komedi

zoran-zaeve.jpg
ad min17:10 | 10/07/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka reaguar sërish sot pas publikimit të bisedës telefonike që ai ka bërë me dy komedianë dhe ku shprehej për ndarjen e Kosovës. Zaev u shpreh se kishte folur për informacione që kishte marrë nga media.

“Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë ti jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti”. 

Edhe pse shpresoi se ajo që e ka folur me komediatnët rusë nuk do të ndikojë tek shtetet e rajonit, pikërisht deklarata e tij për planet për ndarjen e Kosovës e bëri opozitën atje që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, që të parandalohet plani siç e quajnë ata, serbo-rus. Por kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev thotë që informata të sakta nuk ka pasur, por ka diskutuar me informatat që i ka dëgjuar në media.

“Unë edhe aty ku flas, them se kam dëgjuar… Askush me mua nuk ka ndarë informata të tilla, as pala kosovare, e as pala serbe sepse ai është problem bilateral. Ne jemi këtu si miq që duan zgjidhje. Detaje askush nuk ka ndarë me ne, të gjithë ne kemi folur nga ajo që e kemi dëgjuar që është publikuar në media”, tha ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shtoi se komunikimi midis tij dhe komedianëve rus ka qenë reciproke, ai tha se edhe vetë i ka kërkuar disa herë duke menduar se po bisedon me Poroshenkon dhe Stoltenbergun. I pyetur se kur e ka kuptuar se bëhet fjalë për mashtrim, Zaev ka zbuluar se e ka marrë vesh parmbrëmë, kur edhe janë publikuar incizimet./ABC News Albania 24/7

spiropali-1280x712.jpg
ad min09:45 | 25/06/2019

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta.

 Me anë të një status në Twitter Spiropali shkruan se “Ilir Meta që pa gdhirë tha se nuk ka anulluar zgjedhjet në SHBA, Itali apo Kinë, kështu që bota duhet ta mbyllë gojën se në Shqipëri vendos Ai se kur voton Populli!”.

Ministrja Spiropali në Twitter:

Ilir Meta që pa gdhirë tha se nuk ka anulluar zgjedhjet në SHBA, Itali apo Kinë, kështu që bota duhet ta mbyllë gojën se në Shqipëri vendos Ai se kur voton Populli! Dmth sa të kem Lulin&Monën me vete s’pyes për Amerikën&Europën – historia që përsëritet si komedi me Haxhiun e ri!/abcnews.al

kryeministri.jpg
ad min14:51 | 08/06/2019

Një komedi italiane është vënë në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhe nga një trupë aktorësh të rinj. Komedia “Një kryeministër zihet mat”, është pritur mjaft mirë nga publiku lezhjan, i cili ka kohë qe nuk frekuenton skenën e teatrit.

“Një Kryeministër zihet mat”. Është kjo komedia e vënë në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë me regji të Alket Bushit. Një komedi italiane që duket sikur ngjan edhe me realitetin shqiptar.

Përkthyer dhe përshtatur nga vetë aktorët, shfaqja u vu në skenë për herë të tretë brenda pak ditësh. Nuk ndodhte kështu prej shumë vitesh në Lezhë. Të qeshura gjatë shfaqjes dhe duartrokitje të shumta në fund të saj.

Aktorët janë gjimnazistë pasionantë të aktrimit dhe që kanë ngritur edhe një trupë teatrale. Ata besojnë se publiku ka nevojë për të qeshur. Teatri në Lezhë po nxit përfshirjen e të rinjve për të qenë protagonistë të tij. Tashme ato janë bërë pjesë e vazhdueshme e artit në këtë qytet./ABC News Albania 24/7

farsa-e-kurores.jpg
nev ila14:29 | 16/05/2019

“Farsa e Kurorës”, një komedi që tregon atë çfarë ndodh në një familje kur hyn tradhtia dhe lakmia, u prit mjaft mire nga spektatori gjirokastrit. Nëpërmjet kësaj vepre, publiku gjen mundësinë për t’u argëtuar, por dhe për të reflektuar mbi lakminë e mbi tradhtinë.

 

“Farsa e Kurorës” u shfaq për herë të parë për publikun gjirokastrit në teatrin  “Zihni Sako”. Me autor Arben Iljazin dhe regji nga Ledian Gjeci, trupa teatrore u bë pjesë e lojës aktoriale duke pasqyruar realitetin shqiptar dhe atë të shoqërive në  botë, ku tradhtia dhe lakmia janë fenomenet dominante.

“Farsa e Kurorës” vjen në skenë si një vepër e ndërtuar brenda një konflikti thelbësor familjar, që zhvillohet në sy të publikut, thotë  regjisori Ledian Gjeci. Në ngjarjet e veprës publiku gjen mundësinë për t’u argëtuar, por dhe për të reflektuar mbi lakminë e mbi tradhtinë.

Është një komedi e shkruar nga autori Arben Iljazaj është një pasqyrim i realitetit shqiptar dhe i shoqërive kudo në botë. Tradhtia, lakmia apo elemente negative si këto ne i pasqyrojmë e tu japim një mesazh njerëzve për të qëndruar larg këtyre elementeve, këtë ja u servirim si komedi duke i argëtuar ndërkohë”, thotë regjisori Ledian Gjeci.

Për aktorin Xhuljano Brisku i cili luan rolin e dashnorit në këtë komedi suksesi në Gjirokastër ishte i jashtëzakonshëm. Mikpritja, dashamirësia të josh për të tjera projekte në skenë.

“E kam ndjerë mikpritjen që në shfaqen e parë me publikun e Gjirokastrës. Për mua është një kënaqësi e madhe të interpretoj në këtë skenë dhe do ta bëj këtë sa herë të jetë e nevojshme“, tha aktori Xhuliano Brisku.

“Farsa e Kurorës” do të vazhdojë të jetë  në teatrin “Zihni Sako”. Rolet në skenë luhen nga aktori Xhuliano Brisku në rolin e dashnorit, Erion Hinaj në rolin e Dinos si bashkëshorti dhe aktorja Dajana Nenaj në rolin e gruas së re me emrin Kamila./ABC News Albania 24/7

 

mustafa-nano-1.jpg
ad min20:45 | 09/04/2019

Moderatori i emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano, në monologun e kësaj puntate foli për filmin më “2 Gisht Mjaltë”. Ai kishte shkuar për të parë komedinë në kinema pasi disa të njohur i kishin treguar radhët e njerëzve për të marrë bileta. Edhe pse iu duk e pabesueshme gjithçka iu vërtetua mbrëmjen e kaluar.

Nano tha se radhë të tilla kishte parë vetëm kur njerëzit qëndronin nëpër ambasada për të marrë një vizë. Mirëpo e çuditshme për Nanon është se pse ky event nuk është raportuar në edicionet e lajmeve dhe gazeta. Ai shtoi se nuk është bërë asnjë program televiziv ku të flitet për suksesin e kësaj komedie në historinë e kinemasë shqiptare.

Për moderatorin e “Provokacijas”, raportimi i “2 Gisht Mjaltë” ka qenë detyrim për të gjithë gazetarët, sepse është detyrë të raportohet një sukses.

“Dje, nga ora nëntë deri më njëmbëdhjetë të natës, shkova te TEG-u. Jo për të bërë shopping. Shkova për të parë një komedi të Ermal Mamaqit. Disa të njohur të mi që e kishin parë më kishin dërguar foto e video, ku dukeshin njerëz që mbanin radhën për të marrë një biletë. Mu duk e pabesueshme ajo që shihja në ato imazhe. Mirëpo ishte e vërtetë. Mbrëmë pashë me sytë e mi radhë të gjata njerëzish, kryesisht të rinj, por edhe familje të tëra.

Nuk kisha parë ndonjëherë në Shqipëri radhë të tilla njerëzish, që prej kohës së radhëve kilometrike nëpër ambasada për të marrë një vizë. Më thanë se vetëm në sallat e kinemave te TEG-u jepeshin 36 shfaqje në ditë. Dhe mos t’ju duket se është një lapsus i imi. Është tamam kështu: 36 shfaqje në ditë. Më thanë gjithashtu që deri më sot janë shitur 100 mijë bileta. Një sukses i jashtëzakonshëm. Dhe unë çuditem se si në edicionet televizive të lajmeve, apo edhe nëpër gazeta nuk është thënë asgjë mbi këtë event. Nuk është bërë asnjë program televiziv, ku të flitet mbi këtë sukses që nuk ka të dytë në historinë e kinemasë e të komedisë shqiptare.

Dhe prandaj, raportimi mbi këtë komedi ka qenë një detyrim për të gjithë gazetarët, pavarësisht se ç’kanë menduar lidhur me vlerat artistike apo me mesazhet e komedisë. Edhe sikur gazetarët e kulturës, apo edhe të tjerët, të kenë mendimin më të keq për këtë komedi, ata do duhej ta raportonin prapëseprapë. Ata kanë detyrën për të raportuar një sukses, për të raportuar atë që njerëzit pëlqejnë. Unë mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta përkufizuar një masë të madhe njerëzish sesa mbi bazën e asaj që ata pëlqejnë. Dhe kjo ka përbërë një arsye për të bërë një raportim, për të dhënë një lajm. Mund ta raportonin në mënyrë kritike, nëse donin, por duhet ta raportonin ama. Ashtu siç duhet të raportojnë edhe aftësinë e artistit, të Ermalit në këtë rast, për të hyrë në rezonancë me këtë masë të madhe njerëzish. Për ata që kanë shije të rafinuara, ky interes popullor mund të jetë një arsye për t’i dhënë munxët artistit, apo shfaqjes, apo komedisë, apo filmit, por kjo nuk ka lidhje me lajmin që është lajm. Sepse nëse nuk është lajm fakti që 100 mijë shqiptarë kanë ndjekur një shfaqje të caktuar, atëherë pse dreqin është lajm që tre mijë vetë mblidhen për një protestë, apo në një kongres partie, apo në një ndeshje futbolli?”, tha Nano. /abcnews.al

sundimi-gruas-1280x722.jpg
ad min18:31 | 10/11/2018

Një komedi e kroatit Miro Gavran, por e sjellë nga regjizorja kosovare Marogona Ferati ka entuziazmuar artdashësit vlonjatë. Në premierën e saj, “Sundimi i gruas” u prit mjaft mirë.

E vlerësuar si komedi e pazakontë, ngjarja zhvillohet brenda një shtëpie. Një grua përjeton tmerrin e kthimit nga burgu të ish-burrit të parë. Ai nuk ka ku të jetojë dhe shkon të gjejë strehë tek ish-bashëkshortja, e cila është martuar. Këtu nisin skena nga më komiket  dhe interesante.

“Sundimi i gruas”, komedia e kroatit Miro Gavran është mirëpritur nga spektatori vlonjat. Humori shpotitës është shoqëruar shpesh me duatrokitje. “Sundimi i gruas” është vepra e parë që regjisorja nga Kosova, Marogona Ferati, sjell në Vlorë, por edhe në Shqipëri.

Komedia me kastën e aktorëve Dori Caushi, Artan Islami, Margent Caushi do të vazhdojë të shfaqet për ditë me radhë në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë./abcnews.al

vlcsnap-error970-1280x720.jpg
ad min15:54 | 02/01/2018

Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do e çelin sezonin me komedi. Më 6 janar vjen premiera e parë e këtij viti me komedinë franceze “Boeing Boeing” nga Kiço Londo, ndërkohë që Teatri Kombëtar e nis me pjesë shqiptare “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” e dramaturgut shqiptar Ferdinand Hysi me regji të Elma Doresit./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono