e shtetit. Kundërshtarin kryesor në këto deklarata, Agron Tufa ka deputetin e vjetër socialist Spartak Braho.

Zoti Tufa keni shkelur ligjin, jo vetëm se keni kaluar me tendencë periudhën, që jeni ngarkuar sepse nuk përbën periudha 41-44 periudhë e komunizmit, por periudhë e LANÇ për çlirim kombëtar. Ju hileqar keni qenë që në luftë, hileqar jeni dhe tani në demokraci”, tha Braho.

Ministrin e Brendshëm Lleshaj e këshillon të bëjë kujdes me informacionet që i përcjell.

Kini parasysh se ka një ligj që informacioni është i klasifikuar dhe studiohen vetëm dokumentet e deklasifikuara”, tha Braho.

Ndërsa drejtorin e Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Komunizmit e akuzon se e ka shndërruar këtë institucion në celulë të Ballit Kombëtar, një deklaratë që nuk kaloi pa reagime nga kryetari i kësaj partie.

Tufa po ju them se e keni kthyer institutin në celulë të Ballit Kombëtar. Jo vetëm se jeni mbledhur me kokrra, por po luani zjarrin duke shkelur ligjin dhe duke shfrytëzuar LANÇ të cilën nuk e bëtë ju e soji juaj”, tha Braho.

“Këtu ka intelektualë, këtu ka historianë, këtu ka njerëz të zgjuar, por të biem kaq poshtë në nivelin e këtij budallai këtu që juk di asgjë për historinë”, tha Adriatik Alimadhi.

Jo vetëm kaq, por Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi është i gatshëm të dorëzojë mandatin nëse vërtetohen pretendimet se ballistët kanë vrarë partizanët.

“Kur ky njeri thotë që Ballistët hanin pula a e kuptoni se ça do të thotë. Ju keni ngrënë koka njerëzish more. Nëse del një individ, një deputet, një historian, më jep një dokument të vetëm që Balli Kombëtar ka bashkëpunuar, Balli Kombëtar ka vrarë një komunist, një partizan, sinqerisht jap dorëheqjen absolutisht dhe e vë në dispozicion të procedurave të tjera ligjore”, tha Alimadhi.

 

Debatet mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare kanë vazhduar për krimet e komunizmit si një vijë ndarëse të qëndrimeve të majta e të djathta.

/ABC News Albania 24/7

tarifaA.jpg
ad min21:12 | 26/04/2019

Ish-ambasadori Fatos Tarifa ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”. Ai theksoi se Shqipëria filloi të bëhej moderne në kohën e komunizmit. Mirëpo sipas tij për ta ndërtuar këtë lloj shoqërie ka pasur një kosto të lartë njerëzore, financiare dhe ekonomike.

Fatos Tarifa: Krijuan  një shoqëri që ishte e para moderne në Shqipëri. Moderne si një shoqëri që filloi të industrializohej në Shqipëri. Industritë e para në Shqipëri pas lufte u krijuan. Filloi të arsimohej dhe si shoqëri që filloi të urbanizohej. Shqipëria filloi të bëhej moderne për ironi të fatit në kohën e komunizmit.

Mustafa Nano: Kjo mund të thuhet dhe për Bashkimin Sovjetik, por kostoja ka qenë e lartë?

Fatos Tarifa: Patjetër, por edhe këtu kostoja njerëzore, kostoja ekonomike, kostoja financiare ka qenë shumë të larta, por kjo ishte shoqëria që ai brez donte të ndërtonte dhe ndoshta objektivisht e mbetur në këtë krah të perdes së hekurt nuk kishte rrugë tjetër./abcnews.al

germadha.jpg
ad min14:46 | 07/04/2019

Në Metarlugji dikur kanë punuar më shumë se 12 mijë punëtorë, por sot ai është një gërmadhë. Megjithatë ABC News ka mësuar se brenda hapësirave të shkatërruara ushtrojnë aktivitetin disa ndërmarrje.

Gjashtë dekada nga ndërtimi, fantazma e tij na ndjek nga pas. Dikur ishte krenaria industriale e sistemit totalitar e njëkohësisht dështimi më i madh i komunizmit. 520 objekte, 47 kilometra hekurudhë e brendshme, 22 kilometra rrugë automobilistike, punuan 12.000 punëtorë.

Rënia dramatike nisi pas viteve ’90. Linjat e prodhimit pushuan. Prej 30 vitesh në disa nga uzinat dhe fabrikat nuk u vendos më dorë kurrë. Objekte dhe makineri të shumta kaluan në ruajtje apo demolim. Por përfunduan në gërmadha. Ndotja, tashmë jo vetëm në ajër dhe ujë, por edhe në nëntokë.

Ka patur përpjekje për riaktivizimin e zonës industriale në Elbasan, por pa rezultat optimal. Nga një vëzhgim i ABC News në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik ushtrojnë aktivitet ndërmarrje nga prodhimet energjetike,  në fushën e ndërtimit, pjesë këmbimi e deri tek prodhimi i hekurit dhe hidrokarbureve. Por pjesa tjetër e territorit është një varrezë e ndotur.

Më 18 Maj të vitit 2016, Këshilli i Ministrave vendosi shembjen Uzinës së Prodhimit të Çeliqeve, Uzinës 12, Uzinës së Nikel Kobaltit, Kombinatin Energjitik etj. Objektet iu nënshtruan procedurës së ankandit me synimin për të përfituar nga ajo çfarë kishte mbetur dhe që mund të shfrytëzohet në përbërje të tyre. Por duket se pati pak interes.

Nga ana tjetër, kalimi i baipasit të Elbasanit nga Bradasheshi në Metalurgji pastaj në urën mbi lumin Shkumbin në afërsi të kanalit me kama do të ishte një zgjidhje e mirë për shembjen e objekteve të vjetra dhe rigjenerimin e kësaj sipërfaqe. Megjithatë ky projekt ende ka mbetur në letër.

Gjatë ndërtimit te tij  lëvizën 2.5 milionë m3 dhe u hodhën 830.000 m3 beton, u përgatitën 146.000 m3 elemente parafabrikate, 43.000 ton konstruksione metalike. Por këto shifra janë thjesht statistika historike. /abcnews.al

OK-PERSHONAZHI-HAJREDIN-CAKRANI_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x923.jpg
ad min13:30 | 28/11/2018

Figura e firmëtarit të pavarësisë dhe ministrit të qeverisë së Vlorës Hajredin Bej Cakrani, e denigruar për gjysmë shekulli gati u fshi nga historia. Por kujtimet e tij të ruajtura nga ish shërbyesi dhe së fundmi dokumentat e arkivave europiane, po e risjellin figurën vëllezërve Cakrani, të plotë, pa lënë vend për dyshim në veprën patriotike të tyre.

Personazhet nuk janë fisnikë europianë dhe kështjella nuk është prej tyre. Janë bejlerët e Cakranit. Luftëtarë, patriotë dhe mes protagonistëve kryesorë të shpalljes së pavarësisë. Hajredin Bej Cakrani nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se do të shpërblehej me mosmirënjohje, dekada më vonë. Ishte ai që me njerëzit e tij shoqëroi plakun e urtë nga brigjet e Shkumbinit deri në Vlorë përmes stuhive të shiut.

Kujtim Cakrani, pasaardhës: “Ka qenë në harresë nga historia shqiptare dhe saktësisht nga historia komuniste. Hajredin Cakrani është firmëtar i Fierit dhe i Mallakastrës, i cili ka përfaqësuar këto dy rrethe në 1921-n, pra në Pavarësinë e Shqipërisë.”

Hajredin dhe Bektash Cakrani u bënë pjesë e lëvizjeve patriotike duke investuar pasurinë e tyre në vitet para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Por e gjithë kjo veprimtari që zuri vend edhe në arkivat e vendeve europiane, u zerua pas Luftës së Dytë Botërore. Nga sarajet madhështore të bejlerëve të Cakranit aty edhe kështjella e ndërtuar me ndihmën e austriakëve, nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Vetë patriotizmi i tyre, do të ishte i diskutueshëm po të mos ishte për një fshatar nga Libofsha që ruajti dokumenta dhe dorëshkrime të beut të tij pas shembjes së sarajeve nga regjimi komunist.

“Lëvizja në prona të cilat ne trashëgojmë, rastësisht tek byjqërit që kanë shërbyer tek familja jonë deri në vitin 1945 kishte ruajtur në një sepetë duke saktësuar që unë isha nipi i tyre. Ai mi dhuroi këto sepetë, unë gjithmonë duke menduar se ishin dokumenta pronash dhe kam konstatuar se edhe përveç dokumentave të pronave ishte edhe një arkiv i vogël, i cili më pas na rezultoi se ishin dorëshkrime të firmëtarit të Pavarësisë Hajredin Cakrani.”

Revanshi i regjimit komunist shkoi deri te fshirja e firmës së Hajredinit nga akti i shpalljes së pavarësisë. Mosmirënjoja dhe harresa janë ç’ka mbeti nga gjysmë shekulli përbaltjeje.

Banori 1: “Po është një figurë historike. Është person që i ka shërbyer kombit në atë kohë për pluralizëm.”

Banori 2: “Për fat të keq këtu në zonë dhe në Cakran nuk kujtohen për meritat që kanë ata.”

Banori 3: “Atje s’ka ngelur asnjë gur nga urrejtja e komunistave.”

Hajredin Cakrani firmosi aktin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa i vëllai Bektashi vigjëlonte me forcat e tij për të sprapsur ndonjë sulm të pritshëm nga ushtria turke. Dorëshkrimet e tij tregojnë me detaje pjesëmarrjen aktive të dy vëllëzerve në kongrese, kuvende dhe çdo event të rëndësishëm para dhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit në nëntor të vitit 1912. Hajredin Cakrani vdiq nga shkaqe natyrore në vitin 1942, ndërsa Bektashi u pushkatua në vitin 1945 nga komunistët. Në Luftën e Dytë Botërore, Bektash Cakrani u pozicionua në krah të Ballit Kombëtar ç’ka i kushtoi jo vetëm jetën, por për pak edhe fshirjen nga historia, të veprës së tyre patriotike./abcnews.al

Përgatiti: Valbona Daci, gazetare e ABC News, Fier


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono