komisioni europian

Ursula-von-der-leyen-1280x711.jpg
nev ila21:59 | 20/07/2019

Ursula von der Lejen është presidentja e re e Komisionit Europian, pasardhësja e Zhan Klod Junker. Ajo është gruaja e parë në historinë e Gjermanisë që ka mbajtur postin e ministres së mbrojtjes.

Në fund ia doli Ursula von der Lejen, me parlamentin e drejtuar nga italiani David Sassoli i cili e zgjodhi zyrtarisht presidenten e re të komisionit europian duke marrë vendin e Zhan Klod Junker.

Pasi emri i saj u propozua nga këshilli evropian, në përfundim të mbledhjeve të panumërta dhe marrëveshjeve që nuk u mbyllën dot, në fund gjermania arriti të merrte dritën jeshile me mazhorancë absolute.

Me 383 vota pro, u tejkalua pragu prej 374, që duheshin, Von der Lejen ia doli  të merrte mazhorancën e saj, e cila në fillim dukej e pamundur me një pjesë të socialistëve, të cilët ishin të pakënaqur nga kandidatët e vendosur nga Këshilli, vendosi të mos votojë pro.

Presidentja e re e komisionit evropian është femra e parë në historinë e Gjermanisë që mbajti postin e ministres së mbrojtjes.

Profesioni i saj është mjeke, dhe pse shënon një rekord tjetër. Është e vetmja ministre që ka mbetur e tillë nën qeveritë e Anxhela Merkel që kur ka m orë postin në vitin 2005. Ajo ka qenë ministër për çështjet e familjes dhe të rinisë në periudhën 2005 – 2009 dhe ministër i punës dhe çështjeve sociale nga viti 2009 – 2013 para se të bëhej ministre e mbrojtjes në vitin 2013.

E martuar në vitin 1986 ajo ka shtatë fëmijë, nga të cilët më i vogli është aktualisht 20 vjeç.

Si ministre për familjen ajo rriti financimet për programit për fëmijët duke shtuar polemikat në krahun më konservator të partisë së saj. Ndërsa si ministre e punës ajo monitoroi përforcimin e programit të reformës së epokës së Shrëder.

Por sfida më e madhe ishte roli i ministres së mbrojtjes: riorganizimi dhe rindërtimi i ushtrisë pas vitesh investimesh të pakta dhe mos qartësisë për rolin e saj në atdhe dhe jashtë. Një detyrë komplekse, shpesh mosmirënjohëse, dhe për shkak të përshkallëzimit të presioneve ndaj Gjermanisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që vendi të rrisë shpenzimet ushtarake në linjë me NATO.

Ajo ka marrë disa vendime që i kanë dhënë respektin nga rangje të ndryshme, si për shembull: blerja e droneve pa pilotë, dorëzimi i armëve mbështetëse militantëve që luftojnë kundër ISIS, rritja e sigurisë informatike në ushtri dhe në marinë. Aktualisht në vitin e saj të gjashtë si ministre e mbrojtjes ajo është gjithnjë e më pak popullore për shkak të një serie shpenzimesh të tepërta për avionë ushtarakë dhe për këshilltarë të jashtëm.

Ajo nuk ka qenë asnjëherë një aleate e ngushtë politike e Merkel, Ursula von der Lejen zakonisht konsiderohej një kancelare e mundshme rezervë.

E lindur në Bruksel ku babai I saj Ernst Albrecht punonte si një nga funksionarët e parë të institucionit, në vitin 1958, në komisionin evropian. Fillimisht babai i saj ishte kreu i kabinetit së komisionerit evropian për konkurrencën. Ajo ka jetuar në Bruksel deri në moshën 13 vjeç ndërsa në vitin 1971 familja u transferua në Hannover. Gjithashtu ajo është një pasardhëse e baronit Ludvig Knop, një tregtari pambuku një prej sipërmarrësve më të suksesshëm në perandorinë ruse në shekullin 19.

Ajo është martuar me një profesor mjekësie i cili vjen nga një familje aristokrate, e njohur për tregtinë e mëndafshit dhe disa aktivitete industriale. Ndërkohë që flet rrjedhshëm gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht.

Për sa i përket karrierës së saj politike, ngjitja e saj në skenë nisi me anëtarësimin në CDU në vitin 1990. Nisi të merrte pjesë aktivisht në politikë në vitin 1999, duke u bërë më pas pjesë e politikës vendore në vitin 2001 në Hanover.

U zgjodh në parlament në zgjedhjet e vitit 2003, po në këtë vit ajo bëhet pjesë e një grupi  të ngarkuar nga liderja e opozitës dhe presidente e CDU-së, Anxhela Merkel, që të punonte për një projektligj me propozime alternative për reformën e asistencës sociale si reagim ndaj axhendës të kancelarit Gerard Shrëder.

Për zgjedhjet federale të vitit 2005 Merkel zgjodhi pikërisht atë për ministrinë e familjes dhe të sigurisë sociale.

Në 60 vjetorin e themelimit të Izraelit, Von der Lejen merr pjesë në takimin e përbashkët të qeverisë së Gjermanisë dhe Izraelit në Jeruzalem në mars të vitit 2008. Ndërsa një vit më pas do të zgjidhet në Bundestag si përfaqësuese e distriktit të 42 të Hanover.

Në një intervistë për Der Shpigel në vitin 2011 ajo shprehej pro për Shtetet e Bashkuara të Evropës – përgjatë linjave të shteteve federale të Zvicrës, Gjermanisë apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me marrëveshje për çështje të rëndësishme financiare, fiskale dhe politikën ekonomike. Merkel nuk hezitoi për të përdorur të njëjtën deklaratë, të njëjtin vit të kulmit të krizës ekonomike greke.

Ndërsa në vitin 2015 ajo deklaroi se krijimi I një ushtrie të Bashkimit Evropian duhet të jetë një objektiv afatgjatë. Ajo shprehet e bindur për këtë objektiv duke thënë se ndoshta jo fëmijët e saj por nipërit dhe mbesat do të jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një tjetër moment i rëndësishëm i javës që lamë pas është dhe vizita e presidentit francez në Serbi, sidomos pas deklaratave kundër një zgjerimi të mëtejshëm të Bashkimit evropian me vendet e Ballkanit perëndimor.

Ai u prit me një ceremoni solemne në aeroportin “Nikolla Teslla” të Beogradit. I gjithë kryeqyteti u blindua. Mijëra policë, snajperë dhe masa të shumta sigurie nga ajri. Mbërritja e tij u shoqërua me të shtëna topi, në të njëjtën mënyrë me të cilën u prit dhe presidenti rus Vladimir Putin. Makron u prit nga homologu i tij serb, Aleksandër Vucic, i cili nuk fshehu gëzimin e tij.

Vizita ishte e rëndësishme për të konfirmuar çështje si Kosova dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Franca është rikthyer në Ballkan konsiderohet në Serbi. Takimi kokë më kokë mes dy krerëve të shtetit konfirmoi mbështetjen politike të Parisit. Në konferencën për presidenti Macron, foli i qetë duke falënderuar dhe kujtuar historinë.

Por, komentet e tij ishin të qarta, Franca është kundër zgjerimit pa reforma në Bashkimin evropian, e sidomos në Ballkanin Perëndimor. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë kompromis, theksoi ai duke shtuar se Franca do të angazhohet për një takim të ri.

Nuk kemi asnjë zgjidhje magjike në xhepin e Gjermanisë, SHBA apo Francës. Zgjidhja është në zemrat tuaja. Besoj tek stabiliteti i këtij rajoni dhe Evropa duhet t’ju mbështesë. Do të angazhohem pasi besoj tek e ardhmja e këtij rajoni dhe tek Evropa. Kemi folur hapur dhe guximshëm pasi kjo është një çështje e vështirë për vendin tuaj, historinë dhe të ardhmen. Ne nuk mund ta kthejmë historinë, por duhet gjetur kompromis. Do të gabonim nëse nuk kemi dialog. Franca është angazhuar për të gjetur një zgjidhje globale dhe të qëndrueshme”.

Vuçiç nga ana e tij u shpreh se e ka të qartë që janë dy procese paralele dhe se për Serbinë është e rëndësishme të arrijë pavarësisht BE-së.

E di që kemi dallime në qëndrime, por ky është takimi më i gjatë që kam patur unë dhe presidenti francez është ndër të pakëtit, që ndoshta krahas kancelares Merkel, dëgjon edhe qëndrimin tonë”.

Presidenti francez ishte i shoqëruar nga disa biznesmenë dhe investitorë francezë. Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve u firmosën 20 marrëveshje, nga ekonomia e deri tek furnizimi i ushtrisë. Miqësia franceze dhe serbe është ruajtur që prej Luftës së Parë Botërore. Në këtë frymë Macron vizitoi dhe obeliskun e miqësisë serbo-franceze, varrezat e heronjve dhe vende të tjera. Duke iu drejtuar qytetarëve serbë ai u foli dhe në gjuhën serbe duke thënë se edhe Franca e di borxhin që ka ndaj Serbisë./ABC News Albania 24/7

mesuesit-1-1280x727.jpg
G. P.18:15 | 18/07/2019

Programi i ri mësimor 2019-2020 që do nisë në arsimin fillor kërkon aftësi shtesë, që sipas Komisionit Europian mësuesit në Shqipëri nuk i kanë.

Programi mësimor që do të futet në vitin akademik 2019-2020 i ka gjetur mësuesit e arsimit fillor të papërgatitur. Komisioni Europian ka lajmëruar se në këtë program të ri mësimor, duhen aftësi shtesë që mësuesit në Shqipëri nuk i kanë.

Ndërsa shton se në këtë vit akademik do të futet kurrikula e re universitare për mësuesit në klasat 1-9, por vuri në dukje se burimet lidhur me infrastrukturën, objektet dhe materialet mësimore janë të pamjaftueshme.

Në vlerësimin e Komisionit Europian, kjo sjell cilësi të ulët të arsimit në vend, duke bërë fajtor mungesën e investimeve në këtë sektor.

Komisioni Europian vëren se arsimi në Shqipëri është përmirësuar, por ka ende punë. Lidhur me braktisjen e shkollave, Komisioni Europian nënvizon se numri i nxënësve që braktisin shkollën në krahasim me 10 vite më parë, ka rënë, por  shifrat mbeten të larta në krahasim me mesataren.

“Shqipëria vazhdon të zërë pozicione të ulëta në testet PISA (2015), ku të paktën 50.3% e nxënësve janë dobët në lexim dhe 53.3% në matematikë”, kujton Komisioni Europian në vlerësimin e tij./ABC News Albania 24/7

von-der-leyen.jpg
G. P.10:27 | 17/07/2019

Edhe në epokën e internetit ka momente, në të cilat fjala është vendimtare. Këtë e tregoi Ursula von der Leyen të martën në Parlamentin Europian në Strazburg. Edhe pse në fakt nëpër parlamente “parlare”, fjala pra, do të duhej të ishte arti më i madh, shpesh ndodh, që vendimet dihen përpara se të jenë shkëmbyer argumentat. Kësaj here qe ndryshe: Ishte një ditë, në të cilën për kandidaten gjermane çdo gjë ishte e mundshme. Asaj i duhej të rezistonte në skenën e madhe e ndonjëherë irrituese të Parlamentit Europian. Ajo duhej të bënte për vete skeptikët, duhej të inkurajonte përkrahësit dhe me ofertat e duhura të ndryshonte kursin e kundërshtarëve. E po ashtu ajo duhej të kujdesej për një moment europian.

Feministe, sociale dhe ekologjiste

Të gjitha këto i ka Ursula von der Leyen – edhe pse në fund ajo ia doli me një shumicë fare të dobët, vetëm me nëntë vota. Feministja e bindur u prezantua më sociale dhe më ekologjiste nga sa do të preferonin shokët e saj të partisë konservatore – dhe ajo me vetëdije të plotë dhe sovranitet e luajti kartën e të qenit grua. Ndoshta ishte zgjedhja më e mirë e saj që ta mbante fjalimin në tri gjuhë. Frëngjisht për një BE me zelll të ri dhe pjesëmarrje të qytetarëve, anglisht për faktet dhe kërkesat e mprehta – për taksa më të larta për gjigandët e ekonomisë botërore, dhe për një barazi të vërtetë gjinore. Gjermanishten ajo e zgjodhi për mbylljen emocionale të fjalimit, gjatë të cilit politikania e lindur në Bruksel e shiti biografinë e saj si të kompozuar ekstra për një karrierë europiane.

Qartësisht zgjedhja e dytë

Nuk është sekret, që von der Leyen ishte zgjedhja e dytë për këtë post. Ajo e dinte, që i duhej të luftonte me rafinesë dhe një inskenim perfekt kundër këtij disavantazhi. Ajo mund t’i kishte humbur të gjitha. Por ajo surprizoi duke e kthyer këtë disavantazh në përparësi. Ajo u tregoi vendin anti-europianëve dhe atyre që largohen duke iu kundërvënë me shpërfillje provokimeve të tyre. Këtë kurs ajo duhet të vazhdojë ta ndjekë qartë dhe me konseguencë duke e mbyllur krahun e djathtë. E gjitha kjo nuk mjafton për të garantuar një presidencë të sukseshme të Komisionit, por është të paktën një fillim i mirë dhe një ditë e mirë për Parlamentin Europian, që kishte një zgjedhje të vërtetë.

Humbësit më të mëdhenj të kësaj dite votimi janë eurodeputetët socialdemokratë gjermanë. Duke i qendruar besnik parimit, ata deri në fund iu përmbajtën marrëveshjes, se vetëm një kandidat kryesor në zgjedhjet europiane duhet të bëhet president i Komisionit të BE-së. Që për këtë nuk e gjet shumica, kjo nuk luajti asnjë rol. Ata nuk morën parasysh as që BE-ja mund të zhytej në një krizë të thellë, nëse von der Leyen nuk do të kishte fituar.

Parlamenti e tha fjalën e vet. Ai vendosi me shumicë, që politika tek e fundit është arti i së mundshmes./DW

parlamenti-europian.jpg
G. P.15:54 | 16/07/2019

Sot në orën 18:30 do të zhvillohet votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian. Për t’u konfirmuar në krye të këtij Komisioni, kandidatja Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në debatin që është zhvilluar eurodeputetët duken të ndarë në qëndrimin e tyre.

Parlamenti Europian është treguar tërësisht i përçarë para kandidates të përzgjedhur nga liderët europianë për presidente të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Fjalimi në seancë plenare i Von der Leyen ishte më i mirë se javën e shkuar, por jo mjaftueshëm bindës për përballjen e sfidave që Bashkimi Europian ka përpara për 5 vitet e ardhshme. Masat e propozuara nga Von der Leyen për ndryshimet klimaterike janë thjesht objektiva, por jo aksione, ndërkohë që për Europën sociale dhe një ekonomi të qëndrueshme  ajo është treguar e vagët. E ndërgjegjshme, se rrezikon të mos marrë votën e shumicës së eurodeputetëve, Von der Leyen është munduar të nxjerrë në pah aspektin human.

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente të Komisionit Europian: Ne duhet të përpiqemi më shumë për ndryshimet klimaterike. Një qasje me dy etapa nevojitet për reduktimit me 50% në mos 55% të ndotjeve të dioksidit të karbonit në vitin 2030. Ne jemi krenarë për ekonomikë tonë, duam ta forcojmë atë, por ka gjithashtu një logjikë të thjeshtë në këtë. Nuk janë qytetarët që i shërbejnë ekonomisë tonë, por ekonomia që i shërben qytetarëve tanë. Për modelin tonë të ekonomisë sociale, ne duhet të gërshetojmë aspektin e tregut me aspektin social. Jam në favor të një rroge minimale në Europë dhe për një taksim të drejtë. Do të propozoj një pakt të ri për migracionin dhe azilin, duke përfshirë edhe rilançimin e reformës së Dublinit. Kjo do të na mundësojë rikthimin në një zonë Shengen tërësisht funksionale të lëvizjes së lirë që përbën çelësin për prosperitetin, sigurinë dhe lirinë tonë. 4 vjet më parë unë prita një refugjat nga Siria në shtëpinë time. Ai nuk fliste gjermanisht dhe ishte tërësisht i brengosur nga situata e luftës civile në Siri. Sot, 4 vjet më pas, ai flet shumë mirë gjermanisht. Është një lider i komunitetit të tij për arsimin gjatë ditës  dhe një student i shkollës së lartë në mbrëmje.

Edhe pse Urusla von der Leyen intrigon si një kandidature femër për herë të parë në krye të Komisionit Europian, nuk bind ende të zgjedhurit e popullit. Ata i kanë rezervuar asaj një breshëri kritikash. Përveç grupimit të Partive Popullore Europiane dhe të pesë yjeve, grupimet e tjera jo vetëm që kanë vendosur pikëpyetjen për votën pro, por disa prej tyre kanë shprehur hapur votën e tyre kundër. Grupimi i gjelbër, i të majtës radikale kanë deklaruar se nuk do të votojnë Ursula von der Leyen, ndërkohë që socialdemokratët janë në mëdyshje.

Manfred Weber, kryetar i PPE-së: Liderët europianë kanë dëmtuar procesin demokratik të përzgjedhjes së kandidatëve ditët e fundit, por nuk besoj, se mund t’i rregullojmë gjërat, duke shkaktuar një dëm edhe më të madh. Europa duhet të jetë e zonja të veprojë tani. Europa duhet të jetë stabile. Ndaj, siç grupimi im mbështeti presidentin e ri të Parlamentit Europian, David Sassoli, ashtu pres nga grupimet e tjera, që të mbështesin si ne Ursula Von der Leyen në krye të Komisionit Europian.

Iratxe García Pérez, kryetare e S&D: Ne jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe nuk synojmë ta çojmë Europën drejt një krize institucionale aq më pak kur Europa ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ne duam të sigurohemi, se Europa do të jetë e zonja që të ndërmarrë masat që nevojiten të merren. Ndaj, grupimi ynë do të marrë një vendim këtë pasdite duke menduar se cila është zgjidhja më e mirë për Europën.

Dacian Ciolos, kryetar i Reniew (liberalët): Nëse ju do konfirmoheni në krye të Komisionit Europian dhe shpresoj që kjo të ndodhë, ju shpesh do dëgjoni, që shumë ndryshime nuk mund të bëhen. Por ne kemi nevojë për këto ndryshime, për një Europë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe në respekt të klimës.

Philipe Lamberts, kryetar i Greens: Ju folët për paktin për emigracionin. Ky pakt ekziston dhe është votuar nga shumica e Parlamentit Europian. Mos të bëjmë sikur po shpikim gjëra të reja. Merr propozimin tonë dhe lufto për të në Këshillin e Ministrave. Për shtetin ligjor, gjuha juaj është e fortë, por propozimet mbeten shumë të vagëta. Ne duhet të respektojmë shtetin ligjor kudo dhe jo të tolerojmë dhunimin e lirive europiane dhe të ndarjes së pushteteve në disa shtete anëtare siç është rasti i Hungarisë dhe Polonisë. Ne na duhet një ndryshim total për klimën, Europën sociale dhe ambientin, ndërkohë që ajo që propozoni juaj është një ndryshim në sipërfaqe me ide të vagëta. Ju e kuptoni që grupimi i gjelbër tani nuk mund t’ju mbështesë.

Jörg Meuthen: Kam respekt për ju si person, por ne e kemi shqyrtuar me kujdes letrën tuaj dhe konsiderojmë, se ju nuk përmbushni kriteret për këtë post. Së pari, ne gjermanët, kemi parë eksperiencën tuaj si ministre e Punës për Çështjet Sociale, apo ministre e Mbrojtjes. Në asnjë prej këtyre posteve nuk i keni shërbyer interesit të qytetarëve gjermanë dhe as keni qenë në lartësinë e punës. Nuk dua të bëj një listë të të gjitha dështimeve tuaja, por ju jeni një politikane tipike që bën premtime boshe me qëllimin e vetëm për të arritur shumicën e votave në Parlamentin Europian. Ne nuk shohim asnjë tregues që ju mund ta bëni më mirë detyrën e presidentes së Komisionit Europian, se detyrat tuaja të mëparshme. Ndaj vota jonë është kundër.

Rafaelle Fitto, bashkëkryetar i grupimit ECR: Ka sërish disa çështje, ku ne presim të kemi përgjigje të qarta nga ju. Kjo do të na ndihmonte që të marrim një vendim në fund të pasdites.

Martin Schirdewan (GUE): Mendoj, se vizioni ynë për Bashkimin Europian, si një Europë sociale, e bazuar në drejtësi, paqe dhe respekt për klimën nuk përputhet me vizionin që parashtruat para nesh. Ndaj, fatkeqësisht, vota jonë do jetë kundër.

Nigel Farage: Ajo që keni parë sot është një tentativë për Bashkimin Europian për të kontrolluar çdo aspekt të jetës tonë. Von der Leyen do që të ndërtojë një Bashkim Europian të centralizuar, jodemokratike, të vjetërsuar të komunizmit. Me këta njerëz, brenda 5 vjetësh, Europa e mbrojtjes do të plotësohet. Do të shërbejë për mbrojtje, por edhe mund të përdoret për sulm. Dhe ju nuk do të mund ta kontrolloni këtë si Parlament Europian. Votoni kundër kësaj kandidature.

Votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian do të kryhet në orën 18:00 dhe pritet të bëhet publik në 19:30. Për t’u konfirmuar në krye të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në rast të kundërt, vendimi kthehet mbrapsht në tryezën e liderëvë europianë për një tjetër kandidaturë./ABC News Albania 24/7

kallashnikov.jpg
G. P.21:38 | 12/07/2019

Në Ballkanin Perëndimor qarkullojnë rreth 6 milionë armë. Kështu thuhet në një raport të Komisionit Europian, që konstaton se vendet e rajonit kanë bërë pak përpjekje për kontrollin e armëve pa leje.

“Në Ballkanin Perëndimor ka rreth 6 milionë armë, nga të cilat dy të tretat janë të paregjistruara. Kjo përbën një kërcënim të vazhdueshëm për kontinentin europian”.

Ky është konstatimi i Komisionit Europian në një raport të publikuar së fundmi. Në Dhjetor të vitit 2014, Bashkimi Europian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor miratuan një plan veprimi për armët e zjarrit për periudhën 2015-2019. Por vlerësimi i Komisionit Europian për këtë plan veprimi tregon se nuk është aspak i frytshëm.

Në plan evidentohet se ende nuk ka grumbullim të harmonizuar të të dhënave mbi sekuestrimet e armëve të zjarrit, që do të lejonte miratimin e një politike të bazuar në të dhëna faktike dhe një vlerësim të vërtetë dhe të besueshëm të tendencave të trafikut të armëve. Aktorët nuk kanë krijuar një model të raportimit për shkëmbimin e informacionit, gjë që bie në kundërshtim me planet e veprimit.

Pikat fokale kontrolluese për “armët e zjarrit” në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë themeluar ende, ose s’janë operative dhe për rrjedhojë ka mungesë së gjetjeve sistematike të armëve të konfiskuara, mosintegrim të gjetjeve në bazën e të dhënave “i Arms”, ka mungesë të krahasimeve ndërkufitare në rajon, si dhe të analizave sistematike balistike ose të automatizuara.

Në raport thuhet, se kontrollet kufitare në Ballkanin Perëndimor kanë rezultuar të paefektshme për të zbuluar trafikimin e armëve të zjarrit, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit, të formimit dhe të pajisjeve të rojeve kufitare apo agjentëve doganorë.

Në fund të raportit, Komisioni Europian i bën thirrje vendeve të rajonit dhe shteteve anëtare të përkthejnë angazhimet politike në prioritete operacionale dhe në rezultate.

Vendet e Evropës Juglindore kanë miratuar gjithashtu në vitin 2018 një plan rajonal për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit për ndalimin e keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe municionet e tyre deri në vitin 2024, nën iniciativën e Francës dhe Gjermanisë./ABC News Albania 24/7

ursula-1-1280x720.jpg
G. P.23:45 | 10/07/2019

Gruaja e emëruar për të pasuar Jean-Claude Juncker në krye të BE-së ka folur për herë të parë në lidhje me Breksit. Ursula con der Leyen ka deklaruar se shpreson që Britania e Madhe të heqë dorë nga divorci i planifikuar me Brukselin. Në të kundërt, ajo i ka bërë thirrje Londrës që të tregohet më e moderuar sa i takon mënyrë së largimit.

E emëruara për postin e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se shpreson që Mbretëria e Bashkuar të heqë dorë nga plani për t’u larguar nga BE-ja.

“Unë ende shpresoj se ju mund të qëndroni”, ka thënë von der Leyen, duke i bërë thirrje autoriteteve britanike që të gjejnë sa më shpejt qëndrimin e tyre të unifikuar për Brexit.

Zonja von der Leyen ka folur në një seancë të mbajtur në Parlamentin Europian, në prag të votimit mbi nominimin e saj që mbahet javën e ardhshme. Ajo është zotuar se, nëse konfirmohet do ta bëjë Bashkimin Europian më ambicioz në çështjen e ndryshimeve të klimës dhe do të punojë për më shumë barazi gjinore brenda bllokut.

Von der Leyen, që aktualisht është ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, nëse konfirmohet do të zëvendësojë presidentin në ikje të KE-së, Jean-Claude Juncker më 1 Nëntor. Nëse kjo ndodh, ajo do të jetë gjithashtu e para grua që emërohet në postin më të lartë të Europës së bashkuar. Në vijim të fjalimit të saj, ministrja gjermane u ka bërë thirrje ligjvënësve britanikë që të marrin përsipër përgjegjësitë sa i takon mënyrë së largimit të Britanisë.

“Marrëveshja e negociuar nga kryeministrja në ikje Theresa May me liderët e BE-së ishte e mirë”, ka shtuar ajo në komentet e para lidhur me Breksit që nga nominimi i saj. Gjithashtu, von der Leyen ka paralajmëruar dy konkurrentët për zëvendësimin e Mej, Boris Johnson dhe Jeremy Hant, se “gjuha dhe takti” i Brexit janë jetike për përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme mes dy palëve./ABC News Albania 24/7

juncker-1.png
G. P.14:59 | 06/07/2019

Presidenti në largim i Komisionit Europian Jean Claude Juncker nuk është aspak i kënaqur nga personi që do të e zëvendësojë në këtë post. Sipas tij në rastin e këtij emërimi ka munguar transparenca.

Nuk i ka pëlqyer ish-presidentit të Komisionit Europian Jea Claude Juncker mënyra e ndjekur për emërimin e pasardhëses së rij Ursula von der Leyen. Sipas tij ajo nuk u zgjodh me të njëjtën mënyrë si u zgjodh ai në 2014-n dhe për këtë emërim ka munguar transparenca.

Gjatë një deklarate për shtyp në Helsink, Juncker mbrojti mekanizmin me të cilin u emërua ai dikur pasi ishte më transparent dhe më demokratik. Zgjedhja e kryesuesit të listës dhe të presidentit të ardhshëm të Komisionit Europian nga ana e grupimeve të ndryshme politike, lejon dhe pse në mënyrë informale, atë që mund të cilësohet si një marrëveshje politike mes partive, votën popullore në rastin e deputetëve si dhe emërimin e komisionerit.

Por dhe dikush tjetër është shprehur i pakënaqur, ish-presidenti i Parlamentit të Strasburgut, Martin Schultz. Sipas tij von der Leyen i ka të gjitha ato që duhen, por procesi që e çoi atë në postin që do të mbajë e çon Europën një hap prapa. Kjo sepse u përdor një metodë e gabuar me dyer të mbyllura. Mes të tjerave përfaqëson dhe një përçarje në Parlamentin Europian. E thëna në grup: në asnjë rast nuk do të votojmë atë emër, ishte një gabim, përfundoi ai.

E emëruar nga 28 vende anëtare, emri i ri i presidentes së Komisionit Europian duhet të miratohet nga parlamenti. Von der Leyen, ministre në qeverinë e Merkel, do të jetë në Strasburg në 16 Korrik për një debat në sallë. Të njëjtën ditë është parashikuar dhe votimi për emërimin e saj në presidencën e komisionit. Eurodeputetët kanë paralajmëruar betejë në sallë./ABC News Albania 24/7

edi-rama.jpg
nev ila12:07 | 03/07/2019

Kryeministri Rama përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka komentuar refuzimin nga Komisioni Europian të kërkesës së qeverisë holandeze për vendosjen e vizave me Shqipërinë.

“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter“, shkruan kryeministri Rama./abcnews.al

70853Bashkimi.jpg
G. P.11:54 | 03/07/2019

Komisioni Evropian ka rrëzuar kërkesën e Holandës që i kërkoi Bashkimit Evropian aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen për qytetarët e Shqipërisë. Arsyeja e këtij vendimi është se nuk plotësohen rrethanat për të pezulluar vizat për vendin tonë.

Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëtojnë të lirë drejt Holandës. Nuk do të ketë rikthim vizash. Qëndrimin e Komisionit e bën të ditur Gazetarja e ABC News në Bruksel Erisa Zykaj sipas të cilës:

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale, rrethanat për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni Evropian  do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”.

Ky vendim i Komisionit Evropian është publikuar në Twitter edhe nga ambasadori i BE në Shqipëri Soreca.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës së ardhur nga Holanda dhe bazuar në informacionin e disponueshëm e të dhëna të rëndësishme, Komisioni Evropian vlerëson se në situatën aktuale, nuk ekzistojë rrethanat për të aktivizuar mekanizimin e pezullimit të vizave”, shkruan Soreca.

Menjëherë pas vendimit te Komisionit Evropian ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama ne twitter sipas të cilit refuzimi i kërkesës së qeverisë holandeze erdhi pasi Shqipëria nuk ka shkelur asnjë kriter.

“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi”, shkruan Rama.

Komisioni Evropian e nisi më 5 Qershor vlerësimin për pezullimin e vizave për Shqipërinë bazuar në kërkesën nga qeveria e Holandës, në vijim të rezolutës së aprovuar nga Parlamenti i Holandës./ABC News Albania 24/7

maja-1.jpg
nev ila21:23 | 01/07/2019

Komisioni Europian ka reaguar në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit përmes zëdhënëses së saj Maja Koçijançiç. Sipas KE zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë përgjithësisht të qetë.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e BE-së:

Zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri të dielën më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt.

Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR. Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit.

Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike. Të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit  të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”, deklaron Koçijançiç./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono