komisioni venecias

kaarlo-tuori.jpg
G. P.11:06 | 11/09/2019

Komisioni i Venecias do të dalë më 11 Tetor me një opinion nëse Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shkelur ose jo Kushtetutën me vendimin për të çdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale. Pas takimeve që zhvilluan përgjatë dy ditëve kreu delegacionit të Komisionit të Venecias deklaroi se e kanë një ide mbi ligjshmërinë apo jot ë vendimit të kryetarit të shtetit.

Nuk mbyllën vetëm takimet e fundit por edhe gojën duke mos pranuar të nxitohen të dalin në përfundime.

“Jemi të kënaqur me takimet e zhvilluara në Tiranë. Kemi marrë informacione të mjaftueshme lidhur me atë që kërkonim. Konkluzionet tona do t’i dorëzohet Komisionit Hetimor të ngritur për këtë çështje më 11 Tetor”.

Nuk kanë qëndruar kaq gojëmbyllur deputetët Ulsi Manja e Rudina Hajdari. Veçanërisht përfaqësuesja e opozitës parlamentare që tregohet e drejtpërdrejtë mbi çka i është kërkuar në takim.

Një informacion mbi takimin që kanë zhvilluar këtë të mërkurë ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit.

“Ndamë pikëpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor duke u nisur nga parimet dhe standardet më të larta profesionale dhe kushtetuese dhe me objektivitet maksimal , me qëllim vendosjen e një tradite juridike parlamentare të parin në llojin vet për Shqipërinë”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni i Komisionit të Venecias zhvilloi takime edhe me Presidentin e Republikës, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin Rama, përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës brenda e jashtë Parlamentit. Mendimin e fundit ia morën anëtarëve të Shoqërisë civile.

Konkluzionet e Komisionit të Venecias do të qartësojnë edhe idetë e Komisionit Hetimor për Kontrollin e Ligjshmërisë së Veprimtarisë së Kreut të Shtetit. Opinioni i ekspertëve të huaj do t’i bashkangjitet dhe raportit final që do të votohet nga parlamenti./ABC News Albania 24/7

komisioni-venecias.jpg
G. P.15:36 | 10/09/2019

Një delegacion i Komisionit të Venecias ka takuar të gjitha palët politike sot në Tiranë, në një vizitë për të mbledhur qëndrime mbi kërkesën e socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën. Ekspertët nuk kanë dhënë deklarata, por kanë mbajtur shënime dhe do të shprehen me një opinion zyrtar në Tetor.

Komisioni i Venecias ka dërguar në Tiranë një  grup ekspertësh, përpara se të japë në Tetor opinionin e tij nëse Ilir Meta duhet shkarkuar si President Republike.

Delegacioni i nisi takimet me opozitën jo parlamentare, e cila mbrojti qëndrimet e presidentit, duke thënë se anulimi i 30 qershorit ishte një përpjekje pozitive e Ilir Metës. Më pas, ekspertët dëgjuan këndvështrimet e deputetëve të mazhorancës dhe më pas të opozitës parlamentare.

Rreth 50 minuta takim patën edhe me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Ruçi i ka falënderuar ekspertët për kontributin dhe përgjigjen me shpejtësi ndaj interesimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Delegacioni i Venecias u takua edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili është person nën hetim parlamentar. Mësohet se kreu i shtetit, përveç shpjegimeve në tavolinë, ju ka dhënë  ekspertëve edhe një relacion shpjegues me shkrim me arsyet që e detyruan të çdekretojë 30 Qershorin.

Në Tëiter, presidenti shkroi shkurtimisht se ishte i kënaqur që kishte pritur një përfaqësi të Komisionit të Venecias dhe se nëse do ishin respektuar rekomandimet e tyre në të kaluarën, Shqipëria kurrë nuk do të ishte në këtë situatë.

Komisionerët kanë takime edhe me ministrin e Brendshëm, kryeministrin, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe anëtarë të komisionit hetimor./ABC News Albania 24/7

gramoz-ruci.png
G. P.21:53 | 03/10/2018

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka drejtuar 8 pyetje komisionit të Venecias lidhur me propozimin e demokratëve për ndryshimet kushtetuese të cilat do të mundësonin rivlerësimin kalimtar të politikanëve, i njohur ndryshe si Vetting.

Në letrën e zbardhur nga ABC News, kreu i Kuvendit mes të tjerash kërkon të dijë nga Venecia nëse këto ndryshime ndërhyjnë apo mbivendosnin punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Njësisë Speciale Antikorrupsion, organe këto të parashikuara nga reforma në drejtësi e vitit 2016, që ende nuk janë ngritur, apo edhe vetë ligjin e dekriminalizimit.

Njëkohësisht kreu i Kuvendit i ka kërkuar Komisionit të Venecias informacion mbi standardet dhe praktikat ndërkombëtare të procesit të rivlerësimit të politikanëve.

Pasi e pyet komisionin lidhur me qëllimin e projektligjit të hartuar nga demokratët dhe nëse ky qëllim është legjitim, Gramoz Ruçi, në cilësinë e kreut të Kuvendit kërkon të dijë gjithashtu nga ky komision nëse kjo ndërhyrje në të drejtën për t’u zgjedhur është e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës si dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, bazuar në parimin e propocionalitetit dhe parashikimit në ligj.

Kreu i Kuvendit kërkon gjithashtu të njihet me dallimin, nëse ka të tillë, mes standardeve të kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe atyre për kontrollin e deputetëve dhe kryebashkiakëve.

Dy prej pyetjeve drejtuar Komisionit të Venecias nga kreu i ligjvënësit shqiptar kërkojnë gjithashtu të dijnë nëse ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga demokratët bien ndesh me nenin 6 dhe atë 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Përkatësisht nëse ky proces rivlerësimi kalimtar i politikanëve do të ndërhynte me të drejtën e tyre për mbrojtjen e reputacionit apo atë për një procesi të rregullt ligjor.

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj parashikon se çdo person i akuzuar prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht, si dhe i njeh çdokujt një gjykim të drejtë, publik dhe të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.

E ndërsa neni 8 i saj njeh të drejtën e respektimit të jetës private, familjare, banesës dhe korrespondencës së çdokujt, pika dy e të cilit thekson se autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në këto të drejta, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji apo kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, mbrojtjes së rendit publik, shëndetit, moralit apo të drejtave dhe lirive të të tjerëve./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono